Ora News: “Parashutisti i dërgon video gruas së tij pak minuta para se të hidhet drejt vdekjes” plus 9 more

Ora News: “Parashutisti i dërgon video gruas së tij pak minuta para se të hidhet drejt vdekjes” plus 9 more


Parashutisti i dërgon video gruas së tij pak minuta para se të hidhet drejt vdekjes

Posted: 14 Jul 2017 11:54 PM PDT

Një parashutist nga Florida i ka dhënë fund jetës duke u hedhur me parashutë. Por përpara se të ndërmerrte aktin e vetëvrasjes Capotorto Vitantonio i ka dërguar një video bashkëshortes së tij duke i thënë që nuk do ta hapë parashutën kur të hidhej dhe se po shkonte në një vend të mrekulleshëm.

Gruaja e tij menjëherë vrapoi për tek Sky Dive DeLand të martën pasi pa videon me mesazhin e tmerrshëm por ishte shumë vonë për ta ndaluar. 27-vjeçari ishte hedhur tashmë. Sipas raportit të Departamenti i Policisë DeLand ai ishte një parashutist me eksperiencë por vendosi që të mos e hapë parashutën e tij.

Vitantonio, shtetas italian, u gjet i vdekur në një fushë në juglindje të aeroportit DeLand Municipal, raporton Daily Mail.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Ambasadat perëndimore: Do punojmë me çdo qeveri të formuar ligjërisht

Posted: 14 Jul 2017 11:37 PM PDT

Ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, thanë sot se do të punojmë me çdo qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës në agjendën evropiane për reformë dhe perspektivën më të gjerë evropiane të Kosovës.

Në një komunikatë të përbashkët të këtyre ambasadave thuhet se  ashtu siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht – qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne do të punojmë me çdo qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, agjendën evropiane për reformë dhe perspektivën më të gjerë evropiane të Kosovës",thuhet në komunikatën e tyre.

Ata u bëjnë gjithashtu thirrje partive politike që e formojnë qeverinë e ardhshme që të kenë përparësi të punës sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që të tërheqin investimet për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve një javë më parë, partitë politike janë duke bërë përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për të formuar qeverinë.

Kandidati për postin e kryeministrit të Kosovës nga radhët e koalicionit të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje partive politike që të fillojnë këshillimet për ngritjen e institucioneve të reja, posaçërisht lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit të prirë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, të dy subjektet politike refuzuan një gjë të tillë duke vënë kusht që zoti Haradinaj të heq dorë nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës, me të cilën asnjëra nuk pranon të bashkëqeverisë. Zyrtarët e koalicionit të udhëhequr nga zoti Haradinaj kanw bërë të ditur se do të shqyrtohen mundësitë tjera për formimin e qeverisë nëse subjektet politike refuzojnë takimet për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Parlamenti i ri duhet të mblidhet deri më 8 gusht, ndërsa ende nuk është e qartë se si mund të duket qeveria e re, meqë koalicioni fitues nuk i ka votat e mjaftueshme për themelimin e saj.

Sipas kushtetutës së Kosovës, koalicioni i zotit Haradinaj që doli i pari në zgjedhje ka të drejtën që të provojë të formojë qeverinë. Koalicioni i parë ka 39 vende në parlament dhe bashkë me deputetët e pakicave kombëtare arrin në 59 vota, dy më pak se sa votat e nevojshme për krijimin e qeverisë. Zyrtarë të këtij koalicioni pohojnë të kenë siguruar votat e mjaftueshme, ndonëse sipas tyre synimi është për të krijuar një qeveri me bazë sa më të gjerë.

Sipas kushtetutës presidenti i vendit i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga radhët e koalicionit fitues. Nëse kabineti i propozuar prej tij nuk siguron votat e mjaftueshme, përkatësisht së paku 61 vota, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër dhe nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike llogarisin në herën e dytë, përkatësisht në mundësinë që presidenti të gjykojë se cili grup mund të krijojë koalicionin e ardhshëm qeverisës për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme./VOA/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Bie nga ballkoni, vdes në sheshxhirim aktori

Posted: 14 Jul 2017 11:31 PM PDT

Aktori John Bernecker ka vdekur pasi ka rënë nga ballkoni me kokë në dysheme nga një lartësi prej 8 metrash ndërkohë që po xhironte pjesë të serialit "The Walking Dead".

