“Therret me thikë një person në Ferizaj” plus 9 more Ferizaj Press

“Therret me thikë një person në Ferizaj” plus 9 more Ferizaj Press


Therret me thikë një person në Ferizaj

Posted: 06 Jul 2017 06:30 AM PDT

Viktima mashkull në rrethana të panjohura është sulmuar fizikisht nga persona të dyshuar të panjohur të cilët e kanë therur me thikë në shpinë

Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Rreth orës 14:20 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull k-Shqiptar i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Publikimi i një videoje çoi në tentim vetëvrasje një 15 vjeçe

Posted: 06 Jul 2017 06:25 AM PDT

Një video e publikuar në profilin e saj në Instagram e kopjuar dhe e publikuar më pas nga një person pa autorizimin e saj, e ka çuar një 15 vjeçare nga Ferizaj në tentimin për vetëvrasje, shkruan sot Koha Ditore.

Tri ditë më parë e mitura e kishte ndërmarrë këtë veprim pasi siç thonë familjarët iu keqpërdor privatësia.

Sipas familjarëve, vajza kohë më parë ishte inkuadruar live në një video në Instagram dhe po bisedonte me shoqërinë ndërsa pas një kohe ajo video iu publikua nga një person i quajtur Burim Ademi.

Policia e Kosovës shkatërroi një numër të madh të armëve të vogla dhe të lehta

Posted: 06 Jul 2017 05:49 AM PDT

Një numër i madh i armëve të vogla dhe të lehta janë shkatërruar nga Policia e Kosovës. Kjo ngjarje rajonale e cila u zhvillua në "Metal Holding" në Ferizaj, u organizua nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila u mbështet nga Zyra Qendrore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SEESAC), Zyra e Jashtme Gjermane dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Behar Selimi tha se ky është një aktivitet në të cilin Kosova përpiqet të jetë pjesë e iniciativave rajonale për më shumë siguri për qytetarët dhe për më shumë siguri rajonale.
Me këtë rast, ai the se grumbullimi i këtyre armëve është bërë në sajë të punës së kryer nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

"Përgëzoj Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë në punën e madhe që e kanë bërë në muajt e kaluar në drejtim të realizimit të Strategjisë Nacionale për Kontrollimin dhe Grumbullimin e Armëve të Lehta dhe të Vogla", tha zëvendësministri Selimi.

Koordinatorja e Programit të UNDP, znj. Valbona Bogujevci, tha se UNDP është e gatshme që të vazhdojë ndihmën dhe përkrahjen dhe të punojë ngushtë me palët e interesuara në adresimin e sfidave të ngjashme në të ardhmen. Ajo tha se posaçërisht në këto kohë që po jetojmë, armët e tilla dhe eksplozivët po bëhen gjithnjë e më shumë të zgjedhura për sulme terroriste.

Katerina Lopo, përfaqësuese e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se Strategjia e Bashkimit Evropian për Armët e Vogla dhe të Lehta identifikon Ballkanin Perëndimor, si prioritet kryesor dhe për këtë BE është e përkushtuar të përkrahë në mënyrë sistematike partnerët e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër trafikimit të armëve.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha, tha se Policia e Kosovës vazhdimisht punon në zhvillimin e kapaciteteve të saja për të pasur sa më shumë sukses në konfiskimin e armëve të jashtëligjshme dhe do të jetë e përkushtuar të largojë mjetet e jashtëligjshme të dhunës nga duart e qytetarëve, sepse ky është element thelbësor që po i kontribuon rendit dhe ligjit dhe sigurisë publike në vend.

Dogana lehtëson udhëtimin e bashkatdhetarëve

Posted: 06 Jul 2017 04:24 AM PDT

Dogana e Kosova ka krijuar lehtësira për bashkatdhetarët që do të vijnë për pushime në Kosovë.

"Dogana e Kosovës duke marr parasysh sezonin kur pritet fluks i lartë i bashkatdhetarëve tanë të cilët vizitojnë Kosovën për pushime, ka lëshuar udhëzime për stafin e saj në pikë-kalimet kufitare ashtu që lehtësohet kalimi për udhëtaret në aspektin e procedurave doganore", thuhet në njoftimin e bërë nga vetë ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti.

"Drejtori i përgjithshëm ka kërkuar që stafi në pika kufitare duhet të jetë në nivel të detyrës dhe duhet të ketë parasysh brengat e tyre dhe peripecitë eventuale me të cilat kanë mundur të ballafaqohen gjatë rrugëtimit, andaj ka lëshuar udhëzime që të reflektojnë respekt dhe mirëkuptim".

"Derisa sa i përket mallrave që eventualisht mund të bartin me vete, stafi është udhëzuar që të analizoj rastet e veçanta dhe të mos krijohen situata kur bashkatdhetarët tonë vonohen për gjëra të parëndësishme", njofton Klan Kosova.

"Dogana fton qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim, sepse vetëm së bashku mund të mbrojmë dhe ndërtojmë shtetin tonë".

Ta parandalojmë emigrimin ilegal, para se të jetë tepër vonë!

Posted: 06 Jul 2017 03:57 AM PDT

Para disa kohësh, duke përcjell informacionet e përditshme nga mediat, kisha shtruar një pyetje e cila prapë duhet të shtrohet sot: Pse po ik rinia jonë sot?

Mora shkas për të shkruar nga raporti që ka publikuar Gallupi, një agjenci e madhe botërore e cila është e njohur për anketat e saja që matin opinionet botërore mbi çështje të ndryshme. Gallup botoi një raport mbi emigracionin ndërkombëtar, ku ndër të tjera përfshihet edhe dëshira e lartë e qytetarëve të Kosovës për tu larguar nga trojet e veta.

Gallup, në raportin botëror mbi emigracionin, botoi të dhëna edhe mbi numrin e shqiptarëve nga Kosova të cilët janë shprehur se po të kishin mundësi të largoheshin nga vendi, do të bënin një gjë të tillë. Sipas analizës, 34 për qind e popullsisë së Kosovës dëshiron të largohet nga vendi.

Në krahasim me raportin e vitit 2010-1012, ka një rritje prej pesë për qind të atyre që duan të largohen nga Kosova. Atëherë numri i atyre që dëshironin të emigronin ishte 29 për qind.

Raporti mbi emigracionin është një pasqyrim i pakënaqësive të mëdha të qytetarëve të Kosovës, por edhe thirrje për ndërgjegjësim dhe marrje urgjente të masave nga klasa politike kosovare për parandalimin e ikjes së qytetarëve të Kosovës.

Përderisa në vendet tjera ku sot zhvillohen luftëra e ka trazira, kuptohet dëshira e njerëzve për të ikur, por në vendin tonë të lirë, cilat janë arsyet që kaq shumë qytetarë e lakmojnë Perëndimin?

Institucionet kosovare duhet të krijojnë një strategji për parandalimin e emigrimit ilegal të qytetarëve të saj. Është koha e fundit që t'i vëmë gishtin kësaj çështje dhe ta parandalojmë njëherë e përgjithmonë këtë plagë të madhe të kombit tonë.

Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të krijojë një plan dhe një task-forc që do të punonte intensivisht për parandalimin e kësaj dukurie, duke mundësuar investime nga diaspora në Kosovë për hapjen e vendeve të punës. Duhet të krijohen mundësi, në bashkëpunim me qeveri tjera, që të rinjtë kosovarë të shkojnë jashtë me kontrata të rregullta pune sezonale dhe pas kthimit të tyre t'ju mundësohen investimet duke i liruar nga taksat dhe lehtësirat tjera. Qeveria duhet të krijojë hapësira më të favorshme pune specialistëve të lëmenjve të caktuar me qëllim të parandalimit të ikjes së tyre nga Kosova.

Nëse qeveria e re e Kosovës nuk merret urgjentisht me këtë dukuri, atëherë Kosovës në një afat të shkurtër do t'i mungojnë jo vetëm specialistët e profesionistët, por edhe rinia e mrekullueshme e saj.

Ështe koha e fundit, para se të jetë tepër vonë, që Qeveria e re duhet të merr guximin dhe të parandalojë këtë dukuri tejet shqetësuese.

Dobitë shëndetësore të ndalimit të duhanpirjes

Posted: 05 Jul 2017 02:07 PM PDT

Rreth dobive shëndetësore të ndalimit të pirjes së duhanit shkruan Dr. Agon F. Bislimi. Ai përshkruan dobitë e ndalimit të pirjes së duhanit nga koha 20 minuta deri në 6 muaj. Për më shumë lexo më poshtë.

20 minuta

Shtypja e gjakut dhe pulsi fillojnë të kthehen në normalitet.

1 orë

Qarkullimi juaj i gjakut fillon të përmirësohet.

Duart dhe këmbët e tua fillojnë të jenë më të nxehta.

8 orë

Përqëndrimet e nikotinës dhe monoksidit të karbonit ulen.

Oksigjeni në gjakun tuaj kthehet në vlera normale.

1 ditë

Mushkëritë e tua fillojnë të punojnë më mirë.

Monoksidi i karbonit largohet nga trupi juaj.

2 ditë

Shqisa e shijimit dhe shqisa e nuhatjes përmirësohet.

Nikotina largohet nga trupi.

3 ditë

Frymëmarrja bëhet më e lehtë.

Nivelet e energjisë suaj rriten.

2 javë

Simptomat e tërheqjes fillojnë të lehtësohen.

Ecja dhe punët e përditshme bëhen më të lehta për t'i kryer

1 muaj

Simptomat e tërheqjes ndalen.

Frymëmarrja dhe nivelet e energjisë tuaj vazhdojnë të përmirësohen.

6 muaj

Rreziku nga sulmi në zemër, kanceri dhe sëmundjet e tjera të shkaktuara nga pirja e duhanit fillon të ulet.

/Dr. Agon F. Bislimi

Në Kalabri, një koloni artistike si ballafaqim i artit italian e atij shqiptar

Posted: 05 Jul 2017 02:02 PM PDT

Në qytetin e Kalabrisë Santa Severina po qëndrojnë disa artistë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët janë ftuar nga skulptori Hevzi Nuhiu për të punuar 15 ditë, me qëllim të kurorëzimit të një ekspozite të përbashkët. Ekspozita ka për qëllim ballafaqimin e artistëve italianë me ata shqiptarë. Pranvera Sylejmani, Ilir Muharremi, Afrim Spahiu, Agim Kryeziu, Agron Mulliqi, Emin Shaqaj, Gjin Musa, Hevzi Nuhiu, Musa Kalaveshi, Nasuf Miftari, Sali Shkupolli, Skifter Nuhiu dhe Verona Ahmeti do të shprehin ndjenjat, imagjinatën dhe përshtypjet për qytetin mesjetar Santa Severina që ndodhet në jug të Kalabrisë.

Shqiptarët shprehin më shumë përshtypjet ndaj këtij qyteti derisa italianët anën personale të tyre.

Danilo Montenegro – artist italian, tekstshkrues e këngëtar, në ekspozitë paraqitet me performancë dhe me pikturë. Krijon një koreografi lëvizjesh, vijash, ngjyrash gjarpërore, realitete sociale, por edhe ëndërrore. Gjejmë edhe fotografi të vjetra të vendosura në pëlhurë të përthyera nga ravijëzimet dhe shëmbëllimet që paravendosen dhe shpërndahen më pastaj në tërë kompozicionin.

Emin Shaqja, peizazhist, sjellë freski ngjyrore, foviste herë ekspresive duke krijuar relieve të mugëta figurash, hapësirash humane, që vërtetë kanë përthyerje shpirtërore. E verdha shtrihet e copëzuar matanë fushave, e gjelbërta, portokallia, e kafta, janë tejet lirike dhe poetike, sikur je në një ëndërr të lumtur dashurie. Ngjyrat nuk e tejkalojnë këndelljen, lirinë, paqen, butësinë apo ëmbëlsinë, ato bëhen mbret i lojës dhe i imazhit.

Te Artisti Avni Behluli syri ndjek një vargan vijash, por edhe ngjyrash. Në njërin prej kompozicioneve vërejmë një kambanë dhe kokën e kalit i cili tenton ta imitojë tingullin dhe nga goja e tij del një melodi. Koka e kalit na vjen sikur ajo tek skicat e Da Vinçit dhe tek ky akril në pëlhurë kemi pamje poetike. Vijat dhe ngjyrat jo vetëm shihen, por edhe nuhaten, artisti krijon një peizazh të rrumbullt, tokë, arkitekturë dhe në plan të parë figurë futuriste të kalit.

Sali Shkupolli, në kanavacë paraqet dyert, por jo atë portës së ferrit, ose rrugën e tmerrshme drejt Hadit, të mundimshme, me flakët e ferrit ku e kuqja përfaqësonte shkatërrimin, djegien, djallin dhe ferrin. Në këtë derë bie mallkimi, veçohet pjesa simetrike, e matur dhe precizuar mirë, dhe qëndron në mesë të kompozicionit.

Afrim Spahiu, fotograf i peizazhit, paraqet pamjet e qytetit, plot dinamikë, energji në të cilën gërshetohet qielli, arkitektura dhe fryma. Mirëpo, frymëmarrjen, reflektimin estetik e ndjemë te peizazhi dramatik i Spahiut. Arkitekturën mesjetare të Kështjellës së qytezës Santa Severina, përveç bukurisë së imazhit arkitektonik, e gjejmë edhe dimensionin e tretë, perspektivën qiellore, por edhe dritën natyrale e cila krijon një lojë dhe zhvillim.

Pranvera Sylejmani, penelin mundohet ta vendosë spontan, por ai është i zhdërvjelltë, në një pjesë çliron dritën, kurse në tjetrën hijen, por edhe kontrastin. Koloriti është i çiltër te peizazhi abstrakt, te pjesa e tokës vërejmë sforcim të ngjyrës së gjelbër.


Hevzi Nuhiu, skulptor nga Kalabria, shprehë shpirtëroren dhe metaforikën, duke e shkrirë figurën e femrës në lis e lisin në njeri.

Agron Mulliqi – piktor kuadron rrugicat, shtëpitë, jo ashtu siç janë, por me elemente të postmodernitetit (vija, forma dhe ngjyra), dhe arti vërtetë na del shumë subjektiv duke mos e anashkaluar realen. / KultPlus.com  

KEDS përkujdeset për mbi 200 bizneset e Gremes

Posted: 05 Jul 2017 01:31 PM PDT

Mbi 200 biznese në fshatin Greme të Ferizajt tani do të zhvillojnë më lehtë biznesin e tyre.Këtë ua ka mundësuar KEDS-i pas investimit të radhës që bëri në fshatin më të industrializuar të Kosovës.

Energjia elektrike është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Duke e pasur parasysh këtë, KEDS u jep prioritet zonave ku aktivitetet ekonomike janë më të theksuara dhe ndikojnë direkt në mirëqenien e qytetarëve. Në këtë aspekt, investimi i radhës është bërë në fshatin Greme të Ferizajt, i njohur me fabrikat e shumta të mobilieve.

Në fshat KEDS ka vendosur dy trafo të reja me një kapacitet prej10(20)/0.4kV të tipit blind. Njëra me fuqi S=630kVA, kurse tjetra S=400kVA , që kanë rritur dukshëm kapacitetet energjetike në këtë anë.

Gjatë këtyre punimeve është bërë edhe implementimi i 135 shtyllave të tensionit të ulët, 28 shtylla të tensionit të mesëm, 5900m rrjet të tensionit të ulët, 1000m rrjet të tension-it të mesëm.

Përveç bizneseve nga këto investime kanë përfituar edhe 275 familje të këtij fshati.

Banorët thonë që pajisjet elektrike nuk kanë pasur shanse t'i përdorin ditën, ato i përdornin vetëm natën, kur tensioni ishte pak më mirë. Tani gjithçka është ndryshe.

Në fshat edhe përfaqësuesit e bizneseve thonë që gjendja ka qenë shumë e rëndë dhe e kanë pasur të vështirë për të zhvilluar biznesin. Tensioni sidomos gjatë ditës ka qenë shumë i dobët.

"Gjendja energjetike më parë ka qenë katastrofale. Tensioni gjatë ditës kurrë nuk kalonte 150 volt. Punën e bënim me rregullatorë të tensionit, por nuk kemi mundur të punojmë me kapacitet të plotë.

Me investimin e ri që ka bërë KEDS-i është rregulluar gjithçka, ka thënë Arben Rexhepi, pronar i fabrikës për përpunimin e qelqit "Loni Gglass", dhe njëkohësisht sekretar i Shoqatës së Bizneseve në Greme.

Rexhepi gjithashtu shton se kanë bashkëpunim të ngushtë me KEDS-in dhe se janë pagues të rregullt të energjisë elektrike, prandaj edhe furnizimin e duan të jetë i rregullt.

"Kemi pasur takime edhe me stafin menaxherial të KEDS-it dhe bashkëpunimin e kemi në nivel", shton Rexhepi.

KEDS po shtrin investimet në të gjithë territorin e Kosovës dhe me këtë synon që të përmirësojë furnizimin me energji elektrike dhe të jetë sa më afër konsumatorëve./Lajmi.net/

 f1-greme-ferizaj-1

 

Uji që pihet në Kosovë është kancerogjen. E thonë mjekët e KFOR-it

Posted: 05 Jul 2017 12:37 PM PDT

Kontingjenti italian me mision në Kosovë ka pirë, të paktën deri më 2016, ujë kancerogjen. Kështu ka thënë mjeku ushtarak, Ennio Lettieri, shkruajnë mediat italiane.  "Uji i analizuar më 2015 përmbante bromat, kancerogjen i klasës 2B, në sasi prej 65/97 mikrogramë-litër. Pas arritjes sime në bazën 'Film City' në Prishtinë, më ishte folur  shumë herë për shijen shumë të çuditshme të ujit natyror dhe mineral, që përdorej në mensën ndërkombëtare, palestër por edhe nëpër restorante dhe piceri në të gjithë bazën

Dhjetë të vdekur gjatë aksidenteve në punë në gjashtë muajt e parë

Posted: 05 Jul 2017 12:36 PM PDT

Ndërtimtaria mbetet një ndër punët më të rënda dhe më të rrezikshme në Kosovë ku respektimi i masave të sigurisë dhe ligjit mbetet ende problem, raporton RTK.

Jusuf Azemi, Kryetar i Sindikatës së sektorit privat, ka thënë se pjesa dërmuese e punëtorëve nuk kanë pajisjet elementare në punë në sektorin e ndërtimtarisë.

"Absolutisht të punohet në 20 kat dhe mos të kesh pajisje elementare mbrojtëse është diçka e tmerrshme", ka thënë ai.

Kryeinspektori i Punës Basri Ibrahimi sa i përket zbatimit të ligjit thotë se i kanë rritur masat ndëshkimore dhe kanë nisur inspektemet, veçanërisht në ndërtimtari.

"Ne kemi bërë gjithçka, kemi ashpërsuar masat ndëshkimore", thotë Ibrahimi.