RTSH: “Hidhet shorti i Kategorisë Superiore” plus 9 more |
- Hidhet shorti i Kategorisë Superiore
- Vaqarr-Rama: Koalicion me qytetarët për bashkëqeverisje, për Shqipërinë që duam
- Gjykata shpall dënimin me 129 vite burg për 9 anëtarët e grupit “Xibraka”
- Zhvendosni gjendjen civile aty ku jetoni, gjobiteni pas 28 korrikut
- Situata e zjarreve në vend
- Ermonela Jaho magjeps kritiken spanjolle
- KQZ: Të publikohen hetimet për krimin zgjedhor
- Vlorë: Drama, dy krisma në Paris
- Kaufman: Shoqëria civile jeton në një flluskë…
- Turizmi në Berat
| Hidhet shorti i Kategorisë Superiore Posted: 11 Jul 2017 07:02 AM PDT Skuadrat e kategorisë superiore në futboll janë njohur tashmë me shortin e kampionatit të 79-të kombëtar. Për herë të parë në historinë e vet, futbollit shqiptar, elitar, do t’i mungojë Tirana, që do të luajë në kategorinë e parë për sezonin e ardhshëm. 10 ekipet që do të lutojnë për titullin kampion apo për të zënë një vend midis 4 të parave për t’iu dhënë mundësia të luajnë në kupat e Evropës, janë njohur me kundërshtarët që do të përballen përgjatë javëve të sezonit të ri futbollistik. Kukësi, Partizani, Skënderbeu, Luftëtari, Teuta, Laçi, Vllaznia e Flamurtari janë skuadrat që vijnë nga kampionati kaluar, ndërsa Kamza e Lushnja janë prurjet nga kategoria e parë. Sipas shortit të hedhur në ambjentet e FSHF, nga sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku e shefi i sektorit të garave, Lysjen Nurishmi, në javën e parë do të ndeshen, Partizani-Laçi, Kukësi-Kamza, Skënderbeu-Flamurtari, Lushnja-Vllaznia dhe Teuta-Luftëtari. Sekretari i përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku shpjegon para mediave se fillimi i kampionatit në 9 shtator nuk është i vonuar. "I kemi dërguar nga një shkresë klubeve ku i kemi marrë nga një mendim për datën e fillimit të kampionatit dhe shumica e klubeve të kategorisë superiore dëshirojnë të filloje me datë 9 shtator. Duke marrë për bazë këtë kërkesë të klubeve komuniteti ekzekutiv vendosi që kampionati të filloje me ktë datë. Siç e dini me datën 6 do të luhet superkupa e shqipërisë". Gjithashtu ai ka sqaruar se nuk do të ketë aspak ngjeshje të ndeshjeve, por kalendari është studiuar mirë dhe nuk do të ketë më shumë se 4-5 ndeshje në muaj. |
| Vaqarr-Rama: Koalicion me qytetarët për bashkëqeverisje, për Shqipërinë që duam Posted: 11 Jul 2017 06:52 AM PDT Kryeministri është ndalur sëbashku me ekipin e tij në Vaqarr për dëgjesën publike të rradhës. Duke ritheksuar vizionin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme Rama ka vlerësuar se bashkëqeverisja do të jetë pikërisht me dhe për qytetarët: “Jemi angazhuar në një proçes të dëgjesave në të gjithë territorin e vendit për të filluar të ndërtojmë bazën e një koalicionit të madh mes partisë socialiste dhe qytetarëve njerëzve të zakonshëm të këtij vendi të cilët ne duam ti bëjmë pjesë aktive të qeverisjes”. Me zhvillimin e teknologjise nga njëra anë, e nga ana tjetër me ndërgjegjësimin e qytetarëve për t`u bërë pjesë integrale e vendim marrjeve, Rama tha se zgjidhja e problemeve do të bëhet duke vlerësuar prioritetet dhe mundësitë: “Numri i gjërave që duhet të zgjidhim është më i madh se sa mundësitë. Atëhere si çdo shpi duhet vendosur sipas mundësive prioritetet. Unë besoj shumë që falë teknologjisë së re, falë përdorimit më masiv të internetit është plotësisht e mundur që ne të krijojmë një bashkëqeverisje reale ku çdo individ ku ka dëshirën, vullnetin të bëhet pjesë e një trupe të madhe të mund të jetë një trup që komunikon në kohë reale për problemet, për nismat e ndryshme që merr qeveria, për vendimarrjen e qeverisë dhe sigurisht për idetë dhe sugjerimet që kanë vet njerëzit” tha më tej kryeministri Rama. Do të jenë vetë qytetarët siç vlerësoi kryeministri të cilët do të vlerësojnë punën e qeverisjes, duke risjellë konceptin e çuarjes së tepsisë për skrap, për të ndërtuar tashmë një administratë publike plotësisht në shërbim të qytetarit. |
| Gjykata shpall dënimin me 129 vite burg për 9 anëtarët e grupit “Xibraka” Posted: 11 Jul 2017 06:29 AM PDT Ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda për grupin e kokainës të quajtur "Xibraka". Të pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila është refuzuar fillimisht nga Gjykata. Që prej orës 11:00, trupi gjykues u tërhoq për të marrë një vendim. Pas 5 orësh ata janë futur në sallë ku kanë shpallur vendimin. Prokuroria kish kërkuar 126 vite burg për 9 të arrestuarit e këtij grupit, midis të cilëve edhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha. Rezulton e provuar se të pandehurit kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike, në kuadër të të cilit ata kanë importuar në territorin e Republikës së Shqipërisë një sasi lënde në përmbajtje të së cilës ka qenë e fshehur kokainë. Për ekstraktimin e saj, ata kanë ngritur edhe një laborator ku përpunohej lënda bazë që përmbante kokainën deri sa nxirrej në formën e saj përfundimtare, e gatshme për t'u shitur në treg apo trafikuar. Prania e kokainës në një sërë lëndësh që ndodheshin të depozituara në enë, shishe qelqi, qese, kontenierë etj, të sekuestruara në magazinë, siç u përshkrua në mënyrë të detajuar më lart, provon plotësisht se në magazinën në Xibrakë ishte ngritur një laborator për ekstraktimin e kokainës nga lënda ku ishte fshehur më parë, me qëllim kalimin me lehtësi të kontrolleve në pikat doganore. |
| Zhvendosni gjendjen civile aty ku jetoni, gjobiteni pas 28 korrikut Posted: 11 Jul 2017 06:23 AM PDT Vetëm 17 ditë kanë mbetur nga afati që Ministria e Brendshme ka vendosur për qytetarët që të bëjnë zhvendosjen e gjendjes civile ne zonën apo qytetin ku jetojnë, pa kryer ndonjë pagesë. Pas 28 korrikut qytetaret qe nuk përputhin vendbanimin me gjenden civile do të gjobiten me 10 mijë lekë. Kjo vlerë do të vilet në momentin më të parë kur banori te kërkoje çertifikatë apo vërtetim lagje. Por gjoba nuk është penaliteti i vetëm për qytetarët që nuk zbatojnë ligjin. Ata do të kenë probleme me shërbimet si zyrat e gjendjes civile, me kartat e parkimit që do të vihen në funksion, por edhe me regjistrimin e fëmijëve në kopshte e shkolla. Drejtori Bledar Doracaj tregon për televizionin shqiptar proçedurat që i duhen qytetarëve për të kryer zhvendosjen. "Kontratë qeraje, çertifikatë pronësie, kontratë sipërmarrjeje apo çdo lloj dokumenti tjetër dhe kopjen e kartës së identitetit .Me njërin nga këto dokumenta paraqitesh pranë sporteleve të Gjendjes Civile aty ku ti do shkosh jo aty ku je. Po perëndon koha kur shteti se dinte ku i ka shtetasit e vet" tha Doracaj. Pjesë e këtij ligji janë edhe qeraxhinjtë të cilët ndrrojnë shpesh banesa, të cilëve do tu duhet që gjithmonë brenda afatit një mujor të kryejnë edhe zhvendosjen. "Vetëm një muaj e ka të përcaktuar ligji dhe besoj është një periudhë e mjaftueshme për çdo qytetar në momentin që ai zhvendoset nga një banesë në një banëse tjetër, nga një adresë në një adresë tjetër. Studentët kanë një kontratë me drejtorinë atje, edhe ai është një dokument ligjor për tu çuar në një zyrë shteti dhe me një kopje të kartës së identitetit mund të paraqiten pranë zyrave të gjendjes civile". Edhe pse jemi në limitet e kohës, shumë qytetarë nuk e kanë plotësuar formularin që grupet në terren u japin banorëve për të vendosur të dhënat e tyre. "Një numër qytetarësh të cilët nuk i kanë plotësuar ose nuk kanë pasur mundësi që operatorët tanë të mund ti mbledhin kto formularë gjë e cila do të vazhdoje në ditët në vijim për ta kompletuar". Drejtori Dorjan Doracaj thotë se do të shpërndajë një urdhër që deri më datën 28 korrik sportelet e gjendjes civile të jenë të hapura edhe në fundjavë, për ti shërbyer atyre qytetarëve që janë në mardhënie pune. |
| Posted: 11 Jul 2017 05:52 AM PDT Në 8 qarqe të vendit vijon të jetë prezent rreziku nga vatrat e zjarreve të shkaktuara nga temperaturat e larta si dhe në raste të vecanta, nga persona të pa identifikuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar plot 12 vatra zjarri në qarqete Dibrës Gjirokastrës, Shkodrës , Elbasanit, Korcës fierit, Vlorës dhe në rrethinat e kryeqytetit. Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 115 zjarrfikës me 13 automjete, 50 forca ushtarake, 79 vullnetarë si dhe helikopterë. Nisur nga situata e temperaturave te larta dhe emergjencës civile shkaktuar nga zjarret, OSHEE ka vendosur ne gatishmëri të plotë 1800 punonjës në të gjithë vendin, duke patur në fokus edhe zonat turistike bregdetare. Përgjatë vijës bregdetare janë vendosur 100 punonjës shtesë si përforcim për menaxhimin sa më efikas të situatës, ndërsa deri tani raportohet se nuk ka asnjë fidër të stakuar të cilët furnizojnë zonat bregdetare. Sakaq, si masë sigurie është stakuar një kabinë në Barbullush për shkak të rënies së zjarrit në Kodër Muni. Aktualisht pa energji është pjesërisht zona e Barbullushit. Ndërkohë, të gjitha linjat që furnizojnë spitalet, ujësjellësit dhe institucionet e rëndësisë së veçantë janë të gjithë në punë. |
| Ermonela Jaho magjeps kritiken spanjolle Posted: 11 Jul 2017 05:24 AM PDT Soprano shqiptare njejtësohet aq shumë me veprën e Puçinit aq sa ishte sikur të vdiste vërtetë në skenë. Kështu e nis kritikën Ruben Amon në gazetën më të rëndësishme spanjolle El Pais duke analizuar operan Madame Butterfly ku Ermonela Jaho shkëlqeu në rolin kryesor për disa netë me radhë. Të qash në opera a është një dobësi? Me këtë pyetje gazetari spanjoll fton të futemi në thellësinë e një produksioni dhe interpretimi mbresëlënës të Ermonela Jahos në Teatrin Mbretëror në Madrid. Ermonela Jaho e shndërron "Butterfly" në një epidemi lotësh, psherëtimash dhe emocionesh. A duhet te emocionohet një artist, apo kjo do ta çonte në një udhë humbjeje? Njeriu i bën këto pyetje vetes pasi ka asistuar në zbulesën e Ermonela Jahos si protagoniste në Madame Butterfly në teatro real. E nuk flas për një zbulesë me efekt surprizë, por thënë më mirë në pranimin e misterit. Mister që do të thotë se sopranoja shqiptare jepte përshtypjen të njësohej aq shumë në rolin e Cio Cio San sa na jepte ndjesinë se po dashuronte, vuante dhe ishte në agoni prej verteti. Përceptojmë tragjedinë sikur të ishte duke ndodhur aty në skenë. Ky është vetëm një ekstrakt nga kritika e shkëlqyer që media spanjolle i ka dedikuar sopranos shqiptare pas suksesit në teatro Real ku opera u drejtua nga dirigjenti Marco Armiliato ndërsa regjia nga Mario Gas. |
| KQZ: Të publikohen hetimet për krimin zgjedhor Posted: 11 Jul 2017 05:12 AM PDT Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, i bën thirrje institucioneve ligjzbatuese, që të bëjnë publike rezultatet e hetimeve administrative dhe penale për krimin zgjedhor. Në një komunikim me mediat, Zguri tha se proçesi zgjedhor ka regjistruar edhe incidente e shkelje të natyrave të ndryshme për të cilat qytetarët presin drejtësi. "Shqiptarët presin që të bëhët publik sa më shpejt rezultati i proçedimeve penale për të gjitha veprat penale në fushën e zgjedhjeve që janë nën hetim. Për ktë arsye u bëj thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të përmbyllin me përparësi proçedurat e tyre të hetimit administrativ apo penal dhe të bëjnë sa më shpejt publike rezultatet e punës së tyre" tha zoti Zguri. KQZ ndërkaq njofton se ka përfunduar afati për dorëzimin e kërkesave ankimore në këtë institucion, shqyrtimi i të cilave do të kryhet deri më 20 Korrik, por subjektet politike ende kanë të drejtë t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor. "Ktë të drejtë e kanë shfrytëzuar partia PDIU e cila kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për qarkun Tiranë. PD e e cila kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për qarkun Berat si dhe PS e cila kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për qarkun Tiranë. Tabelat përmbledhëse të rezultatit për qarqet e tjera nga sot e theksoj nuk mund të kontestohen më". Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka hedhur edhe shortin për caktimin e relatorit të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste. Kërkesa ankimore e socialistëve do të shqyrtohet nesër dhe relator i saj u caktua Denar Biba. |
| Vlorë: Drama, dy krisma në Paris Posted: 11 Jul 2017 04:59 AM PDT Drama "Dy krisma në Paris" rikthehet në teatrin "Petro Marko" të Vlores, pas 30 vitesh. Kësaj here jo nga ndonjë trupe profesionistë, por nga studentët e universitetit "Ismail Qemali", të cilët u cilësuan aset i universitetit dhe i qytetit të Vlorës. "Vetëm studentët janë ata që mund të bëjnë bashkë në një shfaqje historinë, ndërgjegjen kombëtare, pedagogjinë, drejtësinë, gjykatësin, prokurorin, folklorin pra të gjitha elementet e kulturës jo vetëm shqiptare por dhe të kulturës universale" theksoi Rektori i Universitetit të Vlorës Roland Zisi. Loja e studentëve, mes të cilëve spikati dhe Gentian Këllçiu në rolin kryesor, atë të Avni Rustemit përcolli emocione tek spektatorët që kishin mbushur sallën të cilët nuk i kursyen duartrokitjet. |
| Kaufman: Shoqëria civile jeton në një flluskë… Posted: 11 Jul 2017 04:59 AM PDT
“Ka ende mungesë të madhe të bashkëpunimit, mungesë të madhe besimi në politikë dhe në politikanët. Publiku nuk merr pjesë në procesin e vendimmarrjes dhe është i nevojshëm. Kjo është arsyeja pse ne po mbështesim shoqërinë civile, për të bërë pjesëmarrjen e shoqërisë dhe për ta bërë politikën më transparente “, tha Walter Kaufmann, kreu i departamentit të Evropës Lindore dhe Juglindore të Fondacionit Heinrich Boell, gjatë një bisede me gazetarët e mbledhur në Forumin e Shoqërisë Civile që po mbahet në Trieste. “Nganjëherë shoqëria civile jeton në një lloj flluskë, dhe kjo është ajo që gjithashtu duhet të ndryshojë. Ne duhet t’i inkurajojmë njerëzit që të punojnë më shumë me njerëzit e zakonshëm, njerëzit në rrugë, për të dëgjuar zërat e tyre dhe për t’u dhënë më pak shanse politikanëve populistë të thonë se ata veprojnë në emër të njerëzve të zakonshëm, gjë që zakonisht nuk është rasti ” tha zoti Kaufmann. |
| Posted: 11 Jul 2017 04:34 AM PDT Bashkimi i turizmit kulturor dhe historik me atë të aventurës është mundësia më e mirë e zhvillimit të qytetit të Beratit nëpërmjet kësaj pasurie. Përllogaritja nga shitja e biletave në hyrje të lagjes muzeale "Kala" është treguesi i vetëm i shtimit të fluksit turistik nga viti në vit. 30 deri në 40 % të numrit të vizitorëve po njeh Berati vitet e fundit. Ndonëse, nuk ka një shifër të përllogaritur sesa janë të ardhurat që gjenerohen nga zhvillimi i turizimit në këtë qytet për kryetarin e bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, shtimi i akomoditeteve pritëse tregon se kemi të bëjmë me një zhvillim me hapa të shpejtë të turizmit. 27 hotele, hostele, shtëpi pritëse numërohen sot në qytetin e Beratit, ku pjesa më e madhe e tyre kanë nisur të lulëzojnë në tre vitet e fundit është treguesi më i mirë se turizmi në këtë qytet po zhvillohet ndjeshëm. Pranë këtyre bizneseve po rritet ndjeshëm dhe fuqija punëtore dhe për këtë bashkia e shikon zhvillimin e turizmit si mundësi zhvillimi. |
| You are subscribed to email updates from RTSH-Radio Televizioni Shqiptar. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





