Tirana Observer: “Spekulimet/ Dritan Demiraj mund të mbetet sërish ministër në qeverinë “Rama 2”” plus 9 more |
- Spekulimet/ Dritan Demiraj mund të mbetet sërish ministër në qeverinë “Rama 2”
- Historia e fotos së famshme të Ajnshtajnit me gjuhën jashtë
- HISTORI / Familja De Medici, “kumbarët” e Rilindjes
- VIDEO: Kur vjedh gruan e gabuar, shikoni sa keq e pëson hajduti
- Vdekja e 6-vjeçarit nga porta e hekurit, mjeku: Trajtojmë 10-15 raste fatale në vit, të ndalohet përdorimi!
- Hyn për të shpëtuar dy mbesat e mitura, 55-vjeçarja mbytet në Drin të Zi
- Tirana i dërgon Zagrebit dosjen “Ballisti”: Pse duhet ndaluar ekstradimi
- Terrorizmi iranian po përpiqet të infiltrohet edhe në Shqipëri?
- Urimi special i Xhemi Shehut për bashkëshorten e Taulant Ballës
- Familja mbretërore e ka të ndaluar këtë ushqim
| Spekulimet/ Dritan Demiraj mund të mbetet sërish ministër në qeverinë “Rama 2” Posted: 08 Aug 2017 09:31 AM PDT Shumëkënd e ka habitur heshtja e opozitës gjatë këtyre ditëve, veçanërisht pas fakteve të rënda për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të policisë dhe të ndonjë politikani në trafikun tronditës të drogës. Duket sikur PD zyrtare është e interesuar të mos e politizojë një betejë kundër narkotrafikut me përmasa shtetërore, betejë që tashmë nuk ka dyshim se e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët. Burime të lapsi.al mësuan se partnerët e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar kanë në duar informata, prova dhe fakte, të një implikimi të gjerë të strukturave shtetërore në atë që për shkak të shifrave marramendëse mori emrin e Republikës së Canabisit. Agjensi të specializuara në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar (pjesë të raporteve të tyre kanë dalë pjesërisht në media) janë vënë në lëvizje seriozisht për çmontimin e këtij rrejti kriminal dhe duket se tek ministri i Brendshëm teknik, i propozuar nga PD, Dritan Demiraj, kanë gjetur një mundësi të mirë bashkëpunimi. D isa goditje të fundit janë rezultat i këtij bashkëpunimi. Gjithnjë brenda këtij aksioni që sapo ka nisur, një burim tha se pritet që mbi 100 urdhëra për lëvizje të zyrtarëve të lartë të policisë, oficerë me grada nga nënkomisar e lartë, do të vihen në zbatim këto ditë. Bëhet fjalë për shkarkime, transferime si dhe emërime të reja, të cilat do të mbajnë firmën e ministrit Demiraj. I njëjti burim tha se me shumë gjasë, disa prej vendeve partnere, veçanërisht SHBA, i kanë kërkuar kryeministrit Rama mbajtjen në detyrë të Dritan Demirajt, pavarësisht se ai i përket opozitës. Në disa deklarata publike, zyrtarë të ndryshëm amerikanë, kanë nënvizuar nevojën që mazhoranca e re të shohë mundësinë e një qeverisje me bazë më të gjerë dhe një bashkëpunim konstruktiv me opozitën. Kjo ndoshta shihet si garanci që qeveria Rama 2, tani që i ka dhe numrat të pakushtëzuar në Kuvend, të mos rrëshqasë në degradim siç thuajse ndodhi në mandatin e parë në raport me krimin dhe trafikun e drogës. Dhe me shumë mundësi Rama do të jetë i detyruar të pranojë një kondicionim të tillë. Sinjalet për këtë strategji të re duhet t'i kenë shkuar edhe opozitës, e cila po bën kujdes mos t'i përdorë politikisht informacionet dhe faktet që po zbardhen dita- ditës e që tregojnë implikimin e qeverisë së shkuar në trafikun e drogës. Nuk është çudi që Basha të ketë dhënë konsensus që PD të bëhet në një farë mënyre pjesë e qeverisë së pas 9 shtatorit. Me argumentin e kushtëzimit dhe kontrollit ndaj shumicës së re, PD mund të pranojë disa portofole ministrash, duke ruajtur në dukje "teknicitetin" e marrëveshjes së 18 majit të kaluar. Dhe mes tyre, emri i Demirajt është më i sigurti. |
