RTSH: “Stamboll, presidenti turk Erdogan priti kryeministrin shqiptar Rama” plus 9 more

RTSH: “Stamboll, presidenti turk Erdogan priti kryeministrin shqiptar Rama” plus 9 more


Stamboll, presidenti turk Erdogan priti kryeministrin shqiptar Rama

Posted: 09 Jul 2017 09:48 AM PDT

Kryeministi Edi Rama gjendet në Stamboll për të marrë pjesë në Kongresin Botëror të Naftës që nis të hënën. Sot ai është pritur për 90 minuta nga presdenti turk Erdogan në rezidencën presidenciale. Lajmin e bën të ditur vetë zoti Rama në rrjetet sociale. Sipas tij gjatë takimit është diskutuar mbi projektet e përbashkëta. “Progres i qenësishëm për aeroportin e Vlorës dhe linjën ajrore shqiptare, me asistencën logjistike e teknike të Turkish Airlines” shkruan zoti Rama.

zgjedhjet në PD, Basha e Selami para anëtarësisë në Korçë

Posted: 09 Jul 2017 09:38 AM PDT

Kandidatët për kryetarë të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Eduard Selami u përballën në një debat dhe bashkëbisedim me demokratët e Korçës.
Kandidatët ndanë analizën e tyre për zgjedhjet, dhe paraqiten vizionin që kanë për të ardhmen, për drejtimin e Partisë Demokratike.
"Kjo humbje nuk ishte e papritur. Këtë humbje kishte kohë që ne e shikonim si demokratë. Dhe nuk është humbja e parë dhe fatkeqësisht nëse nuk e shikojmë këtë humbje dhe të gjejmë shkaqet e saj, kam frikë se do ta kemi shumë të vështirë të rikthehemi. Mënyra për tu rikthyer është për ta parë në sy dhe për ti parë gabimet ashtu siç janë. Nëse do ta përmbledh me një fjali, arsyeja e humbjes tonë dhe e humbjes së shpresës së shqiptarëve është largimi nga demokratët", tha Eduard Selami.
Fatkeqësisht, sipas tij, Partia Demokratike nuk funksionon më si parti demokratike e bashkëkohore dhe nuk ka demokraci të brendshme. "Eshtë për të ardhur keq. Me shumë prej jush njihemi që nga 90-ta. Ne jemi sot më pak demokratë dhe funksionojmë në mënyrë më pak demokratike seç kemi funksionuar në fillimet tona. Duhet të rikthehemi tek vendosja e rregullave dhe funksionimi demokratik brenda vetes tonë. Nuk mund të jemi ne shpresë për shqiptarët dhe garanci që do të veprojmë në të njëjtën mënyrë për forcimin e shtetit ligjor kur ne shkelim rregullat e lojës tonë", tha Eduard Selami.
Ndërkohë Lulzim Basha u shpreh se "ne nuk bëmë dhe as nuk do bëjmë pakt me krimin për të ardhur në pushtet". "Ne ishim partia e vetme që erdhi me një program, me një ofertë, me një alternativë, që erdhi nga nevojat e qytetarëve të cilat nuk i shfletuam gazetave dhe revistave dhe as nuk i shpikëm në laborator politik, por bashkë i prekëm këto 4 vite. Me dhjetëra herë unë kam qënë bashkë me ju tek biznesi i vogël i Korçës, tek fasonët, tek prodhuesit, tek agrobiznesi, tek fermerët, tek pensionistët, tek studentët. Ka qënë kjo prekja e realitetit që e bëri programin tonë realist në problemet më akute që kërkonin zgjidhje. E bënin ambicioz në zgjidhjet që ofronin brenda filozofisë politike të së djathtës dhe plotësisht të realizueshëm dhe të buxhetuar. Por ç'rëndësi ka kjo, kur nuk ka proces, kur nuk ka zgjedhje. Kur pala tjetër nuk ofron asgjë. As program, as plan, as vizion. Sepse e gjithë fushata, ishte tek shitblerja e votës. Kuotën morale ta bashkojmë me forcën tonë numerike dhe politike. Akti i parë, bashkimi i brendshëm", tha Lulzim Basha.
Më herët, kandidatët patën takime me demokratët e Pogradecit, Devollit, Maliqit dhe Ersekës.

Divjaka, aty ku peshohet çfarë i jep dhe çfarë i kërkon vendit fermeri shqiptar

Posted: 09 Jul 2017 06:15 AM PDT

Në një ditë të zakonshme me fermerët, grumbulluesit dhe eksportuesit e Divjakës, ke mundësi të mësosh se çfarë i kanë ofruar dhe i ofrojnë fermerët e këtyre anëve konsumatorit vendas dhe të huaj. Ajo të jep mundësi të testosh se sa efektive kanë qënë politikat e hartuara dhe të realizuara në praktikë ndaj këtyre njerëzve nga qeveritë vit pas vitesh.
Gazetari Bardhi Sejdarasi ka realizuar një vëzhgim që evidenton rritjen me rreth 200 për qind të prodhimit dhe eksportit duke filluar nga viti 2012 e në vijim. Por ai ka evidentuar edhe problemet ende të pazgjidhura të fermerëve të zonës, ndonëse premtimet asnjëherë nuk kanë munguar. Ata kujtojnë bursën e parë bujqësore shqiptare, që nuk u realizua kurrë e deri tek çmimet e dakortësuara e ankandet fillestare të produkteve bujqësore, që tani janë bërë si anekdota, që tregohen pas kthimit nga puna e vonë.

5 vatra zjarri gjatë 24 orëve

Posted: 09 Jul 2017 06:02 AM PDT

Përgjatë 24 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë ka patur 5 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit.
Qarku Shkodër
Në fshatin Dardhë, Njësia Administrative Blerim, bashkia Fushë-Arrëz, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Pukë, ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personel dhe kanë punuar me mjete rrethanore për të shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u përshkruan nga flakët një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe disa pisha.
Qarku Elbasan
Në fshatin Ermenj, Njësia Administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Shërbimi vendor i MZSH Gramsh, ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personel dhe kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Për ndihme shkuan 30 forca ushtarake dhe pas një pune të gjatë kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 7 ha shkurre dhe 7 dynym pisha.
Qarku Vlorë
Në fshatin Nartë, Njësia Administrative Qendër, Bashkia Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Shërbimi vendor i MZSH Vlorë, ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personel dhe ka punuar për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.2 ha me shkurre dhe pisha. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Qarku Durrës
Në fshatin Arrameras, Njësia Administrative Fushë-Krujë, Bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre pranë një biznesi pularie. Shërbimi vendor i MZSH Krujë, ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personel dhe ka punuar për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre.
Qarku Dibër
Në fshatin Fushë-Bulqizë, Njësia Administrative Bulqizë, bashkia Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha të vogla. Shërbimi vendor i MZSH Bulqizë, ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personel dhe ka punuar për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.3 ha me shkurre dhe pisha të vogla.

Poloni, një bombë e L2B sjell evakuimin e 10 mijë personave

Posted: 09 Jul 2017 05:53 AM PDT

Pas gjetjes së një bombe të madhe të Luftës së Dytë Botërore në lindje të Polonisë ka nisur evakuimi i rreth 10 mijë personave. Banorët në qytetet lindore Bialystok dhe Suprasl janë duke u larguar me autobusë drej disa qendrave , ku  do të qëndrojnë derisa bomba të caktivizohet në mënyrë të sigurt. Rreth 10 mijë persona janë të regjistruar si banorë në këtë zonë të prekur. Bomba 1,102 kilogram u gjet të enjten. Ekspertët e caktivizimit  të bombave do ta ngarkojnë atë në një kamion të veçantë dhe do ta shkatërrojnë pas një sërë testesh.

