“Merkel dhe Macron bisedojnë për rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Merkel dhe Macron bisedojnë për rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Merkel dhe Macron bisedojnë për rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në

Posted: 13 Jul 2017 09:12 AM PDT

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u takua në Paris me presidentin francez, Emmanuel Macron, para vizitës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Francë. Të dy liderët evropianë, kanë shprehur nevojën për bashkëpunim më të ngushtë brenda vendeve të Evropës, pa lënë anash edhe SHBA-në. Para takimit me Trumpin, Macron ka pritur Merkelin për një takim të përbashkët të kabinetit mes dy qeverive. Në një konferencë për media, Merkel, ka thënë se Evropa "duhet të marrë fatin e saj në duart e veta", mirëpo në të njejtën kohë ka thënë se nevojitet "një bashkëpunim i ngushtë" me SHBA-në, pavarësisht "dallimeve në qëndrime". "Ne duhet të jemi të suksesshëm dhe na duhet të ofrojmë siguri dhe zhvillim tek qytetarët tanë", ka thënë ajo. Mirëpo ajo ka shtuar se " në çështjet e sigurisë, ne duhet të kemi bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, pavarësisht dallimeve në qëndrime". Ajo ka thënë se aleatët perëndimorë mbesin të varur nga njëri - tjetri sa i përket sigurisë në "botën e shekullit 21". "E vetme, Evropa, nuk mund të fitojë luftën kundër terrorizimit, për shembull. Kemi arsye se pse jemi pjesë e NATO-s", ka thënë ajo. Trump ka arritur më herët në Paris, i cili u prit nga Macron në ndërtesën historike Invalides, në të cilën gjendet varri i Napoleon Bonapartës. Merkel dhe Trump janë përballur me situata që janë vlerësuar si të sikletshme gjatë takimeve në Uashington dhe gjatë vizitës së parë të presidentit Trump në Evropë, në maj. Ata janë takuar edhe në samitin e G20 që u mbajt në Gjermani më 7-8 korrik. Duke iu referuar takimeve me Trumpin, Merkel ka thënë në Paris se "ne nuk kemi biseduar për të gjitha dallimet tona, mirëpo pavarësisht të gjithave, mundësia për të biseduar është shumë e rëndësishme". Trump do të qëndrojë në Francë për të shënuar Ditën Bastille më 14 korrik, së bashku me presidentin francez, Macron. Ata do të shënojnë edhe 100 vjetorin e përfshirjes së SHBA-së në Luftën e Parë Botërore. "Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që historia është më e madhe se ne", ka thënë Macron.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Macron pret Trumpin në Paris

Posted: 13 Jul 2017 08:49 AM PDT

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, kanë arritur në ndërtesën historike Invalides në Paris, në të cilën gjendet varri i Napoleon Bonapartës. Ata janë pritur nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe gruaja e tij Brigitte. Trump do të qëndrojë në Paris për të shënuar ditën Bastille, më 14 korrik, e cila njihet si festë kombëtare në Francë. Po ashtu do të shënohet edhe 100 vjetori i përfshirjes së SHBA-së në Luftën e Parë Botërore. Trump pritet që të zhvillojë takime me Macronin për të biseduar edhe për konfliktin në Siri dhe luftimin e terrorizmit global. Të dy do të mbajnë një konferencë për media më vonë gjatë ditës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vdes laureati kinez i Nobelit, Liu Xiaobo

Posted: 13 Jul 2017 07:42 AM PDT

Laureati kinez i Çmimit Nobel për Paqe, Liu Xiaobo, ka vdekur gjatë betejës së tij me sëmundjen e kancerit, kanë thënë autoritetet kineze. Zyrtarët kinezë i kanë injoruar thirrjet ndërkombtare për të lejuar nobelistin që të kalojë ditët e fundit të jetës i lirë. Liu, 61 vjeçar, ka vdekur pas një muaji që është transferuar nga burgu në spital për ta trajtuar kancerin e mëlçisë, në fazën e fundit. Autoritetet e qytetit Sheniang kanë thënë se Liu ka vdekur tri ditë pasi ka kaluar në kujdesin intensiv në një spital lokal. Liu është arrestuar në vitin 2008 pasi ka shkruar peticionin i cili bënte thirrje për mbrojtje të drejtave të njeriut dhe reformimin e sistemit politik në Kinë. Në vitin 2009, ai është dënuar më burgim 11 vjeçar. Organizatat botërore për të drejtat e njeriut u kanë bërë thirrje autoriteteve të lirojnë Liun dhe t'i lejojnë trajtimin jashtë vendit. Gjermania dhe SHBA, patën shprehur gadishmërinë për trajtimin e Lius si "shenjë humaniteti". Liu ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2010.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Bashkimi ekonomik i Ballkanit, i pafavorshëm për Kosovën