| Historia e fotos së famshme të Ajnshtajnit me gjuhën jashtë Posted: 08 Aug 2017 09:00 AM PDT Imazhi më i famshëm i mendjes më të madhe të historisë u shkrep në vitin 1951, komplet rastësisht. Ja historia ![]() Më 25 korrik 2017 u zhvillua ankandi për atë që është ndoshta imazhi më i famshëm i Albert Ajnshtajn. Shkencëtari i madh i tregon gjuhën fotografit Arthur Sasse, duke dalë më habitshëm sesa pritej. Fotoja u shkrep më 14 mars 1951 me rastin e 72-vjetorit të Ajnshtajn dhe në pak muaj bëri xhiron e botës. Madje edhe disa fitues çmimesh Nobel i kërkuan kolegut një kopje të fotos me autograf. Nuk është hera e parë që printime të fotos me autografin e shkencëtarit kanë dalë në ankand. Më përpara kanë arritur edhe kuota të rëndësishme, si ajo e shitur në vitin 2009 për 74.324 dollarë. Por në korrik të këtij viti u vendos një shifër rekord. Fotoja u ble për 125.000 $. Po pse një personazh me ndikim dhe i respektuar pozoi në një mënyrë të pazakontë duke parasysh edhe vitet e zymta '50? Historia Fotoja u bë në dalje të Princeton Club, ku një grup kolegësh kishte organizuar një festë për ditëlindjen e Ajnshtajn. Arthur Sasse ishte njëri nga shumë fotografët që po prisnin që babai i teorisë së relativitetit të linte festën për ta fotografuar. ![]() Kur e pa të hyntë në makinë me Frank Aydelotte, drejtor i "Institute for Advanced Study" dhe bashkëshorten, fotografi i doli përballë duke i kërkuar me këmbëngulje të buzëqeshte për një foyo të fundit. Por Ajnshtajn që gjatë gjithë mbrëmje kishte dhënë qindra buzëqeshje dhe kishte pozuar për dhjetëra foto ishte dukshëm i lodhur. Për t'i treguar fotografit Sasse se nuk ishte më rasti ta ndiqte i tregon gjuhën. Pra, asgjë e organizuar. Vetëm një veprim spontan që vite më pas shumë "vip-a" nisën ta imitonin përpara këmbënguljeve të paparacëve. Kartolina Jo të gjithë ishin dakord që fotoja të publikohej. Disa gazeta u menduan gjatë përpara se ta botoni. Klima e zymtë e Luftës së Ftohtë dhe mekartizmi nuk ishin në favor të ironisë. Por vetë Ajnshtajn ishte dëfryer nga fotoja dhe kërkoi disa kopje për përdorim personal. Pasi hoqi fytyrat e bashkëshortëve Aydelotte, bëri disa kartolina dhe ua nisi miqve. Kontribut për suksesin e fotos pati ndoshta edhe fakti që Ajnshtajn vdiq 4 vite më vonë, më 17 prill 1955, në moshën 76-vjeçare duke i lënë botës kujtimin e një gjeniu absolut, por që ishte edhe simpatik dhe "njerëzor"./American Eye |
| HISTORI / Familja De Medici, “kumbarët” e Rilindjes Posted: 08 Aug 2017 08:40 AM PDT Rrëfim i jashtëzakonshëm për një dinasti që ka një vend të padiskutueshëm në historinë e Europës. Bankierët që u pasuruan me bekimin dhe Vatikanit dhe e bënë Firencen një qytet me të pangjashëm në të gjithë kontinentin. Historia e një familjeje, e mbushur me suksese, por edhe me shumë komplote, vrasje (edhe brenda Katedraleve) dhe hakmarrje. Një familje që nxorri Papë, dhe që u bë mbrojtësja e artistëve dhe dijetarëve më të mëdhenj të Rilindjes, nga Mikelanxhelo tek Botiçeli, nga Leonardo Da Vinçi, tek Galileo Galilei, dhe që frymëzoi "Princin" e jashtëzakonshëm të Makiavelit Evropë, viti 1400: Një kontinent i rrënuar prej luftës dhe murtajës, dominohet nga auoriteti i Kishës Katolike. Në qytete dhe qendra banimi, tregtarë e sipërmarrës ndiejnë se bota e tyre po ndryshon. Me rritjen e tregtisë dhe pasurisë, zhvillohet edhe një etje për më shumë dije. Duke mos qenë më të neglizhuar në hijet e Kishës, filozofia klasike, poezia, arti dhe skulptura nisin të arrijnë një audiencë të re. Kjo është veçanërisht e vërtetë në qytete kozmopolitanë si Firence, vendlindja e Kozimo de Medicit. Firence në 1400 është si asnjë qytet tjetër në Evropë. Një qendër e madhe tregtie në zemër të Toskanës, ajo është një republikë ku familje të fuqishme konkurojnë për kontrollin politik. Që nga një rrugë anësore në sheshin kryesor, i ati i Kozimos, Xhovani de Medici menaxhon bankën de Medici. Në një lëvizje mendjemprehtë, Medicit, babë e bir "vënë bast" në zgjedhjet papnore dhe fitojnë. Shpërblimi për besnikërinë e trye është e gjithë llogaria bankare papnore. Duke u mbështetur në këtë kontratë, banka Medici zgjerohet në të gjithë Evropën, duke e ngjitur familjen në elitën e Firences. KUBEJA Familjet kryesore të Firences kanë si obsesion një dështim poshtërues. Për më shumë se një shekull, një katedrale shumë e madhe ka qëndruar mbi kryet e qytetit. Nuk ka çati apo kube dhe është krejt e hapur. Ata që e kishin planifikuar, ndërtuan një hapësirë qendrore shumë të madhe për t'u mbuluar. Kushdo që do t'i jepte qytetit kubenë e tij, do të fitonte famën e përjetshme. Një burrë besonte se dinte si ta ndërtonte atë kube. Filipo Bruneleski, arpunues dhe inxhinier kishte studiuar teknikat e ndërtimit si dhe materialet e Romës së lashtë, dhe ai besonte se ishte në gjendje të rishkruante rregullat e arkitekturës moderne. Tani, me ndihmën e një veze, ai bindi autoritetet e katedrales që ta lejonin të ofronte shfaqjen më gjigande në qytet. Ndërkohë, teksa pasuria e Medicit rritej, e njëjta gjë ndodhte edhe me egërsinë e rivalëve. Sapo Xhovani vdes, familja Albizi nis një luftë kundër trashëgimtarëve të tij, de Medici. Firence nuk është e madhe sa duhet për të patur vend për të dy familjet, dhe në 7 shtator 1433, Kozimo de Medici arrestohet dhe akuzohet për tradhëti. Kozimo shfrytëzon pasurinë për të korruptuar dhe dalë pa lagur nga burgu, por Medicit shpallen të jashtëligjshëm dhe Albizit triumfojnë. Tashmë, asnjë mik i Kozimos nuk është i sigurtë. Edhe Bruneleskin e flakin në qeli, duke bërë kështu të ndalet puna për kubenë. Jeta pa Medicit nuk është e lehtë. Në Firence, biznesi shteron, dhe brenda një viti zemërimi drejtohet kundër familjes Albizi. Me ndërhyrjen e Papës, Kozimo siguron rikthimin në Firence, dhe rimerr pozicionin e tij si lider jozyrtar i qytetit. Hakmarrja është e ëmbël. TRIUMF? Me një shije për artin dhe plot talent, Kozimo autorizon tashmë zanatçinjtë më të mirë të epokës së tij. Që nga Donatelo e Lipi deri tek Mikelozo dhe Gozoli, vepra të mrekullueshme prodhohen në emër të Kumbarit. Deri në 1436, kubeja më në fund është përfunduar, dhe meritën e merr Kozimo. Ai fton mikun e tij, Papën, që të kryejë shenjtërimin. Në vitin 1439, Kozimo nuk lejon t'i shpëtojë rasti për të bashkuar kulturat e lindjes dhe perëndimit, në Këshillin e mrekullueshëm të Firences. Është kulmi i suksesit të tij, e megjithatë Kozimo ka frikë për të ardhmen e dinastisë së tij. Biri i tij i preferuar dhe nipi vdesin përpara tij. "E njoh humorin e qytetit tim, para se të kenë kaluar 50 vite do të na kenë përzënë, por ndërtesat e mia do të mbeten". Me vdekjen e tij në 1464, Kozimo nderohet me titullin Pater Patriae – Baba i Atdheut – por, kush do të udhëheqë Medicit dhe Firencen? Kush do të zërë vendin e Kumbarit të Rilindjes? Firence, gusht 1466: Lorenco de Medici, trashëgimtari 17-vjeçar i dinastisë, zbulon dhe pengon një komplot për vrasjen e të atit dhe shpëton familjen nga një coup d'etat. Medicit ende e dominojnë Firencen, por tani marrin masa mbrojtëse shtesë, duke përzgjedhur një nuse të dobishme për Lorencon. Klaris Orsini, një bijë baroni dhe mbesë kardinali sjell lidhje, klas, si dhe muskuj ushtarakë në dinastinë Medici. Në punishtet e Firences, biznesi nuk ka ecur kurrë më mirë. Nën patronazhin e Medicit, artistë si Sandro Boticeli punojnë dhe i japin në përcaktim të ri vetë Rilindjes. Për momentin, "Adhurimi i misterit" i Boticelit konfirmon pozicionin e tij në qendër të pushtetit të Medicit. NJË LIDER I RI Në moshën 20-vjeçare, Lorenco bëhet Kapo i familjes Medici. Kumbari i ri u hap dyert njerëzve të zakonshëm të Toskanës. Në këmbim të çfarëdolloj gjëje që ata mund të lejojnë vetes, Lorenco ofron ndihmë dhe mbrojtje. Ky rrjet favoresh të ndërsjellë quhet amici degli amici – "miqtë e miqve". Pritjet e rregullta brenda Pallatit Medici bëjnë bashkë më të diturit e Firences, ajkën e tyre. I frymëzuar, Boticeli krijon një zhanër krejt të ri të artit. Në një botë të dominuar nga Kisha, Lorenco injekton një frymë lirie laike, e megjithatë, njëkohësisht ai është duke bërë shumë armiq, dhe me shumë shpejtësi. Familja Paci janë xhelozë për pushtetin e jashtëzakonshëm të Lorencos. Me mbështetjen e Papës, ata komplotojnë për të vrarë Lorencon dhe vëllanë e tij. VRASJE NË KATEDRALE E dielë Pashkësh, 26 Prill 1478: Mijëra vetë ndodhen brenda katedrales së madhe të Firences. Mes tyre, Lorenco, i vëllai dhe familja Paci. Në kulmin e ceremonisë, vrasës të paguar hyjnë dhe u afrohen vëllezërve Medici. Xhuliano qëllohet 19 herë me thikë dhe vdes përpara familjes së tij të tmerruar. Lorenco zhduket. Qyteti zhytet në kaos. Fjala për vrasjen përhapet si erë, dhe familja Paci përpiqet të marrë kontrollin. Krejt papritur, në dritaret e pallatit të tij shfaqet Lorenco, i mbytur në gjak, por i gjallë. Qyteti kthehet kundër familjes Paci dhe hakmarrja është brutale. Vrasja e Xhulianos trondit Italinë. Aleatë të familjes Paci dëshirojnë të përfundojnë punën që ata nisën, dhe i shpallin luftë Firences. Lorenco udhëton i vetëm, për të negociuar me kumbarët e jugut. "Ndoshta Zoti dëshiron që kjo luftë, e cila nisi me gjakun e tim vëllai dhe gjakun tim, të përfundojë me mjetet e mia". Ai rikthehet në Firence triumfues, pasi i ka ofruar rryshfet Mbretit të Napolit dhe sprapsur Papën. Pasi ka marrë nofkën Il Magnifico "I Mrekullueshmi" nga qyteti i tij mirënjohës, Lorenco eleminon gjithë kundërshtarët. Ai adopton djalin e jashtëligjshëm të vëllait të vdekur dhe vendos të gjithë qeverinë nën kontrollin e tij personal. Lorenco është tashmë një diktator. Rilindja vazhdon të lulëzojë. Boticeli autorizohet të pikturojë një dhuratë martese për kushëririn e Kumbarit, "Lindjen e Venusit". Ndërkohë, zbulohet Leonardo Da Vinçi dhe ai futet në vathën e Medicit. Në shkollën e parë të artit në botë, Lorenco zbulon një gjeni, Mikelanxhelo Buonarotin dhe e adopton edhe atë në familjen e tij. PROFETI I FATKEQËSISË Etja e Lorencos për kulturë materiale dhe shija e tij për jetesë me standarte të lartë ofendon një murg të ri dhe shumë të zellshëm. Xhirolamo Savonarola beson se Lorenco po udhëheq Firencen në një shteg dekadent shkatërrimi. Ai nis të predikojë kundër Medicit, "Shkoni dhe i thoni Lorencos që të pendohet për mëkatet, sepse Zoti do të ndëshkojë atë dhe familjen e tij!" Në vitin 1492, Lorenco sëmuret. Parashikimet e Savonarolës po realizohen, dhe mbështetja për të në Firence rritet. Pasuria e bankës Medici pëson rënie të menjëhershme dhe rrjeti i influencës së familjes nis të shpërbëhet. Lorenco vdes. Savonarola përhap llojin e tij të fondamentalizmit në të gjithë Firencen. Të gjithë gjurmët e ekstravagancës konsumohen në zjarrin e madh të kotësive. Prostitutat rrihen, homoseksualët digjen të gjallë. Medicit shpallen të jashtëligjshëm. Firence, në kërkim të shpëtimit, është shndërruar në një vizion të ferrit. Firence, 1501: 26 vjeçari Mikelanxhelo realizon një kryevepër gjigande, e cila do të simbolizojë betejën e tij kundër një familjeje që dikur e adhuronte. I rritur në moshë të re pranë trashëgimtarëve Medici, ai pa se si ata u dëbuan dhe mbi kokën e tyre u vendos një shpërblim. Tani, janë vënë në kërkim të një rruge që do t'i kthejë në pushtet. 26 Janar, 1504: Mikelanxhelo zbulon Davidin përpara syve të të gjithë botës. Përshëndetet si një triumf i vrtetë. Mikelanxhelo ka krijuar simbolin më të fundit të rezistencës ndaj familjes së përmbysur Medici. Xhulio de Medici është paracaktuar prift dhe kryemurg. Kushëriri i tij, Xhovani është tashmë kardinal, por lidhjet e trye klerikale kanë shumë pak rëndësi, pa Firencen. Papa Julius II, edhe ai nga një familje e fuqishme, është në mbështetje të përpjekjeve të tyre. Me ndihmën e tij, kushërinjtë mbledhin një ushtri dhe nisen për Firence. Ndërkohë, Firence pa Medicit është duke lulëzuar. Përkundër dëshirave të Kishës, Leonardo Da Vinçi hap trupat e kufomave për studime private anatomike. Me qytetin nën rrezikun e pushtimit, ai dhe Mikelanxhelo ftohen që të prodhojnë afreske të betejave të famshme fiorentinase. Eshtë një konkurencë intriguese. Në 1512, mijëra trupa janë duke marshuar drejt Toskanës. Firence i kërkon Nikolo Makiavelit, gjenisë politik, që të përgatisë mbrojtjen e saj. Ushtarët që ai stërvit janë shumë pak për ushtrinë e Medicit. Prato, një vend jashtë Firencës, shndërrohet në një kasaphanë gjigande. Xhovani shpall masakrën një veprim kundër atyre që do të përpiqen t'i rezistojnë. Ka të drejtë, liderët e Firences dorëzohen. Përmes dhunës dhe terrorit, Medicit rimarrin kontrollin e qytetit, por jo besnikërinë e popullit të Firences. PAPA LEONI Me vdekjen e Papa Juliusit, kardinalët mblidhen në Romë. Ata harxhojnë kaq shumë kohë për zgjedhjen e një Pape të ri, saqë vaktet e tyre reduktohen në një pjatë aspak ndjellëse. Xhovani de Medici shpallet fitues dhe nga ky moment, ai do të njihet si Papa Leoni X. Ndërkohë, Mikelanxhelo është trembur për të ardhmen e tij. A mundet që suksesi i tij i kohëve të fundit brenda Kapelës Sistinë ta shpëtojë nga zemërimi i Medicit? Kushërinjtë i bëjnë artistit një ofertë që ai nuk mund ta refuzojë, kur i kërkojnë të ndërtojë varret e baballarëve të tyre të vdekur, Lorenco i Mrekullueshmi dhe Xhuliano de Medici. Tani, edhe vetë Makiaveli është vënë në kërkim të një pune në regjimin e Leonit. Por plani i tij shkakton kundërplasje dhe, i shtrënguar në mërgim, ai harton një manifest për diktatorët e pamëshirshëm. Papa Leoni X ndërton një reputacion për bollëk dhe luks të tepruar, me dashurinë e tij për bankete me 65 pjata si dhe festa ekstravagante. Dëshpërimisht në kërkim të parave kesh, ai nis të përdorë mjetin më të fundit për të bërë para, shitjen e indulgjencave. Agjentë të Papës Leo X shesin indulgjenca papnore në të gjithë Evropën, duke shkaktuar në këtë mënyrë zemërimin e shumëkujt, përfshirë atë të një murgu gjerman. Në vitin 1517, Martin Luteri publikoi "95 tezat" duke i dhënë kështu shkëndijën një revolucioni fetar. Leoni përpiqet të heshtë heretikët, por zhytet në një ngricë dimërore. Kushëriri i tij, Xhulio kurorëzohet pas tij si Papa Klementi VII dhe atij i duhet të përmirësojë imazhin. Një detyrë e vështirë. Pasojat e reformimit të Luterit sjellin ushtri të xhindosura në dyert e Romës. Shumë prej tyre janë Luteranë dhe ata e urrejnë Papën. Në 7 maj 1527, ushtarë gjermanë dynden në Romë. Klementi i shpëton masakrës, por grabitja e Romës shndërrohet në momentin më të errët të Rilindjes. Pas disa muajsh në rrethim, Klementi arrin që me anë të parave të blejë njerëz për ta ndihmuar të dalë nga Roma e rrënuar. Armiqtë e tij në Firence janë rebeluar, duke marë peng të vetmin trashëgimtar të ligjshëm të familjes Medici. Katerina de Medici është vetëm 11 vjeçare. Xhaxhai i saj, Klementi pranon që të hyjë paqësisht në Firence, në këmbim të sigurisë së saj. Pas katër vitesh, ai e marton atë me djalin e Mbretit të Francës, duke i garantuar edhe një herë famijes Medici një të ardhme të ndritur. Por ditët e vetë Klementit janë tashmë të numëruara. GJYKIMI I FUNDIT Klementi, në çastet e fundit të jetës thërret Mikelanxhelon që të përfundojë veprën e tij në Kapelën Sistinë. E jashtëzakonshmja "Gjykimi i Fundit" do të jetë edhe kthesa e fundit në marrëdhënien e Mikelanxhelos me Medicit. Por, Klementi nuk do të jetojë për ta parë të përfunduar. Në vitin 1534, i lodhur e dërrmuar tashmë nga trazirat e vetë mbretërimit të tij, ai vdes. Pushteti shkatërrimtar i Papëve Medici ka marrë fund. Firence, 1537: Alesandro de Medici, Duka i Firences prehet i vrarë në shtratin e tij. Kushërri i tij nxirret që nga hijet për të udhëhequr Firencen. Eshtë vetëm 17 vjeç. Rivalët e tij mendojnë se është jnë kukull, por pavarësisht moshës, Kozimo de Medici, duka i ri i Firences është shumë ambicioz. NJË NJERI I RILINDUR Kozimo bën një marrëveshje me Xhorxhio Vasarin, një artist i gjithanshëm që beson se Duka i ri ka potencial. Në moshë të re, Vasari kish qenë shpëtimtari i krahut të thyer të Davidit të Mikelanxhelos. Tani, me miratimin e Kozimos, ai është vënë të mbikëqyrë riparimin e tij. Firence është një qytet i rrezikshëm, dhe e fundit gjë që Kozimo dëshiron është të përfundojë si kushëriri i tij. Kështu që, ai detyrohet të nisë një regjim shumë rigoroz stërvitjeje për t'u ruajtur nga atentatet. Martesa e tij e mençur me një princeshë spanjolle sjell një ushtri të tërë si prikë. Me të, ai nis të mendojë pushtimin e fqinjëve. Republika e Sienës bie, dhe shumë shpejt edhe pjesa tjetër e Toskanës kapitullon përballë Medicit. Kozimo nuk vonon të publicizojë suksesin e tij. Nëpër muret e ndërtesës së vjetër të qeverisë, ai porosit realizimin e afreskëve monumentalë nga Vasari. Një ushtri punëtorësh mbush muret e pallatit mesjetar me legjenda kurajoje dhe arritjesh. Kozimo sigurohet që çdo brez i familjes së tij të ketë vendin e vet, duke e shndërruar qendrën e republikës së vjetër në një tempull të paturp për dinastinë Medici. Gjithësesi, as kjo nuk mjafton për të kënaqur Dukeshën e tij. E etur për madhështi, Eleonora paguan 9000 florina për Pallatin Pitti, një fortesë shumë e madhe në pjesën jugore të Arnosit. Siguria është e mirëpritur. Në Firence ende ziejnë komplotet për vrasje, dhe Kozimo nuk shkon askund pa thika poshtë pantallonave, si dhe parzmore nën veshje. Por tashmë, i fiksuari pas kontrollit ka një tjetër problem. Ai është zot i një administrate komplekse, e menaxhuar nga zyra të panumërta të shpërndara në të gjithë qytetin. Vasarit i kërkohet të ofrojë ndërtesa për një administratë të centralizuar. Ndërtesat e tij ngrihen në të dy anët e një rruge me një korridor që lidh të dy krahët. Fushatës kulturore të Kozimos i vihet kapaku me një libër të shkruajtur nga Vasari, i cili i vë vulën reputacionit të Medicit një herë e përgjithmonë. "Jeta e artistëve" është e para vepër mbi historinë e artit. TRIUMF Kozimo është më në fund i sigurtë. "Jam një sundimtar që nuk pranon autoritetin e askujt, përveç Zotit", thotë ai. As edhe dalja në skenë e inkuizicionit të tmerrshëm roman nuk mund të zbehë suksesin e tij. Ai organzon një ceremoni publike për djegie librash, për të kënaqur urdhërat e tyre të censurës. Në këmbim, ai kurorëzohet Kozimo I, Dukë i Madh i Toskanës nga vetë Papa. Me Kozimo I, de Medici kanë mbërritur tashmë në shkallët më të larta të mbretërive ndërkombëtare. Duken të pakundërshtueshëm. Pas mbretërimit të Kozimos, shkenca nis të përplaset gjithnjë e më shumë me doktrinën katolike, një proces që shfaqet e mishërohet tek shkencëtari më i madh i kohës, Galileo Galilei. Për tre breza, Galilei u jep mësime Dukëve të Mëdhenj të Medicit, duke informuar njëkohësisht botën për astronominë, gravitetin, shpejtësinë, pluskimin dhe kohën. Por, në momentin që guxon të thotë se Toka rrotullohet përreth Diellit, tashmë Papës i ka ardhur në majë të hundës. Galileo thërritet përpara Inkuizicionit në Romë dhe kërcënohet me torturë. Medicit tashmë detyrohen që të zgjedhin, mes besnikërisë së tyre ndaj Kishës dhe besnikërisë ndaj vlerave të Rilindjes. Ata zgjedhin rrugën që kërkon më pak rezistencë, duke tradhëtuar Galileon. Me sa duket, nuk kanë arritur të ruajnë tek vetja atë çfarë i ka bërë të dallohen nga rivalët për breza të tërë. Rilindja në Itali merr fund. Ndonëse tashmë mbretërimi i Medicit ka marrë fund, lëvizja që ata kanë nisur afron më pranë iluminimin, Epokën e Arsyes dhe Botën Moderne. Shumë padronë do të përpqieshin të ecnin në gjurmët e tyre, por asnjëri nuk do të ishte në gjendje të ngrihej në nivelin e trashëgimisë së Medicit, Kumbarëve të Rilindjes. / Përgatiti: Bota.al |
