Tirana Observer: “Delegacioni i Senatit të SHBA në Tiranë për të mbledhur fakte, takim me Presidentin Meta” plus 9 more |
- Delegacioni i Senatit të SHBA në Tiranë për të mbledhur fakte, takim me Presidentin Meta
- “Lidhja” me Albanin, flet Çiljeta: Në gjyq me ata që shpin për jetën time personale
- Kuptimi që “fshihet” pas bluzës së Edi Ramës
- Kanuni i Lekë Dukagjinit përkthehet në spanjisht
- Aksidenti i Rakipit, ekspertiza nxjerr fajtor viktimën. Lihet i lirë deputeti
- Venezuela, si u katandis në këtë pikë vendi më i pasur në Amerikën e Jugut
- Ethet e Nilit, specialistët: Shqipëria, e rrezikuar
- Merkel dhe fushata e çuditshme elektorale gjermane
- Fshatari inovator nga Elbasani, shpikje gjeniale për të mbrojtur prodhimet
- Ku po i kalon pushimet presidenti Ilir Meta (FOTO)
| Delegacioni i Senatit të SHBA në Tiranë për të mbledhur fakte, takim me Presidentin Meta Posted: 12 Aug 2017 09:46 AM PDT Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti dhe bashkëbisedoi me një delegacion të Senatit të SHBA-së, të kryesuar nga Senatori Roy Blunt, të cilët po zhvillojnë një vizitë pune faktembledhëse në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Kreu i Shtetit shqiptar dhe senatorët amerikanë vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, kontributin e Shqipërisë në NATO dhe rolin e saj stabilizues në rajon. Bashkëbiseduesit vlerësuan vizitën në Malin e Zi të Zëvendëspresidentit të SHBA-së Mike Pence dhe mesazhet e tij të qarta mbi çështje të sigurisë rajonale, ato të koordinimit të veprimeve në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Presidenti Meta nënvizoi se siguria është baza e prosperitetit dhe zhvillimit të rajonit tonë, ndaj bashkëpunimi kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar me SHBA-në dhe NATO-n është vendimtar për të ardhmen e sigurt të vendeve tona dhe qytetarëve tanë. |
| “Lidhja” me Albanin, flet Çiljeta: Në gjyq me ata që shpin për jetën time personale Posted: 12 Aug 2017 09:15 AM PDT Sot në disa media qarkulloi lajmi për ndarjen e këngëtares bukuroshe Çiljeta Xhilaga, nga portieri i suksesshëm i "Partizanit" Alban Hoxha. Lajmi mori shkas nga fakti se ata nuk kanë publikuar materiale me njëri-tjetrin në rrjete sociale. Në fakt këngëtarja dhe sportisti nuk kanë folur kurrë publikisht për një marrëdhënie midis tyre, ndonëse tashmë dihet që ata janë bashkë prej më shumë se një viti. Në gjithë këto muaj histori, megjithë përpjekjet e tyre për ta ruajtur me fanatizëm dashurinë, Çiljeta dhe Albani janë fotografuar në disa raste publikisht, kujtojmë këtu fotot paparac ku u kapën sëbashku, apo edhe darka e ditëlindjes së Çiljetës. E kontaktuar nga "revistawho.com" Çiljeta u shpreh se nuk ka asgjë për të thënë lidhur me këtë histori. Madje ajo zbuloi se ka vendosur t'i drejtohet gjykatës kundër mediave që sajojnë shpifje në emrin e saj. "Nuk kam ndërmend të mbush portalet duke dhënë deklarata përsa i përket historisë sonë të dashurisë, por duke marrë shkas nga çfarë është shkruar sot dhe gjithë këtë vit në lidhje me mua, pa më kontaktuar asnjëherë personalisht, kam vendosur t'i ndjek në rrugë ligjore të gjithë ata që kanë shpikur, që të zënë mend një herë e mirë. Për shumë e shumë lajme të rreme që kanë bërë për jetën time, duke përfshirë këtu edhe djalin tim, me lajme të pavërteta dhe abuzime", – përfundoi ajo. /revistawho.com. |
| Kuptimi që “fshihet” pas bluzës së Edi Ramës Posted: 12 Aug 2017 09:00 AM PDT Edi Rama ndodhet me pushime me familjen, ndaj vendosi të ndante një foto me shumë kuptim të tij bashkë me të birin Zahon. Kanë veshur të dy bluza pambuku të bardha, por nuk kanë rënë në modën e veshjes identike. Bluza e Ramës në të vërtetë mban të shkruar një emër dhe një numër, Pharrell 73. Nuk është emri dhe numri i një basketbollisti. Kjo bluzë është nga koleksioni Les (art)ists (Artistët) dhe i kushtohet këngëtarit dhe kompozitorit të njohur amerikan Pharrell Williams, i cili njihet edhe thjesht Pharrell, që ka lindur në vitin 1973. Është një bluzë me çmim shumë të përballueshëm nëse doni ta dini. Kur themi emrin e artistit me siguri ju kujtohet hiti i tij "Happy". |
