“Shkëputet një masë e madhe e akullnajës në Antarktidë” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Shkëputet një masë e madhe e akullnajës në Antarktidë
- Poroshenko propozoi një hetues ndërkombëtar për vrasjen e gazetarit
- Maqedoni: Janë arrestuar 13 vetë të dyshuar për trafikim të migrantëve
- Shqipëri: Nipi i ish-diktatorit u dënua me burg për drogë
- Deklaratat e pamatura politike po dëmtojnë marrëveshjet për koalicione
- Erdogan: Heqja e gjendjes së jashtëzakonshme tash për tash nuk vihet në diskutim
- Moldavi: OJQ-të refuzojnë propozimin për ndalimin e financimit nga fonde jashtë vendit
- Përkeqësohet gjendja e laureatit kinez të Nobelit
- Familjarët të pakënaqur me angazhimet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve
- Takimi "problematik" me avokaten ruse
- Shtyhet gjykimi për tradhti i Yanukovychit
- Rrugët e rrezikshme - Për gjashtë muaj, 50 të vdekur nga aksidentet
- Trump u bashkohet francezëve për shënimin e ditës Bastille
- Hulumtuesit iranian nuk i lejohet hyrja në SHBA
- Samiti në Trieste: Një treg për gjithë Ballkanin?!
- Në Mosul, shkatërrim dhe shpresë
- Monument për viktimat nga rrëzimi i aeroplanit MH17
- SHBA: Kryhet me sukes testimi i sistemit kundër raketave balistike
- Townsend: Luftimet në Irak janë “larg përfundimit”
- Samiti në Trieste mbledh liderët e BE-së dhe të Ballkanit
| Shkëputet një masë e madhe e akullnajës në Antarktidë Posted: 12 Jul 2017 08:43 AM PDT Një masë tejet e madhe e akullit është shkëputur nga baza e vet e akullt në Antarktidë dhe ka filluar të lëvizë kah pjesa veriore. Kjo masë prej 5,800 kilometrash katrorë është shkëputur gjatë dy ditëve të fundit, thonë shkencëtarët, dhe është pasojë e çarjes në shkëmbin e akullt, Larsen C, që është zhvilluar për vite të tëra. Ky shkëmb i akullt, me 175 kilometra gjatësi dhe afro 50 kilometra gjërësi, është njëri prej më të mëdhenjve që është monitoruar gjatë 30 viteve të fundit. Nuk besohet se shkëputja e akullit është shkaktuar nga ngrohja globale dhe ajo nuk do të ndikoj në nivelin e detit, meqë ajo pjesë tashmë kishte lëvizur e shkëputur. Megjithatë, shkencëtarët kanë shqetësime se humbja e kësaj pjese do të çoj në dezintegrim të mëtejshëm të pjesës tjetër të këtij shkëmbi të akullt. Nëse akullnajat në Antarktik, që mbahen në tokë nga baza e akullt, Larsen C, do të derdhej në det, atëherë niveli global i deteve do të ngritej për afro 10 centimetra, thonë shkencëtarët. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Poroshenko propozoi një hetues ndërkombëtar për vrasjen e gazetarit Posted: 12 Jul 2017 08:24 AM PDT Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka propozuar përfshirjen e një hetuesi të njohur ndërkombëtar në ekipin ukrainas, që zhvillon hetime për vrasjen e gazetarit, Pavel Sheremet, me shpresë se do të arrihej progres në këtë hetim, i cili për një vit nuk ka prodhuar diçka të re. Në takimin e mbrëmshëm në Kiev me anëtarët e familjes së gazetarit të ndjerë dhe me përfaqësuesit e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, presidenti Poroshenko tha se ai do ta pranonte me gëzim një "hetues të besueshëm, profesional nga FBI ose Scotland Yard" për ta mbikëqyrë këtë rast të profilit të lartë, "nëse pajtohet familja". Familja Sheremet e ka pranuar propozimin e presidentit. I ndjeri, Pavel Sheremet, gazetar i lindur në Bjellorusi, është vrarë nga një makinë – bombë në qendër të Kievit, më 20 korik të vitit të kaluar. Deri tash askush nuk është arrestuar e as akuzuar për këtë vrasje të këtij gazetari ukrainas. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Maqedoni: Janë arrestuar 13 vetë të dyshuar për trafikim të migrantëve Posted: 12 Jul 2017 08:15 AM PDT Policia e Maqedonisë thotë se i ka arrestuar 13 vetë, përfshirë një të mitur, të dyshuar për transport ilegal të migrantëve nga Greqia dhe Serbia fqinje, për në vendet perëndimore. Zyrtari i lartë i policisë, Llazo Velkovski, tha mbrëmë se autoritetet e rendit i kanë bastisur disa shtëpi në Shkup dhe qytete të tjera, në kuadër të një operacioni për ta shkatërruar një unazë ndërkombëtare të trafikimit, raporton agjencia AP. Autoritetet thonë se shumica e migrantëve të përfshirë në këtë trafikim, ishin nga Pakistani dhe Afganistani. Fletarreste janë shpallur edhe për 10 persona të tjerë të dyshuar. Gjatë bastisjeve janë konfiskuar 6 automjete, më se 27 mijë euro para të gatshme, një revole dhe disa telefona mobilë. Maqedonia dhe disa vende të tjera ballkanike, vitin e kaluar i kanë mbyllur kufijtë e tyre për shkak të hyrjes masive të migrantëve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shqipëri: Nipi i ish-diktatorit u dënua me burg për drogë Posted: 12 Jul 2017 07:53 AM PDT Një gjykatë në Shqipëri e ka dënuar me 10 vjet burg nipin e ish-diktatorit, Enver Hoxha, lidhur me akuza për kontrabandim të drogës, thuhet në kumtesën e sotme. I dënuari Ermal Hoxha është anëtar i një grupi prej nëntë personash, përfshirë edhe dy kolumbias, që dje janë dënuar me burg prej 10 e deri në 13 vjet, ka njoftuar gjykata. Ata janë gjetur fajtorë se i takojnë "grupit kriminal i involvuar në trafikimin e kokainës nga Kuba nëpërmjet Shqipërisë për në vendet e pjesës perëndimore të Evropës". Ermal Hoxha, 42 vjeçar, dhe bashkëpunëtorët e tij të dyshuar, ishin arrestuar në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni që ka çuar në konfiskimin e 120 kilogramëve të kokainës. Në atë kohë policia e kishte zbuluar një laborator të përpunimit të drogës në Xibrakë, 68 kilometra në jug të Tiranës, raporton agjencia AFP. Enver Hoxha sundoi në Shqipëri prej vitit 1944 e deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Ai e izoloi Shqipërinë dhe imponoi regjim të rreptë diktatorial. Në raportin e Departamentit amerikan të shtetit për vitin 2017, theksohet se Shqipëria "mbetet vend burim i rëndësishëm për marihuanë dhe rrugë tranzitore për kokainë dhe heroinë, e destinuar për tregjet evropiane". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Deklaratat e pamatura politike po dëmtojnë marrëveshjet për koalicione Posted: 12 Jul 2017 07:34 AM PDT Formimi i Qeverisë së re të Kosovës mund të hyjë në një fazë krize nëse partitë politike nuk ulen në negociata për formimin e koalicionit dhe formulës së ardhshme qeverisëse. Kështu parashikojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, sipas të cilëve, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, tani u mbetet partive politike që të mendojnë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja. Analistët konsiderojnë se partitë politike duhet t'i lënë anash inatet politike dhe sa më parë të shënojnë përparime në negociata. Aktualisht, nisma për formimin e Qeverisë së re i takon kandidatit të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj. Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i tha Radios Evropa e Lirë se deklaratat e liderëve të partive politike, që në fillim kanë nisur ta komplikojnë procesin e krijimit të institucioneve. "Bazuar në vet rezultatet dhe në deklaratat e subjekteve politike, për të kundërshtuar pjesëmarrjen në një Qeveri ku është edhe PDK-ja, duket se e bëjnë të komplikuar procesin në krijimin e Qeverisë, dhe si të them, shtrirjen e një Qeverie me një bazë të gjerë të spektrit politik", tha Kryeziu. Sidoqoftë, ai citon edhe kandidatin e koalicion PAN, i cili vazhdon të besojë se do ta formojë Qeverinë e re. "Tani kandidati nga PAN-i, zoti Haradinaj, në deklarimet e tij publike ka bërë të ditur se veç i ka numrat e mjaftueshëm për krijimin e Qeverisë", tha ai. I nominuari për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj ka përmendur si mundësi lidhjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, por këto tri parti nuk e kanë konfirmuar këtë aleancë paszgjedhore, dhe kanë refuzuar të jenë pjesë e takimit të ftuar nga zoti Haradinaj, të martën më 11 korrik. Ndërkohë, analisti Ismail Hasani, konsideron se partitë politike fituese të zgjedhjeve të fundit, po i komplikojnë vetë gjërat dhe çështjet që ndërlidhen me ndërtimin e institucioneve. Ai thotë se Ramush Haradinaj me deklaratat e tij se ka numrin e votave, e që siç thotë ai, nuk i ka, ka vështirësuar nisjen e mbarë të takimeve dhe arritjen e marrëveshjeve. "Është një problem ekstra i cili vështirëson edhe komunikimin sa u takon përpjekjeve të mandatarit për të kontaktuar, qoftë në mënyrë formale qoftë joformale, grupe të ndryshme politike", tha Hasani. Ai parashikon vështirësi në krijimin e koalicioneve paszgjedhore, pasi që sipas tij, tash për tash nuk po shihen rrethana që shpejt mund të ketë ndonjë marrëveshje. "Drita nuk shihet në fund të tunelit, sa i përket përpjekjes së parë të nominuarit [nga koalicioni PAN] për të formuar Qeverinë. Diskrecioni i Presidenti mbetet për t'u parë, në çka dyshoj, dhe ka një barrikadim, do të thosha", tha Hasani. Nga ana tjetër, Ismet Kryeziu konsideron se pavarësisht deklaratave refuzuese të partive politike se tash për tash nuk duan të bashkëpunojnë, në fund, ato mund të lëvizin nga qëndrimet fillestare dhe të arrijnë deri te marrëveshja. "Marr parasysh deklaratat e partive politike, ne kemi përvoja të ndryshme. Kemi raste kur këto deklarata janë shuar dhe vendimet kanë ndryshuar. Kështu që ende nuk kemi një zhvillim të negociatave të subjekteve politike, por kemi vetëm deklarimeve publike, të cilat duke u bazuar në përvojat e kaluara, nuk do të qëndrojnë të tilla deri në fund", tha Kryeziu. Analistët thonë se negociatat që do të zhvillohen ditëve dhe javëve në vijim, mund të sjellin formula nga më të ndryshme për formimin e Qeverisë. Kurse, përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë u kanë bërë thirrje partive politike që të mos vonojnë në krijimin e institucioneve të reja dhe të formojë një Qeveri pro-evropiane dhe të qëndrueshme. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Erdogan: Heqja e gjendjes së jashtëzakonshme tash për tash nuk vihet në diskutim Posted: 12 Jul 2017 06:19 AM PDT Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka përjashtuar mundësinë e largimit të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila është shpallur pas përpjekjeve të dështuara për grusht shtet, vitin e kaluar. Ai ka thënë se kjo masë mund të hiqet kur të përfundojë luftimi kundër terrorizimit. Autoritetet turke gjatë ditës se sotme kanë ndaluar 14 persona ushtarakë, dhe kanë lëshuar urdhër për ndalimin e 51 personave, duke përfshirë 34 ish punonjës të televizionit shtetëror TRT, kanë raportuar mediat lokale. "Nuk vihet në diskutim heqja e gjendjes së jashtëzakonshme pas gjithë këtyre ndodhive", ka thënë Erdogan në një fjalim para investitorëve në Ankara. "Ne do të heqim udhrin për gjendjen e jashtëzakonshme vetëm kur të mos kemi më nevojë për luftimin e terrorizmit". Ai nuk ka përmendur ndonjë datë specifike se sa do të zgjasë kjo gjendje. Ankaraja ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pak kohë pas përpjekjeve të dështuara për grusht shtet, në korrikun e vitit të kaluar, pasi një grup i ushtarëve e sulmuan parlamentin me qëllim të rrëzimit të qeverisë. Nga këto përleshje u vranë 240 persona. Që nga ajo kohë rreth 150,000 persona janë shkarkuar ose suspenduar nga ushtria, shërbimet civile dhe sektori privat. Kritikët thonë se Ergodan po përdor këto masa për të shuar mospajtimet, derisa qeveria deklaron se këto masa janë të nevojshme për të siguruar Turqinë, nga kërcënimet me të cilat po përballet. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Moldavi: OJQ-të refuzojnë propozimin për ndalimin e financimit nga fonde jashtë vendit Posted: 12 Jul 2017 05:22 AM PDT Rreth 20 organizata joqeveritare në Moldavi kanë nxjerrur një deklaratë publike me anë të së cilës i bëjnë thirrje qeverisë të mos e miratojë propozimin që ndalon organizatat joqeveritare që kanë "aktivitet politik" të financohen nga fonde jashtë vendit. Moldavia është një nga shtetet më të varfëra në Evropë dhe besohet se të paktën 90 për qind e organizatave joqeveritare në këtë vend, financohen nga fonde jashtë vendit. Avokati, Ilie Chirtoaca, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se asnjë shtet evropian perëndimor nuk ka ligje të ngjashme, dhe se ky propozim shkel Marrëveshjen e Asocimit të Moldavisë me Bashkimin Evropian. Edhpse parlamenti dhe qeveria moldave kontrollohen nga fraksione pro evropiane, kohën e fundit qeveria ka bërë një numër të propozimeve kontraverse, duke përfshirë edhe ligjin për reformimin e sistemit elektoral, i cili është kritikuar nga Komisioni i Venedikut, OSCE-ja dhe Bashkimi Evropian. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Përkeqësohet gjendja e laureatit kinez të Nobelit Posted: 12 Jul 2017 03:42 AM PDT Gjendja e Lauretatit kinez të Çmimit Nobel për Letërsi, Liu Xiaobo, është përkeqësuar, ka njoftuar spitali në të cilin ai po trajtohet aktualisht. Spitali i cili gjendet ne verilindje të qytetit Sheniang, ka thënë se disidenti 61 vjeçar, është trajtuar për funksionim të dobët të mëlçisë. Liu është transferuar nga burgu në spital për trajtim të kancerit të mëlçisë. Grupi i të drejtave të njeriut dhe qeveri jashtë Kinës i kanë bërë thirrje Beijingut që të lejojë trajtim jashtë vendit për Liun. Mjekët nga Gjermania dhe SHBA-ja, të cilët e kanë vizituar atë më 7 korrik, kanë thënë se ai duhet të mjekohet menjëherë jashtë vendit. Liu është dënuar me 11 vjet burgim në vitin 2009 për, siç është thënë, angazhim në aktivitete për të përmbysur qeverinë. Në vitin 2010, atij i është ndarë Çmimi Nobel për Paqe. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Familjarët të pakënaqur me angazhimet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve Posted: 12 Jul 2017 03:26 AM PDT Familjarët e personave të pagjetur të luftës së fundit në Kosovë shprehen të pakënaqur me punën që është bërë rreth zbardhjes së fatit të këtyre personave. Edhe më tutje, numri i të pagjeturve vazhdon të jetë i madh. Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, ende ka mbetur i pandriçuar fati i 1 mijë e 660 personave, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Duke prezantuar angazhimet e fundit, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, ka thënë se deri tani janë gjetur vetëm 9 mbetje mortore, ndërkohë që shumë lokacione ku pretendohej se mund të ketë mbetje mortore janë mbyllur pa rezultate. "Ne do të punojmë edhe më tej për të zbardhur fatin e të pagjeturve, por nuk mund të krenohemi me atë që kemi bërë", tha Gjetaj. Këto komente ai i bëri gjatë një konference për gazetarë, pas takimit që mbajti Komisioni qeveritar për persona të pagjetur. Ndërkaq, kryetari i shoqatës "Zëri i prindërve", Bajram Qerkini, duke iu referuar përfundimit të gërmimeve në Kizhevak të Serbisë, tha se kishte përshtypjen që 'po zhvillohet një lojë' me fatin e personave të pagjetur. "Kemi qenë në Kizhevak e kam pyetur zëvendësprokurorin pse po e mbyll çështjen e Kizhevakut, kur dikur ke thënë se i ke tre dëshmitarë për këtë lokacion", tha ai. Në këtë takim, si përfaqësuesit qeveritarë ashtu edhe ata të familjarëve të personave të pagjetur shprehen pakënaqësinë dhe shqetësimin e tyre edhe sa i përket mospjesëmarrjes së përfaqësuesve të misionit të Bashkimit Evropian – EULEX, në konferencën e Gjenevës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Takimi "problematik" me avokaten ruse Posted: 12 Jul 2017 03:02 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk ka qenë i informuar për takimin e djalit të tij me një avokate ruse, e cila thuhet se ka pasur lidhje me Kremlinin. Vetë djali i Trumpit, Donald Trump Jr., e minoi rëndësinë e takimit, por disa anëtarë të Kongresit thanë se ai mund të llogaritet si "bashkëpunim me Rusinë". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shtyhet gjykimi për tradhti i Yanukovychit Posted: 12 Jul 2017 02:31 AM PDT Një gjykatë ukrainase e ka shtyrë gjykimin e Viktor Yanukovychit për tradhti, pasi avokati i ri i ish presidentit ka kërkuar më shumë kohë për t'u përgaditur. Gjykimi do të mbahet më 3 gusht, ndonëse Viktor Yanukovych nuk do të jetë pjesë e gjykimit. Gjyqtari i gjykatës së Kievit, Vladyslav Devyatko, i ka dhënë kohë shtesë avokatit mbrojtës të caktuar nga shteti, Vitaliy Meshechek, për t'u përgaditur rreth rastit. Yanukovych ka thënë se nuk do të jetë pjesë e gjykimit, pasi sipas tij gjykimi është i motivuar politikisht. Dy gjykatësit e mëparshëm kanë hequr dorë nga rasti, pasi Yanukovych i kishte