INSAJDERI: “Trump-Putin: Të zgjidhim problemet ndërkombëtare” plus 19 more

INSAJDERI: “Trump-Putin: Të zgjidhim problemet ndërkombëtare” plus 19 more


Trump-Putin: Të zgjidhim problemet ndërkombëtare

Posted: 07 Jul 2017 09:38 AM PDT

Donald Trump dhe Vladimir Putin po zhvillojnë takimin e parë të tyre kokë më kokë, në kuadër të punimeve të samitit të G20-s, në Hamburg të Gjermanisë.

Fillimisht, ata bënë prezantimin me njëri-tjetrin përpara gazetarëve, ku shprehën gatishmërinë për riparimin e lidhjeve të dëmtuara mes vendeve të tyre.

"Jam i nderuar që jam këtu me ju dhe i kënaqur që më në fund po ju njoh personalisht", i tha Trump homologut të tij rus.

Edhe shefi i Kremlinit, përmes përkthyesit të tij e vuri theksin tek rëndësia e këtij takimi.

"Gëzohem gjithashtu që ju njoh. Telefonatat janë gjithmonë të pamjaftueshme, nëse duam të zgjidhim problemet e agjendës ndërkombëtare duhet të takohemi", tha Putin.

Ai shprehu dëshirën që takimi i sotëm të prodhojë rezultate pozitive.

"Putin dhe unë kemi biseduar çështje të ndryshme dhe besoj se gjërat po shkojnë mirë", tha nga ana tjetër Trump.

Duke nënvizuar se bisedimet do të vazhdojnë, ai u shpreh se pret që "shumë gjëra pozitive të ndodhin për Rusinë, SHBA dhe këdo tjetër".

Më pas dy liderët injoruan pyetjet që vinin nga gazetarët dhe vijuan privatisht takimin mes tyre.

The post Trump-Putin: Të zgjidhim problemet ndërkombëtare appeared first on INSAJDERI.

Takimi historik: Çfarë biseduan Trump dhe Putin?

Posted: 07 Jul 2017 09:34 AM PDT

Presidenti Donald Trump shprehu optimizëm se mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mund të priten gjëra pozitive. Ai i bëri komentet ndërsa ishte ulur me Presidentin rus Vladimir Putin për një takim të parë historik mes tyre në Gjermani.

I ulur pranë Presidentit rus në periferitë e një takimi ekonomik të nivelit të lartë në Hamburg të Gjermanisë, Presidenti Donald Trump tha se ishte “nder” që ndodhej me zotin Putin, raporton Zëri i Amerikës.

Gazetarët u lejuan të bëheshin dëshmitarë të një pjese të takimit dhe Presidenti Trump tha se ata të dy kishin patur "biseda shumë të mira”.

“Presidenti Putin dhe unë kemi diskutuar për gjëra të ndryshme dhe mendoj se po shkon shumë mirë. Kemi pasur disa biseda shumë të mira. Ne do të kemi tani një diskutim dhe natyrisht këto do të vazhdojnë, por ne presim që për Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe gjithë të interesuarit të ketë shumë gjëra mjaft pozitive. Është nder të jem me ju", tha Presidenti Trump.

Ndërsa Presidenti Putin tha:

“Ne kemi folur në telefon disa herë me ju për çështje shumë të rëndësishme dypalëshe dhe ndërkombëtare. Por bisedat telefonike nuk janë kurrë të mjaftueshme. Ne duam të kemi zhvillime pozitiv në takimet dypalëshe dhe të jemi në gjendje të zgjidhim konfliktet më të mprehta ndërkombëtare dhe çështjet që mendojmë se do të kenë nevojë për takime personale. Jam i kënaqur që ju takoj personalisht, Zoti President, dhe shpresoj se, siç keni thënë, takimi ynë do të japë rezultate pozitive.”

As Presidenti Trump dhe as Presidenti Putin nuk dhanë hollësi të tjera rreth çështjeve që ishin diskutuar.

Në takim merrnin pjesë Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Takimi i shumëpritur është i pari mes presidentëve Trump dhe Putin. Ai zhvillohet në klimën e zemërimit që ka shkaktuar në SHBA ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet amerikane si dhe të shqetësimeve për një bashkëpunim të mundshëm të ekipit të fushatës Trump me rusët gjatë zgjedhjeve.

Shtëpia e Bardhë kishte thënë se nuk kishte një axhendë të caktuar për takimin, megjithëse zoti Tillerson kishte sqaruar se lufta në Sirisë do të ishte një temë kryesore.

The post Takimi historik: Çfarë biseduan Trump dhe Putin? appeared first on INSAJDERI.

Sulmet e koalicionit në Siri dhe Irak “vranë mbi 600 civilë”

Posted: 07 Jul 2017 09:32 AM PDT

Pentagoni bëri të ditur se sulmet e koalicionit ndërkombëtar, që udhëheq SHBA-ja në Siri dhe Irak, kanë vrarë 603 civilë, prejse ka nisur fushata ajrore kundër grupit militant Shteti Islamik, në vitin 2014.

Raporti i Pentagonit, i lëshuar të premten, thotë se gati gjysma e këtyre civilëve janë vrarë në ose përreth qytetit Mosul të Irakut.