Posted: 13 Jul 2017 07:25 AM PDT

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur më 12 korrik në Trieste të Italisë, mund të konsiderohet si ngjarja kryesore e vitit 2017 për vendet e rajonit që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe të integrimeve evropiane në Kosovë. Samiti i mbajtur në Trieste është pjesë e procesit të Berlinit, proces ky shumëdimensional. Përmes këtij procesi, Bashkimi Evropian po synon të formojë një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor. Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky proces ka rëndësi ekonomike, politike dhe strategjike, rëndësi integruese dhe të përmirësimit të imazhit, por edhe për çështje të gjenerimit të stabilitetit social përmes zhvillimit ekonomik. Megjithatë, sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë që ky samit nuk është, siç thotë ai, një "shkop magjik" që do t'i zgjidhë problemet e grumbulluara në Kosovë, por është një mundësi, e cila duhet të shfrytëzohet. "Vet fakti që ka afër 1 miliard euro, mundësi për të mbështetur projektet, është e para. Së dyti, duhet të kuptohet që mekanizmi i absorbimit të mjeteve të donatorëve, por edhe të këtij procesi, është studimi i fizibilitetit,është biznes-plani, por është edhe sundimi i rendit dhe i ligjit, i bazuar në ekspertizë shkencore. Prandaj, nuk duhet të priten mrekullitë nga këto procese, në qoftë se ne vet nuk i bëjmë detyrat e shtëpisë", thotë Gërxhaliu. Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian është duke e marrë sërish në konsiderim politikën dhe mekanizmat e politikës së zgjerimit në raport me Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, shikuar nga aspekti kohor i vitit 2003, kur Bashkimi Evropian pati përcaktuar agjendën për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2017 mund të shihet se në shumë pika ajo politikë ka dështuar, për faktin se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur ende jashtë Bashkimit Evropian. "Bashkimi Evropian është në kërkim të gjetjes së një forme të përshtatshme se si do ta integronte Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, parë nga këndvështrimi i Prishtinës, mendoj që Prishtina e ka problemin e njëjtë, të hapur dhe të pambyllur, çështjen e mosnjohjes të statusit të saj nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor, si dhe çështjen e mosnjohjes nga 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Për Kosovën do të ishte pozitive, sikur ky status, pavarësia e Kosovës, të njihej nga këto dy shtete. Pas kësaj, në çfarëdo aranzhmani ekonomik dhe politik që do të futej Kosova, do të trajtohej si palë e barabartë", tha Mazreku. Ai shton se përderisa statusi i Kosovës, si shtet i pavarur, nuk njihet, por kontestohet nga dy vende të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimet e dizajnuara sikurse tregu i përbashkët i këtij rajoni, janë të pafavorshme për Kosovën. Por, Gërxhaliu shpreh mendimin se proceset integruese nuk duhet kundërshtuar nga Kosova, por ajo duhet të dalë me skenar dhe alternativa të ndryshme. "Në këtë drejtim, pala kosovare është dashur që me kohë të jetë e gatshme që këtë sferë ekonomike të dizajnuar nga Gjermania, tëmetalizuar nga Austria dhe me stilin që i është dhënë në Itali, ta shndërrojë në favore politike. Nuk duhet të thotë 'jo', por të kushtëzojë dhe të dërgojë shkresa në zyrat diplomatike që Kosova është 'për' proceset integruese, por vetëm e barabartë, që nënkupton që të njohjet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të kemi një normalizim të raporteve në aspektin e brendshëm. Si mund të jemi pjesë integruese në familjen evropiane në qoftë se 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën?". Ngjashëm shpreh mendimin edhe profesor Mazreku. Sipas tij, Kosova nuk do të bënte gabim në qoftë se e vendos kusht aktin e njohjes nga ana e 5 shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe nga dy vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk e kanë njohur ende. Siç thekson ai, agjenda e Selanikut e potencon si kusht për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore konstruktive dhe të mirëbesimit të ndërsjellë. "E për çfarë marrëdhënie të mirëbesimit mund të flasim kur dy nga këto dy palë, dy shtete të Ballkanit Perëndimor as nuk e njohin atë që është kategori kushtetuese për Kosovën dhe që është diçka që ka ardhur si produkt i shumë zhvillimeve historike dhe të luftës, por edhe që shumica e komunitetit ndërkombëtar - në qoftë se e shohim nga konteksti i shteteve individuale - e kanë njohur këtë pavarësi. Prandaj, ne vetëm duhet të sillemi në raport me zbatimin e asaj që Bashkimi Evropian e vendos kusht për këto shtete". Sidoqoftë, zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës tashmë kanë shprehur mjaft rezerva dhe kundërshtime lidhur me idenë e një union ekonomik rajonal të Ballkanit perëndimor, për shkak të pamundësimit të deritashëm të qarkullimit të lirë dhe pa viza të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedonia nuk ka regjistruar popullsinë prej vitit 2002

