RTSH: “Serbi; Brnabiç për BE-në” plus 9 more

RTSH: “Serbi; Brnabiç për BE-në” plus 9 more


Serbi; Brnabiç për BE-në

Posted: 04 Jul 2017 07:42 AM PDT

Nëse Serbia do të detyrohet të zgjedhë mes lidhjeve të afërta me Rusinë apo anëtarësim në Bashkimin Evropian, atëherë do të vendosë për këtë të dytin. Kështu deklaroi kryeministrja e re serbe Ana Brnabiç në një intervistë me rrjetin amerikan mediatik Blumberg. Do ta vijoj rrugën e nisur nga paraardhësi im, Aleksandër Vuçiç, tani presidenti i vendit që po përgatit vendin për anëtarësim në vitin 2020, tha ajo. Po shkojmë drejt BE-së, kjo është e qartë. Kemi lidhje emotive me Rusinë për shkak të traditës kulturës e fesë dhe Rusinë shumë qytetarë serbë e shohin si mbrojtësen tonë, por përsëri, rruga strategjike është ajo drejt BE-së, foli qartë zonja Brnabiç. Kjo është hera e parë që një kryetar qeverie në Serbi deklaron hapur se do të zgjedhë Evropën para Rusisë. Kryeministrja megjithatë, nuk mundi ti përgjigje pyetjes nëse do të vendoste sanskione kundër Rusisë nëse i kërkohej kjo gjë, gjë që zoti Vuçiç nuk e kishte bërë.

Kosovë; Flamuri amerikan për Pavarësinë e SHBA

Posted: 04 Jul 2017 07:40 AM PDT

Me rastin e 241-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës ngriti flamurin amerikan pranë shtatores së Bill Klintonit në sheshin me po të njëjtin emër. Përfaqësuesi i shoqatës "Miqtë e Amerikës", Agim Rexhepi, deklaroi se ky akt simbolik përçon mirënjohjen e shtetit të Kosovës të populli amerikan për mbështetjen e dhënë deri tani. Kjo shoqatë deklaroi se ceremonia e ngritjes së flamurit i dërgon mesazhe popullit dhe institucioneve amerikane se populli i Kosovës është dëshmitar dhe mirënjohës për veprimet mbështetëse amerikane, që treguan se Kosova ka merituar përkrahjen, jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe në aspektin politik, ushtarak, arsimor si dhe në të gjitha fushat. Mesazhe urimi krerëve amerikanë për festën e pavarësisë u kanë dërguar edhe zyrtarë të lartë të Kosovës.

PD drejt zgjedhjeve, proçesin e udhëheq Jemin Gjana

Posted: 04 Jul 2017 06:37 AM PDT

Pavarësht polemikave të forta brenda saj, Partia Demokratike me e madhja e opozitës së djathtë në Shqipëri, po ecën me shpejtësi drejt zgjedhjeve për kreun e saj. Ajo ka miratuar të martën procedurat e votimit si dhe rregulloren. Kreu i komisionit të posaçëm që do të menaxhojë proçesin do të jetë Jemin Gjana, një figurë e njohur e kësaj partie, por i mënjanuar vitet e fundit. Zoti Gjana ka spjeguar para gazetarëve veprimtarinë e komisionit, deri ditën e votimit më 22 korrik. Në komision bëjnë pjesë Tritan Shehu, Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi dhe Bardh Spahia. Minushe Lazaj dhe Albert Avdyli, janë punonjës të sektorit të organizimit të PD. Ndërsa Arben Ibro dhe Riza Xhura janë propozuar nga dy kandidatët, Lulzim Basha dhe Eduard Selami.