Vlerësimi i Pentagonit për vdekjet e civilëve në periudhën gusht 2014 – maj 2017 është shumë më i ulët se shifrat që kanë dhënë grupet monitoruese.

Grupi Airwars ka thënë se së paku 4,354 civilë janë vrarë nga sulmet e koalicionit në të njëjtën periudhë kohore.

The post Sulmet e koalicionit në Siri dhe Irak “vranë mbi 600 civilë” appeared first on INSAJDERI.

Anulohet festivali i muzikës në Suedi, dyshohet për dhunime seksuale

Posted: 07 Jul 2017 09:26 AM PDT

Festivali më i madh muzikor i Suedisë është anuluar në vitin 2018, për shkak të një varg raportimesh të sulmeve seksuale, në ngjarjen e këtij viti.

Festivali veror Bravalla, në fundjavë kishte artistë të ndryshëm si System of a Down, Linkin Park, Alesso dhe The Killers, njofton BBC.

Por, policia në qytetin suedez të Norrkopingut thotë se janë paraqitur 11 raporte të sulmeve seksuale, këtë vit.

Zyrtarët thonë se një viktimë është përdhunuar përderisa grupi suedez Håkan Hellström ishte duke performuar, të premten mbrëma, shkruan Insajderi.

Organizatorët kanë dhënë një deklaratë ku thuhet se ngjarja e vitit të ardhshëm nuk do të mbahet.

Ka pasur edhe shumë ankesa për abuzim seksual të bëra gjatë dhe pas festivalit të vitit të kaluar, me gjithsej pesë raporte të  paraqitura si përdhunim, të bëra në polici.

Kryeministri suedez Stefan Lofven përshkroi sulmet e vitit të kaluar ndaj grave si “krejtësisht të papranueshme”, dhe tha se ligjet mbi sulmet seksuale do të fuqizohen në vend. /Insajderi.com

The post Anulohet festivali i muzikës në Suedi, dyshohet për dhunime seksuale appeared first on INSAJDERI.

UP-ja pranon mbi 6700 studentë

Posted: 07 Jul 2017 09:19 AM PDT

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" të hënën do të shpallë konkursin për pranimin e 6779 studentëve në studimet bachelor për vitin akademik 2017-2018.

"Konkursi do të shpallet të hënën dhe do të paraqiten kushtet dhe oraret", ka konfirmuar rektori i UP-së, Marjan Demaj.

"Nga e hëna mund të vijnë të gjithë. I lus të gjithë të vijnë të përgatitur. Në konkurs janë të precizuara kushtet dhe koha dhe gjitha detajet. Prandaj, mbi bazën e konkursit të përgatiten edhe dokumentet", ka thënë rektori i Universitetit të Prishtinës.

Ai ka shtuar se MASHT e ka miratuar numrin prej 6779 studentëve. Rektori Demaj tha se do ta ta hapnin konkursin të shtunën por në këtë ditë nuk punojnë bankat dhe bazuar në konkurs janë edhe disa pagesa që duhet t'i bëjnë studentët.

Duke folur për kërkesat për studime, sivjet, numri i kandidatëve që do të pranohen në UP është 5 përqind më i vogël se vitin e kaluar.

"Vitin e kaluar kemi pasur diku 17 mijë të interesuar", ka thënë rektori Demaj për RTK.

Ai ka thënë se mjekësia vazhdon të jetë një nga programet më të kërkuara. "Fakulteti i Edukimit është shumë atraktiv. Janë disa programe studimore në Fakultet të Filologjisë si gjuha angleze dhe gjuha gjermane, pastaj Filozofiku etj", ka thënë Demaj. Sipas tij interesim të madh ka edhe për arkitekturën.

 

The post UP-ja pranon mbi 6700 studentë appeared first on INSAJDERI.

Daka: Nëse s’ka ankesa, rezultatet certifikohen nesër

Posted: 07 Jul 2017 09:19 AM PDT

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë nëse nuk do të jetë ankesa më nga kandidatët për deputetë të partive dhe koalicioneve, atëherë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do shpallen nesër.

Por, Daka, ka thënë se stërzgjatja e madhe ka ndodhur edhe për shkak të sistemit të komplikuar, por më shumë për shkak të ankesave të kandidatëve për deputetë.

"Ne kemi një sistem të komplikuar zgjedhor, kemi një zonë zgjedhore, lista të hapura, vota me kusht, vota nga diaspora dhe të gjitha këto e vonojnë procesin, prandaj ky sistem zgjatet dhe stërzgjatet", ka thënë Daka.

"Megjithatë, ne nuk e kemi pritur të shkojë kaq gjatë. I shpallëm rezultate preliminare në afat rekord, por për shkak të ankesave dhe lojës ping-pong PZAP dhe Gjykata Supreme u zgjatë procesi shumë", ka thënë ajo në Klan Kosova.

Daka ka thënë se nëse përsëri ka ankesa atëherë certifikimi i rezultateve do të bahet në fundin e javës së ardhshme.

"PZAP na ka obliguar që të rinumërojmë një numër të madh të kutive, po ashtu. Por, nëse nuk ka ankesa atëherë nesër mund t'i shpallim rezultatet përfundimtare".

"Nëse ka ankesa mund të shkojë deri ka fundi i javës tjetër për t'u certifikuar rezultate, nëse vendos të ankohet Vebi Imeri kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet atëherë përsëri ankesa e tij duhet të shikohet dhe vonohet procesi", ka thënë ajo.

The post Daka: Nëse s'ka ankesa, rezultatet certifikohen nesër appeared first on INSAJDERI.

Rooney pranon ulje page, kalon tek skuadra angleze

Posted: 07 Jul 2017 09:17 AM PDT

Kapiteni i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, raportohet se është i përgatitur që të ulë ndjeshëm pagën e tij për t'u transferuar te ekipi i fëmijërisë, Evertoni.

31-vjeçari pritet të bëhet transferimi i gjashtë i klubit të Evertonit, në të cilin nisi karrierën profesioniste para 15 vjetësh.

Rooneyt i kanë mbetur edhe dy vjet në kontratën e tij aktuale tek Unitedi, por po shpreson që gjatë kësaj vere të rikthehet te Evertoni.

Sky Sports raporton se sulmuesit anglez i duhet të pranojë ulje page për të kaluar në Goodison Park.

The post Rooney pranon ulje page, kalon tek skuadra angleze appeared first on INSAJDERI.

Specialja bën gati aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Posted: 07 Jul 2017 09:14 AM PDT

Dhomat e Specializuara për krime lufte mund të nisin punën me procedimin e rasteve të dyshuara. Nga data 06 korrik, është konfirmuar se këto dhoma mund të procedojnë edhe me arrestimet dhe gjykimet eventuale.

E njohur me emrin Gjykata Speciale për krime lufte, mandati i saj përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Këto pretendime fillimisht ishin ngritur në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty të prezantuar para Këshillit Evropian.

Përfaqësuesit e kësaj Gjykate, thanë për Radion Evropa e Lirë se gjithçka është gati për fillimin e punës, por nuk kanë pranuar të flasin për detajet e tjera.

Fillimi i punës së kësaj gjykate e njohur si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special, është mundësuar pas harmonizimit të Rregullores së Procedurës dhe Provave me Kushtetutën e Kosovës.

Joseph Hollerhead, ndihmës ekzekutiv i zëvendësprokurorit special, ka thënë se Prokurori Special, në disa raste ka deklaruar dhe përsëritë se nuk është profesionale, etike dhe as ligjërisht e qëndrueshme që ai t'i komentojë çështjet që kanë të bëjnë me hetimet që janë në vazhdimësi, apo që të komentojë për çështjet potenciale në të ardhmen që lidhen me mandatin e Prokurorit Special.

Selia e Gjykatës është në Hagë të Holandës, kurse përbërja e saj është nga prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ndërkohë, Vigan Qorolli, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës tha për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Speciale nga sot mund të funksionojë lirshëm dhe në bazë të rregullave dhe ligjeve e Kushtetutës së Kosovës.

Ai tha se Gjykata Speciale, do të shihet si pengesa e fundit për progresin e domosdoshëm të shoqërisë dhe fuqisë politike të Kosovës.

“Ne nuk e dimë se çka do të ndodhë sepse në këtë situatë nuk kemi emra potencialisht të dyshuar. A do të ndiqen penalisht të gjithë ata që përmenden në raportin e Dick Martyt, apo do të jenë njerëz tjerë, kjo mbetet për tu parë. Por, dyshimet se janë kryer vepra serioze kriminale gjatë periudhës së përmendur do të mund të pastrohen vetëm në gjykatë, për t’i mundësuar pastaj frymëmarrjen e lirshme Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Qorolli.

Përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara, kanë deklaruar se gjatë punës, një kujdes i veçantë do t'i kushtohet programit të mbrojtjes së dëshmitarëve. Ata kanë thënë se dëshmitarët do të jenë plotësisht anonim, të mbrojtur dhe të përkrahur nga gjykata.

Profesori Qorolli thotë së në këtë drejtim, Gjykata duhet të ketë kujdes të shtuar pasi sipas tij, kjo çështje është shumë e rëndësishëm për gjithë procesin.

“Mbrojta e dëshmitarëve do të jetë alfa dhe omega e funksionimit të kësaj gjykate dhe do të jetë stabiliteti mbi të gjitha ligjor i Kosovës dhe do të varet pastaj se kush do të jenë emrat të cilët do të akuzohen”, tha Qorolli.

Ai shton se në të ardhmen, në rast të provave, Gjykata mund t’i dënojë të njëjtit, por edhe t’i lirojë në rast se nuk ka prova të mjaftueshme.

Megjithatë, Qorolli konsideron se dënimet eventuale, nuk duhet të shihen si dënime të luftës së UÇK-së, por si ndëshkime eventuale ndaj individëve.

“Besoj që në mungesë të një sistemi komanduese të vet UÇK-së, dhe në mungesë të një zinxhiri tjetër operacional i cili ka funksionuar në kuadër të Shtabit të Përgjithshme të UÇK-së, do të mund të ketë vetëm individ të caktuar të cilët kanë mund potencialisht të kryejnë vepra dhe të kenë rënë ndesh më konventat e luftës dhe të Drejtën Ndërkombëtar Humanitare”, tha Qorolli.

Gjykata Speciale ka nxitur debate të ashpra në Kosovë, këto dy vitet e fundit. Përderisa një pjesë e spektrit politik e konsideron atë të padrejtë dhe të njëanshme, pasi që do të hetojë vetëm krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së, pjesa tjetër e spektrit që ka mbështetur edhe ndryshimet ligjore e kushtetuese për punën e kësaj Gjykate, ka vlerësuar se me gjykimet që priten, nuk atakohet lufta e UÇK-së por individët.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës, tashmë në largim, ka ndarë mbi 1. 5 milionë euro në buxhetin e këtij viti, për t'u ofruar ndihmë juridike dhe financiare personave që mund të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Kjo shumë, sipas Qeverisë, është ndarë në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale.

Sipas këtij ligji, të gjithë personat që mund të akuzohen kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur.

Përveç kësaj mbështetjeje financiare, ligji i siguron edhe anëtarët e ngushtë të familjes të personave të akuzuar për krimet e pretenduara, përfshirë këtu edhe shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. /REL

The post Specialja bën gati aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së appeared first on INSAJDERI.

Nënkryetari i LDK-së tregon çfarë u bisedua në takimin Mustafa-Kurti

Posted: 07 Jul 2017 09:07 AM PDT

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka shpalosur se çfarë u diskutua në takimin e djeshëm në mes të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, në të cilin ishte i pranishëm edhe vetë ai.

Nënkryetari i LDK-së tha se me ish-liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, kanë diskutuar “për një qeverisje që ka qëllim ndryshimin e gjendjes politike ekonomike e sociale.” Sigurisht, dy palët nuk kanë arritur marrëveshje.

“Jemi marre vesh për t’u marrë vesh” lidhur me një qeverisje për ndryshimin e gjendjes politike, ekonomike e sociale në vendin tonë dhe për Republikën. Konstatuam legjitimitetin e shumicës politike dhe politikës shqiptare të Kosovës duke garantuar pakicat etnike qe jetojnë në Kosovë", u shpreh Haziri, në një prononcim për Gazetën Express.

Megjithatë, edhe pas këtij takimi me Kurtin, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se nuk janë bërë ende bashkë, por ky vetëm ishte takimi i parë mes të dyjave subjekteve politike.

Kandidati për kryeministër Albin Kurti, të enjten në mbrëmje tha se është takuar me kryeministrin në detyrë dhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Mirëpo, Kurti nuk ka treguar se për çka është biseduar, por ka lënë të kuptohet se takime të tilla do të ketë edhe në të ardhmen.

Sidoqoftë, Haziri ka folur edhe për deklarimet e presidentit Thaçi se Haradinaj ia ka konfirmuar atij që numrat për ta formuar Qeverinë tashmë i ka siguruar.

"Është detyrë e tij ta respektojë kushtetutën e jo mu marrë me interpretime apo konfirmime në emër të të tjerëve", tha Haziri. /Insajderi.com

The post Nënkryetari i LDK-së tregon çfarë u bisedua në takimin Mustafa-Kurti appeared first on INSAJDERI.

Shpallet gjykimi i parë për ngjarjet në Stamboll gjatë puçit të dështuar

Posted: 07 Jul 2017 09:05 AM PDT

Gjykata e Krimeve të Rënda në Stamboll ka shpallur dënimin me burgim të përjetshëm për rreshterin Yusuf Yildiz në kuadër të gjykimit lidhur me pushtimin e ndërtesës së Prefekturës së Stambollit gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit të kaluar në Turqi nga organizata terroriste FETO.

Për rastin në fjalë u gjykuan 24 të dyshuar, përfshirë rreshterin Yildiz dhe 23 ushtarë të tjerë, prej të cilëve Yildiz ishte në paraburgim, ndërsa vendimi i marrë sot është i pari lidhur në vazhdën e proceseve gjyqësore lidhur me ngjarjet në Stamboll gjatë tentativës për grusht shteti.

Dënimi me burg të përjetshëm për Yildiz u caktua nën akuzën “tentativë për rrëzimin e rendit kushtetues”, raporton AA.

Nga ana tjetër, gjykata ka liruar nga të gjitha akuzat 23 të dyshuarit e tjerë në këtë rast, të cilët datën e ngjarjes ishin të angazhuar si ushtarë, duke argumentuar se ata nuk kanë pasur paramandim të kryejnë krim.

The post Shpallet gjykimi i parë për ngjarjet në Stamboll gjatë puçit të dështuar appeared first on INSAJDERI.

Seksi oral po përhap baktere jashtë normales

Posted: 07 Jul 2017 09:01 AM PDT

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se seksi oral është duke krijuar një sëmundje të re të transmetueshme dhe mospërdorimi i kondomëve është duke ndihmuar që ajo të ketë përhapje më të madhe.

Kjo organizatë potencon se nëse dikush e merr këtë sëmundje të transmetueshme seksuale dhe paralajmëron se është bërë shumë më e vështirë të trajtohet, e në disa raste pothuajse e pamundur.

Rreth 78 milionë njerëz marrin çdo vit sëmundje të transmetueshme seksuale dhe kjo mund të çojë deri tek infertiliteti i njeriut, njofton BBC.

Organizata Botërore e Shëndetësisë analizoi të dhënat nga 77 vendeve në botë, rezultate të cilat tregojnë se kjo sëmundje ka krijuar rezistencë ndaj antibiotikëve.

Infeksioni i fytit

Sëmundjet e transmetueshme seksuale mund të infektojnë gjenitalet, zorrën e trashë dhe fytin.

Mungesa e  përdorimit të kondomit mendohet se ndihmon që infeksioni të përhapet.

Sëmundja shkaktohet nga bateria e quajtur "Neisseria gonorrhea". Infeksioni përhapet nga seksi i pambrojtur vaginal, oral dhe anal.

Simptomat mund të përfshijnë një mbetje të trashë jeshile ose të verdhë nga organet seksuale, dhimbje gjatë urinimit dhe gjakderdhje mes menstruacioneve.

Infeksioni i patrajtuar mund të çojë në infertilitet, sëmundje inflamatore të legenit dhe mund të transmetohet tek foshnja gjatë shtatzënisë.

The post Seksi oral po përhap baktere jashtë normales appeared first on INSAJDERI.

Dështimi i Aeroportit të Prishtinës që u mbajt i fshehur

Posted: 07 Jul 2017 09:01 AM PDT

Është ora 15:43 e datës 27 qershor 2017 dhe asnjë aeroplan nuk mund të aterojë ose të ngrihet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Për afro një orë në atë ditë sistemi i komunikimit kishte dështuar, thuhet në një komunikim konfidencial që Kulla e Aeroportit ka pasur me Autoritetin Civil të Avicacionit kosovar, që e ka siguruar Gazeta Express.

"Më 15:43, pas një ndërprerje të energjisë elektrike radari, frekuencat e radios….po thuajse (të dhënat e motit) u bënë të papërdorshëm" thuhet në këtë raport. Aty konstatohet edhe më e keqja. "Pasi provuam disa kontrolle të radios, ne kuptuam se as sistemi rezervë nuk po punonte", thekson raporti.

Në Kontrollin Ajror, ose e njohur ndryshe si Kulla e Aeroportit, nuk e kanë mohuar këtë incident, por kanë një shpjegim se çka mund të ndodhte nëse në këtë kohë të mos-funksionimit total të komunikimit, madje as atij rezervë, do të ateronte ndonjë aeroplan.

"Në rastin e fundit, nëse një aeroplan është në afërsi te aeroportit, atëherë mund të përdoret edhe drita sinjalizuese (ang. toëer light gun)", ka thënë për Express Driton Ujkani, Koordinator për Marrëdhënie me Publikun në këtë institucion.

Por, megjithëse në Kullën e Aeroportit thonë që do të përdorej drita sinjalizuese, koha kur ndodhi incidenti ishte ditë.

27 qershorin e këtij viti kur për afro një orë Aeroporti i Prishtinës mbeti pa komunikim, madje edhe pa atë rezervë, ishte njoftuar, sipas dokumenteve që ka siguruar Gazeta Express, vetëm Aeroporti i Shkupit, dhe atë vetëm që radari nuk po punonte. Nuk thuhet që u informua ndonjë aeroport tjetër madje as ai i Shkupit , nuk bëhet e qartë në dokumente, se a e dinte që nuk o funksiononte sistemi rezervë i komunikimit.

Por, pse ndodhi krejt ky incident, dhe pse i njëjti u mbajt sekret?

"Një ngjarje si kjo është e rrallë, ndodh një here ne 4-5 vjet, mirëpo si rrjedhoje e vjetërsimit te pajisjeve kjo ngjarje nuk është e përjashtuar plotësisht nga skenarët e vlerësuara si te mundshme nga ASHNA. Raste te tilla ndodhin edhe ne organizatat evropiane dhe botërore", thotë për Express Driton Ujkani, Koordinator për Marrëdhënie me Publikun në këtë institucion, dhe përmend një rast të tillë në Kroaci në vitin  2014, një tjerë në Belgjike më 2015, një në Majami më 2016, e një tjetër në Belgjike më 2017'ën ku në shumicën prej tyre pati disa anulime fluturimesh.

Në këtë institucion, megjithëse nuk e bënë publik incidentin, thonë që nuk e mbajtën as sekret dhe për këtë kanë një shpjegim.

"Në ASHNA nuk mbahen sekret ndodhitë e tilla, ato raportohen në organet relevante edhe pse këto raporte janë konfidenciale, jo për t’i fshehur nga publiku, po për arsyen që  të mos shkaktohet keqkuptim tek publiku apo udhëtaret të cilët udhëtojnë për dhe nga Aeroporti i Prishtinës, pasi qe shume nga këto ndodhi te raportuara nuk pengojnë mbarëvajtjen e sigurt të operimeve. Raportimet e tilla kanë për qellim hetimin e rasteve, nxjerrjen e mësimeve në mënyrë qe rastet e tilla të mos përsëriten në të ardhmen", thotë Driton Ujkani për Express.

Menjëherë pas ndodhjes dështimit të komunikimit në Aeroportin e Prishtinës, përfshirë edhe atij rezervë, Departamenti për Cilësi, Siguri dhe Sigurim (DCSS) i ASHNA, ka iniciuar hetimet.

"Hetuesit e caktuar nga DCSS tashme kanë filluar me hetimin e rastit. Duhet marre parasysh qe rastet dhe ndodhitë e kësaj natyre gjithnjë hetohen brenda për brenda ASHNA. Çdo raport i ndodhive dërgohet edhe në AACK", thuhet në përgjigjen e Kullës së Aeroportit të Prishtinës.

Ata refuzojnë të tregojnë nëse kanë vënë deri tash nën përgjegjësi ndonjë person për këtë incident.

"Qasja që përdoret nga hetuesit e këtyre ndodhive është standardi SOAM (Systemic Occurrence Analysis Methodology) që në vete ngërthen fokusin jo vetëm ne personat e përfshirë, por edhe ne procedurat dhe ne pajisjet e përdorura. Pra, fokusi është që të parandalohet përsëritja e ndodhive e jo ndarja e fajit në personat e përfshirë", Driton Ujkani për Express.

Në dokumentet e siguruara nga Express për këtë incident të fundit të qershorit bëhet me dije se as tri radiot rezervë që ishin palnifikuar të përdoreshin në këto raste nuk po funksiononin.

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), është themeluar në janar të vitit 2016. Ky institucion ka funksionuar nën statusin e kompanisë publike me emërtimin Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës – Kontrolli Ajror "Adem Jashari", e që me këtë status ka funksionuar që nga viti 2011, përkatësisht që nga koncesionimi i shërbimeve terminale të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës që u koncesionua nga një kompani turko-franceze, konsorciumi Limak dhe Aeroports de Lyon.

Me këtë rast qenë ndarë Kontrolli i Trafikut Ajror, që mbeti nën përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës dhe nën përgjegjësinë e të cilit institucion ka ndodhur ky incident, dhe Shërbimet Terminale nga ana tjetër, nën menaxhimin privat të konsorciumit Limak dhe Aeroports de Lyon./GazetaExpress/

Insajderi sjell hulumtimin për historinë e EL Chapo`s kosovar: I burgosuri që përfitoi 11 tenderë

 

The post Dështimi i Aeroportit të Prishtinës që u mbajt i fshehur appeared first on INSAJDERI.

Afër gjysmë milionë euro për dy humbje të turpshme në Evropë

Posted: 07 Jul 2017 08:53 AM PDT

Dymbëdhjetë (12) gola i pranuan kampioni dhe nënkampioni i Superligës së Kosovës në ndeshjet e para historike në garat Evropiane. Trepça ’89, kampione e Kosovës, luajti në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve ndërsa FC Prishtina luajti në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Evropës.

Të dy klubet e Kosovës pësuan nga 12 gola në dy ndeshjet e luajtura ndaj kundërshtarëve të tyre, duke u turpëruar në pjesëmarrjen e parë të klubeve kosovare në Evropë, raporton Gazeta Online Insajderi.

Trepça ’89 luajti ndaj Vikingur Gotas të Ishujve Faroe, ndërsa FC Prishtina luajti ndaj nënkampionit të Suedisë, Norrkoping. Mitrovicasit humbën me rezultat të përgjithshëm 6 me 2 nga Vikinguri, ndërsa Prishtina e pësoi me rezultat të përgjithshëm 6-0 nga IFK Norrkoping.

Por, të dyja klubet nga Kosova përfituan qindra-mijëra euro nga UEFA për pjesëmarrjen e tyre në këtë fazë të garave. Shuma e përbashkët që të dyja klubet kanë fituar nga pjesëmarrja në Evropë, shkon deri në 435 mijë euro.

Trepça ’89 fitoi 220 mijë euro për dy ndeshjet e humbura nga Vikingur Gotas, ndërsa skuadra nga kryeqyteti fitoi 215 mijë euro nga përballjet me Norrkopingun. Shpërblimet janë ndarë nga shtëpia e futbollit evropian, UEFA.

E në qoftë se Trepça ’89 nuk do të turpërohej, por do të kualifikohej në fazën e dytë para-kualifikuese të Ligës së Kampionëve, do të përfitonte edhe 320 mijë euro të tjera nga UEFA.

Ndërkaq, Prishtina kishte mundësinë që t’i shtonte edhe rreth 300 mijë euro të tjera nga kalimi në fazën e dytë të kualifikueseve për Ligën e Evropës. /Insajderi.com

The post Afër gjysmë milionë euro për dy humbje të turpshme në Evropë appeared first on INSAJDERI.

Lukaku dhe lojtarë të tjerë që shkëlqyen pasi u larguan nga Chelsea

Posted: 07 Jul 2017 08:23 AM PDT

Normalisht, kur shet një lojtar është pasi kërkon të heqësh dorë nga një njeri u padëshiruar në skuadër.

Sir Alex Ferguson kishte një aftësi të madhe ta bënte këtë duke rifreskuar në mënyrë konstante Manchester United pasi fitonin trofe.

Është një art më vete, por është një art që Chelsea, megjithëse ka arritur suksese të mëdha në vitet e fundit, nuk ka arritur ta perfeksionojë.

Dhe me Manchester United që është pranë transferimit befasues të Romelu Lukakut nga Everton, me sa duket ata kanë lënë të lirë një tjetër xhevahir. Pas shitjes ai është kthyer në një yll i Premier League, dhe nuk është i vetmi.

Kevin De Bruyne: Blerja në vitin 2012 nga Genk premtonte gjëra të mëdha në "Stamford Bridge", por pas një periudhe të shkurtër nën drejtimin e Jose Mourinho-s në fillim të 2013/14 atij nuk iu dha më shansi në mënyrë konstante. Belgu u shit në fillim të 2014, vetëm për t'u rishfaqur në Premier League pas 18 muajsh te Manchester City, ku është kthyer në një nga mesfushorët më të mirë të divizionit.

Mohamed Salah: Liverpool ka rikthyer në Premier League sulmuesin egjiptian duke thyer rekordin e klubit këtë verë, duke treguar edhe njëherë se Chelsea mund të jetë nxituar me shitjen e tij. Blutë e larguan Salah vitin e kaluar, por ai shkëlqeu te Roma me 15 gola dhe 11 asiste, dhe ai pritet të tronditë sulmin e Liverpool për sezonin e ardhshëm

Daniel Sturridge: Pas një periudhe të kaluar më shumë në stol se sa tek Chelsea, Sturridge i dha fund aventurës në "Stamford Bridge" në janar të 2013 duke kaluar te Liverpool. Ai u largua për vetëm 15 milionë euro dhe sot vlen të paktën dyfish. Ai ka shënuar 60 gola në 119 ndeshje për të Kuqtë.

Ryan Bertrand: Pasi doli nga akademia e Chelsea-t, mbrojtësi i majtë Bertrand duhet të bindte në huazimet e shumta për të luajtur futboll rregullisht. Megjithëse ai luajti në finalen e fituar të Champions League më 2012. Ai tashmë luan te Southampton, dhe mund të rikthehet në Londër pasi Conte është në kërkim të një mbrojtësi të majtë.

Nemanja Matic: Pasi iu bashkua Bluve në 2009, mesfushori serb luajti vetëm tre ndeshje në ekipin e parë të Chelsea-t përpara se të transferohej te Benfica si pjesë e operacionit të David Luiz në 2011, por vetëm tre vite më pas ai u rikthye për 25 milionë euro. Pasi fitoi kampionatin nën drejtimin e Jose Mourinho-s në 2015, ai mund të ribashkohet me ish-trajnerin e tij tek United.

Juan Cuadrado: Kjo është një blerje e çuditshme. Kolumbiani Cuadrado shkëlqeu në Kupën e Botës në 2014 dhe u parashikua të ishte një blerje e madhe e Chelsea kur iu bashkua nga Fiorentina gjashtë muaj më pas, por u shfaq shumë pak në fushën e blertë përpara se të huazohej tek Juventus. Aty ka shkëlqyer sërish, dhe iu bashkua në mënyrë permanente në maj, shkruan telesport.

David Luiz: Chelsea nuk mund të refuzonte ofertën e çmendur 60 milionë euro nga PSG për Luiz në 2014, por e rikthyen dy vite më pas ai ishte një lojtar më i mirë. Ai luajti në mesin e mbrojtjes me tre, duke fituar titullin me Chelsea-n.

Insajderi sjell hulumtimin për historinë e EL Chapo`s kosovar: I burgosuri që përfitoi 11 tenderë

The post Lukaku dhe lojtarë të tjerë që shkëlqyen pasi u larguan nga Chelsea appeared first on INSAJDERI.

Sulmohen rojet e hoteli ku po qëndron Vladimir Putin

Posted: 07 Jul 2017 08:18 AM PDT

Persona të panjohur kanë sulmuar rojat para hotelit në të cilin gjendet presidenti i Rusisë Vladimir Putin, gjatë mbajtjes së samitit G20 në Hamburg.

Sipas pohimeve të gazetës, Putin është vendosur në hotelin Park Hajat, ndërsa gjatë sulmit ai ndodhej në pjesën tjetër të qytetit, në qendrën e kongreseve, ku po mbahet samiti G20.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, nuk ka mund të konfirmojë rastin, duke thënë se nuk di asgjë lidhur me incidentin, transmeton rtv21.

"Këtë po e dëgjoj për herë të parë", tha Peskov i pyetur nga agjencia TASS të komentojë sulmin, transmeton gazeta gjermane Bild.

The post Sulmohen rojet e hoteli ku po qëndron Vladimir Putin appeared first on INSAJDERI.

Vuçiq thotë se SHBA-të e kanë një bazë ushtarake në “tokën serbe”

Posted: 07 Jul 2017 08:17 AM PDT

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), e kanë një bazë ushtarake në “tokën serbe”, duke iu referuar Kampit të Bondstilit në shtetin e Kosovës.

Duke folur për udhëtimin e tij në Turqi që pritet ta realizojë gjatë këtij muaji, Vuçiq tha se do të takohet me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe ndoshta edhe me kryeministrin bullgar Bojko Borisov.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Vuçiq mohoi gjithashtu se BE-ja dhe SHBA-ja po planifikojnë të ndërtojnë “një bazë ushtarake” në Serbinë perëndimore, raporton B92, transmeton Gazeta Online Insajderi.

Por, Vuçiq deklaroi se SHBA-të tashmë e kanë një bazë ushtarake në atë që ai e konsideron “tokë serbe” – në Kosovë, derisa presidenti serb përmendi Kampin e Bondstilit. /Insajderi.com

Insajderi sjell hulumtimin për historinë e EL Chapo`s kosovar: I burgosuri që përfitoi 11 tenderë

The post Vuçiq thotë se SHBA-të e kanë një bazë ushtarake në “tokën serbe” appeared first on INSAJDERI.

Antidroga greke sekuestreson 200 kg kanabis, arreston tre shqiptarë

Posted: 07 Jul 2017 08:07 AM PDT

Antidroga greke ka sekuestruar në afërsi të Igumenicës një sasi prej 200 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.

Sipas autoriteteve helene, droga ishte e fshehur në një kanal dhe ruhej nga tre shtetas shqiptare, të moshave 19, 26 dhe 29 vjeç, të cilët u arrestuan.

Autoritetet thanë se shqiptarët e arrestuar ishin pjesë e një organizate kriminale aktive në trafikun e drogës. Ata do ta dërgonin kanabisin në Athinë, ku do të shpërndahej në zonën e narkotikëve të kryeqytetit helen, njofton Top Channel.

Tre të arrestuarit do të dërgohen në gjykate për masën e sigurisë, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të lidhur me këtë trafik.

Insajderi sjell hulumtimin për historinë e EL Chapo`s kosovar: I burgosuri që përfitoi 11 tenderë

The post Antidroga greke sekuestreson 200 kg kanabis, arreston tre shqiptarë appeared first on INSAJDERI.

“Janë siguruar dy deputetët e tjerë që na nevojiten për krijimin e qeverisë”

Posted: 07 Jul 2017 08:04 AM PDT

Femra më e votuara nga koalicionit PDK-AAK-Nisma, në zgjedhjet e 11 qershorit, Sala Berisha – Shala, është shprehur e bindur se tashmë janë siguruar votat për ta formuar qeverinë.

"Unë them që PAN i ka votat e siguruara për ta bërë formimin e qeverisë. Dy deputetët tjerë që na nevojiten për ta bërë të mundur formimin e qeverisë, janë të siguruar" ka thënë Berisha-Shala.

Berisha-Shala foli edhe për mundësinë që në vend të ketë ngërç politik, ku u shpreh e bindur që pas sigurimit të deputetëve të nevojshëm për formim të qeverisë, atëherë ngërçi është i pamundur, transmeton Gazeta Tribuna.

Ajo ka shtuar se PDK ka qenë gjithmonë e gatshme që të sakrifikojë për të mirën e shtetformimit të vendit dhe të mirën e qytetarëve të saj.

Kjo gjë, sipas saj është parë edhe në rastin e fundit, ku Kadri Veseli ka hequr dorë nga posti i kryeministrit, vetëm e vetëm që të formojë një koalicion që është në të mirën e qytetarëve.

Insajderi sjell hulumtimin për historinë e EL Chapo`s kosovar: I burgosuri që përfitoi 11 tenderë

Hulumtimi është përgatitur në bashkëpunim me organizatën joqeveritare Demokracy Plus

The post "Janë siguruar dy deputetët e tjerë që na nevojiten për krijimin e qeverisë" appeared first on INSAJDERI.

Shqipëria vendos referenca tregtare për prodhimet e Kosovës

Posted: 07 Jul 2017 07:55 AM PDT

Dogana e Shqipërisë ka vendosur referenca tregtare për prodhimet kosovare. Këtë e kanë bërë të ditur përmes një njoftimi përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës.

"Sot, në Odën Ekonomike të Kosovës qëndroi një grup i fermerëve dhe prodhuesve kosovarë që merren ekskluzivisht me prodhimin e qepëve dhe patateve ku shprehën shqetësimin e tyre për vështirësitë e eksportit të prodhimeve 'Made in Kosova' në Shqipëri", thuhet në njoftimin e OEK-ut.

Këta prodhues, sipas OEK, janë ballafaquar me këto problem edhe në të kaluarën por gjithnjë duke menduar se këto sfida i takojnë të kaluarës pasi që janë organizuar debate të shumta dhe takime, qoftë në nivel të presidentëve apo edhe ministrave por problemet për bashkëpunim me Shqipërinë vazhdojnë edhe më tutje.

"Doganat e Shqipërisë kanë vendosur një rregull të ri, ku për patatet dhe qepët e Kosovës të rritet referenca tregtare nga 0.14 në 0.18 Euro, që nënkupton një pamundësi konkurruese në tregun e Shqipërisë.", thuhet në njoftimin e OEK.

Sipas Odës Ekonomike të Kosovës është shqetësuese kur masa të tilla kundër produkteve kosovare ndërmerren mu në kohën e sezonit turistik ku pjesa dërrmuese e vizitorëve janë nga Kosova, dhe në prag të takimeve dhe Samiteve Rajonale dhe Evropiane ku promovohet bashkëpunimi Ekonomik duke eliminuar barrierat e të bërit biznes si parakusht i integrimit ekonomik në familjen evropiane.

 

The post Shqipëria vendos referenca tregtare për prodhimet e Kosovës appeared first on INSAJDERI.

Franca rrit çmimin e pakove të cigareve

Posted: 07 Jul 2017 07:54 AM PDT

Franca gjatë tre vjetëve të ardhshme do të ngre çmimin e një pakoje cigaresh në 10 euro.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë, duke konfirmuar kështu strategjinë e vendit të saj, sipas të cilës çmimi i duhanit do të jetë ndër më të lartët në Europë.

Pakoja me 20 cigare në Francë aktualisht kushton 7 euro, pak më lirë se në Britani e Irlandë.

Në Britani gjatë dekadës së fundi numri i duhanpirësve ka rënë 20-30 për qind.

The post Franca rrit çmimin e pakove të cigareve appeared first on INSAJDERI.