| Kanuni i Lekë Dukagjinit përkthehet në spanjisht Posted: 12 Aug 2017 08:45 AM PDT Cilat ishin institucionet që funksiononin gjatë periudhës së Kanunit të Lekë Dukagjinit? Mbi çfarë normash dhe dokesh juridike funksiononte shoqëria? Cili ishte foklori dhe etnologjia? Të gjitha këto sot nuk janë më, por mbartin rëndësinë e trashëgimisë së një dokumenti të rëndësishëm ligjvënës për kohën. Ndërsa tani interes studimi për Kanunin e Lekë Dukagjinit pas një sërë shtetesh ka shfaqur dukshëm edhe Spanja. Duke e përkthyer këtë Kanun në gjuhën e tyre. "Është hera e parë që kanuni përkthehet në gjuhën spanjolle. Më parë ka qenë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Në gjermanisht, në anglisht, në frëngjisht, në serbisht dhe rusisht, dhe kjo ishte hera e parë që lexuesi spanjishtfolës ka mundësi t'i afrohet plotësisht veprës së Kanunit të Lekë Dukagjinit.", thotë Erisa Ajazi, përkthyese e Kanunit në spanjisht. Kur përmendim lashtësinë e dokumentit nuk mund as ta distancojmë nga ndikimi që ende edhe sot ka kanuni mbi popullsinë e malësisë së Shqipërisë, në Kosovë, apo dhe vende të tjera ku janë shqiptarët. Pavarësisht se në kohë ai realitet është I largët. "Kur flasim për Kanunin nuk flasim thjesht për një tekst, por flasim për një realitet të gjallë, i cili ka qenë përcaktues në jetën e shumë brezave. Përmban një strukturë të detajuar të organizimit dhe funksionimit të shoqërisë së asaj kohe. Përmban shumë emërtime.", thotë Ajazi. Asgjë nga ato nuk është më aktuale, ndaj nevoja për ta njohur realitetin e asaj kohe, me shtylla si nderi, mikpritja, sjellja dhe fisi, është ajo që po shtyn nxitjen e përkthimit të Kanunit në shumë gjuhë evropiane. |
| Aksidenti i Rakipit, ekspertiza nxjerr fajtor viktimën. Lihet i lirë deputeti Posted: 12 Aug 2017 07:50 AM PDT Prokuroria ka vendosur të lërë të lirë deputetin Aqif Rakipi, i cili aksidentoi për vdekje në autostradë shtetasin Seit Sorra. Vendimi është marrë pas kryerjes së hetimeve dhe vëzhgimeve në vendin e ngjarjes. Nga verifikimet ka rezultuar se Rakipi nuk ka kryer shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas ekspertizës, rezulton se viktima i ka prerë rrugën Rakipit duke dalë në mënyrë të papritur para makinës duke e bërë të pamundur edhe shmangien e aksidentit. Lirimi i deputetit të PDIU është bërë në komisariatin numër dy në kryeqytet. Ndërkohë, vetë Rakipi do të hetohet në gjendje të lirë për akuzat "largim nga vendi i aksidentit" dhe "shkelje të rregullave të qarkullimit". |
| Venezuela, si u katandis në këtë pikë vendi më i pasur në Amerikën e Jugut Posted: 12 Aug 2017 07:29 AM PDT Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se do të ndërhyjë ushtarakisht në Venezuelë. Vendi i Amerikës Latine po përjeton disa nga trazirat më të rënda prej shumë kohësh. Në Venezuelë nuk ka ushqim, spitalet janë të tejmbushura dhe mjekët nuk kanë ilaçe. Vendi është në kaos dhe të gjithë flasin për një luftë civile. Por si është e mundur që u katandis në këtë pikë vendi më i pasur në Amerikën Latine? Venezuela është vendi me rezervat më të mëdha të naftës krudo, çka është një burim shumë i madh të ardhurash. Por pabarazia po vinte duke u rritur dhe një elitë e vogël kontrollonte gjithçka, ndërkohë që masat e varfra nisën të zemërohen. Vendi iu kthye socializmit në vitin 1999 dhe zgjodhi Hugo Chavez si president. Kampion i populizmit, ai shkëputi lidhjet me SHBA dhe u lidh me Kinën e Rusinë, prej të cilave mori miliarda dollarë borxh. Ai e drejtoi vendin deri në vitin 2013, kur edhe vdiq. Sërish sot shihet si