Insekti “Harrie” bezdis pushuesit

Posted: 04 Jul 2017 06:17 AM PDT

Një insekt i quajtur “Simulid”, që në gjuhën popullore njihet si “Harrie” ka bezdisur shumë pushues veçanërisht në plazhin e Divjakës. Përveç kruarjeve pushuesit kanë përjetuar edhe reaksion alergjik në lëkure.
Epidemiologia Enkeleda Dikolli në një prononcim për RTSH thotë se insketi Simulid qarkullon në Shqipëri prej kohësh, por këtë vit ndjeshmëria ka qenë më e lartë për shkak të ekspozimit. “Ai është në gjendje që të transmetojë semundje. Aktualisht jep vetem bezdi dhe në varësi të njerëzve që pickohen shkakton reaksione alergjike të forta. Nga pickimi, kruarjet mund të vazhdojnë edhe mbas 48 orësh dhe shenjat, kruarjet apo gungat, ka raste deri në tre jave sidomos tek fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna apo edhe te njerëit që janë shumë alergjikë” thotë epidemiologia Dikolli.
Specialistja e ISHP thotë se ankesat për “Harriet” kanë ardhur fillimisht në ISHP nga peshkatarët që në muajin prill. “Raportime kemi patur gjithashtu nga zona e Shirokës. Njerëzit e kanë patur të vështirë të bëjnë atë xhiron e mbrëmjes për arsye të pickimeve nga simulidet që fluturojnë në tufa, futen në flokë, futen në trup dhe janë shumë të vogla, dhe ti nuk arrin ti shikosh madje, duket si një pike e zeze dhe vetëm arrin të ndjesh kruarjet dhe reaksionet alergjike” shon zonja Dikolli.
Po si duhet të mbrohemi?
Personat e ndjeshëm të evitojnë ekspozimin, sidomos në kohën e pikut të aktivitetit të simulideve që është në mëngjes nga ora 8-10, si dhe në mbrëmje, me rënien e temperaturave ato janë mjaft aktive. Gjithshtu të përdorim lënde larguese direkt në trup si kremrat apo spray. Epidemiologia Enkeleda Dikolli thotë se në ndryshim nga mushkonjat ato zhvillohen në ujra të rrjedhshëm. Për momentin insekti është i pranishëm në DivjakW, Lezhë, Orikum, dhe se sot është gjetur edhe në Bajram Curri e Valbone, ku ajo sëbashku me një grup specialistësh të huaj gjendet për ekspeditë.

KQZ nuk shtyn shpalljen e rezultatit në Tiranë, Idrizi i PDIU ende jashtë parlamentit

Posted: 04 Jul 2017 05:36 AM PDT

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka rrëzuar të martën kërkesën e PDIU-së për të shtyrë me 48 orë miratimin e rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për qarkun e Tiranës. Sipas PDIU-së, gjatë numërimit nuk janë pasqyruar votat për këtë forcë politike, vota të cilat ndikojnë në marrjen ose jo të mandatit të kreut të kësaj partie Shpëtim Idrizi. Zoti Idrizi ishte i pari në listën e Tiranës, ku PDIU ka marrë mbi 12300 vota. Deputetja e deritanishme e kësaj force politike, Mesila Doda, e cila pas zgjedhjeve të 25 qershorit ka mbetur jashtë parlamentit, paralajmëroi se PDIU do të këmbënguli në kërkesën e saj. Sipa zonjës Doda në Tiranë PDIU-së nuk i janë llogaritur mbi 50 mijë vota.
Sipas ligjit, PDIU ka të drejtë të ankimojë këtë vendim fillimisht në KQZ dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor.

Polici i aksidentuar në Delvinë

Posted: 04 Jul 2017 05:18 AM PDT

Kontrolli për parandalimin dhe evidentimin e rasteve të kultivimit të kanabisin vijoi edhe sot nga Policia e Shtetit. Nga zyra e medias së policisë u njoftua rasti i aksidentit të një efektivi i cili po ushtronte kontroll për kultivimin e kanabisit në zonën e Sopotit. "Gjatë kontrollit të territorit mbi Palohor në një terren të pyllëzuar e të thepisur, në afërsi të malit Sopot, punonjësi i policisë Behar Halili, duke kontrolluar në këmbë territorin është rrëzuar aksidentalisht dhe është dëmtuar në shpatull dhe kokë" thuhet në njoftim. Menjëherë është transportuar në spitalin e Sarandës për ndihmë mjekësore ndërsa më vonë efektivi u transportua me helikopter për ndihmë më të specializuar në Tiranë. Mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ekspozitë skulpture në Galerinë FAB

Posted: 04 Jul 2017 04:50 AM PDT

Arti është një enë komunikuese dhe dialogu është katalizatori më i madh i artistëve të të gjitha kohërave. E tillë na vjen dhe ekspozita e çelur në galerinë FAB pas një udhëtimi të studentëve shqiptarë në eksplorim të monumenteve të antikitetit në Athinë. Me punime në skulpturë dhe grafikë studentët sjellin copëza antikiteti përmes skulpturave të tyre shoqëruar edhe nga nje konceptim bashkëkohor apo mbetje teknologjike. Ekspozita që ngerthen brenda mureve të galerisë Fab punët më të mira të 15 studentëve, nuk shmang një nderthurje të butë mes artit klasik dhe atij konceptual.

Furtuna Velaj; Një histori jete falë sportit

Posted: 04 Jul 2017 04:39 AM PDT

Ka shumë arsye që i çojnë njerëzit drejt sportit, por për sulmuesen e Kombëtares shqiptare të futbollit të femrave dhe të skuadrës së Nju Jork Sërfit në SHBA, Furtuna Velaj, loja më popullore në botë ishte mënyra më e mirë për t’i shpëtuar konfliktit në vendlindjen e saj, Kosovë. Me topin nëpër këmbë, gjithë telashet rreth e rrotull saj zhdukeshin. "Familja ime jetonte në një fshat të vogël në Kosovë dhe unë luaja futboll gjatë gjithë kohës, ka rrëfyer ajo, duke folur për mediat amerikane. – Në shkollë, gjatë pushimeve të ndërmjetme, dhe çdo të dielë do të luaja. Unë isha si një "djalë haram" dhe luaja sa herë më jepej mundësia. Jetonim në një fermë dhe nuk kishim as televizor. Kisha vetëm kafshët shtëpiake për shoqëri dhe, duke qenë të varfër, mundësitë për zbavitje ishin të pakta. Futbolli ishte një nga ato gjërat që të ofrohet teksa të thonë: "Ja ku e ke topin, luaj me të!". Pra, ose do të luaje me kafshët, ose me topin e futbollit." Dhuna dhe shtypja serbe në Kosovë e detyruan familjen e vajzës atëherë 7-vjeçare të emigronte në SHBA, por rrugëtimi nuk ishte aspak i lehtë, duke kaluar nëpër Malin e Zi, pastaj në Spanjë, në Kubë e prej andej në Florida dhe Nju Jork, para se të stabilizohej në Konektikat, ku i është dashur të ndajë një apartment me dy dhoma gjumi me 20 anëtarë të tjerë të familjes së madhe. Megjithatë, ajo e rinisi gjithçka tek loja magjike. "Futbolli ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën time, paso më dha mundësinë të shkoj në shkollë dhe të arsimohem, – pohon futbollistja kuqezi. – Më ka dhënë mundësinë të udhëtoj dhe të shoh shumë vende anembanë rruzullit, çka më ka bërë një person me formim të gjithanshëm dhe më ka hapur sytë. Sikur të mos ishte futbolli, nuk do të kisha mundur të arrij kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër." Në 4 vitet e universitetit në Kuinipak, ajo mori një diplomë në Shkenca Politike, por shënoi edhe 39 gola dhe dha edhe 16 pasime të tjera për gol. Pas diplomimit, Velaj ka luajtur për Boston Brejkërs në SHBA, me Afturel-ding në Islandë, Toronto Lejdi Links në SHBA, PK-35 Vanta’a në Finlandë, Kolbotn IL në Norvegji, SC Sand në Gjermani dhe tani militon në radhët e Nju Jork Sërf në SHBA. 27-vjeçarja është shndërruar në një nga shtyllat e Kombëtares kuqezi të vajzave dhe këshilla e saj për të rejat dhe të rinjtë, është e thjeshtë: "Jeta nuk është gjithmonë e drejtë, por ky nuk është fundi i botës. Gjithmonë ke mundësi t’ia dalësh mbanë, sado e vështirë të duket në fillim." Vetë jeta e Furtuna Velajt është dëshmi e gjallë e fjalëve të saj.

Zgjedhjet,Çako vlerëson policinë, por akuzon politikën

Posted: 04 Jul 2017 04:27 AM PDT

Një javë pas përfundimit të procesit zgjedhor, drejori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako, akuzon politikën se ka vënë në presion drejtuesit e policisë, por edhe efektivët e saj të angazhuar gjatë dhe pas fushatës elektorale. Gjatë një takimi me drejtorët e niveleve të ndryshme zoti Çako ka vlerësuar maksimalisht qëndrimin dhe profesionalizmin e çdo punonjësi policie.
Gjatë takimit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka theksuar se krahas punës së pandërprerë dhe angazhimit maksimal të strukturave të Policisë së Shtetit, për të çuar drejt zerimit kultivimin e kanabisit, do ti duhet të përqëndrohet në rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik veror, krijimin e lehtësirave në pikat e kalimit të kontrollit kufitar, si dhe në patrullimin e policisë në plazhe. Zoti Çako tha se puna do të përqëndrohet edhe në drejtim të parandalimit të prerjes së pyjeve, të zjarrvënies, të ndërtimeve pa leje, të vjedhjes së energjisë elektrike, të goditjes së personave që qarkullojnë me armë, parandalimit të vjedhjeve etj.

Futboll, ende e paqartë e ardhmja e “Vllaznisë”

Posted: 04 Jul 2017 04:20 AM PDT

Diçka nuk shkon tek Vllaznia. Nëse deri më tani është folur dhe komentuar me nënkuptime në distancë, tashmë ka ardhur koha të flitet më hapur. Këtë duhet ta sqarojnë në fakt, vetë drejtuesit e klubit kuqeblu publikisht.
Në një farë mënyre, ditë më parë ata janë shprehur me idenë që Vllaznia nuk është vonë, argument të cilin e shoqërojnë edhe me startin e kampionatit në shtator. Megjithatë, për opinionin sportiv situata në kampin kuqeblu nuk është aspak normale.
Gjithnjë nga ajo që vetë drejtuesit e klubit kanë deklaruar më parë, e hëna si ditë e parë e fillimit të javës duhej të shoqërohej me daljen e skuadrës në stërvitje, por edhe e mërkura nuk ka sjellë asgjë të re në këtë drejtim.
Sidoqoftë, burimet brenda klubit shkodran bëjnë të ditur për RTSH se ndonëse skuadra vazhdon të jetë pushim, drejtuesit vazhdojnë të jenë aktiv në organizimin për ndërtimin e Vllaznisë së re.
Më shumë se askush tjetër situatën në fjalë e vuajnë vetë futbollistët kuqeblu. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk merr përsipër të flasë publikisht, sepse kjo gjë është ndaluar nga ana e klubit, ata shprehen të indinjuar me qëndrimin që po mbahet ndaj tyre. Ata nuk dinë ende asgjë se çfarë do të bëhet me ta, as kur do të fillojë stërvitja dhe aq më shumë se si do të jetë e ardhmja e Vllaznisë si skuadër.
Gjithësesi, nga burime jo zyrtare mësohet se brenda kësaj jave pritet të ketë zhvillime të reja në kampin shkodran. Por se çfarë do të ndodhë asnjë nuk e di. Të gjitha këto pritet të marrin rrugë nga analiza e shumëdisktuar dhe e shumëpritur prej sa e sa ditëve për të cilen thuhet se do të zhvillohet brenda ditëve të kësaj jave. Dhe më pas do të vijë edhe dalja e skuadrës në diten e parë stervitore të këtij prag sezoni.