“Rusi: Aktivisti opozitar Udaltsov u lirua nga burgu” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Rusi: Aktivisti opozitar Udaltsov u lirua nga burgu
- KE: Për vezët e helmuara Belgjika informoi pas një muaji
- Tërmet afër pushimores turistike turke
- Indi: Pesë militantë janë vrarë në Kashmir
- Rusi: Refuzohet ekstradimi i një gazetari në Uzbekistan
- Monedha e (pa)rrezikshme virtuale qarkullon në Kosovë
- Policia pakistaneze vret katër talibanë, pas sulmit me kamion bombë
- Institucionet, peng i interesave të ngushta partiake?
- Turqia lejon ligjvënësit gjermanë t'i vizitojnë trupat e tyre
- Strategjia për integrimin e migrantëve nxit reagime në zonat kufitare
- Selfie e keqe: Ligjvënësit iranianë kritikohen për fotot me Mogherinin
- Nju Jork: Identifikohet një viktimë e sulmeve të 11 shtatorit
- Në SHBA po vërehen ndryshimet klimatike
- Pakistan: Organizata e dyshimtë e bamirësisë, formon parti politike
- "Luciferi" mbërthen Kosovën
- Shkup: Pjesë e stërvitjes së Real Madrid dhe Manchester United
- Shkup: Sonte zhvillohet ndeshja Real Madrid - Manchester United
- SHBA planifikon sanksione të reja kundër zyrtarëve të Venezuelës
- Kina do ta paguajë çmimin e sanksioneve të reja kundër Koresë V.
- Rusia synon uljen e varësisë ndaj dollarit amerikan
| Rusi: Aktivisti opozitar Udaltsov u lirua nga burgu Posted: 08 Aug 2017 10:06 AM PDT Sergei Udaltsov, aktivist i njohur opozitar rus, i burgosur në maj të vitit 2012, për shkak të protestës kundër presidentit, Vladimir Putin, është liruar nga burgu, pasi i ka vuajtur 4 vjet e gjysmë. Udaltsov është liruar sot nga burgu në rajonin Tambov, në juglindje të Moskës, ka shkruar në rrjetin Facebook bashkëshortja e tij, Anastasia Udalstsova. Udaltsov, lider i grupit opozitar, Levy Front (Fronti i Majtë) ishte vënë nën arrest shtëpiak disa muaj pas protestës në Sheshin Bolotnaja në Moskë, më 6 maj të vitit 2012, një ditë para se Putini të inaugurohej për mandatin e tretë presidencial. Në korrik të vitit 2014, Udaltsov ishte dënuar për organzim të siç thuhej "çrregullimit masiv" lidhur me protestën, që kulmoi me dhunë, për të cilën demonstruesit dhe policia ishin fajësuar në mënyrë reciproke. Më se 400 vetë ishin arrestuar lidhur me këtë protestë, që ishte pjesë e demonstratave për shkak të zemërimit të rusëve lidhur me dëshmitë për vjedhje të gjëra në zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2011 dhe të frikësuar nga kthimi i Putinit në presidencë, pasi i kishte kaluar katër vjet në postin e kryeministrit. Më se 30 vetë ishin akuzuar, në atë që njihet si Rasti Bolotnaja, ndërsa më tepër se 20 vetë ishin dënuar me burg ose kishin qëndruar në paraburgim. Kundërshtarët e Kremlinit dhe aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se këto dënime ishin pjesë e fushatës së Kremlinit për t'i heshtur ata që mendojnë ndryshe dhe për t'i shtypur protesuesit gjatë mandatit aktual të presidentit Putin. Këta kundërshtarë vlerësojnë se protestuesit ishin provokuar dhe se pretendimet e shtetit për dhunë ishin tejet të zmadhuara. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| KE: Për vezët e helmuara Belgjika informoi pas një muaji Posted: 08 Aug 2017 09:15 AM PDT Komisioni Evropian (KE) tha sot se autoriteteve të Belgjikës u është dashur afro një muaj për të informuar për zbulimin e vezëve të helmuara me nivel të ulët të një insekticidi, megjithqë shtetet anëtare për gjëra të tilla duhet të raportojnë "menjëherë". Miliona vezë janë tërhequr nga shitoret në Belgjikë, Holandë, dhe Gjermani. Britanisë, Francës, Suedisë dhe Zvicrës, u është tërhequr vërejtja se vezët e helmuara mund të gjenden edhe në territoret e tyre, raporton agjencia AP nga Brukseli. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva, tha se "nuk është dhënë informacion për këtë incident me helmim" deri më 20 korrik. Vezët e helmuara në Belgjikë janë gjetur më 20 qershor. Ajo tha se shtetet e BE-së "kanë obigim ligjor" për ta informuar KE-në menjëherë, nëse ato kanë njoftime për kërcënim të shëndetit të njerëzve. Por, ajo ka refuzuar të thotë diçka më tepër, duke pasur parasysh se po zhvillohet një hetim juridik në Belgjikë dhe Holandë, për të zbuluar se kush çka ka ditur dhe kur. Autoritetet e sigurisë së ushqimit thonë se janë kontrolluar 86 ferma, ndërsa në 21 prej tyre janë gjetur gjurmë të elementit Fipronil, që nuk lejohet në prodhimet për shtazë, siç janë pulat, që janë pjesë e ushqimeve njerëzore. Ministri i agrikulturës i Belgjikës, Denis Ducarme, ka shprehur përkushtim për ta ngriçuar këtë rast të helmimit, por tha se konsumatorët nuk janë të rrezikuar. "Sot nuk ekziston rrezik për shëndetin publik", tha Ducarme gjatë intervistës në transmetuesin shtetëror, RTBF. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Tërmet afër pushimores turistike turke Posted: 08 Aug 2017 08:41 AM PDT Një tërmet me intensitet 5.3 shkallë e ka goditur rajonin e qytetit turisitik të Turqisë, Bodrum, në bregdetin e Mesdheut, ka njoftuar Vëzhgimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara. Nuk ka pasur raporte të menjëhershme për lëndime të njerëzve. Agjencia e Turqisë për emergjenca dhe shkatërrime tha se tërmeti ka ndodhur sot në orën 11 sipas kohës së Evropës së Mesme. Bodrumi është destinacion i popullarizuar për pushim për turqit dhe turistët e jashtëm. Ky është tërmeti i fundit që e ka goditur rajonin e Detit Egje këtë verë. Muajin e kaluaar, nga një tërmet i fuqishëm në ishullin Kos të Greqisë, janë vrarë dy vetë, me ç'rast turistët ishin larguar nëpër rrugë, ndërsa shkatërrime ishin shkaktuar edhe në Bodrum të Turqisë. Në qershor, një tërmet i fuqishëm me intensitet 6.3 shkallë e ka goditur bregdetin perëndimor të Turqisë dhe ishullin Lesbos në Greqi, me ç'rast u vra një person dhe u dridhën ndërtesat prej Izmirit të Turqisë e deri në Athinë të Greqisë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Indi: Pesë militantë janë vrarë në Kashmir Posted: 08 Aug 2017 08:29 AM PDT Zyrtarët e Indisë thonë se së paku pesë militantë të dyshuar janë vrarë nga forcat e sigurisë derisa përpiqeshin ta kalonin kufirin, për të hyrë në Kashmirin e administruar nga India. Autoritetet thanë se ushtarët e Indisë dje i vërejtën militantët e dyshuar afër linjës së kontrollit, që e ndanë rajonin e kontestuar të Kashmirit në dy pjesë, njëra që administrohet nga Pakistani, e tjetra nga India. India e akuzon Pakistanin se i strehon militantët, duke i ndihmuar ata për të kaluar matanë kufirit dhe për të kryer sulme në Kashmirin e administruar nga India. Pakstani i ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa militantët i përshkruan si luftëtarë për liri. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusi: Refuzohet ekstradimi i një gazetari në Uzbekistan Posted: 08 Aug 2017 07:57 AM PDT Një gjykatë e apelit në Rusi e ka ndalur ekstradimin e gazetarit, Ali Feruz, në Uzbekistan, ku grupet për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim se ai do të mund të ballafaqohej me torturë, burgosje, ose vrasje në duart e autoriteteve. Gjykata e Qytetit të Moskës sot vendosi se reporteri i gazetës së pavarur, Novaya Gazeta, Ali Feruz, nuk do të ekstradohet, derisa Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut ta shqyrtoj rastin e tij. Gazetari Feruz thotë se ka të drejtë të qëndroj në Rusi, në pritje të vendimit për kërkesën e tij për azil. Ali Feruz është i lindur në Rusi, por në moshën 17 vjeçare ishte larguar nga Rusia dhe kishte marrë shtetësi të Uzbekistanit. Ai u largua nga Uzbekistani në vitin 2008, për shkak të dyshimeve se ishte torturuar për dy ditë nga forcat e sigurisë uzbeke. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Monedha e (pa)rrezikshme virtuale qarkullon në Kosovë Posted: 08 Aug 2017 07:03 AM PDT Edhe në Kosovë ka filluar të përdoret monedha virtuale. Dhe ndonëse për të siguria nuk garantohet nga asnjë institucion, është instaluar edhe një aparat për blerjen e saj. Monedha virtuale, e quajtur ndryshe "Bitcoin", ekziston vetëm në rrjetet informatike, por me anë të së cilës mund të kryhen transaksione, sikurse me paranë e vërtetë. Monedhat virtuale, paraqiten në shumë forma, në fillim si monedha brenda lokaleve të lojërave kompjuterike online, media sociale, dhe më vonë janë zhvilluar si mjete pagese që pranohen në jetën reale. Disa qytetarë që kanë investuar në monedhat virtuale thonë se instalimi i këtyre aparateve është i nevojshëm. Florent Ibrahimi, është student i nivelit master në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, i cili tashmë ka investuar në monedhat elektronike, pasi shpreson se do të fitojë . Florenti pretendon se në të ardhmen, paraja letër nuk do të ekzistojë, por vetëm monedha virtuale. "Arsyeja pse kam investuar është shpresa për fitim. Pretendohet që në të ardhmen të ketë rritje ekstreme dhe përdorimi i valutave elektronike është i garantuar në të ardhmen". "Unë nga ky investim, besoj që kam fituar, nga prodhimet që kam bërë dhe nga makinat që i posedoj. Unë kam arritur t'i shndërroj në valutën euro dhe ky është një fitim", thotë Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë . Në anën tjetër kompania "Albvision" ka instaluar një aparat për blerje të monedhës virtuale në kryeqytet, kurse shumë shpejtë pritet të instalohen edhe gjashtë të tjera, në qytetet tjera të Kosovës. Ardian Alaj, nga kjo kompani thotë për Radion Evropa e Lirë, se interesimi i qytetarëve për këtë shërbim është rritur. "Interesimi që nga fillimi ka qenë shumë i madh dhe çdo ditë ka qytetarë që i afrohen ATM 'Bitcoin' për shfrytëzim", thotë Alaj. Edhe ekspertë për çështje financiare, thonë se në Kosovë është rritur përdorimi i kësaj monedhe, por që rreziku i humbjes së mjeteve financiareështë evidente. Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se qytetarët e Kosovës nuk kanë shumë informacione për rrezikun nga përdorimi i monedhave virtuale. "Momentalisht Bitcoin ka kaluar pragun psikologjik, 3000 dollarë për një Bitcoin, por në të ardhmen për shkak të qarkullimit të ofertës dhe kërkesës për këtë monedhë virtuale, vlera e saj mund të ulet dhe qytetarët mund të pësojnë dëme të caktuara, për të cilat shteti nuk garanton mbulimin e tyre", thotë Bektashi. Banka Qendrore e Kosovës, i ka paralajmëruar qytetarët lidhur me rrezikun e mundshëm që mund të rezultojë në humbje financiare nga përdorimi i këtij aparati. Zyrtarë të Bankës Qendrore, patën thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë nuk ka instrument ligjor që rregullon përdorimin e parave virtuale. Edhe kompania "Albvision", thotë Alaj, bënë thirrje te qytetarët që të kenë kujdes, pasi siç thotë ai, kjo nuk është industri e parajsës -- përveç përparësive, ka edhe rreziqet e veta. Për këtë thotë ai, kompania është duke lobuar tek autoritetet kompetente që kjo çështje të rregullohet në bazë ligjore. "Jemi duke lobuar tek institucionet kompetente, siç është Banka Qendrore, Administrata Tatimore dhe ministritë e caktuara, që kjo çështje të rregullohet sa më parë me ligj, sepse jemi të bindur se është më mirë të jetë e rregulluar dhe kontrolluar [me ligj], se sa të funksionojë e parregulluar, apo pa ndonjë ligj apo rregullore të caktuar", thotë Alaj. Ndryshe, Banka Qendrore e Republikës se Kosovës ka njoftuar të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale, se nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Policia pakistaneze vret katër talibanë, pas sulmit me kamion bombë Posted: 08 Aug 2017 06:43 AM PDT Forcat e sigurisë së Pakistanit kanë vrarë katër militantë talibanë në lindje të qytetit Lahore, disa orë pasi një sulmi me kamionë bombë, nga i cili ka vdekur një person dhe janë lënduar 22 të tjerë, kanë thënë autoritetet. Sulmet në qytetin e dytë me të madh në Pakistan janë ulur gjatë viteve të fundit, mirëpo grupet islamiste janë ende aktive në këtë zonë, duke përfshirë një sulm vetëvrasës të muajit të kaluar, nga i cili kanë vdekur 25 persona. Zëdhënësi i departamentit anti terrorizën në Punjab, ka thënë se departamenti ka qenë duke mbledhur informacione se talibanët, ishin duke planifikuar sulm kundër policisë në Lahore. Ende nuk është bërë e qartë nëse militantët e vrarë kanë qenë përgjegjës për sulmin e së hënës me kamionë bombë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Institucionet, peng i interesave të ngushta partiake? Posted: 08 Aug 2017 06:25 AM PDT Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se pret nga përfaqësuesit e partive politike të japin propozime për ta zgjidhur çështjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Mikullovci ka caktuar një takim konsultativ midis partive politike për të mërkurën. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është një hap drejt zhbllokimit të situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, gjatë një seance kaotike të mbajtur më 3 gusht. "[Koalicioni ] PAN dhe përfaqësuesi i tyre Enver Hoxhaj kanë kërkuar këtë takim dhe ne do të shohim se pse është kërkuar ky takim. Janë kërkuar 6 ditë për konsultime dhe nesër [të mërkurën] unë pres të me tregojnë se pse i kanë kërkuar këto ditë, kurse të enjten është vazhdimi i mbledhjes", tha Mikullovci. Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se takimi i së mërkurës është i parëndësishëm dhe nga ai nuk mund të ketë asgjë konkrete, veç deklaratave të zakonshme politike. "Është një takim formal, prej të cilit nuk mund të shpresojmë se mund të dalë një zgjidhje. Edhe nga e kaluara e dimë se kur partitë politike kanë stagnuar në këso procese, është dashur ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar". "Edhe tani po duket se pa një ndërhyrje të tillë, ne nuk do të mund të arrijmë t'i tejkalojmë inatet personale. Pra, kemi të bëjmë më një klasë politike, e cila është mjaft primitive në mënyrën se si e sheh dhe e bën politikën; interesat personale po mbizotërojnë ndaj atyre shtetërore", tha Krasniqi. Mirëpo, Mikullovci nuk pajtohet me mendimin se takimi i se mërkurës është formal apo sipërfaqësor. "Në asnjë mënyre nuk është sipërfaqësor, në asnjë mënyrë. Pra, është i rëndësishëm dhe mund të ketë situata e propozime të reja dhe unë të nesërmen e qes në Kuvend në rast se ka propozim", tha Mikullovci, duke shtuar se seanca e së enjtes mund të ndodh që të shtyhet, nëse PAN nuk është në seancë. Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovë, i njohur si koalicioni PAN, vendimin e kryesuesit për thirrje të seancës për 10 gusht e ka quajtur arbitrar. Përfaqësues të PAN-it kanë thënë se qëndrimin e tyre mbi seancën konstituive do ta japin pasi ta kenë mbajtur takimin konsultativ të së mërkurës. Analisti Krasniqi, thotë se partitë politike rregulloren e Kuvendit të Kosovës janë duke e interpretuar në varësi të pozicionit në të cilin gjenden. "Partitë politike duhet të mësohen t'i respektojnë rregullat që është parimi bazë i demokracisë", tha Krasniqi. Kryetari i deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohet i papranueshëm që të zgjidhet sërish kryetar i Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e domosdoshme për vazhdimin e procedurave tjera të konstituimit të Kuvendit dhe për fillimin e fazës për formimin e Qeverisë së re. Analistët tërheqin vërejtjen se Kosova tashmë është në prag të një krize të re politike, meqë rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit nuk i ka mundësuar asnjërit subjekt politik numër të mjaftueshëm të votave për formimin e institucioneve të reja. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Turqia lejon ligjvënësit gjermanë t'i vizitojnë trupat e tyre Posted: 08 Aug 2017 05:34 AM PDT Turqia është pajtuar t'i lejojë ligjvënësit gjermanë të vizitojnë gjatë muajit të ardhshëm, ushtarët e një bazë ajrore në Turqi, në kuadër të një turneu të NATO-s, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel. Qasja e vështirë e autoriteteve tek ushtarët gjermanë në baza turke ka rritur tensionet në mes të NATO-s dhe Ankarasë. Gjatë arrestimeve të muajit të kaluar, Turqia ka arrestuar 10 aktivistë për të drejtat e njeriut, njëri prej tyre gjerman. Me anë të një letre, ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, drejtuar Komitetit të Mbrojtjes në parlament, ka thënë se Turqia ka pranuar propozimin e NATO-s për një vizitë në bazën ajrore në Konja më 8 shtator. "Ministri i Jashtëm turk është pajtuar me propozimin", ka shtuar tutje Gabriel. Refuzimet e përsëritura të Ankarasë ndaj kërkesave të ligjvënësve gjermanë për të vizituar ushtarët e tyre në bazën ajrore në Incirlik në Turqi, e ka detyruar Berlinin të zhvendosë trupat në Jordani. Më parë Turqia pati refuzuar edhe vizitën e planifikuar për në Konja. Forcat e armatosura gjermane janë nën kontrollin parlamentar, andaj Berlini insiston që ligjvënësit të kenë të drejtë të kenë takime me ta. Gjatë ditës së hënë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka akuzuar Gjermaninë se po ndihmon terroristët, duke i mbajtur të dyshuarit në territorin e saj derisa të njëjëtit po kërkohen nga autoritetet turke. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Strategjia për integrimin e migrantëve nxit reagime në zonat kufitare Posted: 08 Aug 2017 04:57 AM PDT Strategjia e Qeverisë së Maqedonisë për integrimin e migrantëve dhe të huajve për periudhën 2017-2027, ka nxitur reagime të shumta, para se gjithash në rajonet kufitare me Greqinë, prej nga edhe ishte regjistruar dyndja më e madhe e migrantëve në tri vitet e fundit. Drejtuesit e dy komunave të Dojranit dhe Negotinës, në pjesën jugore të vendit pretendojnë se strategjia e Qeverisë parashikon ndërtimeve e objekteve të banimit për migrantët në rast se mbeten në territoret e komunave të tyre, si dhe atyre tu sigurohen kushte të njëjta me banorët lokalë. Ata madje pretendojnë se strategjia parasheh dhe edhe pajisjen e tyre me dokumente personale, e deri me dokumentin e shtetësisë, nëse në një periudhë më të gjatë kohore mbeten në territorin e Maqedonisë. "Një numër i vogël prej 500 migrantëve, nëse do të vendoseshin në Komunën tonë, Dojran kjo do të thotë ndryshimin e strukturës demografike, madje prej 20 për qind. Nëse atyre detyrohemi t'i japim edhe shtetësi, kjo do të ishte problem edhe më i madh në funksionimin e pushtetit lokal", thotë kryetari i Komunës së Dojranit, Borçe Stamov. Vërejtjet ai i ka prezantuar në punimet e një komisioni parlamentar të iniciuar nga VMRO-ja opozitare që ka hapur çështjen e strategjisë, e në të cilën nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Qeverisë. Kryetari i Komunës së Negotinës, Vanço Apostolov, i cili ishte i pranishëm në këtë seancë, i ka bërë thirrje Qeverisë që të heqë dorë nga strategjia, në të kundërtën ka paralajmëruar organizimin e një referendumi për kundërshtimin e strategjisë. "Ne si Maqedoni, si shtet në zhvillim e sipër nuk duhet të lejojmë një gjë të tillë. I bëjmë thirrje deputetëve, Qeverisë dhe të gjitha institucioneve tjera që edhe njëherë ta shqyrtojnë këtë vendim, apo t'i pyes qytetarët se çfarë mendojnë për këtë problem të ndjeshëm. Nëse nuk merren parasysh vërejtjet tonë, unë mendoj seriozisht që të organizoj edhe referendum, në të cilin qytetarët do të deklaroheshin se a pranojnë apo jo një strategji të tillë", thotë kryetari i Komunës së Negotinës, Vanço Apostolov. Por, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale përmes një komunikate me shkrim kanë hedhur poshtë pretendimet e kryetarëve të komunave, por edhe të opozitës në përgjithësi, duke njoftuar se "në Maqedoni nuk do të ndërtohet banesa dhe kampe për migrantët si dhe nuk do të jepen shtetësi për ta, e as masa tjera në drejtim të akomodimit të tyre të përhershëm në vend". Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se Maqedonia është vetëm se shtet transit për të huajt dhe migrantët, si në të kaluarën, por edhe në krizën e migrantëve në vitet 2015-2016. "Si shtet anëtar i OKB-së, Maqedonia do t'i ndihmojë migrantët në rrugën e tyre drejt destinacionit final, në përputhje me standardet e ratifikuara ndërkombëtare për të drejtat e migrantëve. Strategjia e tanishme nuk është asgjë tjetër pos vazhdim i strategjisë për periudhën e viteve 2009-2015", thuhet në reagim. Organet e sigurisë thonë se strategjitë janë të obligueshme për shtetet e prekura nga vala e migrantëve apo probleme tjera. "Dallimet e mëdha kulturore paraqesin sfida të mëdha për shtetet të cilat po tentojnë t'i integrojnë migrantët. Kjo është njëra çështje, ndërsa tjetra ka të bëjë me rezistencën e vet migrantëve për integrimin e tyre në shtet. Kemi informacione të verifikuara se një përqindje e madhe e migrantëve janë orientuar nga krimi i organizuar dhe me lidhjet e tyre me rrjete tjera kriminale", thotë Zoran Ivanov, drejtor i Agjencisë së Zbulimit. Në Maqedoni aktualisht ka një dy pika për pranimin e refugjatëve por numri e personave në to është simbolik. Valën më të madhe të migrantëve, Maqedonia e përjetoi para dy vjetësh, kur dhjetëra mijëra migrantë nga Siria, Afganistani, Irani dhe vende tjera aziatike hynë në Maqedoni. Në disa raste, pati edhe incidente për shkak të mbylljes së kufijve, ndërsa janë regjistruar edhe vdekje të migrantëve në aksidente të ndryshme gjatë rrugëtimit të tyre drejt Serbisë, shtetit të radhës drejt destinacionit final, shtetet e Bashkimit Evropian. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Selfie e keqe: Ligjvënësit iranianë kritikohen për fotot me Mogherinin Posted: 08 Aug 2017 04:53 AM PDT Një grup i ligjvënësve iranianë u janë nënshtruar kritikave të ashpra, për atë që duket se ishte dëshirë e madhe e tyre për të bërë fotografi selfie me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, e cila ishte për një vizitë të nivelit të lartë në Teheran. Mogherini ishte në mesin e dhjetëra zyrtarëve të jashtëm të pranishëm në inaugurimin e presidentit të Iranit, Hassan Rohani, në mandatin e tij të dytë presidencial, më 5 gusht. Rrjedhimisht, prania e kësaj politikaneje italiane nuk kaloi pa u shënuar. Në fotografi është parë zonja Mogherini e rrethuar nga ligjvënësit me telefona mobilë, të tubuar aty për të bërë selfie me të, me ç'rast disa shihen duke lëvizur për të hyrë në kuadër, ndërsa të tjerët duke ia bërë me dorë zonjës Mogherini. Por, këto fotografi janë kritikuar në shtypin e Iranit dhe në mediat sociale. Disa kanë sugjeruar se me këtë sjellje ligjvënësit e kanë turpëruar dhe poshtëruar vetveten. Hesamodin Ashna, këshilltar për kulturë i presidentit relativisht të moderuar, Hassan Rohani, ka shkruar në rrjetin Twitter se "ky nuk është problem politik, por është më tepër kulturor" dhe ka shtuar se "secili prej këtyre ligjvënësve të nderuar në atë selfie do të duhej të intervistohej seriozisht". Sadeq Kharazzi, ish-diplomat iranian dhe këshilltar i presidentit të dikurshëm reformist, Mohammad Khatami, ka shkruar në rrjetin Instagram se Parlamenti duhet të mbajë "kurse trajnimi për kodin e sjelljes dhe për vlerat morale universale" për ligjvënësit. Të tjerët kanë thënë se ligjvënësit, që në përgjithësi nuk janë të njohur për favorizimin e të drejtave të femrave, ishin tejmase të entuziazmuar për tu fotografuar me një femër me post të lartë politik. E përditshmja e moderuar, Ghanon, e ka bërë një krahasim me pikturën e njohur, The Scream (Klithja), të autorit, Edvard Munch. Kjo gazetë në faqen e parë e ka botuar një karikaturë të titulluar, The Selfie of Scream (Selfie e Klithjes), ku shihen Mogherini dhe ligjvënësit me telefonat e tyre. E përditshmja e linjës së fortë, Kayhan, e ka bërë një lidhshmëri të paqartë me kundërthënien për marrëveshjen atomike të Iranit me gjashtë fuqitë botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe tri vende anëtare të Bashkimit Evropian, por jo me Italinë ose me vetë BE-në. Shtetet e Bashkuara dhe tri vendet e BE-së të involvuara në marrëveshjen e vitit 2015, Britania, Franca dhe Gjermania, i kanë dënuar testet aktuale raketore të kryera nga Irani, duke thënë se ato nuk ishin "në harmoni" me rezolutën e Këshilit të Sigurimit të OKB-së, me të cilën është mbështetur marrëveshja atomike. "Ata që supozohet se duhet t'i mbrojnë të drejtat e vendit kundër armikut, janë rreshtuar për të bërë fotografi në mënyrë poshtëruese me shkelësit e marrëveshjes atomike", ka shkruar gazeta Kayhan. Kjo gazetë, po ashtu, ka pretenduar se qëndrimet e disa zyrtarëve të BE-së, duke mos i specifikuar këta individë, sugjerojnë se BE-ja kishte marrëveshje me Shtetet e Bashkuara në "armiqësinë" ndaj Iranit. Adminsitrata e presidentit, Donald Trump, ishte jashtëzakonsiht kritike për marrëveshjen atomike, megjithqë dy herë e ka certifikuar bashkëpunimin e Iranit me dispozitat e marrëveshjes. Së paku, njëri prej ligjvënësve iranianë, që është përfshirë në skandalin me selfie, deputeti i reformuar nga rajoni Shiraz, Farajollah Rajabi, ka kërkuar falje për sjelljen e tij. Por, të tjerët janë përpjekur ta kundërshtojnë kritikën. Ligjvënësi, Hamayoun Yusefi, i tha agjencisë së lajmeve të linjës së fortë, Tasnim, se selfie ishte diçka "totalisht normale" dhe se kjo çështje nuk duhet "të zmadhohet shumë". "Në ceremonitë e inaugurimit, qindra seflie janë bërë dhe kjo ishte njëra nga ato", tha Yusefi, i cili ka theksuar se nuk ka bërë selfie me Mogherinin. "Prania e Mogheerinit, përkundër kundërshtimit intensiv të Amerikës, është fitore madhore diplomatike për Iranin", tha deputeti Yusefi dhe ka shtuar se inaugurimi nuk duhet të lihet anash për "çështje të këtilla të parëndësishme". Ligjvënësi Abolfazl Hassanbeigi, zëvendëskryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare, i tha një gazete nën kontroll të shtetit se çështja e selfieve nuk duhet ta mbizotërojë "madhështinë" e inaugurimit të presidentit Rohani. "Me të vërtetë ishte pozitive për Republikën Islamike", tha Hassanbeigi dhe ka shtuar se "disa ligjvënës janë takuar dhe i kanë përshëndetur mysafirët e jashtëm, përfshirë Mogherinin". Sipas tij, deputetët iranianë ia kanë përçuar qëndrimet e tyre zonjës Mogherini. "Unë isha atje, jam dëshmirtar kur një ligjvënës i tha Mogherinit se ne shpresojmë se ajo një ditë do të brohoriste – Vdekje Amerikës", tha Hassanbeigi. Mëtutje, ai theksoi se ligjvënësit i kanë thënë diplomates së lartë të Bashkimit Evropian se ata shpresojnë se BE-ja do të vazhdojë ta respektojë marrëveshjen atomike të vitit 2015 dhe "nuk do tu bashkohet lojërave të Shteteve të Bashkuara". "Atëherë, unë dhe disa ligjvënës të tjerë kemi thënë zëshëm – vdekje Amerikës dhe rroftë Evropa", tha Hassanbeigi. Federica Mogherini nuk ka reaguar publikisht ndaj kësaj kundërthënie. Përgatiti: Fatmir Bujupi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Nju Jork: Identifikohet një viktimë e sulmeve të 11 shtatorit Posted: 08 Aug 2017 03:52 AM PDT Sot janë identifikuar mbetjet e një viktime nga sulmi i 11 shtatorit të vitit 2001, në Nju Jork, pas gati 16 vitesh prej kur Al-Kaida kreu sulmin terrorist në Shtetet e Bashkuara. Ky është identifikimi i parë i një viktime të 11 shtatorit, prej marsit të 2015-tës. Ekzaminuesit mjekësor në Nju Jork, kanë thënë se emri i viktimës nuk është publikuar për shkak të kërkesës familjare. Ata po ashtu kanë thënë se janë duke përdorur testet e ADN-së, gjatë përpjekjeve për të identifikuar viktimat tjera. Sipas tyre 1,641 viktima janë identifikuar deri më tash, derisa autoritetet besojnë se avancimi i teknologjisë ka ndihmuar në përshpejtimin dhe lehtësimin e këtij procesi. Nga sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA, kanë vdekur afër 3,000 persona. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Në SHBA po vërehen ndryshimet klimatike Posted: 08 Aug 2017 03:18 AM PDT Një raport për klimën thotë se Shtetet e Bashkuara tashmë janë duke vërejtur efektet e ndryshimeve klimatike, pasi temperaturat janë rritur në mënyrë drastike gjatë katër dekadave të fundit. Sipas raportimeve të The New York Times, e cila ka thënë se ka siguruar një kopje të raportit të shkenctarëve nga 13 agjenci federale, thuhet se, valët e të nxehtit janë bërë shumë me të shpeshta në krahasim me valët e të ftohtit që nga vitit 1980. Në këtë raport, po ashtu thuhet se gazrat serrë do të ndikojnë në rritjen e temperaturës globale, gjë të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dheanëtarët e kabientit të tij e kanë hedhur poshtë. Një shkencëtar i cituar në mënyrë anonime nga Times, ka thënë se ai dhe hulumtesit e tjerë janë të shqetësuar se administrata e presidentit Trump, e cila duhet fillimisht ta miratojë raportin në mënyrë që të publikohet, do ta refuzojë një gjë të tillë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pakistan: Organizata e dyshimtë e bamirësisë, formon parti politike Posted: 08 Aug 2017 02:12 AM PDT Një organizatë bamirësie në Pakistan, Jamaat-ud-Dawa, të cilën Shtetet e Bashkuara e akuzojnë të ketë qenë mbrapa sulmeve të Mumbait më 2008, ka njoftuar se do të formojë një parti të re politike. Partia e re, Liga Myslimane Milli, është prezantuar nga Jamaat-ud-Dawa, e cila dyshohet të ketë lidhje me grupin militant Lashkar-e-Tayyaba, dhe udhëhiqet nga Hafiz Saeed, i dyshuar për organizimin e sulmit të vitit 2008, ku mbetën të vdekur 166 persona. SHBA-ja ka ofruar 10,000 dollarë shpërblim për ata që japin informacione lidhur me Saaedin. Pas lëshimit të fletëarrestit nga SHBA-ja, Pakistani e ka mbajtur Saeedin në arrest shtëpiak nga muaji janar. Presidenti i ri i kësaj partie, Saifullah Khalid, ka thënë se do të punojë që ta kthejë Pakistanin " në shtet të vërtetë islamik dhe të pasur", duke shtuar se partia e tij kërkon lirim e menjëhershëm të Saeedit. Në të kaluarën, Saeed e ka hedhur poshtë sistemin demokratik, duke thënë se nuk është në përputhje me Islamin. Organizata bamirëse i ka hedhur poshtë akuzat se është i lidhur me terroristët, duke thënë se bën punë humanitare në emër të islamit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Posted: 08 Aug 2017 02:01 AM PDT Kosova po përballet me valën e të nxehtit të quajtur "Lucifer". Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, ka thënë se numri i personave që po kërkojnë trajtim mjekësor nga i nxehti është rritur ndjeshëm. (Video: Reuters) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shkup: Pjesë e stërvitjes së Real Madrid dhe Manchester United Posted: 08 Aug 2017 12:40 AM PDT Sot në orën 20:45, në stadiumin "Filipi II I Maqedonisë", do të zhvillohet Superkupa e Evropës, ndërmjet fituesit të Champions League, Real Madrid dhe fituesit të Europa League, Manchester United.Një ditë para ndeshjes, dy ekipet kanë kryer stërvije në Shkup. (Video: Reuters) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shkup: Sonte zhvillohet ndeshja Real Madrid - Manchester United Posted: 08 Aug 2017 12:39 AM PDT Sonte në Shkup, do të zhvillohet finalja e Superkupës së Evropës, në mes të ekipeve, Real Madrid dhe Manchester United. Autoritetet maqedonase, kanë deklaruar se rreth 2000 forca policore do të jenë në detyrë, derisa zhvillohet ndeshja në stadiumin Filipi i Dytë, në kryeqytetin maqedon. Temperaturat pritet të arrijnë sot deri ne 38 gradë Celsius. Autoritetet i kanë bërë thirrje publikut të ketë kujdes dhe të shmangë daljet gjatë ditës, sidomos për të moshuarit dhe fëmijët, derisa disa pjesë të vendit janë në gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të zjarreve të mëdha. Trajneri i ekpit Real Madrid, Zinedine Zidane, ka treguar mundësinë që Christiano Ronaldo të jetë pjesë e ndeshjes. Aktualisht Ronaldo është pjesë e hetimeve në Spanjë për dyshimet se i ka ikur obligimeve tatimore. Trajeri i tanishëm i ekipit, Manchester United, Jose Mourinho, ka qenë më parë trajner i Real Madridit. Ndeshja do të nisë sonte në orën 20:45. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| SHBA planifikon sanksione të reja kundër zyrtarëve të Venezuelës Posted: 07 Aug 2017 11:48 PM PDT Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është duke përgaditur sanksione të reja kundër një grupi tjetër të zyrtarëve të Venezuelës, të cilët janë të lidhur me presidentin Nicolas Maduro. Këto masa janë përgjigje ndaj Venezuelës, pas krijimit të një organi legjislativ, i cili është kundërshtuar nga shumë vende në botë, ka thënë një zyrtar amerikan. Masat e rejaparashohin bllokimin e aseteve amerikane të këtyre individëve, ndalimin e hyrjes në SHBA, si dhe u ndalojnë atyre të bëjnë biznes me kompani amerikane. Sipas këtij zyrtari,që është deklaruar në kushte anomime, ende nuk është bërë e ditur lista e re e personave që do të ndëshkohen me këto masa. Uashingtoni tashmë i ka vënë këto masa ndaj presidentit Maduro dhe 13 zyrtarëve tjerë të Venezuleës. Faza e dytë e masave të reja pritet të penalizojë sektorin e naftës në Venezuelë, të cilat konsiderohen ndër sanksionet më të rënda që po konsiderohen aktualisht për këtë vend. Planifikimi i sanksioneve të reja vjen pas inaugurimit të asamblesë së re, e cila pritet të shkruajë kushtetuten e re të vendit, sipas së cilës Maduro dhe partia e tij në pushtet, marrin më shumë fuqi ekzekutive. Administrata e presidentit Trump, i ka përsëritur pikëpamjet e opozitës në Venezuelë, e cila thotë se krijimi i kësaj amableje do të vendosë sistemin diktatorial, pas disa muajsh protesta vdekjeprurëse në këtë vend. Venezuela njihet si vend i pasur me naftë, mirëpo i dobët ekonomikisht. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kina do ta paguajë çmimin e sanksioneve të reja kundër Koresë V. Posted: 07 Aug 2017 11:12 PM PDT Kina do ta paguajë çmimin më të madh pas sanksioneve të reja të Kombeve të Bashkuara, kundër Koresë Veriore, për shkak të bashkëpunimit të ngushtë ekomonik me këtë vend, ka thënë ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi. Mirëpo ai ka shtuar se Kina pavarësisht asaj do të zbatojë gjithmonë rezolutat e OKB-së. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, në mënyrë unanime i ka miratuar sanksionet e reja kundër Koresë Veriore, të cilat do të ndikojnë rëndë në të ardhurat vjetore të eksportit. Përmes një deklarate, ministri Wang ka thënë se rezoluata e re shfaq kundërshtimin e Kinës dhe komunitetit ndërkombëtar për programin e raketave balistike të Koresë Veriore. "Duke pasur parasysh bashkëpunimin tradicional të Kinës me Korenë Veriore, do të jetë Kina ajo që duhet të paguajë çmimin për zbatimin e rezolutës", është cituar të ketë thënë Wang. "Mirëpo në mënyrë që të mbrohet paqja dhe stabiliteti rajonal, Kina sikurse në të kaluarën do të zbatojë të gjitha pikat e rezolutës", ka shtuar tutje ai. Sanksionet e reja të Koresë Veriore i ndalojnë këtij shtetit ekportimin thëngjillit, hekurit, plumbit, dhe prodhimeve të detit. Sanksionet e reja përfshijnë edhe disa ndalime të investimit të kompanive të huaja në këtë vend. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusia synon uljen e varësisë ndaj dollarit amerikan Posted: 07 Aug 2017 10:35 PM PDT Rusia do të rrisë përpjekjet për të ulur varësinë ndaj dollarit amerikan dhe sistemin e kartelës kreditore, pas vënies së sanksioneve të reja të Uashingtonit, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov. Shitjet e gazit, naftës dhe produkteve të ngjashme, fillimisht kryhen përmes dollarit amerikan dhe sanksionet e reja rëndojnë mbi fushën e energjisë së Rusisë. "Sigurisht se do ta përshpejtojmë punën për zëvendësim të importit, uljen e varësisë së pagesave përmes sistemit të dollarit. Është nevojë e domosdoshme", ka thënë Ryabkov, gjatë një interviste. Ai ka thënë se sanksionet e reja nuk do të arrijnë të përmbushin objektivat, duke përmendur presionin e Rusisë për t'i dhënë fund agresionit në Ukrainë, apo që t'i jap fund mbështetjes për qeverinë siriane në luftën e përgjakshme gjashtëvjeçare. Sanksionet e reja kane qëllim edhe ndalimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet në SHBA. Moska hedh poshtë akuzat se ka bërë ndonjëherë një gjë të tillë. Ekonomistët kanë thënë se ekomonia e Rusisë është goditur prej sanksioneve të vitit 2014. Në përpjekjet ruse për të qëndruar larg dollarit, kanë filluar negociatat për shitje të gazit dhe naftës në monedha të tjera të ndryshme prej dollarit, duke prezantuar një sistem të ri kombëtar, në mënyrë që të shmangen pagesat përmes sistemeve, Visa, MasterCard dhe lloje të tjera. Në atë kohë, Rusia ka prezantuar sistemin e ri të quajtur Mir, i cili mirëmbahet nga banka qendrore e Rusisë. Ryabkov ka thënë se Rusia është ambientuar me sanksionet e vitit 2014 dhe se vendi mund t'i përballojë ato. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





