Tirana Observer: “At Nikolla Marku: Tentuan të më eliminojnë me helm në verë” plus 9 more

Tirana Observer: “At Nikolla Marku: Tentuan të më eliminojnë me helm në verë” plus 9 more


At Nikolla Marku: Tentuan të më eliminojnë me helm në verë

Posted: 26 Aug 2017 10:25 AM PDT

Tentativë për të helmuar at Nikolla Markun në Elbasan. Lajmi i bujshëm konfirmohet nga vetë at Nikolla i cili u shpreh se "perëndia e shpëtoi për mrekulli dhe se tani ndodhet nën kujdesin e saj".

Prifti i kishës Shën Maria në këtë qytet tregon se kjo është dorë e kishës greke që, sipas tij, ka kohë që kërkon ta eliminojë për shkak të kundërshtive, veçanërisht me Kryepeshkopin Janullatus.

At Nikolla shprehet se ka zbuluar edhe personin që ka kërkuar ta helmojë duke i hedhur helm në verë. Por ajo që e ka lënë të shokuar priftin është fakti se personi në fjalë është pagëzuar në këtë kishë dhe ka qëndruar pranë at Nikollës për vite me radhë.

"Është e pabesueshme ajo që ka ndodhur. Kemi fakte historike, kam lexuar e dëgjuar për bëmat e kishës greke por, se do të isha edhe unë protagonist këtë, se kisha imagjinuar. Kam menduar se kohët kanë ndryshuar, pavarësisht divergjencave tona, puna nuk do të arrinte deri këtu. Por ja që është një fakt rrëqethës. Unë zbulova skenarin se si do të më eliminonin. Dhe ky eliminim ishte përgatitur me kohë, dalëngadalë për të pasur një fund të sigurt. Një skenar makabër i përgatitur nga qarqet të errëta të kishës dhe shovinistëve grekë. Mortati ishte brenda në kishë, fare pranë meje. Në momentin final personi në fjalë duket se nuk do ta bante më mëkatin ndaj më tregoi gjithçka. Ai më tha se ishte instruktuar që të vidhnin dhe kopjonin çelësat e kishës, të hynin brenda saj, të hidhnin helm në verë. Madje ishin interesuar edhe për peshën time trupore që gjithçka të ishte e sigurt. Kur më tregoi, i thashë personit në fjalë: A do ti deklarosh këto gjëra para shokëve të tjerë?

Që nga ajo kohë u zhduk. Të gjitha këto ia kam deklaruar organeve kompetente. Unë vuaj nga parkinsoni dhe sëmundja natyrisht që është e rëndë. Një nga shkaqet e sëmundjes është edhe stresi që kam hequr gjatë këtyre viteve në luftë i vetëm me kishën greke. Dhe ata po nxitojnë të më eliminojnë duke e justifikuar si një aksident të sëmundjes sime.

Madje kanë përgatitur edhe pasardhësin. Por janë të humbur. Perëndia më ka ndriçuar rrugën dhe kam zbuluar gjithçka. I zbulova dhe po i demaskoj para gjithë shqiptarëve, para gjithë botës. Kurrë nuk kanë për të na e marrë kishën tonë të themeluar nga Kryepeshkopi Visarion Xhuvani. At Nikolla rron dhe do të rrojë deri sa përpjekja për të pasur kishën tonë të jetë një realitet. Hiqni dorë nga skenaret e zeza se do iu mallkojë historia!"

Kisha Shën Maria në Elbasan njihet për oponencën e saj me kishën ortodokse autoqefale shqiptare. At Nikolla Marku ka kërkuar që kisha autoqefale kombëtare shqiptare të drejtohet nga një Kryepeshkop me gjak shqiptar/. Infoelbasani.al

Kryeministri i Maqedonisë, Zaev: Ligji për shqipen do të votohet

Posted: 26 Aug 2017 10:15 AM PDT

Nga Durrësi në Samitin e kryeministrave të Ballkanit, kryeministri i Maqedonisë ka folur edhe për ligjin e gjuhës shqipe, e cila ka ngjalluar shumë debat në Shkup, pasi kundërshtohet fort nga opozita e drejtuar nga ish­kryeministri Gruevski.

Zaev deklaroi se ligji për gjuhën shqipe tani është pjesë e programit dhe do te miratohet ne Parlament, ndërsa ftoi edhe opozitën që ta votojë. "Ligji është pjesë e programit tonë qeveritar, do të diskutohet në Parlament. Ftoj opozitën që ta pranojë këtë ligj. Ne duam ta miratojmë këtë ligj, është në të mirë të qytetarëve tanë dhe ne duam të ndërtojmë një shoqëri për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Pas votimit të tij, Komisioni Evropian dhe Gjykata Kushtetuese do të japë fjalën e fundit" deklaroi ai.

Përsa i përket votës së Maqedonisë në UNESCO, Zaev ka deklaruar se nuk është vendosur se si do të jetë vota e Shkupit, pas tensionit me Serbinë.

Policia kap dërguesin e pakove të kallashnikovit në Rinas, i gjen edhe hashash në banesë

Posted: 26 Aug 2017 10:03 AM PDT

Policia ka arrestuar dërguesin e tre pakove që përmbanin pjesë të një arme kallashnikovi. Arma, e ndarë në tre pako, ishte postuar për në Britani si formë dhurate.

Gjithashtu, përveç të arrestuarit, është shpallur në kërkim edhe një bashkëpunëtor i tij. Pakot ishin nisur me një postë private dhe u ndaluan nga dogana në Rinas.

Destinacioni ishte Londra. Nuk dihet ende qëllimi i dërgimit të pakove drejt kryeqytetit britanik.

I arrestuari eshte Saimir Çullhaj, i denuar me pare per trafikim te lendeve narkotike. Gjithashtu, ne banesen e tij, u gjet nje sasi kanabis sativa.

NJOFTIMI

Zbardhet në kohë rekord tentativa për trafik ndërkombëtar të armëve luftarake.

Finalizohet operacioni antitrafik i koduar "DELIVERY".

Arrestohet njëri prej personave që ka dërguar tre pakot me armë zjarri për në Londër.

Si dhe shpallet në kërkim personi tjetër bashkëpuntor në këtë tentativë për trafik ndërkombëtar të armëve luftarake në Rinas.

Sekuestrohen gjatë operacionit lëndë narkotike e bimë narkotike të kultivuara.

Personit të arrestuar gjatë kontrollit fizik në momentin e arrestimit i'u gjetën në trup 220 gramë lëndë narkotike Cannabis sativa.

Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim u gjetën 4.5 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa si dhe 32 bimë narkotike të kultivuara.
Në vijim të punës për zbardhjen e tentativës për trafik ndërkombëtar të armëve luftarake nëpërmjet Rinasit, nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policise Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, Drejtorinë për Narkotikët dhe Trafiqet në Policinë e Shtetit si dhe me Prokurorinë për Krimet e Rënda, u bë i mundur finalizimi i Operacionit antitrafik i koduar "DELIVERY" për veprën penale të "Trafikimi i armëve dhe municionit", parashikuar nga neni 278/a i Kodit Penal.

Si rezultat, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit:

Saimir Çullhaj, 32 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për "Trafikim të narkotikëve" .Si dhe u shpall në kërkim shtetasi :

N.F., 47 vjeç, banues në Durrës.

Në kuadër të proçedimit penal të nisur për këtë ngjarje, është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale e shtetasve të sipërpërmendur, të cilët në datë 23.08.2017 rreth orës 18:00 kanë bërë dërgimin e tre pakove me një prej agjensive të dërgesave postare, të cilat janë konstatuar gjatë skanimit në Aeroportin "Nënë Tereza".

Brenda pakove janë konstatuar tre armë zjarri automatik model 56, të çmontuara.

Pakot kishin si destinacion Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu në momentin e kapjes së shtetasit Saimir Çullhaj, në trupin e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 220 gramë lëndë e dyshuar si narkotike e llojit mariuanë "çokollatë".

Po kështu gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N.F janë gjetur dhe sekuestruar në cilesinë e provës materiale një sasi prej 4.5 kilogramë lëndë narkotike e amballazhuar në një thes, si dhe 32 bimë narkotike të dyshuar si "Cannabis Sattiva".

Po punohet për kapjen e personit në kërkim N.F dhe dokumentimin e mëtejshëm ligjor për të arritur në arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për hetime të mëtejshme .

The Economist: Amerika po ecën “me mik”

Posted: 26 Aug 2017 09:45 AM PDT

Sipërmarrja joproduktive është shndërruar në diçka të zakonshme në Amerikë. Administrata Trump nuk ka gjasa ta ndryshojë këtë trend

A është Amerika duke nxitur llojin e gabuar të sipërmarrjes? Po, është përgjigjja e dy ekonomistëve, Robert Litan dhe Ian Hathaway, të cilët e kanë argumentuar përgjigjen e tyre në një artikull të publikuar së fundmi në Harvard Business Review.

Sipas pikëpamjes së tyre, "kërkesa për qira", që nënkupton shfrytëzimin e marrëdhënieve të veçanta me qeverinë për të siguruar shpenzime publike ose për të fituar mbrojtje rregullatore nga konkurrenca me shpenzimet e të tjerëve, është në rritje, shkruan The Economist.

Nga ana tjetër, sipërmarrja produktive, e cila gjeneron pasuri mbi bazën e krijimit të produkteve dhe shërbimeve të reja dhe më të mira, është duke shënuar rënie.

Që nga nëntori i kaluar, kur z. Trump u zgjodh President, ai ka paguar më shumë se 40 vizita në pronat e korporatës Trump. Klubi i tij "Mar a Lago" në Florida ka regjistruar dy herë më shumë fitime në krahasim me dy vjet më parë. Miqtë e familjes së tij kanë pushtuar zyrat qeveritare që mbikëqyrin pjesët e perandorisë së biznesit Trump. Administrata ka punësuar dhjetëra lobistë të mëparshëm, shumica e të cilëve punojnë pikërisht për çështjet për të cilat kanë lobuar më parë.

Por z. Litan dhe z. Hathaway nuk e shqetëson shumë administrata aktuale e korruptuar. Ata e shikojnë një situatë të tillë në një këndvështrim më të gjerë.

Argumenti i tyre bazohet në punën e ekonomistit William Baumol, i cili përdori teorinë e tij të sipërmarrjes produktive dhe joproduktive në një përpjekje për të shpjeguar dallimet në rritjen e produktivitetit në vende të ndryshme dhe me kalimin e kohës. Për shembull, ai studioi rënien e granteve mbretërore të monopolit në shekullin e 18, duke argumentuar se kjo ndihmoi sipërmarrësit britanikë të largoheshin nga shpenzimet e tyre të mëparshme dhe duke favorizuar inovacionin më produktiv bujqësor dhe industrial.

Duke iu referuar historisë ekonomike të kohëve të fundit, të dy ekonomistët zbulojnë se gjërat po lëvizin në drejtimin e kundërt. Në vitin 2009, numri i bizneseve që u mbyllën, e tejkaloi numrin e sipërmarrjeve të reja, për herë të parë në tre dekada, një shenjë kjo që tregonte se aktiviteti i sipërmarrjes produktive ishte në rënie.

Por çfarë e shpjegon këtë ndryshim? Një faktor duket se është suksesi i grupeve të ndryshme profesionale, të bindin qeverinë për të përshtatur rregulloren sipas nevojave të tyre, për shembull duke lobuar për licencimin profesional.

Jason Furman, atëherë kryetari i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë, vuri re në vitin 2015 se pjesa e fuqisë punëtore amerikane e mbuluar nga ligjet e licencimit të shtetit u rrit nga më pak se 5% në vitet 1950 deri në 25% në vitin 2008, duke argumentuar se kjo e pengoi konkurrencën e re. Përhapja e licencimit në punë mund të shihet edhe si një rregullim i dëmshëm.

Ndërsa sektorë të tjerë janë të rrënuar nga e kundërta. Jeffrey Zhang, një ekonomist i Rezervës Federale, argumenton se derregulimi bankar në vitet 1990 çoi në përqendrim të shpejtë të bankave krahas nivele "sub-optimale më të larta të marrjes së rrezikut". Si rezultat, pagat e punonjësve të nivelit të lartë të bankave u rritën me shpejtësi.

Kërkimi i qirasë i aktivizuar nga derregulimi financiar luajti një rol të rëndësishëm në rritjen e pabarazisë së të ardhurave: bankierët ishin në gjendje ta kthenin sistemin në favor të tyre dhe në dëm të të gjithë të tjerëve, përfundon z. Zhang.

Suksesi i një lobimi të tillë varet nga ndikimi që do të kishte në qeveri. James E. Bessen, një ekonomist në Universitetin e Bostonit, lidh përfitimet e larta nëpërmjet avantazheve rregullatore ndaj faktorëve politikë, duke përfshirë lobimin dhe shpenzimet e fushatës. Argumentimi i z. Bessen është mbështetur edhe nga ekonomistë të tjerë.

Jeffrey R. Brown dhe Jiekun Huang, dy studiues që shkruajnë për Byronë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike, përdorën të dhënat nga shënimet e vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Obamës për të treguar se takimet ndërmjet drejtuesve të kompanive me stafin e Shtëpisë së Bardhë u shoqëruan me një rritje të çmimit të aksioneve të kompanisë së tyre, me shumë kontrata qeveritare dhe vendime pozitive rregullatore.

Çmimet e aksioneve të kompanive që kishin më shumë akses në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Obamës patën rënie të madhe kur u shpall rezultati i zgjedhjeve të 2016-s.

Do të jetë e vështirë të përsëritet e njëjta analizë edhe për administratën e z. Trump, pasi ajo e ka ndaluar botimin e regjistrave me shënimet e vizitorëve. Por gjithkush mund të supozojë fare mirë se z. Trump nuk do të kufizohet në rritjen e pasurisë së familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ai ka deklaruar se ndryshimet që administrata e tij po planifikon të bëjë në rregullimin financiar do t'i bëjnë bankierët "shumë të lumtur", duke hequr disa nga rregullat e vendosura pas krizës globale financiare.

Lidhjet e ngushta midis industrisë dhe qeverisë nuk përfundojnë gjithmonë keq. Këtu mund të përmendim shembullin e konglomerateve në pronësi të familjes në Korenë e Jugut, të cilat ishin forca që fshiheshin pas rritjes dramatike të prodhimit në vend që përfituan nga heqja e barrierave të vendosura nga qeveria dhe mbi të gjitha, nga mbështetja financiare.

Por lidhjet e tyre të forta me qeverinë kanë nxitur hetime të ndryshme për ryshfet dhe përvetësim. Si edhe në shumë vende të tjera, ky lloj i kapitalizmit të ndërgjegjshëm ka nxitur stanjacion dhe jo rritjen e forcuar.

Rusia, ku shumë njerëz kanë parë përmirësime zhgënjyese në standardet e tyre të jetesës që kur Bashkimi Sovjetik u rrëzua në vitin 1991, është një prej shembujve kryesorë. Ndoshta z. Trump mund t'i kërkojë z. Putin disa këshilla se si të mos ketë edhe ai një fat të ngjashëm.

Fillon më 2021, marrin pjesë 24 skuadra: Njihuni me Super Botërorin e Klubeve

Posted: 26 Aug 2017 09:30 AM PDT

Super Botërori i Klubeve, i cili duhet të zëvendësojë Kupën e Konfederatave aktuale, do ta shohë dritën në vitin 2021 dhe do të luhet në Kinë.

FIFA ka dhënë dritën e gjelbër në punën e departamentit të kryesuar nga Zvonimir Boban, zëvendëssekretar i përgjithshëm, duke konfirmuar informacionet e avancuara nga "Mundo Deportivo" dhe "Gazzetta dello Sport".

Ky turne i ri do të jetë me 24 pjesëmarrës.

Ky Super Botëror i ri, që do të luhet çdo katër vjet, dëshiron të jetë një kopje e Kupës së Botës, e cila festohet në të njëjtën frymë. Klubet do të klasifikohen përmes garave të Konfederatës; në rastin e Europës, përmes Ligës së Kampionëve.

Do të luhet në verë (në gjysmën e dytë të qershorit) dhe fituesi do ta mbajë titullin për katër vjet.

Tetë grupe

Të 24 pjesëmarrësit në këtë Super Botëror për Klube do të shpërndaheshin në tetë grupe me nga tri skuadra.

Shpërndarja në bazë Konfederatash, në parim do të ishte: 12 klube europiane (UEFA), pastaj 5 klube amerikano-jugore (Conmebol), 2 klube afrikane (CAF), 2 klube aziatike (AFC) dhe 2 klube amerikano veriore (CONCACAF). Kërkohet një zgjidhje në mënyrë që Oqeania të ketë një përfaqësues, që mund të arrijë të shërbejë si lidhës i mëparshëm me disa konfederata të tjera.

Të 12 klubet europiane do të jenë katër fituesit e fundit të Ligës së Kampionëve, katër finalistët e fundit dhe katër të tjerë me koeficientin më të mirë europian.

Duke marrë këtë shkallë, nëse tani do të luhej Super Botërori për Klubet, nga Europa do të ishin pjesëmarrës: Real Madrid, Barça, Juventus dhe Atletico Madrid, plus tetë ekipe të tjera, sipas renditjes së tyre të veçantë.

FIFA beson se do të jetë një bast shumë atraktiv për klubet, që do të gjeneronte të ardhura interesante ekonomike për atë se sa atraktive do të ishte.

Do të ishte si Kampionati Botëror, por në vend të kombëtareve do të garonin 24 klubet më të mira të të gjitha konfederatave.

A e dini pse vendoset patkoi në derë?

Posted: 26 Aug 2017 09:15 AM PDT

Patkua kali, sy të kaltër madje edhe hudhra shpesh shohim mbi dyer të shtëpive.

Në kulturën tonë hasim lloj-lloj simbole të cilat janë të varura në mure apo diku tjetër me mendimin se ai/ajo do t'i mbrojë njerëzit nga të ligat e një ndër to është edhe patkoi i kalit.

Është interesante se asnjë nuk vret mendjen se si duhet të vendoset patkoi me kokë poshtë apo me kokë lart, nëse ai duhet të blihet apo duhet të gjetur diku, apo pasi të vendoset në një vend të caktuar nëse ai duhet të preket apo jo, shkruan rtv21.tv

Shpesh keni parë një patkua kali të vendosur në derë, në makinë, apo në mur, por a e dini pse ka mbetur kjo?!

Thuhet se patoi të largon nga të ligat dhe të mbron nga syri i keq.

Ekziston një histori e cila sqaron si ka mbetur kjo simbolikë.

Legjenda e patkoit të kalit në fakt është një histori e vjetër kristiane. Ajo ka ardhur në shekullin X, kur një nallban, i cili më pas, me emrin Shën Dastin, u bë peshkop i Kantërbërit në Angli, arriti t'i mbathë patkonj djallit. Ky i lutej dhe i përgjërohej nallbanit që ta linte të lirë.

Legjenda thotë se djalli u lirua vetëm kur premtoi se nuk do të kapërcente kurrë një derë mbi të cilën ishte varur një patkua.

Kështu nga ajo periudhë njerëzit filluan të blinin patkonj edhe pse nuk kishin kalë dhe i vendosnin kudo duke besuar se djalli nuk do të kalonte aty.

Patkoi i kalit njihet gjerësisht si simbol i lumturisë. Për shkak të ndërlidhjes më kuajt, patkoi përfaqëson forcën dhe besueshmërinë. Tek grekët, një patkua ka simbolizuar pjellorinë.

Por, patkoi nga fetë dhe sidomos nga feja Islam konsiderohet si një besëtytni apo besim i kotë.

Shqiptarët të kompleksuar nga hunda; Ka një tendencë në rritje të ndërhyrjeve

Posted: 26 Aug 2017 08:57 AM PDT

Turizmi dentar është i njohur dhe Shqipëria është një nga ato vende që vizitohet shpesh për shkak të çmimeve të ulëta. Por, së fundmi, po përvijohet edhe një turizëm i ri, i njohur si turizmi kirurgjikal. Madje ata që po e vizitojnë janë nga qytetet kryesore të Europës, por edhe nga Britania. Deri dje, ky treg ndahej mes Rumanisë dhe Bullgarisë, por sot vendi ynë po thith kontingjent gjithmonë e më të madh të atyre që duan të bëjnë një operacion plastik.

Kostoja është disa herë më e ulët sesa ajo që "turisti – pacient" do të paguante në vendin e tij. Lida Hoxha, Drejtore Ekzekutive e Klinikës DermoLife, në një intervistë për "Monitor", jep edhe disa nga tendencat që po shfaqen në vend lidhur me ndërhyrjet plastike.

Vendin e parë për llojin e ndërhyrjeve e mbajnë ato në hundë, të paktën 50% e ndërhyrjeve kanë të bëjnë me të. Kjo kërkohet kryesisht nga të rinjtë, të cilët sot zgjedhin të marrin një kredi të vogël për të kryer ndërhyrjen. Pagesa me këste është mënyra e preferuar e tyre për këtë shërbim. Të huajt, nga ana tjetër, parapëlqejnë të paguajnë përmes bankës dhe po rriten gjithmonë e më shumë në numër. Italia mban vendin e parë për nga vizitorët që në paketën turistike përfshijnë edhe një ndërhyrje plastike.

Ka gjithmonë e më shumë një interes për të qenë të kuruar dhe për të përcjellë një imazh sa më të përsosur. Në shumë raste, për këtë kërkohet ndihma e operacioneve plastike. Cila është kërkesa më e shpeshtë e shqiptarëve kur vjen puna tek ndërhyrjet?

Është e vërtetë që ka një tendencë në rritje të këtyre ndërhyrjeve dhe kërkesat sigurisht që varen nga mosha apo edhe situata e personit që e kërkon këtë ndërhyrje. Nga moshat e reja, në vend të parë për ndërhyrjet është ajo në pjesën e hundës, për faktin se ne shqiptarët njihemi për një hundë tipike shqiptare dhe ballkanase me kurriz.

Meqë jam në këtë fushë i vërej me kujdes dhe në shumë konsulta që më vijnë gjatë ditës, shumica e femrave apo meshkujve ka nevojë për të bërë një ndërhyrje të vogël estetike. Por kur flasim për një ndërhyrje në hundë nuk u referohemi ndërhyrjeve që kemi parë deri tani, një hundë e ngritur lart apo e ekzagjeruar.

Kërkohen ndryshime të vogla, pa e ndryshuar të tërën dhe pamjen tredimensionale të fytyrës. Unë jam gjithmonë "pro" ndërhyrjeve në hundë, për faktin se hunda rritet me kalimin e viteve dhe është në mes të fytyrës sonë. Një fytyrë që i ka të gjitha tiparet simetrike dhe në proporcion, kur ka një hundë që nuk shkon dhe është vendosur keq aty, ka nevojë që të korrigjohet, por gjithmonë duhet korrigjuar nga një profesionist, pasi në të kundërt ajo do të sjellë efekte anësore për frymëmarrjen dhe në atë hundë, do të kemi për të marrë frymë për gjithë jetën tonë.
Pra, duhet të zgjedhim gjithmonë një profesionist dhe të shohim CV-në e doktorit.

Mbas hundës në kërkesat për ndërhyrje, vjen gjoksi dhe barku. Ka një arsye pse vijnë pikërisht këto të dyja dhe nuk vjen një ndërhyrje tjetër. Këtë kërkesë e ka kontingjenti i femrave që kanë lindur dhe kanë mbajtur një fëmijë me gji. Gjoksi është fryrë, shfryrë, ka pësuar strija nga procesi i mëmësisë, barku gjithashtu dhe kanë nevojë që ta rikonstruktojnë.

Duke krahasuar numrin e grave që janë bërë nëna me numrin e vajzave të reja që kanë nevojë të rimodelojnë fundshpinën, ky numër është më i madh. Rasti i ndërhyrjes në gjoks, duke futur dhe pjesën e vajzave të reja, të cilat kanë një gjoks minor, të vogël fare dhe me të drejtë duan ta rrisin pak numrin, është më i madh. Pra, në vendin e parë është hunda, në vendin e dytë është gjoksi, në vendin e tretë plastika e barkut dhe në vendin e katërt është fundshpina. Ne si klinikë, kemi më shumë raste në fundshpinë, sepse kemi raste të shumta suksesi për rimodelimin, por sërish mbetet në vendin e katërt.

Mund të na jepni një mesatare mujore të ndërhyrjeve që bëhen në klinikën tuaj dhe si ndahen në përqindje për nga lloji i ndërhyrjes së kryer?

Nga muaji në muaj varion, por nëse do ta mesatarizonim është diku tek 40 ndërhyrje në muaj. Nga këto, të paktën 50% e kërkesave janë për ndërhyrje në hundë dhe pjesa tjetër ndahen mes kërkesave të tjera që i përmendëm pak më parë.

Si janë çmimet që aplikoni sot për këto ndërhyrje? A janë të përballueshme? Po në raport me tregun europian?

Çmimet që aplikohen sigurisht që i përshtaten realitetit shqiptar. Kur i kemi vendosur, kemi pasur parasysh pikërisht gjendjen ekonomike të shqiptarëve. Janë të përballueshme. Nuk mund të themi që janë të përballueshme për çdo person, sepse kirurgjia plastike futet te shërbimet e luksit. Një person që troket në dyert e klinikës pa diskutim që duhet t'i ketë mbaruar problemet e veta. Shërbimet janë të përballueshme nga shtresa e mesme.