| VIDEO: Kur vjedh gruan e gabuar, shikoni sa keq e pëson hajduti Posted: 08 Aug 2017 08:19 AM PDT Një hajdut në Rusi duket se ka zgjedhur prenë e gabuar për të vjedhur, pasi ka përfunduar shumë keq. Një video e filmuar në parkingun e një supermarketi në Nakhodka të Rusisë është një shembull i qartë për të gjithë hajdutët që të ndryshojnë "profesion", pasi mund ta pësojnë keqazi. Në video dallohet një grua e cila godet dhunshëm një mashkull, ndërsa ky i fundit thërret për ndihmë. Pranë tyre afrohet një makinë dhe hajduti i kërkon ndihmë, por ndërsa ai afrohet ta ndihmojë personi që po filmonte ngjarjen i tregon se ai kishte tentuar t'i vjedhë telefonin gruas në supermarket. |
| Posted: 08 Aug 2017 07:57 AM PDT Dy ditë më parë, një fëmijë 6 vjeç ka humbur jetën pasi i ka rënë në kokë porta e hekurit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Blliçe, teksa policia e Peshkopisë sqaron se fëmija u transportua në spital pa shenja jete. Nga veprimet e para hetimore rezulton se fëmija A.S, 6 vjeç banues në lagjen "Sule", njësia administrative Fushë-Çidhën, Dibër, kishte shkuar tek shtëpia e dajës së vet në fshatin Blliçe-Dibër dhe duke luajtur në oborr me portën e hekurit me shina është shembur porta duke e goditur në kokë fëmijën 6 vjeçar. Si pasojë e goditjes fëmija A.S, ka humbur jetën. Sot, mjeku i njohur, Fatos Olldashi ka bere apel për mospërdorimin e portave të mëdha te hekurit me shine. Sipas Olldashit, këto lloj portash janë shumë të rrezikshme. "Duhet të ndalohet përdorimi i këtyre portave. Trajtojmë rreth 10-15 pacientë në vit. Kryesisht fëmijë. Të gjithë kane një përfundim fatal me humbje të jetës apo paraliza nga dëmtimet e shtyllës kurrizore. Ju lutem shpërndajeni këtë informacion. Këshilloni aty ku i shikoni, që ti heqin këto lloj portash nga përdorimi", shkruan mjeku Fatos Olldashi. |
| Hyn për të shpëtuar dy mbesat e mitura, 55-vjeçarja mbytet në Drin të Zi Posted: 08 Aug 2017 07:42 AM PDT Një 55-vjeçare është mbytur në ujrat e lumit Drin i Zi të Peshkopisë pasi kishte hyrë për të shpëtuar dy mbesat e saj të mitura, 8 dhe 4 vjeçe. Ngjarja është regjistruar sot në mesditë pa shkuar tek ura e Topojanit-Shupenzë. Pikërisht në këtë vend kanë qenë duke u larë dy vajzat e mitura O.D, 8 vjeçe, O.D, 4 vjeçe, mbesat e shtetases F.D. "Vajzat janë rrëmbyer nga lumi dhe më pas është futur shtetësja F.D, rreth 55 vjeçe, për ti shpëtuar por për pasojë është mbytur. Të miturat janë shpëtuar nga pushuesit që ndodheshin pranë zonës së lumit," informon policia lokale Shtetësja F.D, është transportuar menjëherë në spitalin e Peshkopisë por pa shenja jete ndërsa vajzat e mitura janë jashtë rrezikut për jetën. Vijojnë hetimet në vend ngjarje për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. |
| Tirana i dërgon Zagrebit dosjen “Ballisti”: Pse duhet ndaluar ekstradimi Posted: 08 Aug 2017 07:25 AM PDT Federata Shqiptare e Futbollit, në kuadër të përpjekjeve për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës, i njohur edhe si "Ballist" Morina, nga Kroacia drejt Serbisë, i ka dorëzuar ditën e martë Ministrisë së Drejtësisë një raport mbi vendimin e Gjykatës sportive KAS, për ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri të 14 tetorit 2014 në Beograd. Në këtë vendim, ku Shqipëria fitoi tre pikët në tavolinë, gjykata sportive ka përmendur koret raciste si dhe dhunën e paprecedentë fizike që tifozët dhe personeli i stadiumit kanë ushtruar ndaj lojtarëve dhe stafit teknik të kombëtares shqiptare. Këto detaje, së bashku me viedon përkatëse, pritet të bëhen pjesë e relacionit që ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi shumë shpejt do t'i