“Gjermania kthen azilkërkuesit” plus 9 more Lajmi i Fundit

“Gjermania kthen azilkërkuesit” plus 9 more Lajmi i Fundit


Gjermania kthen azilkërkuesit

Posted: 07 Aug 2017 07:48 AM PDT

Gjermania është e vendosur t'i dërgojë azilkërkuesit në Greqi, edhe pse qendrat e pritjes atje janë të mbipopulluara dhe ka vonesa në procesimin e kërkesave. Në bazë të një vendimi të vitit 2011 nga Gjykata Kushtetuese, Gjermania i kishte pezulluar të tilla rikthime, por në Konventën e Dublinit të Bashkimit Europian thuhet se një kërkesë për azil duhet procesuar në vendin e BE ku emigranti ka hyrë për herë të parë.

Ministri grek i emigracionit Ioannis Mouzalas tha se vendi kishte rënë dakord për pranimin e disa azilkërkuesve në shenjë të vullnetit të mirë, teksa ka patur presion nga disa anëtarë të BE-së për të vepruar kështu.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm gjerman u shpreh për mediat vendase se në fund të korrikut, i ishte kërkuar Greqisë të rimerrte 392 azilkërkues. Sipas raportit, transfertat në Greqi do të prekin vetëm emigrantët që kanë mbërritur në Gjermani në mes të marsit 2017.

Në periudhën 2015-2016, Gjermania pranoi më shumë se 800,000 emigrantë dhe refugjatë, shumë prej të cilëve ishin larguar nga luftërat në Afganistan, Irak dhe Siri.
Në atë kohë, Greqia e cila haste në vështirësi për shkak të krizës financiare, u ankua se nuk mund të përballonte të ardhurit që zbarkonin në vend nga Turqia.
Kushtet mbeten të vështira në shumë nga qendrat greke të pritjes dhe ka patur protesta nga emigrantët e zemëruar me vonesat burokratike, citon oranews.

Pezullohen policët rrugorë në Durrës, i denoncoi një shqiptar nga Kosova

Posted: 07 Aug 2017 07:43 AM PDT

Dy efektivë policie të qarkullimit rrugor në Durrës janë pezulluar nga puna pas një rasti të bërë publik në median online ku një qytetar nga Kosova pretendoi se i kanë kërkuar rryshfet.

Policia sqaron se mjetit i është vënë një masë adminsitrative nga patrulla e policisë. Dy efektivët e pezulluar janë identifikuar me inicialet I.SH dhe I.V.

Policia informon se për veprime të mëtejshme cështja është dërguar pranë Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit për evidentimin dhe marrjen e masave përkatëse.

Trubulenca e frikshme në aeroplan, 10 pasagjerë përfundojnë në spital

Posted: 07 Aug 2017 07:38 AM PDT

Turbulencat gjatë një fluturimi transkontinetal me linjën ajrore American Airlines nga Athina në Filadelfia të shtunën, ishin aq shumë ekstreme saqë 10 pasagjerë përfunduar në spital.

Njerëzit në avion u përplasën në tavan si rezultat i lëkundjes së madhe të avionit ndrësa ulej nga një lartësi e madhe në pistë. Për fat të mirë të gjithë ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Nuk dihen akoma shkaqet që çuan në këtë incident që mund të kishte përfunduar në tragjesi, raporton ABC News.

Bartomeu: Barcelona do bëhet më e fortë me paratë që fituam nga Neymar

Posted: 07 Aug 2017 07:23 AM PDT

Josep Maria Bartomeu ka folur për herë të parë pas nënshkrimit të Neymar te PSG-ja. Ai e ka bërë këtë gjë në Kongresin Botëror të Përkrahësve të Barcelonës.

"Neymar është pjesë e historisë. Ai donte të largohej. Çdo gjë e ka një kufi dhe askush nuk mund të jetë mbi klubin. Ne njoftuam transferimin në UEFA. Donim ta parandalonim largimin e Neymar, prandaj kishim vendosur një klauzolë shumë të shtrenjtë. Parizienët arritën ta paguajnë klauzolën, lojtari u largua nga Barcelona dhe ne tashmë jemi duke punuar për të gjetur zëvendësuesin.

