RTSH: “Sarajevë: Forumi i 6-të i Ballkanit Perëndimor për Shoqërinë Civile” plus 9 more

RTSH: “Sarajevë: Forumi i 6-të i Ballkanit Perëndimor për Shoqërinë Civile” plus 9 more


Sarajevë: Forumi i 6-të i Ballkanit Perëndimor për Shoqërinë Civile

Posted: 10 Jul 2017 09:38 AM PDT

Forumi i 6-të i Shoqërisë Civile i Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Komiteti Europian Ekonomik dhe Social (KESE) në bashkëpunim me Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit (KBR), u hap sot në Sarajevë.
“Ekonomitë e fuqishme dhe të suksesshme kërkojnë shoqëri civile të forta dhe të gjalla. Shoqëria civile duhet të ketë zërin e tyre për reformimin dhe zhvillimin e shoqërive tona “, tha në hapjen e Forumit Sekretari i Përgjithshëm i KBR, Goran Svilanoviç.
“Shumë fakte tregojnë se roli i shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor akoma është nënvlerësuar. Megjithatë, të gjithë përfitojnë nga një shoqëri civile e fuqizuar, proaktive dhe të pavarur. Në këtë kontekst, unë jam i lumtur të dëshmoj se Forumi i Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor u bë një platformë relevante pune, duke lehtësuar dialogun ndër-rajonal civil dhe social, duke kontribuar kështu në procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor ” tha ai.
zoti Svilanoviç tha se “në mbështetje të përpjekjeve të pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, KBR do të vazhdojë të nxisë një dialog të hapur, transparent dhe të rregullt me ​​shoqërinë civile, duke nxitur kështu pjesëmarrjen e qytetarëve në krijimin e politikave publike”.
Georges Dassis, presidenti i KESE thoshte se integrimi në BE nuk nënkupton të bëhet pjesë e organizimit ekonomik, por të marrë pjesë në një trup të bazuar në solidaritet, duke garantuar të gjitha llojet e lirive – liria e shprehjes, lëvizjes, fjalës etj.
“Sa më i fortë të jenë shoqëritë civile, brenda dhe jashtë Evropës, aq më të forta janë institucionet demokratike. E njëjta vlen edhe për Ballkanin Perëndimor”, theksoi Olaf Deussen,
Temat kryesore në agjendën e edicionit të 6-të të Forumit të Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor janë roli i organizatave të shoqërisë civile në promovimin e rritjes së qëndrueshme dhe punësimit, migrimit në Ballkanin Perëndimor, lirisë së shprehjes dhe mediave, si dhe të drejtat dhe fuqizimin e grave .
Pjesëmarrësit pritet të pajtohen dhe të miratojnë një deklaratë përfundimtare me rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile që trajtojnë temat e diskutuara në Forum.
Në Forum marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës të përfaqësuesve të shoqërisë civile nga BE dhe Ballkani Perëndimor, si dhe përfaqësues të institucioneve të BE, organizatave ndërkombëtare dhe qeverive të rajonit.
Mundësia për shoqërinë civile për të kontribuar në procesin e Berlinit u hap në Forumin e Shoqërisë Civile në Vjenë (2015), ku KBR u angazhua në organizimin e forumit – një nismë e cila vazhdoi të zhvillohej dhe u bë pjesë integrale e Procesi i Berlinit. Sot organizatat e shoqërisë civile nga rajoni janë të përfaqësuara në proces, duke pasur mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt dhe të bashkëpunojnë me qeveritë përkatëse në përgatitjen e rekomandimeve.

Elbasan: Hetohet mjekja pas vdekjes së një 18-vjeçareje

Posted: 10 Jul 2017 07:14 AM PDT

Një mjeke e spitalit të Elbasanit po hetohet në gjendje të lirë pas vdekjes së një 18-vjeçareje. Kirurgia do të hetohet për mjekim të pakujdesshëm. Kjo pasi një 18 vjeçare kreu një ndërhyrje kirurgjikale, dhe ndërroi jetë pak pas operacionit. Kanë qënë familjarët e saj që kanë bërë kallëzimin pasi dyshojnë se shkak i vdekjes së saj ka qënë mjekimi i pakujdesshëm. Grupi hetimor po kryen veprime të mëtejshme në bashkëpunim me ekspertët mjeko-ligjorë për përcaktimin e shkakut të vdekjes të së resë.

Haradinaj fton në konsultime partitë politike për krijimin e qeverisë

Posted: 10 Jul 2017 06:26 AM PDT

Pas mbledhjes së kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i saj dhe njëkohësisht kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj tha se i ka dërguar një letër kryetarit të Vetëvendosjes Visar Ymeri, kryetarit të LDK-së Isa Mustafa dhe krerëve të Listës Serbe. Në një prononcim për mediat, Haradinaj theksoi se qëllimi i letrës është njoftimi se deri të hënën e ardhshme të mbahet seanca konstituive e Kuvendit e pas kësaj seance të vazhdojë puna për krijimin e qeverisë. "Për nesër kam propozuar takim me Visar Ymerin dhe Isa Mustafën. Kam propozuar që takimi të mbahet në zyrat e Kuvendit. Nuk do të ndalemi të flasim me çdo deputet të zgjedhur të Kuvendit. U siguroj që qeverinë do ta kemi në afat rekord. Si i nominuar, përparësi i jap një koalicioni sa më të gjerë", nënvizoi Haradinaj. Sa i përket takimit me ambasadorin amerikan Greg Delawie që u mbajt para mbledhjes së Kryesisë Haradinaj u shpreh se kemi patur konsulta të rregullta për të biseduar për temat që janë në interes të vendit. Ndërkaq ka qënë i menjëhershëm reagimi i Kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, i cili tha se nuk do t'i përgjigjen ftesës së Haradinajt për takim pasi siç kanë theksuar më parë, nuk do të hyjnë në asnjë koalicion me PDK-në.

Nino Çeleste, kineasti i sekreteve të kinemasë

Posted: 10 Jul 2017 06:12 AM PDT

Nino Çeleste ka qënë syri i kameras në më tepër se 220 filma në historinë e kinemasë italiane dhe asaj botërore. Ka përjetuar epokën e artë me filma të realizuar përkrah Pasolinit, Alain Delonit, Sofia Loren, Maria Callas, Jean Luc Godard, Ben Kingsley e shumë emra të tjerë të njohur por ende sot në moshën 77 vjeçare nuk heq dorë nga pasioni i tij. Prej disa vitesh kinemaja e ka sjellë në Shqipëri ku ka punuar për disa filma me regjisorë si Saimir Kumbaro, Besnik Bisha e Namik Ajazi e tani një film i shkurtër i regjisores së re Arsa Gashi e ka sjellë këto ditë në Tiranë. "Para se gjithash Shqipërinë e shoh si një tokë të mrekullueshme për të xhiruar, ka qoshe shumë të bukura që në Itali nuk i gjej. Pastaj njerëzit që kam takuar dhe kam bashkëpunuar janë shumë profesionistë. Kur kam ardhur këtu për herë të parë thoja o Zot ku po shkoj sepse kisha dëgjuar për Shqipërinë të flitej vetëm keq. Filmi i parë që kam bërë këtu ka qënë në 2017 Maco Ce dun nga Besnik Bisha dhe më tej kam punuar me të tjerë regjisorë. Dhe kur më thirri Arsa Gashi për filmin e saj lashë punën që kisha në Itali për të ardhur këtu sepse nuk e di e kam Shqipërinë në zemër" tha Drejtori Fotografisë Nino Çeleste. Çeleste ka punuar në tre filma me regjisorin e madh italian Pier Paolo Pasolinin dhe kujton aftësinë e tij për kërkimin e përsosmërisë, poetik dhe fjalëpak por me një vetëdije të shkëlqyer për rezultatin final. "Largimi i Pazolinit më ka trishtuar shumë sepse u eleminua një person me një kulturë dhe një thellësi të jashtëzakonshme. Unë ende ruaj në shtëpi skenarin e filmit që nuk arrita ta bëja me të. Për ne ishte si një baba, ishte plot ide edhe nëse nuk e dinte ç’ishte objektivi, e dinte saktësisht se çfarë donte. E njëjta gjë më ka ndodhur në këtë film me Arsa Gashin e cila edhe pse nuk e dinte ç’ështe 35 apo 25 milimetërshi e dinte fare mirë se çfarë donte dhe për mua ky është profesionalizëm". Teksa ndalemi në kujtimet e serialit televiziv Oktapodi ai e di mirë se Komisar Katani adhurohej në Shqipëri por jo vetëm këtu….në Hungari restorantet mbylleshin "për mafian" në orën që jepej seriali. "Ishte një sulm ndaj pushtetit, dhe jo vetëm mafias. Më kujtohet se gjatë kohës kur kishte dalë Oktapodi 4 gjendesha në Budapest për xhirimet e një filmi tjetër dhe pas xhirimeve kur shkoja për të ngrënë të gjitha restorantet ishin mbyllur me një tabelë ku shkruhej "mbyllur për mafian" dhe me miqtë e mi bëja shaka "djema, mafia paska mbërritur edhe këtu nuk është vetëm në Itali". Derisa pyeta një polic i cili më shpjegoi se në atë orë restorantet mbylleshin sepse duhet të shohin mafian që do të thoshte shikimi i filmit Oktapodi". Ndonëse shumë prej kujtimeve i mban sekret, ai kujton me ne të madhin Ben Kingsley për pasionin e tij në filmin "Il treno di Lenin" me regji nga Damiano Damiani ne të cilin Kingsley …. "veshi një këpucë me numër më të vogël, ai mbante numrin 42 dhe veshi numrin 40 dhe fjeti me të për tre netë me radhë sepse duhej të prezantohej në set si Lenini i cili çalonte. Është dicka që më ka lënë mbresa të thella se deri ku arrin një artist të sakrifikoje për artin. Në itali asnjë aktor nuk do ta bënte një gjë të tillë kurrë" theksoi më tej Çeleste. Një jetë dedikuar kinemasë në filma autor apo seriale televizive, Nino Çeleste ka shumë për të rrëfyer mbi yjet e kinemasë edhe pse shpesh heziton duke i mbajtur sekretet për vete, edhe pse kushdo që e njeh mirë e nxit të shkruaje një libër mbi sekretet e pathëna pas ciakut.

Përsëri konflikt në shkëmbimet tregtare me Kosovën

Posted: 10 Jul 2017 05:49 AM PDT

Ky është urdhri që ka firmosur drejtore e Përgjithshme e Doganave Shqiptare, Belinda Ikonomi dhe që iu drejtohet të gjitha degëve doganore të Shqipërisë. Urdhri ka dalë pas shkresës me nr protokolli 6283/1, të datës 5 maj 2017, firmosur nga ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Shkresa e mësipërme e detyron kreun e doganave të përditësojë të dhënat për vetëm tre kode doganore që përfshihen në nomenklaturën e mallrave të Shqipërisë, respektivisht patate nga çdo origjinë që të vijnë, patate Kosove dhe qepë të thata, nga çdo origjinë që të vijnë. RTSH kërkoi sot një prononcim lidhur me shkresat e mësipërme. Kërkesa iu drejtuar këshilltarit të ministres Vukaj si dhe zyrës së drejtorës së përgjithshme të doganave. Zyrat e mësipërme nuk i janë përgjigjur ende radiotelevizionit shqiptar. Ndërkohë në Kosovë, dy ministra të qeverisë në ikje kanë reaguar ashpër, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë shqiptare për të anuluar masën e mësipërme. Avdyllah Hoti dhe Kimete Bajrami janë shprehur edhe në rrjetet sociale, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë shqiptare. "Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë marrëveshje të nënshkruara dhe duhet të zbatohen pasi në të kundërtën humbet arsyeja e këtyre dokumenteve që kanë firmat e Kryeministrave të dy vendeve", thotë ministria e ekonomisë e Kosovës, ndërsa ministri Hoti thotë se “Vendosja nga ana e Qeverisë së Shqipërisë e çmimit referent prej 0.19 euro për patatet nga Kosova që eksportohen në Shqipëri po i dëmton rëndë prodhuesit kosovarë. Kjo politike e qeverisë shqiptare nuk i ndihmon unifikimit të tregut mbarëshqiptar". Konfliktet mes të dy vendeve në fushën tregtare janë të hershme dhe, megjithë mbledhjet e përbashkëta të qeverisë, por edhe grupeve permanente që janë ende në efiçensë, nuk ka pasur dakortësi në shumë raste. Rasti i patateve, qumështit, mishit etj kanë përbërë një arsye për acarime të befta, të cilat më pas, ose janë zgjidhur me ndërhyrjen e autoriteteve të larta të të dy qeverive, ose janë zgjidhur nga vetë sipërmarrjet respektive.

Katari-340 miliardë dollarë rezerva për përballimin e bojkotit nga fqinjët

Posted: 10 Jul 2017 05:12 AM PDT

Banka Qendrore e Katarit tha se ka 340 miliardë dollarë rezerva që mund ta ndihmojnë vendin të përballoje efektet nga bojkotimi që i bëjnë fqinjët arabe. Guvernatori i Bankës, Sheik Abdullah al-Thani, tha se kjo tregon "besueshmërinë" në sistemin bankar. "Kemi para të mjaftueshme për t'u mbrojtur nga çdo tronditje", tha ai. Arabia Saudite, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti kanë ndërprerë lidhjet diplomatike dhe të udhëtimit me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit dhe lidhje me rivalin rajonal – Iranin. Al-Thani mohoi se financat e Katarit kanë lidhje me aktivitetet terroriste. "Ne kemi ligje kundër terrorizmit. Ne punojmë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe institucione të tjera për të krijuar ligjet tona, auditimet dhe rishikimet", tha Al-Thani.

Apostolova: Pas çertifikimit të zgjedhjeve, formoni një qeveri të qëndrueshme

Posted: 10 Jul 2017 04:30 AM PDT

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, tha se pavarësisht se kush e formon qeverinë e re në Kosovë, BE pret një përshpejtim dhe zbatim të agjendës për reforma të BE-së. Sipas saj Kosova ka një përspektivë të qartë evropiane dhe njerëzit e Kosovës presin një udhëheqje të përgjegjshme që do të bëje përparime të rëndësishme përgjatë rrugës evropiane. Këtë deklaratë, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë e bëri pasi KQZ çertifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve duke u hapur rrugën kështu themelimit të institucioneve të reja. Natalia Apostolova u rikujton udhëheqësve politike kosovare përkushtimin e përfaqësueses së Lartë të BE-së Federika Mogherini, për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe domosdoshmërinë e zbatimit pa vonesa të marrëveshjeve të arritura në këtë dialog. “BE do të vazhdoje të ndihmoje qytetarët e Kosovës. Përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe instrumenteve të lidhura me të, BE ka siguruar një kornizë politike, ekonomike dhe legjislative për reformat. Komisioni Qëndror i zgjedhjeve çertifikoi të shtunën rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit dhe në këtë mënyrë tani i është hapur rruga proçesit të formimit të institucioneve të reja. Tani ka afat 30 ditë kur duhet konstituuar parlamenti i ri për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së Kosovës. Në bazë të rezultateve tashmë të çertifikuara, koalicioni PAN në përbërjen e të cilit janë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, ka fituar 39 vende në parlament. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 32 vende, ndërsa, koalicioni LAA, ku bëjnë pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Kosovën e re dhe Alternativa, ka fituar 29 vende. Megjithatë, asnjë nga subjektet politike nuk mund ta formoje e vetme qeverinë dhe për këtë nevojiten koalicione paszgjedhore. Në këtë fazë akoma nuk ka ndonjë konkretizim të koalicioneve, ndonëse partitë politike tashmë kanë filluar të paraqesin ofertat e tyre.

Vlahutin: Forcimi i administratës civile, prioritet për integrimin e Shqipërisë

Posted: 10 Jul 2017 04:16 AM PDT

Ambasadorja e Delegacionit të BE në Tiranë Romana Vlahutin ka vlerësuar se forcimi i administratës civile në Shqipëri, është një nga 5 prioritetet për t’u përmbushur drejt integrimit të vendit në Europë. Duke folur në një aktivitet të Shkollës së Administratës Publike të hënën në Tiranë , zonja Vllahutin tha se “Është një nga reformat më të rëndësishme. Një gur themeli për zhvillimin e qendrueshëm të shtetit”. “Pavarësisht se është e vështirë të ndryshohet mentaliteti e luftohet nepotizmi e korrupsioni, të funksionuarit në bazë transparence, besueshmërie e eficience, duke patur në fokus shërbimin ndaj qytetarit, është drejtimi i duhur për të ndërtuar një administrate të vërtetë publike” këmbënguli zonja Vllahutin.
Ngritja e një administrate publike efikase, jashtë politikës dhe në shërbim të qytetarëve ka qenë një ndër temat më të debatueshme të fushatës së fundit zgjedhore. "Ashtu siç e bëmë ne Policinë e Shtetit, ashtu do të bëjmë me administratën publike; duke ua prerë rrugën influencave të partive politike dhe duke ua dhënë në dorë profesionistëve, djemve dhe vajzave profesioniste që të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën" ka deklaruar në takimet zgjedhore zoti Rama.

Diamond League, Londër: Atletet testojnë veten para Kampionatit Botëror

Posted: 10 Jul 2017 04:04 AM PDT

5 vjet nga zhvillimi i Lojërave Olimpike dhe vetëm 3 javë larg nga Kampionati Botëror, në Londër, stadiumi i ri i ndërtuar për olimpiadën "Londër 2012", ka pritur garat e Dajmënd Ligës, takimi i fundit i këtij aktiviteti, për të gjithë atletët të cilët presin me ankth tashmë botërorin. Nuk pati rezultate të jashtëzakonshme, por disa atletë kanë ndezur 30 mijë spektatorët në Stenford. Me ankth është pritur gara Kendra Herrison në 100 metra me pengesa për femra. E cila një vit më parë po në këtë pistë, arriti kohën 12"20. Gjatë garës, atletja amerikane ka rivalizuar me australianen person. Por në fund finishi ka qenë për Herrison që ka dhënë kohën 12"39. Për të kjo është gara e 20-të radhazi që fiton. Edhe gara e 100 metrave për femra ka dhuruar emocione. Sidomos dueli midis kampiones olimpike Tompson dhe Dafne Shipers. Atletja holandeze udhëheq deri në 80 metra garë, por një sprint i fuqishëm i Tompson bën që ajo të presë e para finishin me kohën 10"94. Në 400 metra për femra, vendin e parë e ze Feliks me kohën 49"66 koha më e mirë sezonale për të. Një rezultat të mirë arriti edhe Spotajova në hedhjen e shtizës me 68.26 metra. Ndërkohë që organizatorët e garës e kishin lënë për në fund garën e 3000 metrave. Ku mori pjesë Mo Farah. Dy herë kampioni olimpik nuk i zhgënjeu pritshmëritë kur mbërrin i pari në finish me kohën 7’35"15 i shoqëruar nga duartrokitjet e publikut londinez.

Rama: Shqipëria ka çdo mundësi për t’u bërë fronti i ri i naftës!

Posted: 10 Jul 2017 03:39 AM PDT

Kryeministri shqiptar Edi Rama u ka bërë thirrje kompanive botërore të naftës dhe të gazit të investojnë në Shqipëri, sipas tij një nga frontet e reja botërore të kësaj industrie. Duke folur në Kongresin Botëror të Naftës që po mbahet në Turqi, zoti Rama në prezantimin e tij rreth 8 minuta që në fillim shtroi pyetjen: “A mundet Shqipëria të jetë fronti i ardhshëm i naftës?”. Kryeministri shqiptar bëri të ditur se në Shqipëri nafta është konsideruar sektor strategjik. Ai tha se vendi ka rezerva që vlerësohen në 220 milion fuçi, ndërsa çdo vit nxirren 6.5 milionë fuçi. Zoti Rama foli për projektet e privatizimit, praninë e gjigandit Shell si dhe ndërtimin e gazjellësit TAP, duke e quajtur të ardhmen e kësaj industrie të shkëlqyer. "Për të gjitha këto arsye, ky është momenti më i mirë për të investuar në Shqipëri. Shqipëria ka çdo mundësi për t’u bërë fronti i ri i naftës, por për t’ia dalë me sukses duhet të punojmë së bashku. Për këtë arsye i jam mirënjohës presidentit Erdogan dhe qeverisë turke" tha kryeministri Rama në Kongresin Botëror të Naftës që po mbahet në Turqi.