“Sulmohet zyra e Navalnyt nga "Brigada e Putinit"” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Sulmohet zyra e Navalnyt nga "Brigada e Putinit"
- Stavileci: Koalicioni PAN nuk do të marrë pjesë në seancën e së premtes
- Delawie: Jemi të zhgënjyer me dështimin për konstituimin e Kuvendit
- Kuvendi, nga kriza në krizë
- Abkazi: Dy gra kanë vdekur, pas shpërthimit në depo të municionit
- Maqedonia do ta ratifikojë Konventën e Stambollit për eliminimin e dhunës ndaj grave
- Shmanget përkohësisht kriza energjetike
- Trump: Marrëdhëniet me Rusinë, "në pikë rrezikshmërisht të ulët"
- Pensionohet Klitschko, ish kampioni i boksit
- Shtyhet përsëri gjykimi për tradhti i Yanukovychit
- Katër ushtarë amerikanë të lënduar nga sulmi në Afganistan
- Sanksionet shuajnë shpresat për marrëdhënie më të mira mes SHBA-së dhe Rusisë
- Rusia: Kemi krijuar një zonë të sigurtë në Siri
- Rohani rizgjedhet president i Iranit
- Abkazi: Shpërthim në depo të municionit, dhjetëra të lënduar
- Sot rifillon gjykimi për tradhti i Yanukovychit
- Trump ka diskutuar për komandatin e ushtrisë së SHBA-së në Afganistan
- OKB-së i bëhet thirrje për reagim kundër Iranit, pas lansimit të raketës
- Medvedev dënon ashpër legjislacionin amerikan për sanksionimin e Rusisë
- Pentagoni: Dy ushtarë janë vrarë nga sulmi në Afganistan
| Sulmohet zyra e Navalnyt nga "Brigada e Putinit" Posted: 03 Aug 2017 10:03 AM PDT Punëtorët e angazhuar në fushatën e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, kanë thënë se grup i quajtur, Otryady Putina (Brigada e Putinit), e ka sulmuar zyrën lokale të Navalnyt, në qytetin Krasnodar. Sipas punëtorëve, shumica e sulmuesve ishin gra të moshuara. Objekti është sulmuar dhe është thyer një dritare dhe dera kryesore. Sulmi ka ardhur një ditë pasi persona të panjohur kanë shkruar grafite "Putin- Fashist", në murin e jashtëm të ndërtesës ku vepron Brigada e Putinit. Stafi i Navalnyt ka thënë se nuk ka të bëjë asgjë me grafitet. Navalny është duke bërë fushtatë aktive për zgjedhjet presidenciale të marsit 2018, në të cilat presidenti, Vladimir Putin, pritet të fitojë edhe një mandat. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Stavileci: Koalicioni PAN nuk do të marrë pjesë në seancën e së premtes Posted: 03 Aug 2017 09:14 AM PDT Përfaqësuesit e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, përmes një konference për medie, kanë deklaruar se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është paralajmëruar për ditën e premte. Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit PAN, ka thënë se gjatë seancës konstituive të Kuvendit, nuk janë respektuar rregullat demokratike. Ftesa për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për ditën e premte, sipas tij, është bërë në mënyrë arbitrate, jodemokratike, pa u konsultuar me të gjitha partitë politike dhe deputetët e koalicionit PAN nuk do të marrin pjesë në një seancë të tillë. "Qëndrimi i koalicionit tonë është: jo. Ne këtë e kemi thënë dhe e kemi shprehur se askush nuk mundet në mënyrë arbitrare dhe autoritare ta bëj një ftesë të tillë. E kemi parë edhe sot se si e ka dhunuar atë foltore dhe si janë bërë gabimet. Ne e kemi kërkuar shtyrjen e ata e kanë mbyllur seancën". Stavileci ka thënë se përderisa ka presione publike dhe private ndaj deputetëve të caktuar nga grupe dhe individ të caktuar, koalicioni PAN nuk do të kthehet në seancën konstituive të Kuvendit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Delawie: Jemi të zhgënjyer me dështimin për konstituimin e Kuvendit Posted: 03 Aug 2017 08:39 AM PDT Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, i ka shprehur zhgënjimin me zhvillimet në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. " Ne jemi të zhgënjyer që përfaqësuesit e popullit të Kosovës dështuan që të konstituojnë Kuvendin sot. Për Kosovën është e rëndësishme që të ketë Kuvend dhe Qeveri funksionale sa më shpejtë që është e mundur, për t'i adresuar prioritetet urgjente për popullin e këtij shteti", ka thënë ambasadori Delawie për Radion Evropa e Lirë. Ai gjithashtu ka shtuar se "ne nxisim të gjitha partitë dhe përfaqësuesit e tyre që të vazhdojnë menjëherë me formimin e institucioneve shtetërore". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Posted: 03 Aug 2017 07:55 AM PDT Fillimi i punës së legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës , ka reflektuar shenjat e para të një krize të re, thonë analistët politikë. Situata e krijuar në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, sipas tyre, burimin e ka në sistemin zgjedhor, i cili vlerësohet se nuk i ka mundësuar asnjërës parti apo koalicioni që të fitojë një shumicë parlamentare. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, formimi i propozimi për kryetarin e Kuvendit si dhe për formimin e Qeverisë i takon koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, si subjekt fitues. Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike i tha Radios Evropa e Lirë se e gjithë kjo situatë e cila ndodhi në seancën konstituive ka qenë e pritshme. Ai thotë se pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të koalicioni PAN se ata i kanë numrat, faktet tregojnë të kundërtën. "Fillimi i punës së legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës u karakterizua edhe me fillimin e një krizë, në kuptim e asaj se ishin dy muaj kohe dhe koalicioni fitues i zgjedhjeve duket se nuk i ka numrat për të zgjedhur kryetarin, dhe rrjedhimisht për t'i hapur rrugë edhe krijimit të Qeverisë". "Në fakt sot në seancë pamë një papërgjegjshmëri të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së, që nuk erdhën në kohën e duhur në Kuvend dhe pastaj kur erdhën dhanë lajmin se iu duhet edhe dy orë tjera në mënyrë që të vazhdojnë konsultimet", thotë Mushkolaj. Në anën tjetër, Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës ishte kaotike. "Kjo tregon situatën në Kosovë, e cila rrjedh nga sistemi zgjedhor i Kosovës, i cili nuk i ka mundësuar asnjërës parti parazgjedhore që të fitojë një shumicë parlamentare , që të mundëson zgjedhjen e personaliteteve në pozitat e caktuara". "Kjo është edhe pasojë e vendimeve absurde të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, e cila i ka sjell dhe do të vazhdojë t'i sjell Kosovës kokëçarje të mëdha në funksionimin e sistemit të saj politik. Në anën tjetër, mendoj që mbyllja e seancës nuk është dashur të ndodh nuk është dashur të ndodh as kërkesa për pauzë", thekson Qirezi. Qirezi shton se gjithë kjo situatë e krijuar e cila mund të dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ndërkohë, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen të shqetësuar për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Hasan Selimi, pensionist, thotë se nuk ka besim se krerët e institucioneve po bëjnë më të mirën për qytetarët. "Partitë në Kosovë po punojnë vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata po i blejnë votat e deputetëve për interesa të veta. Populli po i voton ata, pastaj po ballafaqohet me probleme të mëdha", thotë ai. Ndërkaq, Naim Haliti një qytetar nga Prishtina thotë se gjendja në Kosovë duhet të ndryshojë. "Do të kisha pasur dëshirë të ndodh diçka. Nuk di se çka të them. Nëse do të mund të konstituohen institucionet e vendit, çështjet më të cilat do të duhej të merren janë arsimi, shëndetësia dhe shumë çështje tjera, mendoj se duhet të ndryshohet diçka", thotë Haliti. Nëse nuk gjendet një zgjidhjet që të votohet kandidati për kryetar të Kuvendit të Kosovës nga koalicioni PAN dhe t'i hapet rrugë formimit të Qeverisë, Mushkolaj thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme. "I mbetet PAN-it që të gjejë zgjidhje, duke pasur parasysh se deklarimet e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe koalicioni LAA janë të qarta, se ata nuk do të votojnë Kadri Veselin për kryetar. PAN duhet të ndërmarrë marr hapin e parë që të diskutojë me deputetët e LDK-së, AKR-së, Alternativës dhe VV-së në mënyrë që të merren vesh për votimin e një kandidati tjetër dhe të konstituohet Kuvendi, dhe pastaj të procedohet brenda afatit kushtetues dhe ligjor edhe për krijimin e Qeverisë", thekson Mushkolaj. Qëndrimet e kundërta ndërmjet partive politike, sipas analistëve, nuk figurojnë asgjë tjetër përveç shkuarjes së vendit edhe në një palë zgjedhje të jashtëzakonshme. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Abkazi: Dy gra kanë vdekur, pas shpërthimit në depo të municionit Posted: 03 Aug 2017 07:54 AM PDT Dy qytetare ruse janë vrarë nga eksplodimi që ka depërtuar në një depo të municionit në rajonin e shkëputur të Gjeorgjisë, Abkazi, gjatë ditës së mërkurë. Ministri i Brendshëm i Abkazisë, Aslan Kobakhia, ka thënë sot se të paktën 64 persona, duke përfshirë edhe 35 turistë rusë, janë lënduar nga shpërthimi, në arsenalin ushtarak në fshatin, Primorskoye, afër Detit të Zi. Zëdhënësja e ministrisë për Emergjenca, Mizan Lomia, ka thënë se dy gratë e vdekura, kanë qenë duke kalëruar afër depos, në momentin që nisi zjarri. Abkazia është shkëputur nga Gjergjia në fillim të viteve 1990. Moska ka fituar kontroll në këtë këtë provincë, si dhe në rajonin e dytë të shkëputur nga Gjeorgjia, Osetinë Jugore, pas një lufte të shkurtër me Gjeorgjinë më 2008. Rusia i ka njohur të dyja rajonet si të pavaruara dhe ka mijëra trupa ushtarakë në këto pjesë. Nënpresidenti amerikan, Mike Pence e ka dënuar, atë që e ka quajtur "okupim" të Rusisë në rajon, gjatë një vizite në Tbilisi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Maqedonia do ta ratifikojë Konventën e Stambollit për eliminimin e dhunës ndaj grave Posted: 03 Aug 2017 07:28 AM PDT "Dhuna seksuale dhe dhuna në familje janë përpjekje më dominuese