Për të qenë më të saktë, edhe në perceptimin që ju përcillni për çmimet e përballueshme në realitetin shqiptar, a mund të kemi disa prej çmimeve që aplikohen? Hunda, për shembull, sa kushton?

Ne kemi një çmim prej 1500 eurosh për hundë një ndërhyrje që kryhet nga mjekë shumë profesionistë. Sa i përket gjoksit, një ndërhyrje mund të variojë nga 2000 tek 2500 euro, por varet nga vështirësia. Nëse aty ka nevojë që të bëhet lifting (ngritje) shkon edhe 3000 dhe 3500 euro. Këto janë rastet kur pacienti ka një gjoks voluminoz, ka ushqyer fëmijët me gji, ka pësuar ndryshimet e saj në peshë dhe ka humbur komplet formën e vet. Në të tilla raste bëhet lifting, vendosen proteza të cilat edhe ato kanë koston e vet që mund të shkojë në 3500-3800 euro, por këto janë raste specifike. Mesatarja kryesisht luhatet mes 2500-3000 euro.

Po ndërhyrjet në fundshpinë, që duket se janë shtuar së fundmi, çfarë kostoje kanë?

Ka një rritje të interesit edhe për këtë pjesë. Unë dua të theksoj se gjatë procesit të shtatzënisë, ne na ndryshon pak harku i pjesës së shtyllës kurrizore, rikthehet në vend, por asnjëherë në formën e vet perfekte, siç ka qenë më përpara. Në këto kushte, dhjami fillon dhe akumulohet në zona që ne nuk do donim që të akumulohej dhe sado që të bëjmë palestër ose ecje, përsëri ka nevojë që të vendoset dora e kirurgut që të bëjë një skulpturim të trupit, të hiqet dhjami aty ku nuk duhet dhe të vendoset aty ku do të donin femrat.

Rimodelimi i fundshpinës ka çmim 2000-2200 euro por kjo varet. Ndonjëherë ofrojmë edhe opsione të tjera, sepse normalisht për ato që kemi kliente që kanë bërë një ndërhyrje më parë, padyshim që jepet një çmim më i mirë. Këto janë politika të brendshme të klinikës.

Si paguajnë sot shqiptarët për këto ndërhyrje, paguajnë "cash", paguajnë me bankë, paguajnë me këste sepse kjo e fundit është një opsion mjaft i përhapur?

Në fakt janë të gjitha këto si alternativa, kryesisht "cash", por edhe me bankë me këste. Ne kemi kontrata me bankat dhe shoh që shumë vajza të reja janë të punësuara, preferojnë që të marrin një kredi, kuptohet kryesisht është pjesa e hundës që është një kredi e vogël 1500 euro dhe nuk ua rëndon atyre gjendjen ekonomike. Vajzat e reja kryesisht preferojnë të marrin kredi, kurse pjesa tjetër më e rritur paguajnë "cash".

Po të huajt që vizitojnë klinikën tuaj, si paguajnë?

Të huajt janë disi më ndryshe se ne, pasi kanë një tjetër mentalitet. I japin më shumë rëndësi parasë sesa ne, paguajnë me kartë dhe nuk e mendojnë kredinë për një ndërhyrje. Deri tani kontingjenti që vjen te ne, edhe pse janë të punësuar dhe mund të marrin kredi me kushte shumë më të mira se ne shqiptarët, shpenzojnë kursimet e tyre.

Të huajt që po vijnë drejt Shqipërisë për pjesën e ndërhyrjeve, nga janë, të cilës moshë, çfarë profili, nga e kanë marrë nxitjen për të ardhur këtu përveç çmimit që është shumë i mirë?

Të parët që na sjellin më shumë njerëz janë disa agjenci të krijuara dhe kanë filluar atë që njihet si turizmi kirurgjikal. Ato i sjellin në Shqipëri për të bërë një udhëtim, për të parë disa nga pikat kryesore turistike në vend dhe në fund mendojnë që të bëjnë edhe një ndërhyrje. Planifikojnë të gjithë ditët që të bëjnë guidën dhe në fund ndërhyrjen kirurgjikale. Kjo është pjesa e parë. Një pjesë vijnë nga informacionet që marrin nga interneti.

Një grup tjetër janë pacientë të vetë doktorëve dhe që e dinë që ata e ofrojnë këtë shërbim edhe në Shqipëri. I njohin punët e tyre dhe u leverdis çmimi. Marrin informacion dhe vijnë tek ne. Më shumë janë italianë, kemi pasur edhe nga Zvicra por që vijnë të referuar nga shqiptarët dhe jo nga agjencitë. Ne po punojmë për më shumë.
Së fundmi kemi pasur raste edhe nga Londra përmes agjencive, më parë ato kishin zgjedhur Rumaninë dhe Bullgarinë, tani kanë nisur të vijnë në Shqipëri. Vendi ynë po zgjidhet gjithnjë e më shumë.

Sa pacientë vijnë dhe ju kërkojnë që t'i korrigjoni gabime ose deformime që mund të jenë kryer nga një ndërhyrje në një klinikë apo sallon që nuk janë të specializuar? Buzët kanë filluar bëhen rëndom nëpër sallone…

Fatkeqësisht, kjo është diçka që ndodh por më shumë se risku i tregut informal, apo salloneve, problem mbeten materialet që përdorin. Këto materiale mund të jenë të pakontrolluara, në shumicën e tyre përdoret silikon, që është një krim i vërtetë.

Do t'ju thosha njerëzve të bëjnë shumë kujdes, të marrin informacion, të shkojnë vetëm tek doktori për të bërë një ndërhyrje pasi askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë, për faktin se nuk njeh anatominë e trupit, nuk njeh materialet dhe është i papërgjegjshëm në dëmin që të shkakton. Pastaj kur vijnë tek ne është shumë vështirë korrigjimi, për faktin se korrigjimi në një ind njerëzor dhe indin tonë të lëkurës nuk është i njëjtë si në dru që, nëse dëmton, mund ta përmirësosh. Indi i lëkurës është shumë i vështirë për t'u rikthyer në perfeksion.

Korrigjime ne bëjmë, por ato janë gjithmonë sekondare terciale dhe njeriu është i ndërgjegjshëm se çfarë pret nga ky korrigjim. Kemi shumë të tilla fatkeqësisht. Dje kisha rastin e një vajze që kishte bërë buzët me silikon dhe i kishte bërë së fundmi sepse unë kam parasysh që kjo histori është mbyllur këtu e para 7-8 vjetësh. Ajo i kishte bërë para një viti. Buzë të tmerrshme, mollëza të tmerrshme. Erdhi dhe u konsultua me ne, pasi do të bëjë një ndërhyrje në vjeshtë, pasi nuk mund të bëhet tani, për të hequr atë masë silikoni. Por ajo e di që do t'i bëhet një çarje në pjesën e brendshme dhe të sipërme të buzës, e cila do të jetë një shenjë që do t'i mbetet, por ajo ka zgjedhur më mirë të heqë atë masë, të mos duket pamja e buzës ashtu dhe të bëjë një kompromis me veten. Korrigjimi nuk të realizon kthimin 100 për qind perfeksionin apo gjendjen e mëparshme.

Sa raste ju vijnë kështu?

Janë shtuar gjithmonë e më shumë. Më vjen keq që ende nuk ka një ndërgjegjësim për informim të plotë dhe përzgjedhje të doktorëve ku bëhet ndërhyrja, por më vjen mirë që vajzat kanë filluar të mendojnë ndryshe për pamjen e tyre.

Në fillimet e mia, shihja vajza me ekzagjerime në buzë dhe mollëza dhe që konfirmonin që ju pëlqente ajo lloj pamje. Në atë kohë, ajo që këshilloja ishte të mos përdornin silikonin, por mënyra sesi ishte promovuar kjo pjesë, që ti e bën një herë ndërhyrjen dhe nuk shpenzon më, kishte dhënë efektin e vet dhe i kishte bindur. Ndërkohë që në kahun tjetër, ishte acidi ialuronik që duhet të përsëritet herë pas here por që nuk ka efekte. Gjithsesi, sot tendenca që po shohim duket më pozitive dhe ata që kërkojnë ndërhyrje marrin më shumë informacion nga klinikat, nga të njohurit, nga interneti. Kjo i bën më të kujdesshëm dhe më përzgjedhës.

Forcimi i lekut mbajti në nivele të ulta ushqimet dhe naftën

Posted: 26 Aug 2017 08:30 AM PDT

Viti 2017-të ka patur inflacion të ulët për shkak të kursit të këmbimit. Ky është konkluzioni i Bankës së Shqipërisë, e cila vlerëson se nëse monedhat ndërkombëtare si Euro dhe Dollari, do të ishin forcuar, çmimet e konsumit i do të ishin më të larta.

Megjithatë në analizën e saj, banka qëndore vëren se tregtarët nuk reflektojnë si duhet në çmime fitimin që kanë nga kursi i këmbimit. Nëse në rastin kur Euro apo Dollari mbiçmohet përkthehet menjëherë në vlerën e mallit, procesi është më i ngadalshëm kur leku fiton pikë ndaj tyre, thuhet në analizën e bankës qëndrore.

Çmimet e produkteve ushqimore, zënë peshën më të lartë në shportën e inflacionit. Këto produkte kanë pësuar edhe rritjen më të madhe përballë artikujve të tjerë gjatë këtij viti.

E nëse monedha e përbashkët europiane do të ishte në nivele të njëjta me një vit më parë, çmimet për këto mallra sot do të ishin më shtrenjtë. Rënia e euros dhe dollarit, ka arritur të mbajë stabël çmimin e karburanteve, i cili edhe pse ka pësuar një rritje të lehtë në bursa, nuk ka ndryshuar në tregun shqiptar. Leku është forcuar në 6 muajt e parë të këtij viti 4.2% , e duke shënuar rritjen më të lartë gjatë dekadës së fundit.

Takimi i liderëve të rajonit, Rama: Ditë e mirë për më shumë ekonomi

Posted: 26 Aug 2017 08:22 AM PDT

Pas takimit joformal me Kryeministrat e vendeve të Ballkanit që u zhvillua në Durrës, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një ditë të mirë pune që do të mundësojë ekonomi më të mirë dhe më shumë vende pune.

Në një status në facebook, Rama shkruan se bashkëpunimi rajonal do të bëjë që integrimi evropian të ndodhë më shpejt.

"Ditë e mirë pune për rajonin e për Shqipërinë. Qoftë me bashkëpunimin rajonal qoftë me integrimin europian, do të ecim më shpejt. Për më shumë ekonomi dhe punësim. Për #ShqipërinëqëDuam", shkruan Kryeministri Edi Rama në Facebook.

Agron Shehaj reagon pas kritikave nga të vetët: S’jam futur në politikë për të bërë para

Posted: 26 Aug 2017 08:15 AM PDT

Pasi ironizoi ditën e djeshme lajmin se Majlinda Bregu do të bëhej ministre në qeverinë "Rama 2", Agron Shehaj ka reaguar sërish ditën e sotme, ndaj atyre që e sulmuan për deklaratën e tij.

Deputeti i Vlorës ditën e sotme ka thënë se i bën shumë përshtypje që disa politikanë janë futur në politikë me xhepa bosh dhe kanë dalë të pasur dhe kur nuk marrin një karrige, sulmojnë partinë.

Më tej deputeti i PD ka pohuar se është i pasur dhe ka punuar fortë për pasurinë e tij, por edhe ka paguar miliarda taksa.

Statusi i Agron Shehajt

Mundësia që një ish Ministre dhe deputete e PD-së vetëkandidohet ose kandidohet nga të tjerë (por ajo nuk e përgënjeshtron se nuk dihet mbase e bëjnë) nuk skandalizon asnjë, ndërsa reagimi im kundër një mundësie të tillë sjell akuza për përçarje të Partisë Demokratike.

Shumëkush mund ta shohë diçka normale, por mua më bën shumë përshtypje që disa politikanë janë futur në politikë me xhepat bosh dhe janë pasuruar jashtë masë, që kanë patur privilegje të jashtëzakonshme dhe kur vjen dita që dikush i zbret nga karrigia, i sulen partisë së tyre ose akoma më keq i bashkohen kundërshtarëve.

Nuk kisha ndërmend të merresha me deputetet "e pakënaqur" sepse nuk janë ata kundërshtarët e mi, por nuk mund të hesht ndaj shfaqjes së fundit dhe manipulimit të Edi Ramës që vazhdon me strategjinë e tij për të përcjellë idenë se jemi të gjithë njësoj.

Nuk e di nëse vërtet do bej Ministre Bregun, por e vetmja arsye për të cilën do e bënte është pikërisht për të çoroditur opinion publik dhe për të fshirë diferencat ideologjike midis Ish Partisë se Punës dhe Partisë Demokratike.

Nëpërmjet kësaj lëvizjeje ai do tregonte që bën një qeveri "gjithëpërfshirëse" dhe se media që ai ka nën kontroll (pothuajse të gjitha) do trumbetonin gjoja bashkëqeverisjen PD-PS.

Duhet ta kemi të qartë se çfarë del në media nuk është rastësi, por është pjesë e një strategjie të qartë të qeverisë.

Për sa i përket humbjes në Vlore, si në gjithë Shqipërinë, rrënjët e saj shkojnë përtej fushatës elektorale 30 ditore që unë kam bërë dhe duhen kërkuar edhe te qëndrimi, para dhe gjatë zgjedhjeve, i atyre zotërinjve që sot me akuzojnë.

Jam i vetëdijshëm që për qëndrimet e mia mund të sulmohem nga mediat, analistët dhe opinion maker pranë qeverisë dhe atyre opozitare por që mbështesin "të pakënaqurit". Është fare normale dhe nuk çuditem, por kjo nuk do më pengoj të them mendimin tim.

Nuk jam futur në politikë për interes, nuk kam marrë asnjë lek nga politika edhe kur ma kanë ofruar, të majtë dhe të djathtë.

Nuk jam futur ne politike për tu pasuruar, sepse ashtu si më "akuzojnë" disa unë kam fatin të jem i pasur. Janë të paktë në Shqipëri ata që mund të justifikojnë pasuritë e tyre, kokërr me kokërr siç mund ta bëj unë. Kam punuar në mënyrë të ndershme dhe kam paguar miliarda lek taksa.

Nuk e them për tu mburrur, por për t'ju thënë atyre që me ironi thonë që jam i pasur se nuk ka asgjë të keqe të kesh korrur rezultatet e punës së ndershme.

Jam futur në politikë sepse kam qenë jashtmase i zhgenjyer nga kjo klasë politike, pikërisht nga këto shfaqje të shëmtuara, njëherë me njërin, njëherë me tjetrin, jo ti vodhe, jo po vodha por dhe punova, unë të jap këtë ti me jep atë.

Kam ndërmend të them çfarë mendoj se është e drejtë, më vjen keq qe kam lënduar "të pakënaqurit".

Është detyra ime si deputet i zgjedhur i PD-së të dal kundër një mundësie si ajo që përflitet në media.

Për sa i takon atyre që më akuzojnë për formën i këshilloj të merren me përmbajtjen.