“Gaxherri flet për raportet me VV-në, zgjedhjet e reja dhe idenë e Pacollit për qeveri gjithëpërfshirëse” plus 1 more Gazeta Tribuna

“Gaxherri flet për raportet me VV-në, zgjedhjet e reja dhe idenë e Pacollit për qeveri gjithëpërfshirëse” plus 1 more Gazeta Tribuna


Gaxherri flet për raportet me VV-në, zgjedhjet e reja dhe idenë e Pacollit për qeveri gjithëpërfshirëse

Posted: 24 Aug 2017 10:08 AM PDT

Lidhja Demokratike e Kosovës është duke kërkuar zgjidhje për daljen nga kriza institucionale e cila po vazhdon që nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Besa Gaxherri, deputete e LDK-së, në një intervistë për "Indeksonline" ka thënë se partitë që kishin kërkuar zgjedhje, PDK, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, e kanë për obligim t`i krijojnë institucionet.

Ajo ka theksuar se LDK nuk është pro zgjedhjeve të reja, meqë ato vetëm sa do ta thellonin edhe më tej krizën në vend.

"LDK-ja para këtyre zgjedhjeve ka qenë subjekti i vetëm që nuk ka kërkuar zgjedhje. Ne po mundohemi t`i krijojmë normalitet këtij vendi, që mos t`i japim mundësi grupeve të njerëzve që me kërku dhe me shpallë zgjedhje kur t`iu konvenojnë grupeve. Përveç shpenzimeve buxhetore, është edhe shpenzimi i kohës që është shumë e dëmshme për vendin. Nëse nuk kemi pjekuri politike do vimë në krizë edhe më të madhe", ka deklaruar ajo.

Gaxherri ka rikujtuar vendimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i cili doli me qëndrimin se nuk do bëjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti që përbëhet në koalicion me të.

AAK e Nisma "bllok" PDK-së

Megjithatë, ajo ka thënë se edhe AAK-ja dhe Nisma mund të reflektojnë dhe të gjitha partitë të bashkohen, pa PDK-në.

Lidhur me kërkesën e partnerit të LDK-së në koalicion, Behgjet Pacollit të AKR-së që të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse, Gaxherri e ka quajtur këtë një "absurditet të llojit të vet".

"Qeveria gjithëpërfshirëse ndoshta do të kishte mundur të ndodhë për një afat 6 mujor apo 1 vjeçar sa për t`i përgatitë zgjedhjet e reja parlamentare. Nuk mund të funksionojë në një shtet demokratik, një qeveri gjithëpërfshirëse. Ky është absurd i llojit të vet", është shprehur ajo.

Përplasja VV dhe LDK

Kujtojmë se sot, Avdullah Hoti i LDK-së ka kërkuar nga Vetëvendosje që të japë përgjegjësi për gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend në qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa.

Lidhur me këtë, Gaxherri ka komentuar raportet mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, duke thënë se ata kanë filozofi krejt ndryshe nga LDK-ja.

Por, Gaxherri nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për një marrëveshje me këtë parti, teksa ka shtuar se dialogu me ta mund të vazhdojë.

"Me Vetëvendosjen duhet shumë kompromise me bë sepse programi i VV-së, filozofia dhe sjellja e VV-së është shumë ndryshe nga LDK-ja. Prandaj ne nuk kemi mundur me e konsumu tërësisht kohën për të dialoguar me VV-në sepse kemi pritur që PAN-i mos i ka bë votat, siç ka deklaruar prej 3 korrik që i ka numrat. Kjo ka qenë një lojë shume e keqe prej tyre. Ne ende nuk i kemi shtjerrë mundësitë për të dialoguar me VV-në", ka sqaruar ajo për "Indeksonline".

Deklarimin e PAN-it në seancën e sotme se nuk i kanë votat për ta propozuar kandidatin e tyre, Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, Gaxherri e ka quajtur "lojë të keqe" të këtij koalicioni.

The post Gaxherri flet për raportet me VV-në, zgjedhjet e reja dhe idenë e Pacollit për qeveri gjithëpërfshirëse appeared first on Gazeta Tribuna.

Pacolli: AKR nuk do t’i kontribuoj ngërçit për interesa të VV-së e LDK-së

Posted: 24 Aug 2017 05:39 AM PDT

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, ka reaguar edhe njëherë pas seancës sotme, e cila përfundoi pa sukses. Pacolli ka insistuar se zgjidhja e vetme për tejkalimin e situatës krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse.

Pacolli përmes një postimi në 'Facebook', ka apeluar tek LDK dhe Vetëvendosje qe të gjejnë zgjidhje, dhe të krijojnë qeverisjen alternative.

AKR-në thotë se do ta kenë në dispozicion, por ka paralajmëruar se në mungesë të kësaj zgjidhje, katër deputetët e AKR-së nuk do të konsiderohen më vetëm si numra duke pritur dhe kontribuar ngërçit për interesat e tyre.

"Unë dhe AKR duam zgjidhje urgjente, ngase jemi në anën e qytetarit dhe Kosovës", ka shkruar ndër të tjera Pacolli në 'Facebook'.

Postimi i plotë i Pacollit:

Seanca e sotme ishte thjesht një shprazje e urrejtjes, mllefit mes liderëve partiakë, duke u tallur me popullin. Po më dhimbset rinia, qytetari, ata që jetojnë mes halleve.

Po humb Kosova, po humb ekonomia e Kosovës, po i humbasim miqtë dhe ata qe besuan në shtetndërtimin tonë. Unë si shumë të tjerë, kemi investuar shumë në shtetndërtim dhe miqë dhe jam i legjitimuar mos të qëndroj duerkryq. Kështu nuk ndërtohet shteti.

Kështu nuk i kontribuohet Kosovës. Jam aq i dëshpruar sa në seanca si këto, pjesëmarrja ime do të jetë në pikëpyetje.

Sot seicili prej liderëve po tenton me qenë në majat e shtetit, si kryeparlamentar, kryeministër, ministër, me kapë pushtetin. Nuk u kursyen as me treguar se çdo të bëjnë në momentin kur të marrin pushtetin.

Foltorja e institucionit u përdor si tribunë elektorale. AKR kërkon urgjent të krijohet një konsensus midis partive të opozitës, për krijimin e qeverisë së re dhe sa më shpejt të dilet me një platformë alternative qeverisëse për qytetarin e Kosovës. Nuk mund të vijohet në paqartësi.

Përndryshe altarnativa e fundit mbetët propozimi im për qeveri gjithëpërfshirëse për të cilen unë po insistoj prej dy muajsh. Jo vetëm që po më duket por është e vetmja zgjidhje. Duhet të lihen mënjanë interesat grupore, individuale, partiake e të punohët në favor të Kosovës.

Mosfunksionimi dhe mungesa e gatishmërise së dy partnerëve të opozitës për marrëveshje dhe fakti që ana tjetër nuk e ka shumicên e numrave nënkupton nevojën e koncensusit gjithpërfshirës për interesat e vendit.

Këtu po shihet se AKR edhe pse me pak deputet, duhet të veproj në zgjidhje e ngërqit dhe për këtë, edhe njëhere apeloj tek LDK dhe VV që të gjejnë zgjidhje, definojnë dhe të krijojnë qeverisjën alternative. AKR-në e kanë paluhatshëm në dispozicion, por në mungesë të kësaj zgjidhje, katër deputetët e AKR nuk do të konsiderohen më vetëm si numra duke pritur dhe kontribuar ngërqit, për interesat e tyre.

Unë dhe AKR duam zgjidhje urgjente, ngase jemi në anën e qytetarit dhe Kosovës.

The post Pacolli: AKR nuk do t'i kontribuoj ngërçit për interesa të VV-së e LDK-së appeared first on Gazeta Tribuna.