Posted: 13 Jul 2017 06:47 AM PDT

Zyra evropiane për statistika Eurostat, ka theksuar se Republika e Maqedonisë qe 5 vjet është vonuar në zbatimin e regjistrimit të popullsisë, duke nënvizuar se ky operacion nuk është operacion por statistikë. Përderisa në programin e Qeverisë së re të Maqedonisë theksohet se strukturat udhëheqëse qeveritare do të realizojë procesin e regjistrimit sipas standardeve të larta, duke marrë për model vendet me demokraci të zhvilluar. Por, Qeveria e Maqedonisë edhe kundrejt insistimit të gazetarëve nuk ka dhënë detaje se kur do të mund të realizohej saktësisht regjistrimi i popullsisë, duke nënvizuar se për këtë proces nevojitet kohë si dhe resurse njerëzore dhe financiare. Ndërkohë që edhe VMRO-DPMNE e cila drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, në dokumentin e partisë të njohur si "Manifesti politik", kërkojnë që të realizohet procesi i regjistrimit të popullsisë gjatë këtij viti. Përderisa partitë politike theksojnë rëndësinë e realizmit të regjistrimit të popullsisë, pa përcaktuar afat konkret se kur do të mund të realizohej. Njohësit e çështjeve politike thonë se për realizimin e procesit të regjistrimit në Maqedoni, para së gjithash nevojitet vullnet politik. Arsm Sinani, analist i çështjeve politike për Radion Evropa e Lirë thotë se për të qenë i besueshëm procesi i regjistrimit, nevojitet depolizimi i Entit Shtetëror të Statistikave, si dhe përfshirja e shqiptarëve në pozitat drejtuese të këtij institucioni, ku përfaqësimi i shqiptarëve mbetet shumë i ulët. "Me ndryshimet në qeverisjen në Maqedoni, krijohet një rast i mirë për Maqedoninë si shtet, që të ndryshojë strukturën udhëheqëse dhe mentale të Entit të Statistikave, për të pasur në një të ardhme të afërt një proces të regjistrimit të popullsisë, i cili do të jetë i besueshëm, që të ketë një pasqyrë reale për numrin e qytetarëve të Maqedonisë, lëvizjet e popullatës, për të ditur kah largohen ata jashtë vendit etj", thotë Sinani. Nga ana tjetër, Donco Gerasimovski ish-drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave për Radion Evropa e Lirë thotë se një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Maqedonisë duhet të jetë regjistrimi i popullsisë, për shkak se Maqedonia është shteti i vetëm anëtar i OKB-së që nuk e ka respektuar rezolutën e Këshillit Ekonomik dhe Social, e cila i obligon të gjitha shtetet anëtare të bëjnë regjistrimin e popullsisë deri në vitin 2020. "Gjithsesi se nevojitet vullnet politik për të ta lënë këtë proces të zhvillohet jashtë influencës së interesave të politikës sepse të dhënat që do të dalin nga regjistrimi do të shërbejnë si bazament për krijimin e politikave të më shumë institucioneve shtetërore. Mungesa e regjistrimit të popullsisë në një mënyrë mban peng shumë procese në Maqedoni, që në formë të drejtpërdrejtë ose indirekte varen me numat që dalin nga regjistrimi", thekson Gerasimoski. Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni për herë të fundit është realizuar në vitin 2002, ndërsa proces i njëjtë dështoi që në nisje gjatë vitit 2011, për shkak të mosmarrëveshjeve që dolën në mesin e anëtarëve të Komisionit për Regjistrim rreth metodologjisë së përdorur gjatë regjistrimit në terren, përkatësisht përfshirjes ose mospërfshirjes në regjistrim të atyre që janë me punë të përkohshme jashtë vendit. Ditë më parë, drejtor i bashkëpunimit ndërkombëtar i Eurostatit, Pjeter Everaers, ka theksuar se metodologjia për zbatimin e regjistrimit është e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara dhe nuk guxon të jetë lëndë e tregtimit politik dhe shtrembërimit të parimit dhe mënyrës së kryerjes, ndërsa me realizimin e çfarëdo qoftë qëllimeve të tjera që nuk kanë lidhje me një operacionin klasik statistikor, sepse regjistrimi i këtillë në të ardhmen nuk do të pranohet nga ana e Eurostatit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rreth 74 gra dhe fëmijë nga Kosova mbeten ende në konfliktin e Sirisë

