“Përplasen trenat në Egjipt, mbesin 36 të vdekur” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Përplasen trenat në Egjipt, mbesin 36 të vdekur” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Përplasen trenat në Egjipt, mbesin 36 të vdekur

Posted: 11 Aug 2017 09:36 AM PDT

Dy trena janë përplasur në veri të Egjiptit, duke lënë të vdekur të paktën 36 persona, dhe duke lënduar më shumë 100 të tjerë, kanë bërë të ditur zytarët. Trenat janë ndeshur me njëri-tjetrin, afër qytetit të Aleksandrisë, gjatë ditës së sotme. Sipas raportimeve, njëri tren ishte duke udhëtuar nga kryeqyteti Kajro, ndërsa tjetri nga Port Said, nga veriu i Kanalit Suez. Duke cituar zyrtarë të ministrisë së Transportit, televizioni shtetëror, ka raportuar se përplasja ka ndodhur si shkak i ndonjë mosfunksioni në njërin nga trenat. Egjipti është përballur me disa tragjedi hekurudhore, gjatë viteve të fundit. Në nëntor të vitit 2013, nga një përplasje në mes të një treni dhe një autobusi, kanë vdekur rreth 30 persona në jug të kryeqytetit Kajro.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia ndjen "keqardhje" për dyshimet e SHBA-së, rreth paktit bërthamor

Posted: 11 Aug 2017 08:55 AM PDT

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka cilësuar për keqardhje faktin se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, vazhdon të dyshojë në marrëveshjen nukleare të vitit 2015, që Irani ka me fuqitë botërore. "Fatkeqësisht tani partnerët tanë amerikanë e vënë në pikëpyetje këtë marrëveshje", ka thënë Lavrov gjatë një takimi me disa studentë. "Në administratën e presidentit Trump, ata vazhdojnë t'i cilësojnë këto marrëveshje si të gabueshme, dhe është per keqardhje, që një marrëveshje e tillë e sukseshme të vihet në dyshim", ka shtuar Lavrov.  Këto deklarata te ministrit Lavrov vijnë, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka përsëritur edhe një herë se Irani nuk është "duke iu përmbajtur shpirtit" të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke e cilësuar atë si "marrëveshje të tmerrshme". Agjencitë për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, në kuadër të OKB-së dhe SHBA-së, kanë thënë se Irani ka respektuar marrëveshjen. Mirëpo liderët amerikanë vazhdojnë ta akuzojnë këtë vend për "shkelje të shpirtit të marrëveshjes", duke iu referuar lansimit të raketave balistike, me kapacitet për të bartur koka bërthamore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Thatësira dëmton kulturat bujqësore

Posted: 11 Aug 2017 08:00 AM PDT

Temperatura e larta dhe thatësira, që kanë përfshirë Kosovën, kanë shkaktuar dëme të mëdha në rendimentet e kulturave bujqësore, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë. Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat në Kosovë kanë arritur deri në 38 gradë. Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Isuf Cikaqi, thotë se temperaturat e larta gjatë muajit korrik, dhe në këtë muaj, kanë ndikuar dhe penguar zhvillimin e kulturave bujqësore. Megjithatë, sipas tij, në disa kultura bujqësore të cilat kanë përfunduar fazën e vegjetacionit, në kohën e vjeljes nuk ka pasur ndikim negativ. "Ndikim negativ më tepër presim te ato kultura bujqësore që janë duke u kultivuar dhe nuk janë në sistemin e ujitjes. Ato parcela bujqësore që janë duke u kultivuar, e që janë nën sistemin e ujitjes, qoftë nga kompanitë e ujitjes ose nga fermerët në mënyrë vetanake, do të kalojnë më mirë dhe dëmet do të jenë më të vogla", thotë Cikaqi. Ndikimi i temperaturave të larta në përgjithësi, sipas ekspertit të bujqësisë Imer Rusinovci redukton prodhimin bujqësor, në veçanti kulturat pranverore, siç është misri, kultura të cilat domosdoshmërish gjatë korrikut dhe gushtit kërkojnë ujitje. "Thatësira është armiku numër një i reduktimit të prodhimit bujqësor dhe kjo u manifestua pjesërisht edhe te kulturat e grurit, ku u paraqit vala e të nxehtit, e cila në masë diku prej 20 deri në 30 për qind reduktoi prodhimin e grurit, dukuri kjo që manifestuar edhe në prodhimin përfundimtar të kësaj kulture". "Është një nga vitet e ralla që në Kosovë realizohen prodhimtari më e ulët e grurit, krahasuar me vitet paraprake", thekson Rusinovci. Ai shton se rendimentet e ulëta të kulturave bujqësore, do të bëjnë vendin që të varet nga kontingjentet e mëdha të importeve. Temperaturat e larta dhe thatësira, edhe sipas kryetarit të Federatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, kanë shkaktuar dëme të mëdha në rendimentet e grurit. "Sidomos tek misri kemi krizë dhe e ka pësuar dëme të mëdha, dhe deri më tani ka ndikuar 60 për qind në uljen e rendimenteve. Vetëm ato parcela që kanë pasur mundësi të ujitjen nuk kanë pësuar shumë. Mungesa e lagështisë tek kulturat bujqësor, përveç uljes së rendimenteve, ndikon edhe në cilësinë e produkteve bujqësore", thotë Tahiri. Të dhënat për dëmet që janë shkaktuar nga temperaturat e larta dhe thatësira do të bëhen të ditur në fillim të muajit shtator, thotë Isuf Cikaqi, dhe sipas tij, pastaj do të shikohet edhe mundësia e pjesshme e kompensimit e fermerëve të cilët kanë pësuar nga fatkeqësitë natyrore. "Për fat jo të mirë ,krejt çka është e ndarë me buxhet për këtë çështje, pra dëmet nga fatkeqësitë natyrore, janë 500 mijë euro, ndërsa ne deri në gjysmë e verës kemi pasur raporte nga drejtorit komunale për bujqësi, se vlera e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore të të gjitha natyrave është 13 milionë euro". "Nëse i fusim edhe raportet tjera që do të vinë, deri në fund të vitit kjo shumë do të rritet, por, do të shikohen mundësitë për sigurimin e ndonjë fondi tjetër", thekson Cikaqi. Sipërfaqja e përgjithshme në Kosovë është mbi 10,908 km katrorë, kurse 53 për qind e tokës është bujqësore. Ndërkaq, nga 1.9 milion banorë, 61 për qind prej tyre jetojnë në zonat rurale.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nënat kërkojnë ndihmë për gjetjen e çeçenëve të zhdukur