lajmëruar se nuk i duheshin më. Gjykata më pas vendosi që ai të përfaqësohej nga një gjyaktës i caktuar nga shteti. Yanukovych është larguar nga Ukraina në shkurt të 2014-ës dhe u nis në Rusi në mesin e shumë protestave pas vendimit të tij për rregullimin e marrëdhënieve tregtare me Moskën. Prokurorët po kërkojnë dënim me burgim të përjeshtëm për Yanukovychin, i cili akuzohet për tradhti, duke cenuar sovranitetin e integritetin territorial të Ukrainës. Pasi ai u largua, Rusia aneksoi Krimenë nxiti konflikte në lindje të Ukrainës. Nga përleshjet në mes të forcave të Kievit dhe separatistëve pro rusë në lindje të Ukrainës janë vrarë më shumë se 10,000 persona. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rrugët e rrezikshme - Për gjashtë muaj, 50 të vdekur nga aksidentet Posted: 12 Jul 2017 01:53 AM PDT Aksidentet në komunikacionin rrugor vazhdojnë të shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në Kosovë. Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, kanë vdekur 50 persona në aksidentet rrugore. Autoritetet e rendit thonë se nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit të kaluar, vërehet rritje e numrit të personave të vdekur si pasojë e aksidenteve në komunikacion. Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se sipas të dhënave të përgjithshme, vërehet një rënie e numrit të aksidenteve me dëme materiale, derisa numri i aksidenteve me lëndime trupore dhe atyre me fatalitet ka shënuar rritje. "Gjatë muajve të verës ka një rritje të numrit të aksidenteve, pasi shtohet numri i fluksit nga bashkatdhetarët që vijnë për pushime në Kosovë", tha Hoxha. Sipas tij, gjatë sezonit veror, në funksion të një menaxhimi dhe kontrolli më të mirë të sigurisë, veçanërisht të trafikut rrugor, Policia e Kosovës ka përpiluar një plan operativ policor të cilin edhe e ka shpërndarë për zbatim nëpër të gjitha departamentet dhe rajonet policore. Po ashtu, aty parashihen edhe masat ligjore që do të ndërmerren në vazhdimësi për të gjithë ata që nuk u përmbahen rregullave në trafik. "Nga divizioni i trafikut rrugor i Policisë së Kosovës, janë përpiluar dhe shpërndarë fletëpalosje me udhëzime dhe mesazhe vetëdijësuese për të ndikuar në uljen e aksidenteve me fatalitet, që mbetet një shqetësim apo brengë për të gjithë ne", thekson Hoxha. Autoritetet e rendit thonë se vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, shkelësve të rregullave në trafik u janë shqiptuar 183.729 tiketa gjobë. Qytetarët në anën tjetër mendojnë se janë ngasësit ata që zakonisht nuk i respektojnë shenjat e komunikacionit. Anita Mala, 23 vjeçare, studente e Fakultetit të gjuhës angleze në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e vetme e aksidenteve të shumta me fatalitet është gjendja, sipas saj, kaotike që vjen si pasojë e mosrespektimit të rregullave. "Mendoj se ngasësit nuk i përfillin shenjat e komunikacionit. Sikur të ishin më të kujdesshëm ngasësit në respektimin e rregullave, besoj se nuk do të ndodhnin gjithë këto aksidente. Qytetarët duhet vetëdijësuar sepse është në pyetje jeta e njeriut", tha Mala. Ndërkohë, eksperti i komunikacionit, Muhamet Krasniqi thotë se numri i aksidenteve në komunikacion, kryesisht rritet gjatë stinës së verës, duke potencuar se arsyet janë të shumta, por disa nga to, siç thotë ai, janë aspektet teknike të automjeteve, si dhe temperaturat e larta të cilat ndikojnë në shpërqendrimin e situatës. Por, edhe ardhja e bashkatdhetarëve, thotë Krasniqi, e rritë numrin e veturave dhe gjithë kjo, sipas tij, ndikon në rritjen e numrit të pjesëmarrësve në komunikacion, gjë që mund të ndikojë edhe në uljen e sigurisë në rrugë. Krasniqi potencon faktin se ekspertët e komunikacionit, kanë bashkëpunim të mirë më autoritet e rendit, ku edhe marrin pjesë në trajnime të ndryshme që kanë të bëjnë me komunikacionin. "Bashkëpunimi është i vazhdueshëm, jo vetëm në stinën e verës apo dimrit dhe këto bëhen përmes forumit të Kosovës për siguri në rrugë". "Diskutojmë rreth çështjeve të sigurisë në rrugë, që ndërlidhet me të gjithë pjesëmarrësve në rrugë. Por, shenjat dhe rregullat e komunikacionit mbeten çështja kryesore që duhet respektuar të gjithë", thotë Krasniqi. Sidoqoftë, autoritetet e rendit apelojnë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë vigjilent dhe të respektojnë rregullat që dalin nga ligji i trafikut, t'i përmbahen shpejtësisë së përcaktuar me shenjat e trafikut, t'i shmangen ngasjes kur janë të lodhur/përgjumur, të mos drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe mos të përdorin telefonat gjatë ngasjes së automjeteve. Veprime të tilla jo të sigurta, sipas autoriteteve të rendit, po kontribuojnë në shtimin e aksidenteve dhe humbjen e jetëve të njerëzve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump u bashkohet francezëve për shënimin e ditës Bastille Posted: 12 Jul 2017 01:47 AM PDT Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, do të nisen sot për një vizitë dy ditore në Francë. Ata do të jenë pjesë e festimeve, për Ditën Bastille në Paris, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Gjithashtu është bërë e ditur se Trump do të zhvillojë takime edhe me presidentin francez, Emmnauel Macron, duke u fokusuar në konfliktin në Siri dhe përpjekjet globale kundër terrorizmit. Macron e ka ftuar presidentin Trump për shënimin e Ditës Bastille, gjatë një bisede telefonike, muajin e kaluar. Përveç festimit të kësaj dite, këtë vit do të përkujtohet edhe 100 vjetori i përfshirjes së SHBA-së në Luftën e parë Botërore. Dita Bastille përkujton marrjen me forcë të kalasë Bastille më 14 korrik 1789 nga një turmë. Kjo ngjarje konsiderohet si pike kthese dhe si simbol i rëndësishëm për francezët. Kjo ditë shënohet si Dita Kombëtare e Francës dhe festohet cdo vit. Bazuar në një studim të fundit nga Qendra për Kërkime Pew, vetëm 14 për qind e qytetarëve francezë besojnë në aftësinë e Trumpit "për të bërë gjënë e duhur në çështjet ndërkombëtare". Udhëtimi i presidentit Trump në Francë vjen në më pak se një javë pas pjesëmarrjes në samitin G20 në Hamburg të Gjermanisë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Hulumtuesit iranian nuk i lejohet hyrja në SHBA Posted: 12 Jul 2017 01:22 AM PDT Hulumtuesi iranian i kancerit, Mohsen Dehnavi, është ndaluar në aeroportin ndërkombëtar Logan, pasi ishte nisur në SHBA, për të filluar punën në një spital të Bostonit. Spitali i fëmijëve në Boston, ka thënë se Mohsen Dehnavit nuk i është lejuar hyrja në këtë shtet, i cili ishte së bashku me gruan dhe tre fëmjët e tij, pavarësisht posedimit të vizës. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Dehnavi dhe familja e tij janë kthyer me aeroplan për në Iran. Spitali ka thënë se arsyet e ndalimit nuk janë bërë të ditura. "Spitali i Bostonit shpreson që situata të rregullohet shpejt dhe Dr. Dehnavi me familjen e tij do të lirohen dhe atyre do t'ju lejohet hyrja në SHBA", ka thënë zëdhënësi i spitalit, Rob Graham. Zëdhënësja e Doganave dhe Patrullimit Kufitar, Stephanie Malin, ka thënë se ndalimi i familjes Denhavi nuk është i lidhur me vendimin e presidentit Donald Trump për ndalimin e përkohshëm të hyrjes në SHBA, nga gjashtë vende me shumicë myslimane, duke përfshirë edhe Iranin. Gjykata Supreme, e ka vënë në fuqi vendimin e administratës Trump, për ndalimin e hyrjes në SHBA të udhëtarëve nga vendet si Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni. Mirëpo gjykata ka thënë se vendimi nuk mund të ndalojë personat që "kanë lidhje të mira me ndonjë kompani apo person në SHBA". Kryetari i Bostonit, Marty Walsh u ka thënë gazetarëve se ai po pret më shumë informata rreth këtij rasti, mirëpo ka shtuar se ky mund të jëtë shembull i shqetësimeve për ndalimet e udhëtimit nga Irani. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Samiti në Trieste: Një treg për gjithë Ballkanin?! Posted: 12 Jul 2017 01:13 AM PDT Bashkimi Evropian po synon të formojë një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor. Lidhur me mundësitë e realizimin të këtij procesi, në Trieste të Italisë është duke u mbajtur Forumi i punës, në kuadër të samitit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në hapjen e këtij forumi ka marrë pjesë Komisionari evropian për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë së mirë, Johannes Hahn, i cili është shprehur i kënaqur për mundësinë e realizimit të procesit. "Jam shumë i kënaqur që liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, kryeministrat e tyre, do ta konfirmojnë formimin e zonës ekonomike rajonale, duke na e mundësuar që të vazhdojmë me zbatimin e këtij koncepti. Kjo nënkupton krijimin e zonës prej rreth 20 milionë njerëzve, ku më në fund do të ekzistojë qarkullimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve", tha Hahn. Ai ka sqaruar që zona e përbashkët ekonomike do të duhej ta përshpejtojë shkëmbimin tregtar në Ballkanin Perëndimor, i cili, siç tha ai, në krahasim me tregtimin me Bashkimin Evropian, aktualisht po stagnon. "Ata që konsiderojnë që tregu ekonomik rajonal mund ta pengojë idenë e anëtarësimit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, po gabojnë. Bëhet fjalë për përgatitjen e rajonit për treg të unifikuar të Bashkimit Evropian, atëherë kur ato vende mund të bëhen pjesë e saj", tha Hahn. Komisioneri evropian, Hahn, ka qëndruar në forumin e biznesit, ku ishin të pranishëm ministrat e tregtisë dhe ekonomisë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Në takimin në Trieste janë duke marrë pjesë edhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësuesit e gjashtë shteteve anëtare të BE-së, Austrisë, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Sllovenisë. Përveç zotit Hahn, Bashkimin Evropian në këtë takim e përfaqëson edhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini. Në prag të këtij takimi, të martën, Federica Mogherini ka porositur në Bruksel se në Trieste do të bisedohet për "projekte konkrete" për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të rajonit dhe zbatimin e reformave. Njëkohësisht, protokolli zyrtar i takimit parasheh që pjesëmarrësit të nënshkruajnë marrëveshjen për transport të përbashkët, nga e cila pritet që të përshpejtojë integrimin e rrjetit të transportit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Pritet që Komisioni Evropian të paralajmërojë ndarjen e mjeteve të reja vjetore në kuadër të "paketës së lidhjes", ndërkohë që vendet partnere të Ballkanit Perëndimor do të duhej që ta harmonizojnë planin e aksionit për zhvillimin e zonës ekonomike rajonale. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, me herët ka dhënë detaje në lidhje me Samitin e Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Trieste të Italisë. Qëllim i këtij Samiti, thuhet të jetë forcimi i bashkëpunimit rajonal për një rrugë më të shpejtë drejt Bashkimit Evropian. Diskutimet, sipas informatave të publikuara nga zyra e BE-së, do të fokusohen në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal: 1) Lidhshmëria, 2) Integrimi rajonal ekonomik/zhvillimi i sektorit privat dhe 3) Kontaktet mes njerëzve. Italia është nikoqire e Samitit të katërt vjetor në kuadër të "Procesit të Berlinit", një iniciativë për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor, e cila pason pas Samiteve në Berlin (2014), Vjenë (2015) dhe Paris (2016). Përgatiti: Bekim Bislimi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Në Mosul, shkatërrim dhe shpresë Posted: 12 Jul 2017 12:35 AM PDT Pamjet nga droni tregojnë shkatërrimin në Mosul pas një beteje 9-muajshe për çlirimin e qytetit irakian nga militantët e Shtetit Islamik. Forcat irakiane, të mbështetura nga SHBA-ja, kanë shpallur fitore mbi IS-in, por ka frikë se mund të ketë ende militantë të fshehur në rrënoja. (Video: AP; Përgatiti: Valona Tela) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Monument për viktimat nga rrëzimi i aeroplanit MH17 Posted: 11 Jul 2017 11:51 PM PDT Mbreti Willem-Alexander dhe mbretëresha Máxima nga Holanda, kanë njoftuar se do t'i bashkohen kryeministritRutte më 17 korrik, në zbulimin e një monumenti kombëtar për viktimat nga rrëzimi i aeroplanit M17. Aeroplani u rrëzua në Ukrainë në korrik të 2014-tës. Në këtë incident vdiqën 298 personat që ishin në bord. Shumica e viktimave, 193, ishin nga Holanda. Monumenti përbëhet nga 298 drunj të mbjellur dhe një pllake përkujtimore. Motivi i këtij monumenti do të jetë " për të jetuar". Në zbulimin e monumentit priten të marrin pjesë 2000 persona, duke përfshirë edhe përfaqësues nga vende të tjera, të cilat janë të përfshira në këtë fatkeqësi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| SHBA: Kryhet me sukes testimi i sistemit kundër raketave balistike Posted: 11 Jul 2017 11:17 PM PDT Agjencia e mbrojtjes raketore në SHBA, ka thënë se ka kryer me sukses testimin e sistemit raketor THAAD, nga Alaska. THAAD është pjesë e sistemit kombëtar të mbrojtjes ndaj raketave balistike. Objektivi në formën e një rakete balistike me rreze të mesme u lansua mbi Oqeanin Paqësor në veri të Havait. Agjencia njoftoi se sistemi i mbrojtjes kundër raketave balistike THAAD, nga Alaska, ka zbuluar dhe ndaluar objektivin. Obejktivi ishte i ngjashëm me raketat e testuara së fundimi nga Koreja e Veriut. Ky testim është bërë pasi Koreja e Veriut ka deklaruar se më 4 korrik ka bërë testimin e një rakete balistike interkontinentale. Testimi i raketës ngriti shqetësimet për kërcënimin që vjen nga Penjani. Sistemi THAAD është i dizajnuar për ndalimin e raketave balistike brenda dhe jashtë atmosferës në fazën e tyre të fundit të fluturimit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Townsend: Luftimet në Irak janë “larg përfundimit” Posted: 11 Jul 2017 10:45 PM PDT Gjenerali amerikan, Stephen Townsend, ka thënë se luftimet në Irak janë "larg përfundimit", pavarësisht pushtimit të Mosulit, të cilin e kishte në kontroll grupi militant Shteti Islamik. Ai ka thënë se nuk kanë planifikuar uljen e numrit të trupave amerikanë pas marrjes në kontroll të qytetit. Kryeministri irakian, Haider al-Abadi, e ka shpallur fitoren në Mosul më 10 korrik, duke shënuar humbjen më të madhe të grupit ekstremist sunit, Shteti Islamik. Forcat e sigurisë irakiane ende janë duke larguar militantë të Shtetit Islamik nga qytetet si Tal Afar dhe Hawija. "Luftimet janë larg përfundimit. Unë nuk pres ndonjë ndryshim të dukshëm të uljes së numrit të trupave në të ardhmen e afërt, sepse ka ende shumë punë për tu bërë nga forcat irakiane dhe ato të koalicionit", ka thënë gjenerali Stephen Townsend, udhëheqës i koalicionit të forcave të armatosura që mbështeten nga SHBA-ja. Townsend ka thënë se pret që prezenca e koalicionit të vazhdojë në Irak edhe pas mposhtjes së Shtetit Islamik. Qeveria irakiane, SHBA-ja dhe qeveri të tjera që mbështesin koalicionin, janë të interesuara të kenë trupa atje, ka shtuar ai. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Samiti në Trieste mbledh liderët e BE-së dhe të Ballkanit Posted: 11 Jul 2017 10:02 PM PDT Një samit në Trieste të Italisë do të mbledhë sot udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, për të diskutuar mënyrat e integrimit të rajonit në BE. Samiti në Trieste është tubimi i katërt i tillë në kuadër të "Procesit të Berlinit", të cilin e ka nisur kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014. Pas Berlinit, tubimi është mbajtur në Vjenë në vitin 2015 dhe në Paris vitin e kaluar. Në samit do të marrë pjesë Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Italisë, Paolo Gentiloni, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, si dhe zyrtarë të lartë të Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe Britanisë së Madhe. Nga liderët e Ballkanit Perëndimor, në samit do të jenë kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Përmes një njoftimi për media, kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar se po merr pjesë në samitin në Trieste të Italisë. Po ashtu në këtë samit, i pranishëm do të jetë edhe ministri i Jashtëm në largim, Enver Hoxhaj. Merkel pritet të paraqesë planin "Berlin Plus", qëllim i të cilit është krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike, në mënyrë që integrimi ekonomik i rajonit të mbështesë edhe reformat sociale, politike e të tjera. Plani parasheh edhe fonde për ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e teknologjisë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





