RTSH: “Selami: Basha i paaftë ta sjelli PD në pushtet” plus 9 more

RTSH: “Selami: Basha i paaftë ta sjelli PD në pushtet” plus 9 more


Selami: Basha i paaftë ta sjelli PD në pushtet

Posted: 06 Jul 2017 07:31 AM PDT

Eduard Selami, kandidati rival i Lulzim Bashës për kreun e PD, e ka nisur fushatën e tij nga Lezha. Zoti Selami e konsideroi mungesën e demorkacisë së brendshme si problemin më të madh në Partinë Demokratike, por ai tha se nga kjo garë kjo parti do të dalë më e fortë. “Kam bindjen që aty ku janë krizat janë dhe oportunitetet që ne të dalim më të fortë nga kjo gjë. Kam besim të patundur që së bashku nga kjo garë, që do të jetë një garë civile, demokratike brenda shtëpisë, ne do të dalim më të fortë. Ka ardhur koha që shumë gjëra ne si demokratë ti shikojmë në sy, të gjejmë dhe arsyet kryesore se përse ne nuk arritëm të fitonim në këto zgjedhje” tha zoti Selami.
Pretendenti për kreun e PD, dikur kryetar i saj në vitet 1992-1995, zoti Selami premtoi riorganizimin e partisë dhe afrimin e saj tek vlerat e qendrës së djathtë. “Për fat të keq PD nuk funksionon në strukturat e saj, në organizimin e saj, në përzgjedhjen e kandidatëve mbi bazën e vlerave më të mira të demokracisë dhe konkurencës” tha zoti Selami. “Meritokracia nuk është faktkeqësisht themeli i karrierës në PD. Ka shumë prej tyre që më thonë që përse merr pjesë në një garë e cila duket që është e pabarabartë. Kritikëve të mi u them që është më mirë një tokë e punuar keq, se një tokë e lënë djerrë” tha zoti Selami. Ish kreu i PD, në fillimet e saj u shpreh optimist se do të rikthehet në krye të partisë, pasi paraardhësi i tij Basha tregoi se është i paaftë për ta sjellë PD-në në pushtet.

Çyrbja: Teuta e re duhet për titull gjatë sezonit 2017-2018.

Posted: 06 Jul 2017 07:13 AM PDT

Teuta ka filluar me përgatitjet në terren nën drejtimin e Gugash Maganit për sezonin e ri futbollistik 2017-2018. Në Durrës bie në sy numri i pakët i futbollistëve që po stërviten pas largimeve të shumta në fund të sezonit të kaluar. Me përjashtim të disa emrave ekipi i këtij sezoni do të jetë tërësisht i ri, por me lojtarë cilësorë që janë të aftë të bëjnë diferencën. Drejtuesit po punojnë për të ndërtuar një skuadër konkurruese edhe pse deri tani afrimet kanë qenë me pikatore. Mesfushori i krahut, Arbër Çyrbja beson te projekti i klubit dhe për "RTSH Sport" thotë se Teuta e re do të jetë pretendente. Autori i 5 golave në edicionin e shkuar e pranon se pjesa më e madhe e grupit aktual janë në moshë të re, por theksoi se kanë eksperiencën e mjaftueshme për të bërë një sezon të mirë. Pas largimit të Rustem Hoxhës dhe Bruno Ditës, që së fundi ka mbajtur shiritin e kapitenit, kjo detyrë tashmë duket se do t’i besohet Arbër Çyrbjes si më i "vjetri" i grupit. Në lidhje me merkaton, trajneri Gugash Magani nuk preferoi të jap emra konkret, por pranoi se klubi po punon për të afruar lojtarë cilësorë nga Itali, mes tyre dy sulmues. Ai nuk e përjashtoi mundësinë për t'u afruar në skuadër edhe ndonjë emër i madh duke parë marrëdhëniet e mira të drejtuesve të klubit durrsak me homologët e Atalantës.

Seleksionimi për “Milan Junior Camp”; Trajnerët ish-futbollistë të famshëm të Milan-it

Posted: 06 Jul 2017 06:48 AM PDT

 “Milan Junior Kamp” ka nisur riorganizimin për vitin 2017. Stefano Falgera, organizatori i këtij aktiviteti ka mbërritur në Tiranë dhe ka sqaruar përpara mediave projektin e ri. “Milan Junior Kamp” do të zhvillohet nga data 23-25 gusht në Tiranë. Milan Junior Kamp që do të bëhet në Tiranës, i bashkangjitet atyre që janë zhvilluar në për vende të ndryshme të botës. Në Itali ka 1 vit që ka filluar ky projekt dhe ne shpresojmë që edhe në Tiranë të shkojë sa më mirë. Ky aktivitet do të jetë si një shkollë futbolli për fëmijët dhe të rinjtë në mënyrë që ta kalojnë sa më bukur kohën e lirë. Bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë ka qenë i ngushtë prej vitesh. Kjo u pasqyrua edhe në drejtimin e kombëtares shqiptare nga një trajner italian. Fëmijët që do të regjistrohen në Milan Junior Kamp do të drejtohen në seancat stërvitore nga ish futbollistë të njohur që kanë luajtur me Milanin. Fillimisht ata do të drejtohen nga Rossi, ish-portier i Milan-it, më pas do të vazhdojnë me Kostakurtën etj. “Milan Junior Kamp” do të nisë punën me seleksionimin e fëmijëve që dinë të luajnë futboll duke filluar nga mosha 6-16 vjeç.

Arrestohet djali i ish bosit të VEFA-s

Posted: 06 Jul 2017 06:45 AM PDT

Artan Alimuçaj, djali i ish-presidentit të firmës piramidale “VEFA”, Vehbi Alimuçaj është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit. Dy vjet më parë prokuroria kish lëshuar urdhër arresti pasi gjykata e ka dënuar në mungesë me 4 vite burgim, për fshehjen e pasurisë të përfituar nga firmat piramidale. Alimuçaj ështe vënë në pranga në një lokal në rrugën e Dibrës, pranë QSUT-së në kryeqytet. Mësohet së gjatë komunikimit të arrestimit, ai nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe i është bindur urdhrit të policisë. Në momentin e arrestimit Alimuçaj ka qënë i vetëm në lokal.
Ish-Presidenti i firmës piramidale "VEFA" Vehbi Alimuçaj dhe djali i tij Artan Alimuçaj akuzohen për fshehjen e një shume prej afro 1 milionë dollarësh në Hungari. Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Vehbi Alimuçaj, i cili ka qenë administrator i firmës piramidale "Vefa", është dënuar për veprën penale të mashtrimit të një numri shumë të madh personash, rezulton se ka pasur një llogari bankare në një bankë në Hungari në shumën 328 mijë dollarë. Po ashtu, rezulton se në të njëjtën bankë, djali i tij, shtetasi Artan Alimuçaj ka pasur një llogari bankare në shumën 647 mijë dollarë. Shumat në fjalë janë lënë të fjetura nga viti 1996, kur janë vendosur në bankë deri në 2010 kur është tentuar të përdoren duke u transferuar. Sipas hetimit të prokurorisë, rezulton se këto para janë të prejardhura nga aktiviteti i paligjshëm i mashtrimit i shtetasit Vehbi Alimuçaj deri në vitin 1997, kohë kur u rrëzua skema e tij piramidale.

Rusia vazhdon sanksionet ekonomike ndaj Shqipërisë

Posted: 06 Jul 2017 06:10 AM PDT

Federata Ruse ka vazhduar sanksionet ekonomike ndaj Shqipërisë dhe Malit të Zi deri në fund të vitit 2018. Qeveria ruse e mori vendimin sipas dekretit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili më 30 qershor nënshkroi një dokument me të cilin vazhdohen sanksionet deri më 31 dhjetor të vitit 2018. Vendimi u mor një javë pasi udheheqësit e BE-së u shprehën se do të vazhdojnë sanksionet ndaj Rusisë deri në janar të vitit 2018. "Nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2018, vazhdohet ndalesa e importit në Rusi, të disa llojeve të caktuara të produkteve bujqësore, lëndëve të para dhe ushqimeve, me origjinë nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian, Kanadaja, Australia, Norvegjia, Ukraina, Shqipëria e Mali i Zi” bëhet e ditur në vendimin e qeverisë së Rusisë. Dy vendet e Ballkanit, Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë vendosur sanksione ndaj Rusise në mbështetje të vendimit amerikan dhe evropian.

Tramp në Varshavë: “Të gjithë duhet të vlerësojmë sovranitetin dhe lirinë”

Posted: 06 Jul 2017 06:04 AM PDT

Presidenti amerikan Donald Tramp, i cili po viziton Poloninë, mbajti sot një fjalim në Sheshin Krasinski të Varshavës, përpara memorialit që kujton kryengritjen e vitit 1944 kundër nazizmit. Në fjalën e konsideruar si tepër të rëndësishme nga Shtëpia e bardhë, zoti Tramp e theksoi korrupsionin dhe burokracinë si rrezikun më të madh për shoqërië tonë. “Në të dyja anët e Atlantikut, të gjithë përballemi me një rrezik, me burokracinë e qeverisë që u heq vitalitetin njerëzve dhe bizneseve. Perëndimi nuk u bë i madh për shkak të letrave dhe rregullave, po sepse njerëzit u lejuan të ndjekin ëndrrat e tyre. Të gjithë duhet të vlerësojmë sovranitetin dhe lirinë” tha ai. Trampi foli edhe kundër terrorizmit duke thënë se vendet duhet të bashkojnë forcat kundër ideologjive ekstremiste. Presidenti tha se vizioni për të ardhmen e Amerikës dhe Evropës qëndron te aleanca ndëratlantike. Ai theksoi edhe atë që donin të dëgjonin qytetarët polakë, përkushtimin amerikan për sovranitetin dhe të ardhmen e Polonisë, duke thënë: Amerika do ta zgjerojë partneritetin me Poloninë.
Më herët, presidenti Tramp, gjatë takimit me presidentin polak Andrzej Duda, tha se po konsideron një përgjigje "shumë të rëndë" për Korenë e Veriut. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve t'i kundërvihen sjelljes shumë të keqe të Pjongjangut. Trampi nuk e qartësoi se cila do të ishte përgjigjja e SHBA-së, por tha se Koreja e Veriut është kërcënim dhe se do t'i kundërvihet fuqishëm. Po ashtu, zoti Tramp deklaroi se SHBA-ja po punon me Poloninë për t'iu përgjigur veprimeve të Rusisë dhe sjelljes së saj destabilizuese. "Aleanca jonë e fuqishme me NATO-n dhe Poloninë mbetet kyçe për të penguar konfliktet dhe për të sigurar se lufta midis fuqive të mëdha nuk do ta shkatërrojë më kurrë Evropën", tha ai.

Sheshi “Skënderbej” mbushet me turistë

Posted: 06 Jul 2017 05:49 AM PDT

Turistët në Tiranë nuk mungojnë asnjë ditë. i sheh individualë, në grupe të vogla, por sidomos në grupe të mëdha, gjatë gjithë ditës, duke zbritur nga autobusët varg, e më pas duke shëtitur sidomos në bulevardin Dëshmorët e Kombit, pranë objekteve të komunizmit, në ish-Bllok, në xhaminë e Ethem Beut apo Sahati në qendër, por këtë verë nuk mungojnë sidomos në sheshin e ri Skënderbej, i cili është kthyer shumë shpejt në një atraksion të ri e vlerë të shtuar turistike për qytetin. Në qendrën e informacionit turistik të Tiranës, edhe pse nuk masin gjithë fluksin në qytet, përllogarisin gjithë ata që trokasin aty për të marrë informacion. Por pavarësisht promovimit që i bëhet Shqipërisë në botë e rritjes së numrit të turistëve prej kësaj, ka jo pak që dinë pak ose aspak për Shqipërinë.

Zhbllokohet fondi për të blerë energji

Posted: 06 Jul 2017 05:19 AM PDT

Koorporata Eelektroenergjitike mund të përdore në çdo kohë fondin prej 22.4 milionë euro të dhënë nga Banka Botërore për të blerë energji në kohë krizash dhe thatesire. Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin që autorizon gjenerimin të blejë energji për llogari të OSHEE, në kushtet e një viti të pafavorshëm hidrik. Situata e prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri është në nivelet më të ulta të dhjetë viteve të fundit dhe KESH e krahason me periudhën e krizës së vitit 2007. Në këto kushte nevojat e vendit plotësohen me import. Por ministrat teknikë të qeverisë e bllokuan vendimin që autorizonte KESH-in të blinte energji me argumentin se mungonin relacionet shoqërues. Bllokimi që rrezikonte të përballte vendin me krizë energjitike mori udhe sot me miratimin e vendimit që autorizon Koorporatën elektroenergjitike të nis importin.

Basha nis fushatën për kreun e PD

Posted: 06 Jul 2017 04:41 AM PDT

Turin e takimeve për garën e kreut të ri të PD, kandidati Lulzim Basha, i cili prej katë vjetësh ka udhëhequr demokratët, e nisi nga Kavaja e konsideruar si bastion i tyre. Fitorja e demokratëve në këtë bashki, sipas zoti Basha është dëshmia se bashkimi përtej interesave personale të momentit, sfidoi bandat dhe milionat e drogës e korrupsionit me të cilat u blenë votat.
“Aty ku demokratët u bashkuan siç u bashkuan të gjithë nën drejtimin e Isa sakes, të gjithë pa asnjë mungesë, pa asnjë përjashtim, pa asnjë zemërthyerje, kudo ku kjo ndodhi, bandat dhe milionat e drogës dhe të korrupsionit nuk bënë fajde. Arritën ta ndikonin, por jo ta përmbysnin rezultatin” tha zoti Basha. “Dhe thirrja ime sot, jo si kandidat, por si demokrat” Bashkohuni demokratë kudo ku jeni, lini mënjanë qefmbetjet. Nuk është ora për të parë se çfarë kemi marrë nga Partia Demokratike, por njësoj si në vitin 1991 është ora për të parë çfarë mund të japim për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë dhe demokracinë", deklaroi Lulzim Basha.
Duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve ai pohoi se është koha për të marrë përgjegjësi, duke nisur nga ai vetë.
“Eshtë ora për të marrë të gjithë përgjegjësitë e mia për të gjithë vendimmarrjen, për të gjykuar bashkë me ju, a bëmë gjithçka që mundëm? A qendruam apo jo fuqishëm në kauzat që besonim, në kauzat e drejta të shqiptarëve; me dekriminalizimin, me luftën kundër drogës, me luftën për një drejtësi të pakapur e të panënshtruar politikisht dhe me luftën për zgjedhje të lira e të ndershme? Dhe nëse po, le të mos e konsiderojmë këtë fundin e një betejë, por njësoj si në vitin 1991, stacionin drejt betejës tjetër, betejës përfundimtare për të rrëzuar një herë e mirë këtë regjim. E për t'i rikthyer shqiptarëve shpresën në vend të frikës” tha kandidati për kreun e PD Lulzim Basha.
Ai përsëriti edhe një herë akuzat se mazhoranca doli nga blerja e votës dhe përfshirja e shtetit dhe e bandave në zgjedhje. “E vetmja forcë që qëndroi, e vetmja forcë që tregoi moral, e vetmja forcë që tregoi vendosmëri, e vetmja forcë që nuk bleu asnjë votë, që nuk ofroi para dhe favore për votën, që nuk përdori krimin dhe bandat, e vetmja forcë që u ofroi shqiptarëve perspektivën e daljes nga kriza, e vetmja forcë me një plan për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike, e vetmja forcë me program, e vetmja forcë që ka moralin të vazhdojë dhe ta fitojë këtë betejë është Partia Demokratike e Shqipërisë” tha zoti Basha.

Elbasan; Zgjerohet harta e vaditjes

Posted: 06 Jul 2017 04:32 AM PDT

Temperaturat e larta të ditëve të fundit të Qershorit dhe të ditëve të para të Korrikut kanë diktuar si domosdoshmëri ujitjen e bimëve mjekësore në bashkinë Elbasan. Specialistët thonë se infrastruktura e rrjetit të ujitjes në Bashkinë e Elbasanit këtë vit do të zgjerojë hartën e vaditjes në ara. Gjatë sezonit të ujites jane parashikuar të vaditen rreth 7 mijë Hektarë tokë bujqësore dhe pemëtore. Fermerët janë të kënaqur pasi uji për vaditje u serviret me çmim të pranueshëm. Ushqyesit kryesorë që e mundësojnë këtë proces të rëndësishëm janë rezervuarët e Treganit, Funarit dhe Shushicës. Ndërkaq kanali ujitës Naun Panxhi i cili ujit tokat e dy bashkive Elbasan dhe Cerrik, sjell 2 mijë litra ujë në sek..