Posted: 11 Aug 2017 07:41 AM PDT

Nënat e disa çeçenëve të zhdukur, kanë kthyer shpresën nga grupet evropiane për të drejtat e njeriut, duke kërkuar ndihmë, për të gjetur djemtë e tyre, për të cilët kanë frikë se mund të jenë vrarë nga autoritetet në jug te rajonit të Rusisë. Me anë të një letre, ato kanë kërkuar nga të gjitha grupet për ndihmë. Shërbimi i Kaukazit Verior, të Radios Evropa e Lirë, ka siguruar një kopje të kësaj letre, e cila është nënshkruar nga dhjetë gra çeçene, të cilat kanë treguar rreth përpjekjeve për të gjetur djemtë e tyre, mirëpo asnjëra nga to, nuk ka rezultuar e suksesshme tek zyrtarët rusë. Gazeta e pavarur ruse, Novaya Gazeta, ka raportuar në korrik, se 27 persona në Çeçeni, mund të jenë ekzekutuar pa gjykim në muajin janar, pasi janë arrestuar për shkak të përleshjeve me policinë, gjatë dhjetorit. Gazeta ka raportuar, se si famijarët janë detyruar të nënshkruajnë disa dokumente, në të cilat thuhej se personat e zhdukur, janë larguar me dëshirë nga Çeçenia, mirëpo se nuk kanë prova për ti arsyetuar para autoriteteve.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Të hënën vazhdimi i seancës konstituive

Posted: 11 Aug 2017 07:34 AM PDT

Kuvendi i Kosovës përmes një komunikatë për media ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet të hënën, duke filluar nga ora 10:00. Në rende ditë do të jetë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Pas dy muajsh prej mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në Kosovë, Kuvendi më 3 gusht e filloi seancën konstituive, por që deri më tani nuk ka arritur ta përfundoj me sukses.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Prokurori Publik “mban peng” reformat në gjyqësor

Posted: 11 Aug 2017 06:51 AM PDT

Pozita e Prokurorit Publik paraqet një hallkë shumë të rëndësishme për funksionimin e shtetit ligjor, dhe politizimi i kësaj figure e bën të pamundur procesin e reformave, theksojnë ekspertët juridikë, duke komentuar bllokimin e shkarkimit të Prokurorit Publik Marko Zvërlevski, për shkak të polemikave të stërzgjatura në Parlament nga ana e deputetëve të opozitës maqedonase VMRO-DPMNE-së ,e cila drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Margarita Caca-Nikollovska, ish-gjykatëse në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për Radion Evropa e Lirë thotë se në bazë të ligjeve që përcaktojnë kompetencat e Prokurorit Publik, ai mundet të pengojë hetimin e rasteve që ndërlidhen me përfshirjen e ish-zyrtarëve të lartë të shtetit në vepra kriminale. Nikollovska thotë se përderisa në krye të Prokurorisë Publike qëndron një njeri, i cili siç u mësua nga bisedat përgjuara, se ai punon sipas direktivave të udhëhqësve të një partie politike, është e vështirë të realizohet procesi i reformave në sistemin gjyqësor, reforma të cilat i ka paralajmëruar Qeveria edhe në bazë të planit të ashtuquajtur 3-6-9, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimeve euroatlantike. "Ligji i jep më shumë kompetenca Prokurorit Publik për zhvillimin e hetimeve ku ka indice se janë bërë keqpërdorime nga ana e personave fizikë ose juridikë. Po keqja është se këto kompetenca, në vend se të shfrytëzohen për ndjekjen e kriminelëve dhe përballjen me drejtësinë, ato shfrytëzohen për mbrojtjen e tyre, përkatësisht pengimin e drejtësisë përmes pasivitetit", thekson Nikollovska. Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Bashkim Selmani, duke komentuar procesin e shkarkimit të Prokurorit Publik, Marko Zvërlevski, që pritet t'i hap rrugë emërimit të një Prokuroritë ri Publik ,thekson se përderisa ka indice se liderët e partive të caktuara politike kanë kryer vepra kriminale, qoftë nga tabori i opozitës ose atyre që janë në pushtet, në krye të këtij institucioni është e nevojshme të vijë një personalitet i jashtëm. "Për Maqedoninë, në një situatë kur për dy liderë politikë ka dyshime se kanë kryer vepra të rënda që ndërlidhen me krimin financiar, në krye të institucionit të Prokurorit Publik është mirë të vjen një person i pavarur, i cili është i dëshmuar si prokuror, dhe vetëm në atë rast do të mund të shpresohet se do të zbatohen ligjet, duke respektuar gjithmonë interesat e përgjithshme të qytetarëve, në interes të sistemit dhe shtetit dhe jo në interes të partive politike". "Për ta realizuar këtë nevojitet të vjen një personalitet i jashtëm në krye të Prokurorisë Publike", thotë Bashkim Selmani. Deputetët e partive në pushtet, të premten kanë vendosur të mos u përgjigjen kolegëve të tyre nga opozita gjatë debatit për shkarkimin e Prokurorit Publik, duke theksuar se çdo fjalë në mbrojtje të Prokurorit Publik Marko Zvërlevski është në mbrojtje të krimit. Përderisa, deputetët e VMRO-DPMNE-së, të drejtuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski thonë se nisma për largimin e Prokurorit Publik Marko Zvërlevski nga detyra është për motive politike, por gjithashtu edhe në kundërshtim me kodin zgjedhor, pasi dispozitat e tij, sipas VMRO-së nuk lejojnë shkarkime dhe emërime të funksionarëve pas ditës së shpalljes së zgjedhjeve. Ndryshe, sistemi gjyqësor mbetet një nga sferat më të kritikuara nga faktori ndërkombëtar, duke theksuar nevojën e realizmit të reformave rrënjësore në gjyqësor.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Qeveria miraton kërkesën për shpronësim