hero i të varfërve. Por qeveria e tij shpenzoi pa asnjë kriter për programe të ndihmës sociale dhe fiksoi çmimet për gjithçka. Pronat e fermerëve u cilësuan prona shteti dhe vendi u bë i varur plotësisht nga nafta që shiste jashtë. Përpara se të vdiste, Chavez zgjodhi Maduro-n për ta zëvendësuar. Edhe ai vazhdoi praktikat e mëparshme, duke mos publikuar asnjë statistikë të besueshme. Ndërkohë i vetmi mall i Venezuelës nisi të humbasë vlerën. Ulja e ndjeshme e çmimit të naftës e zhyti vendin në krizë. Qeveria e kishte të vështirë të kontrollonte çmimet. Shteti vazhdonte të subvenciononte ushqimin për të varfërit dhe Maduro nisi të printojë para, duke e zhvlerësuar monedhën vendase në mënyrë të ndjeshme. Armiqësia me kompanitë ndërkombëtare bëri që emra të mëdhenj si Pepsi, General Motors apo United të largohen nga vendi. |
| Ethet e Nilit, specialistët: Shqipëria, e rrezikuar Posted: 12 Aug 2017 07:00 AM PDT Shqipëria është e rrezikuar nga sëmundja e etheve të Nilit. Ndonëse virusi qarkullon në vendet fqinje si Greqi, Itali, Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se ende nuk është regjistruar asnjë rast në vendin tonë. "Shqipëria është rrezikuar pasi në vendin tonë gjenden vektorët që shpërndajnë. Por ne jemi duke monitoruar sidomos në rastet e rënda të saj si meingit, apo encenfalit. Janë regjistruar katër raste në Greqi, 1 në Itali dhe 1 në Izrael", thotë Silva Bino, ISHP. Sëmundja shkaktohet nga virusi i cili shpërndahet nëpërmjet pickimit të mushkonjave, të cilat qarkullojnë me shumicë në vendin tonë. Mjafton që ato të bien në kontakt me zogj të infektuar dhe përhapin virusin në njerëz. Ethet e Nilit perëndimor është forma më e shpejtë e sëmundjes, e cila karakterizohet me temperaturë, me plogështi, me dobësi, me dhimbje koke, dhe dhimbje trupi. Mund të paraqiten edhe anoreksi ose të vjella, me puçrfa në lëkurë, dhe në rastet më të rënda me encefalit, meningit apo paralizë. Te njeriu paraqitet në dy forma klinike: ethet e Nilit Perëndimor që është relativisht e lehtë dhe i ngjan gripit dhe ajo neuroinvazive, e cila i përfshin të gjitha rastet me shenja neurologjike. |
| Merkel dhe fushata e çuditshme elektorale gjermane Posted: 12 Aug 2017 06:27 AM PDT Nga Antoine Lambroschini Pas pushimesh të gjata, Angela Merkel do të fillojë të angazhohet sot, gjashtë javë larg legjislativeve, në një fushatë që pritet të jetë e thjeshtë pasi kancelarja duket e paprekshme. Do të jetë në Dortmund, në perëndim të vendit, ku kryetarja konservatore do të marrë pjesë në një miting që do të shpallë edhe konkurrimin e saj për mandatin e katërt, që e pret krahëhapur. Larg nga fillimi i vitit kur sfiduesi i saj socialdemokrat, Martin Schulz, dukej se ishte në gjendje ta mposhte, sot CDU-ja e Angela Merkelit jepet nga sondazhet se arrin 37-40 për qind të pëlqimeve, ndërsa SPD-ja mes 23 dhe 25 për qind. Megjithatë, kreu i SPD-së nuk duket se është kursyer në përpjekiet e tij për t'u distancuar nga kancelarja, ndonëse partia e tij vazhdon të jetë në një koalicion qeverisës duke shtuar propozimet kundër pabarazive sociale, duke takuar elektoratin në të gjithë vendin dhe duke dalë në të gjitha intervistat. Përfito nga vera Përballë, vetëm heshtje. Merkel, një mjeshtre e vërtetë e shmangies, gati nuk ka thënë asgjë, nuk ka bërë asgjë për asnjë tematikë polarizuese, asnjë linjë ndarëse nuk është shfaqur. "Fushata elektorale nuk është as e ngrohtë, as e ftohtë, madje as e vakët, ajo është asgjë. Padyshim që është fushata elektorale më e çuditshme në historinë e republikës", thotë komentuesi, Heribert Prantl për "Süddeutsche Zeitung". Megjithatë, disa nuanca janë dhënë nga posterat e CDU-së si "Përfitoni tani nga vera, më pas bëni zgjedhjen e duhur në vjeshtë". Politologu, Timo Lochocki i "German Marshall Fund" konstaton gjithashtu këtë monotoni. "SPD-ja nuk mund