33-vjeçari u dërgua menjëherë në spital në Atlanta, ku edhe po bëheshin xhirimet, por nuk arriti dot që ti mbijetojë plagëve të marra dhe vdiq një ditë më pas.

Skena që do të bënte kishte për qëllim që ai të binte nga ballkoni por rënia ka qenë e parakohshme dhe jastëku i sigurisë nuk ishte vendosur akoma.

Bernecker u përpoq që të mbahej në kangjellat e ballkonit me të dyja duart sipas ndihmës regjisorit Matthew Goodwin por nuk ka mundur dot dhe rënia me kokë ka qenë fatale.

Xhirimiet e filmit janë pezulluar për momentin.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Përvjetori i parë i shpartallimit të tentativës për grusht shteti

Posted: 14 Jul 2017 11:17 PM PDT

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO)  me rastin e përvjetorit të parë dënon përsëri tentativën për grusht shteti të natës së 15 korrikut 2016 të ndërmarrë nga Organizata Terroriste Fetoiste (FETÖ), e cila kishte  depërtuar në institucionet kyçe të shtetit në Turqi, si në ushtri, gjyqësor, shërbimin civil.

Ky grusht shteti i tmerrshëm u shpartallua vetëm falë reagimit demokratik të popullit turk. I lutemi Zotit të prehen në paqe 250 shtetasit turq të masakruar egërsisht nga zjarri i avionëve, helikopterëve, tankeve dhe snajperëve të FETO-s

 Populli turk, si një trup i vetëm nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, u dha një leksion demokracie puçistëve dhe gjithë botës.

Është e qartë se Turqinë e pastruar nga FETO e presin ditë shumë më të shkëlqyera. Një Turqi e fuqishme, ku banojnë miliona shqiptarë, gjithmonë është në të mirë të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO), e cila përfaqëson 10.000 të punësuar dhe mbi 2 miliardë dollarë investime, ka bindjen se pastrimi edhe në Shqipëri i virusit të FETO-s do të inkurajojë më shumë investitorët për të ardhur në Shqipëri, do të ndikojë pozitivisht në marrëdhëniet dypalëshe ekonomiko-tregtare dhe në këtë mënyrë do të ngrihen në nivele më të larta marrëdhëniet Turqi-Shqipëri.    

Në këtë kuadër ATTSO është e gatshme të përmbushë përgjegjësinë dhe detyrat që i takojnë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Apeli i policisë: Kush s’ka destinacion Gjirin e Lalzit të kalojë nga Ndroqi

Posted: 14 Jul 2017 10:00 PM PDT

Policia Rrugore ka kërkuar nga drejtuesit e makinave që të devijojnë qarkullimin nëse nuk kanë destinacion Gjirin e Lalzit. 

Policia njofton se sot nisur nga vrojtimet e dy javëve të fundit, ngarkesa në aksin rrugor Tiranë – Gjiri i Lalzit do të jetë e mbingarkuar për shkak të fluksit të mjeteve të pushuesve nga Tirana dhe qytetet e tjera që synojnë këtë zonë plazhi.

"Janë të lutur drejtuesit e automjeteve të cilët kanë destinacion të ndryshëm nga Gjiri i Lalzit për të mos u bllokuar dhe për të lehtësuar sadopak trafikun të zgjedhin aksin Tiranë- Ndroq- Plepa- Durrës ose në alternative edhe aksin Tiranë – Tuneli i Krrabes – Elbasan – Rrogozhinë", sqaron policia.