Posted: 11 Aug 2017 05:40 AM PDT

Qeveria në largim e Kosovës ka miratuar kërkesën për shpronësim të pronave të paluajtshme për nevojat e Korporatës Energjetike te Kosovës, në fshatin Hade dhe Shipitullë, të Komunës së Obiliqit. Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se më këtë vendim mund të krijohen kushte ligjore dhe të shmanget problem i krizës për sigurimin e energjisë. "Unë mendoj se me këto procese mund të krijohen kushte ligjore që të veprohet në terren dhe të evitohet problemi i krizës, për të cilin është folur aq shumë sa i përket sigurimit të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike", ka thënë Mustafa në mbledhjen e sotme Qeverisë në largim. Zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës, ndërkaq e konsiderojnë vendim të duhur, pasi sipas tyre, shumë shpejtë pritet të nisë operimi i thëngjillit në këtë pjesë . Arben Gjuka, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i ka bërë thirrje të gjithë pronarëve të tokave në këto zona, që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të nënshkruajnë kontratat. Vendimi i sotëm i Qeverisë në largim, tregon Gjuka, ka të bëjë me shpronësimin e 2. 2 hektarëve, zonë kjo ku KEK-u duhet të fillojë menjëherë kërkimin e rezervave të thëngjillit, në mënyrë që mos të ketë krizë energjetike. Kurse, KEK është i përqendruar në shpronësimin e 52 hektarë në këtë fshat. "Vendimi i sotëm i Qeverisë në largim është për 2. 2 hektarë , i afekton 17 pronarë me 8 shtëpi. Kurse ne deri më sot kemi arritur 23 marrëveshje. Kur themi 23 marrëveshje, dy janë në zonën me prioritet të këtij vendimi, ndërsa 21 marrëveshje tjera janë për zonën 52 hektarëshe", thotë Gjuka. Ndryshe, procesi i shpronësimit dhe zhvendosjes nga fshati Hade dhe Shipitullë, ka nisur që nga viti 2002. Fillimisht, ato kanë nisur nga institucionet e atëhershme të përkohshme, dhe më pastaj kanë vazhduar edhe nga Qeveria e Kosovës më 2009. Kjo zonë, për shkak të mihjeve që zhvillohen aty, në kërkim të rezervave të thëngjillit, para disa vitesh është shpallur e rrezikshme për banim, ndërsa po ashtu është shpallur zonë e interesit të veçantë ekonomik. Pasi, këto zona janë të shtrira në afërsi të mihjeve sipërfaqësore të thëngjillit, që shfrytëzohen nga termocentralet "Kosova A" dhe "Kosova B".  Procesi i zhvendosjes është zvarritur për shkak të pakënaqësive të banorëve më kushtet që u janë ofruar për zhvendosje. Abide Mjeku, është banore fshatin Shipitullë. Ajo për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nuk ka nënshkruar marrëveshje me Korporatën Energjetike të Kosovës, për shkak se është e pakënaqur me vlerësimin për kompensim që u është bërë tokave dhe shtëpisë se saj. "Nëse shtetit po i duhet energji elektrike për krejt Kosovën, normalisht që ne dalim nga këtu, por edhe ata duhet ta paguajnë këtë. Nëse ne dalim nga këtu, qysh jetojmë pa pasur kushte. Kërkojmë tokë, qysh marrin ata tokë nga ne, kërkojmë shtëpinë të na ndërtojnë dhe të na punësojnë. Këtu po i marrin milionat e ne të dalim pa asgjë ... kemi fëmijë dhe na duhen paratë", thotë ajo. Për më gjatë se një dekadë, banorët që jetojnë afër termocentraleve të KEK-ut, prodhimi i të cilave varet nga thëngjilli, jetojnë në një ambient të kontaminuar nga pluhuri, ndotjet industriale, zhurma dhe problemet e vazhdueshme me zhvendosjen. Por, investimet në objekte ndërtimore kanë vazhduar dhe vazhdojnë ende.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kaliforni: Zgjidhet me para çështja e heqjes së mbulesës