ta polarizojë fushatën e vetme, pasi CDU-ja nuk po i përgjigjet. Pra fushata po vdes", thotë ai. Martin Schulz është përpjekur t'i japër një elektroshok duke akuzuar Merkelin se po dëmton parimet demokratike duke refuzuar luftën. "Një kancelare që nuk i thotë zgjedhësve të saj atë që synon të bërë, neglizhon detyrën e saj dhe vë në rrezik të ardhmen e vendit tonë", kishte theksuar ai në një intervistë për "Spiegel". Por, kjo lëvizje nuk ka funksionuar. Heribert Prantl analzion se "nëse 'mendjemadhësia' e Angela Merkel përbën në fakt një problem për debatin demokratik, Schulz nga ana e tij duket sikur është i irrituar si mos më keq. Ai është djali i vogël që ankohet sepse shoqja e tij nuk do të luajë me të". Nga ana tjetër kancelarja shfaqet si një mburojë, një garantuese e stabilitetit, e rendit në një botë gjithnjë e më shqetësues, ndërsa ekonomia gjermane shkon mirë, me një rritje të vazhdueshme dhe një papunësi të ulët. Krejt papritur, Martin Schulz është i detyruar të pranojë se kancelarja nuk ka përse të skuqet për bilancin e saj. "Është e qartë që Angela Merkel ka shumë merita. Po, është e vërtetë që Gjermania po ecën mirë", pranon ai për "Spiegel", para se të shtojë në formën e një kritike se nuk do të thotë që të gjithë jetojnë mirë në Gjermani. Për shumë vëzhgues, e panjohura e zgjedhjeve të 24 shtatorit është të dihet nëse Merkel do të krijojë një koalicion me SPD-në, apo me liberalët e FDP-së, apo këtë herë do e kenë radhën të Gjelbërtit të hyjnë në qeveri. Martin Schulz mund të ngushëllohet me një rënie prej 10 pikësh të popullaritetit të kancelares këtë javë, megjithatë ajo vazhdon të ketë 59 për qind të opinionit në favor./ ATSH-AFP/ |
| Fshatari inovator nga Elbasani, shpikje gjeniale për të mbrojtur prodhimet Posted: 12 Aug 2017 05:41 AM PDT Shqiptarët njihen si një popull që ua pret mendja. Ose siç njihet me gjuhën shkencore, popull inovator. E tillë është edhe kjo shpikje e një fshatari nga Polisi i Vogël në Elbasan. Për të mbrojtur prodhimet bujqësore dhe dru frutorët nga grabitqarët, ky banor ka shpikur "dordolecin modern". Thjeshtësia dhe prakticiteti e bëjnë shpikjen mjaft origjinale e për më tepër funksionale, shkruan infoelbasani.al. Ai ka ngulur një dru të gjatë në majën e së cilës ka vendosur një dru tjetër horizontalisht. Në njërën anë të drusë horizontale ka vendosur kundërpeshën, ndërsa në anën tjetër helikën prej druri që rrotullohet me anë të erës. Një ganxhë e lidhur me helikën godet vazhdimisht një kovë e cila bën zhurmë dhe largon grabitqarët. Banori shprehet se ka plot 5 vjet që "dordoleci" modern i mbron kulturat bujqësore dhe drufrutorët nga grabitqarët. "E kemi shtëpinë në një zonë të rrethuar me pyje dhe ku ka shumë grabitqarë. Sa rritej gruri apo misri shpendët dhe grabitqarët na i rrafshonin. Po ashtu edhe me frutat e pemëve. Ne nuk kemi mundësi ti ruajmë se duhet qëndrosh 24 orë në arë për ta mbrojtur. Ndaj vrava mendjen se si mund ti shpëtoj prodhimet e mia. Dhe kështu shpika "Dordolecin" tim", tregon banori për infoelbasani.al. Shpikja brilante po praktikohet edhe nga banorë të tjerë që po mbrojnë me sukses prodhimet e tyre. |
| Ku po i kalon pushimet presidenti Ilir Meta (FOTO) Posted: 12 Aug 2017 04:33 AM PDT Pas fushatës së ngjeshur më 25 qershor, politikanët kanë braktisur politikën e po bëjnë pushimet në plazhet e Shqipërisë. E gjithë qeveria pothuajse, deputetë të majtë dhe të LSI-së, kanë preferuar bregdetin e Jugut. Edhe pse Presidenti Meta ka dy rezidenca qeveritare, një në Dhërmi dhe një në Vlorë, ai po pushon te shtëpia e tij te Gjiri i Lalëzit. Pra, Meta, edhe pse President, nuk ka ndryshuar asgjë nga zakonet e tij të përvitshme. I nxirë në maksimum, Meta është shfaqur i relaksuar në shezlongun e tij dhe i shoqëruar nga ndonjë mik. |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |







