“Iran: Arrestohen 27 persona të lidhur me Shtetin Islamik” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Iran: Arrestohen 27 persona të lidhur me Shtetin Islamik” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Iran: Arrestohen 27 persona të lidhur me Shtetin Islamik

Posted: 07 Aug 2017 10:20 AM PDT

Irani ka njoftuar, se ka arrestuar 27 militantë të lidhur me grupin ekstremist, Shteti Islamik, të cilët kanë planifikuar kryerjen e sulmeve në këtë vend. Ministria e Intelegjencës, ka thënë se militantët janë identifikuar gjatë shkëmbimeve të intelegjencës me një shtet të rajonit. Ajo nuk ka përmendur emrin e shtetit apo se kur janë arrestuar militantët. Ministria ka thënë, se 10 prej tyre janë ndaluar dhe dërguar në Iran, derisa 17 të tjerë janë arrestuar në Republikën Islamike. Sipas kësaj ministrie, pesë prej tyre, kanë planifikuar sulme terroriste në qendër të rajoneve shiite të Iranit, derisa 12 të tjerë i kanë mbështetur drejt sulmit. Grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për dy sulmet e 7 qershorit në parlamentin e Iranit dhe tempullin e Ayatollah Ruhollah Khomeini në Teheran

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Disa vende të Ballkanit i nisin ultimatum Kroacisë

Posted: 07 Aug 2017 09:51 AM PDT

Katër vende të Ballkanit, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, i kanë bërë thirrje Kroacisë të tërheqë vendimin për rritjen dramatike të tarifave për importimin e disa produkteve bujqësore, duke kërcënuar se do të hakmerren. Të katër vendet i kanë nisur sot ultimatum Kroacisë, pas një takimi që është mbajtur me zyrtarë qeveritarë të këtyre vendeve në Sarajevë. Ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajic, ka thënë se fqinjtë e Kroacisë "nuk dëshirojnë të hyjnë në spiralen e masave dhe kundërmasave". Mirëpo ai ka shtuar se ata "do te detyrohen ta bëjnë atë", në rast se Kroacia nuk i kthen tarifat e mëparshme deri në fund të javës. Serbia, Bosnia, Maqedonia dhe Mali i Zi nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, për dallim prej Kroacisë, e cila i është bashkuar bllokut më 2013.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Renault nënshkruan marrëveshje 660 milionë euro me Iranin

Posted: 07 Aug 2017 09:20 AM PDT

Prodhuesi francez i automjeteve, Renault ka nënshkruar marrëveshje me Iranin në vlerë 660 milionë euro. Sipas kësaj marrëveshje është planfikuar të hapen 3,000 vende të punës për dy kompanitë e përfshira, njëra shtetërore dhe një tjetër private. Marrëveshja është nënshkruar pas dy viteve,prej kur Irani dhe fuqitë botërore u pajtuan që Teherani të ulte programin e uraniumit, duke lehtësuar shqetësimet e mundësisë së zhvillimit të armëve bërthamore në këtë vend. Sipas kësaj marrëveshje, Iranit iu ofrua heqja e sanksioneve të OKB-së dhe BE-së, në këmbim të uljes së kapacitetit bërthamor. Për dallim nga konkurenti PSA, i cili krijon llojet e makinave si Peugeots dhe Citroen, Renault asnjëherë nuk është larguar nga tregu iranian, pavarësisht sanksioneve. Sipas marrëveshjes së re, makinat e para do të fillojnë të prodhohen në një periudhë kohore prej 18 muajsh. Në fazën e dytë e cila do të nisë më 2019, planifikohet të prodhohen 300,000 automjete brenda vitit. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Tehrean, ministri i Industrisë, Mohammad Reza Nematzade, ka thënë se marrëveshja "do të krijojë qendrën e krijimit dhe zhvillimit të dizajnit" në këtë vend. "Kjo marrëveshje e përbashkët do të mundësojë rritjen tonë në këtë shtet", ka thënë drejtori ekzekutiv i Renault, Thierry Bolloré. Aktualisht Irani prodhon rreth 1,350,000 automjete brenda vitit. Në këtë vend gjenden rreth 30 kompani të tilla, shumica e të cilave prodhojnë vetura koreane dhe kineze. Kompanitë franceze kanë qenë në qendër të përpjekjeve për të rregulluar marrëdhëniet me Iranin prej marrëveshjes bërthamore, pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkura për ta izoluar këtë vend.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Del Ponte kritikon OKB-në për Sirinë

Posted: 07 Aug 2017 08:25 AM PDT

Ish prokurorja për krime lufte, Carla Del Ponte, ka thënë se do të largohet nga komisioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Siri, me arsyetimin se i njëjëti "nuk po bën asgjë". "Jam shumë e frustruar, heq dorë", i ka thënë Del Ponte, gazetës Blick, gjatë një interviste. "E kam shkruar letrën e dorëheqjes dhe do ta dërgojë brenda disa ditësh", ka shtuar tutje ajo. "Shtetet e Këshillit të Sigurimit nuk duan drejtësi. Nuk do të vazhdojë të jem pjesë e një komisioni, i cili nuk bën asgjë", ka thënë ndër të tjera Del Ponte. Del Ponte, ka shërbyer si prokurore në tribunalet për krime ndërkombëtare për të hetuar mizoritë në Ruandë dhe ish Jugosllavi. Ajo ka thënë, se krimet në Siri kanë qenë më të mëdha se ato në Ruandë apo ish-Jugosllavi, dhe ka kritikuar Këshllin e Sigurimit për dështim të emërimit të një paneli për krimet e luftës në Siri. Bazuar në të dhënat e Observatorit Sirian, thuhet se në luftën gjashtëvjeçare në Siri, kanë vdekur më shumë se 330,000 persona, duke përfshirë 99,617 civilë. Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, mbështesin disa grupe rebele që luftojnë kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, i cili përkrahet nga Rusia dhe Irani.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA dhe Koreja Jugore bashkohen kundër Koresë V.

Posted: 07 Aug 2017 07:39 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, janë pajtuar përmes një bisede telefonike, të shtojnë maksimalisht presionin ndaj Koresë Veriore, pas premtimit të Penjanit për avancimin e arsenalit bërthamor. Përmes një deklarate të ndarë, Shtëpia e Bardhë, ka thënë se dy liderët "janë pajtuar se Koreja Veriore përbën kërcënim direkt", për shumicën e vendeve në botë. Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka votuar në mënyrë unanime më 5 gusht, për t'i vënë sanksione të reja Penjanit, duke i bërë presion të ndalojë programin bërthamor. Rusia dhe Kina, ndonëse mbështetëse për një kohë të gjatë të Koresë Veriore, kanë votuar në favor të sanksioneve. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, i ka quajtur sanksionet si, "pakoja më e madhe me sanksione ekonomike e drejtuar ndonjëherë kundër Koresë Veriore". Për më shumë, SHBA-ja, Australia dhe Japonia, i kanë bërë thirrje sot komunitetit ndërkombëtar t'i bëjë presion Koresë Veriore, të ndalojë "veprimet provokative" dhe të zbatojë masa diplomatike dhe ekonomike mbi Penjanin për testimet e raketave. Koreja Veriore ka premtuar se do të hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një deklaratë të lëshuar sot nga qeveria e Koresë Veriore është thënë se sanksionet janë "shkelje e sovranitetit", e cila është shkaktuar nga SHBA-ja me qëllim të izolimit të këtij vendi. Në deklaratë thuhet se sanksionet e OKB-së kurrë nuk do të mund ta detyrojnë vendin të diskutojë rreth programit bërthamor, apo t'i jap fund përpjekjeve për fuqizim të kapaciteteve nukleare. Gjatë muajit të kaluar, Penjani ka testuar dy raketa balistike interkontinetale, në kuadër të përpjekeve për të arritur në çdo pjesë të territorit të SHBA-së.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Në kërkim të ndërhyrjes së Presidentit

Posted: 07 Aug 2017 07:29 AM PDT

Përveç një takimi këshillues që është caktuar për të mërkurën dhe caktimit të datës për vazhdimin e seancës më 10 gusht, nuk është parë ndonjë iniciativë tjetër nga askush, për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e krijimit të institucioneve. Deri sa vazhdojnë mosmarrëveshjet mes partive politike, që nuk bien dakord të zgjedhin kryetarin e ri të organit ligjvënës, analistët politikë mendojnë se Presidenti i vendit është ai i cili duhet të marrë nismën për gjetjen e një zgjidhjeje. Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pozicionimi dhe qëndrimet e partive politike rreth gjendjes së tanishme, nuk japin shpresa se mund të arrihet një konsensus politik për tejkalimin e situatës. Ai mendon se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të thërras drejtuesit e partive politike dhe të mos humbet kohë. "Në kushte normal do të duhej të ishte Presidenti sepse edhe me Kushtetutë ai e ka detyrën e sigurimit të mbarëvajtjes së shtetit kur kemi kriza të tilla. Po duke pas parasysh që zoti Thaçi vjen nga subjekt politik partiak, në këtë rast PDK-ja, kam dyshimin që partitë tjera të cilat e kundërshtojnë PDK-në nuk e kanë besimin të zoti Thaçi, i cili do të mund të luajë një rol neutral në këtë rast për tejkalim nga kriza", tha Ibrahimi. Megjithatë, ai thotë se partitë politike duhet ta dinë se në sistemin parlamentar dhe zgjedhor të cilin e ka Kosova, pa një kompromis nuk mund të shkohet përpara, marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve. Ibrahimi ndërkaq shprehet se në rast se nuk do të ketë zgjidhje të problemeve, mund të ketë edhe ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar. "Duke u nisur nga kjo, mbetet që faktori ndërkombëtar të mund të luajë një rol, mirëpo kemi parë që edhe faktori ndërkombëtar në katër pesë vitet e fundit nuk ka pasur apetit për tu kyçur në situata të tilla. Pra, u mbetet fatkeqësisht, në fund të fundit, partive politike që të mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të tejkalohet kjo. Apo ndoshta të shkohet edhe në zgjedhje, por prapë nuk mendoj se zgjedhjet do të sjellin një rezultat që do të lehtësonte formimin e institucioneve. Pra, është një situatë ku pa u arritur një lloj kompromisi mes partive politike nuk shoh se si mund të dilet nga kjo gjendje", tha Ibrahimi.  Analisti tjetër politik, Shkëlzen Maliqi, thotë se nga ajo që shihet në Kuvendin e Kosovës, bllokues të proceseve janë të gjitha partitë politike, derisa vendosin kushte dhe nuk lëshojnë pe. Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë, se meqenëse ka vonesa e bllokime në formimin e institucioneve të reja, duhet të ketë dialog ndërmjet partive politike. Edhe ai mendon se për të mos hyrë në një krizë të thellë politike, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet t'i ftojë partitë politike për të biseduar. "Iniciativën duhet ta marrë ndoshta Presidenti, që të zhvillojë konsultime dhe ta përshpejtojë procesin, sepse nuk ka më kuptim të vonohen ose të kushtëzohen këto dy procese [konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë]", vlerëson Maliqi. Derisa e përjashton mundësinë e zgjedhjeve si një opsion për të dalë nga kjo gjendje, analisti Maliqi thotë se tani edhe mund të ndodhë që koalicionet parazgjedhore të mos jenë ashtu siç kanë qenë deri më tash. "Është edhe një mundësi tjetër që të shpartallohen këto konfiguracionet parazgjedhore, të kemi një lëvizje të lirë që disa subjekte të ndahen prej koalicioneve paraprake dhe të negociojnë ndërmjet vete, ndoshta mundet që ndonjë konfiguracion tjetër të japë ose ta bëjë Qeverinë", konsideron Maliqi. Brenda pak vitesh në Kosovë janë duke u përsëritur krizat të ngjashme politike dhe vonesa rreth krijimit të institucioneve të reja pas mbajtjes se zgjedhjeve. Analistët thonë se kjo tregon që Kosova si shtet ende nuk po mund të dëshmojë se mund të bëj veprime të rëndësishme për vete. Edhe qytetarët mendojnë se për të dalë nga kjo situatë duhet të ketë marrëveshje ndërmjet vet partive politike që kanë fituar të drejtën për të qene pjesë e Kuvendi të Kosovës. Qazim Imer nga Prishtina, i cila ka punuar në Fakultetin e Bujqësisë, mendon se duhet të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kriza rreth krijimit të institucioneve të reja. "Më e mira është që forcat politike të merren vesh, mirëpo ne shqiptarët të tillë jemi, nuk lëshojmë pe. Mendoj se përsëri do të ulen do të bisedojnë dhe do të gjejnë ndonjë zgjidhje se çdo hap tjetër na çon kah e keqja. Nëse nuk lëshon pe askush, duhet të shkohet në zgjedhje të lira. Edhe Presidenti është i përfshirë në këto gjëra, qoftë direkt ose indirekt. Ka elemente që është involvuar direkt", tha Imeri. Kurse, Besa Hoxha thotë se një zgjidhje shumë e mirë do të ishte ndryshimi i udhëheqësve politikë në vend. "Një zgjidhje është që të gjithë komplet këta të japin dorëheqje dhe të vijë një strukturë tjetër. Kurse, Presidenti është fajtori kryesor", tha shkurt Hoxha. Pas pothuajse dy muajsh që prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Kuvendi më 3 gusht nisi seancën konstituive. Në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN është shtyrë konstituimi i Kuvendit, pasi në seance nuk janë paraqitur deputetët e këtij koalicioni.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lista Serbe do të marrë pjesë në seancën e 10 gushtit

Posted: 07 Aug 2017 07:05 AM PDT

Deputetët e Listës Serbe kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se do të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës që është thirrur më 10 gusht. Igor Simiq, deputet dhe zëdhënës i Listës Serbe tha se "ne këmbëngulim se ky proces duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur". Simiq ka shtuar se do të veprojnë në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se votojnë për Kadri Veselin ose cilin do kandidat nga koalicioni PAN që propozohet për kryetar të Kuvendit. "Unë personalisht mendoj që është në pyetje një lojë politike me të cilën po parandalohet formimi i institucioneve", ka thënë Simiq. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Koalicioni PAN: Vendimi i kryesuesit për thirrjen e seancës është arbitrar

Posted: 07 Aug 2017 06:56 AM PDT

Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovë, i njohur si koalicioni PAN, vendimin e kryesuesit për thirrje e seancës për 10 gusht e kanë quajtur arbitrar. Në një komunikatë për media të këtij koalicioni, thuhet se PAN shpreh shqetësim për vendimin arbitrar të kryesuesit të seancës konstituive për vazhdimin e kësaj seance në ditën e enjte. "Me këtë vendim të njëanshëm, kryesuesi i seancës konstituive është vënë në shërbim të plotë vetëm të një subjekti politik, duke shkelur edhe parimin mbi të cilin ka ndodhur takimi i kaluar konsultues mes subjekteve politike parlamentare", thuhet në njoftim. Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, qëndrimin për vazhdimin e seancës konstituive do e jap pas takimit konsultativ të vendosur me pajtueshmëri mes shumicës së subjekteve politike për të mërkurën në orën 10:00. Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë ditën e enjte, më 10 gusht, thuhet në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sprova e zgjedhjeve lokale në Maqedoni

Posted: 07 Aug 2017 06:44 AM PDT

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni është duke punuar me intensitet për organizimin e zgjedhjeve lokale, të cilat u caktuan të mbahen më 15 tetor të këtij viti. Subhi Jakupi nga ky institucion, thotë se institucioni që përfaqëson me përkushtim po punon në drejtim të eliminimit të të gjitha anomalive të cilat ishin vënë në pah nga faktori ndërkombëtar. "Nga dita e sotme, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është duke mbajtur takime permanente për të realizuar, në bazë të dinamikës së përcaktuar, të gjitha obligimet". "Mendoj se kësaj radhe ky komision do të jetë shumë më i përgatitur, krahasuar me proceset e tjera zgjedhore, meqë kemi pasur kohë të mjaftueshme si institucion për t`i përmirësuar dhe shmangur tërësisht të gjitha anomalitë që kanë ndjekur proceset zgjedhore, dhe veçanërisht çështjen e distacimit të këtij institucioni nga politika", thotë për Radion Evropa e Lirë, Subhi Jakupi nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Por nga asociacioni CIVIL, i cili ka ndjekur shumë procese zgjedhore në Maqedoni, theksojnë si më problematike shfrytëzimin e resurseve shtetërore për fushatë dhe korrupsionin politik, si dhe presionet në forma të ndryshme ndaj trupit elektoral. Xhabir Deralla,drejtues i këtij asociacioni thotë se sfida më e madhe për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve mbetet pastrimi i listës së votuesve nga të ashtuquajturit votues fantom. "Për fat të keq, lista e votuesve gjatë proceseve të kaluara zgjedhore nxiti mosbesimin e qytetarëve, sa i përket procesit zgjedhor dhe rezultatet që u prodhuan". "E dini se në listën e votuesve figuronin një numër i madh i votuesve të ashtuquajtur votues fantazmë dhe nga ana tjetër, një numër i madh i qytetarëve, të cilët dëshironin të votojnë nuk figuronin fare. Obligim i shtetit është t'i mundësojë çdo qytetari të drejtën për të votuar dhe gjithsesi shumë e rëndësishme është të dihet se sa është numri i qytetarëve me të drejtë vote, dhe të eliminohen të gjithë votuesit fiktivë", thotë Deralla. Partitë politike kanë thënë se janë të gatshme për tu futur në garë zgjedhore, duke theksuar se përgatitjet i kanë filluar që para shpalljes së zgjedhjeve, por ata nuk i kanë shpalosur emrat e kandidatëve me të cilat do të garojnë. Njohësit e çështjeve politike thonë se zgjedhjet lokale të 15 tetorit shihen si test, në veçanti për partitë politike maqedonase, të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare dolën pothuajse me rezultat të barabartë. Përderisa, tek partitë politike shqiptare, sfidë do të parqet ajo se partitë e reja, të cilat për herë të parë garuan në zgjedhjet parlamentare dhe siguruan mandate, do të arrijnë të sigurojnë drejtimin e komunave. Arsim Sinani thotë se këto zgjedhje lokale janë më një rëndësi të veçantë, për shkak se rezultati i zgjedhjeve do të përcaktojë dhe të ardhme e kësaj përbërje qeveritare. "Këto zgjedhje lokale do të jenë një fushëbetejë politike mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe VMRO-DPMNE-së, për të parë se çfarë numrash kanë. Realisht pritet që LSDM-ja ta sfidojë VMRO-DPMNE-në", thotë ai. "Në anën tjetër, në korpusin politik shqiptar do të kemi një betejë të ashpër mes partive politike shqiptare, pasi zgjedhjet e kaluara nxorën me shumë relevancë tri subjekte politike, Bashkimin Demokratik për Integrim, Lëvizjen Besa dhe Lëvizjen për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare", shton Sinani. Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi të dielën bëri të ditur se zgjedhjet lokale do të mbahen më 15 tetor, në 82 komuna të vendit si dhe në qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Partitë politike 'mbyllin sytë', nuk paguajnë gjobat

Posted: 07 Aug 2017 06:11 AM PDT

Asnjë parti politike në Kosovë nuk do të mund të garojë në zgjedhjet lokale, nëse deri më 22 gusht nuk shpaguhen gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Për shkelje të kodit të mirësjelljes, partitë politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, ishin gjobitur nga PZAP me rreth 350 mijë euro. Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se asnjëra nga subjektet politike nuk ka shlyer të gjitha borxhet. "Në bazë të një vendimi, të gjitha subjektet të cilat janë dënuar nga PZAP, afatin për pagesën e gjobave e kanë pasur deri më 15 dhjetor, por që tani pasi që jemi në prag të zgjedhjeve lokale, afati i fundit për të bërë pagesën është 22 gushti. Subjektet politike të cilat dëshirojnë të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale nuk mund të certifikohen pa i paguar gjobat", ka thënë Desku. Deri më tani, ka shtuar Desku, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, (koalicioni PAN), ka paguar vetëm rreth 12 mijë euro nga mbi 150 mijë euro sa është gjobitur, kurse subjektet tjera nuk kanë paguar asnjë gjobë. Desku ka thënë se pas datës 22 gusht do të angazhojë përmbarues privatë për të gjitha gjobat të cilat mund të mbesin të papaguara nga subjektet politike. "Do të presim datën 22 gusht, nëse këto borxhe nuk shlyhen do të fillojmë menjëherë paralajmërimin e subjekteve politike apo koalicioneve që nuk i kanë shlyer borxhet, dhe pastaj të gjitha lëndët do t'i dërgojmë tek zyra e përmbaruesit privat, pastaj përmbaruesi privat do të ketë punë për t'i përmbaruar apo arkëtuar këto gjoba", ka theksuar Desku. Afati i aplikimit për certifikim të subjekteve politike për zgjedhjet lokale në Kosovë ka filluar, dhe pritet të mbyllet më 22 gusht. Zëdhënësit i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri më tani asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për certifikim. "Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale është 22 gushti, deri në këtë datë subjektet politike duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për kryetar të komunave dhe për kuvende komunale, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë aplikim, por ka pasur interesim për mundësinë e aplikimit për tu certifikuar për pjesëmarrjen në këto zgjedhje", thotë Elezi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shtuar ai, do të pret aplikimet nga ana e subjekteve politike dhe pastaj do të shqyrtohen, do të bëhen rekomandimet dhe KQZ vendos për certifikim. Autoritetet në vend thonë të kenë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më datën 22 tetor 2017. Zgjedhjet lokale do të mbahen në 38 komunat e Kosovës dhe ato pritet të zgjedhin kryetarët e rinj të komunave dhe përbërjet e reja të asambleve komunale.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Banorët rikthehen në qytetin e shkatërruar sirian

Posted: 07 Aug 2017 06:00 AM PDT

Lufta civile në Siri ka shkatërruar komunitetet në gjithë vendin, duke përfshirë edhe qytetin verior Morek. Një armëpushim i kohëve të fundit, ka inkurajuar disa banorë që të rikthehen në shtëpitë e tyre.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusi: Nga zjarri në një shtëpi humbën jetën 9 vetë, përfshirë 5 fëmijë

Posted: 07 Aug 2017 05:42 AM PDT

Autoritetet e Rusisë thonë se pesë fëmijë janë në mesin e nëntë personave, që kanë humbur jetën nga zjarri në një shtëpi sot herët në mëngjes në Republikën Bashkortostan. Ministria rajonale e shëndetësisë ka njoftuar se zjarri kishte shpërthyer në një shtëpi në fshatin Uguzevo, aty kah ora 2 e mëngjesit të sotëm. Zjarrfikësit i shpëtuan tre njerëz, dy prej të cilëve janë dërguar në spital. Zjarri u fik aty kah ora 6:30 në mëngjes. Dega rajonale e Komitetit Hetues të Rusisë ka njoftuar se një defekt në telat elektrikë ka mundur ta shkaktoj zjarrin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Isa Mustafa i ka emëruar katër ministra të rinj

Posted: 07 Aug 2017 05:20 AM PDT

Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, i ka emëruar katër ministra të rinj në Qeverinë e Kosovës. "Në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kryeministri Mustafa e ka emëruar Ministër të financave, zëvendësministrin e deritashëm, Agim Krasniqi, Ministre të kulturës, rinisë dhe sportit, shefen e deritashme të stafit në kryeministrit, Vlora Dumoshi, Ministër të infrastrukturës, zëvendësministrin e deritashëm, Hanefi Muharremi, dhe Ministër të punës dhe mirëqenies sociale, zëvendësministrin e deritashëm, Safet Kamberi", thuhet në komunikatën për media të zyrës se kryeministrit. Vendimin për emërimin e ministrave të rinj, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, e ka bërë pasi ministrat e deritashëm janë zgjedhur deputetë në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Ministrat e rinj do të shërbejnë deri në themelimin e Qeverisë së re të Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës më 10 gusht

Posted: 07 Aug 2017 05:06 AM PDT

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë ditën e enjte, më 10 gusht, thuhet në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të Kuvendit, janë në rend dite, gjatë vazhdimit të seancës. Pas pothuajse dy muajsh prej mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në Kosovë, Kuvendi më 3 gusht e filloi seancën konstituive, por dështoi që ta përfundoj me sukses. Në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN është shtyrë konstituimi i Kuvendit për 4 gusht, por as në këtë ditë deputetët e këtij koalicioni nuk morën pjesë në seancë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Udhëheqësja e lartë e kundërshtoi një vlerësim për femra në Google

Posted: 07 Aug 2017 04:08 AM PDT

Udhëheqësja e lartë e kompanisë Google e ka kundërshtuar një koment të brendshëm nga një nëpunës, ku sugjerohet se femrat nuk përparojnë në punët teknike për shkak të dallimeve biologjike. Danielle Brown, e cila para pak javësh është emëruar zëvendëspresidente e gjigantit Google, tha se kjo kompani është "e qartë në besimin tonë se diversiteti dhe gjithpërfshirja janë kritike për suksesin tonë", raporton agjencia AP, duke u mbështetur në kopjen e deklaratës së saj, e cila ishte siguruar nga faqja në Internet për lajme teknologjike, Gizmondo. Në memorandumin e një nëpunësi të titulluar "Dhoma Ideologjike e Përsëritjes në Google" fillon duke thënë se vetëm me diskutim të sinqert mund të shqyrtohet mungesa e barazisë. Por, në këtë dokument, po ashtu, konstatohet se femrat "preferojnë të punojnë në fushat sociale dhe artistike", derisa meshkujt "mund të dëshirojnë të kodojnë, pasi kjo kërkon sistemim". Ky koment ka shkaktuar debat të tensionuar për seksizëm në të ashtuquajturën Silicon Valley. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trupat turke në ushtrime të përbashkëta me ato të Katarit

Posted: 07 Aug 2017 02:26 AM PDT

Katari ka mbajtur sot manovra ushtarake së bashku me pjesëtarët e armatës së Turqisë, duke treguar për një aleancë strategjike, dy muaj pas bojktotit nga disa shtete arabe, që e kanë akuzuar Katarin për mbështetje të terrorizmit. Këto ushtrime kanë për qëllim përgatitjen e ushtrisë së Katarit për t'i mbrojtur "kapacitetet vitale ekonomike, strategjike dhe të infrastrukturës", ka raportuar gazeta, Al-Sharq, që është nën kontroll të shtetit. Parlamenti i Turqisë më 7 qershor e pat miratuar legjislacionin e jashtëzakonshëm për lejmin e qindra ushtarëve që me shpejtësi të vendosen në një bazë ushtarake në Katar, në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 2014, për të treguar mbështetje për Katarin. Ushtrime të ngjashme ushtarake janë mbajtur edhe muajin e kaluar. Në Katar gjendet edhe baza më e madhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara në rajon. Turqia është rreshtuar me Katarin, pasi Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni, i kanë ndërprerë lidhjet diplomatike dhe ato të transportit, meqë e kanë akuzuar Dohën se e mbështet terrorizmin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Afganistan: Përkundër sulmeve, IS-i po dëshmon qëndrueshmëri

Posted: 07 Aug 2017 02:18 AM PDT

Fushata këmbëngulëse aktuale ajrore dhe tokësore kundër një grupi të afërt me Shtetin Islamik (IS) në Afganistan, nuk duhket se në mënyrë radikale e ka dëmtuar aftësinë e këtij grupi miliant nga zgjerimi gjeografik në këtë vend të përfshirë nga lufta, kanë thënë analistët, të cilët nga Radio Evropa e Lirë janë pyetur për ta vlerësuar progresin kundër kapacitetit të tillë të radikalëve në Afganistan. Forcat amerikane dhe afgane kanë ndërmarrë një fushatë këmbëngulëse për shkatërrimin e Shtetit Islamik në Khorasan (ISIS-K), prej se kjo degë e IS-it është paraqitur në vitin 2015, ndërsa Uashingtoni dhe Kabuli kanë pretenduar se nga fushata e tyre janë vrarë qindra militantë dhe komandantë, përfshirë dhe liderët e tyre. Por, spekulimet për shkatërrimin e këtij grupi dolën se janë të parakohshme, pasi ai u zgjerua në së paku pesë provinca afgane; nga Nangarhari, Kunari dhe Nuristani në lindje, e deri te Javzjani në veri dhe Ghori në perëndim. ISIS-K ka vazhduar, po ashtu, të ndërmarrë një varg të sulmeve të profilit të lartë që duket se për cak i kanë kryesisht anëtarët e komunitetit shiitë, Hazara. Raporohet se presidenti Trump është i irrituar Zyrtarët ushtarakë amerikanë pohojnë se grupi është në tërheqje, megjithqë në raportet e javës së fundit pretendohej se presidenti amerikan, Donald Trump, i irrituar, aktualisht u ka thënë zyrtarëve të tij të lartë se "ne nuk po fitojmë... ne po humbim" në luftën në Afganistan, nga grupet militante, siç janë talibanët, al-Kaida dhe ISIS-K. Analistët thonë se ISIS-K as nuk është grup monolit, e as zgjatje direkte e grupit ekstremist, Shteti islamik (IS), në Irak dhe Siri, dhe ai më tepër përfaqëson një aleancë të grupeve të ndara nga talibanët afganë dhe pakistanezë, me elemente të grupeve militante rajonale, siç është Lëvizja Islamike e Uzbekistanit (IMU) dhe grupi, Lashkar-e Jhangvi, me seli në Pakistan. Sipas analistëve, këto grupe thjesht e kanë ndryshuar emrin e tyre për të marrë fonde dhe për ta përsëritur suksesin e militantëve të Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme. Grupi ISIS-K është "shumë i qëndrueshëm" "Grupi është dëshmuar me fleksibilitet të jashtëzakonshëm në Afganistan, pasi ai doli nga rajoni dhe ka operuar atje për një kohë të gjatë", thotë Ahmad K. Majidyar, ekspert për Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme. Mëtutje, ky analist konsideron se nuk është koincidencë që ISIS-K ka dalur gjatë ofensivës ushtarake të armatës së Pakistanit, që ka filluar në vitin 2014, me ç'rast janë përzënë një mori e grupeve militante nga hapësirat fisnore të trazuara të Pakistanit, në pjesën lindore të Afganistanit, ku ISIS-K i ka krijuar selitë e veta. Zëdhënësi i NATO-s në Afganistan, William K. Salvin, kapiten amerikan, i tha Radios Evropa e Lirë se ISIS-K "është në ikje në Afganistan" dhe ka shtuar se numri i militantëve të këtij grupi ka rënë në afro 1 mijë vetë, nga 3 mijë, megjithqë ka pranuar se grupi i ka zgjeruar aktivitetet e veta në pjesën perëndimore dhe veriore të Afganistanit. Në muajin prill të këtij viti, ushtria e Shteteve të bashkuara në Afganistan, e ka hedhur bombën masive të tipit GBU-43/B, e cila konsiderohet se është "nëna e të gjitha bombave", në përpjekje për t'i shkatërruar strehimet e Shtetit Islamik në një kompleks të tuneleve dhe bukerëve, në pjesën lindore të provincës Nangarhar. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thanë se bomba i ka vrarë më se 90 militantë, megjithqë luftimet në këtë hapësirë kanë vazhduar. Militantët zhvendosen nga Lindja e Mesme Qëndrueshmëria e luftëtarëve të grupit, ISIS-K, në Afganistan ka shkaktuar shqetësime për rrjedhjen e mundshme të militantëve nga Siria dhe Iraku në Afganistan. Aktualisht ka pak dëshmi për zhvendosjen e militantëve nga Siria dhe Iraku, megjithqë zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes së Afganistanit, gjeneral Dawlat Waziri, tha së fundit se qeveria ka vëzhguar rritje të numrave të luftëtarëve të jashtëm dhe armatimit, që kanë hyrë në Afganistan. Michael Kugelman, ekspert nga Qendra Woodrow Wilson në Uashington, thotë se ka arsye të besohet se disa luftëtarë të Shtetit Islamik po depërtojnë në Afganistan nga Lindja e Mesme, pasi atje janë shkatërruar bazat ku ishin strehuar. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Eklips i pjesërishëm i Hënës, para eklipsit të plotë të Diellit

Posted: 07 Aug 2017 12:44 AM PDT

Një eklips i pjesërishëm i Hënës do të mund të shihet sot në pjesën më të madhe të Hemisferës Lindore, që do të jetë hyrje në eklipisn total diellor, pas dy javësh mbi Shtetet e Bashkuara. Eklipsi i pjesërishëm i Hënës do të jetë i dukshëm në pjesë të Evropës, Afrikës, Azisë dhe Australisë, ndërsa kulmi do të jetë në mbrëmje, në orën 20:20 minuta sipas kohës së Evropës së Mesme. Eklipsi i pjesërishëm i Hënës bëhet kur Toka lëvizë ndërmjet Diellit dhe Hënës. Ekspertët thonë se personat e interesuar fillimisht do ta shohin një skuqje të pjesërishme të Hënës, kur të filloj eklipsi. Eklipsi i Diellit zakonisht ndodhë pas eklipsit të Hënës, kryesisht dy javë më vonë. Në Shtetet e Bashkuara më 21 të këtij muaji do të mund të shihet eklipsi total i Deillit, një dukuri që ndodhë kur Hëna kalon ndërmjet Tokës dhe Diellit, duke e bllokuar krejtësisht dritën diellore dhe duke shkaktuar errësirë për pak minuta. Ky do të jetë eklipsi i parë total diellor në 99 vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara, thonë shkencëtarët.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Venezuelë: Ushtria thotë se u shkatërrua një sulm “terrorist”

Posted: 06 Aug 2017 11:41 PM PDT

Ushtria e Venezuelës thotë se e ka shkatërruar një sulm "terrorist" në një bazë në qytetin Valencia, duke i vrarë dy kryengritës dhe zënë tetë të tjerë. Ushtria tha mbrëmë se sulmi ishte udhëhequr nga një dezertor i armatës me lidhje në Shtetet e Bashkuara dhe Kolumbi. Sipas ushtrisë, elementet brenda ushtrisë kishin udhëhequr kryengritje kundër sundimit të presidentit, Nicolas Maduro. Në fjalimin televiziv, zoti Madura tha se një ushtarak i zënë kishte "dhënë informacione aktive dhe se ekzistojnë dëshmitë prej shtatë civilëve të arrestuar". Zyrtarët thanë se 20 kryengritës ishin të përfshirë në këtë sulm. Venezuela ka rrëshqitur në krizë të thellë politike dhe eknomike, me rritje të tensioneve pas lëvizjes së Maduros për konsolidimin e sundimit të tij, pas disa muajve të protestave kundër qeverisjes së tij.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pence: Përgënjeshtrohet raporti se do të garoj për president në vitin 2020

Posted: 06 Aug 2017 11:23 PM PDT

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, e ka përgënjeshtruar një raport, ku sugjerohej se ai po e përgatit terrenin për konkurrim të mundshëm për president në vitin 2020. Në kumtesën e publikuar dje, zoti Pence tha se raporti në të përditshmen, New York Times, "është i turpshëm dhe ofendues". Ai theksoi se akuzat në këtë artikull ishin "kategorikisht të rrejshme" dhe se ekipi i tij do të "fokusohet në përpjekje për avancimin e agjendës së presidentit, Donald Trump, dhe për ta parë rizgjedhjen e tij në vitin 2020". Në artikullin e gazetës jepeshin detaje të përpjekjeve të disa republikanëve, ku shikohej kah viti 2020, me ç'rast parashihej një "fushatë në hije". Mëtutje, New York Times ka shkruar se Pence tashmë "kishte aluduar te donatorët partiakë se ai do të planifikonte të garonte, nëse zoti Trump nuk do ta bëntë këtë gjë".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now