RTSH: “Rama: Në fokus puna e administratës shtetërore” plus 9 more |
- Rama: Në fokus puna e administratës shtetërore
- Patozi: Gati në garën për kryetar, por dua garanci!
- FAO: Ushqyerja e fëmijëve të shkollave me produkte bio falas, në 2018-ën
- Zhvillimet e fundit në PD për zgjedhjen e kryetarit
- Finalja e Kupës së Konfederatave, dueli i më të mirave
- Autoritetet tatimore nisin kontrollet në njësitë e akomodimit turistik bregdetar dhe malor
- Dukagjin, operacion antikanabis i RENEA-s dhe FNSH-së
- Të hënën në Bruksel do jetë takimi i radhës Kosovë-Serbi
- Estonia merr sot presidencën e radhës të Bashkimit Evropian
- Trump: Vitet e “durimit strategjik” me Korenë e Veriut kanë dështuar dhe tani është koha për një “përgjigje të vendosur”
| Rama: Në fokus puna e administratës shtetërore Posted: 01 Jul 2017 01:00 PM PDT Pas fitores historike në zgjedhjet e 25 qershorit, kryeministri socialist Edi Rama po hedh hapa drejt programit të qeverisë së tij të re. Të shtunën ai ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale se të hënën do të takohet me deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë, për të nisur gjatë korrikut turin e dëgjesave në bazë të çdo qarku. Në fokus do të jetë puna e administratës shtetërore. “Të gjitha të dhënat e mbledhura për institucionet dhe zyrat e shtetit, do të analizohen imtësisht qark për qark. Mbi bazën e tyre do të përgatitet një raport ku do pasqyrohet cilësia e punës, niveli i shërbimit dhe reputacionit publik të çdo dege të administratës shtetërore e të çdo drejtuesi përkatës. Ky raport do të jetë në tryezën e Qeverisë së Re që në ditën e parë të punës, si një nga dokumentat bazë që do t’i shërbejnë operacionit të çuarjes së tepsisë për skrap” spjegoi zoti Rama. |
| Patozi: Gati në garën për kryetar, por dua garanci! Posted: 01 Jul 2017 09:51 AM PDT Ish nënkryetari i PD dhe ish kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi, ka deklaruar gadishmërinë për të kandiduar në garën për kryetar të PD, por kërkoi garanci për zgjedhje të ndershme brenda partisë. “Jam këtu sot që të marr të gjitha përgjegjësitë e mia. I mbështetur nga një numër shumë i madh anëtarësh, deklaroj se jam i gatshëm të kandidoj si kryetar i PD-së në rast se ka garanci për zgjedhje të ndershme” tha zoti Patozi të shtunën pasdite para mediave në selinë e PD. Ish zyrtari i lartë i PD kërkoi “Dorëheqje të menjëhershme dhe jo ngrirje të Lulzim Bashës dhe vendosja e tij si çdo kandidat tjetër që do të futet në garë”. Zoti Patozi paraqiti edhe disa kërkesa të tjera organizative të cilat i konsideroi kërkesa minimale që të shkohet në një proces të drejtë. Ai e ftoi kreun e PD Basha “që të dalë mbi ambiciet personale dhe të vendosë fatin e Partisë Demokratike mbi interesat e tij të momentit”. “Jam gati të punoj me të dhe të tjerët për një garë reale. Por në rast se kërkesat tona të drejta për një garë reale nuk do të plotësohen, ai do të marrë të gjitha përgjegjësitë për hedhjen në erë të të vetmes mundësi për nxjerrjen nga kriza të PD për shkak të këtij vetë” paralajmëroi ish nënkryetari i PD dhe ish kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi. |
| FAO: Ushqyerja e fëmijëve të shkollave me produkte bio falas, në 2018-ën Posted: 01 Jul 2017 05:08 AM PDT 200 mijë dollarë është fondi që Organizata Botërore e Ushqimit ka vënë në dispozicion të programit kombëtar për ushqyerjen me produkte bio të fëmijëve që ndjekin institucionet e arsimit parashkollor dhe atij të detyrueshëm në Shqipëri. Në bashkëpunim me ministrinë e bujqësisë, atë të arsimit dhe tre ministri të linjës, ky projekt pritet të fillojë nga zbatimi fillimisht në disa shkolla të Tiranës gjatë vitit të ardhshëm. Sipas zyrës së FAO-s në Shqipëri, përfitimet e tij do të jenë të shumta, pasi ai fokusohet në përmirësimin e statusit ushqimor dhe shëndetin e brezit të ri si dhe promovimin e praktikave ushqimore të shëndetshme në shkolla. Në të do të përfshihen prodhuesit vendorë, me të cilët do të bashkëpunohet për të siguruar ushqimet më të shëndetshme për fëmijet. Përvec fondeve të Organizatës Botërore të Ushqimit, ai do të financohet edhe nga subvencionet e shtetit dhe donatorët. Sipas shifrave të FAO-s, aktualisht 17.4 perqind e fëmijëve jetojnë në varfëri të plotë, dhe 2 përqind jetojnë në familje pa te ardhura, cka nuk u mundeson atyre nje mireushqyerje dhe mirerritje. Problem tjetër për fëmijët shqiptarë është edhe obeziteti, që prek 27 përqind të fëmijëve. Për këtë arsye, paketa ushqimore bio që do të ofrohet në institucionet e arsimit parashkollor dhe atij të detyrueshëm në vend, do të shmangë konsumimin e ushqimeve të dëmshme dhe atyre pa vlera ushqimore nga fëmijët. |
| Zhvillimet e fundit në PD për zgjedhjen e kryetarit Posted: 01 Jul 2017 04:38 AM PDT 2 korriku është afati i fundit i depozitimit të kandidaturave për garën e postin të Kryetarit të Partisë Demokratike, që do të mbahet në 22 korrik. Deri tani, i vetmi kandidat zyrtarë është Eduart Selami, ndërkohë që Lulzim Basha ende nuk ka konkretizuar zyrtarisht qëndrimin e tij të artikuluar publikisht, se do të jetë pjesë e garës. Selia blu vazhdon të jetë hermetike, duke anashkaluar çdo koment mbi furtunën që ka shkaktuar vendimi i Bashës për të ngrirë kopetencat e tij ekzekutive dhe për tia deleguar nën kryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm. Nga ky i fundit, deri tek ish funksionarë dhe deputetët demokratë prej disa legjislaturash, pretendohet se Basha ka shkelur statutin dhe se ai duhet të dorehiqet, duke marrë mbi vete përgjegjësitë për humbjen e zgjedhjeve të 25 qershorit. Disa prej firmëtarëve, duke iu referuar statutit të PD-së, që njeh të drejtën e rikandidimit , kërkojnë vetëm dorëheqjen e Bashës, të tjerë më radikalë, kërkojnë dorëheqjen e parevokushme të tij, duke gjykuar se lidershipi Basha dështoi, çka çoi në humbje të thelle të demokratëve, me të paktën 200 mijë vota minus nga zgjedhjet e shkuara. Firmëtarët pro dorëheqjes së Bashës, bëjnë me dije se do të përshkallëzojnë kërkesat dhe qëndrimet, deri në protesta për dorëheqjen e Bashës, i cili sipas tyre në mënyrë arrogante injoroi çdo forum vendimarrës nga këshilli kombëtarë tek kryesia, për të marrë vendimarrjet që i takojnë kësaj force politike pas humbjes sipas tyre katastrofike. Nuk përjashtohet as mundësia që çeshtja ti kaloje gjykatës për interpretim, dhe kallëzimin për dhunim të normave statutore të PD-së. Ndërkohë mbështetës së Bashës, e shohin këtë situatë si kalimtare, pa ndikim për përçarjen e partisë më të madhe të opozitës. Sipas analizës së tyre politike këta firmëtarë përfaqësojnë vetëm grupime brenda PD-së, që duan të marrin drejtimin e kësaj force politike, duke theksuar se këtë qëndrim e kanë mbajt edhe në zgjedhjet e 2013-tës. Me drejtimin e Partisë Demokratike nga Lulzim Basha, për të parën herë po flitet publikisht për grupime dhe fraksione, ndërkohë më parë nën drejtimin e ish Kryetarit Berisha të pakënaqurit janë konsideruar vetëm si zëra kritikë. |
| Finalja e Kupës së Konfederatave, dueli i më të mirave Posted: 01 Jul 2017 03:35 AM PDT Maratona dyjavore e asaj që është quajtur si Botërori i vogël, domethënë Kupës së Konfederatave, tanimë ka mbërritur në stacionin e fundit të saj, teksa janë njohur dy kundërshtaret e finales së madhe të 2 korrikut, si dhe dy skuadrat që do të luftojnë për t’u ngushëlluar me shkallën më të ulët të podiumit, vendin e 3-të. Dhe ajo për të cilën janë pajtuar të gjithë specialistët ndërkombëtar, është se në finale kanë mbërritur dy skuadrat që e merituan atë më shumë sesa 6 të tjerat. Pra Gjermania dhe Kili. Kjo e fundit erdhi në këtë Kupë të Konfederatave duke qenë si sfidantja kryesore në grup e 4 herë kampioneve të botës dhe, pavarsisht se i ka barazuar 3 nga 4 ndeshjet e kësaj veprimtarie, me lojën e zhvilluar ndaj Kilit, ku triumfoi pas goditjeve nga pika e bardhë, tregoi se kishte ardhur në Rusi duke synuar trofeun. Me 4 gola të shënuar, kilianët nuk janë midis skuadrave që kanë patur rendiment para portës kundërshtare, por në anë tjetër, me vetëm 2 gola të pësuar, ata janë një ndër dy mbrojtjet më të forta të kësaj veprimtarie. Ndërkohë, është një histori krej tjetër ajo e finalistes tjetër, Gjermanisë, e cila, në pamje të parë, ka bërë thjesht detyrën si kampione në fuqi e botës, nga e cila nuk pritej asgjë më pak sesa sigurimi i vendit në finalen e madhe të 2 korrikut 2017. Por ajo që ish-futbollistët dhe trajnerët, si në Gjermani, ashtu edhe në Evropë dhe më gjerë, ka qenë mënyra bindëse sesi e ka arritur skuadra e Joakim Lëvit një gjë të tillë. Trajneri gjerman mori me vete një skuadër që, si rrallëherë, kishte një moshë mesatare prej 24 vjetësh dhe me një përvojë mjaft të pakët ndërkombëtare. Por skuadra e tij ka funksionuar, madje ka funksionuar mjaft mirë dhe, ndonëse ka pësuar 5 gola në 4 ndeshje, në krahun tjetër ka qenë e papërmbajtshme, duke realizuar 11 gola. Përtej shifrave, mënyra sesi janë shënuar këto gola ka qenë mbresëlënëse , ashtu siç ka qenë edhe numri i madh i rasteve për shënim, por edhe dominimi i kundështarëve në fushën e blertë. Në përballjen e grupit, gjithçka midis Kilit dhe Gjermanisë, u mbyll në barazim 1-1, por finalja premton të jetë diçka krejt tjetër… |
| Autoritetet tatimore nisin kontrollet në njësitë e akomodimit turistik bregdetar dhe malor Posted: 01 Jul 2017 03:29 AM PDT Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka hartuar dhe ndjek një strategji specifike për sezonin turistik 2017, sidomos në zonat bregdetare dhe ato të turizmit malor. Sipas Xhavit Currit (Nëndrejtori i Përgjithshëm i DPT), në këtë sezon qasja ndaj biznesit do jetë e mbështetur në modelin e analizës së riskut, konkretisht vizita fiskale, kontrolle nga zyra dhe ndërhyrje në territor aty ku do të konstatohen parregullsi. Administrata tatimore synon të garantojë ofrimin e shërbimeve konform legjislacionit si përputhja e çmimit të afishuar dhe dokumetuar në pajisjet dhe dokumetacionin fiskal si një përgjegjesi e përbashkët që turistëve vendas dhe të huaj t'ju ofrohet një trajtim korrekt, respektimin e detyrimit për deklarimin korrekt të të gjithë të punësuarve etj. |
| Dukagjin, operacion antikanabis i RENEA-s dhe FNSH-së Posted: 01 Jul 2017 03:07 AM PDT Dukagjini mbetet ende një zonë problematike për policinë e shtetit për kultivimin e lëndës narkotike kanabis sativa. Pas fluturimeve të para ku pak bimë u konstatuan të mbjella, policia rikontrolloi edhe njëherë këtë zonë duke evidentuar dhe asgjesuar një parcelë më 920 rrënjë kanabis në një terren të vështirë. Ndërhyrja u bë nga forcat e RENEAs dhe FNSHsë të cilat kanë mbetur të bllokuar në këtë zonë të rrezikshme deri në momentin kur helikopterë të ministrisë së Mbrojtjes u vunë në ndihmë të tyre. Bimët ishin mbjellë në Luginën e Qershisë në Shosh të Dukagjinit dhe u evidentuan gjatë patrulimit nga ajri i Policisë së Shkodrës. Siç njofton policia, terreni ka qenë tejet i vështirë dhe me një rrezikshmëri të lartë për forcat RENEA, që pas asgjësimit të drogës janë tërhequr me helikopter. Për të ndjekur operacionin ka shkuar në Dukagjin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, Drejtori i Departamentit të Sigurisë Altin Qato dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Gjovalin Loka. Pas futjes në Lazarat, Dukagjini u bë qendra tjetër e madhe e kultivimit të drogës në vend, ndërkohë pavarësisht përpjekjeve të policisë, tonelatat e drogës nuk kanë të ndaluara. Policia thotë se operacioni masiv do vijojë deri në rikontrollin e plotë të territorit të vendit. |
| Të hënën në Bruksel do jetë takimi i radhës Kosovë-Serbi Posted: 01 Jul 2017 02:57 AM PDT Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, të hënën në Bruksel do të jetë mikpritese e një takimi joformal të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic. Në njoftimin nga Zyra e Mogherinit, theksohet se kjo bisedë bëhet pas takimeve dypalëshe gjatë Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që u mbajt mbrëmë në Dubrovnik. Ata do t'i këmbejnë pikëpamjet për vazhdimin e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe, po ashtu, për zhvillimet më të gjëra në rajonin e Ballkanit Perëndimor, theksohet në fund të një deklarate të shkurtër të Zyrës së Mogherinit. Ne samitin e Dubrovnikut nje nate me pare, Mogerini eshte shprehur se Liderët në Kosovë dhe në Serbi e dinë shumë mirë që e ardhmja e shteteve të tyre, e ardhmja e integrimit evropian, është e lidhur jo vetëm me dialogun, por edhe me implementimin e marrëveshjeve. Sipas saj nuk do të ketë të ardhme as për Serbinë e as për Kosovën në Bashkimin Evropian pa normalizuar marrëdhëniet në mes tyre. Madje, vazhdimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë pritet të sjellë rezultate të ndritura, "e ndoshta" edhe njohjen reciproke mes dy vendeve. |
| Estonia merr sot presidencën e radhës të Bashkimit Evropian Posted: 01 Jul 2017 02:51 AM PDT Estonia merr sot presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. "Estonia është një ndër vendet simbolike që ka lënë prapa komunizmin duke u shndërruar në model për rajonin", deklaroi dje presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk."Ajo është shndërruar në një shtet shembull për gjithë evropianët. Ne mund të themi se ky shtet është lider në fushën e teknologjive të internetit në nivel global", theksoi ai. Estonia, që është në pozita kryesuese në fushën digjitale në Evropë, edhe me marrjen e kryesisë së Këshillit Evropian do të fokusohet në zhvillimin teknologjik. Qeveria e Estonisë publikoi programin e Këshillit Evropian, të cilin do ta drejtojë nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të vitit 2017, ku theksoi rëndësinë e lëvizjes së lirë dhe të sigurt të të dhënave. "Evropa duhet të përshtatet me zhvillimet teknologjike dhe duhet të përfitojë nga këto potenciale. Kjo do të ndihmojë qytetarët në jetën e tyre të përditshme dhe sjell dobi të madh për bizneset dhe shtetet anëtare", thuhet në program. Estonia, ku ndodhet edhe Qendra e Ekselencës Kibernetike të NATO-s, do të angazhohet lidhur me sulmet e mundshme kibernetike. Estonia e mori presidencën nga Malta dhe do t'ia dorëzojë Bullgarisë ne periudhen janar-qershor 2018. |
| Posted: 01 Jul 2017 02:45 AM PDT Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur se vitet e "durimit strategjik" me Korenë e Veriut kanë dështuar dhe tani është koha për një "përgjigje të vendosur". "Përballemi me kërcënimin e një regjimi të pamatur dhe brutal," u shpreh Presidenti në një konferencë për shtyp me homologun e tij koreano-jugor Moon Xhe-in. Trump nxiti Korenë e Veriut të zgjedhë një rrugë më të mirë sa më shpejt. Ndërkohë homologu i tij Moon tha se është e nevojshme që liderët koreano-veriorë të vijojnë të përfshihen në dialog. Ai shtoi se Koreja e Jugut do të ndjekë reformat e mbrojtjes dhe do të vijojë rritjen e kapacitetit të vetëmbrojtjes. Çështja e Koresë së Veriut, sipas Moon, ishte prioritare gjatë bisedimeve, pasi vetëm një siguri e fortë mund të sjellë paqen e vërtetë në rajonin e Azisë dhe Paqësorit. Lideri amerikan siguroi se Uashingtoni po punon ngushtësisht me Korenë e Jugut dhe Japoninë si dhe partnerët në gjithë botën në masa diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë për të mbrojtur aleatët dhe qytetarët nga kërcënimi koreano-verior. Kjo deklaratë vjen pak pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione ndaj një banke kineze që akuzohet për pastrim të parave nga Koreja e Veriut, gjë që ka shkaktuar zemërim tek autoritetet kineze. |
| You are subscribed to email updates from RTSH-Radio Televizioni Shqiptar. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





