Tirana Observer: “Patozi flet pa “doreza”: PD-ja do të ndahet?” plus 9 more

Tirana Observer: “Patozi flet pa “doreza”: PD-ja do të ndahet?” plus 9 more


Patozi flet pa “doreza”: PD-ja do të ndahet?

Posted: 05 Jul 2017 09:28 AM PDT

Me mjaft interes është pritur se çfarë është diskutuar në takimin e Berishës me Patozin një natë më parë.

Por Patozi, duke qënë i drejtëpërdrejtë, ka konfirmuar se janë ndarë pa asnjë keqkuptim, ndërsa ka nënvizuar faktin se Berisha e ka lexuar mjaft mirë rezultatin e humbjes së zgjedhjeve.

"Unë e kam takuar dje zotin Berisha, por ky nuk qe as takim i fshehtë, por as zyrtar. Unë mund të them se jemi takuar si dy demokratë, që janë të shqetësuar për traumën që ka përjetuar PD gjatë zgjedhje dhe për më tepër, këtë që ka ndodhur pas humbjes.

Berisha e lexon më mirë nga të gjithë rezultatin traumatik të PD-së. Tani ideja qëndron nëse do të ringrihet PD-ja apo do të ndahet?

Se me veprimet e zotit Basha, të çojnë te e dyta. Këtë kam diskutuar edhe me zotin Berisha. Kaq mund të them për këtë takim.

Por meqë ju doni një fjali konkrete nga takimi, ju them se jemi ndarë pa asnjë keqkuptim nga takimi", tha Patozi.

Ambasadorja gjermane “certifikon” zgjedhjet: Procesi i lirë dhe i ndershëm

Posted: 05 Jul 2017 09:10 AM PDT

Ambasadorja gjermane ka reaguar për herë të parë në lidhje me procesin zgjedhor të 25 Qershorit. Nga Korça ku ndodhej për një aktivitet, diplomatja Susanne Schutz vlerësoi procesin që sipas saj u zhvillua normalisht.

Po ashtu, ambasadorja dha vlerësime edhe për mënyrën se si u zhvillua kjo fushatë elektorale.

"Procesi zgjedhor ka qenë i lirë dhe i ndershëm. Kënaqësi që procesi u zhvillua normalisht. Është bërë një fushatë elektorale pozitive", deklaroi ambasadorja Schutz.

Kryesuesja e delegacionit gjerman tha se pjesëmarrja në këto zgjedhje nuk ka qenë e ulët, por sipas saj ka qenë e mirë.

Duke komentuar fushatën elektorale si pozitive, Schutz tha se procesi zgjedhor ka qenë i lirë dhe i ndershëm.

"Për ne ka qenë një kënaqësi që procesi u zhvillua normalisht dhe që morën pjesë 18 parti. Pjesëmarrja nuk ka qenë e ulët, pra ka qenë relativisht e mirë.

OSBE/ODHIR ka konstatuar se është bërë për një fushatë elektorale pozitive, që procesi ka qenë i lirë edhe i ndershëm, analiza deri tani ka qenë pozitive, do të ketë sigurisht një raport më të detajuar së afërmi, por ne jemi të kënaqur që rezultati i zgjedhjeve ishte i mirë definuar. Ajo çka ne presim deri tani është vijimi i reformave të tjera të ndërmarra nga ana e qeverisë shqiptare në mënyrë që Shqipëria t'i afrohet sa më shumë BE.

Nuk më takon të gjykoj lidhur me këtë fakt, ishte vendimmarrje e qytetarëve shqiptarë ajo mbi bazën e së cilës iu dhënë më shumë vota njërës parti sesa partive të tjera politike. Gjykoj në këndvështrimin tim se ky është një shans për qeverinë për të vijuar në mënyrë të qartë dhe të vendosur reformat e iniciuara tanimë duke menduar tanimë 5 prioritetet kyçe, ku më me përparësi janë reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit por sigurisht një shans më tepër edhe për opozitën për të realizuar një opozitë sa më të fortë", u shpreh ambasadorja gjermane Sussane Schutz.

Sa pushtet ka Presidenti Emmanuel Macron?

Posted: 05 Jul 2017 09:00 AM PDT

Për të matur sasinë e pushtetit të Presidentit francez, të cilin disa politologë e citojnë si “monark republikan” ose “si një lloj mbreti”, duhet analizuar pushteti i tij. Në Paris ai nis që në daljen e tij në Pallatin Elysee përballë publikut. Përpara se të dalë Presidenti, del një shërbëtor me veshje të posaçme dhe me doreza të bardha, i cili njofton mbërritjen e “Monsieur le Président de la République” dhe të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë. Të gjithë. Kjo është pamja e jashtme. Pushteti i vërtetë i Presidentit francez, i parë në detaje, është i habitshëm dhe i kalon kompetencat e të gjithë kryetarëve të tjerë të shteteve evropiane.

Politika e jashtme dhe e sigurisë

Presidenti në Francë përcakton politikën e jashtme dhe është kryekomandant i Forcave të Armatosura. Ai mund të vendosë i vetëm për përdorimin e armëve bërthamore. Për Francën, është Presidenti vetë që i drejton të gjitha delegacionet franceze në të gjitha takimet e rëndësishme evropiane dhe ndërkombëtare. Ambasadorët francezë në botën e jashtme akreditohen nga Presidenti i shtetit.

Vendimet për personelin

Presidenti i shtetit francez emëron (dhe shkarkon!) kryeministrin dhe ministrat e tij. Monsiéur le Président drejton mbledhjet e kabinetit dhe lejohet madje të përcaktojë rendin e ditës së tyre. Veç kësaj ai ka të drejtë të shpërbëjë edhe Parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja.

Bashkëvendosja në drejtësi

Ajo që në Gjermani dhe në shumë shtete të tjera është e papërfytyrueshme për shkak të ndarjes së rreptë të pushteteve, është e mundur në Francë. Këtu, Presidenti i shtetit madje mund të emërojë edhe anëtarët e Këshillit Kushtetues (Conseil constitutionnel) – deri dhe Presidentin e tij. Me këtë ai përcakton peshën politike që vendos si interpretohet kushtetuta.

Politika e brendshme

Presidenti i shtetit francez mund të kthejë mbrapsht projektligje dhe të kërkojë një debat të dytë për projektligjet. Kjo kërkesë, sipas nenit 10 të kushtetutës, atij nuk mund t’i kundërshtohet.

Presidenti francez mund t’i drejtohet në çdo kohë me mesazhe Parlamentit dhe të ushtrojë në këtë mënyrë ndikim në politikë. Në rast krize, kur duket se funksionimi i rregullt i shtetit nuk është më i garantuar, kushtetuta franceze lejon me nenin 16, që Presidenti të ushtrojë pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv. Për gjendjen e jashtëzakonshme nuk ka kohëzgjatje maksimale. Themeluesi i republikës së pestë aktuale, Charles de Gaulle i aplikoi rregullat për gjendjen e jashtëzakonshme pas puçit të gjeneralëve në Algjeri në vitin 1961.

Kufizimi i pushtetit

Meqenëse Presidenti francez përcaktohet në zgjedhje direkte nga populli dhe jo nga partitë, ai nuk ka pse tregohet i kujdesshëm as ndaj partisë së tij. Disa herë megjithatë ka ndodhur, që Kryeministri, si njeriu i dytë në shtet, e detyroi Presidentin e shtetit që të bëjë kompromise. Shkaku: kryeministri ishte nga kampi kundërshtar politik dhe Presidenti i shtetit nuk e kishte me vete shumicën parlamentare. Juristët e së drejtës së shtetit e quajnë këtë “kohabitacion”. Me fjalë të tjera: një martesë politike e imponuar.

Për këtë përqendrim pushteti, kohët e fundit është diskutuar shumë dhe janë ushtruar edhe kritika të ashpra.

Këto kritika mbështeten para së gjithash nga pyetja që shtrohet me ankth, se çfarë mund të kishte bërë me këtë post Marine le Peni, po t’i kishte fituar zgjedhjet. Në vitin 2008 u ndërmorr një reformë kushtetuese, me të cilën u forcua roli i Këshillit Kushtetues. Në vitin 2002, kohëzgjatja e mandatit të Presidentit francez u shkurtua nga shtatë në pesë vjet. Kjo në një kohë kur Presidenti francez gëzon “imunitet” juridik, për aq kohë sa është në post. Një shkarkim është i mundur vetëm në raste “shkeljesh të rënda”, kur në Parlament votojnë për këtë dy të tretat e deputetëve.

Paratë dhe luksi

Presidenti francez nuk duhet t’i japë llogari askujt, si vepron ai me kontributet shtesë, përveç të ardhurave të tij prej rreth 240.000 eurosh në vit (80.000 euro më pak se Angela Merkel). Këtu bën pjesë banimi në Pallat ose në vila pushimesh. Këtu bëjnë pjesë edhe të gjitha vaktet. Dhe një qilar vere i mbushur plot në Pallatin Elysèe.

Shqiptarët keqkuptohen për adresën e “punësimit”, Rama i sqaron

Posted: 05 Jul 2017 08:55 AM PDT

Kryeministri Edi Rama publikoi dje një adresë për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e administratës dhe me sa duket njerëzit kanë pasur një interes të gjerë.

Rama sqaron në rrjetin sociale Facebook se adresa e emailit shqiperiaqeduam@kryeministria.al, nuk është një adresë e ngjashme me zyrat e punësimit për të gjitha kategoritë dhe se ajo është për ata që kanë një eksperiencë të suksesshme në Shqipëri ose jashtë saj.

Postimi i Ramës

shqiperiaqeduam@kryeministria.al

Falenderim&Sqarim

Kanë ardhur brenda 24 orësh afro 800 shprehje interesi lidhur me ftesën time të djeshme. Shumë faleminderit! Por duke parë përmbajtjen e tyre, del nevoja të sqarohet se kjo adresë nuk është adresa e një zyre për punëkërkuesit e të gjitha kategorive.

Është një adresë për këdo mendon se ka një eksperiencë të suksesshme, në atdhe apo jashtë vendit, dhe dëshiron ta verë në dispozicon të përpjekjes së katër viteve të ardhshme për Shqipërinë që duam. Të gjitha rastet e tjera trajtohen nga institucionet përkatëse, sipas procedurave administrative përkatëse. Edhe njëherë faleminderit të gjithëve.

Historia e panjohur e Nju Jorkut: Si u këmbye me një ishull të vogël në Oqeani

Posted: 05 Jul 2017 08:30 AM PDT

Para 350 vjetëve, kolonia holandeze Amsterdami i Ri (holandisht: Nieuw-Amsterdam) do të duhej të kapitullonte para furisë angleze. Ajo tashmë do të quhej Nju Jork (New York). Për kompensim, megjithatë, Londra u dha atyre një ishull të vogël në brigjet jugore të Paqësorit.

Ishte një ditë jo fare e parëndësishme për Nju Jorkun, por askush nuk ngjan ta ketë festuar atë tashmë 350 vite më vonë.

Peter Stuyvesant, guvernator i përgjithshëm i kolonisë së Amsterdamit të Ri, kishte plot punë atë ditë të 6 shtatorit 1664. Ai e dërgoi avokatin e tij në njërën prej fregatave britanike, që ishin ankoruar para kështjellës së holandezëve, pra pikërisht atje, ku sot ndodhet "Battery Park", në skajin jugor të Manhatanit. Në dorë, emisari i Stuyvesant-it mbante dokumentin e kapitullimit.

Katër fregata britanike kishin mbërritur atje qysh prej 26 gushtit, duke goditur me artileri çdo ditë e më shumë kështjellën holandeze, e duke shtrënguar ata t'ua dorëzonin atë kurorës britanike. Kështjella nuk ishte mbrojtur e pajisur siç duhet, kishte plot mangësi, e kështu që në fund u dorëzua. Nga Amsterdami i Ri, u formua tashmë Jorku i Ri apo Nju Jorku, me referencë nga toponimia angleze.

Zyrtarisht, holandezët nuk e njohën këtë vendim për një kohë të gjatë. Pati madje edhe një luftë tjetër, dhe vetëm me marrëveshjen për paqe të Bredas, në vitin 1667, u ra dakord që Nju Jorku t'i përkiste përfundimisht kurorës britanike. Por jo pa kompensim. U bënë këmbime që nga pikëpamja e sotme duken si shumë të çuditshme.

Para së gjithash, ishulli liliput Run (i njohur edhe si Pulo Run, ose Rhun) në Indonezinë e sotme, iu dha pra holandezëve. I vogël siç është, ai kishte një vlerë të stërmadhe. Ishulli i përket arkipelagut Banda, e kësisoj është pjesë e Molukëve, tej në Lindje, shumë pranë Guinesë së Re. Por Molukët, të gjithë ashtu siç ishin të vegjël, shpesh të kërcënuar edhe nga vullkanet, në atë kohë vlerësoheshin si ishujt e erëzave, që u bënë simbol i një epoke të madhe e të re historike: atë të zbulimeve të mëdha.

Gjuetia për erëzat motivoi zbuluesit e mëdhenj

"Në fillim ishin erëzat", e nis Shtefan Cvajk (Stefan Zweig) biografinë e tij mbi Ferdinand Magelanin. Me këtë, siç pohon Cvajk, ai nuk mendon vetëm mbi Magelanin, por për këdo e çdo gjë tjetër që në atë kohë kishin zbuluar e lënë pa zbuluar duke kërkuar botën Kristofor Kolumbi, Vasco da Gama e të tjerë si puna e tyre. Sigurisht se në atë kohë, kërkohej shumë, pikësëpari ari e gurët e çmuar, mirëpo erëzat premtonin një përfitim të madh ekonomik, nëse i merrje ato nga fundi i botës e i dërgoje për në atdheun tënd në Europë, për t'i shitur.

Një rol të rëndësishëm këtu nuk luanin aq shumë erëzat e zakonshme si piperi, kanella apo vanilja, por të tilla që më vonë do të shfaqeshin paksa më në sfond, siç ishin: karafilat dhe arrat e muskatit, dhe ato pra vinin vetëm nga "ishujt e erëzave". Muskati i Bandës, karafilat e Molukëve veriore rreth Ternatëve dhe Tidorëve, u bënë të famshme ndër breza.

Askush në fillim të epokës së zbulimeve të mëdha, nuk e dinte me saktësi se ku ndodheshin këta ishuj. Spanjollët i kërkonin ata nën drejtimin e kapitenit gjenovez, Kristofor Kolombi, në rrugën detare perëndimore, ku ata hasën në tokën e kontinentit amerikan dhe portugezët, përkundrazi, besonin se ishin në Lindje. Si pasojë, më në fund ato u gjendën në anën tjetër të botës, ku rastësisht ndodheshin thuajse ekzaktësisht edhe ishujt e erëzave.

Pararendësja e shoqërive aksionere

Jo pa arsye Manhatani cilësohet si kërthiza e ekonomisë botërore. Është atdheu i bursës më të famshme të letrave me vlerë në botë, në të cilën këmbehen e vlerësohen aksionet e koncerneve më të mëdha të ekonomisë botërore.

Por ku dhe kur lindën pra shoqëritë e para aksionere? Shoqëria e parë moderne aksionere në botë, e cila do të ishte e krahasueshme me ato të sotmet, ishte e ashtuquajtura Vereenigde Oostindische Compagnie, ose në shqip "Kompania e Indive të Bashkuara" që e themeluan holandezët qysh në vitin 1602. Mallin që ata vlerësonin në bursë e përbënin "thasët e piperit" të VOC, siç njihej ajo në atë kohë shkurtimisht, që përfshinin tregtinë me erëza që vinin nga Molukët, e jo më pak me arrat e Muskatit të ishujve Run. Me këtë mbyllet edhe historia e këmbimit mes ishullit të vogël në Lindjen e Largët dhe të famshmit "Downtown Manhattan", simbol i modernitetit e jetës së gjallë të kohëve që jetojmë.

Këmbimi i parashikuar në marrëveshjen e Bredas, pavarësisht se sot mund të duket një çmenduri, i nënshtrohej asokohe plotësisht logjikës ekonomike. Holandezët, në atë kohë, e kishin pushtuar për vete ishullin Run, prej kohësh tashmë, sikurse kishin bërë edhe me Manhatanin, duke e pasur kontrollin para britanikëve. Por tashmë kjo ishte zyrtare. Anglezët nuk do t'u binin më në qafë në domenin e tyre. Po kështu u sollën ata edhe me Surinamin e vogël në veri të Amerikës Jugore, të cilin holandezët ua kishin marrë më parë anglezëve e që tashmë u trashëgua me kontratë prej tyre. Por vendimtar ishte ishulli Run. Ai, në atë kohë, u vu në peshore kundrejt Manhatanit.

Rregulli i pashkruar që nuk thyhet kurrë nga familja mbretërore britanike

Posted: 05 Jul 2017 08:15 AM PDT

Kemi dëgjuar kohët e fundit se Princi William dhe Dukesha Kate Middleton kanë thyer protokollin me sjelljen e tyre apo edhe me veshjen.

Por është një rregull që kurrsesi nuk mund të thyhet në familjen mbretërore.

Ndoshta ju mund të mendoni gjëra nga më të ndryshmet, por ka të bëjë me një përbërës që është i ndaluar kategorikisht të përdoret në gatime.

Shefi i kuzhinës, Carolyn Robb, i cili më parë ka punuar në Pallatin e Kensingtonit për Princin Çarls dhe Princeshën Diana, zbuloi se ata nuk konsumojnë asnjëherë hudhër.

“E vetmja gjë që ishte e ndaluar ishte hudhra”, ka treguar ai.

Ky rregull i pa shkruar, por që të gjithë janë në dijeni dhe e zbatojnë në mënyrë shumë të prerë, vijon të ndiqet çuditërisht edhe Kate Middleton së bashku me bashkëshortin e saj Princi William, fëmijët e tyre George dhe Charlotte dhe madje edhe vetë Mbretëresha.

Një ndër arsyet më të forta, e që këtu sigurisht bien të gjithë dakord të gjithë, është aroma që mbetet pasi konsumohet hudhra, aq më tepër për familjen mbretërore që janë në shumicën e kohës në kontakt me njerëz të shumtë.

“Arsyeja ishte padyshim angazhimet e shumta publike dhe takimet e shumta që ata kishin, dhe kurrsesi nuk donin që të mbanin aromë hudhre”, tregon Robb.

Edhe pse për ne është shumë e drejtë, për kuzhinierët duhet të jetë shumë e dhimbshme, pasi hudhra është një përbërës kyç në shumë gatime.

 

Krushku i Berishës kundër të birit, mbron Bashën nga kritikët

Posted: 05 Jul 2017 07:56 AM PDT

Qëndrimi i Bashës në krye të PD-së pas humbjes më 25 qershor ka përçarë selinë blu në dy kampe: një pro dhe një kundër tij.

Por në këto dy grupe ka përplasje edhe brenda familjes.

Luan Malltezi, krushku i ish-kryeministrit, Sali Berisha (vjehrri i Argita Berishës), në një analizë të publikuar sot në Gazetën Shqiptare ai ka shpërthyer në akuza mjaft të ashpra ndaj grupit të kritikëve anti-Basha në Partinë Demokratike.

Deri tani në rregull, por çudia qëndron tek fakti se i biri i tij, Jamarbër Malltezi, është një nga kritikët e Bashës.

Duket se Luan Malltezi ka dalë kundër të birit për të mbrojtur kryedemokratin Basha.

"PD po kalon një situatë të vështirë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit për shkak të blerjes masive së votave nga PS. Në këtë situatë, "ish-krerët jashtë liste të PD" po sulmojnë egërsisht kryetarin Basha, duke ngritur akuza të rënda kundër tij. Flasin për shkelje statuti, për tjetërsim të simboleve të PD, për përpjekje për ta kthyer PD në parti familjare etj. A kanë të drejtë?

Sigurisht jo, të gjithë demokratët e dinë se asnjëherë statuti nuk ka pasur kurrë këtë vlerën që përpiqen t'i japin. Pas humbjes së zgjedhjeve, Basha ka kërkuar zgjedhje të lira në PD për postin e kryetarit: kjo rrugë është e hapur për të gjithë. Zemërimi i papërmbajtur ndaj Bashës vjen ngase "këta liderë" nuk ishin përfshirë në listën e tij. A duhej që Basha t'i përfshinte në listë? Mendoj se jo, sepse ish-liderët jashtë liste të PD nuk mbështesnin kryetarin Basha në çadrën e lirisë; disa madje ishin kundër qëndrimit të tij publik për të mos marrë pjesë në zgjedhje me Ramën në pushtet, të tjerë nuk u ndjenë fare, sepse prisnin të ishin në listat e PD.

Kur kjo nuk ndodhi, ata u hodhën menjëherë dhe me zemërimin më të madh kundër tij. Shtypi i fton "këta ish-krerë të lënë jashtë listë të PD" të deklarojnë në ekranet televizive zemërimin dhe pikëpamjet e tyre, por ne, demokratët e thjeshtë i përjetojmë këto me dhimbje", shkruante mes të tjerash në opinionin e tij Malltezi.

Dhunonte gruan prej 7 vitesh, por gjykata e dënon vetëm me një vit burg

Posted: 05 Jul 2017 07:31 AM PDT

Dhuna në familje dhe më konkretisht ajo e bashkëshortit ndaj bashkëshortes jo vetëm që nuk po ndalet, por po shënohen edhe raste të paimagjinueshme.

I tillë është rasti i një gruaje, njëkohësisht dhe nënë, e cila për të ruajtur familjen ka duruar për vite me radhë dhunën fizike dhe psikologjike, derisa ka vënë seriozisht në rrezik jetën e saj.

Para gjykatës ajo ka dëshmuar ankthin që ka përjetuar.

"Ka që prej shtatë tetë vjetësh që bashkëshorti im konsumon pije alkoolike, kalon në gjendje të dehur dhe ushtron dhunë fizike ndaj meje. Unë jam pajisur një herë me urdhër mbrojtje, por me qëllim që të mos shkatërroja familjen duroja dhunën që ushtronte ndaj meje dhe nuk bëja kallzim. Vitin e fundit thuajse çdo ditë ushtron dhunë fizike dhe psikologjike ndaj meje", ka rrëfyer gruaja.

Por pavarësisht kësaj dëshmie, prokuroria dhe gjykata e kanë akuzuar bashkëshortin dhunues vetëm për episodin e fundit të dhunës, kur u desh ardhja e policisë në banesë për ta shpëtuar të dëmtuarën nga dhuna e radhës dhe ankthi se në çdo moment mund ta vriste bashkëshorti.

Dhe në fund, gjykata është mjaftuar me vetëm 1 vit burgim për bashkëshortin dhunues./Tch

Mungesa e pagave për punonjësit e MAS, reagon ministrja: Ngjyrimet politike të mos prekin rrogat

Posted: 05 Jul 2017 06:46 AM PDT

Sakaq, Karabina bën thirrje që burokracia dhe ngjyrimet politike të mos prekin rrogat e punonjësve.

REAGIMI I PLOTE

Në detyrën e Titullarit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dëshiroj të bëj publike një çështje të rëndësishme siç është kryerja e pagave të punonjësve të administratës shtetërore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në mënyrë të qëllimshme, institucioni është i bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 Qershor 2017.

Pavarësisht informimit të të gjithë instancave të larta shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për zhbllokimin e situatës, kjo problematikë absurde po vijon të mbetet e njëjtë.

Burokracia e administratës dhe manifestimet e ngjyrimeve politike nuk duhet të prekë pagat e punonjësve të administratës shtetërore.

Bëj një apel institucional për angazhimin e të gjithë aktorëve të ngarkuar nga ligji, për të dhënë zgjidhjen e menjëhershme të problemit të krijuar artificialisht.

Si Ministër i Arsimit dhe Sportit distancohem nga apatia e krijuar mes Departamentit të Administratës Publike dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave që nuk sjell zgjidhje.

Garantoj zbatueshmërinë e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave kushtuese të institucionit që unë drejtoj.

 

 KOMENTO

Bashkëshortja e aktorit të njohur turk, xheloze për moderatoren shqiptare

Posted: 05 Jul 2017 06:10 AM PDT

Prej disa ditësh, moderatorja e "Prive", Liberta Spahiu, po shijon pushimet në Mauritius. Pas një sezoni të gjatë në "Prive", Liberta e ka lënë mënjanë për disa ditë punën intensive për t'u relaksuar. Por një rastësi e bukur gjatë udhëtimit nuk ka shkuar siҫ mund të mendohej. Surprizë për Libertën në aeroport ishte takimi i rastësishëm me aktorin e njohur turk, Burak Ozçivit, i cili kurorëzoi fundjavën e shkuar dashurinë e tij me aktoren Fahriye Evcen.

Siҫ ka mësuar InTv, në aeroportin e Stambollit, moderatorja shqiptare i ka kërkuar aktorit turk një foto, por bashkëshortja e tij nuk e ka lejuar. Lajmi është konfirmuar nga personapranë moderatores, të cilët kanë thënë se Fahriye Evcen duket se është është xheloze, ndaj e ka penguar moderatoren të bëje fotografi.

Kështu, ҫifti i ri janë nisur drejt Maldiveve pa u penguar nga askush…