Tirana Observer: “Një portret i Sami Frashërit për Ali Pashën: Vezir i zgjuar, por edhe i pamëshirshëm” plus 9 more |
- Një portret i Sami Frashërit për Ali Pashën: Vezir i zgjuar, por edhe i pamëshirshëm
- HARTA: Ja si ishte bota 300 milionë vjet më parë
- S’ka Pablo Escobar? S’ka problem. “Narcos 3” ka të tjerë kaubojsa të kokainës
- Kur i lan dhëmbët … në stadium (Foto)
- Ndërhyrja më brutale në historinë e futbollit (VIDEO)
- Largimi i Bushatit, këta janë emrat që përfliten për Ministrinë e Jashtme
- Rikthehet në skenë “Russiagate”, CNN: Zbulohen e-maile implikuese për njerëzit e Trump
- Dikur konkurrentë, sot “Stop” dhe Fiks Fare” bëhen bashkë!
- Ibra, pakt me “djallin”, United: Do të veshë fanellën me nr. 10
- “Gazzetta Dello Sport” interviston “Ballistët”: Pse jemi gati të vdesim për Shkëndijën
| Një portret i Sami Frashërit për Ali Pashën: Vezir i zgjuar, por edhe i pamëshirshëm Posted: 24 Aug 2017 09:00 AM PDT Ky portret i veçantë për Ali Pashë Tepelenën, është shkruar nga Sami Frashëri. Ai është një prej portreteve të një varg personalitetesh shqiptare përmbledhur në veprën e tij të famshme enciklopedike KÂMÛS AL-A'LÂM. Kjo vepër e cila i kushtoi Sami Frashërit 11 vite jetë është edhe vepra e cila "e bëri Sami Frashërin shkencëtar në suaza ndërkombëtare; vepra e cila e kishte shty të shëtisë bibliotekat e shumta të kohës dhe të gjurmojë edhe librat të cilët i kishte mbuluar pluhuri; vepra e cila e kishte lodhur më së shumti…", siç e cilëson studiuesi Mehdi Polisi, i cili e përzgjodhi, përktheu dhe botoi në vitin 1992 nën siglën e botimeve Rilindja në Prishtinë veprën me titull "Personalitete shqiptare në KÂMÛS AL-A'LÂM TË SAMI FRASHËRIT". Pikërisht nga ky botim ne e kemi shkëputur këtë portret kushtuar Ali pashë Tepelenës. Ndër të tjera Sami Frashëri e portretizon kështu pashain: "Ishte shumë i aftë dhe i zgjuar. Në vendet që gjendeshin nën qeverisjen dhe administratën e tij, siguroi paqe e qetësi, i përmirësoi rrugët dhe vendkalimet. Pat ndërtuar shumë kala dhe ura si dhe shumë ndërtesa të tjera të forta. Mirëpo, ishte jashtëzakonisht i ashpër, tiran dhe hileqar. Para syve të tij përgatiste skena të ndryshme të torturave më trishtuese (bënte eksperimente), të cilat i shikonte me kënaqësi. Sa më tepër i shtohej fuqia dhe pasuria aq më tepër i shtoheshin edhe hilet…". Nga Sami Frashëri ![]() Ishte vali dhe derebeg në Janinë plot 33 vjet në kohën e Sulltan Selim Hanit III, Sulltan Mustafa Hanit IV dhe Sulltan Mahmud Hanit II. Ishte një vezir i cili me veprimet e tij të jashtëzakonshme, me vrazhdësinë dhe pamëshirshmërinë e tij fitoi famë të lartë. Lindi në vitin 1145/1732 në kasabanë e Tepelenës (Në literaturën osmane njihet me trajtën Tepedelen) në Shqipëri. Gjyshi i tij, Ali Pasha, fitoi gradën mir-miran. Kur në luftën e Korfuzit e sulmoi kalanë, tregoi një trimëri dhe guxim të madh, por u vra. I la pas vetes tre djem. Të mëdhenjtë e lanë pa trashëgimi Veli beun, babain e këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, prandaj, Veli beu ishte i shtrënguar të merret me vjedhje. Pasi u pasurua dhe u përforcua në këtë mënyrë, me shokët e tij u kthye në Tepelenë. Vëllezërit e tij i dogji në shtëpitë e tyre. Për këtë shkak bejlerët e Tepelenës morën qëndrim të prerë që këtë ta bojkotojnë dhe ta dëbojnë nga krahina e tyre. Më pastaj Veli beu vdiq. I kishte dy gra; me të parën kishte një djalë, kurse me të dytën një djalë dhe një vajzë. Bashkëshortja e dytë me emrin Hanko, nga Konica (meqë gjuha turke-osmane nuk e ka shkronjën c, shkruhet me ç; Koniça), ishte një grua trime, energjike dhe e ashpër. Ajo për t'iu revanshuar bejlerëve të Tepelenës bëri marrëveshje me ish-shokët e ngushtë të bashkëshortit, kurse fëmijën e saj, Aliun, që nga vegjëlia e mësonte për hakmarrje dhe që të jetë sa më i ashpër ndaj tyre. Në mes bejlerëve të kasabasë së Kardhiqit, e cila i takonte Gjirokastrës dhe familjes së Ali Pashës prej kohësh kishte hasmëri. Meqë kardhiqasit për Hankon, nënën e Aliut dhe për motrën e saj, Shaensanë, kishin hetuar disa sjellje jo të mira dhe prishje të moralit. Hankoja, kur ishte duke vdekur, e kapi Aliun për jake dhe e këshilloi (e porositi) që të hakmerret ndaj kardhiqasve. Duke vazhduar rrugën e prindërve të vet, Aliu bëri një pasuri të madhe dhe, pasi i mbushi 20 vjet u martua me Emine Hanëmin, vajzën e Kapllan Pashës së Delvinës, i cili ishte vali i Gjirokastrës(në tekstin origjinal qëndron Ergiri. Kështu quhet Gjirokastra në literaturën osmane). Atë kohë, për t'i zhdukur bandat plaçkitëse që ishin përhapur dhe që krijonin shqetësime në ato anë, u urdhërua Kurt Pasha, vali i Beratit, i cili e pa të udhës ta përvetësojë Ali beun. E mori pranë vetes dhe e shpërblente. Edhe pse i pat premtuar se do t'ia japë vajzën, më vonë u tërhoq nga fjala e dhënë. Kështu, meqë e bëri dhëndërr Ibrahim Pashë Vlorën, Ali beu u nda nga ky dhe përsëri, duke mbledhur një grup shokësh, i futi nën qeverisjen e vet, me forcë, krahinat e Gjirokastrës, Përmetit dhe Konicës. Dhe, atëherë iu dha fermani i lartë për ta vrarë Kapllan Pashën e Delvinës, i cili i ishte nënshtruar Gadap Pashës. E vrau pashain e sipërpërmendur i cili njëherit ishte vjehërr i tij. Në ndërkohë u hap fronti i Austrisë dhe Rusisë. Ali beu mblodhi një numër të madh ushtarësh shqiptarë dhe shkoi në luftë. Meqë tregoi trimëri dhe guxim të madh në fushëbetejë dhe, meqë pati rezultate të mëdha, u emërua mutesarrif në mutesarrifllëkun e Terhallës me gradën mir-miran. Ali Pasha kur u bë mutesarrif i Terhallës, bëri përpjekje që nën qeverisjen e vet ta fusë edhe Janinën. Në fund, në vitin 1203/1788 posa u caktua me detyrë të vezirit në vilajetin e Janinës, Ali Pasha në njërën anë u përpoq të hakmerret ndaj armiqve të vjetër dhe t'i zgjerojë kufijtë e në anën tjetër, vendet që janë nën qeverisjen e tij t'i izolojë nga njerëzit dhe kryetarët me autoritet, të cilët do të mund t'ia ndryshonin punët dhe planet e tij. Ia drejtoi ushtrinë Ibrahim Pashës i cili kishte kaluar në vend të Kurt Pashës, vetë atë e zuri rob dhe e mbajti në një qeli të errët të kalasë derisa vdiq, kurse vajzat e tij i mori me forcë dhe i martoi me djemt e vet, me Muhtarin (në gjuhën shqipe shqiptohet Myftar – M.P.) dhe Veliun. Ibrahim Pasha i sipërpërmendur, duke qenë një personalitet shumë i sinqertë, i ndershëm dhe i moralshëm, i lutej atij (Ali Pashës – M.P.) për shpëtimin e tërë popullit, mirëpo ai, përkundrazi, edhe më tepër i shtonte torturat e të mjerëve sa që kur nga Porta e Lartë shkoi urdhëri i prerë që Ibrahim Pasha të qeverisë në vilajetin e Beratit, Aliu, sipas një versioni, e vrau atë të ngratë me dorën e vet, por raportoi se ai ka vdekur nga një vdekje e zakonshme. Kështu i zgjeroi kufijtë nga ato anë deri në Elbasan dhe Dibër, të cilët i vuri nën kontrollin e vet. Poashtu, nën qeverisjen e tij, përveç krahinave të Jenishehrit, Terhallës, Moresë dhe Agribozit i futi edhe krahinat e Greqisë. Fëmijët e vet, Myftarin me gradën mir-miran, kurse Veliun me gradën e vezirit i patë emëruar në mytesarrifllëkun e Terhallës. Kasabatë e Pargës dhe Pervezës, nga Republika e Venedikut kishin rënë nën qeverisjen e Francës. Ali Pasha ua mori Pervezën me luftë francezëve. Ndërkaq, Parga, pas rënies, së Napoleonit kishte rënë nën qeverisjen e Anglisë. Prandaj, këtë e mori nga anglezët. Ndonëse Ali Pasha ishet një njeri i pashkolluar, ishte shumë i aftë dhe i zgjuar. Në vendet që gjendeshin nën qeverisjen dhe administratën e tij, siguroi paqe e qetësi, i përmirësoi rrugët dhe vendkalimet. Pat ndërtuar shumë kala dhe ura si dhe shumë ndërtesa të tjera të forta. Mirëpo, ishte jashtëzakonisht i ashpër, tiran dhe hileqar. Para syve të tij përgatiste skena të ndryshme të torturave më trishtuese (bënte eksperimente), të cilat i shikonte me kënaqësi. Sa më tepër i shtohej fuqia dhe pasuria aq më tepër i shtoheshin edhe hilet. Duke burgosur njerëz në mënyrë djallëzore, e duke përdorur intrigat, shumë prej tyre i zhdukte e shumë herë i shtinte të vrasë vëllai vëllanë me dorën e vet që pastaj edhe këtë ta dënojë me vdekje sipas rregullës "krye për krye". Ngjarja e Kardhiqit, që u përmend më lart, është një shembull tipik i intrigave dhe tiranisë së Ali Pashës. Kudo që në Shqipëri do të kishte ndonjë familje me autoritet dhe me ndonjë ndikim, po qe se nuk i shkonte për shtati Ali Pashës, ai, një numër të anëtarëve të saj haptas ose msheftas i zhdukte ose i largonte prej aty. Ndërkaq, një grup prej tyre me propozimin e tyre, natyrisht për të shpëtuar jetën dhe për të mbrojtur dinjitetin e tyre ishin të shtrënguar t'i lënë shtëpitë e tyre dhe të ikin. I shpërndante nëpër vise të tjera të botës. Të varfërit assesi nuk mundnin të çonin krye nga punët angari. Vajzat dhe gratë e bukura i fajësonte duke konsideruar se shkaktojnë fatkeqësi, prandaj ato ishin të detyruara të fshihen. Meqë vetë ishte injorant, gjithnjë vepronte për shkatërrimin e diturive, edhe pse deri në atë kohë në Shqipëri populli me vetorganizim i mbante dijetarët dhe hoxhallarët. Bëri që të qiten në harresë fetë. Punët administrative i lë në duart e një grupi intrigantësh grekë. Edhe defterët, korrespondencat administrative si dhe shkresat e instancave më të larta shkruheshin me një gjuhë të rëndë greke që mund ta kuptonte vetëm ai. Shkurt, përveç ushqimit që e realizonte për çdo ditë, shkaktonte që në mes shqiptarëve të rritet dhe të përhapet padijenia, varfëria dhe amoraliteti. Nuk frikohej nga grekët, meqë edhe këta ishin vegël dhe pjesëmarrës në intrigat e tij; me fanatizmin e tij ndaj këtyre sillej në mënyrë të butë, e veçanërisht kur humbi besimin nga shqiptarët; për të vepruar kundër tyre armatosi një grup kapedanësh grekë. Këta pastaj, ato armë i përdorën për pavarësinë e Greqisë. Ali Pasha duke qenë tepër lakmues dhe i etshëm për pozita e rriti forcën dhe ashpërsinë e qeverisjes aq sa mundi dhe kështu deshi të vazhdojë deri në fund të jetës së tij. Mirëpo, më në fund, zullumet e shpeshta u reflektuan te Porta e Lartë. Edhe Pasho beu nga Janina, i cili ishte larguar dhe kishte kërkuar mbështetje (përkrahje) në Stamboll si i pakënaqur nga ai, përmes Halet efendiut të njohur kishte shpjeguar për qëllimin e pavarësisë së Ali Pashës. Në të vërtetë, për këtë u shqetësua Gadap Pasha. Sado që ishte shpallur urdhëresë mbretërore për largimin e thesarit shtetëror nga vilajeti i Janinës, Ali Pasha i cili e mbikqyrte atë thesar (pasuri) në vilajetin në të cilin qeveriste, paraqiti disa mënyra të mbrojtjes dhe disa arsyetime që nuk do të mund të bartet nga Janina. Këto kundërshtime si dhe mendimet e tij të shpjeguara më lart përforcojnë shkakun e pavarësisë. Prandaj, më 1235/1819 iu drejtua ushtria nën komandën e Hurshid Pashës. Bejlerët e Shqipërisë, zaten pjesa dërrmuese e tyre, të pakënaqur nga ai dhe, meqë nuk ndiheshin të sigurt i lëshuan radhët e tij dhe, meqë iu bashkuan Hurshid Pashës, Ali Pasha me një grup të vogël njerëzish (më besnikët) u mbyll në kala. Pasi bëri ballë një kohë, doli nga kalaja me qëllim që të dërgohet i gjallë te Porta e Lartë. Duke shkuar, në një manastir që ndodhej në një ishull të vogël të liqenit të Janinës. njerëzit që u dërguan nga ana e Hurshid Pashës i përdorën armët, të cilëve, në të njëjtën mënyrë iu përgjigj edhe ky. Me këtë rast, duke u goditur me plumba nga disa anë, vdiq. Ia prenë kokën dhe së bashku me kokat e tre djemve dhe një nipi ia dërguan në Stamboll. I varrosën jashtë Silivrikapisë. Trupin ia varrosën në kala të Janinës përballë një pallati (saraji) që u dogj, i cili deri vonë ishte konak i pushtetit. Ka një tyrbe të përsosur. Nga nipërit e Ali Pashë Tepelenës, Myftar Pasha-zade Mahmud beu një kohë të gjatë shëtiste nëpër Stamboll si prapagandor i njohur i veshur me veshje të sektës melamite; Veli Pasha-zade Selim Pasha u gjend muhafiz në muhafizllëkun e Beogradit dhe në detyra të tjera të larta, ndërsa vëllai i tij Ismail Pasha ka shërbyer në disa vilajete. |
| HARTA: Ja si ishte bota 300 milionë vjet më parë Posted: 24 Aug 2017 08:45 AM PDT Njëherë e një kohë, bota që ne njohim sot ishte pak a shumë një kontinent i madh, ku Eurasia, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Afrika, India, Antarktida dhe Australia ishin të shkrira në një. Besohet se grumbullimi i njësive kontinentale u bë afro 335 milionë vjet më parë dhe shkëputja e tyre filloi rreth 175 milionë vjet më parë. I gjithë ky masiv toke ishte i vendosur kryesisht në hemisferën jugore.
Me kalimin e kohës kontinenti filloi të shpërbëhej. Tani, artisti Massimo Pietrobon ka krijuar një hartë me kufijtë politikë modernë. Në hartë, Britania e Madhe nuk është më një ishull, por ka kufij tokësorë Francën, Norvegjinë dhe Irlandën dhe Shtetet e Bashkuara kufizohen me Marokun, Mauritaninë, Senegalin dhe Kubën. Kanadaja kufizohet me Danimarkën, Portugalinë dhe Marokun dhe Spanja ka një kufi tokësor me Algjerinë. Italia kufizohet me Tunizinë. Greqia kufizohet me Libinë. Brazili, i njohur për plazhet e tij është pa dalje në det dhe kufizohet me Nambinë dhe Liberinë ndër të tjera. Tibeti nuk lidhet me Kinën, por me Australinë. Australia gjithashtu kufizohet me Antarktidën, e cila është pranë Indisë, Sri Lankës dhe Mozambikut. Shikoni hartën KETU. /Dita |
| S’ka Pablo Escobar? S’ka problem. “Narcos 3” ka të tjerë kaubojsa të kokainës Posted: 24 Aug 2017 08:31 AM PDT Titulli Narcos u zgjodh për një arsye. Seria e Netflix, e cila nis sezonin e saj të tretë muajin e ardhshëm, gjithmonë kishte për qëllim të kishte të bënte me ngritjen e kokainës në Kolumbi dhe mbretërit – ose 'narcosët' – të cilët e kontrollonin atë. Ajo nuk kishte për qëllim të ishte rreth një personi. Kjo u vërtetua në fund të sezonit 2, kur baroni i drogës Pablo Escobar (Vagner Moura), personazhi kryesor i serisë, u vra në një ekzekutim të përgjakshëm. Nuk duhet të kishte ardhur si një surprizë e madhe për këdo që dinte diçka për Escobarin e jetës reale, por gjithësesi, e lë këtë seri me një gropë të madhe. "Kur e konceptova këtë seri, vite më parë," thotë producenti ekzekutiv Eric Newman, "e modelova pak si "The Wire". Do të kishte personazhe që vdesin ose thjesht tërhiqen nga seria, por historia e Baltimorit do të vazhdojë". Tani që Escobari është larguar përfundimisht, duhet të vijnë të këqinjtë e rinj për të zënë vendin e tij. Për të plotësuar boshllëkun që lë Escobar, kemi 4. Tre prej tyre i kemi takuar tashmë; i katërti do të futet shumë shpejt. "Fokusi i këtij sezoni është rritja e kartelit Cali", thotë Newman. Ne kemi parë tre nga liderët e tij, vëllezërit Rodriguez Miguel (Francisco Denis) dhe Gilberto (Damián Alcázar), si dhe 'Pacho' Herrera (Alberto Ammann) në sezonin e fundit. Së shpejti, do të shohim anëtarin e katërt Chepe Santacruz (Pepe Rapazote), të cilin Newman e përshkruan thjeshtë si "të mahnitshëm". "Karteli Cali ishte i dobishëm në rrëzimin e Escobarit," thotë Newman. "Më pëlqen të mendoj për atë si në shkallë evolucionare, [me] Escobarin si një organizëm njëqelizor. Këta njerëz janë një organizëm më i evoluar". Atje ku Escobar kishte atë që Newman e quan "një dëshirë Trumpiane për vetëkonfirmim "që e çonte atë në akte të pamatura, Karteli Cali kishte biznesmenë të ftohtë që "kërkonin të ishin pjesë e establishmentit, sepse mendonin se mund t'i mbronte ata". Newman nuk do të thotë nëse historia e Calit do të vazhdojë në sezonin e katërt të konfirmuar, por ai thotë se ka mjaft histori për të treguar. "Droga nuk ndalet", thotë ai. "Është përkeqësuar [në Meksikë] … Sezonet e serisë që mbulojnë Escobarin thanë vetëm ndoshta një të dhjetën e rrëfimit". Atëherë bëhuni gati edhe për 18 sezone. / Bota.al |
| Kur i lan dhëmbët … në stadium (Foto) Posted: 24 Aug 2017 08:15 AM PDT Në futboll pak gjëra na kanë mbetur pa parë, por ajo që bëri një tifoz i Hofenhajmit i kaloi të gjitha kufijtë. Një fotograf i Reuters kapi një fans gjerman duke larë dhëmbët në stadiumin "Anfield", ndërkohë që të tjerët po këndonin në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës, që do të përballej me Liverpulin, në "playoff"-in e Champions League. Fotoja ka bërë xhiron e botës brenda pak orësh. |
| Ndërhyrja më brutale në historinë e futbollit (VIDEO) Posted: 24 Aug 2017 08:00 AM PDT anë mbushur plot 11 vite nga ajo që konsiderohet si ndërhyrja më brutale në historinë e futbollit. Ben Thatcher, ish-lojtar i Manchester City goditi me bërryl Pedro Mendes të Portsmuth në një ndeshje të kampionatit anglez të futbollit në një dyluftim ku nuk u interesua aspak për topin. Mendes u përplas pa ndjenja me reklamat anës fushës dhe u desh oksigjeni së bashku me transportimin në spital që portugezi të merrte veten. Për këtë ndërhyrje brutale, arbitri e ndëshkoi vetëm me karton të verdhë Ben Thatcherin, por më pas lojtari u ndëshkua me 6 ndeshje pezullim nga vetë klubi i tij, ndërsa Federata Angleze e Futbollit e dënoi me 8 ndeshje pezullim.
|
| Largimi i Bushatit, këta janë emrat që përfliten për Ministrinë e Jashtme Posted: 24 Aug 2017 07:43 AM PDT Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot largimin e Ditmir Bushatit nga drejtimi i Ministrisë së Jashtme në mandatin e dytë qeverisës. Rama deklaroi para ambasadorëve se kërkon një përmbysje të madhe në shërbimin e jashtëm dhe duket se Bushati nuk ka rezultuar të jetë personi i aftë për këtë lëvizje. Që pas fitores së thellë të PS kanë dalë disa emra për kabinetin qeveritar. Konkretisht për postin e Ministrisë së Jashtme, dy kanë qenë emrat më të lakuar dhe të dyja janë zonja. E kemi fjalën për Lindita Nikollën dhe Mimi Kodhelin. E para mori përsipër reformën në arsim gjatë mandatit të parë, duke qenë në vijnë e parë të kritikave të opozitës. Ndërsa Kodheli nuk do ta drejtojë më Mbrojtjen e Shqipërisë, vendim që ajo ka lënë të kuptohet muaj më parë. Por Rama mund të bëjë një zgjedhje befasuese, pasi nuk kanë munguar lajmet se kryeministri shqiptar është duke kërkuar për një personalitet në Kosovë për ta emëruar ministër të Jashtëm. Mediat pranë qeverisë shqiptare dhe ato në Kosovë kanë promovuar emrat e Baton Haxhiut, Vlora Çitakut, Veton Surroit dhe Mimoza Kusari Lilës, por nuk ka munguar as promovimi i Rufi Osmanit nga mediat shqiptare në Maqedoni. Sa i përket të ardhmes së Ditmir Bushatit, ajo mbetet e paqartë. Gjithsesi, ekziston mundësia që deputeti i Shkodrës (më 25 qershor mori një rezultat të dobët) të zhvendoset tek Integrimi, "dashuria" e tij e parë, ose të Ministrisë së Diasporës, kjo e fundit u njoftua sot nga Rama se do të krijohet në këtë mandat qeverisës. |
| Rikthehet në skenë “Russiagate”, CNN: Zbulohen e-maile implikuese për njerëzit e Trump Posted: 24 Aug 2017 07:22 AM PDT Skandali i ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane është rikthyer në vëmendjen e mediave, pasi situata në Korenë e Veriut eklipsoi hetimet për një nga çështjet më të mëdha të politikës amerikane. Rrjeti mediatik CNN shkruan se ka rënë në gjurmë të një e-maili që thellon më tej përfshirjen e presidentit amerikan në ndërhyrjen ruse në SHBA. Një ndihmës i lartë i Presidentit Donald Trump thuhet se qarkulloi informacion rreth një personi, të paidentifikuar, që donte të organizonte një takim midis zyrtarëve të fushatës Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin Rick Dearborn, i cili tani është zëvendës shefi i stafit të Trump, shpërndau informacione mbi takimin me zyrtare të tjerë të fushatës së vitit të kaluar. Sipas CNN, Dearborn mori një e-mail mbi organizimin e takimit nga një person që jetonte në West Virginia. Dearbon më pas ka komunikuar me pjesën tjetër të stafit të fushatës. Mësohet se në komunikimet me e-mail, Dearborn është shprehur skeptik për takimin. E-maili daton me të njëjtën kohë kur Trump dhe dhëndri i tij Jared Kushner u takuan në qershor 2016 me një avokate ruse të Kremlinit. E-maili u pa si një tjetër e dhënë që dëshmon përpjekjet ruse për të ndërhyrë në fushatën presidenciale me qëllim favorizimin e miliarderit Donald Trump. Hetimi i FBI-së, mbi skandalin e njohur si "Russiagate", po drejtohen nga këshilltari i posaçëm Robert Mueller. |
| Dikur konkurrentë, sot “Stop” dhe Fiks Fare” bëhen bashkë! Posted: 24 Aug 2017 07:18 AM PDT Prej vitesh në televizionet Klan e Top Channel transmetohen emisionet investigative "Fiks Fare" dhe "Stop". "Stop" drejtohet nga Saimir Kodra dhe Gent Zenelaj, ndërkohë në anën tjetër "Fiks Fare" drejtohet nga Dorian Ramaliu dhe Devis Muka. Janë parë gjithmonë si emisione konkurrten por kjo s'do të thotë se mes moderatorëve ka konkurrenca. Këtë gjë e vërtetojnë nëpërmjet një fotoje Gent Zenelaj dhe Devis Muka.
Aktori i njohur Romir Zalla ka publikuar në Instagram një foto me ta teksa janë duke pirë kafe të tre së bashku. Nëpërmjet kësaj ne kuptojmë se pavarësisht emisioneve, jashtë tyre ndryshon çdo gjë. Madje theksojmë se Genti e Devisi janë edhe aktorë në teatër, kështu që ata mund të jenë duke u përgatitur për ndonjë shfaqje të ardhshme./Blitz.al/ |
| Ibra, pakt me “djallin”, United: Do të veshë fanellën me nr. 10 Posted: 24 Aug 2017 07:09 AM PDT Zlatan Ibrahimovic ka vendosur më në fund të firmosë paktin e tij me djallin. Manchester United ka konfirmuar se Ibrahimovic i është ribashkuar klubit gati tre muaj pas largimit të tij nga "Old Trafford". "Manchester United lajmëron se Zlatan Ibrahimovic do ta vazhdojë aventurën e tij me klubin dhe ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare. Ai do të veshë fanellën me nr. 10," shprehet klubi nëpërmjet një komunikate zyrtare. Sulmuesi suedez bëri 46 paraqitje dhe shënoi 28 gola për klubin gjatë sezonit të kaluar përpara se të pësonte një dëmtim të rëndë në gju. "Jam rikthyer për të mbyllur atë që nisa," ishin fjalët e tij pas nënshkrimit. "Gjithmonë ka qenë qëllimi im, dhe i klubit. Po pres me padurim që të zbres sërish në fushën e "Old Trafford". Por duhet ta marr shtruar dhe të sigurohem që jam gati. Kam punuar shumë dhe do të sigurohem që të jem në gjendjen më të mirë të mundshme fizik." Fotoja me të cilën Ibrahimovic njoftoi rinovimin me United |
| “Gazzetta Dello Sport” interviston “Ballistët”: Pse jemi gati të vdesim për Shkëndijën Posted: 24 Aug 2017 06:47 AM PDT Gazeta më e madhdhe italiane "Gazzetta dello Sport" ka zhvilluar një intervistë me disa tifozë të Shkëndijës. Kjo, në kuadrin e dy ndeshjeve të "play-off"-it të Ligës së Europës mes Shkëndijës së Tetovës dhe Milanit të madh. E kam lexuar historinë e klubit. Shkëndija çdo herë ka pasur lidhje të fuqishme me Shqipërinë. Lexova se një anëtar i juaji, Ismail "Ballist" Morina është arrestuar në Kroaci dhe e pret ekstradimi në Serbi për rastin "Dron" në ndeshjen Serbi-Shqipëri? Çfarë mendoni në lidhje me ekstradimin? Si është raporti juaj me opinionin maqedonas? Shkëndija është klub shqiptar dhe ne gjithmonë kemi respekt për Shqipërinë dhe Kosovën. Ismail "Ballist" Morina është nga Kukësi i Shqipërisë, ndërsa mënyra e sjelljes së qeverisë shqiptare është katastrofë. Jemi të mllefosur për shkak se nuk po mund të bëjmë asgjë derisa ai është në Kroaci. Nëse përfundon në Serbi nuk do të jetë lehtë për askënd. Nuk kemi kurrfarë raporti me opinionin në Maqedoni, i urrejmë dhe iu dëshirojmë më të keqen, sikur ata që na e dëshirojnë neve. Çka paraqet Shkëndija për ju? Nuk është vetëm thjesht një ekip… Për ne Shkëndija është gjithçka. Ajër dhe ushqim. Për Shkëndijën jemi gati të shkojmë në burg, madje edhe të vdesim. Ajo na ka dhënë më shumë se kushdo tjetër në Iliridë (Maqedoni). Nëse ndonjëherë vini në Tetovë, që ta ndiqni ndeshjen tonë me rivalin Vardarin, do të shihni se çfarë domethënie ka Shkëndija për ne. Ka pleq prej 60-70-80 vjeç që qajnë kur fitojmë dhe fëmijë që rriten me dëshirën që të luajnë për Shkëndijën. Emri "Ballistë" nga vjen? Çka qëndron pas tij? KF Shkëndija është themeluar në vitin 1979 për të përfaqësuar shqiptarët në Jugosllavi dhe më pas në Maqedoni. Emri "Ballist" vjen nga "Balli Kombëtar", që ishin luftëtarë të njohur si ballistë. Ka qenë lëvizje për ekzistencën e shqiptarëve, lëvizje antikomuniste, kurse si organizatë politike ka lindur në vitin 1942. Motoja e Ballit Kombëtar ishte: Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve! Grupi ynë është themeluar në vitin 1992 nga disa tifozë, të cilët sot e kësaj dite shkojnë nëpër ndeshje të Shkëndijës, si vendës, ashtu edhe mysafirë, mirëpo grupi tani është shumë i madh, jemi si një familje, e cila vendos për çdo punë. Nga viti në vit rritemi dhe askush nuk mund të na ndalë. Vardari, rivali juaj i ka ngjyrat e njëjta, por shfrytëzon "V"-në cirilike të emrit. Prej nga vjen rivaliteti me ta? Për ata jemi të frikshëm: çdoherë që dëgjojnë "ballistët" nuk flenë me ditë. Maqedonasit janë të përkrahur nga qeveria maqedonase, ne urrehemi pafund. Si do ta prisni Milanin në shtëpinë tuaj, "Ecolog Arena"? "Ecolog Arena" ende nuk është gati. Do të jetë pas dy-tri vitesh. Me Milanin luajmë në Shkup, në "Telekom Arena". Për Milanin do të jetë mirë, nuk kemi asnjë problem. Milani u sjell shkëlqyeshëm me ne. Në raport me sulmet terroriste në Lagjen e Trimave në Kumanovë në vitin 2015, cili është pozicioni juaj në raport me UÇK-në? Kumanova ishte një skemë mjaft inteligjente për të përfunduar me të gjithë luftëtarët e tjerë në Maqedoni. Ata njerëz të guximshëm janë vrarë atë ditë në Kumanovë, kur qeveria maqedonase i kërkonte për shkak të luftës së vitit 2001. U është thënë që të vijnë në Maqedoni dhe se gjithçka do të jetë e harruar, për të jetuar në mënyrë normale. Vetëm sa kanë kaluar kufirin, ata janë sulmuar nga ushtria maqedonase dhe kanë ikur në Kumanovë. Tifozët tanë kanë bashkëpunuar me UÇK-në gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, dhe luftën në Maqedoni, në vitin 2001. Sot nuk kemi kurrfarë raporti me ta, por në rast se iu nevojitet ndihmë, do të jemi të parët që shkojmë. |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |










