Tirana Observer: “Aleanca Popullore: Të ndalet presioni ndaj KQZ-së për ndryshim rezultati” plus 9 more

Tirana Observer: “Aleanca Popullore: Të ndalet presioni ndaj KQZ-së për ndryshim rezultati” plus 9 more


Aleanca Popullore: Të ndalet presioni ndaj KQZ-së për ndryshim rezultati

Posted: 11 Jul 2017 10:27 AM PDT

Aleanca Popullore ka reaguar sot për thirrjen e kryetarit të KQZ për të përshpejtuar çdo hetim administrativ apo penal të institucioneve të ngarkuara nga ligji me shqyrtimin e problemeve të konstatuara në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Aleanca Popullore thekson në deklaratën e saj se është e shqetësuar se ndaj KQZ-së po ushtrohet presion, jo vetëm politik, për të ndryshuar rezultatin e shpallur të zgjedhjeve parlamentare.

"Tendenca apo përpjekjet për të siguruar mandate në Kuvendin e ardhshëm, nëpërmjet presionit të parasë apo korrupsionit, do ta shkelmonin përfundimisht besimin e publikut te zgjedhjet e lira e të ndershme", thekson AP.

Deklarata e plotë e Aleancës Popullore:

Aleanca Popullore përshëndet thirrjen e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përshpejtuar çdo hetim administrativ apo penal të institucioneve të ngarkuara nga ligji me shqyrtimin e problemeve të konstatuara në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Aleanca Popullore shpreh besimin se vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe më tej Kolegji Zgjedhor do të tregojnë paanësi dhe integritet profesional në shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike lidhur me rezultatin e zgjedhjeve.

Aleanca Popullore është e shqetësuar nga raportimet publike, se ndaj KQZ-së po ushtrohet presion, jo vetëm politik, për të ndryshuar rezultatin e shpallur të zgjedhjeve parlamentare. Tendenca apo përpjekjet për të siguruar mandate në Kuvendin e ardhshëm, nëpërmjet presionit të parasë apo korrupsionit, do ta shkelmonin përfundimisht besimin e publikut te zgjedhjet e lira e të ndershme.

Aleanca Popullore i bën thirrje prokurorisë dhe organeve ligjzbatuese të mbikëqyrin dhe të reagojnë ndaj çdo tentative të klaneve kriminale, të lidhura me segmente të politikës, për të blerë mandate deputetësh në tavolina të errëta, me bashkëpunimin e qarqeve që synojnë të mbysin demokracinë dhe forcën e ligjit.

Edhe një herë, Aleanca Popullore u bën thirrje të gjitha partive politike të angazhohen publikisht për realizimin e një reforme të plotë e efikase zgjedhore, që do të jetë fundi i përhershëm i trafikantëve të votës. Një votë e trafikuar është një votë që shkon për interesa të errëta, aspak në përputhje me aspiratat e shqiptarëve.

Përçahet grupi, deputeti i PD-së: Refuzoj ta quaj Bashën kryetar

Posted: 11 Jul 2017 10:16 AM PDT

Igli Cara, deputeti i Partisë Demokratike, deklaron se do të refuzoj të njoh Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike.

Në një intervistë për emisionin "Fol me mua" në RTSH, Cara ka deklaruar se nuk mund të lejoi që Lulzim Basha të vjedh zgjedhjet brenda forcës së tij politike.

"Nëse do të kishte një garë të ndershme, unë i pari do të thosha: T'i fitove unë do të jem ushtari i partisë tënde.

Por unë refuzoj që këto t'i quaj zgjedhje. Sepse nëse kam refuzuar dhe nuk kam pranuar vjedhjen e Edi Ramës që e kam kundërshtar politik nuk mund të pranoj që të vidhen zgjedhjet në shtëpinë time siç po bën Lulzim Basha. Refuzoj ta quaj kryetar pas këtyre zgjedhjeve farsë", deklaroi Cara.

Deputeti i Durrësit, i cili u la jashtë listës së kandidatëve për deputetë nga Basha shprehet se edhe diktatori Enver Hoxha vendimet e rëndësishme i merrte me njerëz të afërt dhe asnjëherë vetëm siç bëri Basha.

"Sali Berisha e ka mbledhur gjithmonë kryesinë sa herë ka pasur lista. Po si mund të ndodhi pas 27 vitesh demokraci, ku kam përshtypjen që Enver Hoxha dhe Nexhmija nuk i bënin listat vetëm pa patur një konsultë.

Të më bësh një listë deputetësh dhe mos e paraqitësh në kryesi. Pse duhen fshehur listat. Ne jemi parti legale, nuk jemi parti komuniste", deklaroi Cara.

Baroni shqiptar i drogës jetonte i fshehur në një vilë-bunker në Berat

Posted: 11 Jul 2017 08:25 AM PDT

Shqiptari 44-vjeçar, Alket Hatija, i konsideruar si "Zoti i drogës" nga mediat italiane, është arrestuar në qytetin e Durrësit.

44-vjeçari prej kohësh dërgonte qindra kilogramë heroinë dhe kokainë nga Shqipëria në Itali.

Pas informacioneve të marra nga autoritetet e Milanos, policia shqiptare ka mundur të kapë Hatijën, që e kërkonin në kuadër të një dënimi në mungesë me 20 vjet burg.

"La Sicilia" shkruan se agjentët shqiptarë e kanë arrestuar në Durrës, teksa Hatija po shkonte të takonte një mikun e tij.

Gjithashtu u zbulua se duke Hatija jetonte në një vilë me bunker në Berat dhe ruhej gjatë gjithë kohës nga truproja të armatosura.

Dënimi për të u dha pasi akuzohet për transportimin në Milano, në vitet 2003-2004 të 350 kilogramëve heroinë dhe 190 kg kokainë.

Ngarkesa këto me vlerë 35 deri në 45 milionë euro.

Foto nga krimi mjedisor pak km larg Tiranës dhe sa vite burg rrezikon administratorja e Euroteam

Posted: 11 Jul 2017 08:20 AM PDT

Pamjet e dhunës së rëndë kundrejt një gazetari të programit investigativ STOP, të publikuara nga TV Klan një natë më parë, kanë tronditur të gjithë opinionin publik.

STOP denoncoi mbrëmjen e djeshme një skandal mjedisor pak kilometra larg Tiranës dhe pamjet që u transmetuan në ekran nuk kanë lënë vend për asnjë interpretim.

Administratorja e Euroteam, Mirela Topulli, u shfaq me zë e me figurë duke goditur disa herë e duke sharë gazetarin që interesohej për hedhjen e helmeve të rrezikshme në lumin Erzen.

Sipas njoftimit të policisë këtë të martë, Mirela Topulli do të hetohet nga prokuroria në bazë të dy neneve të Kodit Penal.

I pari është Neni 237 – Goditje për shkak të detyrës.

Për këtë rast, Mirela Topulli rrezikon nga gjobë deri në tre vjet burg.

Por pas sherrit të Mirela Topullit me gazetarit fshihet një krim mjedisor.

Para se të përballej me administratoren, gazetari filmoi në lumin Erzen, aty ku kamionët e Euroteam shkarkonin mbetjet spitalore.

Ligji detyron që mbetjet duhet të digjen sipas procedurave të rrepta, pasi përmbajnë lëndë kimike të rrezikshme.

Foto e shkëputura nga filmimet e emisionit Stop, tregojnë se dëmi i shkaktuar nga hedhja e mbetjeve spitalore në lumë është i frikshëm.

Ditën e dytë, pasi gazetari ishte përballur me administratoren e Euroteam, në anë të lumit ishte punuar me eskavatorë për t'i groposur mbetjet kimike nën tokë.

Por sërish ka qenë e pamundur të fshihet krimi mjedisor.

Në anë të lumit janë krijuar pellgje uji të ndotur nga lëndët kimike.

Sa vite burg rrezikon administratorja e Euroteam

Neni 237- Goditje për shkak të detyrës

Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni tjetër, mbi të cilin policia ka referuar materialet në prokurori është Neni 285, pika B.

Që ka të bëjë me shpërndarjen e substancave kimike. Dënimi që rrezikon Mirela Topulli, sipas këtij ligji, është akoma më i rëndë, nga tre deri në dhjetë vjet.

Neni 285 – Mbajtja, prodhimi dhe transportimi i substancave kimike.

Prodhimi, mbajtja, transportimi ose shpërndarja e substancave kimike bazë ose e substancave të tjera të çfarëdollojshme, e pajisjeve, e materialeve, në rast se dihet që ato përdoren ose do të përdoren për prodhimin ose trafikimin e paligjshëm të substancave narkotike a psikotrope, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Strategjia e Patozit, nis nga Durrësi takimet anti-Basha

Posted: 11 Jul 2017 08:04 AM PDT

strit Patozi, ish-nënkryetari i PD-së do të nisë nesër një tur takimesh në të gjithë vendin, me qytetarë të zakonshëm dhe mbështetës të PD-së.

Mësohet se takimi i parë i Patozit do të zhvillohet nesër në orën 19:00 në qytetin e Durrësit.

Ky tur takimesh zhvillohet paralelisht me takimet që Basha e Selami po zhvillojnë me anëtarët e PD-së për zgjedhjen  e kryetarit të ri të partisë.

Patozi ka kritikuar qëndrimet e Bashës në këtë proces dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij.

Patozi pati paralajmëruar nga emisioni "5 pyetjet nga Babaramo" nisjen e një turi takimesh me demokratët në bazë, për të ndalur atë që ai e cilëson farsë elektorale në zgjedhjet për kreun e ri të partisë.

 "Ne nuk pranojmë të kemi një mbret për kryetar që thotë se unë me dy tre njerëz të shtëpisë i vendos të gjitha. Unë vetë bashkë me një grup kolegësh do bëjmë një tur nëpër Shqipëri në mënyrë që të takohemi me demokratët dhe tu kërkojmë që të gjejmë zgjidhje për partinë tonë."

Patozi bëri të ditur se ditët në vijim do të kërkojë thirrjen e Këshillit Kombëtar, një kërkese kjo e bërë edhe nga Jozefina Topalli e Arben Imami për shkarkimin e Lulzim Bashës, që para disfatës së tij në zgjedhjet e 25 qershorit.

"Në ditët në vijim do të ketë zhvillime të reja. Do të ketë kërkesa institucionale për të ndërprerë farsën, nëse nuk ndodh do të shikojmë të gjitha mënyrat që ajo ditë të mos jetë e bekuar , por për t'u harruar."

Astrit Patozi është shprehur i gatshëm për të garuar për kreun e Partisë Demokratike, por ai refuzoi te ishte pjesë e saj, për shkak të refuzimit të kërkesave të tij për të pasur një garë të drejtë e të barabartë, si dorëheqja e Lulzim Bashës apo vënia në dispozicion e listave të anëtarësisë.

Ndërkohë sot anëtarësia e degës së PD-së në Vlorë, ka nisur një peticion ku kërkon mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kësaj force politike.

Mësohet se në këtë qytet janë mbledhur 140 firma, një ditë përpara mbërritjes së kryedemokratit Basha, ku do të flasë para demokrateve për platformën e tij lidhur me garën për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike.

Peticioni është i ngjashëm me atë që firmosën një pjesë e demokratëve në Korçë.

Veç të tjerash kërkohet të ndërpritet fushata, pasi procesi i votimit është një farsë që ka shkelur hapur statutin e PD-së.

Imamët në Ballkan e kalojnë në internet luftën kundër ekstremizmit

Posted: 11 Jul 2017 07:05 AM PDT

Pasi dhjetëra imamë të vetëshpallur u gjykuan për rekrutim luftëtarësh për luftërat në Lindjen e Mesme, organizatat fetare të mbështetura nga shteti i janë bashkuar luftës në internet për zemrat dhe mendjet e myslimanëve në Ballkan.

"Ne nuk jemi terroristë dhe na pëlqen të ndajmë bakllava me fqinjët tanë," thotë një nga mesazhet e postuara në Facebook nga një myfti i Beogradit i quajtur Mustafa Jusufspahiç.

Jusufspahiç është ndër liderët e paktë fetarë në Serbi që përdor mediat sociale për të komunikuar me ndjekësit e tij.

"Zoti na e dha njëri-tjetrin që ta njohim njëri-tjetrin dhe jo që të luftojmë," tha Jusufspahiç në përshkrimin e një fotoje në Twitter, ku paraqitet ai duke shtrënguar duart me një prift katolik dhe një prift të krishterë ortodoks.

Ballkani për shekuj me radhë ka qenë një vend me disa fe të ndryshme dhe deri vonë, shumica e liderëve fetarë përdorën mënyra të vjetra për të komunikuar besimet e tyre – nëpërmjet predikimeve në kishat, sinagogat dhe xhamitë e tyre.

Por pasi autoritetet në shumë shtete të Ballkanit futën pas hekurave dhjetëra imamë të vetëshpallur për përhapje dhune në internet dhe nxitje terrorizmi, imamë nga komunitetet islamike zyrtare dhe të miratuara nga qeveria kanë vendosur të regjistrohen në Facebook, Twitter, Instagram dhe YouTube për të përhapur kudo mesazhin e tyre.

Bashkëpunim me yje futbolli

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra (majtas) dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu (djathtas) në një xhami të re në lindje të Shqipërisë. Foto: Komuniteti Mysliman në Tiranë/Facebook.

Faqja e Facebookut e imamit të Xhamisë së Tabakëve në Tiranë, Elvis Naci, është bërë shumë popullore për shqiptarët. Llogaria e tij në Facebook dhe Instagram, të cilat ai përdor për të komunikuar pikëpamjet e tij të moderuara mbi Islamin dhe për të bërë thirrje për paqe dhe mirëkuptim midis besimtarëve në Ballkan, aktualisht kanë gjysmë milioni ndjekës. Midis tyre është ylli shqiptar i futbollit, Lorik Cana, i cili shpesh komenton nëpër postimet e Nacit.

Ylli Gurra, një myfti i Tiranës dhe përfaqësuesi i Komunitetit Islamik në Shqipëri, pjesë e të cilit është edhe Naci, thotë se imamët që mbikëqyrin jetën fetare në Tiranë dhe në Shqipëri në përgjithësi i kanë këshilluar ndjekësit e tyre -sidomos të rinjtë- të qëndrojnë larg xhamive informale që nuk njihen nga Komuniteti Mysliman, ku klerikët radikalë predikojnë interpretime ekstremiste të Islamit.

Gurra megjithatë e pranon se përdorimi i rrjeteve sociale nga imamët është ende në fazat e hershme.

"Shumica e imamëve besojnë se predikimi dhe dhënia e këshillave përmes rrjeteve shoqërore nuk është gjithmonë i domosdoshëm. Unë personalisht i përdor ato, më shumë për të dhënë një lloj kundër përgjigjeje kur forma të pasakta të Islamit predikohen në internet," tha ai për BIRN.

Në Maqedoninë fqinjë, Komuniteti zyrtar Mysliman është bërë gjithashtu shumë aktiv në rrjetet sociale gjatë disa viteve të fundit, duke u përpjekur të përballet ose të pengojë njerëzit me pikëpamje radikale që ndr6yshojnë nga mësimet e moderuara islame.

Zëdhënësi i tij Goni Vojnika tha për BIRN se një numër në rritje i imamëve maqedonas, përfshirë kreun e Komunitetit Mysliman të Maqedonisë (IVZ), Sulejman Rexhepi, po i drejtohen rrjeteve sociale për këtë qëllim.

"Ne po përpiqemi t'u shpjegojmë besimtarëve tanë se ISIS nuk përfaqëson Islamin dhe se IVZ ka qenë gjithmonë e orientuar kundër çdo konflikti apo lufte. Sa herë që mundemi, ne dënojmë terrorizmin dhe në veçanti shpjegojmë se dhuna në emër të fesë nuk është mënyra e duhur," tha Vojnika.

Vonika shtoi se s'është e rrallë që imamët të marrin pjesë në biseda në internet kur idetë radikale propagandohen në përpjekje për të ndaluar ose paralajmëruar njerëzit që të mos u jepen pikëpamjeve të tilla.

Imamët e burgosur shqiptarë të radikalizuar jashtë shtetit

Imamët e burgosur.

Katër imamë janë aktualisht në burg në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, duke shlyer dënimin nga 7 deri në 18 vjet burg për rekrutim njerëzish që t'i bashkohen të ashtuquajturit Shteti Islamik dhe grupeve të tjera islamike ekstreme dhe nxitje terrorizmi nëpërmjet predikimit të tyre.

Gjykatat shqiptare në maj 2016 dënuan imamin Bujar Hysa me 18 vjet burg dhe kolegun e tij Genci Balla me 17 vjet burg.

Autoritetet në Kosovën fqinje arrestuan 14 imamë në verën e vitit 2014.

Deri më tani, njëri prej tyre, Zeqirja Qazimi, një imam në Gjilan, është dënuar dhe burgosur për, ndër të tjera, udhëzim të luftëtarëve të ISIS përfshirë famëkeqin Lavdrim Muhaxheri, një komandant kyç nga Kosova i cili vdiq në qershor.

Prokurorët kanë akuzuar pesë të tjerë për rekrutim dhe nxitje të terrorizmit nëpërmjet predikimit të tyre.

Enes Goga nga Peja, Idriz Biliani dhe Mazllom Mazllomi nga Prizreni, dhe Bedri Robaj dhe Shefqet Krasniqi nga Prishtina po presin të dalin në gjyq. Asnjë masë sigurie nuk është imponuar për të siguruar praninë e tyre në gjykatë.

Në Maqedoni, Rexhep Memishi, një imam në dy xhami në Shkup, u dënua me 7 vjet burg në mars 2016.

Të gjithë ata që janë arrestuar dhe burgosur përfaqësojnë një formë të ashpër dhe konservatore të Islamit. Tre prej tyre studiuan dhe jetuan me vite me radhë në Arabinë Saudite dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme. Prokurorët thanë se Zeqirja Qazimi ishte sponsorizuar nga organizata saudite dhe të tjera nga Gjiri që punojnë në Kosovë.

Shpend Kursani, një hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, një organizatë, tha për BIRN se mënyra se si ata predikojnë pasqyron studimet e tyre në vende si Arabia Saudite.

"Arsimimi dhe zhvillimi fetar i tyre padyshim ka pasur një impakt në mënyrën konservatore të predikimit të tyre dhe të jetës së tyre në përgjithësi. Për pasojë, predikimet e tyre ishin më konservatore sesa ato që do të dëshironin komunitetet zyrtare islamike," tha ai.

Por Kursani tha se konservatizmi në Islam nuk ishte domosdoshmërish i lidhur me ekstremizmin apo me radikalizmin e dhunshëm.

"Shumë studime nuk tregojnë lidhje të drejtpërdrejta midis konservatizmit dhe ekstremizmit, edhe pse në situata të caktuara një ndjekës mund të mos jetë i kënaqur me predikimet konservatore paqësore dhe mund të kërkojë ata që janë edhe konservatorë edhe të dhunshëm," tha ai.

Dy imamë të burgosur në Shqipëri i nisën studimet e tyre në Siri dhe Jordani dhe më vonë jetuan në Arabinë Saudite dhe studiuan në Universitetin Islamik në Medinë.

Megjithatë, vetëm Bujar Hysa e mbaroi kursin, ndërsa të dhënat gjyqësore thonë se Genci Balla u përjashtua sepse sjellja e tij konsiderohej problematike.

Raportet e mediave thonë se ky ishte gjithashtu rasti i imamit të burgosur në Shkup, Rexhep Memishi, i cili nuk mundi ta mbaronte kursin e tij në Universitetin Islamik në Arabinë Saudite.

Kaltrina Selimi, një studiuese në çështjet e sigurisë në organizatën Analytica në Shkup, tha për BIRN se lidhjet që këta njerëz krijuan jashtë universiteteve të tyre ishin më të rëndësishme në nxitjen e tyre drejt radikalizimit.

"Shumica e imamëve të arrestuar ishin studentë që braktisën studimet e tyre në disa vende arabe, por më pas ndenjën në ato vende dhe u lidhën në një farë pike me ekstremistët lokal atje," tha ajo.

Ajo u bëri thirrje vendeve të Ballkanit të zhvillojnë kurse islamike të larta dhe të forcojnë procesin e verifikimit të diplomave që studentë të fesë marrin në vendet e Lindjes së Mesme.

Në ndjekje të ekstremistëve

Foto: BIRN

Dy grupe të mëdha myslimane në Ballkan janë boshnjakët, të cilët jetojnë kryesisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi dhe Mal të Zi.

Ndërkohë që imamët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia janë radikalizuar jashtë shtetit, boshnjakët nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina janë radikalizuar në vetë Bosnjë.

Predikuesi më i famshëm dhe famëkeq i islamit radikal në Bosnje, që përfundoi pas hekurave, ishte Bilal Bosniç, i cili në fshatin e tij Gornja Maoca krijoi një qendër jozyrtare rekrutimi ku njerëz nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi do të vinin për atë që Bosniç e përshkruante si edukim fetar. Më vonë, shumë prej tyre do të përfundonin në Siri dhe Irak.

Edhe pse Bosniç është në burg, ndikimi i tij në internet mbetet i madh, pasi shumica e leksioneve të tij në YouTube që bëjnë thirrje për dhunë janë ende të disponueshme.

Por Komuniteti Islamik në Bosnjë tani po përpiqet të luftojë atë që ai e sheh si një keqpërdorim të mendimit fetar.

Muhamed Jusiç, këshilltari për mediat i Komunitetit Islamik dhe teolog i njohur, tha për BIRN se Komuniteti po përpiqet të promovojë vlerat tradicionale islamike në Bosnje dhe Hercegovinë, si në xhami ashtu edhe në mjediset arsimore, si reagimi më i mirë i mundshëm ndaj radikalizmit.

"I gjithë studimi tregon faktin se format tradicionale të islamit, i cili ka ekzistuar në këtë rajon për qindra vjet, është programi më i mirë parandalues për abuzimin e fesë. Kjo është arsyeja pse ky Komunitet tradicional Islamik është i pari në vijë për sulme nga ekstremistët e dhunshëm," tha Jusiç.

Megjithatë, ai paralajmëroi se ndërsa ekstremistët e dhunshëm janë të përgatitur mirë në teknologjitë e reja, komuniteti tradicional islamik tashmë po fillon ta kapë ritmin.

Komuniteti tani ka një prani në internet, me 12,000 ndjekës në Facebook. Gazeta e tij Preporod ka 17,000 ndjekës, ndërsa stacioni islamik në radio BIR ka më shumë se 22,000 ndjekës.

Muhamed Veliç, një imam nga Sarajeva me pothuajse 65,000 ndjekës, tha se komuniteti i tij vetëm tani po i eksploron këto mundësi dixhitale.

"Mendoj se komunikimi në internet me njerëzit që vijnë në xhaminë time është një mjet shumë më efikas. Megjithatë, fatkeqësisht, shumë nuk e përdorin këtë mjet. Shumë imamë janë pasivë dhe nuk e dinë se shumica e komunikimit në ditët e sotme bëhet në internet dhe është shumë i rëndësishëm," tha Veliç për BIRN.

"Njoh disa imamë që përdorin mjetet në internet dhe komunikojnë. Ata e bëjnë këtë në një mënyrë të shkëlqyer, por, fatkeqësisht, ata janë pak. Unë përpiqem të inkurajoj disa nga kolegët e mi të përdorin më shumë mënyra të komunikimit në internet," shtoi ai.

Samir Kadribasiç, një imam nga qyteti malazez i Pljevljës, tha se Komuniteti Islamik i Malit të Zi vendosi të përdorë rrjetet sociale për të ndikuar tek të rinjtë në vend që po devijohen nga rruga e drejtë.

"Shumë të rinj e kanë keqinterpretuar fenë. Ata lexuan dhe dëgjuan gjëra në internet, vendosën të shkonin në luftë, morën familjet e tyre, i morën me vete drejt diçkaje të panjohur, për të luftuar në anën e grupeve ekstremiste dhe mbyllën jetët e tyre në shkretëtirat e Siria dhe Iraku," tha Kadribasiç për BIRN.

Kadribasiç tha se ai po përpiqet të përdorë mediat sociale për të kundërshtuar ndikimet ekstreme.

"Po përpiqem ta theksoj këtë problem, të shpreh pikëpamjet e mia, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e grupeve më radikale dhe ekstremiste. Misioni i imamëve në shoqërinë e sotme është të komunikojnë çdo ditë me besimtarët e tyre dhe të tregojë këtë anomali (të ekstremizmit)," tha ai.

Ivan Ejub Kostiç, një ekspert fetar islamik dhe drejtor i OJQ-së Qendrës Ballkanike për Lindjen e Mesme, tha për BIRN se rrjetet sociale janë "një fushë beteje kyçe" për zemrat dhe mendjet e besimtarëve.

Kostiç paralajmëroi se ndjekësit e radikalëve po ndajnë dhe përhapin mesazhet e liderëve të tyre "si një ushtri".

"Si do ta arrije një djalosh të ri në një fshat? Sot duhen vetëm 30 sekonda me anë të një kompjuteri dhe je direkt në apartamentin e tij. Ai ulet në kompjuter dhe krejt papritur bombardohet me njoftime dhe kështu zhytet në atë botë," tha ai.

Myftiu nga Beogradi Jusufspahiç ra dakord: "Fatkeqësisht, kushdo që dëshiron ta manipulojë këtë hapësirë në internet ka një mundësi të mirë," tha ai.

Por imami nga Sarajeva Veliç ofroi një këshillë për imamët në rajon që po përpiqen të kundërshtojnë ndikimet radikale: shpërndani mesazhe pozitive që paraqesin një këndvështrim më shpresëdhënës dhe dashamirës mbi fenë dhe vetë jetën.

"Unë u kujtoj vazhdimisht ndjekësve të mi se kush jemi ne. Ne jemi krijime të Zotit dhe skllevërit e tij. U kujtoj atyre Krijuesin tonë. U them të jenë njerëz të mirë dhe fisnikë. U flas për gjëra të të këndshme dhe ofroj shpresë. U tregoj atyre histori të bukura dhe u flas për energjinë që marr nga jeta ime dhe besimi," tha Veliç./ Burimi: BIRN

Kundërpërgjigjet PS/ Ja si i ka shtuar votat PDIU për mandatin e Idrizit në Tiranë

Posted: 11 Jul 2017 06:30 AM PDT

Ndërsa Partia për Drejtesi, Integrim dhe Unitet pretendon marrjen e një mandati në Tiranë me argumentin se i janë vjedhur votat e mjaftueshme që kryetari i saj, Shpëtim Idrizi të dilte deputet, një portal pranë qeverisë, Lexo.al publikon një video, ku dëshmon të kundërtën.

Në videon e publikuar nga Lexo.al rezulton se në një qënder votimi, PDIU ka më shumë vota në tabelën përfundimtare se sa në kutinë e votimit.

Sipas Lexo.al, në qendrën e votimit 1911/1 në Tiranë, subjekti PDIU ka marrë 3 vota (shiko videon dhe fotot në fund të lajmit), ndërsa në procesverbal, PDIU-së së Idrizit i janë llogaritur 13 vota.

Pra, në këtë kuti PDIU ka marrë 10 vota që nuk i përkisnin.

 

Policia prish koncertin e Genës në Dhërmi, arreston kompozitorin (Video)

Posted: 11 Jul 2017 06:26 AM PDT

"Ishim duke bërë muzikë si gjithmonë ndërkohë që policia kishte ardhur jashtë lokalit. Në atë moment Gena zbriti nga skena dhe unë isha ende lart për të mbyllur muzikën," rrëfen kompozitori dhe muzikanti i njohur.

Ai shpjegon se ndërkohë që ndodhej ende në skenë, thuajse ishte rrethuar nga uniformat blu të cilët qartazi ishin përgatitur ta arrestonin. "Nuk bëra rezistencë dhe më vunë prangat. Nga aty më çuan në komisariat ku më mbajtën 5-6 orë pa arsye, pasi këto gjëra normalisht zgjidhen me një urdhër ndalimi"- shpjegon Begolli.

"Kam mbetur i shokuar dhe s'do doja të përsëritej më një gjë e tillë pasi për një artist është tronditëse të trajtohet në një mënyrë të tillë si të ishte një kriminel."- përfundoi ai.

 

Emergjencat Civile: Dy vatra të reja zjarri në Dibër e Vlorë, po punohet për shuarjen e flakëve

Posted: 11 Jul 2017 06:20 AM PDT

Dy vatra të reja zjarri janë evidentuar ditën e sotme në qarkun e Dibrës dhe atë të Vlorës. Në raportimin e Emergjencave Civile për situatën me zjarret dhe masat e marra deri në orën 14:00, theksohet se situata po monitorohet nga afër nga specialistët në qarqe.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile sqaron forcat zjarrfikëse së bashku me ato të pyjores dhe pushtetin vendor kanë ndërhyrë për të vendosur nën kontroll flakët në vatrat e krijuara gjatë orëve të fundit në Dibër e Vlorë.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

QARKU DIBËR

Vatra e zjarrit në fshatin Patin, Klos është riaktivizuar gjatë mesditës. Edhe pse terreni është shumë i vështirë forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete për të shuar flakët.

Nga flakët rrezikohen dy banesa të braktisura që ndodhen në zonë. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 40 forca ushtarake ndërkohë është nisur edhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri.

QARKU VLORË

Në fshatin Mavrovë, Selenicë një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse që po punojnë për shuarjen e flakëve.

 

“Nuk mund të rikthejmë demokracinë sepse nuk e kemi patur…”

Posted: 11 Jul 2017 06:07 AM PDT

Forumi i tretë i shoqërisë civile, që po zhvillohet vetëm një ditë përpara takimit të Ballkanit Perëndimor të Procesit të Berlinit, filloi sot në Trieste, me afro 200 pjesëmarrës – përfaqësues të shoqërisë civile nga Shqipëria, Serbia, Kosova, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi dhe pjesë të tjera të rajonit.

Hedvig Morovai, drejtore ekzekutive i fondit Evropiane për Ballkan, vuri në dukje rëndësinë e procesit të Berlinit për integrimin në BE të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe faktin se nisma e Berlinit mundëson pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në procesin e pranimit në BE.

"Po përpiqemi të merremi me çështje të vërteta. Askush nuk do të na dëgjojë nëse disa diskutojmë për mollët, e të tjerë flasin për portokalle", tha Morvai dhe kujtoi se rekomandimet që vijnë nga ky forum do të komunikohen drejtpërdrejt me ministrat e jashtëm.

Z. Walter Kaufmann, kreu i departamentit të Evropës Lindore dhe Juglindore të Fondacionit Heinrich Boell, tha se Fondacioni është rishtar në Forum, por jo rishtar në Ballkan. Ai përkujtoi praninë e gjatë të Fondacionit dhe bashkëpunimin e tij aktiv me shoqërinë civile.

"Ne investojmë shumë energji për një bashkëpunim kuptimplotë me qeveritë, pasi ka pasur raste të forumeve të ngjashme të NGO-ve ku qeveritë arritën të vepronin, pa marrë seriozisht rekomandimet".

Kaufmann gjithashtu theksoi rëndësinë e mjedisit, energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë për ekonomitë e rajonit.

Ai gjithashtu vuri në dukje se politikat mjedisore janë një investim i përhershëm dhe nuk duhet të perceptohen si një kërcënim, por si një modernizim i ekonomisë. "Investimi në thëngjill dhe teknologji të vjetra është me të vërtetë një mënyrë për të dëmtuar vendin tuaj. Investimi në mjedis dhe energjia e rinovueshme është një mënyrë për të cilën Europa po shkon drejt ".

"Shoqëria civile jeton në një flluskë"

"Ka ende mungesë të madhe të bashkëpunimit, mungesë të madhe besimi në politikë dhe në politikanët. Publiku nuk merr pjesë në procesin e vendimmarrjes dhe është i nevojshëm. Kjo është arsyeja pse ne po mbështesim shoqërinë civile, për të bërë pjesëmarrjen e shoqërisë dhe për ta bërë politikën më transparente", tha Walter Kaufmann, kreu i departamentit të Evropës Lindore dhe Juglindore të Fondacionit Heinrich Boell, gjatë një bisede me gazetarët e mbledhur në Trieste, Forum.

"Nganjëherë shoqëria civile jeton në një lloj flluskë, dhe kjo është ajo që gjithashtu duhet të ndryshojë. Ne duhet t'i inkurajojmë njerëzit që të punojnë më shumë me njerëzit e zakonshëm, njerëzit në rrugë, për të dëgjuar zërat e tyre dhe për t'u dhënë më pak shanse politikanëve populistë të thonë se ata veprojnë në emër të njerëzve të zakonshëm, gjë që zakonisht nuk është rasti", tha Kaufmann.

"Kurrë nuk kemi pasur demokraci, prandaj nuk mund ta ripërtërijmë"

Z. Nenad Šebek, kreu i zyrës rajonale të HBF, për Serbinë, Kosovën dhe Malin e Zi, u përgjigj me vërejtjet se demokracia në Ballkan duhet të rikthehet: "Kurrë nuk kemi pasur demokraci, prandaj nuk mund ta ripërtërijmë. Ndryshimi duhet të vijë prej nesh. Nuk kemi nevojë të rregullojmë motorin, por ta ndërtojmë atë që nga fillimi".

Fondacioni Heinrich Boell po organizon një nga pesë workshopet që po zhvillohen në Forum.

Paneli është i dedikuar për mjedisin, ndryshimet e energjisë dhe të klimës.