Posted: 13 Jul 2017 06:16 AM PDT

Në konfliktin e Sirisë, nga Kosova janë përfshirë 44 gra, prej të cilave 7 janë kthyer. Ndërkohë që 37 fëmijë gjenden ende në zona të luftës në Lindjen e Mesme. Këto të dhëna janë prezantuar të enjten në Prishtinë, në një tryezë ku është diskutuar rreth zbatimit të Strategjisë Nacionale dhe Planit të veprimit në parandalimi të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpije në terrorizëm 2015 – 2020. Tema e diskutimit, kësaj radhe ishte, "Fuqizimi i rolit të gruas në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm; të arriturat dhe sfidat në Komunën e Prishtinës", organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Aty u tha se qëllimi i këtij diskutimi është që të fuqizohet roli dhe angazhimi i grave në parandalim e ekstremizmit të dhunshëm, me theks të veçantë, këtë herë, në Komunën e Prishtinës. Andaj, edhe panelistet në diskutim ishin vetëm gra që përfaqësonin Policinë, Komunën e Prishtinës dhe Bashkësinë Islame të Kosovës. Taibe Canolli nga Policia e Kosovës, tha se nga 44 gra të përfshira në konfliktin e Sirisë, vetëm 7 shtatë prej tyre janë kthyer në Kosovë. "Aktualisht, numri i përafërt është se në konfliktin e Sirisë ishin apo janë të përfshira, diku 44 femra apo gra, prej të cilave 7 janë kthyer. Ndërsa, po ashtu kemi edhe 37 fëmijë në zona të luftës momentalisht", tha Canolli. Panelistet tjera kanë folur dhe në lidhje me kushtet dhe pozitën e gruas në Kosovë, si një nga faktorët që mund të shpie në radikalizëm.  Fitore Pacolli, nga kabineti i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se aktualisht nuk ka projekte të cilat do të ishin të përqendruara në luftimin apo parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Por, sipas saj, ka projekte të cilat mund të shërbejnë për të dërguar shoqërinë drejt një zhvillimi më të avancuar. Ajo tha se pozita e gruas në Prishtinë dhe Kosovë është mjaft e rëndë, sidomos për faktin se papunësia te femrat mbetet në shkallë shumë të lartë. Përderisa, Besa Ismaili nga Bashkësia Islame e Kosovës kritikoi institucionet për pabarazi gjinore dhe diskriminim. "Hallka e shkëputur e pabarazisë gjinore vërehet kudo në institucionet e Kosovës", tha Ismaili. Së paku, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra. Një numër prej tyre, kanë humbur dhe jetën e tyre në këto vatra. Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Stoltenberg: Takimi i Këshillit NATO-Rusi ishte i dobishëm

Posted: 13 Jul 2017 05:55 AM PDT

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se takimi i sotëm i Këshillit NATO-Rusi ka qenë një "diskutim i sinqertë dhe i dobishëm" për Ukrainën, Afganistanin dhe çështje të tjera. Stoltenberg i bëri këto komente në një konferencë për media në Bruksel. Ai po ashtu tha se NATO dhe Rusia vazhdojnë të kenë mospajtime, sidomos rreth ankesimit të Krimesë nga Moska dhe rolit të saj në luftën në lindje të Ukrainës. Në takimin e sotëm, NATO dhe Rusia njoftuan njëra-tjetrën edhe për stërvitjet e ardhshme ushtarake. NATO ka pezulluar gjithë bashkëpunimin praktik me Rusinë pasi Moska ka aneksuar Krimenë në vitin 2014, porse kanalet politike kanë mbetur të hapura përmes Këshillit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Në radhë për bukë falas...

Posted: 13 Jul 2017 05:29 AM PDT

Një biznesmen rus jep bukë falas çdo muaj. Njerëzit qëndrojnë në radhë për katër orë, për të marrë kupona për dhjetë bukë. Shifrat zyrtare tregojnë se gati 20 milionë rusë jetojnë në varfëri. (Video: Shërbimi i Rusisë i Radios Evropa e Lirë; Përgatiti: Valona Tela)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE i jep Hungarisë ultimatum për ligjin e arsimit

Posted: 13 Jul 2017 05:10 AM PDT

Bashkimi Evropian i ka dhënë Hungarisë një muaj kohë për t'i adresuar shqetësimet për një ligj të arsimit, i cili thuhet se është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së. Nëse Budapesti nuk vepron, blloku do të procedojë me masa ligjore, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans. Në muajin prill, Hungaria ka miratuar një ligj, i cili, sipas kritikëve, ka për qëllim mbylljen e Universitetit të Evropës Qendrore në Budapest. Ky universitet financohet nga filantropisti George Soros, ndërsa nga mbështetësit e kryeministrit hungarez, Victor Orban, shihet si bastion i opozitës liberale. Në bazë të ligjit, universitetet e huaja duhet të kenë kampus dhe të ofrojnë kurse të ngjashme në vendin e tyre të origjinës. "Presim një reagim të autoriteteve hungareze brenda një muaji", tha Timmermans. "Nëse përgjigjja nuk është e kënaqshme, Komisioni mund të vendosë të shkojë në gjykatë", tha ai.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nis punimet samiti BE-Ukrainë

Posted: 13 Jul 2017 03:38 AM PDT

Në Kiev nisi punimet samiti dyditor i Bashkimit Evropian dhe Ukrainës. Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, e hapi këtë ngjarje duke lavdëruar bashkëpunimin midis BE-së dhe vendit të tij. "Më 11 qershor, saktësisht një muaj më parë, ukrainasit provuan shijen e vërtetë të lirisë evropiane - udhëtimin pa viza në BE", tha Poroshenko. "Mbi 100,000 posedues të pasaportave biometrike të Ukrainës tashmë e kanë shfrytëzuar të drejtën e udhëtimit pa viza", tha ai. Poroshenko po ashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e BE-së në konfliktin e vendit të tij me Rusinë. Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe më pas është përfshirë në një konflikt separatist në lindje të Ukrainës. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u bëri thirrje ukrainasve të mbeten të bashkuar dhe të shmangin konfliktet e brendshme, ndërsa presidenti i Komisionit Evropian. Jean-Claude Juncker, tha se Kievi duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tahiri: Ftesa e Haradinajt e hershme, ende nuk është mandatar

Posted: 13 Jul 2017 03:35 AM PDT

Ramush Haradinaj ende nuk është caktuar mandatar zyrtar nga PAN-i, dhe ende nuk është nominuar zyrtarisht nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për mandatar. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë politologu Ramush Tahiri. Ai thotë po ashtu se në aspektin politik, në Kosovë tashmë vetëm ekziston kriza. Radio Evropa e Lirë: Zoti Tahiri, kandidati i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj ka ftuar partitë politike në bisedime për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Megjithatë, Vetëvendosje dhe LDK nuk i janë përgjigjur kësaj ftese. A është ky paralajmërim për krizë në këto negociata që në start, sidomos për faktin se LDK-ja nuk e sheh veten në kombinime me PAN-in, nëse aty është PDK-ja? Ramush Tahiri: Së pari, ftesa e Ramush Haradinajt është e hershme sepse ende nuk është caktuar mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi. Dhe e dyta, ende nuk është caktuar mandatar zyrtar Ramush Haradinaj nga PAN-i, sepse ende nuk është mbajtur asnjë mbledhje e PAN-it pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, ku do të dalin me kandidat të përbashkët dhe nuk është nominuar zyrtarisht nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për mandatar. Këto janë çështje procedurale, dhe pa u kryer këto çështje, asnjë ftesë nuk konsiderohet zyrtare, as nga Vetëvendosje e as nga LDK-ja. Çështje tjetër është çështja parimore dhe politike. Në zgjedhjet e kaluara ne kishim një bllokadë gjashtëmujore dhe e kishim një izolim të plotë të PDK-së, e cila edhe pse ishte parti fituese, rrezikonte të mbetej në opozitë, nëse nuk e merrte LDK-në në koalicion dhe nuk e dorëzonte funksionin e kryeministrit. Tash, arsyet janë parimore të LDK-së, sepse nuk dëshiron të bashkëpunojë më PAN-in derisa PDK-ja është brenda, por është deklaruar se dëshiron të bashkëpunojë me AAK-në dhe Nismën. Mirëpo, nëse AAK dhe Nisma, ndahen eventualisht nga koalicioni PAN, atëherë pozita e kryeministrit nuk është e sigurt që i takon AAK-së ose Ramush Haradinajt. Kriza vetëm ekziston dhe këto janë arsyet që nuk po dekretohet as mbledhja e Kuvendit sepse po sigurohet që kur të caktohet mbledhja e Kuvendit, diskutimet paraprake të jenë të përfunduara dhe të kemi një koalicion qeverisës. Koalicioni qeverisës duhet të bëhet në bazë të programit qeverisës dhe tek më pas të ndahen funksionet ministrore. Ne nuk kemi tjetër, veç ofertës dashamirëse edhe vullnetit të Ramush Haradinajt, pra nuk kemi një program dhe i cili as që është publik e as që u është prezantuar koalicioneve të tjera, qoftë Vetëvendosjes apo koalicionit LAA (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa. Dhe nga ftesa që është dorëzuar me shkrim nuk kuptohet komplet qëllimi rreth të cilit duhet të bashkohen për të ndërtuar Qeverinë.  Radio Evropa e Lirë: Sa e shihni ju të mundur një koalicion pa PDK-në? Ramush Tahiri: Sa u përket numrave është e mundur. Sa u përket procedurave është e vështirë, sepse njëherë duhet të konsumohet kandidati i PAN-it. Do të thotë, nëse është Ramush Haradinaj i dekretuar, duhet që ky kandidat të rrëzohet në Kuvend dhe mandej t'u jepet mundësia koalicioneve të reja. Mundet që prapë të jetë Ramush Haradinaj, por në një koalicion të ri, në lidhjen Vetëvendosje, Aleanca, Nisma dhe LDK. Radio Evropa e Lirë: Mund të jetë pak sa hipotetike, por nëse kandidati i PAN-it nuk arrin formimin e qeverisë brenda afatit dhe vjen në shprehje rasti i dytë, si e shihni ju diskrecionin e Presidentit – mund t'i jap ai mandatin edhe një partie jo fituese të zgjedhjeve, por që ka krijuar shumicën parlamentare pas zgjedhjeve? Ramush Tahiri: Në opinion është krijuar një qëndrim i gabuar. Presidenti diskrecionin nuk e ka personal, por e ka institucional, të bazuar në Kushtetutë dhe ligj. Presidenti nuk mundet, edhe po të dojë, që të mos ia jep partisë së dytë apo të tretë fituese dhe jo të parës, sepse nëse ia beson vazhdimisht të parës, atëherë nuk kanë kuptim koalicionet paszgjedhore dhe dhunohet vullneti i qytetarëve, ngase një parti, në këtë rast që ka marrë 32 për qind të votave, ose ajo e bën Qeverinë ose shkohet në zgjedhje.  Pra, i mohohet vullneti i 70 për qind të qytetarëve që mund t'i bëjnë numrat dhe kjo nuk është praktikë në asnjë vend në botë, që ai që është fitues herën e parë, do të jetë fitues gjatë gjithë kohës ose përndryshe vendi shkon në zgjedhje. Nuk është parimi demokratik këtu dhe nuk është shpjegimi i Gjykatës Kushtetuese. Shpjegimi i Gjykatës Kushtetuese është që Presidenti e ka diskrecionin, por diskrecionin e ka me fakte. Në qoftë se këta i mbledhin nënshkrimet, Vetëvendosje dhe LDK-ja dhe ja prezantojnë atij 82 nënshkrime, nëse hyjnë edhe minoritetet, ose 72 ose 71 nënshkrime, në qoftë se hyn njëri minoritet jo serb, ai (Presidenti) është i detyruar sepse i ka faktet që vendimi i tij të jetë në harmoni me vullnetin e popullit dhe të mos shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se Presidenti mund të mos jetë i kënaqur për mendimin e tij personal ose nga orientimi i kaluar politik. Radio Evropa e Lirë: Ku e shihni ju rolin e faktorin ndërkombëtar – ka nevojë që të ketë një ndërhyrje për ta ndihmuar procesin e negociatave mes partive politike? Ramush Tahiri: Jo, nuk ka nevojë sepse tash fillon të përjetohet si një presion. Ata kanë nevojë të respektohen procedurat edhe kanë nevojë të respektohen proceset demokratike dhe kanë nevojë ta dinë qëndrimin e secilit subjekt për çështjet që për Kosovën janë obligim, demarkacioni, asociacioni, dialogu me Serbinë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, agjenda evropiane e Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe të gjitha çështjet e tjera. Përfaqësuesit ndërkombëtarë që i raportojnë qeveritë e veta, duhet ta kenë mendimin e qartë se çka do të ndodh nëse e merr pushtetin VV, çka do të ndodh nëse e merr PAN- i dhe çka do të ndodh nëse është pjesë LDK-ja. Në ketë fazë janë takimet pa përjashtuar asnjërin, por jo në fazë të presionit që shtetet ndërkombëtare frikohen se do të destabilizohet vendi nëse PAN-i mbetet në opozitë jo, këso pazare nuk bëhen dhe është komplet e tejkaluar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Arrestohet producenti i filmit biografik për Erdoganin

Posted: 13 Jul 2017 03:26 AM PDT

Turqia arrestoi Ali Avcin, producentin e një filmi biografik rreth fëmijërisë së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe karrierës së tij të hershme politike. Filmi "Reis" (Lideri) ka dalë këtë vit, por ka marrë kritika negative. Agjencia turke e lajmeve Dogan tha se Avci është akuzuar për lidhje me klerikun fetar, Fethullah Gulen. Autoritetet turke e fajësojnë Gulenin, i cili jeton në mërgim në SHBA, për orkestrim të përpjekjes për grushtshtet në Turqi, më 15 korrik të vitit të kaluar. Turqia po shënon njëvjetorin e puçit të dështuar me së paku 40,000 njerëz të arrestaur dhe mbi 100,000 të tjerë të pushuar nga puna, nën akuzat se kanë lidhje me Gulenin.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

U shqiptohet dënimi "vrasësve të Nemtsovit"

Posted: 13 Jul 2017 01:52 AM PDT

Një gjyatë në Rusi dënoi pesë veta të shpallur fajtorë për vrasjen e politikanit opozitar, Boris Nemtsov. Zaur Dadayev, fajtor për të shtënat fatale mbi Nemtsovin, u dënua me 20 vjet burgim. Katër të tjerët: Anzor Gubashev, Shadid Gubashev, Temirlan Eskerkhanov dhe Khamzat Bakhayev u dënuan me burgim nga 11 deri në 19 vjet. Të pesë të dënuarit janë nga rajoni rus i Çeçenisë. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat. Personi i gjashtë, Ruslan Mukhudinov, është akuzuar në mungesë për organizim të vrasjes. Nemtsov, kritik i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, është qëlluar për vdekje më 27 shkurt të vitit 2015, pranë ndërtesës së Kremlinit në Moskë. Të afërmit dhe ish-bashkëpunëtorët e Nemtsovit besojnë se vrasja e tij është urdhëruar nga nivele më të larta.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Universitetet në rajon intensifikojnë bashkëpunimin

Posted: 13 Jul 2017 01:21 AM PDT

Universitet publike kanë për obligim që të prodhojnë kuadro që do t'i përgjigjen tregun të punës, jo vetëm në vendet ku veprojnë po edhe më gjerë, kanë theksuar pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit rektori i Universitetit "Nënë Tereza" në Shkup, Aziz Pollozhan, së bashku me katër rektorët e universiteteve të Kosovës, atë të Prizrenit, Ramë Vataj, të Mitrovicës Alush Musaj, të Ferizajt Agron Bajraktari dhe Gjakovës Shaban Buza. Rektori i Universitetit "Nëna Terezë" në Shkup, Aziz Pollozhani tha se pavarësisht kostos së lartë financiare dhe interesimit që është gjithnjë e në rënie të studentëve për të studiuar shkencat e aplikuara ,fokusi duhet të jetë në këto drejtime duke pas parasysh se investitorët e huaj në vazhdimësi kanë theksuar se mungojnë profile të specializuar në lëmi të caktuar të inxhinierisë elektronike, mekanike, informatikës dhe industrisë ushqimore. "Bashkëpunimi ndëruniversitar, mobiliteti, paraqesin standarde ndërkombëtare. Ato janë të domosdoshme në një ambient ku qarkullojnë idetë dhe vlerat" . "Ne në kontestin kultorogjik shqiptar, nuk kemi se pse të gjitha këto standarde ndërkombëtare të mos i fuqizojmë, duke i bërë edhe më konkrete edhe më praktike në interes të rritjes së cilësisë së arsimit dhe interes të ofrimit të mundësive më të mira për studentët", tha Pollozhani. Ndërkaq Rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj tha se bashkëpunimi ndëruniversitar krijon më shumë mundësi për të thithur mjete nga fondet e Bashkimit Evropian për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë. "Do të ngremë bashkëpunimin mes universitete tona, në aspektin e bashkëpunimit të organizimit të konferencave të përbashkëta shkencore, më shumë projekteve të përbashkëta për të cilat do të konkurrojmë në fondet e Bashkimit Evropian", tha Vataj. Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Ferizajt, Agron Bajraktari tha se intensifikimi i bashkëpunimit në mes të institucioneve të larta arsimore, do të jetë në më shumë projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. "Duke pas parasysh distancën e shkurtë që ndan Ferizajn me Shkupin, bashkëpunimi në më shumë projekte të përbashkëta në të ardhmen, si në rrafshin kombëtar ashtu dhe atë ndërkombëtar Erasmus + (plus) dhe të tjera, do të paraqet fillimin e bashkëpunimit në më shumë lëmi gjatë viteve të ardhshme," tha Bajraktari. Universiteti i Shkupit "Nënë Tereza" në gjuhën shqipe, i cili u themelua një vit më parë, ka hapur më shumë drejtime të shkencave teknike, për siç theksojnë, për t`iu përgjigjur tregut të punës. Ndryshe, sipas një hulumtimi të realizuar nga organizata e të rinjve në Maqedoni, të rinjtë pasi të kenë përfunduar studimet në përgjithësi, për të siguruar një vend pune presin prej 4 deri në 5 vjet. Por ata të cilët kanë përfunduar shkencat e inxhinierisë mekanike, elektronike si dhe teknologjisë e kanë më të lehtë t[ gjejnë punë . Të rinjtë thonë se nuk orientohen në drejtimet shkencore, pasi për të përfunduar studimet, humbin 5 deri në 7 vjet, ndërkohë që më pas ata mund të sigurojnë një pagë në Maqedoni në këto drejtim që nuk kalon 500 euro.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shtatë punëtorë migrantë vdesin nga zjarri në Rusi

Posted: 13 Jul 2017 01:08 AM PDT

Shtatë punëtorë migrantë nga Azia Qendrore kanë humbur jetën nga zjarri në një objekt industrial në Rusi. Zyrtarët bënë të ditur se zjarri ka përfshirë një fabrikë pllakash në qytetin Kolpino, pranë Shën Petersburgut. Punëtorët migrantë po ashtu kanë jetuar në këtë lokacion, thanë zyrtarët. Kombësia e viktimave nuk është bërë e ditur. Dega e Komitetit Hetues në Shën Petersburg tha se ka nisur hetimet.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Këshilli NATO-Rusi mblidhet sot në Bruksel

Posted: 12 Jul 2017 11:47 PM PDT

Në Bruksel mbahet sot një takim i Këshillit NATO-Rusi, i cili pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve dhe rreziqeve, pas disa incidenteve ajrore mbi Detin Baltik. Muajin e kaluar, NATO ka thënë se ka përcjellë tre avionë rusë mbi det, përfshirë dy që nuk u janë përgjigjur kontrollorëve të trafikut ajror apo kërkesave për identifikim. Moska ka thënë se të gjitha fluturimet e Rusisë mbi Baltik janë bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në takimin në Bruksel, zyrtarët e NATO-s pritet t'i bëjnë presion Rusisë për t'i paraqitur planet e fluturimit mbi zonën baltike. NATO ka pezulluar gjithë bashkëpunimin praktik me Rusinë pasi Moska ka aneksuar Krimenë në vitin 2014, porse kanalet politike kanë mbetur të hapura përmes Këshillit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjokoviq mund të pushojë nga tenisi

Posted: 12 Jul 2017 10:47 PM PDT

Ylli serb i tenisit, Novak Gjokoviq, tha se mund të pushojë nga tenisi, pasi do të operojë bërrylin e lënduar. Gjokoviq, fitues i 12 grand slameve, u tërhoq të mërkurën nga ndeshja çerekfinale me Tomas Berdych, në turneun All England Club. Ai tha se bërryli i ka shkaktuar probleme që një vit e gjysmë. "Ndoshta një pushim më i gjatë është i nevojshëm, jo vetëm për shkak të lëndimit, por edhe mendjes sime", tha Gjokoviq.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump në vizitë dyditëshe në Francë

Posted: 12 Jul 2017 10:40 PM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania, arrijnë sot në Francë, për një vizitë dyditëshe. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se ata do të marrin pjesë në festimin e Ditës Bastille në Paris, më 14 korrik. Dita Bastille është festë kombëtare në Francë, ndërsa këtë vit përkon edhe me 100-vjetorin e hyrjes së SHBA-së në Luftën e Parë Botërore. Trump do të takojë edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Bisedimet e tyre pritet të përqendrohen në konfliktin në Siri dhe luftën kundër terrorizmit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump “nuk e fajëson” djalin e tij për takimin me avokaten ruse

Posted: 12 Jul 2017 10:20 PM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nuk e ka ditur se djali i tij, Donald Trump Jr., është takuar me një avokate ruse, gjatë fushatës presidenciale. Trump Jr. publikoi disa emaile këtë javë, të cilat tregojnë se ai ka pranuar një ofertë për të takuar Natalya Veselnitskayan, për të cilën i është thënë se është avokate e Qeverisë ruse dhe posedon material dëmtues për ish-kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton. Duke folur në një intervistë për agjencinë Reuters, presidenti Trump tha se nuk e fajëson djalin e tij. "Mendoj se shumë njerëz do ta mbanin një takim të tillë", tha Trump. Emailet e Trump Jr. janë prova më konkrete deri më tani që tregon se zyrtarët e fushatës Trump mund të kenë qenë të gatshëm të pranojnë ndihmën ruse për t'i fituar zgjedhjet e vitit të kaluar. Takimi i Trump Jr. ka ngritur dyshime nëse ai ka shkelur një ligj të SHBA-së, i cili i ndalon kandidatët të pranojë përfitime nga një qeveri e huaj. Lexoni edhe këtë: Takimi "problematik" me avokaten ruse

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Një garë e re armatimi në horizont…

Posted: 12 Jul 2017 09:00 PM PDT

Kongresi i Shteteve të Bashkuara synon të kufizojë apo edhe të zhbëjë disa marrëveshje me Rusinë për armët. Marrëdhëniet midis dy vendeve, prej vitesh, janë të tensionuara, por ekspertët tani paralajmërojnë për një element të ri të paqëndrueshëm midis tyre.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now