Tirana Observer: “Zyrtarët e FBI, në Tiranë” plus 9 more

Tirana Observer: “Zyrtarët e FBI, në Tiranë” plus 9 more


Zyrtarët e FBI, në Tiranë

Posted: 10 Jul 2017 10:24 AM PDT

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako priti në një takim ditën e sotme dy zyrtarë të FBI-së, ku u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me Policinë e Shtetit, ndërsa u theksua domosdoshmëria e forcimit akoma më shumë të bashkëpunimit me FBI.

Çako u takua me atasheun Ligjor të FBI-së, Jack Liao së bashku me zv/atasheun Michelle Miller dhe agjentin Special të Krimeve Kibernetike, Dustin Overby.

Përfaqësuesit e FBI-së janë oficerë rajonalë të kontaktit, me seli në Sofie – Bullgari, me përgjegjësi për marrëdhëniet e FBI-së me autoritetet shqiptare dhe bëjnë vizita të rregullta koordinuese për të diskutuar çështje me interes të ndërsjellët të zbatimit të ligjit.

Duke shprehur konsideratën e lartë , Zyra Ligjore e FBI-së kërkoi që takimin dhe prezantimin e parë ta bëjë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako.

Atasheu i FBI-së vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm të Policisë së Shtetit me FBI-në, luftën që po bën Policia e Shtetit kundër Krimit të Organizuar dhe terrorizmit.

Çako falenderoi atasheun e FBI-së për mbështetjen dhe besimin, si dhe theksoi angazhimin maksimal të Policisë së Shtetit me autoritetet e zbatimit të ligjit të SHBA – së për të shkëmbyer informacion në kohë reale mes dy institucioneve për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Çako dhe Liao theksuan domosdoshmërinë e forcimit akoma më shumë të bashkëpunimit mes FBI-së dhe Policisë së Shtetit.

Daçiç në Athinë: Duhet të bashkëpunojmë kundër influencës së faktorit shqiptar në rajon

Posted: 10 Jul 2017 09:55 AM PDT

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka deklaruar se Greqia dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë edhe për të përballuar influencën e faktorit shqiptar në Ballkan, pas takimit në Athinë me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias.

"Do të duhet të kemi një komunikim të rregullt dhe dinamik, për të shqyrtuar temat rajonale, por edhe lidhur me influencën e faktorit shqiptar në rajon", ka thënë Daçiç.

Ai ka komentuar edhe dëshirën e shqiptarëve për tu bashkuar në një shtet të vetëm:

"Mirëpo është e qartë se ka një politikë të intensifikuar të cilën e mbështesin politikanët shqiptarë.

Ata dëshirojnë realizimin e platformës së Lidhjes së Prizrenit, domethënë krijimin e një shteti të bashkuar shqiptar.

Kjo është me të vërtetë një kërcënim i madh për stabilitetin e rajonit, por edhe më gjerë të Europës."

Daçiç ka falenderuar edhe një herë Greqinë që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, kjo tregon mbështetjen e Greqisë ndaj Serbisë dhe integritetit territorial të saj.

Ballkani, shoqëria civile e dobët, institucione të dobta

Posted: 10 Jul 2017 09:22 AM PDT

Sarajevë – Forumi i 6-të i Shoqërisë Civile i Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Komiteti Europian Ekonomik dhe Social (KESE) në bashkëpunim me Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit (KBR), u hap sot në Sarajevë.

“Ekonomitë e fuqishme dhe të suksesshme kërkojnë shoqëri civile të forta dhe të gjalla. Shoqëria civile duhet të ketë zërin e tyre për reformimin dhe zhvillimin e shoqërive tona”, tha në hapjen e Forumit Sekretari i Përgjithshëm i KBR, Goran Svilanoviç.

“Shumë fakte tregojnë se roli i shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor akoma është nënvlerësuar. Megjithatë, të gjithë përfitojnë nga një shoqëri civile të fuqizuar, proaktive dhe të pavarur. Në këtë kontekst, unë jam i lumtur të dëshmoj se Forumi i Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor u bë një platformë relevante pune, duke lehtësuar dialogun ndër-rajonal civil dhe social, duke kontribuar kështu në procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor”.

Svilanoviç tha se “në mbështetje të përpjekjeve të pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, KBR do të vazhdojë të nxisë një dialog të hapur, transparent dhe të rregullt me ​​shoqërinë civile, duke nxitur kështu pjesëmarrjen e qytetarëve në krijimin e politikave publike”.

Georges Dassis, presidenti i KESE thoshte se integrimi në BE nuk nënkupton të bëhet pjesë e organizimit ekonomik, por të marrë pjesë në një trup të bazuar në solidaritet, duke garantuar të gjitha llojet e lirive – liria e shprehjes, lëvizjes, fjalës etj.

“Sa më i fortë të jenë shoqëritë civile, brenda dhe jashtë Evropës, aq më të forta janë institucionet demokratike. E njëjta vlen edhe për Ballkanin Perëndimor”, theksoi Olaf Deussen,

Temat kryesore në agjendën e edicionit të 6-të të Forumit të Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor janë roli i organizatave të shoqërisë civile në promovimin e rritjes së qëndrueshme dhe punësimit, migrimit në Ballkanin Perëndimor, lirisë së shprehjes dhe mediave, si dhe të drejtat dhe fuqizimin e grave .

Pjesëmarrësit pritet të pajtohen dhe të miratojnë një deklaratë përfundimtare me rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile që trajtojnë temat e diskutuara në Forum.

Në Forum marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës të përfaqësuesve të shoqërisë civile nga BE dhe Ballkani Perëndimor, si dhe përfaqësues të institucioneve të BE, organizatave ndërkombëtare dhe qeverive të rajonit.

Mundësia për shoqërinë civile për të kontribuar në procesin e Berlinit u hap në Forumin e Shoqërisë Civile në Vjenë (2015), ku KBR u angazhua në organizimin e forumit – një nismë e cila vazhdoi të zhvillohej dhe u bë pjesë integrale e Procesi i Berlinit. Sot organizatat e shoqërisë civile nga rajoni janë të përfaqësuara në proces, duke pasur mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt dhe të bashkëpunojnë me qeveritë përkatëse në përgatitjen e rekomandimeve.

Doktor, atë që të bën fëmija, s’ta bën as Perëndia!

Posted: 10 Jul 2017 08:59 AM PDT

Nga Andi Bushati

Halli se i duhet të përjetojë përpara syve të tij degradimin e pandalëshëm të PD-së prej Lulzim Bashës, e ka vënë Sali Berishën në një pozicion shumë të vështirë. Ai po merret me gjithkënd, nga policët e thjeshtë deri tek ujësjellësi i Durrësit, pa guxuar të flasë për PD-në. Ai po sulmon dhe anatemon këdo, pa pasur burrërrinë të shprehet për partinë që themeloi dhe drejtoi vetë për një çerek shekulli.

Në këtë sens ishte edhe reagimi i tij në këtë fillim jave. Berisha shpalli nga faqja e tij në Facebook se në zgjedhjet e 25 qershorit, qytetarët kishin ndëshkuar në mënyrë plebishitare Edi Ramën. Duke huazuar termin që kundërshtari përdori kundrejt tij katër vite më parë, ai pretendoi se kryeministri u godit nga 2.7 milionë shuplaka.

Në këtë këndvështrim të Berishës nuk duket vetëm mllefi për një humbje të thellë që ai nuk e duroi dhe nuk e kapërdiu dot kurrë. Në këtë mënyrë të të parit të gjërave nuk ngre kokë vetëm ndejenja e tij e njohur e hakmarrjes.

Por, mbi të gjitha aty sngrihet dyshimi nëse ai ka humbur sensin e realitetit.

Si mund të flasë ai për 2.7 milionë shpulla kundër Ramës kur PD-ja pësoi përballë tij humbjen më të thellë që ka përjetuar ndonjëherë?

Si mund të flasë ai për ndëshkim plebishitar kur rezultati qe edhe më i paparashikueshëm se ëndrrat e rilindasve më të guximshëm?

Në fakt, po t'i kthehesh shifrave, duket sikur për një moment Berisha ka të drejtë. Gati 80% e shqiptarëve që janë të rregjistruar në listat e votimit nuk pranuan ta hedhin votën e tyre për Edi Ramën. Po të tregohesh më i drejtë (duke llogaritur që një pjesë e mirë janë emigrantë që nuk votojnë kurrë) përsëri kjo shifër mbetet shumë e lartë, në kufijtë e 60 %-shit. Ajo tregon se ndonëse ka një shumicë parlamentare, Rilindja ka një legjitimitet të cunguar për të qeverisur vendin, se ajo nuk ka mandat moral për të bërë reforma të mëdha, se vetura e drejtuar nga Rama i ngjan më shumë një taksie ku ke hypur për hall, sesa një makine ku je ulur me qejf.

Por, pavarësisht nga këto konkluzione 2.7 milionë shuplakat që pretendon Berisha janë një realitet qesharak që mund ta prodhojë vetëm një mendje e marrë.

Së pari se në votat potenciale kundër Ramës doktori llogarit jo vetëm të gjitha votat e partive të marra sëbashku  por edhe abstenuesit (pra edhe ata 200 mijë që kanë rrfuzuar të votojnë për PD-në) madje edhe emigrantët që nuk votojnë kurrë.

Pra, kjo lojë me shifrat përpara se të të bëjë të mendosh, e ka më të lehtë të të bëjë të vësh buzën në gaz.

Së dyti llogaria për të mbledhur votat e partive opozitare së bashku me ato të abstenuesve për t'i llogaritur si një masë njerzore që nuk bie dakord me politikat e qeverisë edhe mund të bëhej. Por ky hesap nuk i lejohet kurrë moralisht një konkurenti në garë. Ai nuk i shkon një eksponenti politik partia e të cilit pësoi një debakël. Ai është, jo elegant për një opozitar që ka humbur një të tretën e votave pas katër vitesh pa qenë në pushtet.

Dhe këtu vijmë tek pyetja që ngritën në fillim. Pse i duhen Berishës fishekzajrre të tilla? Pse ka ai nevojë të lëshojë broçkulla kaq të mëdha që e nxjerrin qesharak në sytë e publikut?

Dhe përgjigjja natyrisht është e thjeshtë. Berisha po sillet kështu nga halli. Ai po lëshon bomba tymuese, për t'iu shmangur asaj që njerëzit presin prej tij. Ai po devijon se nuk do të flasë për Bashën, për humbjen e tij katastrofike, për mënyrën se si po e përçudnon PD-në dhe se si po e menaxhon betejën pas katastrofës.

Berisha po shfaqet më i gatshëm të sillet si humorist sesa të përballet me të vërtetën. Ai nuk flet dot për marëveshjen okulte me Ramën. Ai nuk ka zë për përjashtimin e gjithë njerëzve me të cilët ka qeverisur. Ai nuk belbëzon dot për mënyrën se si po çthuret PD-ja.

Dhe e gjitha kjo e ka një arsye.

Shumë vite më parë, ai vendosi të bëjë një zgjedhje. Ai vendosi të mos besojë tek loja demokratike, por tek trashëgimia monarkike. Ai rriti një fëmijë politik dhe projektoi prej kohësh që atij t'i linte stafetën.

Por, ashtu sikurse ndodh në shumë raste, kur pasardhësi nuk i përmbush dot pritshmëritë e atit politik, edhe Lulzim Basha nuk u ngrit dot kurrë në nivelin e investimit që u bë për të. Dhe kjo me sa duket është drama reale e Berishës. Basti i tij i humbur. Ajo që e detyron të flasë sot për gjithçka, pa folur dot për thelbin. Ajo që e bën të lëshojë bomba tymuese pa pranuar dot dështimin.

Eshtë pikërisht ky kalkullim katastrofik që po e bën Berishën të duket ai që nuk ka qenë kurrë, sepse ashtu siç thotë një shprehje e lashtë, atë që të bën fëmija (politik), s'ta bën dot as perëndia.(Lapsi.al)

FOTO: Rama i qeshur me Erdogan, Vuçiç sy e vesh nga kryeministri shqiptar

Posted: 10 Jul 2017 08:30 AM PDT

Kryeministri Edi Rama, ka postuar një foto në rrjetin e tij social "Facebook", në rubrikën "Foto Dite".

Duke qenë i pranishëm në Kongresin e 22-të Botëror të Naftës), në Stamboll, takimi më i madh i industrisë së naftës dhe gazit, ka postuar dhe një foto ku duket të jetë me presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe liderë të tjerë.

Ai shfaqet shumë i qeshur, e pranë tij me të njëjtin qëndrim edhe Erdogan që e ka vendosur dorën mbi dorën e Ramës për të treguar edhe më shumë mbështetjen.

Shumë i përqendruar ndërkohë duket Vuçiç, gjithë sy e vesh nga kryeministri shqiptar që me sa duket ishte folësi kryesor i takimit informal.

I djegin makinën e dytë, efektivi: Po hakmerren për kanabisin. Me kanë parë në TV gjerman

Posted: 10 Jul 2017 08:08 AM PDT

Oficeri i Krimeve të Rënda kërcënohet sërish.

Tre javë pasi i vendosën një sasi tritoli në automjet, efektivit të policisë së Krimeve të Rënda në Komisariatin e Krujës, Trim Murataj i kanë djegur makinën e dytë.

Në orët e para të së hënës, në oborrin e banesës së tij në rrugën "Kastriotët", pranë shinave të trenit, në kthesën e Kamzës, automjeti tjetër të Muratajt i është vënë zjarri.

Autorët kanë përfituar nga errësira duke vepruar me shpejtësi dhe duke i vënë flakën makinës fuoristradë të 38-vjeçarit.

Ngjarja dyshohet se ka lidhje sërish me detyrën e efektivit të Krimeve të Rënda.

Fatmirësisht, nga flakët nuk ka pasur persona të lënduar, por se zjarri dhe era e shkrumbit ka alarmuar banorët e zonës, të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë.

Në dëshminë e dhënë në polici, oficeri Murataj i ka qendruar sërish versionit se të dyja rastet, si eksplozivi herën e parë ashtu edhe djegia e automjetit të dytë lidhen me detyrën e tij, konkretisht me shkatërrimin e parcelave të kanabisit në malësitë e Krujës si dhe me personat të cilët janë arrestuar.

Murataj ka shprehur dyshimet se kultivuesit dhe trafikantët e drogës mund ta kenë identifikuar nga pamjet e një operacioni që është filmuar dhe është transmetuar nga një televizion gjerman, ku u asgjësua kanabis dhe u godit një grup kriminal.

Nga ana tjetër policia ende nuk ka rënë në gjurmë të autorëve. Në vendin e ngjarjes janë mbledhur provat materiale që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e tyre.

Pastrimi i parave, gjobiten 5 banka në Shqipëri

Posted: 10 Jul 2017 07:10 AM PDT

Të paktën 5 banka tregtare janë gjobitur nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave nën akuzën e mosrespektimit të procedurave të ligjit për paratë e pista.

Televizioni SCAN ka mësuar se të pesta subjektet e kanë kundërshtuar masën administrative të vendosur nga ana e këtij institucionin dhe kanë ngritur kundër tij padi në gjykatën administrative.

Ato janë Banka Raiffeisen, Banka Amerikane e Investimeve, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Kombëtare e Greqisë dhe Union Bank.

Nga akt paditë mësohet se shumat e gjobave arrijnë deri në 1 milionë lekë të reja.

Subjektet kanë kërkuar nga Gjykata Administrativin shfuqizimin e ndëshkimit të vendosur nga Drejtoria e pastrimit të Parave, si dhe heqjen e masës së gjobës.

Bankat tregtare janë subjekte që detyrohen me ligj të raportojnë tek autoritetet e specializuara çdo rast të dyshuar për pastrim parash apo financim të terrorizmit.

Ato duhet të mbledhin informacione të mjaftueshme për rastet e dyshimta për të kuptuar plotësisht burimet e financimit, natyrën e veprimtarisë, si dhe të raportojnë çdo rast në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave./SCAN

Pasojat fatale, “Die Presse”: Evropa po humb Ballkanin

Posted: 10 Jul 2017 06:31 AM PDT

Bashkimi Evropian për shkak se po merret me defektet e saj, injorimin dhe mosinteresimin, mund të parashikoj zhvillime të rrezikshme në Evropën juglindore, me pasoja fatale.

Këtë situatë e alarmon e përditshmja vjeneze "Die Presse" dhe duke u bazuar në publikimet e shumta thekson se Evropa është në rrugë që të "humbë" shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Interesimi mediatik po rritet, dhe sërish po dërgohen reporter, evidenton "Die Presse" duke marr si shembull revistën "Europäische Rundschau" e cila për asnjë moment nuk e çoi në harresë Ballkanin, dhe e cila në numrin e saj të fundit publikon shqetësimin e ekspertes vjeneze për Ballkanin,  Vedrana Xhihiç sipas së cilës Ballkani është "minë me sahat" dhe rrahjet po i afrohen fundit.

"Njerëz të fuqishëm po punojnë në ndërtimin e fuqisë së tyre, nacionalizmi sërish në shumë vende po përdoret si teknikë e qeverisjes," thekson ekspertja për Ballkanin, Xhihiç.

"Die Presse" citon edhe gazetën gjermane "Spiegel" sipas së cilës  vendet e Ballkanit Perëndimor janë "jetime të kontinentit" dhe tërheq vërejtjen se ekziston një largim i ndjeshëm nga projekti evropian.

"Është e kuptueshme që BE si simbol i sigurisë dhe mirëqenies po humb ndikim, aq sa është edhe e rrezikshme. Paqja është kërcënuar si me pretendimet e maskuara të Shqiptarëve për një shtet të përbashkët, ashtu edhe me dëshirën për fuqi të madhe të nacionalistëve serbë," thekson "Spiegel".

Revista e Krakovës "The New Eastern Europe" në numrin e saj veror i kushton çështjes së Ballkanit 12 artikuj, ndër të cilat shkrimtari i Sarajevës që jeton në Zagreb, Mileno Jergoviç shtron pyetjen: "A po e humb Evropa, Ballkanin".

Ai vë në dukje, se "njerëzit e zakonshëm të rajonit, janë të shkatërruar dhe demoralizuar nga dekada e varfërisë, nacionalizmit dhe politikës populiste, objektiv ky i lehtë  për Vladimir Putinin dhe Rexhep Tajip Erdogan".

Jo vetëm Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi janë në rrezik nga ndikimiet e fshehura dhe të zbuluara ruse dhe turke, nga Putin dhe modeli i autokracisë së Erdoganit, me agjitacione nacionaliste, por edhe anëtari i BE, Kroacia," thekson Jergoviç që jeton në Zagreb.

Gjithashtu kjo revistë flet për Ballkanin si hapsirë për rekrutimin e grupimeve të militantëve islamik, duke rikujtuar se një e katërta e tyre vijnë nga Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia.

Meqë Shteti Islamik në Irak dhe Siri është nën presion, konstaton revista, luftëtarët që kthehen mund të veprojnë si shkëndijë në fuqinë e barutit me përzierje fetare dhe etnike.

Aktori i njohur i Ezel rimartohet me ish-bashkëshorten, u divorcuan 6 vjet më parë

Posted: 10 Jul 2017 05:59 AM PDT

Aktori i famshëm Haluk Bilginer, i njohur për rolin e Kenan Birkan në serialin e suksesshëm turk "Ezel", është martuar sërish me këngëtaren e njohur Askin Nur Yengi, me të cilën u nda në vitin 2012.

Martesa e parë e tyre zgjati 6 vjet dhe arsyeja e divorcit ishte një dashuri e re për Kenanin me Zerrin Tekindor, e njohur për rolin e Gylten në serialin “Kuzey Guney”, por edhe atë të Deniz Decourton (Matmazel Deniz) në serialin "Dashuri e ndaluar".

Pas ndarjes në muajin maj, aktori iu rikthye ish-bashkëshortes. Haluk Bilgin, së bashku me Nur Yengi dhe vajzat e tyre shkuan për pushime në SHBA. Siç shkruajnë mediat turke, duket se Amerika i bëri shumë mirë dashurisë së tyre derisa i thanë sërish PO njëri-tjetrit pas 5-vjetësh të ndarë.

Bilginer i ka propozuar për martesë aktores dhe këngëtares turke në Mayemi nga e cila mori përgjigje pozitive. Pas kthimit në Turqi, mësohet se çifti do të bëjë një pushim të shkurtër në Bodrum dhe më pas do të rikthehen të jetojnë në shtëpinë e tyre në Londër.

Mesazhi i ish-kryeministrit Berisha për Edi Ramën: More 2,7 milionë shuplaka

Posted: 10 Jul 2017 05:53 AM PDT

Ish kryeministri Sali Berisha me anë të një statusi në Facebook paralajmëron kryeministrin e vendit Edi Rama se ka marrë 2.7 milionë shuplaka, duke iu referuar numrit të shqiptarëve që sipas tij, bojkotuan procesin e votimit. Në këtë konkluzion Berisha del pasi analizon shprehjen e Ramës, se votat për të janë shuplakë për kundërshtarin.

STATUSI I PLOTE

Qeveria e Norieges apo qeveria qe mori 2.7 milione shuplaka nga shqiptaret!

Miq, ne demokraci vota eshte vote, ajo shpreh pelqeimin ose mospelqimin per nje kandidat apo force politike te dhene. Kurse ne diktature vota konsiderohej plumb per armikun.

Edvin Kristaq Rama, ne vitin 2013, ne vazhdim te mendesise se te eterve te tij per voten, shpalli boterisht voten pro tij si shuplake per kundershtarin. Keshtu qe sot, duke marre hua shprehjen e tij, mund ti themi se je qeveria e mbi 2.7 milione shuplakave sepse per kete mazhorance te pakices se pakices, votuan kunder ose bojkotuan me zemerim procesin e votimit 2.7 milione votues apo 4 ne çdo 5 votues shqiptare. Zemerimi i tyre e pret se shpejti! sb