Nëse do të qëndronte, ne do të mbanim një lojtar të madh. Ne jemi një klub me 118 vjet histori, me lojtarë të mëdhenj, me mbi 140,000 anëtarë, kemi partnerë të shumtë, por nuk jemi sheikë apo oligarkë. Ne si klub kemi Leo Messin si shembull.

Angazhimi dhe besnikëria e tij duhet të jenë pikë referimi, apo Andres Iniesta. Leo Messi, futbollisti më i mirë ndonjëherë, do të mbetet lider i ekipit tonë. 222 milionët e marra nga shitja e Neymar JR do të përmirësojnë trashëgiminë tonë."

Moti, i nxehti përvëlues, ja çfarë temperaturash parashikohen nesër

Posted: 07 Aug 2017 07:16 AM PDT

Shqiperia ynë është "pushtuar" nga i nxehti ku temperaturat i kanë kaluar 40 gradë. Edhe ditën e nesërme temperaturat do të vijojnë të jenë përvëluese.

Sipas një parashikimi të motit nga Emergjencat Civile, mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot i kthjellët dhe tepër i nxehtë, si dhe vranësira të pakta deri mesatare në mesditë përgjatë zonave malore në lindje të vendit.

Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:

Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në 19°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 38°C.

Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në 20°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 41°C.

Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në 22°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 38°C.

Kupa e Europës, bastet favorizojnë Real Madridin

Posted: 07 Aug 2017 07:05 AM PDT

Real Madridi dhe Manchester United do të përplasen në Shkup për Super Kupën e Europës të martën në orën 20:45.

Kompanitë e basteve favorizojnë madrilenët në këtë sfidë duke e kuotuar me një koeficient më të ulët fitoren e tyre ndaj “djajve të kuq”.

Bet365 e kuoton me 1.91 fitoren e madrilenëve, kurse atë të Manchester United me 3.80 ndërkohë që barazimin me 3.75.

Dyndje në spitale, mbi 100 raste në ditë në Infektiv

Posted: 07 Aug 2017 06:56 AM PDT

Temperaturat e larta por jo vetëm kanë rritur numrin e personave me infeksione gastro-intestinale në urgjencën e Shërbimit Infektiv. Çdo ditë, 100 deri në 120 vetë i drejtohen kësaj urgjence me probleme të ndryshme të aparatit tretës.

"Vijnë me shqetësime si diare, të vjella e temperaturë. Është një numër i shtuar që mbingarkon personelin e urgjencës, pasi janë mbi 100 raste që paraqiten çdo ditë", deklaron profesor doktor Arjan Harxhi.

Nisur nga shifra e lartë, por dhe problematika që shfaqin pacientët, mjekët thonë se shkak kryesor është uji i pijshëm dhe konsumimi i ushqimeve të cilat nuk ruhen mirë higjenikisht.

"Bëhet fjalë për nivel të ulët të higjenës dhe të përpunimit e ruajtjes së ushqimeve. Pra, rrugët janë qoftë përmes ujit kur është i kontaminuar, qoftë përmes ushqimeve që janë paraprakisht të kontaminuara", thotë Harxhi.

Harxhi u bën apel qytetarëve të bëjnë kudjes me ushqimet e përpunuara, apo ruajtjen e higjenes në ambjentet familjare ku i gatuajnë ato, apo në përzgjedhjen e ambienteve kur konsumojnë ushqim jashtë shtëpisë. Por ai ka dhe një mesazh për autoritetet shëndetësore.

"Kur nuk jemi të sigurtë se uji që pijmë nga rubineti është i pastër, ai duhet të zjehet ose të konsumohet ujë i ambalazhuar. Vëmendje duhet edhe sa i takon cilësisë së ushqimit, si përpunohet si ruhet apo si gatuhet. Inspektoriatet e ndryshme, apo politikbërësit duhet t'i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj situate, sidomos në kohë sezonesh", shton Harxhi.

