RTSH: ““Lista e zezë”, Neurokirurgu i njohur Petrela i përgjigjet Ramës” plus 9 more

RTSH: ““Lista e zezë”, Neurokirurgu i njohur Petrela i përgjigjet Ramës” plus 9 more


“Lista e zezë”, Neurokirurgu i njohur Petrela i përgjigjet Ramës

Posted: 13 Jul 2017 07:24 AM PDT

Neurokirurgu i njohur Mentor Petrela, pasi e gjeti veten në listën e emrave të zyrtarëve të rreshtuar në raportin "Eksperienca Juaj Negative" postuar një ditë më parë nga Kryeministri Rama, si produkt i mbledhjes dhe përpunimit të komenteve të qytetarëve në rrjetin e tij social Facebook, ka reaguar me një email drejtuar "Skuadres së facebookut". Me një gjuhë aspak popullore dhe me terminologji e citate të zgjedhura filozofike, Petrela e ka konsideruar cinike këtë zgjedhje të kryeministrit Rama për të marrë mendimin e qytetarëve dhe se shkakun për këtë ai e gjen vetëm tek urrejtja e përjetshme dhe zilia ndaj talentit. "Populizmi është një mënyrë cinike për të luajtur me zemërimin e një mase amorfe që e përkëdhelin me emrin popull që jo rrallë është përdorur për të hequr qafe elitën “uzurpatore”. Shkaku është urrejtja e përjetshme dhe zilia ndaj talentit. Për të evituar gomarllëkun me të cilin ky populizem ushqehet me mjetet e sotme të komunikimit influencuar dhe nga “Bota është e sheshtë” e Thomas Friedman i kam refuzuar këto mjete. Sot e gjej veten i korruptuar.”virgo et incorrupta “paradox i skuadronit FB. Volteri në letrën drejtuar d’Alembert 18 korrik 1766 shkruan”…barbaria po bëhet e padurueshme nga heshtja jonë, nesër ajo do të na there kur ti vije qejfi madje juridikisht”. Më tej mjeku Petrela risjell në pak rreshta historinë e familjes së tij duke ardhur në përfundimin se publikimi i emrit të tij nuk është asgjë para asaj cka familja e tij ka përjetuar në breza. "Në historinë e familjes pas ardhjes së komunistëve në 44, gjyshërit ,klasa e përmbysur ,e perjetuan me etiketa të varura në qafë “gjakpirës të popullit”më pas me gjyqe ,deportime,burgje,internime kështu që kjo e sotmja me duket lule. Ajo që më shqetësoi është mentaliteti i skuadronit i Saint Just “Mbreti duhet të gjykohet si armik”. Mjeku e mbyll reagmin ndaj skuadres së Facebookut duke rikujtuar një nga momentet më prekëse në tragjedinë e dramaturgut të madh grek Eskilit, “Të shtatë kundër Tebës” ku lufta për pushtet midis dy vëllezërve të cilët kishin rënë në marrëveshje të qeverisnin Tebën me rradhë përfundoi me vdekjen e të dyve. "Jetojme në demokraci, disa “realiste”janë pjesa më antidemokratike sidomos kur ndjekin shijen e plebes, harrojnë se ka padi difamacioni edhe pse Nietszche autokracinë e shtetit e përkufizon “përbindshi i ftohtë”. "Skuadra FB kurë nuk do të ketë shansin të dëgjoje korin e së vërtetes që i drejtohet Eteoklit në Shtatë kundër Tebes “Ti nuk do të quhesh një i poshtër sepse jetove me arritje”.

Mbi 1200 vatra zjarresh në territorin qëndror e jugor të Italisë

Posted: 13 Jul 2017 06:51 AM PDT

Edhe Italia është përfshirë ditët e fundit nga zjarret. Mbi 1200 vatra zjarresh janë regjistruar në territorin qëndror e jugor së Italisë duke shkaktuar djegjen e dhjetra hektarëve tokë e pyje. Deri më tani mbi 500 vatra zjarri janë regjistruar në rajonin e Siçilisë, 260 në rajonin e Puglias, 250 në Kalabri e Kampania, 190 në rajonin e Lacios. Sipas zyrës së Mbrojtjes Civile, harta e zjarreve e këtyre ditëve ka regjistruar rekordin e 10 viteve të fundit. Trupa e forcave të rendit, të ushtrisë, të rojes pyjore e të zjarrëfikësve janë aktivizuar me mjete ajrore e tokësore për shuarjen e vatrave të zjarrit e për t'i ardhur në ndihmë popullsië së zonave. Alarmuese paraqitet gjëndja në ishullin e Siçilisë, ku për shkak të zjarrit që përfshiu zonën pyjore në komunën San Vito janë evakuuar nga deti rreth 600 pushues të një hoteli turistik. Dramatike paraqitet dhe situata përreth vullkanit te Vezuvit në rajonin e Kampanias ku rreth 200 hektar tokë është djegur. Por jo vetëm temperaturat e larta të ditëve të fundit e thatësira janë shkaqet e këtyre vatrave zjarri. Mjaft prej tyre janë zjarre të qëllimshme të shkaktuara deri më tani nga persona ende të pa identifikuar.

Tillerson zgjat qëndrimin e tij në Lindjen e Mesme

Posted: 13 Jul 2017 05:14 AM PDT

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, duket se është i vendosur për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës që ka përfshirë Lindjen e Mesme, pas sanksioneve që katër vende të rajonit të udhëhequra nga Arabia Saudite i kanë vendosur Katarit. Kryediplomati udhëtoi drejt Dohas ku firmosi një marrëveshje për luftën kundër terrorizmit, por një ditë më pas, në vizitën e zhvilluar në Riad, Arabia Saudite, Bahreini, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e cilësuan akordin si diçka të pamjaftueshme për të proçeduar me zhbërjen e masave të ndërmarra së fundmi. Për këtë arsye, Rex Tillerson do të rikthehet në Doha, një vizitë kjo e paparashikuar në axhendën paraprake, me qëllim vazhdimin e negociatave ndërmjetësuese për zgjidhjen e krizës. Në fjalën e tij gjatë takimit me Mbretin Salman, Sekretari amerikan i Shtetit e vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit rajonal. Kryediplomati nënvizoi se diçka e tillë sjell stabilitet ekonomik si dhe prosperitet për qytetarët e të gjitha vendeve. Arabia Saudite, Bahreini, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e akuzojnë qeverinë e Dohas për mbështetje të terrorizmit, ndaj kanë kërkuar që Katarit të pranoje një sërë kushtesh për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Teuta humbet miqesoren me Laçin

Posted: 13 Jul 2017 04:28 AM PDT

Teuta e ka nisur me humbje sezonin futbollistik 2017-18. Edhe pse vetëm një miqësore, skuadra durrsake është mposhtur me rezultatin 1-3 nga Laçi në ndeshjen e luajtur në "Niko Dovana”. Trajneri Gugash Magani aktivizoi në pjesën e parë lojtarë të rinj, të cilët janë ende në provë por edhe disa futbollistë të ardhur nga akademia. Në të dytën pati minuta edhe për titullarët që kanë luajtur në sezonin e kaluar, më shumë për të parë edhe gjendjen e tyre fizike. Rezultati tregoi se tek Teuta ka ende shumë punë për të bërë dhe këtë fakt Magani e pranoi në intervistën e dhënë për “RTSh Sport”, ndërsa theksoi se disa lojtarë nuk e bindën. Në ndeshjet miqësore rezultati është në plan të fundit, megjithatë ai tregon brumin që ka skuadra. Magani premton afrime cilësore dhe thotë se Teuta e vërtetë do të shihet në muajin gusht pasi drejtuesit synonjnë të ndërtojnë një ekip më konkurrues. Miqësorja me Laçin ishte e para për Djemtë e Detit në kuadër të formimit të skuadrës për sezonin e ri, e cila do të pasohet me 5 miqësore të tjera që do të zhvillohen në Itali gjatë fazës përgatitore.

Tiranë: Demokratët e degës 7-të peticion kundër Bashës

Posted: 13 Jul 2017 04:19 AM PDT

Pas demokratëve të Korçës dhe Vlorës, janë edhe ata të Tiranës, të cilat kërkojnë anullimin e zgjedhjeve për Kryetarin e Partisë Demokratike, duke e konsideruar atë një farsë të Lulzim Bashës. Përmes një peticioni demokratët e degës 7-të të Tiranës, ia faturojnë Lulzim Bashës humbjen katastrofike të partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas tyre argumenti i Bashës për blerje masive vote nuk është i justifikueshëm, pasi Basha nënshkroi një marrëveshje me Ramën për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për demokratët e Tiranës, Partia Demokratike në drejtimin e Lulzim Bashës po asgjësohet, ndaj kjo forcë politike ka nevojë për analizë të thellë dhe bashkim për tu ringritur.

KQZ, nis rinumërimi i kutive të Tiranës

Posted: 13 Jul 2017 04:11 AM PDT

Në ambjentet e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ka nisur sot procesi i rinumërimit të votave për 64 kuti votimi të qarkut të Tiranës. Deri në orët e mesditës janë numëruar rreth 6 kuti, prej të cilave rezulton se PDIU ka marrë 4 vota më shumë nga sa ishin pasqyruar në tabelat përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve të 25 Qershorit. PDIU pretendon marrjen e një mandati në qarkun e Tiranës për një diferencë prej vetëm 37 votash me të cilat ajo do të kalonte pragun e nevojshëm prej 3% për fitoren e mandatit të Shpëtim Idrizit. PDIU ka kërkuar hapjen dhe rinumëimin e 41 kutive, ndërsa PS të 23 kutive të Tiranës, pasi sipas tyre ka mospërputhje mes pamjeve filmike të numërimit të votave dhe tabela përmbledhëse të rezultateve.

Trump: Situata në shtëpinë e bardhë në harmoni të plotë

Posted: 13 Jul 2017 04:04 AM PDT

Atmosfera në Shtëpinë e Bardhë është fantastike, pretendon Donald Trump, pavarësisht verifikimit intensiv që po i bëhet lidhjeve të supozuara të stafit të tij të fushatës me Rusinë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha për Reuters se administrata "funksionon për bukuri". Presidenti mbrojti po kështu të birin e gjendur këto ditë në fokusin e medias për takimin me një avokate ruse të lidhur me Kremlinin në kohën kur republikani luftonte për të marrë çelesat e Zyrës Ovale. Në shtypin vendas thuhet se pas daljes në dritë të këtij takimi dhe reagimeve që ai ka ngjallur, Shtëpia e Bardhë është në kaos. Vetë një aleat i Trump e ka përshkruar gjendjen si "uragan i kategorisë së pestë". Kreu i shtetit amerikan u shpreh se ajo e fushatës ishte një kohë e rrëmujshme kur mund të takoheshe me lloj-lloj njerëzish. Ai refuzoi të thoshte se i vinte keq për veprimet e të birit, duke deklaruar se shumica e politikanëve mashtrues që njeh, të cilët janë demokratë dhe i ka parë në aksion ditët e fundit, do ta kishin pranuar atë takim sa hap e mbyll sytë. Donald Trump i Riu e takoi Natalia Veselnitskaya duke menduar se ajo kishte informacione që do të dëmtonin kundërshtaren e të atit, Hillary Clinton.

Kreu i FBI: Do jem i pavarur nga Trump

Posted: 13 Jul 2017 03:45 AM PDT

I emëruar nga Donald Trump për të drejtuar Byrone Federale të Hetimeve Christopher Wray premtoi se do të vepronte në emër të një drejtësie të paanshme. Wray vlerësoi gjithashtu, gjatë audicionit të tij në Senat, se hetimi mbi ndërhyrjet ruse në presidencialet e 2016-es, nuk ishte një gjueti shtrigash. "Nuk mendoj se drejtori Mueller është angazhuar në një gjueti shtrigash", tha Wray në lidhje me Robert Mueller, prokuror special i ngarkuar me këtë hetim. Në një tjetër kontradiktë me presidentin, kreu i ardhshëm i FBI-së theksoi se "nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se agjentët e shërbimeve sekrete kanë vendosur në mënyrë unanime se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 8 nëntorit 2016". Wray, një avokat dhe ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë u përball me pyetje nga anëtarët e Komisionit Juridik të Senatit, shumë prej të cilëve kërkojnë garanci se ai mund të punojë në mënyrë të pavarur nga Shtëpia e Bardhë. Seanca e konfirmimit të Wray zhvillohet ndërsa Uashingtoni është i përfshirë në një furtunë politike lidhur me e-mail-et e publikuara të martën që tregojnë se djali i presidentit, Donald Trump kishte pranuar të takonte juristen e lidhur me Kremlinin, e cila pretendonte se kishte në zotërim informacione dëmtuese për Hillary Clinton-in.

13 vatra zjarri nga veriu në jug

Posted: 13 Jul 2017 03:31 AM PDT

Emergjencat Civile kanë raportuar situatën e zjarreve në të gjithë vendin. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit emergjencat njoftojnë se janë 13 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit. Forcat e zjarrfikësve kanë ndërhyrë në të gjitha rastet pavarësisht terrenit të vështirë. Në operacione për shuarjen e flakëve janë angazhuar 50 zjarrfikës me 15 automjete, 12 forca nga Policia e Shtetit, 30 ushtarë, 22 forca vullnetare si dhe punonjës të pyjores dhe bashkive. Zjarre ka patur në Dibër ku janë djegur rreth 4 hektarë me shkurre. Zjarri i rënë një ditë më parë në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha, në malin Mile të bashkisë Konispol, po vazhdon edhe ditën e sotme. Për shkak të terrenit të thyer malor është e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Helikopteri ka ndërhyrë disa herë duke vendosur zjarrin nën kontroll. Operacioni po vazhdon edhe ditën e sotme nga forcat ushtarake dhe forcat e bashkisë. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe pyjore rreth 90 ha me shkurre, lisa dhe drurë ahu. Në fshatin Ardenicë, Lushnje ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe 5 rrënjë ulliri. Edhe në Lezhe po ashtu është një vatër zjarri aktive. Në Korçë, Pogradec dhe Elbasan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve zjarri është vendosur nën kontroll. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe pisha.

Qendra shëndetësore e plazhit të Divjakës 24/7 në shërbim të pushuesve

Posted: 13 Jul 2017 03:26 AM PDT

Mbi 40 mjekime mjekime kryhen brenda një dite në urgjencën e plazhit të Divjakës. Temperaturat e larta kanë shtuar edhe rastet e vizitave. Janë pushues të cilët trajtohen për shkak të pickimeve nga insektet, problemet e helmimeve ushqimore, të djegieve nga dielli, apo edhe problemet kardiake. Ilaçet nuk mungojnë në këtë qendër për të dhënë ndihmën e parë. "Në 24 orë ne jemi të hapur në pritje dhe shërbim të pacientëve që kanë nevojë për ndihmën tonë. Ka raste nga më të ndryshmet që paraqiten pranë nesh dhe marrin mjekimin e duhur" u shpreh mjekja e urgjencës Iris Malo. Urgjenca shëndetësore në plazhin e Divjakës, ofron shërbim që prej datës 15 qershor dhe do të shërbejë deri në 15 shtator. "Gjatë periudhës së pikut të verës 15 korrik-15 gusht mendohet që fluksi i pacientëve do të rritet akoma edhe më tepër". Tre mjek dhe tre infermierë janë në dispozicion të pushuesve , ndërsa përveç pushuesve këtu vijnë për të marrë mjekime edhe banorë të Divjakës. Këtë sezon veror, mjekët këshillojnë që për çdo shqetësim pushuesit të shkojnë menjëherë të paraqiten për të marrë ndihmën më të afërt mjekësore .