RTSH: “Kryemadhi, zonja e parë në krye të LSI në opozitë” plus 9 more

RTSH: “Kryemadhi, zonja e parë në krye të LSI në opozitë” plus 9 more


Kryemadhi, zonja e parë në krye të LSI në opozitë

Posted: 05 Jul 2017 12:48 PM PDT

Bashkëshortja e presidentit të ardhshëm shqiptar Ilir Meta, zonja Monika Kryemadhi është zgjedhur kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrimi, partia e tretë më e madhe në parlamentin shqiptar, pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Ajo zëvendësoi zotin Petrit Vasili i cili dha dorëheqjen pasi LSI nuk arriti të dilte forcë e parë në këto zgjedhje, ashtu siç kishte premtuar, ndonëse shënoi një rritje në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013.
Në konventën e kësaj LSI të mërkurën në Tiranë, zonja Kryemadhi deklaroi se partia që ajo do të udhëheqi, do të jetë forca kryesore opozitare e vendit. “Besoj se është e qartë se ne jemi forca kryesore opozitare në Shqipëri. Ne do të jemi një forcë udhëheqëse opozitare, ata që do ta çojnë për skrap qeverinë e krimit të organizuar dhe blerjes së votave” tha zonja Kryemadhi. Sipas saj beteja e LSI në parlament do të jetë kundër “kastës që ka marrë timonin e krimit”, duke ju referuar kështu PS aleates së LSI gjatë katër viteve qeverisjeje. Në fjalën e zonjës Kryemadhi vend të veçantë zunë raportet mes LSI dhe PS. “Kërkoj falje për pjesën tonë të bashkëqeverisjes me Edi Ramën. Nuk reaguam fort kur konstatuam se Shqipëria po kthehej në një plantacion droge” tha ndër të tjera kryetarja e re e LSI. “Përballë nesh është një kundërshtar i armatosur me krimin. Ne do të bëjmë një opozitë të fortë deri në pikën e fundit, pa bërë kompromis me pushtetin” tha më tej zonja Kryemadhi.
Zgjedhja e zonjës Kryemadhi në krye të LSI, e deklaruar tashmë në opozitë, sjell një zhvillim mjaftë interesant në skenën politike shqiptare. Si bashkëshorte e presidentit të ardhshëm Ilir Meta, ajo do të jetë edhe zonja e parë e vendit. Vetë zoti Meta, si president do ti duhet të jetë përfaqësues i interesave të të gjithë popullit, e po këtë rrugë do të duhet të ndjeki edhe bashkëshortja e tij, por që tashmë është deklaruar udhëheqëse e një pjese të opozitës.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 qeshorit zoti Meta tërhoqi vëmendjen me përfshirjen e tij si dhe tonet agresive ndaj PS dhe kryeministrit Rama. Ky i fundit i sugjeroi kreut të ardhshëm të shtetit të kërkonte falje. Zoti Meta nuk ka reaguar pas këtyre deklaratave, por nuk u pa të ishte i pranishëm në konventën e LSI ku bashkëshortja e tij mori drejtim e partisë, të cilën ai e kish krijuar dhe udhëhequr për më shumë se një dekadë.
Për këto arsye, por dhe të tjera, zhvillimet e mëtejshme priten me mjaftë interes, pasi edhe pyetjet që lindin janë të shumta.

Svilanovic: samiti Triestes, një shans për rajonin

Posted: 05 Jul 2017 08:40 AM PDT

Carl Bildt, ish kryeministri i Suedisë dhe bashkëkryetar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), François Heisbourg, Kryetar i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike dhe Kryetar i Këshillit themeltar të Qendrës së Gjenevës për Politikat e Sigurisë, dhe Robert Cooper, Këshilltar Special në Komisionin Evropian, takuan sot në Sarajevë me Goran Svilanoviç, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Bashkëpunimit Rajonal. Zyrtarët folën për integrimin evropian dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin e bashkëpunimit rajonal dhe samitin e ardhshëm të Triestes.
“Zgjerimi i mëtejshëm i BE-së është një domosdoshmëri dhe e vetmja rrugë përpara për Ballkanin Perëndimor është përshpejtimi i integrimit evropian. Anëtarësimi do të marrë kohë, pasi nuk është një rrugë e lehtë, megjithatë, reforma të thella ekonomike janë të nevojshme për t’i bërë këto vende të pranueshme për anëtarësim dhe bashkëpunimi rajonal është një mjet i fuqishëm për t’i dhënë rajonit një shtysë jetike “, tha Bildt. “Unë pres që krerët e Ballkanit të bien dakord për disa hapa konkretë në Trieste javën e ardhshme, në mënyrë që të sigurohet stabiliteti në rajon, të nxiten reformat në vendet e tyre, duke i sjellë ato më afër BE-së” shtoi ai.
Svilanoviç shprehu optimizëm lidhur me Samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor në Trieste, duke shpresuar që plani i veprimit i përgatitur nga KBR me qeveritë e rajonit të rregullohet, duke filluar kapitullin e ri në rrugën e rajonit drejt prosperitetit ekonomik dhe social dhe pranimit në BE. “Plani i Veprimit parasheh projekte që çojnë drejt përparimit të avancuar dhe të përshpejtuar të rajonit në tregti, ndëlidhje, konkurrencë, agjendë dixhitale etj. Ky është një katalizator për procesin e integrimit në BE, por jo një zëvendësim për kuadrin ekzistues dhe ne duam të shohim ekonomitë tona të angazhuara për ndryshim në dobi të qytetarëve ” tha Svilanoviç.
Heisbourg përsëriti se rajoni po jep shenja paqëndrueshmërie serioze dhe se liderët e Ballkanit dhe Evropa gjithashtu duhet të veprojnë shpejt për të kapur momentin për mbajtjen e rajonit në korsinë evropiane.
Duke folur për përpjekjet e rajonit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, Cooper theksoi sundimin e ligjit si një shtyllë kyçe që duhet të ngrihet në vendet aspiruese, pasi Bashkimi është një bashkësi e ligjit dhe nuk mund të pranojë anëtarë të rinj përveç nëse sistemet e tyre të drejtësisë përmbushin standarde të larta – për të vepruar me kompetencë dhe për të përfaqësuar partnerë të besueshëm.

Maqedoni; Emigracioni i të rinjve

Posted: 05 Jul 2017 07:06 AM PDT

Nën organizimin e Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim ndërkombëtar “Civica Mobilitas” u mbajt në Shkup forumi me temë "Sfida, perspektiva dhe potenciale të emigracioneve" në të cilin u theksua se vendi vuan nga prirje të larta të emigracionit, ngjashme me fqinjët e tjerë ballkanike. Në takim u diskutua për shpërnguljen jashtë vendit të të rinjve, mjekëve, specialistëve dhe artistëve, dhe per ndikimin e emigracionit në sektorin e biznesit dhe në sektorë të tjerë. Në forum u tha se emërimi i një ministri të posaçem për diasporën pritet të ndikojë në këtë prirje duke parandaluar shpërnguljen e numrit të madh të të rinjve nga Maqedonia në shtetet evropiane. Folësit thanë se është e vështirë të parandalohet shpërngulja, por e rëndësishme është të krijohet një strategji për bashkëpunim me diasporën, që të përdoret kapaciteti i tyre për zhvillimin e vendit. Sipas sondazheve dhe studimeve të fundit, një në çdo dy të rinj, që do të thotë gjysma e popullsisë nga 15-39 vjeç , dëshiron të largohet nga Maqedonia, duke bërë që ky vend të mos bëjë përjashtim nga trendi ballkanik.

Parlamenti 2017, parlamenti i brezit të ri

Posted: 05 Jul 2017 06:37 AM PDT

Parlamenti i ardhshëm do të jetë parlamenti i brezit të ri në politikë. Nga 140 deputetë që do të ulen në parlamentin e ardhshëm, 63 do të jenë krejtësisht emra të rinj në politikë.
Rekordin me freskimin e listave e mbajnë demokratët që nga 43 deputetë që fituan në 25 Qershor, 23 janë të rinj.Demokratët në këto zgjedhje mbajnë edhe rekordin për lista tërësisht të reja në qarqet e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës.
Për socialistët nga 74 deputetë që fituan në 25 Qershor, 32 do të jenë rishtarë në majën e politikës së vendit. Socialistët janë treguar të kujdesshëm të gërshetojnë emrat tradicionale me prurjet e reja, megjithëse fazën e rinovimit total të listës e kanë kaluar në zgjedhjet e vitit 2009.
Levizja Socialiste për Integrim siguroi 19 deputetë nga zgjedhjet e 25 Qershorit. Prej tyre 6 janë emra të rinj që vijnë kryesisht nga forumi rinor i LSI.
Për PDIU ka dy risi, e para se listën e deputetëve nuk e kryeson me kreu i partisë Idrizi dhe e dyta se nga tre deputetë fitues, dy janë prurje të reja.
E sigurtë është se parlamenti i ardhshëm me mandatet e çertifikuara nga KQZ, siguron gati një shkëmbim brezash në politikën shqiptare.

Plazhet; Jo të gjitha me roje bregdetare

Posted: 05 Jul 2017 06:05 AM PDT

Pergjatë vijës bregdetare Kepi i Rodonit-Divjakë 70 km të gjatë shtrihen një numër i madh plazhesh.Një pjesë e tyre kanë ngritur kulla vrojtimi dhe kanë punësuar roje shpëtimi ,ndërsa një pjesë e tyre nuk e ka këtë shërbim. Gentian Marishta, specialist pranë Agjencisë Bregdetare thotë se "Agjencia ka trainuar 42 roje bregdetare në Mal të Zi për të shërbyer në të gjithë bregdetin por ato janë jashtë shërbimit pasi bashkitë bregdetare nuk i paguajnë.". Dhe sigurisht për të joshur klientelë, ata që kanë siguruar shërbimin e rojeve të plazhit janë privatët. Zamir Kaba dhe Oerd Zuna janë dy të rinj të trajnuar dhe që prej vitesh shërbejnë si roje plazhi në plazhet e Golemit. Nga ana e tyre, pushuesit thonë se shërbimi i rojeve bregdetare është domosdoshmëri. Sipas tyre, fëmijët mund të luajnë e prindërit vetë të ndihen më të sigurt duke patur edhe vëmendjen e rojeve bregdetare. Vitin që shkoi,në plazhet e Durrësit dhe të Kavajës u mbytën në det 12 persona ndaj ky shërbim duhet ngritur atje ku mungon.

BQE: Euro vijon të mbetet e fortë në Ballkan

Posted: 05 Jul 2017 05:52 AM PDT

Ndikimi ndërkombëtar i euros, është bazë e një studimi të zhvilluar nga Banka Qëndrore Europiane. Duke u ndalur në Ballkanin jugperëndimor paratë e gatshme në euro janë ende të përhapura në Shqipëri, Kroaci, ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbi. Rezultatet nga studimet sugjerojnë se agjentët në rajon vazhdojnë të preferojnë para në euro për arsye që lidhen kryesisht me besimin edhe pse pas krizës financiare botërore dhe krizës së borxhit të eurozonës, besimi në euro ka rënë .
Euroizimi jozyrtar është një element i spikatur i sistemeve bankare në shumicën e vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për në BE, në veçanti Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbisë. Por ky Euroizimi jozyrtar sipas Bankës Qëndrore Europiane, është një rrezik për stabilitetin financiar në rast të luhatjeve të papritur dhe të konsiderueshme të kursit të këmbimit dhe kufizon hapësirën e manovrimit të politikës monetare. Disa shtete mes tyre edhe Shqiperia po punojnë për përgatitjen e kornizave të politikës monetare për të lehtësuar këtë rrezik duke siguruar stabilitetin nominal të kursit të këmbimit. Për më tepër, euroizimi pengon transmetimin e impulseve të politikës monetare dhe kështu kufizon efektivitetin e saj thuhet në publikimin e Bankës Qendrore Europiane.

Trafiku i kanabisit, arrestime në Tiranë

Posted: 05 Jul 2017 05:46 AM PDT

Policia e Tiranës sekuestroi 50 kg kanabis si dhe vuri në pranga 3 persona gjatë operacionit të koduar "Kalaja". Blerim e Dritan Murati dhe Bashkim Mema u arrestuan gjatë momentit të shkëmbimit të drogës në rrugën e vjetër Vorë-Rinas. Trafikimi i lëndës narkotike kryhej si në filma duke shkëmbyer automjetet me njeri- tjetrin, për të mos rënë në sy të njerëzve dhe policisë. Për këta shtetas është arritur të dokumentohet veprimtaria kriminale e shpërndarjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit. Ndërkohë, në afërsi të fshatit Urë, në vendin e njohur Maja e Ksulit, policia ka zbuluar një parcelë të hapur rishtas me 434 bimë hashashi. Në parcelën e zbuluar nga komisariati nr. 4, uniformat blu gjetën edhe 54-vjeçarin Aqif Kryeziu, i cili u arrestua në flagrancë.

Eda Zari rikthen Jazz-in në “Wine Fest”

Posted: 05 Jul 2017 05:42 AM PDT

Kjo fundjavë do të jetë një fundjavë kushtuar e gjitha Jazzit dhe Verës në Porto Palermo në Himarë. Në mbrëmjen e 7 Korrikut hap dyert edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar i Jazz-it dhe Verës. Në skenën me qiell të hapur plot pluhur yjesh në Porto Palermo, do të rrugëtojnë artistë të skenës së Jazz- it Internacional. Një nismë e artistes së Jazzit Eda Zari, ky festival qëmton Shqipërinë e bukur që ta zbulojmë përmes muzikës. Eda Zari shprehet kështu: "Festivali do të ftojë në skenën e tij, artistë shqipëtarë nga diaspora dhe trojet e Shqipërisë si nga dhe vendet e tjera të Ballkanit, si Maqedonia, Kroacia, apo nga Zelanda e Re, Bregu i Fildishtë, Kuba, Kolumbia, Gjermania, Hollanda, Turqia, etj., duke e kthyer gjirin e Panormos (emri i lashtë për Porto Palermon, që do të thotë "vend i mbrojtur") në një port komunikimi përmes muzikës." Emra që zbresin nga skenat ndërkombetare, e tillë është artistja nga Havana de Cuba, Maryali Pacheco, pianistja dhe kompozitorja e cila bashkëpunon me Richard Bona, Omar Sosa dhe perkusionistin e Stingut Rhani Krija. Gjithashtu mbi madhështinë e detit Jon do të ngjiten artistët e skenës së Jazz-it shqiptar, si pianisti maestro Gent Rushi, Ermal Rodi, saksofonisti i mirënjohur, Enver Muhamedi, kontrabasisti kosovar i suksesshëm në skenat ndërkombëtare të Jazzit. Ndërsa muzika duhet të shijohet nga shpirtrat, vera do te jetë shoqëruesja besnike e dy netëve të Festivalit ku do të prezantohen verërat më përfaqësuese që vijnë nga Maqedonia, Kosova, Greqia, Gjermania, Franca dhe Italia, shoqëruar me traditën e pasur të kulinarisë.

Basha OSBE-ODIHR-it: Zgjedhjet e 25 qershorit ishin prova e fundit e vdekjes klinike të zgjedhjeve të lira në Shqipëri

Posted: 05 Jul 2017 05:24 AM PDT

Kreu i deritanishëm i PD Lulzim Basha, ka deklaruar se zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri ishin prova e fundit e vdekjes klinike të zgjedhjeve të lira. Deklaratën e tij zoti Basha e bëri gjatë një takimi të mërkurën në Tiranë me drejtues të lartë të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR. Për kreun e PD një rol të vecantë në këto zgjedhje luajti shitblerja e votave, paraja e përfituar nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, nga bandat kriminale me mbështetje qeveritare. Në ndihmë të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u përdor edhe shumëfishimi i listës së përfituesve të ndihmës ekonomike ,si edhe punësimet masive në administratë, tha zoti Basha. Dy zyrtarë të lartë të PD zoti Spaho dhe Bylykbashi referuan në takim raste të blerjes se votave në Elbasan dhe Durrës, ku policia sipas tyre nuk ka ndërhyrë. Zoti Basha kërkoi qëndrim realist nga OSBE për problemet sipas tij të procesit zgjedhor. Kjo do ta ndihmonte Shqipërinë tha zoti Basha, për të dalë nga stadi i avancuar i zëvendësimit të demokracisë me një regjim që për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve, mbështëtet tek krimi, droga dhe korrupsioni galopant.

Ronaldinjo, spektakël në miqësoren e legjendave

Posted: 05 Jul 2017 04:37 AM PDT

Ditët e fundit në stadiumin mitik "Kamp Nou" të Barcelonës, është zhvilluar një ndeshje bamirësie midis legjendave të klubit katalan Barcelona dhe atyre të Mançester Junajtid. Natyrisht, nuk ka munguar spektakli dhe një nga protagonistët e tij ka qenë padyshim ylli i Barcelonës, Ronaldinjo. Ndonëse 37-vjeçar, dhe zyrtarisht jashtë karrierës aktive si futbollist, Ronaldinjo ka dëshmuar edhe një herë se nuk ka humbur asgjë nga talenti dhe reflekset e tij të jashtëzakonshme.
Ish-ylli i Paris Sen Zhërmenit, Milanit dhe Barcelonës e ka turpëruar njërin prej ish-futbollistëve të spikatur të Mançester Junajtid gjatë ndeshjes në "Kamp Nou". Ronaldinjo i dha një leksion Jesper Blomkvistit, ndërsa nuk nguroi të shpaloste edhe pasim të kamufluar për një tjetër ish-yll brazilian të katalanëve, 45-vjeçarin Rivaldo, që për pak sa nuk shënoi me një finte të bukur.
Pavarësisht gjithë kësaj, ndeshja ku luajtën edhe Edgar Davidsi, Duajt Jorku dhe Karel Poborski, u fitua nga Mançester Junajtid 3-1.