Tillerson mbërrin në Ukrainë

Posted: 09 Jul 2017 05:45 AM PDT

Sekretari amerikan i shtetit, Reks Tillerson, ka arritur të dielën në Kiev të Ukrainës, për takime me presidentin e këtij vendi, Petro Poroshenko, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë. Kjo është vizita e tij e parë në Ukrainë në postin e sekretarit amerikan të shtetit. "Ukraina ka kaluar rrugë të gjatë, por duhet të bëjë më tepër", tha Tillerson kur arriti në Kiev. Në këtë kuadër ai theksoi se "e gjithë kjo është për ta siguruar të ardhmen e Ukrainës, duke e bërë atë vend terheqes për investitorë". Në vizitën e tij në Ukrainë, Tillerson shoqërohet nga Kurt Volker, ish-ambasador amerikan në NATO, i cili është emëruar si i dërguar special për negociata për implementimin e Marrëveshjeve të Minskut, lidhur me konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës.

Idrizi i PDIU kërkon me ngulm mandatin e deputetit

Posted: 09 Jul 2017 04:33 AM PDT

Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim e Unitet Shpëtim Idrizi ka deklaruar të dielën se do të paraqesë provat për mosnumërimin e votave të votuesve për partinë e tij në Tiranë. Sipas zoti Idrizi votat e faktuara në favor të PDIU-së prekin rezultatin për mandat tjetër në kryeqytet.
Emri i kreut të PDIU ishte i pari në listën e kësaj partie në Tiranë. Por kjo parti mori në Tiranë 12.434 vota ose 2,99 përqind, 36 vota më pak se sa i duheshin zotit Idrizi për të marrë mandatin e deputetit. Në zgjedhjet e 25 qershorit PDIU mori 76.064 vota, 4,81 përqind, ose ndryshe 3 deputetë. Gjatë fushatës zgjedhore PDIU pretendonte të merrte 10 deputetë .

Konsumi i sheqerit gjatë shtatzanisë mund të sjelli fëmijë alergjikë

Posted: 09 Jul 2017 04:21 AM PDT

Nënat që konsumojnë sasi të mëdha sheqeri gjatë shtatëzanisë kanë probabilitet më të lartë për të lindur fëmijë që vuajnë nga alergjitë.
Kërkuesit e universitetit të Bristol në Mbretërinë e Bashkuar kanë publikuar në Revistën Europiane të Sëmundjeve Respiratore rezultatet e një studimi ku u përfshinë rreth 9 mijë gra të cilat kanë qenë shtatëzënë në fillim të viteve ’90 dhe fëmijët e tyre.
Gjetjet e studimit tregojnë se 20 përqind e nënave që konsumonin më shumë sheqer kishin 38 përqind më shumë mundësi për të lindur fëmijë alergjikë sesa nënat që konsumonin sheqer në një nivel të moderuar. Gjithashtu, fëmijët e nënave që konsumonin shumë sheqer kishin 101 përqind më shumë rrezik për të vuajtur nga azma alergjike.
Një teori që mund të shpjegojë sesi sheqeri shkakton azëm është se sasitë e mëdha të fruktozës i japin shtysë reagimit përkatës së trupit, çka mund të çojë në inflamacionin e mushkërive të bebeve, të cilat janë akoma në zhvillim e sipër. Shumë faktorë ndikojnë në rrezikun e alergjive tek bebet, duke përfshirë mikrobet, ndotësit e ajrit, si dhe llojin e qumështit me të cilin ata ushqehen dhe në të ardhmen shkencëtaret synojnë që t’i konsiderojnë të gjithë këta elementë në një studim të vetëm në mënyrë që të kuptohet marrëdhënia e plotë mes dietës së nënave gjatë shtatëzanisë dhe sëmundjeve alergjike tek pasardhësit e tyre.

Autostrada Tiranë-Durrës rëndohet nga trafiku

Posted: 09 Jul 2017 03:43 AM PDT

Temperaturat e larta kanë detyruar shumë shqiptarë, veçanërisht banorë të kryeqytetit, ti drejtohen gjatë fundjavës bregdetit. Por prania e shumë automjeteve në rrugën nga Tirana drejt Durrësit, veçanërisht drejt Gjirit të Lalzit ka sjellë një trafik të jashtëzakonshëm. Mjaftë makina janë bllokuar gjatë në këto akse duke sjellë pakënaqësi tek udhëtarët. Policia ka ndërhyrë, por pa shumë sukses. Ajo ka lajmëruar ndalimin e qarkullimit për makinat e rënda në autostradën Tiranë-Durrës dhe kalimin e tyre në aksin Tiranë- Ndroq-Plepa-Durrës. Trafik i dendur vihet re edhe në akset e tjera gjatë gjithë bregdetit shqiptar.

Volejboll : “Nxehet” merkatoja e vajzave të rrjetës

Posted: 09 Jul 2017 03:29 AM PDT

Paraqitja e mirë që Kombëtarja Kuqezi e volejbollit për femra bëri gjatë fazës së grupeve të Ligës së Evropës, ku përtej eliminimit, korri dy fitore, ka bërë që për lojtaret kuqezi të vijnë ofertat e para për sezonin e ardhshëm.
E para që konfirmoi destinacionin e saj ishte Erblira Bici, e cila ka rinovuar edhe për një sezon tjetër kontratën me LPM Mondovinë, skuadrën pranë kufirit italo-francez, që militon në nivelin e dytë të volejbollit të Apenineve.
Një tjetër lojtare e spikatur, kapitenia Arjola Prenga, e cila e mbylli në Turqi sezonin e shkuar, ka një numër ofertash nga klube të tjera të nivelit më të lartë. Por duket se destinacioni i saj do të jetë gjetkë. Prenga ka pohuar për Televizionin Shqiptar se ka një ofertë nga Santorini në Greqi, por edhe nga një klub izraelit dhe se së shpejti do të vendosë se çfarë do të zgjedhë.
Sa i përket Sava Thakës, e cila e mbylli sezonin në nivelin më të lartë të volejbollit polak, në "Orlen Ligë", ekziston edhe një mundësi për një zhvendosje në Gjermani. Korçarja ka gjithnjë në dorë mundësinë e rinovimit me klubit polak, por duket se synon të hedhë një tjetër hap të madh në karrierë, duke e provuar fatin në kampionatin gjerman.
Shqiptaro-amerikania Sindi Marina e ka konfirmuar që më parë destinacionin e saj në kampionatin amerikan të volejbollit të kolegjeve, teksa ka mbyllur një sezon të suksesshme me Universitetin e Dukës, për të vijuar sezonin e ardhshëm me "Trojanët" e Universitetit të Kalifornisë Jugore, me të cilët ka nisur stërvitjen. Ndërkaq, një tjetër lojtare shqiptare që do ta provojë fatin jashtë Shqipërisë, është volejbollistja e Partizanit, Esmeralda Tuci, e cili mund të zhvendoset në jug, në kampionatin grek të volejbollit të femrave. Sa i përket lojtareve të reja, shqiptarja e lindur dhe e rritur në Greqi, 19-vjeçarja Maria Sade, do të vazhdojë të luajë në volejbollin helen, ashtu sikundër edhe Seda Arapi do të vazhdojë të luajë në kampionatin italian. Aty ku do të luajë edhe 21-vjeçarja Madona Ulaj, e cila bëri një paraqitje të kënaqshme me Kombëtaren dhe tanimë duket se do ta provojë fatin në një skuadër tjetër, mbase një nivel më lart sesa Seria B ku sezonin e shkuar luajti për Piko Lekon.
Lëvizjet intensive në merkaton e volejbollit të vajzave, vlerësohen si një ogur i mirë për nivelin e Kombëtares Kuqezi.