Policia Rrugore porosit drejtuesit e mjeteve të shmangin tejkalimet e shpejtësisë, parakalimet e gabuara, përdorimin e alkoolit dhe gjithashtu në cdo rast të perdorin rripat e sigurimit dhe për motoçiklistet kaskat mbrojtëse.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Basha kujton ekzekutimin e dy poetëve: Diktaturat i mban në këmbë padija

Posted: 14 Jul 2017 01:44 PM PDT

Nëpermjet një statusi në FB, Lulzim Basha ka kujtuar ekzekutimin e dy poetëve nga regjimi komunist, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Basha shkruan se Diktaturat i mban në këmbë padija, frika, heshtja, shuarja e ëndrrave

Postimi i Bashës në FB

40 vjet më parë diktatura komuniste ekzekutoi dy poetë, dy shpirtra e mendje të lira. I vrau sepse liria e të menduarit, fjalët dhe kurajoja e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit ishin kërcënim për regjimin.

Diktaturat i mban në këmbë padija, frika, heshtja, shuarja e ëndrrave. Sepse, sikurse shkruante Vilsoni: "Saharaja s'di të ëndërrojë/Ajo bluan gurë me mend' e saj…"

Jetët dhe vepra e Gencit dhe Vilsonit janë një thirrje ende e gjallë për të gjithë ne, për lirinë dhe dinjitetin e njerëzve, për shpresën, për të ardhmen.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Delawie: Kosova është në pikën e kthesës, pres që Qeveria të formohet së shpejti

Posted: 14 Jul 2017 12:54 PM PDT

"Ka shumë probleme me të cilat Kosova po ballafaqohet dhe ka nevojë që të ketë një Qeveri të plotë të zgjedhur për t'i trajtuar këto probleme. Mund t'ju them që kishte shumë raportime në media se unë, apo Kuinti, apo dikush, do të gjejnë se kush do të jetë në Qeveri – dhe kjo nuk është e vërtetë. U takon përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës që të përcaktojnë se kush do të jetë në Qeveri dhe unë qëndroj anash nga kjo. Ne besojmë se institucionet e Kosovës do t'i respektojnë rregullat, respektojnë Kushtetutën dhe procedurat në mënyrë që ta bëjnë qeverinë pa ndihmën tonë", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadori amerikan Greg Delewie.

Zoti Delawie, çfarë keni diskutuar me liderët politikë javën e fundit, sa i përket çështjes së formimit të institucioneve të reja?

Ambasadori Delawie: Unë kam takuar shumë liderë politikë dhe do t'i takoj edhe disa të tjerë ditëve të ardhshme. Kjo është ajo që bëjnë diplomatët – ne flasim me njerëzit dhe mundohemi të kuptojmë se çfarë po ndodhë ashtu që t'i përcjellim këto te qeveritë tona. Kam folur për pritjet e mia, pritjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Qeveria e ardhshme – kushdo që të jetë në atë Qeveri. Këto janë gjërat për të cilat kam folur në vitet e fundit: përparimi i sundimit i të ligjit, luftimi i korrupsionit, krijimi i kushteve të mira për rritje ekonomike dhe për investimet e jashtme dhe ato vendore në Kosovë, ruajtja e karakterit shumetnikë të Kosovës, dhe përpjekja që të përmirësohet jeta për të gjithë qytetarët e Kosovës. Këto janë ato temat e përgjithshme për të cilat punoj.

 Po si duhet të formohet Qeveria e re – cili është vizioni i juaj në lidhje me këtë çështje?

Ambasadori Delawie: Së pari, ajo (Qeveria) duhet të formohet në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe duhet të formohet, shpresoj, në një të ardhme relativisht të afërt. Ka shumë probleme me të cilat Kosova po ballafaqohet dhe ka nevojë që të ketë një Qeveri të plotë të zgjedhur për t'i trajtuar këto probleme. Mund t'ju them që kishte shumë raportime në media se unë, apo Kuinti, apo dikush, do të gjejnë se kush do të jetë në Qeveri – dhe kjo nuk është e vërtetë. U takon përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës që të përcaktojnë se kush do të jetë në Qeveri dhe unë qëndroj anash nga kjo. Ne besojmë se institucionet e Kosovës do t'i respektojnë rregullat, respektojnë Kushtetutën dhe procedurat në mënyrë që ta bëjnë Qeverinë pa ndihmën tonë.

Cilat janë masazhet e juaja për udhëheqësit dhe partitë politike në lidhje me negociatat për Qeverinë e re?

Ambasadori Delawie: Për mua është e qartë se Kosova është në pikën e kthesës. Me Qeverinë e re e cila pritet të vijë qytetarët e Kosovës kanë mundësinë që ta vendosin Kosovën vendosmërisht në rrugën e integrimeve evropiane. Kjo është koha për Kosovën që të marrë vendime të duhura lidhur me luftimin e korrupsionit, rritjen ekonomike, dhe bashkëpunimin me fqinjët. Bota nuk do të rrijë duke pritur Kosovën derisa ajo të përmblidhet. Bota po lëvizë, andaj edhe Kosova duhet të lëvizë. Që të arrijë të ketë të ardhmen e saj në zemër të Evropës, siç unë e them në vazhdimësi, Kosova duhet të lëvizë, duhet të marrë vendimet e duhura, duhet të promovojë zhvillimin ekonomik dhe duhet të merret me sundimin e rendit dhe ligjit, çështjet lidhur me korrupsionin, dhe duhet me të vërtetë të punojë në këto çështje qysh tash.

Cilat mund të jenë pasojat në rast të një krize eventuale rreth formimit të Qeverisë së re?

Ambasadori Delawie: Gjërat e para që t'i mësojnë në shkollën e diplomacisë është që të mos përgjigjesh në pyetjet hipotetike. Tani, kjo është një pyetje hipotetike. Unë besoj se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjënë e duhur. Deputetët e Kuvendit të zgjedhur së fundi do gjejnë mënyrën për ta formuar Qeverinë dhe t'i bëjnë 61 apo më shumë vota. Unë besoj se gjithçka do të funksionojë./REL/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Asnjë arsye t’i rrahim shpatullat njëri-tjetrit

Posted: 14 Jul 2017 12:19 PM PDT

Vërtet Ballkani do t’i jepet më shumë para nga BE, por a do t’i zgjidhin paratë problemet e thella që kanë vendet e Ballkanit mes njëri-tjetrit? Adelheid Feilcke kërkon më pak skrupuj ndaj lidershipit politik ballkanik.

Po, vërtet BE ofroi vërtet diçka më shumë: Do të ketë më shumë fonde madje edhe projekte konkrete në hapësirën infrastrukturore dhe transportit. Po, perspektiva e anëtarësimit u ripërtëri edhe një herë me zë të lartë. Por nuk ka vend për të filluar t’i rrahim shpatullat njëri-tjetrit pas samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste. Sepse problemet e këtyre vendeve brenda tyre e mes njëri-tjetrit janë shumë më të thella, sa të mund të zgjidhen me mjetet që u ofruan aty.

Ato jo vetëm që janë të thella, ato janë themeltare dhe nuk kapen sa duhet në rrënjët e tyre edhe nga Procesi i Berlinit, ndërkohë në vitin e katërt të tij. Prandaj edhe progresi është i vogël, deziluzionimi i madh, e për këto arsye këto procese në vijim e sipër mund të ngecin në çdo kohë apo edhe të ndërpriten.

Ajo shtjella e fuqishme me emrin BE ka kohë që nuk rrëmben më politikisht. Politikanët e vendeve të Ballkanit nuk e shprehin aspak mirënjohjen për vëmendjen dhe dorën e zgjatur me qëndrimin e duhur ndaj vlerave europiane dhe parimeve demokratike. Vitet e fundit mes politikanëve të Ballkanit ka zënë më shumë vend një lloj neglizhence e rrezikshme, që lejohet nga partnerët e BE më shpesh se duhet e me një mirëkuptim më të madh se duhet për presionet e brendshme politike, por që kryesisht çon në ruajtjen e pushtetit të politikanëve qeverisës gjithnjë e më shumë autokratikë.

Programet e procesit të Berlinit të orientuara shumë nga ekonomia ndjekin strategjinë “Transformim përmes veprimit” dhe shpresojnë që prosperiteti ekonomik të pasohet nga një shoqëri liberale dhe pluraliste. Por më e rëndësishme do të ishte të tregohej vëmendje që këto programe infrastrukturore-ekonomike dhe digjitalizuese të kenë efekt e një spektëri sa më të gjerë.

Kokteili i rrezikshëm

Vëmendja e madhe që po gëzon momentalisht Ballkani, nuk është falë procesit inkurajues të Berlinit, përkundrazi ajo vjen nga krizat e vazhdueshme politike me potencial dhune e forcë shpërthyese idelogjike dhe etnike. Stanjacioni ekonomik i vazhdueshëm dhe klientelizmi politik janë arsyeja pse në shumë pjesë të këtyre shoqërive sundon një përzierje e varfërisë, mungesës së shpresës, nxitjes ideologjike me radikalitet ideologjik e fetar. Një kokteil i rrezikshëm!

Nga samiti i Triestes doli si rezultat konkret marrëveshja e transportit. Por suksesi i vogël – që për herë të parë Serbia dhe Kosova vendosën nënshkrimin në një marrëveshje të përbashkët nuk ra në sy – sepse Bosnje-Hercegovina refuzoi nënshkrimin. Pse? Republika kokëforte Srpska me tendencë të fortë pavarësuese bllokoi qeverinë federale thjesht nga parimi i qëndrimit bllokues në politikën e brendshme. Ajo që në Bosnje-Hercegovinë shkakton komplikime të vazhdueshme, mund të kthehet në çdo kohë në një retorikë të nxehtë e bllokadë edhe brenda vendeve të Ballkanit. Serbia nuk e njeh Kosovën, Maqedonia bllokohet për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë…e kështu me radhë.

BE duhet të jetë më kërkuese

Por këto çështje – bërthama konfliktesh nuk trajtohen me vendosmëri në Procesin e Berlinit nga skrupuj të gabuar. Po ashtu nuk ushtrohet aq sa duhet presion ndaj liderëve politikë të këtyre vendeve, që të respektojnë parimet e shtetit ligjor dhe pluralizmit. Me të drejtë përfaqësuesit e shoqërisë civile në akvitetet përreth samitit kërkuan në Trieste që BE të flasë hapur si edhe një përthithje më të madhe të aktorëve të tjerë shoqërorë e jo vetëm të vendimmarrësve politike.

Stabiliteti politik në Ballkan është edhe stabiliteti ynë, deklaroi kancelarja Merkel në Trieste. Por ekziston rreziku që BE me mendjelehtësi lejon garantimin e këtij stabiliteti nga elitat pushtetare të atjeshme dhe sakrifikon për këtë pluralitetin e mediave dhe shoqërisë civile të ngritur me mundim këto vite. Për sa kohë që fuqia joshëse e BE-së ende ekziton dhe për sa kohë ajo është e përfshirë në proceset e ndërtimit dhe trasnforimimit, ajo duhe ta kërkojë më fort zbatimin e rregullave të lojës demokratike e t’i mbështesë ato. Sepse vetëm ato do të sigurojnë hovin ekonomik dhe të sjellin perspektivë për njerëzit në vendet e Ballkanit, të cilët aktualisht me mijëra e thonë fjalën e tyre duke u larguar me mijëra nga vendi./DW/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Dhuka: Shqipëria ka përfituar 49 mln euro nga BE, e dyta pas Serbisë

Posted: 14 Jul 2017 11:53 AM PDT

Në Samitin e Triestes Shqipëria pati mundësi të sigurojë asistencë financiare për një sërë projektesh strategjike. Vlera monetare që përfitohet nga Bashkimi Europian kap shifrën e 49 milionë eurove. E ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Drejtorja për Politikat e Zhvillimit dhe Financimet e Ndihmës së Huaj në Kryeministri, Majlinda Dhuka tha se Shqipëria u rendit e dyta në rajon pas Serbisë sa i përket numrit të projekteve të përfituara.

Dhuka: Shqipëria gjatë vitit 2016-2017 ka qenë mjaft aktive, ka aplikuar për projekte dhe ka përfituar rreth 11 projekte ose 49 milionë euro deri tani. 49 mln euro jaën kontributi grant i BE për projektet e Shqipërisë. Shqipëria ka lëvizur nga vendi i 4 në Ballkan disa vite më parë në vendin e dyte, në lidhje me këto projekte të konektivitetit dixhital dhe qëndron pas Serbisë në vendin e dytë në Ballkan.

Dhuka zbuloi disa prej projekteve në fushën e transportit dhe energjitikës, ku më të rëndësishmin renditi hidrocentralin e Skavicës.

Dhuka: Gjatë samitit pjesëmarrësit e vunë theksin veçanërisht në projekte që kanë rezultate të prekshme për njerëzit. Përveç projekteve të mëdha që lidhen me infrastrukturën, energjitikë dhe transport, me vepra të mëdha energjitike siç është HEC-i i Skavicës, një vepër e madhe energjitike që rrit mundësine e shfrytëzimit të lumit Drin por ndihmon edhe në menaxhimin e situatës së përmbytjeve në zonën në fjalë, një vepër që pritet të ketë një vlerë investimi, nga vlerësimet paraprake rreth 250 mln euro, Shqipëria propozoi për herë të parë edhe disa projekte që kanë ndikim në rajone më të vogla sesa këto vepra të mëdha energjitike, veçanërisht në zonat kufitare  midis dy vendeve. Jemi në diskutime me Kosovën, dhe prezantuam projekte që synojnë të realizojnë ndërhyrje në zonat kufitare. Këto janë ndërhyrje të një shkalle më të vogël, por që kanë efekte të prekshme dhe për njerëzit. Gjatë këtij viti është finacuar zhvillimi i hekurudhës nga Durrësi në Rinas dhe segementi i Rinasit me Tiranën, është folur shumë për korridorin Adriatiko-jonina ku Shqipëria ka filluar të kryejë përgatitjet e vetë me studimin e fizibilitetit, por edhe me  segmente të caktuara të tij. Një nga korridoret e projektit Adriatiko – Jonian është edhe By Pass i Lezhës i cili u financua në qershor të 2017. Një tjetër investim është përmirësimi i kalatave 1 dhe 2 në Portin e Durrësit. Gjithashtu edhe projekte të lidhura në sistemin e transmetimit  së energjisë elektrike.

Projektet theksoi Majlinda Dhuka do të nxisin bashkëpunimin mesvendeve të Ballkanit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Vuçiç: Shqiptarët ta pranojnë Serbinë pa Kosovën

Posted: 14 Jul 2017 11:35 AM PDT

“Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët? Ta pranojnë Serbinë pa Kosovë”. Kështu u shpreh Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bruksel, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për të komentuar deklaratat e liderëve shqiptarë se Prishtina po përgatitet për fazën e fundit të dialogut pranimin e ndërsjelltë.

"Pyetja ime është çfarë do të bëjnë ata? Ta pranojnë Serbinë pa Kosovën? Të na ofrojnë këtë kënaqësi të madhe? Mund të qeshem me këtë. Çfarë të përgjigjem tjetër", deklaroi Vuçiç. 

Ai theksoi se "ekzistojnë gjëra", të cilat shqiptarët e Kosovës "nuk mund t'i bëjnë" pa Serbinë, ndërsa Serbia e di "çfarë mund dhe çfarë nuk mundet".

Vuçi, pas diskutimeve me presidentin e Këshillit të Evropës Donald Tusk, tha se është e qartë se i takon Serbisë që të përfundojë gjithë atë që mundet në kuadër të reformave, sundimit të ligjit, reformat kushtetuese, por sipas tij përfundimi i dialogut nuk varet vetëm nga Beogradi.

"Të gjitha këto mund t'i arrijmë, por na mbetet diçka që nuk varet nga ne, por edhe nga pala shqiptare në Kosovë", ka porositur Vuçiç.

Ai ka përkujtuar se Serbia në bisedimet për anëtarësim me BE-në ka edhe kapitullin 35, i cili ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe të "rregullojë dhe gjenerojë" rrugën evropiane të Serbisë.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter