RTSH: “Kryesia e PD: Zgjedhjet më 22 korrik, Basha e Selami kandidatura!” plus 9 more |
- Kryesia e PD: Zgjedhjet më 22 korrik, Basha e Selami kandidatura!
- Stadiumi “Niko Dovana” nis rikonstruksionin
- PD: Në Tiranë parqet po i zënë ndërtimet
- Tiranë; Vijojnë problematikat e furnizimit me ujë
- Spaho dhe Paloka: Ne garantojmë se do sigurojmë për çdo kandidat një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë!
- Zgjedhjet në PD, përgatitje nën tension
- Patozi: Basha po e çon me bindje PD drejt shkatërrimit përfundimtar
- Rikthehet “Kamioni i lirisë”
- Futboll: Maqedoni – Shqipëri, në Strumicë “për arsye sigurie”
- Thaçi dhe Vuçiç; Takim në Bruksel
| Kryesia e PD: Zgjedhjet më 22 korrik, Basha e Selami kandidatura! Posted: 03 Jul 2017 12:43 PM PDT Kryesia e PD ka rrëzuar me shumicë votash kërkesën për të anuluar datën e zgjedhjeve për kreun e ri të demokratëve, ndërsa ka vendosur që këto zgjedhje të mbahen më 22 korrik. Mbledhja e thirrur të hënën pas dite për miratimin e kandidaturave, u bë arenë debatesh të forta mes anëtarëve të kryesisë, njoftojnë burime brenda saj. Vetë zoti Basha ka munguar në mbledhje dhe bashkë me të dhe figura të tjera të rëndësishme saj. Propozimi për të anuluar zgjedhjet u bë nga drejtuesi i Departamentit të Pronave në PD, Gent Malko. “Të anulojmë procedurën e nisur për kryetarin e PD. Procedura është anti-statutore” tha ai. Kërkesa e tij është mbështetur nga një grup kundërshtarësh të zotit Basha, të cilët i kanë kërkuar atij dorëheqjen e parevokueshme. |
| Stadiumi “Niko Dovana” nis rikonstruksionin Posted: 03 Jul 2017 07:17 AM PDT Te Teuta po punohet në çdo sektor. Kryesore nuk është vetëm merkato dhe ndërtimi i skuadrës që do të luajë në sezonin e ri futbollistitk por edhe rikonstruksioni i stadiumit "Niko Dovana". Drejtuesit e klubit bregdetar, kërkojnë të krijojnë një ambjent të përshtatshëm, jo vetëm për lojtarët dhe stafin teknik, por edhe për mbështetësit e Teutës. Prej dy ditësh ka nisur puna për t'i dhënë një pamje të re impiantit që ndodhet në qendër të qytetit. Të gjitha tribunat po i nënshtrohen një rikonstruksioni duke filluar nga tribuna përballë, që do të pajiset me stola të rinj, duke bërë që numri i ulëseve të rritet. Gjithashtu po punohet edhe në ambjentet brenda stadiumit, kryesisht në dhomat e zhveshjes, dushet do të vihen të rinj, si dhe në kabinat ku qëndrojnë gazetarët për transmetimet e drejtpërdrejta. Sezoni i ri do ta gjejë Teutën me një sallë konferencash për shtyp, diçka që i ka munguar stadiumit gjatë këtyre viteve. Do të ketë një ndërhyrje edhe në fasadën e stadiumit që do të finalizojë ndryshimin total. Aksioneri Ardian Bardhi së bashku me presidentin Edmond Hasabelliu po hedhin themelet për të ndërtuar një skuadër cilësore me ambicje të mëdha. Sipas drejtuesve te Teuta do të përshtatet programi që ndjek Atalanta si dhe me klubin italian të Serisë A do të ketë binjakëzim. Bardhi garantoi se në skuadër do të punojnë njerëz profesionistë dashamirës të Teutës, me synimin për ta shpallur kampione pas tre sezonesh. |
| PD: Në Tiranë parqet po i zënë ndërtimet Posted: 03 Jul 2017 07:11 AM PDT Pas protestave të banorëve kundër ndërtimit të kompleksit të pallateve në zonën e parkut të autobusëve, kryetari i departamentit të Mjedisit në PD dhe këshilltarët demokratë në këshillin bashkiak të Tiranës thonë se kjo nuk do të jetë e vetmja lulishte që do të zhduket për t’ia lënë vendin ndërtimeve të reja. I pyetur nga gazetarët, Malltezi hedh poshtë pretendimin se leja për këtë pallat është dhënë nga Lulzim Basha në kohën kur ai drejtonte Bashkinë e kryeqytetit. Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj i konsideron këto deklarata si histeri kolektive. Veliaj e bëri këtë vërejtje gjatë inspektimit për nisjen e ndërtimit të rrugëve të brendshme të parkut të liqenit artificial. |
| Tiranë; Vijojnë problematikat e furnizimit me ujë Posted: 03 Jul 2017 07:03 AM PDT Banorët e kryeqytetit veç temperaturave të larta po përballen këto ditë edhe me oraret e reduktuara të furnizimit me ujë nga rrjeti i ujësellësit. Problematika është më e theksuar në linjat fundore si në Yzberisht apo Shkozë. Në kompleksin e banesave sociale në Shkozë banorët ankohen për mungesën e ujit thuajse gjatë gjithë ditës. Depozitat e këtyre pallateve u furnizuan sot përmes boteve. E njëjta situate është edhe në lagje të tjera të Tiranës. UKT ka vënë në dispozicion 25 bote për të mbuluar nevojat bazë të konsumatorëve. Thatësira e tejzgjatur ka kufizuar burimet ujore, ndërsa lidhjet e paligjshme dhe shpërdorimi i ujit duket se e veshtirësojnë edhe më tej situatën. Gjatë aksionit të ndërmarrë nga taskforca e ukt-së janë prerë 700 lidhje të jashtëligjshme. UKT ka vënë në dispozicion edhe numrin e gjelbër , ku qytetarët mund të raportojnë problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, apo të denoncojnë rastet e abuzimit. |
| Posted: 03 Jul 2017 06:45 AM PDT Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike Edmond Spaho dhe Edi Paloka, dolën të hënën me një deklaratë të përbashkët ku njoftojnë se ka përfunduar procesi i paraqitjes së kandidaturave për kreun e PD-së. Në deklaratë nuk jepen emrat e personave që kanë kandiduar. Sot pritet që kryesia e PD-së do të miratojë emrat që përmbushin të gjitha kriteret, për të garuar në garë. Në deklaratën e tyre ata shpjeguan se përse nuk nuk mund të shtyhen zgjedhjet për kryetarin e PD-së, të parashikuara për në 22 korrik. Sipas tyre zgjedhjet mbahen një herë në katër vite dhe për këtë arsye shtyrja e tyre bie ndesh me statutin. “Ne garantojmë që brenda kompetencave tona do sigurojmë për çdo kandidat një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë sipas statutit të PDSH” nëvizojnë deklaratë nënkryetarët e PDSH , Spaho dhe Paloka. Kërkesa për shtyrje të zgjedhjeve në shtator ishte bërë nga Eduard Selami i cili ishte i pari që deklaroi kandidaturën e tij. |
| Zgjedhjet në PD, përgatitje nën tension Posted: 03 Jul 2017 06:01 AM PDT Pas vendimit për të ngrirë kompetencat e tij ekzekutive si kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë vetëm sot nga zyra e tij, për të nisur edhe pse jozyrtarisht fushatën për garën e kreut të partisë më të madhe opozitare në vend. Ai u takua me anëtare të PD-së në barin pranë selisë blu, ndërkohë për mediat shmangu çdo koment mbi kërkesat në përsëritje për dorëheqjen e tij. |
| Patozi: Basha po e çon me bindje PD drejt shkatërrimit përfundimtar Posted: 03 Jul 2017 05:39 AM PDT Ish nënkryetari i PD dhe kreu ish kreu i grupit të saj parlamentar Astrit Patozi ka akuzuar të hënën kryetarin e PD, Lulzim Basha, se ka marrë të gjitha përgjegjësitë për prishjen e një gare të drejtë, duke refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat për zhvillimin e një procesi të paanshëm, gjithëpërfshirës dhe të pandikuar. Zoti Patozi i cili fundjavën e kaluar shprehu dëshirën për të kandiduar në postin e kreut të PD, por në kushte të barabarta, në një status në Fejsbuk shkroi se i ka kërkuar kandidatit Lulzim Basha të çlironte PD nga marrja peng e procesit të reflektimit dhe të garës së drejtë brenda PD. “Nuk lëvizi as gishtin për të reaguar, por duket se është shumë i vendosur t’i shkojë deri në fund kèsaj maskarade zgjedhore, e cila nisi me shkelje të rënda të librit të rregullave të PD” shkruan zoti Patozi. |
| Posted: 03 Jul 2017 05:06 AM PDT Muri i ambasadës gjermane në Tiranë, mund të pagëzohet pa droje si “Muri i vrasjes së frikës”. Një frikë që mbizotëroi për mëse gjysëm shekulli dhe që u kthye në simbol të lirisë falë një burri kurajoz si Ylli Bodinaku. Falë kurajos çmendurake të tij, më 2 korrik 1990, kamioni që drejtonte, do të shëmbte murin e pasëm të ambasadës gjermane, duke e kthyer në porten e lirisë për 5200 shqiptarë që hynë në ambasada në Tiranë 27 vite më parë. Sot në atë vend qëndron një instalacion gjysëm “Skode” pikërisht në memorie të asaj dite që shënoi edhe grushtin e parë të fortë ndaj regjimit komunist të Tiranës. “Ishin 38 vetë që vranë frikën, jo vetëm unë” thotë Bodinaku. “Unë vrava tmerrin, që do të çaja murin! Ja ku është muri, timoni…Zoti desh që ne të jetonim dhe jetuam. Dhe jam shumë i lumtur që e theva atë regjim” tha Bodinaku. |
| Futboll: Maqedoni – Shqipëri, në Strumicë “për arsye sigurie” Posted: 03 Jul 2017 04:13 AM PDT Në një spot promocional për turizmin në Maqedoni, ndër të tjera, bëhet e ditur se Shkupi është vetëm 297 km nga Porti i Durrësit, porti më i madh në Shqipëri. Por kjo duket se është vetëm për të joshur turistët e huaj. Të bën përshtypje ky fakt, kur mëson se ndeshja e shtatorit midis Maqedonisë dhe fqinjit të saj Shqipërisë, të dyja pjestare të Grupit G në takimet për Botërorin “Rusia 2018”, është vendosur të luhet në Stadiumin "Mladost" të Strumicës. Çdokush mendonte se ai do të luhej në Shkup, në impiantin modern “Filipi i 2-të”. |
| Thaçi dhe Vuçiç; Takim në Bruksel Posted: 03 Jul 2017 03:32 AM PDT Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, takoi sot në Bruksel presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në takimin trepalësh në Bruksel, Vuçic dhe Thaçi shkëmbyen pikëpamjet e tyre më lehtësuesen evropiane të dialogut lidhur me vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve si dhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në takim u fol edhe për mënyrën se si do të vazhdojë dialogu në fazën e re dhe objektivat që synohen të arrihen në kuadër të procesit të normalizimit. Mendohet që dialogu të vijojë në nivel presidentësh, krahas grupeve teknike që takohen rregullisht. Dy vendet e arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në Prill të vitit 2013 ndërsa takimin e fundit në nivel të lartë Prishtina dhe Beogradi e zhvilluan në 1 Shkurt të këtij viti. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian. Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit. |
| You are subscribed to email updates from RTSH-Radio Televizioni Shqiptar. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





