Tirana Observer: “157 vite burg për trafikantët e drogës të linjës Shqipëri – Itali” plus 9 more

Tirana Observer: “157 vite burg për trafikantët e drogës të linjës Shqipëri – Itali” plus 9 more


157 vite burg për trafikantët e drogës të linjës Shqipëri – Itali

Posted: 08 Jul 2017 09:43 AM PDT

Gjykata e Apelit të Catanias ka dënuar në total me 157 vite e 9 muaj burg 12 anëtarë të një organizate kriminale që trafikonte drogë nga Shqipëria dhe më pas e shiste në tregun italian.

Mes të dënuarve, dy prej tyre janë shqiptarë.

Shpëtim Xeka është dënuar me 8 vjet e 10 muaj burg dhe Ylber Xeka i dënuar me 3 vjet e 10 muaj burg.

Mediat italiane e konsiderojnë historik vendimin e Gjykatës së Apelit të Catanias për grupin e drogës që u shkatërrua në prill të vitit 2014.

Ndërkohë, dënimet për anëtarët e tjerë italianë të organizatës kriminale variojnë nga 8 vite deri në 22 vite burgim.

Kjo organizatë trafikonte kanabis nga Shqipëria dhe më pas e shiste përmes dozave në Itali. Rrjeti kishte krijuar qarkun e vet të klientëve, të cilëve ua shisnin drogën në shtëpitë e tyre. Por, kishte raste edhe kur blerësit shkonin në banesat e disa prej të arrestuarve për të marrë "porosinë".

Dy gra ishin pjesë e kësaj organizate droge. Pjesëtarët përdornin fjalë të koduara, si "qingj" dhe e kishin fjalën për 1 kg kanabis.

Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, në disa raste trafikantët e fshehnin drogën brenda disa automjeteve të dëmtuara me qëllim që t'i merrte karoatreci për të shmangur dyshimet e policisë.

Hahn: Ja ku duhet të fokusohet qeveria e re shqiptare

Posted: 08 Jul 2017 09:20 AM PDT

"Nisma e tregut të përbashkët rajonal do të jetë një piketë e rëndësishme në rrugën e pranimit në BE dhe jo – siç e keqinterpretojnë – një alternativë ndaj saj".

Përpara Samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste, Nikola Ristić, nga portali 'European Western Balkans' bisedoi me Johannes Hahn, Komisionerin e BE për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, në një intervistë të publikuar ditën e sotme. Ai foli për situatën në secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për pritjet e tij për Samitin e Ballkanit Perëndimor të këtij viti.

Pyetjes për Shqipërinë lidhur me qeverinë e re dhe opozitën, Hahn iu përgjigj se"tani presim që qeveria të jetë e vendosur për ta çuar vendin përpara në rrugën e integrimit në BE nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme reformuese.

Qeveria e re duhet veçanërisht të përqendrohet në zbatimin e reformës së drejtësisë dhe procesit të vettingut, i cili është vendimtar në adresimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në këtë drejtim, qeveria e re duhet gjithashtu të përqendrohet në mënyrë më efektive në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimin e drogës. Është e qartë se vetëm me një shtet ligjor funksional, vendi mund të përparojë në përgjithësi si një shoqëri demokratike dhe një ekonomi e qëndrueshme dhe të bëhet anëtare e BE.

Një opozitë e maturuar, e gatshme për të marrë pjesë në një dialog konstruktiv është gjithashtu çelësi për procesin demokratik të vendit".

Hahn u përgjigj edhe lidhur me samitin e Triestes dhe pritshmëritë që duhet të kenë vendet e Ballkanit Perëndimor ndaj të ashtuquajturit procesi i Berlinit.

"Një nga rezultatet kyçe do të jetë shpallja e "paketës vjetore të ndërlidhjes" të projekteve të transportit dhe infrastrukturës energjetike. Ne gjithashtu shpresojmë që udhëheqësit do të nënshkruajnë Traktatin e Komunitetit të Transportit dhe do të miratojnë një plan veprimi për të krijuar një Zonë Ekonomike Rajonale. Që nga fillimi i tij tre vjet më parë, procesi i Berlinit ka sjellë një dinamikë të re në zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor me rezultate konkrete. Prandaj, i mirëpres idetë e reja konstruktive, siç janë ato të nisura kohët e fundit nga Ministri i Jashtëm gjerman, se si ta bëjnë procesin edhe më dinamik dhe si të fitojnë edhe më shumë fonde për t'iu përgjigjur nevojave të investimit që ka rajoni".

I pyetur për skepticizmin e Malit të Zi për projektin e një tregu të përbashkët, Hahn tha:

"Jam i bindur se integrimi më i madh ekonomik do ta bëjë rajonin më tërheqës dhe më konkurrues. Një zonë ekonomike rajonale është një rrugë premtuese për të krijuar mundësi më të forta dhe më të qëndrueshme ekonomike për rajonin dhe popullatën dhe ky është një objektiv që e mbështesin të gjithë.

Në këtë drejtim, Mali i Zi ka luajtur një rol konstruktiv dhe aktiv dhe është angazhuar për të punuar së bashku me partnerët rajonalë në zhvillimin e hartës rrugore.

Kryeministri Markoviç ka sinjalizuar mbështetjen e tij të plotë ndaj nismës që ngrihet mbi ambiciet e pranuara gjatë kryesimit malazez të CEFTA-s në vitin 2016. Më lejoni gjithashtu të theksoj se thellimi progresiv i integrimit ekonomik në rajon duhet të bazohet në rregullat dhe parimet e BE-së. Në këtë mënyrë, kjo iniciativë do të jetë një piketë e rëndësishme në rrugën e pranimit në BE dhe jo – siç e keqinterpretojnë – një alternativë ndaj saj".

Inzaghi te Shqipëria? Presidenti i Venecias shkrihet gazit

Posted: 08 Jul 2017 09:00 AM PDT

Xhoe Takopina, presidenti i Venecias e merr me humor lajmin se Filipo Inzagi do të ulet në stolin e Shqipërisë.

Ai ka besim se tekniku do të vazhdojë që të kryejë detyrën e tij dhe interesit të gazetarëve i përgjigjet me batuta.

"Inzagi te Shqipëria? Thjesht kam qeshur, aty nuk kanë bresaolan (lloj sallami karakteristik), diçka që për të është një domosdoshmëri dhe nuk do të mund të shkonte aty.

Inzaghi është entuziast për suksesin që po arrin këtë. Natyrisht që kam lexuar për interesimin që ka pasur për të, por kurrë nuk jam shqetësuar", tha numri 1 i klubit.

Inzagi u përmend si një ndër kandidaturat me potencial për të marrë drejtimin e Shqipërisë.

Kandidatë të tjerë janë: Kristian Panuçi, Klarens Sedorf, De Kanio apo Kamolese.

Burg për dy vajzat shqiptare dhe tutorin, prostituonin në Dubai

Posted: 08 Jul 2017 08:51 AM PDT

Një gjykatë në Dubai ka dënuar me nga 1 vit burg 2 vajza shqiptare dhe 1 bullgare, pasi u shpallën fajtore për prostitucion të paligjshëm.

Mësohet se vajzat u arrestuan në tetor të vitit të kaluar, teksa punonin në një qendër masazhi, mirëpo ofronin më shumë se aq.

Historia nisi kur tutori 27-vjeçar shqiptar, i cili u dënua me 3 muaj burgim vetëm, denoncoi dy klientë se e kishin vjedhur.

Kur policia nisi hetimet për vjedhjen zbuloi se qendra e masazhit ishte shumë më tepër se aq.

Dy shqiptaret dhe tutori i tyre e Apeluan vendimin e dhënë në mars të këtij viti, mirëpo Apeli e ka kthyer mbrapsht.

Zhdukja e biznesmenit me ndihmësin, familjarët: Kërkuan ndihmë, skafi po fuste ujë

Posted: 08 Jul 2017 08:18 AM PDT

Biznesmeni vlonjat, Adriano Jaho pronar i një hoteli në Vlorë, si dhe ndihmës i tij Ariseld Maze, janë zhdukur prej 5 ditësh në Durrës.

Të dy ata njihen si të apasionuar pas peshkimit dhe kishin shkuar në Durrës për të provuar një mjet lundrues 8.2 metra të gjatë me dy motorë mërkuri me dokumentacion të rregullt.

Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes së tyre, por personi i fundit që ka folur me ta është një mik i Jahos.

Ai mësohet t'i ketë kërkuar ndihmë duke i kërkuar një karrel, pasi skafi që me të cilin ai po lundronte po merrte ujë.

Të afërmit kanë denoncuar zhdukjen e tyre fillimisht në Policinë e Vlorës më pas në Policinë e Durrësit e cila po kryen edhe hetimet për zhdukjen e tyre.

Të dy personat kishin dalë nga shtëpitë e tyre të mërkurën me 3 korrik, për të shkuar në Durrës, për të provuar mjetin që kishin pasur në një pikë riparimi.

Policia po vijon kërkimet për gjetjen e trupave të dy personave, ndërsa deri më tani, nuk ka asnjë shenjë të tyre.

Në një prononcim për 'News24', djali i biznesmenit thotë se ka ardhur nga Italia pasi mësoi zhdukjen e të atit.

Djali i 52-vjeçarit tregon bisedën e fundit të babait te tij me një mik, vetëm disa çaste para zhdukjes misterioze, ku ka kërkuar ndihmë pasi skafi po fuste ujë.

Sipas tij, ata nuk kanë qenë më larg se 2-3 milje larg bregdetit.

"Unë kam qenë në Itali, më ka marrë mamaja në telefon dhe më tha mamaja që babai ka dalë me skaf nga Durrësi dhe nuk është kthyer më. Vëllai ka bërë denoncim në polici dy ditë pas zhdukjes së babait. Ai ka qenë për të provuar një skaf që e kishte të tijën. E ka nxjerrë nga servisi dhe kanë lënë hapur dy tapat që nxjerr ujin mjeti. Dhe kishte ikur për të nxjerrë ujin. Ai natën e fundit që është zhdukur ka thënë sillni karrelin se skafi po merr ujë dhe nuk po e nxjerr ujin. Çunat kanë shkuar pas një ore për të nxjerr karrelin, por më pas nuk janë bërë të gjallë. Ai mund të ketë qenë 2-3 milje larg. Ai është i apasionuar pas detit dhe të humbë njeri në mes të korrikut anës detit nuk është normale" –tha djali i biznesmenit.

Ndërkohë edhe babai i Ariseld Mazes thotë se djali i kishte thënë se do shkonte në Durrës brenda ditës dhe do kthehej sërish.

"Djali më tha do shkojmë në Durrës dhe do kthehemi brenda ditës. Pasi iku nuk është kthyer më dhe nuk dimë asnjë informacion. Duam të dimë që janë mirë"- tha ai.

Përgatituni për një periudhë përvëluese! Po vjen i nxehti afrikan

Posted: 08 Jul 2017 07:09 AM PDT

Ajo që parashikojnë sinoptikanët mund t'u pëlqejë vetëm atyre që kanë vendosur të freskohen buzë detit, apo në mal.

Gjithë të tjerët bëni durim e përgatituni për një periudhë përvëluese.

"Territori shqiptar do te mbetet nen ndikimin e masave ajrore te nxehta e te thata nga Veriu i Afrikës deri në mesin e javës tjetër duke diktuar ne territor mot kryesisht te kthjellet dhe temperatura shume te larta, maksimalisht deri ne 39 grade Celcius"- shkruan Meteoalb.

Sipas tij, parashikohet rënie e temperaturave gjatë pjesës së dytë dhe fundjavën e javës tjetër.

 

Feja e vërtetë sipas Spinozës: Rëndësi nuk ka ajo që besoni, por ajo që bëni

Posted: 08 Jul 2017 06:30 AM PDT

Në kohën e zellit të tepruar fetar, mbrojtja e paepur që Barush Spinoza i bën lirisë intelektuale është më aktuale se kurrë

Nga Steven Nadler

Në korrik të vitit 1656, 23-vjeçari Bento de Spinoza u përjashtua nga kongregacioni portugezo-hebre i Amsterdamit. Ai qe ndëshkimi më i ashpër i herem (ndalimit) i marrë nga ai komunitet. Dokumenti ekzistues, një fjalim i ashpër i gjatë dhe sarkastik, i referohej "herezive të neveritshme të djaloshit" dhe "veprave monstruoze". Udhëheqësit e komunitetit, pasi u konsultuan me rabinët dhe duke përdorur emrin hebre Spinozës, shpallën se e "dëbojnë dhe mallkojnë Barush de Spinozën". Ai duhej të përjashtohej nga "nga të gjitha fiset e Izraelit" dhe emri i tij të "fshihej nga lista e pretendentëve për të shkuar në parajsë".

Përgjatë shekujve, ka pasur thirrje të vazhdueshme që ndalimi kundër Spinozës të hiqet. Edhe David Ben-Gurion, kur ai qe kryeministër i Izraelit, ka bërë një lutje publike për "ndryshimin e padrejtësisë" së kryer ndaj Spinozës nga komuniteti portugez i Amsterdamit. Vetëm në fillim të vitit 2012, kongregacioni i Amsterdamit, me këmbënguljen e njërit prej anëtarëve të tij, mori zyrtarisht nën shqyrtim çështjen, nëse ishte koha për të rehabilituar Spinozën. Kishte megjithatë një gjë që element që ata duhej ta dinin:a duhet të shohim ende Spinozën si heretik?

Fatkeqësisht, dokumenti i ndalimit nuk përmend në mënyrë specifike se cilat qenë shkeljet e Spinozës – asokohe ai nuk kishte shkruar ende asgjë – ndaj dhe ekziston një mister që rrethon këtë ngjarje të rëndësishme në jetën e filozofit të ardhshëm.

E megjithatë, për këdo që është i njohur me idetë e pjekura filozofike të Spinozës, të cilat ai  filloi t'i hedhë në letër disa vite pas shkishërimit, e di se në fakt nuk ekziston ndonjë mister i tillë. Sipas standardeve të hershme moderne rabinike të Judaizmit – dhe veçanërisht në mesin e hebrenjve sefardikë të Amsterdamit, shumë prej të cilëve ishin pasardhësit e refugjatëve të konvertuar nga inkuizicionit Iberik, Spinoza qe një heretik, dhe një person i rrezikshëm.

Ai qe një model i guximit intelektual. Si një profet dhe përmes një ndershmërie të pakompromentueshme, zbuloi të vërtetat e hidhura për qytetarët e tjerë dhe shoqërinë e kohës. Pjesa më e madhe e filozofisë së Spinozës, ishte i përbërë nga përgjigje ndaj situatës së pasigurtë politike të Republikës holandeze në mesin e shekullit të XVII-të.

Filozofia e Spinozës është themeluar mbi refuzimin e Perëndisë ku bazohen fetë abrahamike. Perëndisë së tij i mungojnë të gjitha tiparet psikologjike dhe morale të një hyjnie providenciale. Zoti në kryeveprën filozofike të Spinozës "Etika" (1677), nuk është një lloj personi. Ai nuk ka besime, shpresa, dëshira apo emocione. Zoti i Spinozës nuk është as bastuni i mirë dhe i zgjuar i komandimit të mirë, që do të shpërblejë ata që zbatojnë urdhërat e tij dhe ndëshkojnëtë tjerët që shkojnë në rrugë të gabuar.

Për Spinozën, Perëndia është Natyra, dhe gjithçka tjetër gjendet atje. Nuk ka asgjë jashtë natyrës dhe nuk ka zhvendosje nga rendi i Natyrës – mrekullitë dhe e mbinatyrshmja janë një pamundësi.

Nuk ka vlera në natyrë. Asgjë nuk është thelb e mirë apo e keqe,  dhe as Natyra apo ndonjë gjë tjetër nuk ekziston për hir të një qëllimi. Spinoza është etiketuar shpesh një 'panteist', por 'ateist' është termi më i përshtatshëm.

Spinoza nuk e hyjnizonte Natyrën. Natyra nuk është objekt i një frike adhuruese apo nderimi fetar. 'Njeriu i mençur"- thotë ai, "kërkon të kuptojë natyrën, por nuk çuditet prej saj si një budalla". I vetmi qëndrim i përshtatshëm ndaj Perëndisë apo Natyrës, është dëshira për ta njohur atë nëpërmjet intelektit.

Eliminimi i një Zoti providencial, ndihmon për të hedhur dyshime mbi atë që Spinoza e konsideron si një prej doktrinave më të dëmshme të nxitura nga fetë e organizuara:pavdekësinë e shpirtit dhe gjykimin hyjnor që do të ndodhë në të ardhmen. Nëse një person beson se Perëndia do t'i shpërblejë të virtytshmit dhe ndëshkojë mëkatarët, jeta e njeriut do të sundohet nga emocionet e shpresës dhe frikës:shpresë se mund të jetë në mesin e të përzgjedhurve, frikë se mos është destinuar për t'u ndëshkuar përjetësisht në ferr.

Një jetë e dominuar nga pasione të tilla irracionale është sipas Spinozës, një jetë në 'skllavëri' më tepër se sa një jetë e lirisë racionale. Njerëzit që janë të udhëhequr nga pasioni dhe jo arsyeja, manipulohen lehtë nga klerikët. Kjo është ajo që e shqetësonte aq shumë filozofin në fund të viteve 1660, teksa elementët më represivë dhe jotolerante në Kishën e Reformuar fituan ndikim në Holandë. Por ajo mbetet jo më pak kërcënuese për demokracinë shekullare dhe të ndriçuar në ditët e sotme, teksa sektarët fetarë ushtrojnë një ndikim të rrezikshëm në jetën publike.

Për të minuar pazarllëqe të tilla fetare në çështjet civile dhe të moralit personal, Spinoza sulmoi besimin në jetën e përtejme të shpirtit të pavdekshëm. Për Spinozën, kur ju jeni të vdekur, keni vdekur. Nuk mund të ketë një pjesë të mendjes njerëzore që është "e përjetshme". Të vërtetat e metafizikës, matematikës etj, që dikush i përfton gjatë kësaj jete dhe që tani mund t'i përkasin një mendje me siguri, do të mbeten edhe pasi personi në fjalë të ndërrojë jetë – në fund të fundit ato janë të vërteta të përjetshme – por nuk ka asgjë personale rreth tyre.

Shpërblimet apo përfitimet që sjellin dije të tilla janë për këtë botë, jo sikurse supozojnë disa për botës që do të vijë. Sa më shumë që dikush di mbi natyrën, dhe veçanërisht për veten si qenie njerëzore, aq më shumë është në gjendje të shmangë shigjetat e fatit të keq, për të kapërcyer pengesat ndaj lumturisë dhe mirëqenies, me të cilat përballet me siguri një person që jeton në natyrë.

Rezultati i një diturie të tillë është paqja e mendjes:njëra është më pak subjekt i ektremeve emocionale, të cilat zakonisht shoqërojnë fitimet dhe humbjet, që na sjell në mënyrë të pashmangshme jeta, dhe tjetra që prodhon me padurim mbi atë se çfarë do të ndodhë pas vdekjes. Siç e shpreh me elokuencë Spinoza "njeriu i lirë mendon për vdekjen si e fundit nga të gjitha gjërat, dhe dituria e tij është një meditim mbi jetën dhe jo vdekjen".

Një nga doktrinat më të famshme dhe më me ndikim të Spinozës, ka të bëjë me origjinën dhe statusin e Shkrimeve të Shenjta. Bibla, argumenton ai në "Traktatin Teologjiko-Politik, nuk u diktua fjalë për fjalë nga Perëndia. Zoti apo Natyra janë metafizikisht të paaftë për të shpallur ose diktuar asgjë. Sipas tij profetët nuk gëzonin një nivel të lartë arsimimi apo sofistikimi intelektual. Ata me siguri nuk ishin filozofë, fizikantë apo astronomë. Përkundrazi kishin shpesh besime naïve dhe filozofikisht të rreme mbi Perëndinë.

Atëherë çfarë është 'fjala e Perëndisë' dhe ligji universal hyjnor? Është pikërisht mesazhi që mbetet 'i padeformuar' dhe 'i pakorruptuar' në të gjithë tekstet biblike:duajini të afërmit tuaj, dhe trajtojini ata me drejtësi dhe bamirësi. Spinoza insiston atëherë, se devotshmëria e vërtetë apo feja nuk ka të bëjë me ceremonitë apo ritualet. Agjërimi, praktikat liturgjike dhe kurbanet, lutjet – të gjithë këto elementë tipike të feve të organizuara janë vetëm sjellje supersticioze që pavarësisht origjinës së tyre kistoriko-politike, janë tashmë të lira nga çdo ndikim i jashtëm.

Ato vazhdojnë të jenë të nxitura nga kleri vetëm për të krijuar adhurues të urtë dhe të bindur.

Ajo çfarë Spinoza konsideron si 'feja e vërtetë' dhe 'devotshmëria e vërtetë' nuk kërkon besim tek çdo ngjarje historike, incidente të mbinatyrshme apo doktrina metafizike, dhe ajo nuk përshkruan asnjë rit përkushtues.

Feja e vërtetë nuk është asgjë më shumë se sa sjellja morale. Rëndësi nuk ka ajo që ju besoni, por ajo që bëni. Ideali politik që promovon Spinoza në "Traktatin teologjiko-politik", është një federatë demokratike laike, që është e lirë nga ndërhyrja  e klerikëve. Spinoza është një nga avokatët më elokuentë në histori të lirisë dhe tolerancës.

Të gjitha mendimet e çfarëdollojshme, duke përfshirë ato fetare, duhet të jenë absolutisht të lira dhe të papenguara, si nga nevoja ashtu edhe e drejta. "Është e pamundur për mendjen të jetë krejtësisht nën kontrollin e një tjetri; sepse askush s'është në gjendje të transferojë tek tjetri të drejtën e tij të natyrshme apo zgjedhjen për të arsyetuar lirisht dhe për të formuar gjykimin e tij mbi çfarëdolloj çështje, dhe as s'mund të detyrohet ta bëjë këtë" .

Në një pasazh që është padyshim i drejtë dhe jashtëzakonisht i guximshëm për kohën e tij, Spinoza shkruan:një qeveri që përpiqet të kontrollojë mendjet e njerëzve konsiderohet tiranike, dhe një sovran që mendon të shkelë të drejtat e nënshtetasve të tij, kur ai kërkon të përshkruajë për çdo njeri atë që ai duhet të pranojë si të vërtetë dhe refuzojë atë që është e gënjeshtërt, dhe cilat janë besimet që do të frymëzojnë atë me përkushtim ndaj Zotit. Të gjitha këto janë çështje që i përkasin të drejtës individuale, të cilat askush nuk mund t'i dorëzojë, edhe nëse dikush do të dëshironte". Në këndëvështrimin e Spinozës, ligjet jotolerante çojnë tek në analizë të fundit tek zemërimi, hakmarrja dhe rebelimi.

Shënim: Steven Nadler është profesor i Filozofisë në Universitetin e Uiskonsin-Medison në SHBA. Ndër librat e tij përfshihen edhe "Spinoza: një jetë" (1999) dhe "Një libër i farkëtuar në ferr:Traktati skandaloz i Spinozës dhe lindja e epokës laike" (2011).

Marrë me shkurtime nga "Aeon Magazine" / Në shqip nga bota.al

Dolën për të provuar skafin, zhduken pa lënë gjurmë biznesmeni vlonjat dhe ndihmësi i tij

Posted: 08 Jul 2017 06:15 AM PDT

Kanë humbur kontaktet me famijarët dy persona që kishin dalë në det për të provuar një skaf, por nuk kanë dhënë më sinjale, njeri biznesmen në Vlorë dhe ndihmësi i tij.  Bëhet fjalë për dy banorë të Vlorës, Adriano Jaho, 52 vjeç, biznesmen dhe pronari i nje hoteli ne Vlorë dhe ndihmësi i tij Ariseld Maze 28 vjeç.

Ata janë zhdukur në Durrës në datën 4 korrik, ndërkohë që kishin dalë në datën 3 korrik, në mëngjes. Ata kanë dalë të provonin mjetin pasi ishte riparuar në një servis në Durrës. Të dy ishin të apasionuar pas peshkimit dhe njohës të mirë të detit. Të dy dilnin shpesh për peshkim.

Gjithashtu mësohet se mjeti i zhdukur është motoskaf me një gjatësi 8 metra e 20 me dy motorra 250 Merkuri, me dokumentacion të rregullt. Për herë të fundit ka folur me një mikun e tij duke i thënë "Hajde me sill karrel se mjeti po merr ujë". Policia vijon kërkimet.

 

 

Aksionet e Top-Channel, Apeli i jep pronësinë Vjollca Hoxhës

Posted: 08 Jul 2017 06:02 AM PDT

Pas 1 viti proces gjyqësor pronësia e aksioneve të televizionit Top-Channel i kalon Vjollca Hoxhës dhe fëmijëve të saj si trashëgimtarë të të ndjerit Dritan Hoxha.

Ky vendim është dhënë më 21 qershor në gjykatën e apelit, ndërsa ende nuk është zbardhur i argumentuar.

Report Tv ka mësuar nga burime pranë Gjykatës së Apelit se më 21 qershor pas 6 seancash, Apeli ka vendosur të pranojë padinë e trashëgimtarëve të të ndjerit Dritan Hoxha duke i njohur atyre pronësinë mbi aksionet e televizionit.

Kjo padi me objekt njohje pronar i është pranuar paditëses Vjollca Hoxha dhe fëmijëve të saj Lorela Hoxha, Sara Hoxha, Redia Hoxha, Itan Hoxha kundër të paditurve Albert Sino, Aurel Baci ish-shokët e Dritan Hoxhës dhe ish staf i Top-Channel.

Albert Sino dhe Aurel Baçi kanë pasur në pronësi 60 % të aksioneve të Top-Channel ndërsa me këtë vendim të gjykatës së apelit këto aksione kalojnë në favor të familjarëve të Dritan Hoxhës.

Ndërsa ky vendim i Apelit i cili është i ekzekutueshëm pritet që të ankimohet në Gjykatën e Lartë me rekurs nga Albert Sino dhe Aurel Baçi.

Ja cilat janë pikat tuaja më të dobëta sipas shenjës së horoskopit

Posted: 08 Jul 2017 05:15 AM PDT

Gjërat të cilave u frikësohemi dhe mënyra si reagojmë, flasin shumë për ne si njerëz. Frika është një emocion i rëndësishëm që na tregon si të jemi të kujdesshëm me disa elemente në jetën tonë. Mund të tregojë edhe sa shumë kujdesemi ne për diçka.

Nëse keni frikë mos humbisni dikë që njihni, kjo do të thotë që ata janë më të rëndësishëm për ju, se sa një i huaj.

E njëjta gjë vlen për dobësitë. Ka pjesë të vetes sonë që nuk i kemi ushqyer aq shumë. Me kalimin e kohës dhe me përpjekje, ato mund të kthehen në pika të forta. Prania e frikës dhe dobësisë, në fund të fundit, nuk është gjë e keqe.

Dobësia bëhet emocion negativ apo joproduktiv kur ne nuk e pranojmë ekzistencën e saj, ose nuk e kontrollojmë në mënyrë aktive. Shenjat e zodiakut janë treguese të pikave të forta dhe të dobëta të personalitetit tonë.

Më poshtë, një listë e frikërave dhe dobësive të secilës shenjë.

Dashi

Një luftëtar dhe mbrojtës natyror, Dashi mund të futet pak si shumë në rolin e tij. Ata të shenjës së Dashit janë të prirur të jenë protektivë me tepri dhe ofendohen shumë shpejt. Zemërimi u rritet shpejt dhe Dashit i duhet të përpiqet shumë për të mbajtur nën kontroll zemërimin e tij.

Demi

Një prej shenjave më të qëndrueshme, Demit i duhet të përpiqet shumë për të hequr dorë. Demi kërkon gjithmonë që të ruajë njësoj jetën apo elementet, duke mos kërkuar ndryshim apo rritje. Ata të shenjës së Demit fiksohen lehtësisht pas një rezultati apo një personi. Ky fiksim shkakton varësi, apo një mendim të ekzagjeruar për atë që është.

Binjakët

Binjakët kanë një pikë veçanërisht të dobët për debatet. Atyre u shijon akti i të debatuarit por urrejnë t'u thuhet që e kanë gabim. për ta është shumë e kollajtë që të marrin si ofendim, apo si personal, një mendim ndryshe.

Gaforrja

Kampioni i zvarritjes, ata të shenjës së Akrepit mund të lejojnë që situata dhe emocionet e tyre t'i bëjnë dembelë dhe joproduktivë. Personave të shenjës së Akrepit u pëlqejnë justifikimet.

Luani

Për njerëzit e shenjës së Luanit, besimi është veçanërisht i rëndësishëm. Ata e kanë të vështirë të ekuilibrojnë besimin, pasi disave u besojnë shumë pak, e të tjerëve me tepri. Kur njerëzit e shenjës së Luanit ndiejnë se nuk mund t'i besojnë askujt, apo që askush nuk u beson, ata futen vërtetë në depresion.

Virgjëresha

Personave të shenjës së Virgjëreshës nuk u pëlqen aspak të jenë vetëm. Në të njëjtën kohë, shumica e tyre i druhen refuzimit deri në atë pikë që, sapo lidhen me një person, ata e braktisin menjëherë atë individ. Kjo sjellje e të lënit të njerëzve përpara se të lihen prej tyre, është fataliste dhe rrallëherë e nevojshme.

Peshorja

Kokëfortë nga natyra, ata të shenjës së Peshores luftojnë kundër konformizmit. Të qënit nervozë ua bën të vështirë të shohin pikëvështrimin e të tjerëve, kur vjen puna se si zgjedhin të jetojnë jetën e tyre.

Akrepi

Personat e shenjës së Akrepit kanë një marrëdhënie të ndërlikuar me vetë frikën. E kanë të vështirë ta pranojnë për atë që është. Të mësuarit për të përballuar me llojet e ndryshme të frikërave që ndeshin, është një kapitull i rëndësishëm në jetën e tyre.

Shigjetari

Shigjetari është kryesisht i frikësuar nga e panjohura. Ata e mbushin errësirën me monstra dhe frikëra. Ata mundohen të jenë mirënjohës në eksplorimin e jetës, por shpesh herë shemben dhe turpërohen prej kësaj.

Bricjapi

Komunikimi është Thembra e Akilit e Bricjapit. Personat e kësaj shenje kanë frikë nga mendimet e të tjerëve dhe kjo i fut në siklet dhe në ankth. Kjo frikë, bashkë me atë të braktisjes, i bën hezitues dhe të trembur.

Ujori

Besimi i tepruar dhe kënaqësia ekstreme emocionale është pika e dobët e Ujorit. Ata shfaqen si karaktere ekstreme dhe të fortë, gjë që ua bën të vështirë të tjerëve t'u afrohen. Ata i kuptojnë dhuntitë e tyre, dhe pikat e forta, por ndonjëherë e ekzagjerojnë me kryelartësinë.

Peshqit

Njerëzit e tyre të dashur i kanë nën kontroll ata të shenjës së Peshqve. Një fjalë e rëndë apo një kompliment hezitues mund të ndikojë fort tek ata. Ndonjëherë bëhen shumë të varur prej të tjerëve, duke mos kultivuar kështu forca dhe aftësi të brendshme.