“Pakistan: Vritet një politikan opozitar dhe ngasësi i veturës” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Pakistan: Vritet një politikan opozitar dhe ngasësi i veturës
- Moskë: Bastiset selia e opozitarit rus Navalny
- Thaçi: Kam konfirmimin nga mandatari i koalicionit fitues se Qeveria formohet pa vonesa
- Trump arrin në Hamburg
- Trump: T'i luftojmë format e reja të agresionit
- BE-ja e përkrah Qeverinë e Maqedonisë për realizimin e reformave
- Kasparov i rikthehet shahut
- Trump kritikon “aktivitetet destabilizuese” të Rusisë
- BE dhe Japonia arrijnë marrëveshje të tregtisë së lirë
- NATO i kërkon Koresë V. të braktisë armët e shkatërrimit në masë
- Mikullovci: Mund të ndodhë gjithçka, por kurrë që unë të votoj për PAN-in
- Mikullovci: Qeverinë e formon Vetëvendosje
- Trump konsideron përgjigje “shumë të rëndë” për Korenë V.
- Turqia arreston aktivistë të të drejtave të njeriut, përfshirë drejtoren e AI-së
- Punimet në urën mbi Ibër, mbesin të pezulluara
- Trump: Amerika e përkushtuar për paqen në Evropë
- Johnson: Kina të bëjë presion mbi Korenë e Veriut
- Polonia blen sisteme raketore Patriot nga SHBA-ja
- Iranianët i kthehen pelegrinazhit të Haxhit
- AI fajëson BE-në për vdekjet e migrantëve në Mesdhe
| Pakistan: Vritet një politikan opozitar dhe ngasësi i veturës Posted: 06 Jul 2017 09:53 AM PDT Persona të armatosur kanë vrarë, Malik Naveedin, lider i një partie politike të Pakistanit, në qytetin Kueta, ka njoftuar policia e Baloçistanit. Malik Naveed, 38 vjeçar dhe roja e tij, Mohammad Zareef, 42 vjeçar, janë qëlluar derisa ishin në makinë, ka thënë zyrtari i policisë, Ashraf Jattak. Ai ka njoftuar se dy burrat kanë vdekur derisa po dërgoheshin në spital. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Naveed ka qenë lideri i partisë opozitare, Partia Kombëtare e Baloçistanit. Në provincën e Baloçistanit veprojnë shumë grupe nacionaliste dhe separatiste, të cilat luftojnë kundër qeverisë. Talibanët e grupit Al-Kaida, dhe militantët e lidhur më grupin ekstremist, Shteti Islamik, janë po ashtu aktiv në këtë rajon në të cilin gjendet kufiri me Afganistanin dhe Iranin. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Moskë: Bastiset selia e opozitarit rus Navalny Posted: 06 Jul 2017 09:14 AM PDT Hetuesit rusë kanë bastisur zyrën e liderit opozitar në Moskë, Aleksei Navalny, një ditë para se ai të lirohet nga burgu, kanë thënë disa aktivistë. Sipas tyre, 10 zyrtarë policor, kanë konfiskuar nga zyrat disa kompjuterë dhe material të fushatës. "Materiali në selinë e Moskës, është konfiskuar", ka njoftuar në Facebook, kordinatori i zyrës për kampanja, Nikolai Lyaskin. Policia nuk i ka komentuar këto raportime. Aleati i Navalnyt, Leonid Volkov, ka thënë se autoritetet janë duke bastisur zyra edhe në qytete tjera në Rusi, duke konfiskuar material të fushatës. Navalny synon të kandidojë për pozitën e presidentit të Rusisë në mars të vitit 2018, ndonëse Vladimir Putin, pritet qe të jetë edhe për një mandat në këtë pozitë. Zyrtarët rusë ia kanë ndaluar Navalnyt pjesëmarrjen në zgjedhje, duke cituar një dënim penal. Navalny ka thënë se dënimi ka qenë i motivuar politikisht për ta bllokuar kandidimin e tij. Navalny, i cili ka organizuar disa protesta kundër qeverisë, pritet të lirohet nga burgu më 7 korrik. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Thaçi: Kam konfirmimin nga mandatari i koalicionit fitues se Qeveria formohet pa vonesa Posted: 06 Jul 2017 08:35 AM PDT Intervistoi: Amra Zejneli Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka marrë konfirmimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve (koalicioni PAN) dhe mandatari për kryeministër (Ramush Haradinaj) se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të formohet pa vonesa. Ai deklaroi se "çështja e mandatit nuk është çështje e preferencës, por e respektimit të legjitimitetit qytetar". "Kosova e ka koalicionin fitues që ka dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit. Unë do të respektoj Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, prandaj kam konfirmimin edhe nga mandatari i koalicionit fitues se ka siguruar numrat e mjaftueshëm të deputetëve për themelimin e Qeverisë së re", tha Thaçi. Ai tha se është duke pritur përmbylljen e procesit të certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe më pastaj të ulet me spektrin politik dhe bashkërisht të caktohet data e konstituimit të Kuvendit dhe themelimit të Qeverisë së re. Sa i përket mundësisë që mandatari i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj të dështojë të sigurojë votat për formimin e Qeverisë dhe mundësisë që Thaçi më pas t'ia jap mandatin kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, presidenti Thaçi tha se nuk mund t'i parashikojë as paragjykojë zhvillimet e ardhshme. "Nuk dëshiroj të prejudikoj. Nga mandatari (Ramush Haradinaj) e kam konfirmimin se i ka siguruar votat. Në çdo rrethanë mendoj se duhet të ndodhë një dialog mes spektrit politik si të veprohet tutje. Unë do të ndërmarr vetëm veprime ligjore, kushtetuese pa ndikime politike", tha Thaçi. Ai shprehu besimin se nuk do të ketë mandatar të dytë dhe Qeveria do të formohet që në përpjekjen e parë. Sa i përket rolit të pakicave rreth formimit të Qeverisë, Presidenti i Kosovës tha se përfshirja e komuniteteve pakicë nuk duhet të shihet si pengesë, por si vlerë. Sipas tij, të gjitha partitë politike duhet të angazhohen për dialog të brendshëm, duke mos hezituar që kontaktet t'i vënë edhe me Listën Serbe, e cila kryesisht mbështetet nga Beogradi zyrtar. Faza e re e dialogut me Serbinë finalizohet me marrëveshje Duke folur për dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi tha se pas pesë vjetësh të dialogut teknik dhe arritjes së disa marrëveshjeve të rëndësishme dhe zbatimit të disa prej tyre, ka ardhur koha që ky proces të shkojë drejt përmbylljes. Ai tha se faza e re e dialogut nënkupton përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje të gjerë politike. "Ne kemi menduar, në konsultim me Bashkimin Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, që ky proces të avancohet në një nivel më të lartë politik, që çon drejt një normaliteti të marrëdhënieve tona por edhe të pajtimit të shteteve dhe popujve tanë", tha Presidenti. "Kjo fazë e re nënkupton përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje të gjerë politike, një marrëveshje gjithëpërfshirëse, dhe një marrëveshje që do të hapë sigurt perspektivën euro-atlantike të Kosovës, që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së", thotë Thaçi. I pyetur se nëse ai do të udhëheq dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi tha se "natyrisht, në bazë të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, Presidenti i vendit udhëheq dhe koordinon politikën e jashtme". Thaçi shtoi po ashtu se pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës, do të formohet një ekip i gjerë, ku do të përfshihen edhe bartës të institucioneve, njerëz nga shoqëria civile dhe mediat, të cilët do të përbëjnë një ekip, që do të udhëheq këtë fazë të dialogut. Ndonëse thotë se faza e re e dialogut do të jetë përmbyllës, Thaçi thotë se nuk dëshiron të paragjykojë, që kjo fazë do të mbyllet me njohje reciproke. "Unë nuk dëshiroj të prejudikoj, por jam i sigurt se Kosova do të afirmohet në një stad të ri ndërkombëtar", thotë Thaçi. Duke iu përgjigjur kritikave nga disa subjekte politike për marrjen e primatit në dialogun me Serbinë, Thaçi tha se ka përgjegjësi kushtetuese që të udhëheqë politikën e jashtme të Kosovës. Përkundrazi, sipas tij, do të ishte papërgjegjësi, nëse ai nuk do ta luante këtë rol. "Në këtë fazë të re të dialogut do të ketë hapësirë për të gjithë, për të gjithë bartësit e institucioneve, Qeverinë, Kuvendin, partitë politike opozitare, shoqëria civile, mediat, opinionistët e ndryshëm dhe të gjithë ata që duan ta japin kontributin e tyre", tha Thaçi. Sipas tij, kjo fazë do të jetë më e shkurtër sesa që mendohet. "Nuk mendoj se duhet të kalojnë vite duke negociuar", tha Presidenti. Gjykata Speciale – padrejtësi historike që është dashur të gëlltitet Nga 6 korriku, Gjykata Speciale për krime lufte ka plotësuar të gjitha parakushtet ligjore-kushtetuese që të nisë me punën, që nënkupton edhe me proceset e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, për të cilët pretendohet se kanë kryer krime. Në lidhje me këtë, Thaçi tha se Kosova i ka kryer obligimet e veta politike dhe institucionale. "Tash politika nuk duhet në asnjë rrethanë të krijojë opinione çfarë dëgjohen aty-këtu. Politika duhet të hesht dhe t'i jap mbështetje të fuqishme sistemit të drejtësisë", tha Thaçi. "Unë edhe si ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm kam udhëhequr këtë proces të themelimit të Gjykatës me besimin e plotë dhe të patundur që të ruhet dhe të kultivohet partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me NATO-n dhe Bashkimin Evropian". "Kam qenë i vetëdijshëm se ka qenë një Gjykatë e padrejtë historikisht dhe një-etnike, por ka qenë dashtë të gëlltitet kjo re e zezë që sillej mbi Kosovën në interes të vendit dhe perspektivës euro-atlantike të shtetit dhe qytetarëve tanë", thotë presidenti Thaçi. Thaçi tha se Kosova ka dhënë tashmë shembullin më të mirë të bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare, çka është dëshmuar edhe në proceset e deritashme. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Posted: 06 Jul 2017 08:30 AM PDT Presidenti amerikan, Donald Trumo ka arritur në Hamburg të Gjermanisë për tu takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, para fillimit të samitit G20. Trump mund të përballet me situatë tensionuese në Gjermani, si nga liderët skeptikë që do të marrin pjesë në samit, ashtu edhe nga mijëra protestues në rrugë. 20,000 policë janë ftuar për të ruajtuar sigurinë gjatë mbajtjes së samitit. Pritet që Trump të takohet edhe me presidentin e Koresë Jugore, Jae-in, dhe kryeministrin japonez, Shinzo Abe. Njëra nga çështjet kryesore të diskutimit pritet të jetë edhe testimi i një rakete balistike interkontinentale nga Koreja Veriore më 4 korrik. Në mbëmjen e 6 korrikut, është njoftuar se do të mbahet një protestë, që organizatorët e kanë quajtur, "G20: Mirësevini në ferr". Gjermania ka njoftuar se gjatë mbajtjes së këtij samiti presin mijëra protestues në rrugë, duke mos lënë anash edhe tentime për sulme të dhunshme në rrugë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump: T'i luftojmë format e reja të agresionit Posted: 06 Jul 2017 06:55 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, iu drejtua të enjten popullit polak nga Sheshi Krasinski i Varshavës. Ai e cilësoi Poloninë si njërin nga vendet më të përkushtuara të NATO-s. Trump tha se aleanca duhet të përshtatet për t'u përballur me sfida të reja. (Video: Reuters) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| BE-ja e përkrah Qeverinë e Maqedonisë për realizimin e reformave Posted: 06 Jul 2017 06:53 AM PDT Ekspertët për çështje të integrimeve duke komentuar kapacitete e Qeverisë së Maqedonisë, për të realizuar reformat e paralajmëruara përmes planit, siç e kanë quajtur 3- 6-9, si kusht për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO, thonë se strategjia është e mirë por suksesi do të varet nga përkushtimi i strukturave udhëheqëse për t`i realizuar reformat. Këto reforma, kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor, mediat, administratën, policinë sekrete, "Marrëveshjen e Ohrit", luftën kundër korrupsionit dhe të tjera. Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zbogar tha se Qeveria e re e Maqedonisë ka krijuar një atmosferë të re shpresëdhënëse, sa i përket procesit të integrimeve. "Ky optimizëm që ne e shohim është për vet faktin se kjo Qeveri është zotuar se do t'i zbatojë reformat të cilat kërkohen. Për vet faktin se kjo Qeveri e ka emëruar veten si Qeveri reformatore, dhe për ta dëshmuar këtë, ajo ka aprovuar planin për realizimin e reformave, që quhet 3-6-9, për të demonstruar se dhe në praktikë është zotuar në procesin e reformave". "Tani kemi një plan me afate konkrete dhe kjo na bën të besojmë se ky plan do te realizohet", tha Zbogar. Ndërkohë që partia shqiptare në opozitë Lëvizja Besa thotë plani qeveritar, i njohur si 3-6-9, ka shpërfillur tërësisht kërkesat e shqiptarëve. "Të prezantosh një projekt me 7 faqe dhe as 7 rreshta të mos ja kushtosh qytetarëve shqiptarë është një nënçmim që deri sot kanë mundur ta bëjnë vetëm Gruevski dhe partnerët e tij. Lëvizja Besa apelon deri te Qeveria LSDM-BDI-Aleancaqë të ndërpresë sa më shpejtë këtë qasje të mbrapshtë ndaj problemeve të qytetarëve shqiptarë", thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa. Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë gjatë ditës së mërkurës prezantoi planin për reformat, që do të duhet të realizohen gjatë tre muajve të parë, me të cilin synon largimin e kushtëzimit të rekomandimit për fillimin e bisedimeve për integrimin e vendit në BE. Sa i përket avancimit zyrtar të gjuhës shqipe, zëvendëskryeministri për çështje të Integrimeve Evropiane, Bujar Osmani ka thënë se "Qeveria do të përgatisë ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili më pas do të dorëzohet në Parlament, por edhe në Komisionin e Venedikut për konsultime". Në këtë drejtim, Albert Musliu drejtues i Institutit për Zhvillime Demokratike, organizatë e cila ishte e përfshirë në konsultimet që realizoi Qeveria e Maqedonisë me sektori civil, me qëllim që t'i jepet shtytje procesit të integrimeve, për Radion Evropa e Lirë, thotë se plani 3-6-9 paraqet një hap të mbarë për demokratizimin e Maqedonisë si shtet. "Temat të cilat janë përfshirë në këtë plan janë ato që dalin nga raporti i ekspertit gjerman, Rainhard Priebe, dhe kjo paraqet një nismë të mbarë për demokratizimin e Maqedonisë si shtet, megjithëse periudha tre mujore është e shkurtër për dekriminalizimin e institucioneve", thotë Musliu. Nga ana tjetër, Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane, thotë se Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë vjen në pushtet pas 11 vjetësh në opozitë, dhe i duhet kohë për të detektuar pikat më nevralgjike që mbajnë peng procesin e integrimeve. "Duhet pasur parasysh se LSDM-së i duhet kohë që të detektojë problemet që ndërlidhen me mos funksionimin e institucioneve, bazuar në vlerat demokratike që kërkohen nga faktori ndërkombëtar, njëherësh sipas meje, procesi i reformave paraqet garë maratonike në një afat më të gjatë kohor dhe jo garë brenda tre muajve", thotë Kacarska. Ndryshe, reformat të cilat duhet të zbatohen gjatë tre muajve të parë duhet të përfundojnë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të cilat janë caktuar për në tetor. Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev gjatë prezantimit të planit 3 -6-9 dhe zëvendëskryeministri për çështje të Integrimeve, Bujar Osmani,shprehën bindjen e tyre se pas realizimit të reformave që duhet të realizohen brenda 9 muajsh, Maqedonia do të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Posted: 06 Jul 2017 06:43 AM PDT Organizatorët e turneut të shahut në SHBA, ka thënë se ish kampioni botëror i shahut, Garry Kasparov do të jetë pjesë e garës së tyre gjatë muajit gusht. Ish kampioni, është pensionuar nga profesioni i shahut në vitin 2005. Turneu do të mbahet në datat 14-19 gusht. "Gati të kuptojë nëse kujtoj ende se si të lëviz figurat! Nëse jo, a do të mund të ju njoftoj prapë për pensionimin tim?", ka thënë përmes një postimi në Twitter, 54 vjeçari Kasparov. Kasparov, i cili ka domunuar lojën e shahut për më shumë se 15 vite, do të garojë kundër nëntë lojtarëve të tjerë. Edhe lojtari numër një në botë aktualisht, Magnus Carlsen nga Norvegjia, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këtë garë. Kasparov e ka lënë shahun në vitin 2005, për të nisur lëvizjen opozitare "Një tjetër Rusi", kundër presidentit rus, Vladimir Putin. Ai është larguar nga Rusia, duke deklaruar në vitin 2013 se nuk do të kthehet kurrë në këtë vend, pasi ka pranuar shtetësinë kroate në vitin 2014. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump kritikon “aktivitetet destabilizuese” të Rusisë Posted: 06 Jul 2017 06:15 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje Rusisë "të ndalojë aktivitetet destabilizuese në Ukrainë dhe gjetkë", si dhe të ndërpresë mbështetjen për regjimet armiqësore – përfshirë Sirinë dhe Iranin. Në një fjalim nga sheshi Krasinski i Varshavës, Trump tha se Rusia "duhet t'i bashkohet komunitetit të vendeve përgjegjëse" në luftën kundër armiqve të përbashkët dhe në mbrojtjen e qytetërimit. Trump u bëri thirrje aleatëve të NATO-s që t'i bashkohen SHBA-së në, siç tha, mbrojtjen e Perëndimit nga "terrorizmi radikal islamik". "Njëqind vjet pas hyrjes së forcave amerikane në Luftën e Parë Botërore, lidhja transatlantike midis SHBA-së dhe Evropës është më e fortë se kurrë. Ky kontinent nuk përballet më me spektrin e komunizmit, por duhet të them se ka kërcënime të mëdha për sigurinë tonë dhe për mënyrën tonë të jetesës", tha Trump. Presidenti amerikan po ashtu tha se të gjithë anëtarët e NATO-s duhet t'i kryejnë obligimet financiare ndaj aleancës, ndërsa lavdëroi Poloninë si njërin nga vendet e pakta që e bëjnë një gjë të tillë. Trump e përshkroi Poloninë si aleat të vjetër të SHBA-së dhe si "një vend udhëheqës të një Evrope që është e fuqishme, e tërë dhe e lirë". Trump takoi më herët edhe presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, dhe pas bisedimeve me të tha se SHBA "është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Evropën qendrore". "Jemi duke punuar me Poloninë për t'iu përgjigjur veprimeve të Rusisë dhe sjelljes së saj destabilizeuse", tha Trump. Kremlini reagoi menjëherë, duke thënë se nuk pajtohet me përshkrimin që i ka bërë Trumpi Rusisë dhe se i vjen keq që ka mungesë të mirëkuptimit midis Moskës dhe Uashingtonit. Afërsia e Polonisë me Rusinë ka rritur shqetësimet për synimet e Moskës në rajon, sidomos pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska dhe mbështetjes së saj për separatistët në lindje të Ukrainës. Trump po ashtu u tha gazetarëve në Poloni se mendon se Rusia është përzier në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, porse "edhe njerëz të tjerë, apo vende të tjera" mund të kenë ndërhyrë. Në Varshavë, Trump mori pjesë edhe në një samit të liderëve të Evropës qendrore dhe lindore. Ai u zotua se Amerika do të jetë "aleat i fuqishëm dhe partner i palëkundur" në përpjekjet e këtyre rajoneve për të ulur varësinë nga furnizimet me gazin rus. Të premten, Trump do të marrë pjesë në samitin e G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet në Hamburg të Gjermanisë. Në margjina të këtij samiti, Trump do të takojë edhe presidentin rus, Vladimir Putin. Përgatiti: Valona Tela This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| BE dhe Japonia arrijnë marrëveshje të tregtisë së lirë Posted: 06 Jul 2017 05:12 AM PDT Bashkimi Evropian dhe Japonia janë dakorduar formalisht për një marrëveshje të tregtisë së lirë. Marrëveshja i hap rrugë tregtisë së mallrave pa barriera tatimore midis dy zonave më të mëdha ekonomike në botë. Plani bazë u nënshkra në Bruksel pas takimit midis kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, dhe presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ndërsa finalizimi i marrëveshjes u tha se mund të marrë ca kohë. Presidenti i i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se plani dëshmon angazhimin e BE-së ndaj tregtisë botërore. Dy sektorët më të rëndësishëm janë makinat japoneze dhe blegtoria e BE-së. Japonia është ekonomia e tretë më e madhe në botë, me një popullsi prej 127 milionë banorësh. Nevojat e saj për qumësht dhe produkte qumështi janë rritur vazhdimisht në vitet e fundit, ndërkohë që fermerët në BE po luftojnë me rënien e kërkesave në vendet e tyre. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| NATO i kërkon Koresë V. të braktisë armët e shkatërrimit në masë Posted: 06 Jul 2017 04:25 AM PDT NATO i bëri thrrje Koresë së Veriut që të ndalojë menjëherë programet me raketa balistike dhe bërthamore dhe të angazhohet në dialog. "Pozicioni ynë është shumë i qartë: Koreja e Veriut duhet t'i përmbushë detyrimet ndërkombëtare. Ndalojini të gjitha aktivitetet që lidhen me programet e raketave balistike dhe bërthamore. Braktisni njëherë e përgjithmonë të gjitha armët e shkatërrimit në masë dhe angazhohuni në dialog me komunitetin ndërkombëtar", tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai i bëri këto komente në Bruksel, derisa priti kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe. Koreja e Veriut ka kryer testin e radhës me raketë balistike ndërkontinentale më 4 korrik. Lexoni edhe këtë: Trump konsideron përgjigje "shumë të rëndë" për Korenë V. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Mikullovci: Mund të ndodhë gjithçka, por kurrë që unë të votoj për PAN-in Posted: 06 Jul 2017 04:13 AM PDT Adem Mikullovci, në Kosovë njihet në radhë të parë si aktor. Por, ai mbahet mend edhe si delegat i Kuvendit të Kosovës në kohën e shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut, 1990. Tani, Mikullovci është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Si deputeti më i vjetër, ai së bashku me deputetin më të ri të përbërjes së ardhshme të legjislativit do të drejtojnë seancën e parë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës. Në një bisedë të shkurtë për Radion Evropa e Lirë, Adem Mikullovci beson se Vetëvendosje do të formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe përjashton çdo mundësi që ai ta votojë ndonjë kandidat për kryeministër nga subjektet tjera politike. Radio Evropa e Lirë: Zoti Mikullovci, ju keni qenë delegat i Kuvendit para luftës, ndërkohë që siguruat votat të jeni edhe tani deputet i Kuvendit të Kosovës. A prisni që Kuvendi i Republikës së Kosovës të arrijë të shmang ngërçin institucional, që po paralajmërohet rreth formimit të Qeverisë? Adem Mikullovci: Unë pres që gjithsesi të kalohet ky ngërç sepse duhet të formohet Qeveria e re dhe të vazhdojë punën Kuvendi në përbërjen e legjislacionit të ri. Besoj shumë që PAN-i nuk do t'i ketë votat, nuk do ta formojë Qeverinë. Qeverinë do ta formojmë ne si partia më e votuar, me numrin më të madh të deputetëve, pa koalicion me askënd. Kështu që pres që pas disa ditësh, Presidenti i Kosovës ta emërojë Albin Kurtin si kryeministër, si kandidatin më të votuar dhe Kurti ta formojë Qeverinë e re. Radio Evropa e Lirë: Emri juaj është lakuar kur flitet për votën për kandidatin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj. Do të votoni për zotin Haradinaj? Adem Mikullovci: Unë nuk po kuptoj si ka mund të lakohet emir im në media. Por, them se unë jam aktor dhe kam profesion të studioj karakteret e njerëzve, psikologjinë e njerëzve, qëndrimet e njerëzve, dhe njerëzit më pa karakter, më të ndytë, hiena, qentë e luftës janë ata njerëz që kërcejnë nga një parti në tjetrën sipas nevojës të rastit për përfitime personale. Mund të ndodhë gjithçka në jetë, por një nuk mund të ndodhë, që unë të votoj për PAN –in, pra të ndërroj ideologjinë time. Pse iu kam bashkëngjitë unë Vetëvendosjes - për me qenë pjesëtarë i një partie që po vjen, që do të sjellë ndryshime për të mirë, dhe këto ndryshime do t'i sjellë Vetëvendosja. Radio Evropa e Lirë: Zoti Mikullovci, ju si deputeti më i vjetër në Kuvend, a jeni i gatshëm të ndërmjetësoni në negociata në mes partive politike rreth koalicioneve të reja? Adem Mikullovci: Jo. Pse të përzihem unë në mes tyre. Ata kanë bërë koalicione krye më vete. Ata i kanë programet e veta, planet e veta. Ne si Vetëvendosje nuk kemi nevojë fare të përzihemi në marrëveshjet e tyre, në planet e tyre. Ne e kemi programin tonë 40 pikësh, të cilin e ka paraqitur Albin Kurti dhe Vetëvendosje për Qeverinë e re, dhe absolutisht nuk ka nevojë që unë të përzihem në punët e tyre. Radio Evropa e Lirë: Po ju, si Vetëvendosje, do të bëni koalicion me ndonjë parti? Adem Mikullovci: E këtë nuk e di. Nuk di si do të vjen puna. Ndoshta do të detyrohemi, pas dështimit që do të ndodh me PAN-in, e që mendoj se do të ndodhë. Por edhe nëse bëjmë koalicion, ne do ta bëjmë në një mënyrë tjetër, plan tjetër, program tjetër. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Mikullovci: Qeverinë e formon Vetëvendosje Posted: 06 Jul 2017 04:12 AM PDT Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, thotë se Vetëvendosje duhet ta formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump konsideron përgjigje “shumë të rëndë” për Korenë V. Posted: 06 Jul 2017 03:50 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se po konsideron një përgjigje "shumë të rëndë" për Korenë e Veriut, e cila, këtë javë, ka testuar një tjetër raketë me rreze të gjatë veprimi. Duke folur në Varshavë, Trump u bëri thirrje të gjitha vendeve që t'i kundërvihen "sjelljes shumë, shumë të keqe" të Phenjanit. "Po i mendojmë disa gjëra shumë të rënda; nuk do të thotë se do t'i bëjmë. Unë nuk tërheq vija të kuqe", tha Trump. Këto janë komentet e para publike të Trumpit për këtë çështje, prejse Koreja e Veriut ka lëshuar, më 4 korrik, një raketë balistike ndërkontinentale. Ekspertët besojnë se arma e Phenjanit ka kapacitet për të arritur Alaskën. Trump nuk e qartësoi se cila do të ishte përgjigjja e SHBA-së, por tha se Koreja e Veriut është "kërcënim" dhe se SHBA "do t'i kundërvihet fuqishëm". "Është e turpshme që ata sillen në këtë mënyrë", tha Trump, duke iu referuar liderëve verikoreanë. Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mërkurën në Nju Jork, ambsadorja amerikane, Nikki Haley, tha se SHBA do të përdorë "forcë të konsiderueshme ushtarake" në Korenë e Veriut, nëse "i duhet". Haley tha se testimi i raketës paraqet "përshkallëzim ushtarak" dhe po ashtu kërcënoi me kufizime tregtare. Rusia, në anën tjetër, e dënoi veprimin e Koresë së Veriut, por tha se kundërshton sanksionet e reja ose përdorimin e forcës kundër Phenjanit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Turqia arreston aktivistë të të drejtave të njeriut, përfshirë drejtoren e AI-së Posted: 06 Jul 2017 02:33 AM PDT Policia turke arrestoi tetë aktivistë të të drejtave të njeriut, përfshirë drejtoren për Turqinë të organizatës Amnesty International, Idil Eser. Bastisja u bë në një seminar për sigurinë digjitale, të organizuar nga Amnesty International, në ishullin Bujukada, pranë Stambollit. Dy trajnerë - nga Gjermania dhe Suedia - u arrestuan po ashtu. "Bastisja policore ishte pa asnjë shkak", tha përmes një deklarate organizata Amnesty International. "Veprimi i policisë është abuzim i pushtetit dhe nxjerr në pah situatën e pasigurt me të cilën përballen aktivistët e të drejtave të njeriut në këtë vend", tha Salil Shetty, sekretari i përgjithshëm i Amnesty International. "Idil Eseri dhe ata që mbahen me të duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte", shtoi ai. Turqia mbetet në gjendje të jashtëzakonshme që nga përpjekja për grushtshtet, në korrik të vitit të kaluar. Policia atje ka arrestuar mbi 50,000 aktivistë dhe shërbyes civilë nën dyshimet se kanë lidhje me klerikun fetar, Fethullah Gulen. Ankaraja thotë se Gulen e ka orkestruar puçin e dështuar, por kleriku e mohon përfshirjen. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Punimet në urën mbi Ibër, mbesin të pezulluara Posted: 06 Jul 2017 02:02 AM PDT Punimet në urën kryesore mbi lumin Ibër, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, e banuar me shumicë serbe, vazhdojnë të jenë të pezulluara, me vendimin e udhëheqjes lokale të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ura, rekonstruktimin e të cilës po e financon Bashkimi Evropian, ishte paraparë që të hapet për qarkullim të automjeteve me 10 janar të vitit 2017. Pas zhvillimit të ngjarjeve, sikurse ndërtimi i murit mbajtës dhe më pas shembjes së tij, si dhe marrëveshjeve të reja që pasuan, afati për hapjen e urës ishte shtyrë. Me atë rast, Natalija Apostolova, përfaqësuese speciale e Bashkimit Evropian në Kosovë, pati thënë se hapja e urës do të ndodhë kur projekti për shndërrimin e rrugës "Mbreti Pjetër" në Mitrovicën Veriore të zhvillohet në zonë të këmbësorëve dhe se do t'i përcjellë procedurat që duhet ndjekur. Por, në muajin prill, kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pas një vargu të incidenteve që kishin ndodhur në hapësirën rreth urës, kishte sjellë vendimin për ndërprerjen e punimeve. Ai pati kërkuar nga organet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë që të krijojnë ambient të sigurt për qytetarët. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dinka Zhivalj, thotë se projekti i BE-së për revitalizimin e urës kryesore në Mitrovicë që ka nisur në vitin 2016, me vlerë prej vlefshëm 1 milion e 45 mijë euro, në pjesën më të madhe të realizimit është duke përparuar. "Ky është edhe një rezultat i marrëveshjes në kuadër të dialogut në Bruksel, që parasheh shndërrimin e rrugës 'Mbreti Pjetër' në zonë të këmbësorëve. Bashkimi evropian pret që të dy projektet të realizohen së shpejti", tha Zhivalj. Adrijana Hoxhiq, shefe e administratës komunale në Komunën e Mitrovicës së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se prioritet i qeverisjes lokale është siguria për të gjithë qytetarët që jetojnë aty. Sipas saj, Komuna ka bërë kërkesë konkrete në Bashkimin Evropian, në EULEX dhe të gjitha institucionet që merren me sigurinë, që të rrisin praninë e forcave të sigurisë në afërsi të urës kryesore, në mënyrë që punimet të vazhdojnë. "Arsyeja e vetme pse Komuna e Mitrovicës Veriore ka insistuar që të ndërpriten punimet në urën kryesore, është mungesa e sigurisë, si dhe disa incidente që kanë ndodhur në këtë rajon. Është e pakuptueshme që nuk kemi marrë mbështetje konkrete nga ana e institucioneve relevante, kur bëhet fjalë për rritjen e pranisë së të gjitha atyre institucioneve që do të duhej të merren me sigurinë, dhe këtu e kam fjalën për EULEX-in, Policinë e Kosovës dhe përfaqësuesit e KFOR-it", tha Hoxhiq. Zheljko Bojiq, shef i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që situata e sigurisë është e qëndrueshme. "Në periudhën e fundit, situata e sigurisë është në nivelin e kënaqshëm në zonën e përgjegjësisë të Drejtorisë rajonale të Mitrovicës së Veriut. Në periudhën e fundit kohore nuk kemi pasur raste të regjistruara të ndonjë incidenti të përmasave të mëdha, kështu që situata e sigurisë është në nivelin e kënaqshëm", tha Bojiq. Hoxhiq thotë se është e vërtetë që nuk janë evidentuar incidente në periudhën e fundit, por, sipas saj, është fakt që incidente ka pasur gjatë kohës sa zhvilloheshin punimet në urë dhe se ato janë ndërprerë atëherë kur janë ndërprerë edhe punimet. "Ekziston vërtetë frika se mund të përkeqësohet situata e sigurisë në terren. Për këtë arsye insistohet për rritjen e pranisë së forcave të sigurisë në terren, gjatë punimeve dhe pas tyre, të paktën në fillim, kur ura të bëhet e qarkullueshme, si për këmbësorë ashtu edhe për automjete", tha Hoxhiq. Ajo shtoi se qeverisja lokale nuk është e interesuar që ta marrë mbi vete përgjegjësinë për incidentet eventuale, në mënyrë që punimet në urë të vazhdojnë me çdo çmim. Dragoljub Vlajiq, qytetar nga Mitrovica e Veriut, konsideron që ndërprerja e punimeve nuk kontribuon asgjë për të mirë dhe sipas tij, punimet duhet të përfundojnë. "Unë mendoj se ky është budallallëk i madh. Kjo po ju konvenon atyre, ndërkaq ne po e pësojmë. Ne nuk kemi rrugë, nuk kemi asgjë. Është dashur që fillimisht t'i rregullojnë rrugët, e pastaj të ndërtojnë diçka. Le ta përfundojnë. E çfarë mund të pengojnë me këtë? Se mos kanë penguar ata diçka me këtë politikë të kushtëzimit? Jo, asgjë", tha Vlajiq. Në anën tjetër, të gjitha punimet në urë dhe rreth saj, në anën jugore të qytetit, e banuar me shumicën shqiptare, kanë përfunduar. Përgatiti: Bekim Bislimi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump: Amerika e përkushtuar për paqen në Evropë Posted: 06 Jul 2017 01:59 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Amerika "është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Evropën qendrore". Duke folur në Varshavë, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin polak, Andrzej Duda, Trump tha se SHBA po punon me Poloninë për t'iu përgjigur "veprimeve të Rusisë dhe sjelljes së saj destabilizuese". "Aleanca jonë e fuqishme me NATO-n dhe Poloninë mbetet kyçe për të penguar konfliktet dhe për të sigurar se lufta midis fuqive të mëdha nuk do ta shkatërrojë më kurrë Evropën", tha Trump. Në Varshavë, Trump do të takojë liderët e Evropës qendrore dhe lindore, ndërsa do të mbajë edhe një fjalim nga sheshi Krasinksi. Më vonë, Trump do të udhëtojë drejt Hamburgut, ku, të premten, do të marrë pjesë në Samitin e G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara. Në margjina të këtij samiti, Trump do të takojë presidentin rus, Vladimir Putin. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Johnson: Kina të bëjë presion mbi Korenë e Veriut Posted: 06 Jul 2017 01:18 AM PDT Sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson, tha se prova raketore e Koresë së Veriut ishte "e pamatur" dhe "e paligjshme". Phenjani ka kryer të martën testin e radhës me raketë balistike ndërkontinentale. Duke folur për BBC-në, Johnson tha se është e rëndësishme që bota të ngrihet së bashku kundër veprimeve të Phenjanit. "Ajo çfarë po bëjnë verikoreanët është e pamatur, e pambrojtur, në kundërshtim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara", tha Johnson. "Është e rëndësishme që vendi me lidhjen më të drejtpërdrejtë ekonomike me Korenë e Veriut - Kina - të bëjë presion", shtoi Johnson. Komentet e tij vijnë disa orë pasi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, tha se SHBA do të përdorë "forcë të konsiderueshme ushtarake" në Korenë e Veriut, nëse "i duhet". Duke folur në Këshill të Sigurimit, Haley tha se testi paraqet "përshkallëzim ushtarak" dhe po ashtu kërcënoi me kufizime tregtare. Rusia, në anën tjetër, e dënoi veprimin e Koresë së Veriut, por tha se kundërshton sanksionet e reja ose përdorimin e forcës kundër Phenjanit. Lëshimi i raketës të martën është i fundit në një seri testesh që ka kryer Koreja e Veriut. Ekspertët besojnë se arma e Koresë Veriore mund të arrijë Alaskën, por nuk besojnë se Veriu ka kapacitet që të bartë koka bërthamore në distancë të largët. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Polonia blen sisteme raketore Patriot nga SHBA-ja Posted: 06 Jul 2017 12:31 AM PDT Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Antoni Macierewicz, tha se Shtetet e Bashkuara janë pajtuar t'i shesin Varshavës sisteme Patriot të mbrojtjes raketore. Macierewicz tha se memorandumi për marrëveshjen është nënshkruar menjëherë pas arritjes së presidentit amerikan, Donald Trump, në Varshavë, për një samit të liderëve të Evropës qendrore dhe lindore. "Më vjen mirë që mund ta jap këtë informacion në ditën e vizitës së presidentit Trump në Varshavë", tha Macierewicz. Në muajin mars, Polonia ka thënë se pret që të nënshkruajë marrëveshjen prej 7.6 miliardë dollarësh për blerjen e tetë sistemeve Patriot nga firma amerikane Raytheon deri në fund të vitit. Sistemi Patriot zbulon, sulmon dhe shkatërron raketat hyrëse. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Iranianët i kthehen pelegrinazhit të Haxhit Posted: 05 Jul 2017 11:38 PM PDT Irani tha se qytetarët e tij do të marrin pjesë në pelegrinazhin e sivjetmë të Haxhit, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme me Arabinë Saudite. Agjencia iraniane ISNA citoi Ali Qaziaskarin, përfaqësues i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të ketë thënë se Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka miratuar vendimin që u lejon besimtarëve iranianë të marrin pjesë në Haxh. Irani e ka bojkotuar Haxhin vitin e kaluar, pasi, në vitin 2015, së paku 2,426 pelegrinë kanë humbur jetën nga ikja e turmave. Irani ka pasur numrin më të madh të viktimave - përkatësisht 464. Marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar tutje në janar të vitit 2016, pasi iranianët kanë sulmuar ambasadën saudite në Teheran, në shenjë proteste ndaj ekzekutimit të një kleriku shiit. Haxhi, sivjet, nis në fund të gushtit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| AI fajëson BE-në për vdekjet e migrantëve në Mesdhe Posted: 05 Jul 2017 10:53 PM PDT Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International (AI) fajësoi "dështimin e politikave të Bashkimit Evropian" për numrin e madh të vdekjeve të refugjatëve dhe migrantëve në Detin Mesdhe. Në një raport të publikuar sot, Amnesty tha se "marrëveshjet cinike" me Libinë përballen mijëra njerëz me rrezikun e mbytjes, përdhunimit dhe torturës. Amnesty tha se BE ka mbyllur njërin sy ndaj abuzimeve në qendrat e paraburgimit në Libi, ndërsa shpëtimin e migrantëve e ka lënë në duart e organizatave bamirëse. Mbi 2,000 njerëz kanë vdekur në vitin 2017, gjatë përpjekjeve të tyre për të arritur Evropën, tha Amnesty International. "Nëse gjysma e dytë e këtij viti vazhdon si e para dhe nëse nuk ndërmerren veprime urgjente, 2017-ta mund të bëhet viti më vdekjeprurës në rrugën më vdekjeprurëse të migrantëve në botë", tha John Dalhuisen, drejtor për Evropën i Amnesty International. BE nuk e ka komentuar ende raportin e organizatës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





