Tirana Observer: “Mandija flet për të ardhmen e ministrave teknikë” plus 9 more |
- Mandija flet për të ardhmen e ministrave teknikë
- Sekretet që nuk do t’jua thotë askush për moshën 30-vjeçare
- Mund ta detyrojmë mendjen të harrojë?
- Bonucci, më i paguari në Serie A. Tifozët e sulmojnë: Mercenar
- Gjatësia e këtyre personazheve të njohur do ju habisë (FOTO)
- Ja si ndryshon Milan-i me Bonucci-n
- Bashkë në jetë dhe në skenë, njihuni me tri vajzat e Merita Halilit dhe Raif Hysenit
- Zona Ekonomike e Ballkanit, ja çfarë parashikon projekti i BE në 4 shtylla
- Macron: Asgjë nuk mund të na ndajë nga SHBA-ja
- Yllka Kuqi në përgatitje të klipit të ri (Foto)
| Mandija flet për të ardhmen e ministrave teknikë Posted: 14 Jul 2017 09:41 AM PDT Zv.kryeministrja teknike, Ledina Mandija deklaroi se sipas Kushtetutës, ministrat teknikë duhet të qëndrojnë aty deri në ardhjen e një ministri tjetër. Sipas Mandisë, është në vlerësimin e ministrave nëse dorëhiqen apo qëndrojnë, ashtu sikurse është edhe në vlerësimin e kryeministrit për shkarkimi, duke iu referuar po Kushtetutës. "Sipas Kushtetutës ministrat qendrojnë deri në ardhjen e ministrit tjetër. Eshtë në vlerësimin e ministrave, në lidhje me dorëheqjen, apo qëndrimin, ashtu siç është edhe në vlerësimin e kryeministrit për shkarkime referuar Kushtetutes. Ajo që dua të them është se ministrtat në bazë të Kushtetutës duhet të qendrojne aty edhe po në rastin që do të bënin një dorëheqje." – u shpreh Mandija për 'News 24'. Zv.kryeministrja tha se pavarësisht se ka ndarë të njëjtën zyrë me Edi Ramën, ai ka qenë i angazhuar në fushatë, ndërsa ajo vetë ka monitoruar sjelljen e administratës gjatë fushatës. |
| Sekretet që nuk do t’jua thotë askush për moshën 30-vjeçare Posted: 14 Jul 2017 08:57 AM PDT Kur mbush 30 vjeç çdo gjë është diçka fantastike. Më në fund e di kush je, fillon të bësh hapa realë në karrierë dhe e di se çfarë kërkon nga vetja dhe të tjerët në jetë. Po aq sa është një periudhë e bukur, ka një efekt 'anësor' si zbulimi i vetes, i cili në disa raste mund të jetë tepër tronditës. Që nga ndryshimet e lëkurës te flokët dhe dhëmbët, mosha 30-vjeçare do t'ju mësojë shumë për trupin tuaj. Rrudhat Përgatituni të mësoni se çfarë kanë nënkuptuar kur kanë thënë se me kalimin e kohës, trupi ynë prodhon më pak kolagjen e për pasojë hyjnë në skenë rrudhat. "Njerëzit mund të fillojnë të shohin rrudha që nuk i kishin kur buzëqeshnin", thotë Ami Uechsler, një dermatologe nga qyteti i Nju Jorkut. Kur ata nuk buzëqeshin më, vijat janë ende aty dhe nuk zhduken si më parë. Gjëja më e mirë që mund të bëni në këtë fazë, është parandalimi. Mbrohuni nga dielli dhe mos pini duhan për të arritur rezultate të mira. Flokët Në të 30-at fillon ndryshimi i ngjyrës së flokëve. Në këtë moshë nivelet e hormoneve luhaten. Kjo është një fazë shumë e hershme përpara menopauzës. Shumica e ndryshimeve janë gjenetike, ndaj flokët tuaj nuk do t'i shpëtojnë 'stuhisë'. Sa më i madh të jetë niveli i stresit, aq më shpejt do t'ju thinjen flokët. Vetullat Nëse njëherë e një kohë e kishit të lehtë të kishit vetulla të plota, pas të tridhjetave mund të vini re se gjërat nuk janë si më parë. Kujdesi i vazhdueshëm për vetullat do t'ju bëjë që ato të dalin gjithnjë e më pak dhe format e hershme do të zëvendësohen nga vetullat e holla. Nuk është e pazakontë që e njëjta gjë të ndodhë me qerpikët. Sa më pak dhe më të holla të jenë, kjo do të thotë se mund të keni sëmundje si për shembull tiroidet. Buzëqeshja Pas një dekade të vakteve jo të mira për dhëmbët, si vera e kuqe dhe kafeja, buzëqeshja juaj nuk do të jetë aq e ndritur sa dikur. Ju e dini më mirë se nga të bardha, dhëmbët kthehen në… të verdha. Dentistët rekomandojnë zbardhje të herëpashershme të dhëmbëve për një buzëqeshje të shëndetshme. Duart Duart mund të duken më të mëdha në moshë se ju dhe kjo është e vërtetë sepse duart, nëse nuk kujdeseni për to, do t'ju tradhtojnë duke treguar moshën tuaj të vërtetë. Fatmirësisht, gjatë dekadës së tretë të jetës problemet me duart nuk janë të mëdha, por parandalimi është elementi kyç. Vini vazhdimisht krem duarsh. Venat bëhen të dukshme Sapo kalojnë të njëzetat, në këmbë do të fillojnë t'ju shfaqen venat 'merimangë' të cilat nuk do t'i kuptoni se nga e kanë prejardhjen. Mos u shqetësoni, të tilla vena të dukshme i ndodhin kujtdo në një fazë të jetës. Shkaku i tyre mund të jetë natyral, shtatzënia ose marrja e kontraceptivëve. Nëse e shihni si të papëlqyeshme, përdorni një trajtim të lyerjes me krem për të minimizuar shfaqjen e tyre. Një tjetër trajtim është injektimi në vena i molekulave që i dëmtojnë, por kjo është e dhimbshme. Rënia e flokëve Me kalimin e kohës, flokët fillojnë të hollohen, por kjo nuk është shenjë e stresit. Të gjithë humbin flokë çdo ditë dhe sasia varet më së shumti nga gjenet. Disa njerëz mund të humbin rreth 40 fije floku, ndërsa të tjerë dyfishin e kësaj. Mosha 30-vjeçare është një 'ditë gjykimi' për kequshqimin apo mungesën e proteinave dhe hekurit. Dhëmbët e çrregullt Dhëmbët tuaj mund të fillojnë të ciflosen për shkak të stresit. Sa më të ngarkuar të jeni mendërisht, aq më të parregullt do të jenë dhëmbët tuaj. Shtrëngimi i nofullave dhe i dhëmbëve pavetëdije gjatë natës, mund të jetë shkaku kryesor i dëmtimit të dhëmbëve në moshën 30-vjeçare. Përdorni mbrojtëse për dhëmbët gjatë natës ose sigurohuni që të çliroheni nga stresi i tepërt. Aknet vazhdojnë të shfaqen Femrat në moshën 30-vjeçare mund të mendojnë se i kanë dhënë fund njëherë e mirë akneve, por kjo nuk është e vërtetë. Te 54 për qind e atyre që janë 35 vjeç fillojnë të shfaqen akne që janë më të përkeqësuara se në adoleshencë. "Nëse aknet janë në mjekër, nofull apo qafë, atëherë është diçka hormonale", shpjegon dermatologia. Trajtimet e jashtme nuk bëjnë punë në këtë rast, kontraceptivët nga goja janë mundësia më e mirë. Nishanet Pikat e kuqe të vogla që fillojnë t'ju shfaqen në trup do të bëhen një lojë 'argëtuese' e lidhjes së tyre për të krijuar figura imagjinare. Ato krijohen prej kapilarëve, janë në shumicën e rasteve të padëmshme dhe shtohen me moshën, por te femrat shfaqen më shumë te të 30-at dhe gjatë shtatzënisë. |
| Mund ta detyrojmë mendjen të harrojë? Posted: 14 Jul 2017 08:30 AM PDT Një psikolog pretendon se ka zbuluar një mekanizëm që mund të shpjegojë sesi njerëzit shtypin kujtimet e padëshiruara Të gjithë ne kemi kujtime që do të donim t'i largonim nga mendja një herë e mirë. Mbase një gafë e bërë në një mbrëmje jashtë me miqtë, mund të duket e kollajshme për t'u harruar sa herë që jua kujtojnë, por a mund të çojë dëshira e vazhdueshme për të harruar në ngjarje, në harresë totale vite më vonë? Profesor Majkëll (Michael) Anderson dhe kolegët e tij të Universitetit Oregon, mendojnë se shtypja e vazhdueshme e kujtimeve mund të dëmtojë aftësinë për ta kujtuar një ngjarje vite më vonë. Anderson është i mendimit se proceset kryesore të kontrollit që njerëzit përdorin për t'u përqendruar dhe kapërcyer ngjarje, ndërhyjnë gjatë rifreskimit të kujtesës. Këto procese të kontrollit të vullnetshëm në tru mund të jenë arsyeja përse njerëzit shtypin kujtime të padëshiruara dhe traumatike. Puna e tij mund të ndihmojë në shpjegimin e sëmundjeve të stresit post-traumatik dhe në zgjidhjen e misterit të kujtimeve të harruara të traumave në fëmijëri. Eksperimentet Psikologët e kanë debatuar gjatë ekzistencën e kujtimeve të shtypura, rekomanduar fillimisht nga Frojdi që propozoi se kujtimet e padëshiruara mund të harrohen duke i shtyrë në subkoshiencë, një proces i quajtur represion. Ekzistenca e represionit ka mbetur një temë e kundërshtueshme për më shumë se një shekull. Edhe Majkëll Anderson mendon se zbulimet e tij mbështesin mekanizmin e shtypjes që i largon kujtimet e padëshiruara nga ndërgjegjja. Profesori u kërkoi 32 studentëve të kolegjit të mbanin mend dy fjalë që nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Më pas ai u tregoi pjesëmarrësve fjalën e parë dhe u kërkoi atyre të plotësonin fjalën e dytë ose në rastin tjetër të përpiqeshin të mos mendonin për të. Përfundimi ishte se studentët që u kishte kërkuar të gjenin fjalën e dytë, dolën 20 për qind më mirë se studentët të cilëve u kishte kërkuar të mos mendonin për plotësimin e fjalës. "Ky studim është një provë e thjeshtë, nëse më parë njerëzit mendonin se nuk ekzistonte një mekanizëm represiv, eksperimenti tregon se ekziston", shprehet Anderson. Profesori donte gjithashtu të sigurohej se pjesëmarrësit në studim e kishin harruar vërtet fjalën që duhet të thoshin dhe nuk po hiqeshin sikur nuk e mbanin mend, kur u kujtohej mirë. Kështu që në një eksperiment të dytë, ai u tregoi pjesëmarrësve vetëm shkronjën e parë të fjalës plotësuese dhe u kërkoi që të thoshin fjalën që i përshtatej më shumë studimit. Përsëri, pjesëmarrësit e kishin të vështirë t'i mbanin mend fjalët që u ishte kërkuar që në fillim t'i harronin. Kurioz për fuqinë nervore të fenomenit, Anderson dhe kolegët e tij vendosën të përsërisnin edhe një herë eksperimentin, kësaj radhe duke përdorur rezonancë magnetike. Ai zbuloi se hipokampusi, që është përgjithësisht aktiv kur njerëzit përpiqen të kujtojnë, nuk ishte aktiv kur pjesëmarrësit që ishin përpjekur të mos mbanin mend fjalën e dytë të studimit. Nga ana tjetër, korteksi paraballor dorsolateral, një zonë që ndihmon frenimin e aktivitetit motorik, ishte më aktiv se normalisht. Kjo tregon se njerëzit mund të jenë duke përdorur këtë pjesë të trurit për të anashkaluar procesin e kujtimit që ndodh në hipokampus. Ndonëse në jetën e vërtetë njerëzit nuk përpiqen edhe aq shumë të harrojnë diçka kaq të thjeshtë sa një fjalë, por gjëra më të mëdha. Për këtë arsye studime të tjera u morën si mbështetje e teorisë së profesor Andersonit. Psikologia Marie Banich nga Universiteti i Kolorados, po e analizon gjithashtu paradigmën mendim/jo-mendim të Andersonit, për të mësuar nëse do të funksionojë për stimujt joverbal, siç mund të jenë ato emocionalë. Në studimin e saj, ajo përdori të njëjtin projekt kërkimi si Anderson, por në vend të fjalëve, përdori fotografi të ndryshme të natyrave të larmishme si peizazhe, kafshë apo aksidente makinash. Ashtu si në studimin e Andersonit, Banich u kërkoi pjesëmarrësve vullnetarë të mbanin mend çiftëzimin e portreteve dhe skenave. Një pjesë u tha që të përpiqeshin të mos i mbanin mend skenat me të cilat lidheshin portretet. Ajo zbuloi dy gjëra: së pari paradigma mendim/jo-mendim funksionoi, pasi pjesëmarrësit i mbajtën mend më shumë skenat që u ishte kërkuar t'i kujtonin dhe më pak ato që duhet t'i harronin dhe së dyti eksperimenti funksionoi më mirë me skenat emocionale sesa me ato të zakonshme. Këto rezultate sipas psikologes kanë kuptim, pasi rregullimi emocional kërkon që të kemi kontroll konjitiv mbi gjërat që janë të vështira për t'u menduar. Pavarësisht rezultateve, disa kërkues janë skeptikë. Ata mendojnë se rastet e traumave nuk janë harresa të vullnetshme, por një gjendje e jashtëzakonshme e trurit, ndaj ky harron pavetëdije. Megjithatë, Anderson është optimist se eksperimentet e tij do të sjellin rezultate më të provuara në të ardhmen. Ai që ka rëndësi për të është fakti se njeriu e ka në dorë kujtesën e tij dhe kjo është diçka shumë themelore. |
| Bonucci, më i paguari në Serie A. Tifozët e sulmojnë: Mercenar Posted: 14 Jul 2017 08:20 AM PDT Leonardo Bonucci është një lojtar i Milan-it. Mungon vetëm zyrtarizimi, që do të vijë nesër pas zhvillimit të vizitave mjekësore. Mbrojtësi, i cili ka zgjedhur numrin 19, do të paguhet 7,5 milionë euro në vit plus 2,5 si bonus. Shifra këto që do ta bëjnë atë më të paguarin në kampionatin italian. Largimi i tij ka qenë një goditje e vërtetë për tifozët bardhezi, të cilët nuk i kanë kursyer sulmet kundër ish-idhullit të tyre në rrjetet sociale. "Mercenar", "Palaço mosmirënjohës", "Largohu humbës", "Fanella jote do të digjet", kanë qenë disa nga komentet më të ashpra. Por mes tifozëve ka edhe nga ata që e kanë pasur të vështirë të përmbajnë lotët: "Nuk kisha menduar kurrë se do të shihja me ngjyra të tjera". Kalimi i bujshëm i Bonucci-t te Milan ka befasuar popullin juventin, të cilët nuk kanë sulmuar vetëm lojtarin, por edhe klubin. "BBC nuk ekziston më dhe si të gjithë përrallat, edhe kjo ka ardhur në fund", ka shkruar një nga më shumë se 40 mijë personat që kanë komentuar postimin e fundit në Instagram të Leos. Por janë të shumtë edhe ata që nuk e kanë kuptuar këtë lëvizje nga ana e Juvenus-it. "Nuk e besoj. Kemi humbur shumë", "Është e tmerrshme në çdo këndvështrim", "Më vjen ndot, Marotta duhet të largohet", kanë shkruar disa mbështetës bardhezi. |
| Gjatësia e këtyre personazheve të njohur do ju habisë (FOTO) Posted: 14 Jul 2017 08:14 AM PDT Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që televizioni i tregon njerëzit më ndryshe se ç’duken. Por gjithashtu dhe gjatësia është e pamundur të dallohet nëpërmjet ekranit. Më poshtë janë listuar disa nga yjet e “Hollwood” që do tju habisin për sa i përket gjatësisë. Victoria Beckham dhe Michael J. Fox Gwendoline Christie dhe Chris Hemsworth Maria Sharapova dhe Ashton Kutcher Uma Thurman dhe Leonardo DiCaprio Brooke Shields dhe Miles Teller Sigourney Weaver dhe Chris Evans Taylor Swift dhe Brad Pitt Michelle Obama dhe Orlando Bloom Tilda Swinton dhe George Clooney Lily Cole dhe Jude Law Zendaya dhe Jason Statham Julia Roberts dhe Johnny Depp Liv Tyler dhe Colin Farrell Kate Middleton dhe Tom Felton Jennifer Lawrence dhe Tom Hardy Rihanna dhe Kit Harington Angelina Jolie dhe Zac Efron Katy Perry dhe Tom Holland Keira Knightley dhe Tim Roth Adele dhe James McAvoy Beyoncé dhe Dave Franco Aishwarya Rai dhe Dominic Monaghan Emma Stone dhe Elijah Wood Selena Gomez dhe Daniel Radcliffe Emma Watson dhe Bruno Mars |
| Ja si ndryshon Milan-i me Bonucci-n Posted: 14 Jul 2017 08:06 AM PDT Transferimi i Bonucci-t te Milan jo vetëm që i ka shtuar një element shumë të rëndësishëm projektit kuqezi, por do të ketë ndikim edhe te skemat e lojës të ekipit. Në fakt, me qendërmbrojtësin italian Montella mund të ndryshojë modulet e lojës dhe mund të luajë me tre ose katër mbrojtës. Rreshtimi më i mundshëm mund të jetë ai 3-4-1-2, me Leon që do të udhëheqë repartin e mbrojtjes, por nuk përjashtohet edhe zgjidhja klasike 4-4-2. Një lojtar, shumë zgjidhje. Kjo është në thelb domethënia e blerjes së Bonucci-t. Siç ka treguar tek Juventus, Leo mund të luajë shumë mirë në mbrojtjen me tre lojtarë dhe në atë me katër, veçanërisht nëse ka në krah të tij një qendërmbrojtës mëngjarash. Me skemën me 3 mbrojtës (Musacchio, Bonucci, Romangnoli), Montella mund të rreshtojë katër lojtarë në mesfushë (Conti, Kessie, Biglia, Rodriguez) me një fantazist (Calhanoglu ose Bonaventura) në mbështetje të dy sulmuesve (Andre Silva ose Suso dhe njëri mes objektivave Aubameyang dhe Kalinic). Në skemën me katër mbrojtës Bonucci do të luante në qendër bashkë me Romagnoli-n, me Musacchio në krahun e djathtë dhe Rodriguez në të majtin. Në mesfushë do të kishte hapësira për Conti, Kessie ose Suso, Biglia dhe njëri mes Calhanoglu dhe Bonaventura. Në sulm, Andre Silva dhe përsëri njëri mes objektivave Aubameyang dhe Kalinic. Në Milanello po merr formë Milan-i i së ardhmes. Ndërkohë, pas një mungese trevjeçare, Milan është gati të provojë përsëri shijen e Europës dhe do ta bëjë këtë në shtëpinë e CSU Craiova, skuadra me të cilën do të ndeshet në raundin e tretë paraeliminator të Europa League. Ndeshja e parë do të luhet në Rumani më 27 korrik, ndërsa ndeshja e kthimi do të zhvillohet më 3 gusht në "San Siro". |
| Bashkë në jetë dhe në skenë, njihuni me tri vajzat e Merita Halilit dhe Raif Hysenit Posted: 14 Jul 2017 07:41 AM PDT Prej vitesh, këngëtarja e njohur e muzikës popullore Merita Halili dhe bashkëshorti i saj, Raif Hyseni, jetojnë dhe punojnë në Amerikë. Këtë verë ata janë rikthyer në Shqipëri për pushime, por edhe për t'u bërë pjesë e disa koncerteve të organizuar në qytete të ndryshme të vendit. Pasditen e djeshme, Merita dhe Raifi kanë qenë të ftuar në programin "Rudina", në TV Klan, ku kanë rrëfyer më shumë për aktivitetin e tyre në Amerikë, idenë e themelimit dhe funksionimit të Katedrës së Parë të Muzikës Shqipe në "Montclair State University" në New Jersey, por edhe për sakrificën që u është dashur të bëjnë gjatë viteve, në mënyrë që muzikën tradicionale shqiptare të mos e dëgjojnë dhe shijojnë vetëm bashkëkombësit tanë që punojnë e jetojnë përtej oqeanit, por pse jo, edhe vetë amerikanët ta çmojnë e vlerësojnë më shumë. E gjithë jeta në skenë ka kërkuar, pa dyshim, edhe shumë sakrifica në familje, që për Meritën dhe Raifin nuk kanë qenë të pakta. Tri vajzave, të cilat tashmë janë të rritura, u është dashur ta përballojnë mungesën e herëpashershme të prindërve në shtëpi. Megjithatë, siç tregon Merita, ato janë kujdesur për njëra-tjetrën gjithmonë dhe sot ata janë prindër krenarë. Në këto foto është e gjithë familja Hyseni: "Megi, vajza e madhe është 28 vjeç. Sot ajo është mësuese e fëmijëve me probleme, me autizëm. Si e madhja, Megi ka qenë gjithmonë një nënë e dytë për dy motrat sa herë që babi dhe mami ishin nëpër koncerte e aktivitete muzikore. Vajza e dytë, Enxhi, është 21-vjeçare. Ajo vazhdon studimet për stomatologji, ndërsa e vogla, Rea, 14 vjeç, sapo ka mbaruar klasën e tetë". E pyetur nëse ndonjëra nga vajzat ka dëshirë të merret me muzikë si prindërit, Merita thotë se e vogla është ajo që ka treguar se është e talentuar. Të tria vajzat duket se kanë marrë tiparet më të mira nga prindërit, por buzëqeshja e ëmbël e Meritës dhe sytë shkëlqyes janë dominuese te të tria. |
| Zona Ekonomike e Ballkanit, ja çfarë parashikon projekti i BE në 4 shtylla Posted: 14 Jul 2017 06:55 AM PDT Komisioni Europian ka bërë për herë të parë publike se çfarë përmban konkretisht projekti i Zonës Ekonomike të Ballkanit. Përmes një memoje zyrtare, Komisioni sqaron se Zona do të bazohet në katër shtylla, që janë tregtia, investimet, lëvizja e lirë dhe tregu dixhital. Në lidhje me tregtinë, Zona e Përbashkët ekonomike, parashikon zgjerimin e marrëveshjes CEFTA duke përfshirë edhe tregtinë e shërbimeve. Kjo nënkupton që kompanitë e shërbimeve si bankat, shoqëritë e sigurimeve apo ato të transportit të mund të lëvizin dhe ofrojnë shërbimet e tyre lirshëm në çdo vend të rajonit. Pas tregtisë, kolona e dytë e zonës ekonomike do të jenë investimet. Gjashtë shtetet e Ballkanit perëndimor do të bien dakord të krijojnë një axhendë të përbashkët investimesh, ku përfshihet shkëmbimi i informacionit dhe harmonizimi i politikave investuese. Pika e tretë, ajo që parashikon lëvizjen e lirë prek drejtpërdrejtë qytetarët. Vendet do të bien dakord të heqin çdo barrierë për lëvizjen e lirë të profesionistëve, përmes njohjes së përbashkët të kualifikimeve profesionale. Kjo nënkupton se një dentist shqiptar mund të ofrojë shërbimet në Beograd apo anasjelltas. Dimensioni i fundit i projektit është ai dixhital. Ky dimension përfshin marrëveshje për shërbimet roaming dhe ato të ofrimit të internetit. Ai parashikon protokolle për sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave dhe do të adresojë nevojat që kanë vendet e rajonit për aftësi në fushën dixhitale. Sipas Komisionit Europian, Zona e përbashkët do të krijojë 80 mijë vende të reja pune në rajon dhe do të nxisë rritjen ekonomike. |
| Macron: Asgjë nuk mund të na ndajë nga SHBA-ja Posted: 14 Jul 2017 06:36 AM PDT Presidenti francez, Emmanuel Macron konfirmoi sot se asgjë nuk do ta ndante kurrë Francën nga SHBA-ja. Këtë deklaratë, ai e bëri një fjalimi të shkurtër të mbajtur përkrah presidentit amerikan, Donald Trump, në përfundim të paradës tradicionale ushtarake të 14 Korrikut. "Franca, në historinë e saj, ka gjetur aleatë të sigurtë, miq që i kanë ardhur në ndihmë dhe SHBA-ja është kjo këtu, për këtë arsye asgjë nuk do të na ndajë kurrë", theksoi ai nga tribuna zyrtare. "Prania sot e Donald Trump dhe bashkëshortes së tij është shenjë që kapërcen kohërat", tha ai. |
| Yllka Kuqi në përgatitje të klipit të ri (Foto) Posted: 14 Jul 2017 05:42 AM PDT Këngëtarja nga Gjakova, Yllka Kuqi, ka filluar xhirimet e klipit të saj më të ri. Yllka njihet për baladat e saj hite dhe kësaj radhe si duket sërish do të vijë me baladë. Titulli i këngës është "Fale" dhe pritet të publikohet së shpejti. Ajo ka publikuar një fotografi nga seti i xhirimeve, ku shfaqet tejet joshëse. |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |









