RTSH: “Rama për “France 24”: Prodhimi i kanabisit ka pësuar ulje dramatike!” plus 7 more

RTSH: “Rama për “France 24”: Prodhimi i kanabisit ka pësuar ulje dramatike!” plus 7 more


Rama për “France 24”: Prodhimi i kanabisit ka pësuar ulje dramatike!

Posted: 02 Jul 2017 10:47 AM PDT

Kryeministri socialist Edi Rama ka deklaruar se mbjellja e kanabisit në Shqipëri këtë vit ka pësuar një ulje dramatike. Në një intervistë për televizionin francez “Francë 24″ ai tha se "Kemi pasur një kthesë këtë vit për situatën e kanabisit, kemi pasur një ulje dramatike. Unë kam besim që në fund të vitit ka për të qenë histori”. Deklarata e zotit Rama vjen ndërsa policia shqiptare sebashku me Guardia di Finanza ka ndërmarrë një operacion të gjerë në gjithë territorin e vendit.
Kryeministri shqiptar i cili udhëhoqi partinë e tij drejt një fitoreje historike në zgjedhjet e 25 qershorit, foli edhe hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE. “Ne nuk kemi tjetër alternativ përveç BE-së. Presim që bisedimet të fillojnë këtë vit, por nuk do të çuditesha edhe nëse nuk do të ndodhte dhe jo për fajin tonë, por për situatën aktuale në BE” tha zoti Rama. “Në Ballkan jemi optimist. BE për ne është projekti më i besueshëm për paqen” tha kryeministri shqiptar. Zoti Rama shtoi më tej se “Për sa kohë që BE do të jetë objekti ynë, nuk është befasi që ne të rikujtojmë të shkuarën, por ne tani po jetojmë kohën më të mirë dhe kjo për shkak të BE-së. Nëse BE do të largohet, ëndrra që kemi, atëherë do të shohim të tjera alternativa” tha kryeministri Edi Rama për "France 24".

Temperaturat e larta në Bullgari

Posted: 02 Jul 2017 08:24 AM PDT

Bullgaria përjetoi këtë javë temperatura ekstreme me rekorde që nuk ishin parë prej 115 vjetësh. Në mbarë vendin, termometri shënoi mbi 40 gradë ndërsa të nxehtit u mori jetën edhe 5 personave. Autoritetet shpallën kodin e kuq dhe kërkuan ndryshim të orarit të punës për profesionet që janë të detyruara të punojnë në terren. Shërbimet e urgjencës mjekësore lajmërojnë se qindra njerëz kërkuan ndihmë nëpër spitale për shkak të vapës. Dëmin e të nxehtit e ndjejnë edhe pikat turistike apo restorantet të cilat janë zbrazur. Lehtësimi i vetëm për banorët është dita e Hënë kur në Bullgari priten reshje shiu dhe temperaturat do të bien në 20 gradë.

Francë; Kandidati i partisë socialiste Hamon

Posted: 02 Jul 2017 08:21 AM PDT

Kandidati i partisë socialiste franceze në garën presidenciale, Benua Hamon, lajmëroi largimin nga kjo parti për të themeluar një lëvizje të re politike. Zoti Hamon e tha lajmin para një turme mbështetësish në Paris duke thënë se synimi i tij është ringritja e së majtës. Po iki nga partia socialiste por nuk heq dorë nga idealet socialiste, tha zoti Hamon, i cili largohet nga partia pas një kontributi 30 vjeçar aty. Largimi i Hamonit nga socialistët vjen pasi ai arriti një rezultat të dobët rekord në zgjedhje, duke u eliminuar qysh në raundin e parë në Maj pasi mori vetëm 6,2 % të votave. Lajmi i Hamondit për braktisjen e partise vjen vetëm pak ditë pasi edhe ish kryeministri socialist Manuel Vals deklaroi se largohet nga partia socialiste për t’u bërë aleat i presidentit të ri Emanuel Makron.

Venezuelë; Protestat masive kundër qeverisë

Posted: 02 Jul 2017 07:57 AM PDT

Protestat masive kundër qeverisë së presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro nuk po ndalen, kurse në trazirat e fundit kanë humbur jetën edhe 4 demonstrues të tjerë. Bilanci i të vrarëve në protestat të cilat po zgjasin që nga Prilli u rrit në 80 njerëz. Prokurorja shtetërore e Venezuelës Luisa Ortega Diaz ka deklaruar se viktimat e fundit u regjistruan në qytetin Barkuisimeto, ku pati edhe shumë të plagosur. Demonstruesit janë vrarë në një sulm të armatosur nga militantët pro-qeveritarë. Protestat kundër qeverisë në Venezuelë kanë filluar nga mesi i Prillit të këtij viti me synim rrëzimin e presidentit Maduro. Demonstruesit opozitarë janë përleshur në Karakas dhe qytete të tjera të vendit jo vetëm me forcat e rendit dhe ushtrinë, por edhe me kundërprotestues, të cilët mbështesin presidentin. Gjendja ekonomike ndërkohë ka rënë në pikiatë dhe në vend mungojnë ushqimet e ilaçet.

Izrael; Lirohet nga burgu Ehud Olmert

Posted: 02 Jul 2017 07:45 AM PDT

Ish-kryeminsitri i Izraelit, Ehud Olmert, u lirua nga burgu me kusht, pasi ka kryer 16 muaj të dënimit pasi u gjet fajtor për korrupsion. Lirimi me kusht erdhi për sjellje të mirë në këto 16 muaj, nga 27 muaj sa ishte dënuar gjithsej. 71 vjeçari Ehud Olmert, i cili shërbeu si kryeministër në vitet 2006–2009, ishte një nga 8 zyrtarët dhe biznesmenët e dënuar në Mars 2014 në një rast korrupsioni me pasuri të patundshme. Në shtator 2016 u dënua me 8 muaj burg shtesë, lidhur me akuza se e kishte marrë rryshfet nga një biznesmen amerikan, në këmbim te përfitimeve politike gjatë mandatit si kryetar i bashkise së Jerusalemit në periudhën 1993–2003.

Tokio; Votimet për Asamblenë e Zonës Metropolitane

Posted: 02 Jul 2017 07:35 AM PDT

Banorët e kryeqytetit japonez Tokio votuan sot për të zgjedhur asamblenë e zonës metropolitane të Tokios, siç quhet zyrtarisht kjo profekturë. Dy parti tradicionale, të cilat janë në koalicion në qeverisjen qëndrore, do të përballen me një parti të re të themeluar nga guvernatorja e Tokios Juriko Koike. Në fushatë u debatua për çështje praktike si zhvendosja e tregut të famshëm ushqimor apo përgatitjet për olimpiadën e vitit 2020. Rezultati i votimit në Tokio shihet si test për votimet e përgjithshme, Kjo sepse prefektuara është jo vetëm qëndra më e populluar e Japonisë por edhe zona metropolitane më e populluar e botës me rreth 38 milion banorë.

Siri; Makina bombë në Damask

Posted: 02 Jul 2017 04:57 AM PDT

Kryeqyteti i Sirisë, Damask, u trondit sot nga atentate terroriste me makina bombë. Në një nga këto atentate në sheshin Tahrir, sulmuesi e shpërtheu lëndën plasëse pasi u rrethua nga forcat e sigurisë. Shpërthimi la 8 të vdekur e mbi 10 të plagosur. Forcat e sigurisë gjetën dy makina të tjera bombë në rrugën drejt aeroportit dhe kryen shpërthim të kontrolluar të tyre. Kryeqyteti i Sirisë deri tani nuk ka pasur atentate të shpeshta me bomba, si pjesa tjetë e vendit, gjatë këtyre 6 viteve të luftës civile. Sulmi më i rëndë në Damask është kryer në mes të Marsit kur, në një restorant, u vranë 32 njerëz. Këtë sulm e mori përsipër shteti islamik.

Operacioni antikanabis, Çako : “Do të vijojë deri në rikontrollin e plotë të territorit të vendit”

Posted: 02 Jul 2017 04:34 AM PDT

Kreu i policisë shqiptare Haki Çako ka deklaruar vendosmërinë për të çuar drejt zhdukjes fenomenin e kultivimit të kanabisit. “Operacioni masiv do të vijojë deri në rikontrollin e plotë të territorit të vendit” tha zoti Çako ndërsa po udhëheq një operacion masiv në shkallë vendi kundër kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike. “Ashtu sikurse mbyllëm me sukses procesin zgjedhor, do të duhet të mbyllim edhe prioritetin e luftës kundër kanabisit” deklaroi ai vendosmërinë e policisë. Gjatë këtij operacioni sipas drejtorit të përgjithshëm efektivët e policisë kanë ushtruar rikontroll në sera, magazina, ish depo e tunele, banesa të braktisura, tokë private e tokë shtetërore, në sipërfaqe pyjore dhe kullota. Kontroll edhe në të gjithë vijën bregdetare, në basene e ujëmbledhës. “Është një punë që kërkon shumë sakrifica, ashtu sikurse ju keni që në orët e para të mëngjesit që keni dalë, por të jeni të bindur që do të jeni shumë më krenarë edhe ju, por edhe të gjithë miqtë, familjarët dhe shokët tuaj, për misionin tonë” inkuaroi zoti Çako policinë.