Por nuk janë të pakta dhe rastet kur të sëmurët paraqiten në urgjencën e Shërbimit Infektiv, kur fare mirë mund t'i drejtohen mjekut të tyre të familjes./tch

Përgjimet e trafikantëve të drogës, Berisha ‘zbulon’ emrin: Ja kush është i madhi që merrte paratë

Posted: 07 Aug 2017 06:50 AM PDT

Ish-kryeministri Sali Berisha pasi ka marrë shkas nga përgjimet e trafikantëve të drogës të bëra publike dy ditët e fundit, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Drejtorin e Policisë Haki Çako si të përfshirë. Në përgjime dilte biseda për një person të fuqishëm në Tiranë, për të cilin trafikantët shpreheshin se "Këto pako me para, janë për më të madhin në Tiranë".

Sipas Berishës, të mëdhenjtë janë narko-çakot dhe më i madhi fare Noriega, emri me të cilin ka 'pagëzuar' kryeministrin Rama.

STATUSI I BERISHËS
Me i madhi në Tiranë është Noriega, të tjerët janë më të vegjël se ai!
Të dashur miq, përgjimet e fundit të shërbimeve inteligjente, të trafikanteve të lumit të drogës që vërshon drejt Italisë, kanë zbuluar se ata, shuma të mëdha parash ndajnë me të "mëdhenjtë" pra me narko-çakot dhe me "më të madhin fare" në Tiranë, i cili është një dhe vetëm një; Noriega dhe vetëm Noriega!

Më poshtë keni shkrimin dhe tekstin e zbardhjes së përgjimeve të trafikantëve! sb

"Trafikonin tonelata drogë me avion: Këto pako me para, janë për më të madhin në Tiranë!
Dhjetëra tonelata droge që kapet në Itali, Greqi, e shtete të tjera, të cilat kanë si pikënisje Shqipërinë ashtu siç kanë deklaruar edhe shërbimet inteligjente ndërkombëtare, trafikantët kanë bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë shqiptarë.

Gati në të gjitha përgjimet e trafikantëve të kanabisit në bisedat e tyre flitet për lidhje me zyrtarë të lartë në Tiranë, apo drejtues kryesorë të policisë. Rasti më i fundit është ai i grupit të trafikantëve të Vlorës, që u kapën në vitin 2015 pasi u zbulua se përdornin një avion sportive, për ta trafikuar hashashin nga Shqipëria drejt Italisë.

Në trafik rezultoi i përfshirë edhe një shef policie, por trafikantët flasin për njerëz "të mëdhenj", madje për "të madhin fare" në Tiranë.
Përgjimet janë kryer me anë të një aparati të vendosur në makinën e Sokol Burhamajt, organizatorit të trafikut, por edhe me metoda të tjera. Një pjesë e tyre, që është zbardhur tregon pikërisht lidhjet e trafikantëve me zyrtarë të lartë që u garantonin qetësinë për të kultivuar plantacione të tëra me kanabis.

Ky grup trafikantësh u zbulua falë një hetimi të policisë italiane për dy familje shqiptare, Lamaj dhe Hametaj, që trafikonin drogë me avionë nga Vlora në Brindisi, referohet Panorama". Familja Lamaj përdorte një avion "Aeropakt A22S", në të cilin autoritetet italiane arritën të vendosin një përgjues.
Mjete përgjimi u vendosën edhe në tre makina tip "Audi" që përdoreshin nga trafikantët.

Operacioni i koduar me emrin "Fluturimi i Lirë" nisi më 24 gusht me arrestimin nga autoritetet italiane të Vilson Lamajt dhe të italianit Italo Loreto. Ata po zbrisnin në një pistë të braktisur në komunën e Ostunit avionin me 128 kilogram kanabis që e kishin marrë në zonën e Lumit të Vlorës.

Përgjimi i datës 10 korrik 2015
Nga përgjimet ambientale në automjetin "Audi A3" me targë DL … NH, më datë 10 korrik 2015, ora 02:23 rezulton një bisedë mes Fatos Burhamajt (Lamajt) dhe Sokol Burhamajt.

Fatosi: I kanë thënë për një person shumë të madh në Tiranë, më i madhi.
Sokoli: Eh, ka marrë 50.000 euro. I ka marrë njëri që ishte atje… ca persona të tretë që kishin dhjetë parcela, 1 mijë a 3 mijë rrënjë kishin vetëm atje.

Ndërsa më 7 gusht 2015 dy vëllezërit Sokol Burhamaj (Lamaj) dhe Vilson Lamaj flasin për sasinë që do të mbillet. Në bisedën e tyre flitet sërish për implikimin e zyrtarëve të shtetit.

Sokoli: Do të bëhen stallat me rresh me ternita. Vetëm ne do të qëndrojmë atje. 5 – 6 persona me kallash. Do të bëjmë 10 mijë rrënjë. I vendos të thahen atje ku janë bletët. Unë them të bëjmë 1 ton. 10 mijë rrënjë bëjmë 10 ton hashash. Janë 10 ton hashash, vëlla.

Vilsoni: Janë shumë punë or mik
Sokoli: Një ton ia japim shtetit dhe të tjerat i kemi për vete.
Vilsoni: Këtij i duhen mbushur xhepat mirë në mënyrë që të thotë "aaa, po, kam xhepat plot".
Sokoli: Po çfarë të të thotë tjetër shteti ty.

Vilsoni: Të themi 10-20 mijë rrënjë të vogla dhe më pas kalojmë nga e madhja. 7 – 8 persona dhe çdonjëri ka punëtorin e vet në kopsht.

Nga hetimet nuk rezulton që ata t'i kenë përmendur me emra zyrtarët e lartë. Ndërkohë që hetimet e prokurorisë zbardhën edhe rolet e secilit prej anëtarëve të grupit të ndarë në dy pjesë, në Shqipëri dhe Itali.

Pas zbardhjes dhe këtij publikimit të këtij përgjimi të palës italiane, pyetja shtrohet; kush është ky zyrtar në Tiranë, "Më i madhi".

Dy makina përplasen “ballazi” në rrugën e Rinasit, dëshmitë: Ka disa të plagosur

Posted: 07 Aug 2017 06:46 AM PDT

Një aksident rrugor ka ndodhur ditën e sotme në rrugën e Rinasit, ku kanë mbetur të plagosur disa persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, teksa një automjet tip "Benz A-Class" është përplasur me një tjetër makinë "Benz" model 220.

Si pasojë e përplasjes njëri nga mjetet ka përfunduar në një fushë në anë të rrugës, ndërsa mjeti tjetër në kanal.

Dëshmitë e para nga vendngjarja thonë se nga aksidenti kanë mbetur të plagosur disa persona, të cilët janë dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Dyshohet se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e lëvizjes së mjeteve. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Policia greke gjen një arsenal armësh në kufi. Trafikantët ‘zhduken’ drejt Shqipërisë

Posted: 07 Aug 2017 06:09 AM PDT

Një sasi e madhe armësh e municionesh është zbuluar nga policia greke në kufi me Shqipërinë. Sipas informacioneve, arsenal i armëve është gjetur në kufirin e gjëlbër greko-shqiptar, pranë Qafe-Botës.

Mësohet se janë sekuestruar:
3 kallashnikovë me 7 krehra;
11 granata;
33 ndezës;
5 kallëpe tritoli me peshë totale 1 kg 5 gram;
1 kuti me 10 ndezësa granate;
1593 fishekë të kalibrit 7.62 X 39 mm.

Ky municion po transportohej nga 3 shtetas me çanta të cilët sapo kanë parë policinë janë futur me shpejtësi në tokë shqiptare duke e hedhur arsenalin e armëve.