Posted: 11 Aug 2017 05:29 AM PDT

Një qytet në Kaliforni do të paguajë 85,000 dollarë për ta zgjidhur një proces gjyqësor, të nisur nga një grua myslimane, sipas së cilës policia i ka larguar me forcë mbulesën. Grupi për të drejtat e islamit, Këshilli për marrëdhëniet amerikano-islamike (CAIR), ka njoftuar për marrëveshjen. Ky grup, ka thënë se ka paditur qytetin Long Beach, pasi Kirsty Powell, ka thënë se "oficerët policorë i kanë hequr me forcë mbulesën përpara disa meshkujve dhe dhjetëra të arrestuarve", pasi ajo ishte arrestuar në maj të vitit 2015. Sipas Poëell, një grua afrikano-amerikane, "detyrimi që i është bërë për të qëndruar tërë natën pa mbulesë, për të ka qenë traumatike". Padia e bërë nga Powell, ka shtyrë Departamentin Policor në Long Beach, të braktisë politikën, sipas së cilës grave të burgosura u ndalohet përdorimi i mbulesave fetare. Asistent avokati i qytetit, Monte Machit, i ka thënë Los Angelos Times, se sipas politikave të reja, policia mund t'i largojë mbulesën një gruaje të burgosur, " në rastet kur është e nevojshme siguria e stafit policor", mirëpo duhet të largohet nga një grua në detyrë dhe larg gjinisë mashkullore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Franca vëren rrezik minimal nga vezët e kontaminuara

Posted: 11 Aug 2017 04:57 AM PDT

Gati, 250,000 vezë të kontaminuara me insekticidin, fipronil, kanë arritur në dyqanet e Francës dhe shumica prej tyre tani edhe janë konsumuar, ka thënë Ministria e Fermave në Francë, duke shtuar se kanë vërejtur rrezik minimal nga ky incident. "Nivelet e tashme të kontaminimit nuk përbëjnë ndonjë rrezik për konsumatorët, ka thënë kjo ministri, duke cituar një hetim nga Agjencia franceze per Shëndet dhe Siguri, e cila ka vërejtur "shumë pak" rrezik. "Mirëpo derisa është evituar rreziku për konsumin njerëzor, hetimet tashmë kanë nisur për fermat e pulave dhe vendet ku prodhohen vezët, është thënë tutje nga kjo ministri. Miliona vezë të pulave janë larguar nga tregjet evropiane, për shkak të prezencës së insekticidit fipronil, i cila është zbuluar nga shumë vende në Evropë. Ky insekticid, i cili përdoret për trajtimin e kafshëve shtëpiake nga insektet, është i ndaluar në zinxhirin ushqimor dhe deri më tash policia holandeze ka arrestuar dy persona, gjatë hetimit për të kuptuar se prej nga rrjedh ky kontaminim. Autoritetet franceze kanë identifikuar më parë pesë fabrika të procesimit të ushqimit të cilat kanë pranuar vezë të kontaminuara nga Belgjika dhe Holanda. Komisioneri evropian, i ngarkuar për sigurinë e ushqimit, ka thënë sot se ka thirrur një takim të ministrave, dhe vëzhguesve kombëtarë, për të disktutuar rreth kësaj çështje.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kapaciteti i raketave të Koresë Veriore

Posted: 11 Aug 2017 04:17 AM PDT

Pheniani pretendon se raketat e tij mund të arrijnë në Guam, territorin e SHBA-së në Paqësor, 3.400 km larg.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Migrantët e “ngujuar” në kufirin Serbi-Kroaci

Posted: 11 Aug 2017 03:29 AM PDT

Rreth 100 migrantë janë duke qëndruar në një kamp afër qytetit serb Sid, që gjendet në kufi me Kroacinë. Këta migrantë, shumica prej të cilëve janë nga Afganistani dhe Pakistani, nuk janë regjistruar në asnjërin prej 18 kampeve zyrtare dhe qendrave të pritjes. Ata po flenë në fushat e grurit dhe po frikësohen se do të mbeten të "ngujuar" në Serbi për vite, nëse ata shkojnë në kampe. Sipas shifrave zyrtare, rreth 4,500 persona janë regjistruar në qendrat për migrantë në Serbi. Shumë prej migrantëve kanë mbetur në territorin e Serbisë pasi vitin e kaluar u mbyll e ashtuquajtura "Rruga Ballkanike". Ata po shpresojnë që të kalojnë në Hungari apo Kroaci, që më pas të vazhdojnë rrugën e tyre për në vendet e Evropës Perëndimore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pakistan: Sharif vazhdon akuzat kundër Gjykatës Supreme

Posted: 11 Aug 2017 02:52 AM PDT

Kryeministri pakistanez i larguar nga pozita, Nawaz Sharif, e ka kritikuar Gjykatën Supreme të këtij vendi, për largimin e tij nga zyra për shkak të akuzave të mosdeklarimit të pasurisë. Ai këto deklarata i ka bërë gjatë ditës së tij të dytë në të ashtuquajturin " karvanin e demokracisë", më 10 gusht. Sharif është ndalur gjatë natës në qytetin pakisanez, Jhelum, duke shënuar ndalesën e tij të tretë në rrugën nga Islamadabi për në Lahore, rrugëtim me të cilin ai tenton të tregojë se vazhdon të jetë popullor, pavarësisht detyrimit për t'u larguar nga pozita. Duke iu drejtuar më shumë se 10,000 mbështetësve, ai ka thënë se ky vendim i gjykatës ka qenë kundër dëshirës së popullit. "Mua më kanë larguar nga pozita brenda minutave", ka thënë ai. "Kjo nuk është fyerje për një kryeministër të zgjedhur, por për miliona votues", ka shtuar tutje Sharif. Ai ka thënë se e ka ndërgjegjën e "pastër", sa i përket akuzave kundër tij. Sharif e ka lansuar "karvanin" e tij, pavarësisht shqetësimeve të këshilltarëve rreth sigurisë së tij. Ai ka arritur të ketë afër vetes, mijëra persona gjatë rrugëtimit të tij, ndonëse numri ka shënuar rënie, derisa ai ka arritur në Jhelum. Nawaz Sharif, është detyruar të largohet nga zyra me vendim të Gjykatës Supreme në Pakistan, pas akuzave për korrupsion, të cilat kanë dalur, pas publikimit të të ashtuquajturave, Letrat e Panamasë, më 2016.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump "falënderon” Rusinë për dëbimin e stafit diplomatik nga Moska

Posted: 11 Aug 2017 02:37 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka falënderuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për urdhrin e zvogëlimit të stafit diplomatik amerikan në Moskë, duke thënë se i ka ndihmuar në kostot e pagave. Trump i ka bërë këto deklarata para gazetarëve në Nju Xhërsi, derisa është duke kaluar pushimet në atë vend, mirëpo ka folur për herë të parë, për vendimin e muajit të kaluar të presidentit Putin. Një vendim i tillë po konsiderohet në mesin e zvogëlimeve më të mëdha diplomatike, në mes të ish-rivalëve të Luftës së Ftohtë. Komentet e Trumpit kanë ardhur pas vazhdimit të hetimeve për lidhje të mundshme në mes rusëve dhe fushatës presidenciale të Trumpit, hetim i cili po përcillet me ngritje të tensioneve. Trump ka thënë se ka qenë "i befasuar" kur e ka kuptuar se është duke u hetuar edhe ish-shefi i fushatës së tij, Paul Manafort, për këto dyshime rreth lidhjeve ruse. Gazetarët e kanë pyetur Presidentin nëse është duke bërë shaka, se e konsideron ndihmesë, masën hakmarrëse të Putinit për të reduktuar për 755 stafin diplomatik, pasi me këtë hap, Trump do të përmbushte objektivin e tij për shkurtim të buxhetit. "Dua ta falënderoj atë, pasi ne jemi duke tentuar të shkurtojmë kostot e pagave", ka thënë Trump. "I jam shumë falënderues Putinit që vendosi të largojë një numër të madh të njerëzve, sepse tani kemi më pak njerëz në listën e pagave. Nuk kemi arsye t'i kthejmë mbrapa. Ne kemi kursyer shumë para", ka shtuar tutje Trump. Urdhri i presidentit Putin për zvogëlimin e stafit diplomatik amerikan në Rusi, ka qenë përgjigje e pritur gjatë, pas dëbimit të 35 diplomatëve rusë gjatë vitit të kaluar, në kuadër të një serie masash drejt Rusisë, për ta ndëshkuar atë, pas dyshimeve se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016. Presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama pati urdhëruar dëbimin e personelit dhe konfiskimin e pronave diplomatike në SHBA, pasi agjencitë e Inteligjencës amerikane patën ardhur në përfundim se Rusia ishte përpjekur për të rritur shanset për fitoren e Trumpit për president, duke publikuar dokumente, në dëm të kundërshtares së tij demokrate, Hillary Clinton. Këto hetime të Departamentit të Drejtësisë, për ndërhyrjet e mundshme ruse, i ka udhëhequr këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, i cili së fundmi ka mbledhur një Juri të Madhe për këtë çështje. Hetimet e ndara nga komitete të ndryshme të Kongresit për çështjen ruse, kanë ndikuar më pas në marrjen e një hapi historik nga Kongresi, i cili me shumicë votash, e ka miratuar legjislacionin për fuqizimin e sanksioneve kundër Rusisë. Presidenti Trump e ka nënshkruar pa dëshirë legjislacionin, duke përsëritur vazhdimisht se hetimet i cilëson si "gjueti shtrigash", të cilat në fund do të zbulojnë se nuk ka pasur asnjë lidhje në mes të fushatës së tij dhe Rusisë. Trump, ka thënë se është befasuar kur ka kuptuar për bastisjen e FBI-së në shtëpinë e ish-shefit të fushatës së tij, Paul Manafort, gjatë muajit të kaluar. "Ata e bëjnë këtë gjë shumë rrallë, jam befasuar kur kam parë atë", ka thënë Trump, duke shtuar se Manafort ka drejtuar fushatën e tij " për një periudhë të shkurtër kohore". "Mendoj se ky ka qenë një sinjal i fortë", ka shtuar tutje Presidenti. Manafort, hedh poshtë dyshimet se ka bërë diçka të jashtëligjshme, ndonëse ai ka lidhje me partinë e ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, që aktualisht jeton në ekzil në Rusi, pasi është larguar nga vendi i tij më 2014. Diplomatë dhe ish-diplomatë kanë mbetur të habitur nga deklaratat falënderuese të Trumpit ndaj Putinit, për zvogëlim masiv të stafit diplomatik amerikanë në Rusi. "Në rast se ka bërë shaka, atëherë ai e di më mirë", ka thënë Nicholas Burns, zyrtari i tretë më i lartë në udhëheqësinë e ish-presidentit republikan, George W. Bush. "Në rast se jo, kjo është e paparë më herët. Një President kurrë nuk e ka mbrojtur dëbimin e diplomatëve tanë", ka shtuar ai. Një diplomat aktual, duke folur në kushte anonimiteti, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, se stafi i departamentit ka qenë "i tmerruar dhe i tronditur", nga deklaratat e Trumpit. Ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Departamenti amerikan i Shtetit për këtë gjë. Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump "falënderon" Putinin

Posted: 11 Aug 2017 02:17 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka falënderuar homologun e tij rus, Vladimir Putin, që ka urdhëruar që qindra persona të stafit diplomatik të SHBA-së të largohen nga Rusia. Trump ka thënë se ai ka dashur edhe vet që të shkurtojë listën e pagave. Putin ka urdhëruar largimin e stafit të SHBA-së muajin e kaluar, në përgjigje ndaj dëbimit të 35 diplomatëve rusë nga SHBA-ja. Ata u larguan nga SHBA-ja, pas dyshimeve se Kremlini ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. (Video: AP)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia përbën kërcënim për amerikanët

Posted: 11 Aug 2017 01:39 AM PDT

Rezultatet e një sondazhi të fundit në Shtetet e Bashkuara, tregojnë se amerikanët e konsiderojnë Rusinë si kërcënim. Sondazhi i publikuar më 10 gusht, tregon se 90 për qind të respodentëve e cilësojnë Rusinë si kërcënim "shumë serioz", "mesatar" apo të "pakët", në krahasim me 10 për qind që mendojnë se Rusia nuk përbën aspak rrezik. Sondazhi është kryer përmes telefonit nga një kompani e pavarur e hulumtimeve, me 1,018 respodentë. Rezultatet kanë ndryshuar nga qershori i vitit 2009, të cilat tregonin se 68 për qind të amerikanëve e konsideronin Rusinë si kërcënim, derisa 31 për qind prej tyre si të parrezikshme. Një sondazh i vitit 1983 tregonte se 96 për qind të amerikanëve e shihnin Bashkimin Sovjektik si kërcënim. Sondazhi tregon se 59 për qind e amerikanëve nuk pajtohen më mënyrën se si presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është duke udhëhequr hetimet për ndërhyrjet e mundshme ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, në SHBA.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj: Kosova brenda 10 ditësh do ta ketë Qeverinë

Posted: 11 Aug 2017 12:33 AM PDT

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova brenda 10 ditëve të ardhshme do të ketë institucionet e reja. Haradinaj thotë se me mbështetjen e partisë politike Aleanca Kosova e Re, Kosova do të ketë një Qeveri gjithëpërfshirëse. Ai thotë se kandidati i vetëm për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është Kadri Veseli. Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit, pasi deputetët e koalicionit PAN nuk po paraqiten në seancë. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe pse nuk jeni prezent? Ramush Haradinaj:Në seancën e parë konstitutive u kërkua një pauzë. Ishte e nevojshme kjo pauzë për konsulta të ndërsjella edhe rreth kandidaturës edhe rreth votës, jo vetëm për kryetarin por edhe për trupat e tjerë të Kuvendit, nënkryetarët. Konstituimi i Kuvendit pa një dakordim të partive politike është i pamundur. Pra, dallon konstituimi i Kuvendit nga formimi i Qeverisë për shkak se është një formulë shumë strikte, që buron nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që vetëm koalicioni fitues ose forca fituese politike, që në këtë rast është PAN-i. Gjendja e krijuar është rezultat i një mosdakordimi nga partitë tjera, në këtë rast nga LVV dhe LAA, që të respektojnë këtë situatë ose këtë të drejtë të fituesit, që të votohet kryeparlamentari. Radio Evropa e Lirë: Ku qëndron tani problemi sipas jush. Ka pasur një periudhë bukur të gjatë kohore për t'u kryer konsultime. Ramush Haradinaj: Mendoj se tani ky është vullnet politik i Vetëvendosjes dhe i LDK-së. Pra, është në vullnetin e tyre që a të lejojnë një të drejtë që PAN-i e ka nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke marrë pjesë në votim. Pra, mos marrja pjesë në votim ose mosvotimi i kryeparlamentarit është bërë shkak i kësaj gjendjeje. Për fat, gjendja ka evoluar, pra nuk jemi në atë gjendjen e ngurtë. Është vërtetë e mirëseardhur, një pozicion i ri i AKR-së, edhe i zotit [Behgjet] Pacolli, një gatishmëri që t'i jepet edhe një afat kohor kësaj gjendjeje dhe një afat kohor të caktuar, për të zhbllokuar krijimin e institucioneve në vend, në këtë rast, konstituimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë. Radio Evropa e Lirë: A është i gatshëm koalicioni PAN të ndryshojë kandidatin e nominuar për kryetar Kuvendi? Ramush Haradinaj: Kandidati, është e drejt ekskluzive, kandidatura dhe përzgjedhja e kandidatit. Pra, nuk është ndonjë kategori përzgjedhja e kandidatit. Kushtetuta jonë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka paraparë të drejtën e koalicionit fitues që të kandidojë [kryetarin e Kuvendit]. Pra, ta quaj ashtu, interferimi në përzgjedhje nuk është e drejtë e partive tjera, është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve. Pra, nuk ekziston kategori kushtetuese ose nuk ekziston rregull e paraparë, që i jep të drejtën partive të tjera të interferojnë në përzgjedhje. E ka thënë gjykata, është e drejtë ekskluzive e PAN-it. PAN kishte mundur të vendosë, në një mënyrë apo në një tjetër, por e ka paraparë, e ka kandiduar zotin Veseli dhe ai është kandidati për kryetar Parlamenti. Radio Evropa e Lirë: Këto ditë keni pasur disa takime me deputetë të partive të tjera, që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, por edhe me kryetarin e AKR-së. Për çfarë është biseduar? Ramush Haradinaj: Tani, është vërtetë, është domethënëse, është një situatë e re, pozicioni i presidentit Pacolli, në këtë rast kryetarit të Aleancës Kosova e Re. Ai është deklaruar se e ndjen përgjegjësinë si AKR dhe si Behgjet për gjendjen në vend dhe që nuk dëshiron të rri duarkryq gjithë kohës pa vepruar. Pra, që do t'i japë një afat kohor zhbllokimit të institucioneve dhe do të veprojë. Kjo është një situatë e mirëseardhur dhe dihet mirëfilli se një situatë e tillë, një rol dhe platformë që e shprehu presidenti Pacolli, për një Qeveri gjithëpërfshirëse dhe një platformë qeverisëse janë interes i vendit sot, dhe ne jemi të hapur për këtë qasje të re të zotit Pacolli dhe e mirëpresim. Radio Evropa e Lirë: Do të thotë se keni marr një premtim nga AKR se do ta jap votën për kryetarin e Kuvendi dhe formimin e Qeverisë?  Ramush Haradinaj: Ajo që mund ta konfirmoj është një ndjenjë e përgjegjësisë nga vet zoti Pacolli, pra e ndjen përgjegjësisë që gjendja nuk mund të shkojë në pa kufi kështu. Nuk guxojmë të hyjmë në ato situatat e vitit 2014, e të vonesave pa kufi. Pra, ai e ndjen përgjegjësinë para popullit, vendit, para aleatëve të Kosovës dhe që zoti Pacolli dhe AKR nuk do të presin pa kufi për të ndihmuar në konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, po edhe t'i marrin përgjegjësitë. Vetë Pacolli e ka një përvojë të jashtëzakonshme në shumë çështje, qoftë në marrëdhënie me jashtë, qoftë temave ekonomike që është i njohur për këtë, po ka edhe kolegë të zotët dhe jam i bindur se ai do ta japë kontributin e vet edhe në konstituimin e institucioneve dhe qeverisjen në vend. Radio Evropa e Lirë: Deri më tash nuk keni dëshmuar se si koalicioni keni numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhjen e kryetari të Kuvendit dhe Qeverisë, derisa më herët e keni thënë se i keni votat. Çka po ndodh? Ramush Haradinaj: Kishte një lëkundje të caktuar në seancën e parë, pra edhe për ne ka qenë pak e habitshme gjendja. Na erdhi keq për gjendjen e krijuar në pjesën e parë të seancës konstituive. Ju thash dhe e kam përsëritur disa herë, se situata vetëm votë 61, nuk është e parealizuar dhe nuk është joreale çdo ditë, por i kemi dhënë edhe në të kaluarën përparësi një mundësie të një qeverisje me bazë më të gjerë. Për fat, po rezulton se kemi pasur të drejtë, pra për këtë se vet fakti se presidenti Pacolli, pra të AKR-së, flet se nuk janë shterur mundësitë ende që të kemi konstituimin e Kuvendit, që të kemi një Qeveri me bazë më të gjerë. Dhe mendoj se edhe koha që na ka humbur, nuk mund të quhet krejt kohë e humbur sepse po fitojmë me argumente, pra do të kemi institucione me bazë më të gjerë. Radio Evropa e Lirë: Pra, si do të veproni tash e tutje? Ramush Haradinaj: Tani është një situatë e ndjeshme. Kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, zoti Mikullovci është edhe ai në një situatë jo të lehtë, pra është një precedan, pra gjithë zhvillimi me seancën. Me gjasë ai nuk e vlerësoi drejt mbylljen e seancës, çka nënkupton mbyllja herën e parë. Tani jemi në tendencë ose në përpjekje që ta rikthejmë seancën. Seanca rikthehet pas dakordimit të partive politike, por nuk mund të kthehet njëanshëm. Dhe mendoj se duhet të shfrytëzohen konsultat për dakordim për seancë. Ka terren, pra në 10 ditë nga sot, ka terren për mbajtjen e seancës, por nxitimi edhe thirrja e seancës njëanshëm nuk është zgjidhje.  Radio Evropa e Lirë: Pra, kur mendoni që Kosova do t'i ketë institucionet e reja? Ramush Haradinaj: Tani besoj se është pak më e qartë gjendja. Pra, ka një reflektim të spektrit politik, ashtu siç e thash më herët, dhe besoj që në këto ditët që po vijnë, në këto 10 ditë do të jemi në gjendje që t'i marrim vendimet e duhura për të konstituuar Kuvendin, t'i zgjedhim organet e Kuvendit dhe njëkohësisht edhe formimin e Qeverisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Guterres dënon sulmin ndaj migrantëve në Jemen

Posted: 11 Aug 2017 12:17 AM PDT

Shefi i Kombeve të Bashkura, Antonio Guterres, ka thënë se është i shumë i "pikëlluar", pas lajmit se kontrabandistët i kanë hedhur rreth 300 migrantë në ujërat e bregdetit në Jemen,në dy incidente, gjatë dy ditëve të fundit. Të paktën 56 migrantë janë gjetur duke luftuar me vdekjen në këtë incident, derisa dhjetëra të tjerë janë ende të zhdukur. Kontrabandistët, pas zbulimit të anijeve, i kanë hedhur nga varkat e tyre në ujë, rreth 180 migratë nga Etiopia dhe Somalia, gjatë ditës së enjte, një ditë para se të bënin të njëjtën gjë edhe me 120 persona të tjerë. Shumica e migrantëve kanë qenë të rinj, që po kërkonin punë në vendet e Gjirit Arab. Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), ka thënë se nga incidentet, disa nga të identifikuarit kanë qenë të vdekur, disa të gjallë, në plazhet e Jemenit. Guterres ka bërë thirrje për aksion ndërkombëtar për të ndaluar kontrabandistët dhe për të kërkuar rrugë ligjore për migrantët. Agjencia për Migrim ka thënë se mesatarisht, 55,000 migrantë janë larguar nga Afrika për në Jemen, vetëm nga fillimi i këtij viti.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump vazhdon paralajmërimet për Korenë V.

Posted: 10 Aug 2017 11:23 PM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se deklarata e tij për Korenë Veriore se "do të përballet me zjarr dhe tërbim" nëse e kërcënon SHBA-në, nuk ka qenë "mjaftueshëm e ashpër". Duke biseduar me gazetarët, derisa është në pushime në Nju Xhërsi, Trump ka thënë, se derisa ai është në gjendje për të negociuar, Penjani, duhet të jetë "jashtëzakonisht i shqetësuar", nëse tenton t'i bëjë diçka SHBA-së. "Koreja Veriore bën mirë që të vetëkontrollohet, ose do të jetë në telashe, ashtu si shumë pak vende kanë mundur të jenë ndonjëherë", ka thënë Trump. Koreja Veriore, ka thënë se ka kompletuar planin, ashtu që gjatë mesit të muajit gusht, të jetë e gatshme për nisjen e raketave me rreze të mesme afër territorit Guam, i cili është territor i ushtrisë amerikane në Oqeanin Paqësor. Trump ka thënë se lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, " ka treguar mosrespekt të madh për vendin tonë. Ai ka thënë gjëra të tmerrshme". "Hajde ta shohim se çka do të bëjë në Guam", ka thënë Trump. "Nëse ndodh diçka atje, Korenë Veriore e pret diçka që bota nuk ka parë më herët", ka thënë ndër të tjera ai. Pak kohë pas deklaratave të presidentit Trump, ka folur edhe Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Jim Mattis, duke thënë se vendi është i gatshëm për përballje me Korenë Veriore, mirëpo Uashingtoni preferon të zgjidh problemet përmes negociatave sepse çdo luftë do të ishte "katastrofike".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kina përballet me rritje drastike të kancerit në mushkëri

Posted: 10 Aug 2017 10:43 PM PDT

Kina është duke u përballur me një rritje të shpejtë të rasteve me kancer në mushkëri gjatë 10-15 viteve të fundit, duke konsideruar ajrin e ndotur si një prej fajtorëve për këtë gjendje, ka raportuar China Daily, duke cituar zyrtarë mjekësorë. Ekspertë të Akademisë së Kinës për Shkenca Mjekësore, kanë thënë se numri i rasteve të kancerit në mushkëri është duke u rritur drastikisht, duke përshirë edhe ata që nuk konsumojnë duhan. Në Kinë, konsiderohet të jenë rreth 300 milionë konsumues të duhanit, mirëpo raporti tregon se si kanceri që po zhvillohet në thellësi të mushkrive, nuk ka të bëjë me efektet e duhanit. Kina përballet me nivele të jashtëzakonshme të ajrit të ndotur, derisa edhe organizata të ndryshme në botë, i kanë bërë thirrje këtij vendi për marrjen e masave. Sipas një studimi të publikuar gjatë këtij viti, në një revistë shkencore të Britanisë së Madhe, thuhet se Kina do të mund të parandalojë vdekjen e parakohshme të 3 milionë personave, në rast se do t'ju përmbahej udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për ngritjen e cilësisë së ajrit. Sipas të dhënave të fundit, në Kinë vetëm gjatë vitit 2015, kanë qenë rreth 4.3 milionë pacientë të rinj me kancer, duke përfshirë 730,000 me kancer në mushkëri.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump: Irani po shkel "shpirtin" e marrëveshjes së "tmerrshme"

Posted: 10 Aug 2017 10:02 PM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përsëritur edhe një herë se Irani nuk është "duke iu përmbajtur shpirtit" të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke e cilësuar atë si "marrëveshje të tmerrshme". "Nuk mendoj se janë duke iu përmbajtur shpirtit të marrëveshjes", u ka thënë Trump, gazetarëve në Nju Xhërsi, ku është duke kaluar pushimet. "Unë personalisht nuk besoj se po veprojnë në përputhje me marrëveshjen, mirëpo kemi kohë, do ta shohim. Mendoj se do të shihni zbatimin e gjërave shumë të fuqishme, nëse ata nuk veprojnë në pajtim me paktin", ka shtuar tutje ai. Sipas kësaj marrëveshje, Iranit i janë lehtësuar sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të zvogëlimit të aktivitetit bërthamor. Agjencitë për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, në kuadër të OKB-së dhe SHBA-së, kanë thnë se Irani ka respektuar marrëveshjen. Mirëpo liderët amerikanë vazhdojnë ta akuzojnë këtë vend për "shkelje të shpirtit të marrëveshjes", duke iu referuar lansimit të raketave balistike, me kapacitet për të bartur koka bërthamore. Ndonëse SHBA e ka sanksionuar për këto programe, Irani vazhdon të mbrojë aktivitetet, duke thënë se janë për qëllime të vetëmbrojtjes.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now