të dhunës në baza gjinore, por në Maqedoni shumë pak flitet për to dhe shumë pak raportohen rastet e tilla", ka theksuar ministrja e Punës dhe Politikave Sociale, Mila Carovska, e cila ka informuar për përgatitjet që po bëhen drejt ratifikimit dhe implementimit të Konventës së Stambollit. Carovska tha se deri në fund të vitit në Maqedoni do të hapet dhe një qendër sociale, vendi i së cilës do të jetë sekret, për të trajtuar gratë të cilat kanë qenë viktima të dhunës familjare apo seksuale. "Maqedonia ka problem serioze me mbledhjen e të dhënave se cili është numri viktimave të dhunës seksuale dhe asaj në familje. Andaj, primare në këtë projekt është mbledhja e të dhënave në një sistem të vetëm, që do të thotë se çdo institucion i cili me informacion që ka për shfaqjen dhunës ndaj gjinisë femërore, duhet të reagojë duke bashkëvepruar me institucionet përkatëse, duke fillua nga ndihma shëndetësore, vendosja e viktimave në qendrat sociale për një kohë të caktuar, deri tek organet e sigurisë dhe gjykatat që duhet t'i përballin me drejtësinë ata që ushtrojnë dhunë",tha Carovska. Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se krahas qendrave që do t`i hap Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në kuadër të shtëpive të shëndetit, është paraparë që të hapen tri qendra ku do tu ofrohet ndihmë mjekësore femrave ndaj të cilave është ushtruar dhunë. Taravari tha se këto qendra do të bashkëveprojnë me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. "Ministria për Shëndetësi është e gatshme që këtë program ta zhvillojë në tri qendra të cilat do të hapen në Republikën e Maqedonisë edhe atë në Shkup, Kumanovë dhe në Tetovë, për t`u ofrua ndihmë mjekësore femrave viktima të dhunës", tha Taravari. Organizatat, që në fokus kanë të drejtat e grave, thonë se Maqedonia si shtet që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane është vonuar me ratifikimin dhe implementimin e Konventës së Stambollit për eliminimin e dhunës ndaj grave, megjithëse theksojnë se mungesa e pavarësisë ekonomike, i bën femrat të mos denoncojnë dhunën në familje sepse ato janë të detyruara të jetojnë në familjen e bashkëshortit sepse s`kanë ku shkojnë. "Krijimi i kushteve për të siguruar siguri financiare grave që kanë qenë viktimë e dhunës, u mundësohet që ato të vendosin për fatin e tyre në formë të pavarur, dhe jo si në të shumtën e rasteve kur gratë viktima të dhunës detyrohen të kthehen në shtëpitë e bashkëshortëve të cilët kanë ushtuar dhunë ose tek familjarët e tyre duke duruar dhunën e vazhdueshme që ushtrohet mbi to, qoftë ajo psikologjike fizike ose seksuale",thotë për Radion Evropa e Lirë, Nora Kaliqi, drejtuese e organizatës joqeveritare "Ajo" Ndërkaq, koordinuesja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shkup, Luiza Winton ka theksuar se dhuna ndaj grave duhet trajtuar me seriozitet, ngase siç tha, duke iu referuar të dhënave të organizatave ndërkombëtare, çdo e treta grua është viktimë e dhunës. "Vështirë gjenden të dhëna të sakta, por duket qartë se sipas statistikave nga vendet tjera, një në çdo tre grua në Maqedoni gjatë jetës së saj do të jetë viktimë e një forme të dhunës me baza gjinore. Në suaza botërore, kjo do të thotë se një në çdo gjashtë persona në planet do të jetë viktimë e një dhune të tillë", theksoi Winton. Ndryshe, përgatitja e ratifikimit dhe zbatimit të "Konventës së Stambollit", mbështetet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, që ka siguruar mjete financiare në vlerë prej 300 mijë dollarë amerikanë. Në botë, Konventa e Stambollit është e njohur si instrumenti më i mirë ligjor, në luftën kundër dhunës në familje dhe në të gjitha format e tjera të dhunës me baza gjinore. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shmanget përkohësisht kriza energjetike Posted: 03 Aug 2017 07:08 AM PDT Autoritetet përgjegjëse në Kosovë kanë paralajmëruar masa për të shmangur kizën energjetike. Arben Gjuka, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Korporata ka arritur marrëveshje me dy familje të fshatit Shipitullë, zonë kjo ku është planifikuar operimi që mundëson vazhdimin e nxjerrjes se thëngjillit. "Ky është një hap plotësues, pasi pritet që në ditët në vijim në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 21 korrik, që procedurat për marrjen e kësaj toke të përmbyllen në pjesën e parë të muajit shtator të këtij viti", tha Gjuka. Ishte vetë drejtori i KEK-ut, Gjuka, i cili javën e kaluar kishte paralajmëruar se Kosova brenda dy javësh mund të përballet më një krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit, si lëndë e parë për prodhimin e energjisë elektrike. Aktualisht, KEK-u është përqendruar në shpronësimin e 52 hektarëve, me mbi 100 shtëpi, në katër lagjet e fshatit Shipitullë. Kjo zonë, për shkak të mihjeve që zhvillohen aty, në kërkim të rezervave të thëngjillit, para disa vitesh është shpallur e rrezikshme për banim, ndërsa po ashtu është shpallur zonë e interesit të veçantë ekonomik. Disa familje janë zhvendosur, kurse disa të tjera, konkretisht katër lagjet e këtij fshati, nuk kanë pranuar procesin e shpronësimit, për shkak se kanë qenë të pakënaqur me kushtet e vlerësimit për kompensimin e tokës. Kostoja e shpronësimit, e vendosur fillimisht ishte 4.5 milionë euro. Kurse tashme ka arritur në mbi 15 milionë euro. Në anën tjetër, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala në mbledhjen e Qeverisë në largim të mbajtur të mërkurën, ka thënë se procesi i shpronësimit dhe zhvendosjes se banorëve të fshatit Shipitullë është vonuar për dy vite, dhe gjatë kësaj faze janë ndërtuar dhjetëra objekte ilegale në zonë të interesit. Kurse më 21 korrik, Qeveria në largim e Kosovës ka nxjerrë vendimin me të cilin aprovon shqyrtimin e kërkesës për shpronësim. Në anën tjetër, njohës të fushës së energjisë në Kosovë thonë se interesat personale kanë sjell probleme në procesin e shpronësimit të tokave në këto pjesë. Hamdi Malushaj, drejtor në kompaninë " Evroenergie", kompani kjo që merret me analiza dhe studime të çështjeve energjetike në tregun e Kosovës dhe Gjermanisë, thotë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme të thëngjillit që mund të ndikojë edhe në stabilitetin rajonal të energjisë. Por, gabimet dhe keqmenaxhimi në këtë sektor ka bërë që Kosova të përballet më furnizim jostabil me energji. "Sa i përket shpronësimit të tokave, unë besoj se ka 'hile' në pronësinë e tokave, pasi nuk janë pronarë të vjetër, por janë pronarë të rinj të pasluftës, të cilët e kanë hulumtuar, menduar se duhet të krijojnë probleme në mënyrë që të pasurohen në rastin e shpronësimit". "Qeveria e Kosovës e ka Kushtetutën, e cila nuk ka nevojë më pritë për biseda bilatrelae më familje dhe familjet të pranojnë për çështjet strategjike të zhvillimit ekonomike", thotë Malushaj për Radion Evropa e Lirë. Qymyri është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike. Resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për t'u shfrytëzuar. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump: Marrëdhëniet me Rusinë, "në pikë rrezikshmërisht të ulët" Posted: 03 Aug 2017 06:21 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën janë "në pikë rrezikshmërisht të ulët ", duke i fajësuar ligjëvënësit për këtë situatë. "Marrëdhëniet me Rusinë janë në pikë rrezikshmërisht të ulët", ka shkruar Trump në Twitter. "Duhet të falenderoni Kongresin, njërëzit e njëjtë të cilët nuk mund të na japin kujdes shëndetësor!", duke i'u referuar disfatës së fundit në Senat për planet e tij për reforma rreth kujdesit shëndetësor, të njohur si Obamacare. Komentet e Trumpit vijnë një ditë pasi ai i ka nënshkruarar projektligjin i cili e sanksionon Rusinë, masë të cilën kryeministri rus, Dmitry Medvedev, e ka cilësuar si " luftë tregtare" kundër Moskës. Përmes një deklarate që shoqëron nënshkrimin e tij, Trump ka thënë se legjislacioni "ka të meta të konsiderueshme", që do të pengonin aftësitë e administratës së tij për të negociuar me kundërshtarët e huaj. Trump e ka kundërshtuar kthimin e sanksioneve kundër Rusisë në ligj, mirëpo ka thënë se e ka nënshkruar legjislacionin pavarësisht "të metave të konsiderueshme", për " hir të unitetit kombëtar". Projektligji i nënshkruar nga presidenti Trump i vazhdon sanksionet ndaj Rusisë, të vëna nga presidenti i mëparshëm Barack Obama, për ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, për aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe mbështetjen e separatistëve kundër qeverisë në lindje të Ukrainës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pensionohet Klitschko, ish kampioni i boksit Posted: 03 Aug 2017 05:35 AM PDT Ish kampioni botëror i boksit, Wladimir Klitschko, ka njoftuar se do të pensionohet në moshën 41 vjeçare. "Nuk e kam menduar kurrë që do të kem karrierë kaq të gjatë dhe të sukseshme, ju falenderoj të gjithëve nga thellësia e zemrës", u ka thënë Klitschko, mbështetësve të tij, përmes një deklarate. Vendimi i tij ka ardhur pasi ukrainasi i lindur në Kazakistan, ishte nokautuar në raundin e 11-të gjatë muajit prill, nga kampioni aktual i boksit, britanezi, 27 vjeçar, Anthony Joshua. "Si një bokser amator dhe më pas profesionist, unë kam arritur të gjitha që i kam ëndërruar, tani dua të fillojë një karrierë të dytë", ka thënë tutje Klitschko. Klitschko, i njohur edhe me nofkën Dr. Steelhammer, gjatë karrierës së tij ka fituar 64 beteja, duke përfshirë dy here titullin e kampionit botëror. Karriera e tij profesionale ka filluar pasi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike në vitit 1996 në Atlanta. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shtyhet përsëri gjykimi për tradhti i Yanukovychit Posted: 03 Aug 2017 05:04 AM PDT Gjykata ukrainase e ka hedhur poshtë kërkesën e ish presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, për t'i dhënë edhe një muaj kohë për t'u njohur me rastin. Seanca është shtyer për datën 10 gusht. Gjyqtari, Vladyslav Devyatko, nuk e ka miratur kërkesën e avokatit Vitaliy Meshechek, për ta shtyer seancën edhe për një muaj. Meshechek, është avokat që është përzgjedhur nga shteti, pasi avokatët e mëparshëm të Yanukovychit, janë tërhequr nga rasti, pasi ish presidenti i ka informuar se nuk ka nevojë për shërbimet e tyre. Yanukovych ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e gjykimit, pasi akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht. Gjykata më pas ka vendosur t'i caktojë ish presidentit, një avokat të përcaktuar nga shteti. Yanukovych është larguar nga zyra më 2014 për në Rusi, pas protestavetë cilat e dënonin rregullimin e marrëdhënieve të Ukrainës me Moskën. Prokurorët janë duke kërkuar burgim të përjetshëm për Yanukovychin, i cili është i akuzuar për tradhti, për cenimin e integritetit territorial të Ukrainës dhe nxitjen e agresionit rus. Pasi ai u largua, Rusia e ankesoi Krimenë dhe mbështeti separatistët në lindje të Ukrainës. Nga luftimet mes forave qeveritare dhe separatistëve prorusë në atë rajon, kanë vdekur më shumë se 10,000 persona. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Katër ushtarë amerikanë të lënduar nga sulmi në Afganistan Posted: 03 Aug 2017 04:29 AM PDT Ushtria amerikane në Afganistan ka thënë se katër trupa amerikane janë lënduar gjatë sulmit të djeshëm me makinë bombë në pjesën jugore të vendit, ku kanë vdekur dy shërbyes ushtarakë. Edhe Pentagoni ka konfirmuar të enjten për dy ushtarët e vrarë gjatë sulmit kundër një konvoji të NATO-s, afër qytetit Kandahar. Sipas deklaratave të sotme, të lënduarit nuk kanë lëndime të rënda. Talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin. Në Afganistan janë rreth 13,500 trupa të SHBA-së dhe NATO-s. Administrata amerikane është në proces të vendosjes nëse do të dërgojë trupa shtesë në këtë vend për të luftuar kundër militantëve talibanë dhe militantëve të tjerë islamistë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Sanksionet shuajnë shpresat për marrëdhënie më të mira mes SHBA-së dhe Rusisë Posted: 03 Aug 2017 04:11 AM PDT Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, e ka dënuar ashpër nënshkrimin e legjislacionit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump që e sanksionon Rusinë, duke thënë se me këtë gjest i kanë humbur shpresat për rregullim të marrëdhënieve me këtë vend. "Tashmë nuk ka shpresë se do të rregullohen marrëdhëniet me administratën e SHBA-së", ka thënë Medvedev përmes rrjetit social, Facebook. Ai ka shtuar se Rusia do të përballet me sanksionet rreth supozimeve të ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA dhe për agresionin e saj në Ukrainë dhe Siri, duke u bërë vetëm më e fuqishme si përgjigje ndaj amerikanëve. "Ne do të vazhdojmë të punojmë qetësisht në sferën ekonomike dhe sociale, do të zgjedhim disa detyra të rëndësishme qeveritare, duke u nisur fillimisht nga vetja", shtuar ai. "Ne kemi mësuar se si të veprojmë nga e kaluara", ka thënë tutje Medvedev. Trump e ka kundërshtuar kthimin e sanksioneve kundër Rusisë në ligj, mirëpo ka thënë se e ka nënshkruar legjislacionin pavarësisht "të metave të konsiderueshme", për " hir të unitetit kombëtar". Sipas Medvedev, qëndrimi i Trumpit ka treguar "dobësi". "Kongresi amerikan e ka shënuar një fitore të madhe ndaj Trumpit. Presidenti nuk ishte i kënaqur me sanksionet e reja, mirëpo atij i është dashur ta nënshkruajë legjislacionin", ka deklarauar Medvedev. Sanksionet, të cilat tashmë do të fuqizohen në ligj, sipas Medvedev do të rëndojnë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë për vitet e ardhshme, duke i bërë gati të pamundshme për t'u kthyer mbrapa. "Regjimi i sanksioneve është i kodifikuar dhe do të ruhet për dekada, përveç nëse ndodh ndonjë mrekulli", ka thënë ai. Ministria e Jashtme e Rusisë e ka cilësuar vendimin për sanksione si "shkurtpamës dhe të rrezikshëm". Sipas kësaj ministrie, një vendim i tillë i rezervon të drejtën Rusisë për t'u kundërpërgjigjur me sanksione tjera, përveç zvogëlimit të stafit diplomatik amerikan në Rusi. Mirëpo zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nuk do të këtë masa hakmarrëse për momentin, pasi sipas tij "nuk ndryshohet asgjë". "Nuk ka asgjë të re. Ne i kemi marrë masat hakmarrëse", ka thënë Peskov, sipas agjencive ruse të lajmeve. Për më shumë, Ministria e Jashtme e Rusisë, ka thënë se "mbetet e hapur për bashkëpunim me SHBA-në, në fushat që e sheh të arsyeshme për veten dhe sigurinë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe zgjidhjen e konflikteve rajonale". Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov do të takohet me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Rex Tillerson, i cili ka thënë se është duke kërkuar mënyra për të bashkëpunuar me Rusinë dhe "nuk është i gëzuar" me legjislacionin e sanksioneve, gjatë një samiti në Azi, vikendin e kaluar. Përmes një deklarate që shoqëron nënshkrimin e tij, Trump ka thënë se legjislacioni "ka të meta të konsiderueshme", që do të pengonin aftësitë e administratës së tij për të negociuar me kundërshtarët e huaj. "Administrata ime do ketë konsideratë ndaj preferencave të shprehura nga Kongresi në këto dispozita dhe do t'i zbatojë ato në mënyrë që të përputhen me autoritetin kushtetues të presidentit sa i përket marrëdhënieve të jashtme", ka thënë ai përmes një deklarate të publikuar nga Shtëpia e Bardhë. Ai ka thënë se pret nga Kongresi që me këtë ligj të mos pengojë punën e administratës së tij me aleatët evropianë, për të zgjedhur konfliktin në Ukrainë, apo për çështje të tjera. "Kjo prezanton dëshirën e popullit amerikan për të parë Rusinë drejt marrjes së hapave për të rregulluar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ne shpresojmë qe do të ketë bashkëpunim në mes të dy vendeve në çështje globale, në mënyrë që sanksionet të mos jenë më të nevojshme", ka thënë ai. "Unë e kam ndërtuar një kompani që vlen shumë miliarda dollarë. Kjo është njëra prej arsyeve pse jam zgjedhur. Si president, unë mund të bëjë marrëveshje më të mira me shtetet e jashtme se sa Kongresi", ka thënë Trump. Projektligji i nënshkruar nga presidenti Trump i vazhdon sanksionet ndaj Rusisë, të vëna nga presidenti i mëparshëm Barack Obama, për ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, për aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe mbështetjen e separatistëve kundër qeverisë në lindje të Ukrainës. Përveç tjerash, sanksionet kanë në shënjestër disa kompani ruse të energjisë, për të cilat kanë qenë kundër disa aleatë evropianë të SHBA-së. Shumë kompani gjermane mund të pengohen në punën e tyre gjatë ndërtimit të gazsjellësit në shtratin e Detit Baltik, për të dërguar drejtpërdrejt gazin natyror të Rusisë në Gjermani. Ligjvënësit amerikanë e kanë modifikuar legjislacionin pas ankesave të liderëve evropianë, duke tentuar ta qetësojnë Brukselin. Sidoqoftë, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka paralajmëruar më 2 gusht se "nëse shqetësimet tona nuk merren parasysh mjaftueshëm, ne do të jemi të gatshëm të veprojmë brenda disa ditësh", sapo dispozitat të fuqizohen. Ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian t'i luftojë sanksionet. Në Kiev, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e ka përshëndetur vendimin për sanksione, derisa projektin Rrjedha Veriore 2 e ka cilësuar "të motivuar politikisht". "Sanksionet do të jenë efektive në çlirimin e plotë të tokës ukrainase", ka thënë Poroshenko përmes rrjetit social Facebook. "Ky është një tjetër konfirmimi i drejtimit strategjik në marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara", ka shtuar tutje ai. Ligji i ri, u vë sanksione të reja edhe Iranit, Koresë Veriore për programet e tyre bërthamore. Ligji parasheh sanksione dhe për abuzim me të drejta të njeriut nga Garda Revolucionare islamike e Iranit, një nga organizatat ushtarake më të fuqishme në Iran. Përgatiti: Krenare Cubolli This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusia: Kemi krijuar një zonë të sigurtë në Siri Posted: 03 Aug 2017 03:34 AM PDT Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se është pajtuar me opozitën në Siri për krijimin e zonave të sigurta në veri të qytetit Homs. Zona e ashtuquajtur e sigurt është e popullur me më shumë se 147,000 persona, ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie Igor Konashenkov. Pjesët veriore të provincës Homs janë gjuajtur me predha nga forcat siriane, ndërsa janë goditur edhe me sulme ajrore nga aeroplanë luftarakë nga Siria dhe Rusia. Kjo është vetem një prej katër zonave të sigura që janë inicuar nga Rusia. Sipas Konashenkov, edhe dy zona të tjera në jugperëndim të Sirisë dhe afër Damasakut, " janë duke u diskutuar me sukses". Sipas një plani të Rusisë, Turqisë dhe Iranit, gjatë bisedimeve për paqe në Astana, Kazakistan, zona e katërt e sigurt është planfikuar të jetë në rajonin Idlib. Mirëpo disa mosmarrëveshje nga Turqia janë duke mbajtur peng një marrëveshje të tillë. Rusia ka luftuar në krah të forcave të presidentit sirian, President Bashar al-Assa, nga viti 2015. Iran është duke mbështetur po ashtu Assadin në luftën kundër disa forcave opozitare, shumica e të cilave përkrahen nga Turqia. Ankara ka inistuar që Assad të largohet nga pozita e udhëheqësit të Sirisë. Nga lufta në Siri janë vrarë qindra mijëra persona, që nga fillimi i konfliktit më 2011. Miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rohani rizgjedhet president i Iranit Posted: 03 Aug 2017 02:08 AM PDT Hassan Rohani është rizgjedhur president i Iranit. "Unë e konfirmoj votën dhe të emëroj si president të republikës", ka thënë lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në një ceremoni në Teheran, ku ishin pjesëmarrës zyrtarë iranianë dhe personalitete të vendet e jashtme. Rohani, 68 vjeçar, e ka fituar mandatin e dytë gjatë muajit maj. Ai pritet të kryejë betimin në parlamentin iranian më 5 gusht. Gjatë komenteve të tij Rohani ka bërë thirrje për unitet. "Ua zgjas dorën të gjithë atyre që kërkojnë më të mirën për vendin", ka thënë ai, duke premtuar se do të vazhdojë përpjekjet e tij për të rregulluar marrëdhëniet me botën. "Nuk do ta pranojmë kurrë izolimin", ka thënë Rohani. "Marrëveshja bërthamore është shenjë e vullnetit të mirë të Iranit në skenën ndërkombëtare" , ka thënë ai duke i'u referuar marrëveshjes me fuqitë botërore, përmes së cilës, Iranit i duhet të zvogëlojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Abkazi: Shpërthim në depo të municionit, dhjetëra të lënduar Posted: 03 Aug 2017 12:29 AM PDT Dhjetëra njerëz janë lënduar nga një shpërthim që ka depërtuar në një depo të municionit në Abkazi, provincë e shkëputur nga Gjeorgjia, kanë raportuar zyrtarë rusë dhe agjenci të lajmeve. Ambasada ruse në Abkazi ka thënë se shpërthimi ka tronditur arsenalin ushtrarak në fshatin Primorskoye, afër Detit të Zi. Rreth 50 persona janë lënduar, prej tyre 27 janë duke u trajtuar në spital. Ambasada ka thënë se 19 turistë kanë qenë në mesin e të lënduarve. Abkazia është shkëputur nga Gjergjia në fillim të viteve 1990. Moska ka fituar kontroll në këtë këtë provincë, si dhe në rajonin e dytë të shkëputur nga Gjeorgjia, Osetinë Jugore, pas një lufte të shkurtër me Gjeorgjinë më 2008. Rusia i ka njohur të dyja rajonet si të pavaruara dhe ka mijëra trupa ushtarakë në këto pjesë. Nënpresidenti amerikan, Mike Pence e ka dënuar, atë që e ka quajtur "okupim" të Rusisë në rajon, gjatë një vizite në Tbilisi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Sot rifillon gjykimi për tradhti i Yanukovychit Posted: 02 Aug 2017 11:49 PM PDT Sot pritet të rinis gjykimi për tradhti, për ish presidentin ukrainas, Viktor Yanukovych, në mungesë të tij. Në seancën e fundit të mbajtur më 12 korrik, një gjykatë në Kiev e ka shtyer datën e gjykimit, pasi avokati i ri i Yanukovychit, Vitaliy Meshechek, ka kërkur më shumë kohë për përgaditje. Avokatët e mëparshëm të ish presidentit janë tërhequr nga rasti, pasi Yanukovych i ka infomuar se nuk u duhet më tutje shërbimi i tyre. Yanukovych ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e gjykimit, pasi akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht. Gjykata më pas ka vendosur t'i caktojë ish presidentit, një avokat të përcaktuar nga shteti. Yanukovych është larguar nga zyra më 2014 për në Rusi, pas protestavetë cilat e dënonin rregullimin e marrëdhënieve të Ukrainës me Moskën. Prokurorët janë duke kërkuar burgim të përjetshëm për Yanukovychin, i cili është i akuzuar për tradhti, për cenimin e integritetit territorial të Ukrainës dhe nxitjen e agresionit rus. Pasi ai u largua, Rusia e ankesoi Krimenë dhe mbështeti separatistët në lindje të Ukrainës. Nga luftimet mes forave qeveritare dhe separatistëve prorusë në atë rajon, kanë vdekur më shumë se 10,000 persona. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump ka diskutuar për komandatin e ushtrisë së SHBA-së në Afganistan Posted: 02 Aug 2017 11:12 PM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar largimin nga pozita e komandatit të ushtrisë së SHBA-së në Afganistan, John Nicholson, pas frustrimit se lufta kundër talibanëve është bllokur, kanë raportuar mediat. Trump ka qenë tejet nervoz për mungesën e zhvillimeve në këtë çështje, gjatë një takimi në muajin e kaluar me këshilltarët e tij dhe ka kërkuar të informohet se cili do të jetë fundi i një lufte që ka zgjatur për 16 vjet, kanë raportuar AP, Reuters dhe media të tjera, duke cituar zyrtarë amerikanë anonimë. Sipas tyre Trump ka thënë se Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, dhe stafi i tij duhet të konsiderojnë largimin e gjeneralit, Jon Nicholson nga pozita e komandatit të forcave amerikane në Afganistan, pasi nuk është duke e fituar luftën. Agjencia e lajmeve Reters, ka raportuar se, Trump, ka thënë që SHBA-ja duhet të kërkojë nga Afganistani, një pjesë të fitimeve që ka ky vend nga pasuria minerale, e cila llogaritet të jetë në vlerë të 1 trilion dollarëve, në këmbim të ndihmës amerikane në qeverinë afgane. Trump po ashtu është ankuar për fitimet e Kinës në minierat e Afganistanit, derisa SHBA-ja është duke shpenzuar për luftë. Ky takim është mbajtur disa ditë pasi presidenti Trump i pati ftuar një grup të veteranëve afganë në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar ide të ndryshme se si duhet fituar luftën. Pentagoni është duke përgaditur një strategji të re në Afganistan, dhe është thënë se Mattis, ka rekomanduar rritjen e numrit të trupave amerikanë në Afganistan edhe për 4000, nga 8,400 sa i ka tani. Asgjë nuk është miratuar deri më tash nga presidenti Trump. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| OKB-së i bëhet thirrje për reagim kundër Iranit, pas lansimit të raketës Posted: 02 Aug 2017 10:33 PM PDT Shtetet e Bashkuara dhe tre nga aleatët e saj, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, i kanë bërë thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara t'i dërgojnë "mesazh të qartë Iranit", në përgjigje të lansimit të fundit të raketës me kapacitet për të bartur satelitë. Fuqitë evropiane e kanë cilësuar një hap të tillë si "efekt destabilizues në rajon". Ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley, në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë se lansimi " prezanton një këcënim dhe hap provokativ të Iranit". Në letrën e saj të shkruar në emër të SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe i bëhet thirrje Këshillit të Sigurimit " të diskutojë përgjigje të përshtatshme" kundër " aksioneve provokative" të Teheranit. Në letër thuhet se lansimi nuk ka qenë në përputhje me rezolutën e OKB-së, e cila ka për bazë marrëveshjen e nënshkuar të vitit 2015 me gjashtë fuqi botërore, duke përshirë edhe SHBA-në, sipas së cilës palët u pajtuan për limitimin e programeve bërthamore dhe atyre të raketave balistike, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Mirëpo ambasadori i ri rus në OKB, Vasily Nebenzya nuk është pajtuar me këto deklarata. Ai u ka thënë gazetarëve më 2 gusht, se Rusia nuk e konsideron lansimin e fundit të raketës nga Irani si shkelje të marrëveshjes bërthamore, ka raportuar TASS. Më 27 korrik, Irani e ka lansuar raketën më të avancuar të tij, "Simorgh", me kapacitet të bartjes së satelitëve. Letra nga Haley është nisur në po të njëjtën ditë kur presidenti, Donald Trump, e ka nënshkruar legjislacionin për sanksione kundër Iranit, Rusisë dhe Koresë Veriore. Zëvendësministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i ka cilësuar sanksionet si përpjekje të SHBA-së për të sabotuar marrëveshjen bërthamore. "Nuk do të kundërpërgjigjemi, mirëpo do të refuzojmë të bëhemi pjesë e kësaj loje", ka thënë Araqchi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Medvedev dënon ashpër legjislacionin amerikan për sanksionimin e Rusisë Posted: 02 Aug 2017 09:59 PM PDT Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, e ka dënuar ashpër nënshkrimin e legjislacionit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump që e sanksionon Rusinë, duke thënë se me këtë gjest i kanë humbur shpresat për rregullim të marrëdhënieve me këtë vend. "Tashmë nuk ka shpresë se do të rregullohen marrëdhëniet me adiministratën e SHBA-së", ka thënë Medvedev përmes rrjetit social, Facebook. Ai ka shtuar se Rusia do të përballet me sanksionet rreth supozimeve të ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA dhe për agresionin e saj në Ukrainë dhe Siri, duke u bërë vetëm më e fuqishme si përgjigje ndaj amerikanëve. "Ne do të vazhdojmë të punojmë qetësisht në sferën ekonomike dhe sociale, do të zgjedhim disa detyra të rëndësishme qeveriare duke u nisur fillimisht nga vetja", shtuar ai. "Ne kemi mësuar se si të veprojmë nga e kaluara", ka thënë tutje Medvedev. Trump e ka kundërshtuar kthimin e sanksioneve kundër Rusisë në ligj, mirëpo ka thënë se e ka nënshkruar legjislacionin pavarësisht " të metave të konsiderueshme", për " hir të unitetit kombëtar". Sipas Medvedev, qëndrimi i Trumpit ka treguar "dobësi". "Kongresi amerikan e ka shënuar një fitore të madhe ndaj Trumpit. Presidenti nuk ishte i kënaqur me sanksionet e reja, mirëpo atij i është dashur ta nënshkruajë legjislacionin", ka deklarauar Medvedev. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pentagoni: Dy ushtarë janë vrarë nga sulmi në Afganistan Posted: 02 Aug 2017 11:02 AM PDT Pentagoni ka konfirmuar se dy ushtarë amerikanë janë vrarë nga një sulm me makinë bombë kundër një konvoji afër trupave të NATO-s në qytetin Kandahar të Afganistanit. Zëdhënësi i ushtrisë amerikane, kapiteni, Jeff David, ka konfirmuar për dy vdekjet mirëpo nuk ka dhënë detaje se sa ushtarë të tjerë janë lënduar apo rreth kombësive të tyre. Talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se kanë vrarë 15 ushtarë të NATO-s. Zyrtarët afganë kanë thënë se makina bombë ka shpërthyer në zonën Daman të Kandaharit. Në Afganistan aktualisht ndodhen afrër 13,500 ushtarë të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s. Administrata amerikane është në proces të vendosjes nëse do të dërgojë trupa shtesë në këtë vend për të luftuar kundër militantëve talibanë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





