“Qeveria ruse propozon gjoba për shpërndarjen e gazetave të huaja” plus 14 more Radio Evropa e Lirë

“Qeveria ruse propozon gjoba për shpërndarjen e gazetave të huaja” plus 14 more Radio Evropa e Lirë


Qeveria ruse propozon gjoba për shpërndarjen e gazetave të huaja

Posted: 04 Aug 2017 08:36 AM PDT

Ministria e Komunikimeve të Rusisë, e ka përgaditur një projektligj, i cili do të gjobiste shpërndarjen gazetave dhe revistave nga vendet e huaja, pa lejen e qeverisë. Zëvendësministri, Aleksei Volin, ka thënë për Interfax, se ligji do të ketë cak, "individët", që shpërndajnë publikime të huaja pa licencë. Ai ka thënë se gjobat nga 1,000-30,000 rubla (16-500 dollarë). Vendimi për një dënim të tillë është planfikuar të përfshihet në një nga ligjet aktuale në Rusi. Volin ka thënë se legjislacioni i propozuar nuk ndalon shumëfishimin e artikujve të huaj që janë nga mediat ruse, ose shpërndarjen e artikujve individual në forma tjera.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shteti Islamik mbrapa sulmeve të dështuara në Australi

Posted: 04 Aug 2017 07:48 AM PDT

Një australian e ka dërguar vëllain e tij në aeroportin e Sindeit, i cili supozohet se pa njohurinë e tij, po barte një bombë të krijuar në kushte shtëpiake, por që dukej si një grirëse mishi. Mjeti kishte cak, fluturimin e Etihad Airways më 15 korrik, mirëpo nuk kaloi në masat e sigurisë së aeroportit. Duke dhënë detaje për një nga komplotet "më të sofistikuara", në Australi, policia ka thënë, se dy burrat që janë akuzuar për çështje të terrorizmit, kanë planifikuar edhe ndërtimin e një pajisje të gazit helmues në ambiente publike. Zëvendëskomanti i Sigurisë Kombëtare, Michael Phelan, ka thënë, se sulmi ka qenë, "i inspiruar dhe drejtuar" nga militantët e Shtetit Islamik. "Ky është njëri prej komploteve më të sofistikuara që është tentuar ndonjëherë në tokën australiane", ka thënë Phelan. Policia ka thënë se dyshon, që njëri nga vëllezërit është pjesëtar i Shtetit Islamik. Sipas policisë komunikimi në mes të personit të akuzuar dhe Shtetit Islamik, ka filluar në prill. Duke marrë udhëzime nga ky grup, i akuzuari e ka ndërtuar "pajisjen e improvizuar shpërthyese ". Mirëpo, dyshohet që personi që po barte mjetin nuk njohuri për të.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Humbjet kapitale të Kosovës

Posted: 04 Aug 2017 07:42 AM PDT

Zvarritja e krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 qershorit, ka bërë që disa nga projektet kapitale, që vlerësohen me ndikim në përmirësimin e zhvillimit ekonomik, të ndërpriten dhe mos të realizohen. Disa nga projektet që kanë qenë në proces, janë ndërtimi i termocentralit "Kosova e Re", pastaj rivitalizimi i Kombinatit "Trepça", si dhe projekti i zonës turistike "Brezovica". Probleme më të theksuara janë evidencuar në kombinatin "Trepça", pasi ende nuk është përzgjedhur Bordi Mbikëqyrës i kësaj ndërmarrjeje, bord ky që duhet të nisë me procesin e bartjes se pronësisë së kompleksit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek Qeveria e Kosovës. Drejtori i Kombinatit "Trepça" Ahmet Tmava, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mospërzgjedhja e Bordit Mbikëqyrës dhe atij Menaxhues, nga Qeveria e Kosovës, po pengon edhe zbatimin e Ligjit për Trepçën, i cili është miratuar në fund të vitit të kaluar. "Prej momentit të aprovimit të Ligjit për Trepçën, ai ligj prodhon obligime për zbatim. Kështu që kemi të bëjmë me një periudhë të gjatë që nuk është zbatuar. Pra, po prolongohet perspektiva zhvillimore", thotë Tmava. Për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës është pamundësuar edhe rishikimi i buxhetit, që ka sjell vështirësi edhe në kryerjen e obligimeve buxhetore. Ish-ministri i Financave, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti, pat thënë se "janë 112 milionë euro mungesë në buxhetin e shtetit". Një nga projektet, për të cilin obligimet kanë mbetur të papërfunduara për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, thuhet se është projekti i autostradës Prishtinë-Shkup. Ela Ruçi, zëdhënëse në Konsorciumin turko- amerikan "Bechtel Enka", konsorcium ky që është duke zhvilluar punimet në autostradë, nuk ka specifikuar se sa ka borxh qeveria, por ka thënë se "punët në autostradë janë adoptuar me kushtet e buxhetit të Kosovës". "Në momentin që Qeveria nuk ishte në gjendje të paguante ato që ishin paracaktuar më përpara në kontratë, ne kemi ndryshuar planin e punëve dhe punët operative në terren. Dhe i kemi përshtatur ato më kapacitete buxhetore të Qeverisë", ka thënë Ruçi. Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë, thonë se pasojat do të jenë të mëdha nga mosrealizimi i projekteve që kanë qenë në proces. Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati për Radio Evropa e Lirë, thotë se çdo vonesë e krijimit të Qeverisë së re, krijon çrregullim në planin afat-shkurtër dhe afat-mesëm në zhvillimin ekonomik. "Posaçërisht projektet që janë në fazën e realizimit apo fazës së nisjes, siç është Termocentrali, hekurudhat, problem i kombinatit Trepça. Këto krijojnë çrregullime në ekonomi, posaçërisht infrastruktura, e cila është drejtpërdrejtë e lidhur me mundësinë e zhvillimit të ekonomisë, me mundësinë e tërheqjes se investimeve nga jashtë", shprehet Kastrati. Përveç këtyre projekteve, për shkak të mungesës se mjeteve financiare të cilat është dashur të sigurohen nga Qeveria e Kosovës, është ndërprerë edhe qarkullimi i të gjithë trenave në linjën Prishtinë -Pejë dheHani i Elezit – Fushë Kosovë. Nga moskrijimi i institucioneve, Kosova ka humbur edhe një kredi prej 16 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, e paraparë për projektet zhvillimore në sektorin ekonomik. Ndërkaq, nga Bashkimi Evropian, Kosova rrezikon të humbë 50 milionë euro.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Baraliu: Kushtetuta ka mangësi të mëdha

Posted: 04 Aug 2017 07:17 AM PDT

"Procesi i konstituimit të organeve të Kuvendit, mund të vazhdojë në pakufi deri në imponimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai shton se është një problem brengosës, sa i përket dispozitave të Kushtetutës, të cilat kanë mangësi të mëdha dhe që paraqiten në këtë çështje. Radio Evropa e Lirë: Profesor Baraliu, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është përcjellë me mjaft paqartësi. A ka pasur shkelje të rregullores të Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj seance? Mazllum Baraliu: Zakonisht jo vetëm rregullorja e Kuvendit, gjatë punës së seancave parlamentare, qoftë edhe konstitutive siç ishte kjo, edhe Kushtetuta vetë dhe ligjet e Kosovës fatkeqësisht shkelen pothuajse në vazhdimësi. Por, sa i përket seancës së djeshme konstitutive, kryesuesi i saj ka pasur pranë Sekretarin e Kuvendit, së bashku me ekspertë të tjerë, përgjegjës për çështjet ligjore, për ta korrigjuar eventualisht nëse kryesuesi i Kuvendit do të gabonte. Nëse kthemi në shpjegimin e termeve teknike ose procedurave, ndoshta kur e ka përdoruar fjalën mbyllet seanca ka gabuar, për arsye se po të mbyllej kjo seancë, atëherë do të duhej të thirret sipas rregullave tjera, në frymën e dispozitave të rregullores së punës ë Kuvendit, që ka afate, ka ditë, ka procedura, të thirrej një seancë tjetër. Por, meqë kjo seancë është konstituive dhe nuk duhet të ndërpritet pa arsye të mëdha dhe nuk përfundon pa u konstituuar të gjitha organet, sa i përket asaj fjalës "mbyllje", nuk është shkelje e rëndësishme dhe serioze dhe seanca mund të vazhdojë. Kjo seancë duhet të vazhdojë, është mirë që është zënë afati brenda 8 gushtit, pasi që ai do të ishte afati i fundit kushtetues për tu konstituuar Kuvendi. Ajo pjesë e punës që është kryer deri më tani është bërë mirë. Është bërë hapja e seancës, është bërë leximi i rendit të ditës, është bërë konfirmimi i të pranishmëve, është bërë kërkesa për ta formuar komisionin përkatës për verifikim të mandatave dhe kuorumit dhe është bërë betimi, pra deputetët janë zgjedhur. Pra, në aspektin individual, Kuvendi i Kosovës është i konstituuar dhe deputetët kanë mandat. Radio Evropa e Lirë: Nisur nga zhvillimet në Kuvend, a do të mund të rrezikohen afatet ligjore për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit? Mazllum Baraliu: Më vetë faktin që seanca konstituive ka filluar para 8 gushtit, kur do të ishte afati i fundit, ajo mund të vazhdohet edhe para kësaj date dhe pas kësaj date, sepse është vazhdim i një seance dhe nuk është shkelje kushtetuese. Por, është një problem brengosës sa i përket dispozitave të Kushtetutës, që mund të jetë një çështje shumë serioze. Për arsye se neni 67, paragrafi 2 i Kushtetutës në fuqi, i jep mundësinë koalicionit parazgjedhor fitues që t'i propozojë Kuvendit kryetarin e tij, ndërkaq nuk ka asnjë dispozitë vazhduese, përkufizuese, definuese, shteruese për të paraparë situatat juridike të mundshme. Si për shembull, ajo çfarë na ndodhi dje, si ishte rasti se çka nëse koalicioni PAN, i cili ka autorizim, ka mundësi nuk e propozon atë (kryetarin e Kuvendit) ose nëse kandidati i propozuara nga grupi më i madh parlamentar, në këtë rast koalicioni PAN, nuk pranohet. Kjo çështje nuk është e përpunuar dhe kjo paraqet një vakum të madh kushtetues. Radio Evropa e Lirë : Çfarë situata mund të paraqiten? Mazllum Baraliu: Tash është situata e tillë, po të dojë dikush, e që siç po duket ka simptoma dhe tendenca për të zvarritur procesin e konstituimit të organeve të Kuvendit, mund ta vazhdojë në pakufi me propozime të reja. Nëse e propozon njërin kandidat dhe nuk votohet, mundet të njëjtin ta propozojë në seanca tjera të rregullta, si vazhdim i seancës konstituive, të propozojë tjerë deputet, deri në përmbylljen me ndonjë deputet të fundit të koalicionit PAN. Nëse vazhdon ky trend i bllokimit, duke i pasuar parasysh vakuumet e Kushtetutës dhe qëllimet e caktuara të subjekteve tona politike, ka një tendencë të bllokadës të shtyrjes deri në zgjedhje të reja të parakohshme, të cilat nuk i konvenojnë askujt, por do të ishin një humbje kohe e madhe dhe në asnjë mënyrë e justifikueshme. Radio Evropa e Lirë: Kushtetutën e Kosovës po vazhdojnë ta përcjellin sfida të pakalueshme, në disa raste thuhet se e ka bllokuar vendin në shumë procese të rëndësishme. A paraqitet nevoja e ndryshimit të saj? Mazllum Baraliu: Kjo Kushtetutë ka mangësi të jashtëzakonshme. Fillimisht, ka pasur të tilla për arsye se nuk është zhvilluar një debat i domosdoshëm, i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës për miratimin e kësaj Kushtetute. Si e tillë, kjo Kushtetutë është servuar në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe ekspertët e institucionet vendore, dhe si e tillë është bërë me nguti. Është një akt kushtetues, i servuar në rrethana specifike, në kohën kur Kosovës i duhej që të kishte Kushtetutën pas shpalljes së pavarësisë, dhe i duhej të kishte një Kushtetutë të balancuar, jo ashtu si do të duhej ta kishim, si do të duhej të ishte, një shprehje sovrane e vullnetit të qytetarëve. Kjo Kushtetutë, jo që duhet të ndryshohet dhe plotësohet, por duhet të rishkruhet që nga Preambula, e cila është e papranueshme për të gjithë, edhe për shumicën edhe për komunitetet tjera joshumicë në Kosovë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mospajtim i partive në takimin konsultativ

Posted: 04 Aug 2017 06:07 AM PDT

Shefat e grupeve parlamentare, të partive që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, sot kanë mbajtur takim konsultativ, i cili është thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e koalicionit PAN.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kryen betimin kabineti i ri i Pakistanit

Posted: 04 Aug 2017 05:37 AM PDT

Presidenti i Pakistanit, Mamnoon Hussain, e ka drejtuar ceremoninë e betimit të kabinetit të ri qeveritar, pas dorëheqjes së presidentit, Nawaz Sharif, më 28 korrik. Kryeministri i ri, Shahid Khaqan Abbasi, njihet si njeri besnik i Sharifit. Ministrat e kabinetit të ri ose kanë vazhduar në pozitat e njëjëta apo janë po ashtu, njerëz besnik të Sharifit. Ish kryeministri Sharif, është dorëhëqur, pasi Gjykata Supreme ka urdhëruar që ai ta lëshojë zyrën. Vendimi i gjykatës erdhi pas akuzave për korrupsion, të cilat janë ngritur pas publikimit të të ashtuquajturave Letrat e Panamasë më 2016. Analistët besojnë se Abbasi do të shërbejë në këtë pozitë për vetëm 45 ditë, për t'i liruar rrugën vëllait të Sharifit, Shahbaz Sharif, i cili pritet të marrë postin e kryeministrit në zgjedhjet e reja.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kremlini pajtohet me Trumpin për marrëdhëniet mes dy vendeve

Posted: 04 Aug 2017 04:52 AM PDT

Kremlini, ka thënë sot, se është pajtuar plotësisht me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i cili ka thënë në Twitter, se marrëdhëniet e Uashingtonit me Rusinë janë në pikë, "rrezikshmërisht të ulët". "Ne pajtohemi plotësisht me këtë mendim", ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference për shtyp, duke i'u referuar komenteve të Trumpit në Twitter. "Ka rrezik të uljes së bashkëpunimit në çështje, që janë të rëndësishme për popujt e të dy vendeve", ka shtuar tutje Peskov. Presidenti Trump, i ka komentuar marrëdhëniet me Rusinë, gjatë ditës së enjte, pikësisht një ditë pasi ka nënshkruar legjislacionin që e sanksionojnë Rusinë, Korenë Veriore dhe Iranin. Këto masa, Mosa i ka cilësuar si "luftë tregtare", dhe fund të shpresës për marrëdhënie me të mira me adiministratën Trump. Trump në anën tjetër ka thënë se ka vendosur për miratim të sanksioneve për hir të "unitetit kombëtar".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump mohon ndikimin rus në fitoren e tij, në SHBA nisin hetime të reja

Posted: 04 Aug 2017 03:39 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ai nuk i ka fituar zgjedhjet e vitit të kaluar për shkak të Rusisë, edhe pas raportimeve të mediave se Departamenti i Drejtësisë ka mbledhur një Juri të Madhe për të hetuar ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Kjo juri, që në anglishte njihet me emrin Grand Jury [Juri e Madhe] përbëhet nga një grup prej 12 personash, që mblidhen për të shqyrtuar dëshmitë kundër një personi të caktuar, për të përcaktuar nëse personi në fjalë duhet të ndiqet penalisht. "Shumica e njerëzve e dinë se nuk ka pasur rusë në fushatën time. Ne nuk kemi fituar për shkak të Rusisë. Ne kemi fituar për shkakun tuaj", u ka thënë Trump, mbështetësve të tij, gjatë një vizite në shtetin e Virxhinias. Republikani Trump i ka akuzuar demokratët për "trillim total të ndërhyrjes ruse". Gazeta The Wall Street dhe media të tjera kanë raportuar se këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, e ka mbledhur një Juri të Madhe për të hetuar fushatën e Trumpit dhe ndërhyrjet e mundshme ruse në të. Trump ka thënë se ideja që Rusia i ka ndihmuar atij që të zgjidhet president, "është poshtëruese për të gjithë ne, për vendin, por mbi të gjitha për Kushtetutën tonë". Trump dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, kanë thënë se shpresojnë që juria të dalë me një përfundim rreth ndërhyrjes së mundshme ruse, e cila e ka përcjellur Trumpin nga fillimi i presidencës së tij. "Shpresoj që vendimi final do të jetë i sinqertë, të cilën e meritojnë miliona njerëz që mbështetën fitoren tonë në nëntor, dhe të gjithë amerikanët që dëshirojnë një të ardhme më të mirë", ka shtuar tutje Trump. Ky hetim do t'i lejojë Mueller, ish-drejtor i FBI-së, mbledhjen e dokumentacionit dhe marrjen e dëshmive. Mirëpo, hetimet mund të dërgojnë edhe tek ndonjë vepër penale. Avokatët e Trumpit, kanë thënë, se Presidenti nuk ka arsye për t'u shqetësuar, pasi nuk ka të dhëna se ai është duke u hetuar. "Ish-drejtori i FBI-së, Jim Comey, ka thënë tri herë se Presidenti nuk është duke u hetuar dhe nuk kemi arsye për të besuar se kjo ka ndryshuar", ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. Agjencia e lajmeve, Reuters, ka raportuar se Juria e Madhe, do të zhvillojë hetime për takimin e djalit të presidentit Trump, Donald Trump Jr., dhëndrit të tij Jared Kushner dhe ish-menaxherit të fushatës së tij Paul Manafort dhe një grup të rusëve, të cilët kanë thënë se kanë informacion, i cili do ta dëmtonte rivalen demokratike të Trumpit, Hillary Clinton. CCN në anën tjetër, ka raportuar se hetimet mund të jenë fokusuar në krime financiare. Juria e Madhe do të dëshmojë nëse duhet ngritur akuza për vepra penale. Kjo juri përbëhet nga njerëz të zakonshëm. Nuk është e thënë që me domosdo duhet të ngrihen akuza penale, kanë thënë ekspertët. Këshilltari special i presidentit Trump, Ty Cobb, ka thënë se ai nuk ka qenë në dijeni se Mueller e ka nisur punën e një Jurie të Madhe. "Juritë e Mëdha janë zakonisht sekrete", ka thënë Cobb. "Shtëpia e Bardhë favorizon gjithçka që përshpejton hetimet në mënyrë të drejtë… Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar për të bashkëpunuar me zotin Mueller", ka thënë ai. Mueller ishte emëruar nga Departamenti i Drejtësisë për të hetuar rreth ndërhyrjes së mundshme ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, ose ndonjë lidhje eventuale me fushatën e Trumpit. Edhe disa panele te Kongresit janë duke hetuar ndaras, çështje që kanë të bëjnë me ndërhyrjen ruse. Moska vazhdon të hedh poshtë këto akuza, pavarësisht të dhënave të konsiderueshme. Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Afganistan: Talibanët sulmojnë një market të këmbimit të parave

Posted: 04 Aug 2017 02:25 AM PDT

Zyrtarët afganë kanë thënë se të paktën pesë trupa të sigurisë janë vrarë gjatë një sulmi të talibanëve, në një market të këmbimit të parave, në provincën Helmand. Autoritetet kanë thënë se të paktën tre persona e kanë sulmuar marketin. Një zëdhënës i talibanëve, e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se cak kanë qenë forcat e sigurisë dhe ndërtesat qeveritare. Një objekt qeveritar është afër vendit ku ka ndodhur sulmi. Distrikti Gereshek ka qenë zonë e luftës në javët e fundit. Një sulm ajror nga ushtarët amerikanë që kishte ndodhur gabimisht më 21 korrik, ka lënë të vdekur 15 persona. Talibanët e kontrollojnë pjesën më të madhe të provincës Helmand, dhe nisin rregullisht sulme në provincën e Kanhadarit dhe provinca të tjera.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ndërpritet seanca, kryesuesi thërret grupet parlamentare në konsultime

Posted: 04 Aug 2017 02:25 AM PDT

Kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci ka ndërprerë seancën konstituive. Ai ka thirrur në konsultim shefat e grupeve parlamentare, për të vendosur për vazhdimin e seancës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB: Shteti Islamik vazhdon gjenocidin ndaj jazidëve

Posted: 04 Aug 2017 12:20 AM PDT

Komisioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka thënë se grupi militant, Shteti Islamik është duke kryer gjenocid kundër jazidëve, grup minoritar në Irak dhe Siri. Sipas këtij komisioni, bota ka bërë pak për ta paralanduar këtë gjë. Ky komision i Hetimeve në Siri, ka raportuar se luftëtarët e Shtetit Islamik janë duke tentuar të shesin gratë dhe vajzat jazidi përpara se të ikin, pas përshpejtimit të fushatës për largimin e militanëve të Shtetit Islamik nga qyteti Raka. "Gjenocidi është duke vazhduar dhe mbetet i pazgjidhur, pavarësisht obligimit të Shteteve të Bashkuara, për të ndaluar dhe ndëshkuar krimin", është thënë tutje nga ky komision. Më 2015, në Sinjar të Irakut janë gjendur rreth 30 varreza masive të jazidëve. "Mijëra burra dhe djemë jazidi mbeten të zhdukur derisa grupi terrorist vazhdon të kryejë sulme brutale ndaj rreth 3,000 vajzave dhe grave në Siri", ka thënë ndër të tjera komisioni.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia gjobit opozitarin Navalny

Posted: 03 Aug 2017 11:38 PM PDT

Një gjykatë ruse ka urdhëruar gjobitjen e liderit opozitar, Aleksei Navalny dhe dy bashkëpunëtorëve të tij për shpërndarjen e materialeve të një marshi të paautorizuar në Moskë, gjatë muajit të kaluar. Navalny ka thënë se policia ka shkuar në shtëpinë e tij dhe e ka dërguar atë në gjykatë ku është gjobitur për shpërndarje të materialit dhe ftesë për pjesëmarrje në marsh, përmes një videoje në kanalin YouTube. Navalny, i cili ka njoftuar se do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të marsit 2018, ka thënë se marshi ka qenë i ligjshëm. Tre personat janë gjobitur me shumën prej 4,140- 4,960 dollarë. Ndonëse Navalny, ka deklaruar vullenetin për të kandiduar, autoritetet zgjedhore të Rusisë, kanë thënë në qershor, se dënimi i tij i suspenduar për përvetësim, nuk i jep të drejtë për qenë pjesë e zgjedhjeve. Lideri opozitar, Navalny, ka organizuar dy protesta masive gjatë këtij viti, në Rusi. Ai ka qenë i burgosur për 25 ditë, për shkak të organizimit të protestës së qershorit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tusk i shqetësuar, Polonia mund të largohet nga BE-ja

Posted: 03 Aug 2017 11:17 PM PDT

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, është shprehur i shqetësuar pasi vendi i tij, Polonia mund të largohet nga Bashkimi Evropian. Deklaratat e Tusk vijnë në mesin e konflikteve në mes të Bashkimit Evropian dhe partisë, Ligji dhe Drejtësia nga Polonia, pas tentimeve të kësaj të fundit për të reformuar sistemin e drejtësisë. BE-ja ka shprehur shqetësim edhe për prerjen masive të drunjve në vend. Qeveria polake i ka hedhur poshtë kritikat e BE-së, dhe ka refuzuar që t'i përmbahet një ligji të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për të ndaluar prerjen e pyjeve. "Këto deklarata duhet se janë fillimi i shenjave që Polonisë nuk i duhet Bashkimi Evropian. Frikësohem se jemi shumë afër këtij momenti", u ka thënë Tusk gazetarëve. Tusk i ka bërë këto komente pasi është pyetur për tetë orë nga prokurorët e Varshavës, të cilët janë duke hetur rastin e rrëzimit të aeroplanit më 2010, në Smolenks të Rusisë. Në këtë ngjarje ka vdekur ish presidenti i Polonisë, Lech Kaczyński dhe 95 persona të tjerë. Lideri i partisë, Ligji dhe Drejtësia, Jaroslaë Kaczynski, e ka akuzuar Tusk, që atë kohë ka qenë kryeministër i vendit, si përgjegjës për rrëzimine aeroplanit në të cilin ka vdekur vëllai i tij binjak, presidenti, Lech Kaczynski. Sipas tij, rrëzimi i aeroplanit nuk ka qenë aksidenti dhe ka akuzuar Tusk për "përgjegjësi morale" për vdekjen e vëllait të tij. Më 9 mars, Tusk është zgjedhur për herë të dytë si president i Këshillit Evropian, nga liderët e BE-së.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sulmohen prapë ushtarët e NATO-s në Kabul

Posted: 03 Aug 2017 10:32 PM PDT

Një ushtar i NATO-s, është vrarë dhe gjashtë të tjerë nga personeli janë plagosur në Afganistan, pasi një sulmi të talibanëve me makinë bombë, i cili kishte cak një konvoj të kësaj ushtrie. Zyrtarë nga misioni mbështetës i NATO-s, kanë thënë se sulmi ka ndodhur dje në provincën e Kabulit. Të lënduarit janë duke u trajtur në spital, derisa është bërë e ditur se dhjetëra civilë janë lënduar po ashtu gjatë këtij sulmi. Talibanët e kanë marrë menjëhërë përgjegjësinë për sulmin. Zyrtarët kanë thënë se ushtari i vrarë nuk është amerikan, mirëpo nuk kanë dhënë detaje shtesë. Një tjetër sulm me makinë bombë ka ndodhur dy ditë më parë, në të cilin kanë vdekur 2 ushtarë në qytetin Kandahar, Afganistan. Edhe për atë sulm përgjegjës kanë thënë të kenë qenë talibanët. Sulmet kanë vënë në pah rreziqet me të cilat përballët ushtria amerikanë në Afganistan, derisa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është duke konsideruar mundësitë e rritjes së trupave për t'i dhënë fund luftës me talibanët.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia: Komentet e Pence, pasqyrim i mendësisë së Luftës së Ftohtë

Posted: 03 Aug 2017 09:59 PM PDT

Rusia i ka dënuar ato që i ka quajtur, komente "destabilizuese" nga nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, pasi sipas saj, është pasqyruar mendësia e Luftës së Ftohtë të Uashingtonit. Pence, ka thënë më 2 gusht në Malin e Zi, se "Rusia ka punuar në destabilizimin e rajonit, minimin e demokracisë dhe ndarjen nga njëri-tjetri dhe nga gjithë Evropa", duke u bërë thirrje liderëve të Ballkanit "të jenë të pakompromis gjatë përballjes me agresionin rus". Ministria e Jashtme e Rusisë, ka thënë, se Pence ka prezantuar zgjedhje destruktive, të cilat "pa dyshim do të ndihmojnë në rritjen e tensioneve" në Ballkan. "Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi janë duke e përmendur teorinë e tyre se Evropa Juglindore nuk ka zgjidhje tjetër, përveç asaj të anëtarësimit në NATO", ka shtuar ministria. Sipas saj, "është për keqardhje që Uashingtoni është duke lëvizur më thellë drejt ideologjisë primitive të Luftës së Ftohtë, e cila është plotësisht e shkëputur nga realiteti". Kjo ministri i ka bërë thirrje SHBA-së, të ndalojë dezinformatat për Rusinë dhe politikën e saj të jashtme, pasi sipas saj e njëjëta është e bazuar në respekt për aleatët e saj dhe e gatshme të punojë me partnerët ndërkombëtarë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now