dërgojë homologut kroat për të bindur qeverinë në Zagreb që të mos e lejojë ekstradimin e Morinës drejt Serbisë, siç ka vendosur Gjykata e Dubrovnikut. Sipas legjislacionit kroat, pavarësisht vendimeve të marra nga gjyqësori për çështje të tilla, që kanë të bëjnë me ekstradime ku ka pretendime për përndjekje raciste ose etnike, është qeveria kroate që thotë fjalën e fundit. Përveç relacionit të Ministrisë së Drejtësisë, më herët edhe ministri Bushati deklaroi se pas takimit të dy kryeministrave besonte se Morina nuk do të ekstradohet, duke sjellë si shembull vendimin e Italisë, e cila nuk pranoi dërgimin e tij në Beograd. Ndërkohë, pritet që më datë 11 gusht të zhvillohet seanca paraprake në Gjykatën e Lartë kroate pikërisht për këtë çështje. |
| Terrorizmi iranian po përpiqet të infiltrohet edhe në Shqipëri? Posted: 08 Aug 2017 07:07 AM PDT Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi kohët e fundit Raportin mbi Terrorizmin e Shteteve në 2016-n. Në të thuhet: "Irani vazhdoi aktivitetin e tij lidhur me terrorizmin në 2016, duke përfshirë mbështetjen për Hezballahun, grupet palestineze terroriste në Gaza dhe grupet e ndryshme në Siri, Irak dhe në të gjithë Lindjen e Mesme", shkruan Iran News Update. Raporti, megjithatë, nuk përmend aktivitetet e Iranit në Evropë, të cilat në masë të madhe kanë mbetur të pazgjidhura, ndërsa ky shtet shton praninë dhe burimet e tij në Evropë, veçanërisht në Ballkan. Po ashtu, në këtë raport përmendet edhe shënjestrimi i Shqipërisë për aktivitete terroriste. Shqipëria duket të jetë një vend tjetër ballkanik që Irani ka shënjestruar. Reza Shafa, një ekspert iranian, e ka quajtur atë një "një pikëmbështetje në kontinentin evropian." Ashtu si në Bosnje, Irani ka tentuar të infiltrohet në Shqipëri duke krijuar "organizata bamirëse" dhe "organizata kulturore" që shërbejnë si organizata të fshehta për Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe Ministrinë e Inteligjencës. Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë ishin në një marrëveshje unanime për të lejuar një numër të madh të anëtarëve të grupit opozitar iranian të opozitës, MEK, që të vendoseshin në Shqipëri vitin e kaluar, – thuhet ndër të tjera në artikullin e publikuar nga Iran News Update. |
| Urimi special i Xhemi Shehut për bashkëshorten e Taulant Ballës Posted: 08 Aug 2017 06:55 AM PDT Bashkëshortja e deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka sot ditëlindjen. Përpos dhuratave dhe urimeve të shumta, një edhe më i veçantë i ka ardhur nga mikesha e saj, Xhemi Shehu. Ato të dyja kanë një miqësi të vjetër, pasi shpesh i shikojmë në dedikime apo udhëtime bashkë. Xhemi Shehu ka zgjedhur një urim të veçantë për miken e saj, Iris Pekmezi, bashkëshortja e deputetit Balla, duke e përcjellë në rrjetet sociale. Ajo ka publikuar në rrjetin social një foto dhe një dedikim prej mikeje.
|
| Familja mbretërore e ka të ndaluar këtë ushqim Posted: 08 Aug 2017 06:01 AM PDT Shumica prej nesh mund të kenë zili jetën që bëjnë familja mbretërore. Gjithë vemendja e të gjithëve kudo ku ata shfaqen është për ata. Duket se jetojnë një jetë perfekte. Por në të vërtetë nuk është kështu. Me siguri edhe ata kanë gjëra që nuk i pëlqejnë nga ajo jetë. Fakti që janë gjithë kohës në qendër të vemendjes, dhe shikohen e gjykohen nga të gjithë mendojmë se i bën ata të ndihen jo mirë. Ata gjithashtu duhet t'i përmbahen disa rregullave strikte, si për shembull: e kanë të ndaluar të konsumojnë midhjet dhe butakët. Kjo pasi, midhjet mbartin një rrezik të madh helmimi. Familja mbretërore këshillohet gjithashtu mos të konsumojë mish të papjekur mirë dhe ujë rubineti. Mbretëresha Elizabeth i respekton me përpikmëri këto rregulla. Ndërsa të rinjtë e familje i kanë thyer ndonjëherë këto rregulla. |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |









