INSAJDERI: “Kosovari thotë se iu vodhë vetura “BMW X5” në Golem” plus 19 more |
- Kosovari thotë se iu vodhë vetura “BMW X5” në Golem
- Zyrtarizohet Lukaku, Mourinho: E mirëpres, ka një personalitet të madh
- Edhe LDK-ja refuzon ftesën e Haradinajt
- “Die Presse”: Një “bombë” është gati të shpërthejë sërish në Ballkan
- Gangsteri i respektuar nga Haradinaj e Veseli
- Kurti për “Der Spiegel”: Askush nuk duhet të ketë frikë nga unë
- Bayern konfirmon largimin e Douglas Costas
- Arratiset i akuzuari për vjedhjen e telefonit në shtëpinë e kryeprokurorit
- Hoti: PAN-i po u servon qytetarëve një qeveri të kontrabanduar
- Vuçiq: Erdogan do të dërgoj 150 biznesmenë turq në Serbi
- Daçiq thotë se “serbët dhe grekët janë vëllezër”
- UEFA gjobit klubin serb – tifozët e tyre ofenduan Kosovën
- Vjen dokumentari për princeshën Diana
- Armët ilegale, kërcënim i përditshëm për sigurinë e qytetarëve
- Ymeri ia bën të qartë Haradinajt se kur do ta pranojë ftesën e tij për takim
- Përmbajtja e ftesave që Haradinaj ua dërgoi Mustafës dhe Ymerit
- Vidal refuzon ofertën e majme të Interit për shkak të Juventusit
- BE “të përshpejtojë zgjerimin” me Ballkanin Perëndimor
- Arratiset i akuzuari që ia vodhi telefonin kryeprokurorit
- “Qytetet çadër”
| Kosovari thotë se iu vodhë vetura “BMW X5” në Golem Posted: 10 Jul 2017 09:32 AM PDT Në orët e para të mëngjesit të kësaj së hëne, Sejdi Bunjakut nga Gjilani i është vjedhur vetura. Kjo ka ndodhur në Golem, derisa Sejdiu atje po qëndron në pushime bashkë me familje, njofton Klan Kosova. Gjilanasi ka thënë për klankosova.tv se ngjarja ka ndodhur rreth orës katër të mëngjesit. "Kam lajmëruar policinë me të parë se më mungon vetura dhe ata deri tash janë duke shikuar mundësinë që ta gjejnë atë", ka thënë Bunjaku. "Vetura është e markës MBW, tipi X5 dhe ka vlerën e 18 mijë euro", ka shtuar ai. "Përveç policisë, kam kontaktuar edhe me disa mediume, në mënyrë që të shpërndahet lajmi e të mund ta sheh dikush, por asnjë nuk është marrë me rastin tim", ka deklaruar ai. /Insajderi.com The post Kosovari thotë se iu vodhë vetura “BMW X5” në Golem appeared first on INSAJDERI. |
| Zyrtarizohet Lukaku, Mourinho: E mirëpres, ka një personalitet të madh Posted: 10 Jul 2017 09:24 AM PDT Manchester United ka zyrtarizuar afrimin në skuadër të sulmuesit belg, Romelu Lukaku, nga Evertoni. Lukaku do t’i kushtojë Unitedit 75 milionë funte, e që shuma e pagesës që United do duhet t’i paguajë Evertonit mund të shkojë deri në 80 milionë funte, me bonuse. Pas zyrtarizimit të transferimit të Lukakut, ka folur edhe trajneri i skuadrës së “Djajve të Kuq”, Jose Mourinho, i cili ka thënë se Lukaku është një blerje e mirë. “Romelu është një blerje që do të përshtatet natyrshëm me Manchester Unitedin, ai është një personalitet i madh dhe një lojtar i madh, por është e natyrshme që ai dëshiron të zhvillojë karrierën e tij në klubin më të madh. Unë, mezi po pres që të punojë sërish me të”, ka thënë Mourinho. /Insajderi.com The post Zyrtarizohet Lukaku, Mourinho: E mirëpres, ka një personalitet të madh appeared first on INSAJDERI. |
| Edhe LDK-ja refuzon ftesën e Haradinajt Posted: 10 Jul 2017 08:59 AM PDT Kandidati i nominuar për kryeministër nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, u ka dërguar ftesë liderëve të partive politike, parti këto që kanë siguruar ulëset në Kuvendin e Kosovës, për të diskutuar lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe për krijimin e Qeverisë së re. Ai e ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje, si subjektin e dytë të dalë nga zgjedhjet, që të diskutojë për formimin e Qeverisë, ndonëse kjo e dyta ka dalë me qëndrimin se Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë e ardhshme. Nisur nga e drejta kushtetuese që i jep, koalicionit PAN, si fituese i zgjedhjeve, të drejtën për formimin e Qeverisë, Haradinaj ka ftuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, Listën Serbe dhe subjektet tjera joserbe që të bisedojnë dhe në afatin, sipas tij, sa më të shkurtë kohorë të formojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës. Për të martën, Haradinaj ka ftuar në takime të ndara kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Haradinaj, gjatë një takimi me media, ka thënë se u ka propozuar liderëve të partive politike që t'i zhvillojnë takimet në Kuvendin e Kosovës. Ftesën e Haradinajt për takim, përveç VV-së, në mënyrë të prerë e ka refuzuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ka thënë se nuk do të shkojë në një takim të tillë. "Jo, sepse nuk kemi fare nevojë për takime të tilla. Ne si LDK jemi deklaruar qartë edhe si koalicion, se nuk do të hyjmë në asnjë marrëveshje tani me koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës. Ata e kanë të drejtën, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që të procedojnë. Ne presim që ata t'i kryejnë të gjitha proceset demokratike që duhet t'i bëjnë. Grupi jonë parlamentar, përkatësisht deputetët e koalicionit tonë, do të marrin pjesë në mbledhjen konstituive dhe Kuvendi do të marrë vendim meritor", tha Mustafa për Radion Evropa e Lirë. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tashmë është hapur rruga që brenda një muaji, të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës. Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në rast se zoti Haradinaj, dështon t'i marrë mbi gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për formimin e Qeverisë së re, atëherë procedura përsëritet brenda dhjetë ditësh. Hera e dytë, mbetet në diskrecionin e Presidentit që të vendosë se kujt do t'ia jap mandatin, pa kufizimin që mandatin t'ia japë partisë së dytë apo të tretë, varësisht nga subjekti politik, i cili ia dëshmon Presidentit se ka numrin e nevojshëm të votave për ta zgjedhur Qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme. The post Edhe LDK-ja refuzon ftesën e Haradinajt appeared first on INSAJDERI. |
| “Die Presse”: Një “bombë” është gati të shpërthejë sërish në Ballkan Posted: 10 Jul 2017 08:47 AM PDT Evropa e përbërë prej 28 vendeve, përmes preokupimit të tepruar të defekteve të veta, përmes injorancës dhe jointeresimit të iu ikin zhvillimet serioze të jug-lindjes, shkruan gazeta gjermane Die Presse, duke shtuar se kjo mund të ketë pasoja fatale. Die Presse thekson se interesi i medieve është ngritur përsëri, me ç'rast reporterët po dërgohen për të publikuar raporte. "European Rundschau" asnjëherë nuk ka larguar tërësisht vëmendjen nga regjioni i Ballkanit, dhe në numrin e fundit shkruan për një bombë kohore. "Burra të fortë janë duke punuar në ndërtimin e fuqisë së tyre, nacionalizmi përsëri po bëhet zgjedhja e parë për t'u përdorur si teknikë udhëheqjeje", kishte shkruar Xhihiq në atë numër. Edhe "Der Spiegel" shtetet e Ballkanit Perëndimor i quan "jetimë të kontinentit" dhe ka tërhequr vërejtjen se "ka një largim të theksuar nga projekti evropian". "Fakti se EU si simbol i sigurisë dhe i mirëqenies po humb ndikimin është i kuptueshëm, aq sa edhe i rrezikshëm. Paqja është e kërcënuar si nga synimet e maskuara të shqiptarëve për shtet të përbashkët, aq nga dëshira për fuqi të madhe të nacionalistëve serbë", kishte shkruar Der Spiegel. Revista nga Polonia "The New Eastern Europe", ia ka përkushtuar dymbëdhjetë artikuj "Karuselit Ballkanik" në edicionin veror, në të cilin shkrimtari nga Sarajeva, Mileno Jergoviq shtron pyetjen "A po e humb Evropa Ballkanin?". Ai thekson se "qytetarët normalë të regjionit, të shkatërruar dhe demoralizuar nga varfëria me dekada, nacionalizmi, klerikalizmi dhe politikat populliste, janë një viktimë e lehtë e Vladimir Putinit apo Reçep Tayyip Erdoganit". Një kontribut shtesë në gjithë këtë, sipas Die Presse, përmendet Ballkani si të një hapësire për rekrutimin e militantëve të grupeve islamike. Gati një e katërta e forcave të huaja të Shtetit Islamik që vijnë nga Europa janë nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova e Maqedonia. Meqë Shteti Islamik në Irak e Siri ndodhet nën presion, luftëtarët që largohen do të mund të vepronin si shkëndijë në një fuçi baruti e përbërë nga përbërja shpërthyese fetare e etnike. "Evropa nuk ka humbur ende tërësisht Ballkanin. Por do ta humbasë së shpejtë nëse vazhdon të qëndrojë e verbër ndaj konsekuencave, të cilat do të sillnin një humbje të tillë", përfundon Die Presse me një citat nga poeti Jergoviç. The post "Die Presse": Një “bombë” është gati të shpërthejë sërish në Ballkan appeared first on INSAJDERI. |
| Gangsteri i respektuar nga Haradinaj e Veseli Posted: 10 Jul 2017 08:27 AM PDT Avni Selaci, një polic i trafikut nga Vushtrria dhe Ngadhënjim Grabovci, një gangster nga Peja, ishin takuar në mesnatën e 14 shkurtit, të 2013-ës. Selaci, atë natë ishte përpjekur që shteti i Kosovës, i cili pas tri ditësh do ta festonte pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë, të ishte i respektuar në sytë e qytetarëve. Kishte vërejtur se një qytetar që voziste veturë luksoze të tipit BMW, po e tejkalonte shpejtësinë. Polici nuk ia kishte dalë që t'i "edukonte" dy gangsterët e Adem Grabovcit, të dhënë pas veturave luksoze dhe tejkalimit të shpejtësisë. Ngadhënjimi bashkë me vëllanë e tij, Guximin e kishin rrahur policin deri në alivanosje. I rrahur për vdekje, por fatmirësisht i shpëtuar gjallë, Avniut i ishte dashur pushim mjekësor për t'i trajtuar plagët.Ndoshta, ditë pas dite ka pritur që dikush nga udhëheqësit shtetërorë apo liderët e partive të trokiste në derën e tij, për ta vizituar. Por, në vend që ta vizitojnë një polic të rrahur duke mbrojtur shtetin, politikanët kanë tjetër preferencë se kë duhet respektuar. Katër vjet pas rrahjes së policit kanë ndryshuar shumë gjëra. Djemtë e politikanit Adem Grabovci nuk e kanë kaluar asnjë ditë si të burgosur.Janë dënuar minimalisht-secili nga gjashtë muaj burg apo gjobë prej 3 mijë eurosh për secilin. Normalisht, familja e pasur Grabovci ka pasur mundësinë që të vendoste për opsionin e dytë. Pas mbylljes së rastit gjyqësor, një prej gangsterëve ka vendosur të martohet. Ngadhënjimi është martuar mbrëmë dhe familja e tij ka përzgjedhur hotelin e shtrenjtë "Emerald", për të festuar. Prindi i tij, politikani i dyshuar për përfshirje në korrupsion Adem Grabovci, priste mysafirët që kishin vendosur ta nderonin me praninë e tyre. Kadri Veseli kishte gjetur kohë për të nderuar një gangster, si Ngadhënjimi, dhe një politikan të dyshuar për korrupsion, si Adem Grabovci. Nuk ishte i vetëm. Të njëjtën kishte vendosur ta bënte edhe kandidati i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj. Aty ishte edhe Zonja e Parë, Lumnije Thaçi bashkë me të birin, Endritin. Por, pse është e rëndësishme pjesëmarrja e Veselit dhe e Haradinajt në një prej qindra dasmave të zakonshme të kësaj vere? Shfaqja e tyre e mbrëmshme në "Emerald" është më shumë se sa një vallëzim rutinor në një dasmë të zakonshme.Pjesëmarrja tyre ka simbolikë të madhe dhe mesazh të qartë. Tregon se dy liderë partish, Veseli e Haradinaj, që po përpiqen të bëjnë numrat për të qeverisur shtetin në katër vjetët e ardhshëm nuk kanë bezdi prej njerëzve që nuk i binden ligjit. Është e kundërta, kanë respekt të jashtëzakonshëm për ta. Veseli dha mesazhin se për të është i vlefshëm një njeri si Adem Grabovci, i cili dyshohet se ka shkelur të gjitha ligjet për interes të partisë dhe njerëzve të tij. Po ashtu, na bëri me dije se do të jetë tolerant dhe do të respektojë gangsterët, të cilët kanë guximin dhe mundësinë për të rrahur deri në alivanosje pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Në anën tjetër, Haradinaj përveç dhënies së mesazheve të njëjta si Veseli, shpërfaqi edhe diçka tjetër. Ai vendosi që ta respektojë Adem Grabovcin, me të cilin para tetë vjetësh ishin zhytur në një betejë të pafund akuzash.E akuzonte si një prej figurave kryesore të zhvatjes në shtetit. Po ashtu, edhe Grabovci e akuzonte për haraç, korrupsion, uzurpime e përvetësime në emër të luftës. Shtrëngimi i mbrëmshëm i duarve mes tyre, në dasmën e djalit të Grabovcit ishte një lloj kërkim falje. Haradinaj tregoi se është i dobët në pikën të cilën e ka trumbetuar shpesh- të qenit një burrë që e mban fjalën. Mbrëmë në dasmën e një prej njerëzve të PDK-së, ai la anash "burrërinë e trumbetuar". Ishte aty në cilësinë e një interesxhiu, i cili duket se do të rrijë natë e ditë afër njerëzve të PDK-së, deri në realizimin e ëndrrës së tij, që është posti i kryeministri. Haradinaj dhe Veseli po të kishin pak interes, në vitin 2013 do të kishin shkuar për ta vizituar edhe policin e rrahur, Avni Selacin. Por, asnjë prej tyre nuk duket se ka interes për ta pasur një polici të fortë, që pjesëtarët e saj nuk rrahën deri në alivanosje nga gangsterët. Për interesat e tyre personale e biznesore, ju konvenon që policët të jenë lehtësisht të rrahshëm deri në alivanosje.
The post Gangsteri i respektuar nga Haradinaj e Veseli appeared first on INSAJDERI. |
| Kurti për “Der Spiegel”: Askush nuk duhet të ketë frikë nga unë Posted: 10 Jul 2017 08:18 AM PDT E përditshmja gjermane "Der Spiegel" në një artikull të botuar sot shkruan se të gjithë kanë frikë nga Albin Kurti: Establishmenti i korruptuar politik në Kosovë, ekonomia, pakica serbe – dhe Perëndimi. Tani nacionalisti i majtë dëshiron të ngjitet në pushtet, shkruan Der Spiegel. Kush është ky "rebel" politik Për një kohë të gjatë, Albin Kurti ka refuzuar të përballet me kufizimet e ditës së një politikani. Ai preferonte imazhin e një revolucionari studentor. Për shembull, kravatat nuk ishin rreth qafës së tij deri kohët e fundit. Albin Kurti, 42-vjeç, rebel politik i Kosovës dhe kreu i lëvizjes së protestave nacionaliste të krahut të majtë Vetëvendosje, ka përshtatur rrobat e tij sepse ai dëshiron të bëhet kryeministër i vendit të tij. "Unë jam një politikan në Kosovë që ka më së shumti votues. Njerëzit i besojnë partisë sime dhe mua për të krijuar rend dhe ligj", thotë Kurti për gazetën gjermane, transmeton "Zeri.info". Kososa mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare më 11 qershor: "Koalicioni i komandantëve" i përbërë nga ish-udhëheqës të UÇK-së, nuk fitoi shumicën dërmuese. Por aleanca e PAN-it fitoi vetëm 34 për qind të votave dhe kjo shifër nuk është e mjaftueshme. Lëvizja protestuese e Albin Kurtit, Vetëvendosje, e cila arriti të fitojë rreth 28 për qind, doli partia më e fortë individuale e elektorati aktual. Ajo ishte në gjendje të dyfishojë votën e saj kundrejt zgjedhjeve të qershorit 2014, kurse vetë Kurti mori më shumë vota midis të gjithë politikanëve. Nëse komandantët e luftës Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj nga aleanca e tre partive PDK, AAK dhe Nisma, nuk janë në gjendje të gjejnë partnerë të koalicionit, Albin Kurti mund ta formojë qeverinë. Por për shumëkënd kjo shfaq frikën: – Për institucionet politike, sepse ai dëshiron të pastrojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. – Për përfaqësuesit ekonomikë, sepse ai është i matur me idetë socialiste-egalitariste. – Për misionet e OKB-së dhe BE-së në Kosovë, sepse i denoncon ato si "administrim kolonial". – Për minoritetin serb sepse konsiderohet një nacionalist. "Çdo gjë është e gabuar", thotë Kurti në bisedë me Spiegel. "Pamja jonë negative është një projeksion i regjimit të korruptuar në vend, sepse ne jemi për atë që në Kosovë të mbizotërojnë drejtësia demokratike, ligjore dhe sociale". Partia e tij gjithashtu nuk kishte probleme me pakicën serbe, por ishte thjesht kundër faktit se Serbia të kishte fuqi në territorin e Kosovës. "Ne nuk jemi kundër misioneve ndërkombëtare në Kosovë , thjesht duam të trajtohemi si shtet i pavarur, sovran, sidomos nga BE-ja, askush nuk duhet të ketë frikë nga Vetëvendosje dhe unë". I dënuar me 15 vjet burgim Kurti, i cili tani ofron pamjen e një burrë shtetasi, është një personalitet me të ardhme të ndritshme, i politizuar në lëvizjen e gjatë të rezistencës jo të dhunshme të shqiptarëve në Jugosllavi. Si aktivist studentor, ai organizoi protesta kundër regjimit të diktatorit Sllobodan Millosheviq në vitet 1990 dhe më pas u angazhua në përfaqësimin politik të Ushtrisë Çlirimtare të UÇK-së. Në vitin 1999 ai u dënua me 15 vjet burgim në një gjyq të çuditshëm dhe vetëm një vit pas rënies së Millosheviçit u lirua nga presioni ndërkombëtar. Ai ishte bashkëthemelues i Vetëvendosjes në vitin 2004, idetë e të cilit për demokraci themelore, shoqëri civile, republikanizëm dhe nacionalizëm shqiptar çojnë në një bashkëjetesë tërësisht kontradiktore. Vetëvendosja fitoi famë pas protestave të shumta dhe të dhunshme kundër administratës së përkohshme të OKB-së të Kosovës dhe misionit ligjor të BE-së në Kosovë. Misionet ndërkombëtare në Kosovë kanë kohë që kanë humbur kredibilitetin për shkak se ato janë duke u lidhur me elitën e korruptuar në vend dhe për shkak se në vitet e fundit miliarda euro kanë hyrë Kosovë pa ndikuar në mirëqenien e popullit – kurse Kosova deri tani është një nga vendet më të varfra në Evropë. Jo vetëm kaq, në vitet e fundit, Vetëvendosja u bë e vetmja parti politike e besueshme në vend në sytë e shumë shqiptarëve të Kosovës. Partia në fjalë nuk ishte deri më tani pjesë e pushtetit qeverisës në Kosovë. Në Prishtinë, ajo fitoi zgjedhjet komunale në 2013 – dhe që atëherë ka treguar se është në gjendje të pastrojë korrupsionin dhe nepotizmin. Paralajmërim kundër "bosnjzimit të Kosovës" Në rastin e administratorëve perëndimor të Kosovës, nga ana tjetër, Kurti dhe Vetëvendosje konsiderohen si protestues nacionalistë. Në vitet e fundit, ata kanë protestuar me dhunë, për shembull, me gaz lotsjellës në parlament, kundër dialogut të diskutueshëm të paqes Kosovë-Serbi, që zhvillohet në Bruksel pas dyerve të mbyllura dhe me përjashtimin e publikut kosovar. Kështu, Vetëvendosja është rreptësisht kundër një statuti të posaçëm për pakicën serbe, siç është "Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës", i cili si institucion autonom do të kishte fuqi kushtetuese të vetos. Kjo do të çonte në bosnjzimin e Kosovës, paralajmëron Kurti, duke iu referuar ndarjes strikte etnike të Bosnjë-Hercegovinës, e cila gjithnjë e më shumë po e degradon shtetin. Por frika e Vetëvendosjes është e pajustifikuar – thonë njohës të këtyre çështjeve në vend. "Demokratizimi i brendshëm do të ishte gjë e mirë", thotë Luan Shllaku, drejtor i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS). Ekonomisti Andrea Lorenzo Capussela, i cili ka punuar në administratën civile ndërkombëtare të Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011, është një kritik i ngjashëm i situatës së korruptuar dhe jodemokratike. "Megjithatë, Vetëvendosje duhet të dëshmojë se e sheh pakicën serbe si një pjesë legjitime të Kosovës dhe duhet të përfundojë me margjinalizimin serioz të serbëve", thotë Capussela. Albin Kurti është në të vërtetë një kandidat i përshtatshëm për një projekt të tillë – sepse tashmë ai e ndjeu nacionalizmin e disa prej bashkatdhetarëve të tij: Kur ai u martua me miken e tij norvegjeze Rita Augestad Knudsen tre vjet më parë, në rrjetet sociale pasuan komentet shoviniste dhe raciste për Kurtin për shkak të "martesës jo-shqiptare". The post Kurti për “Der Spiegel”: Askush nuk duhet të ketë frikë nga unë appeared first on INSAJDERI. |
| Bayern konfirmon largimin e Douglas Costas Posted: 10 Jul 2017 08:14 AM PDT Bayern Munich e ka konfirmuar se shumë shpejtë pritet marrëveshja me Juventusin për Douglas Costa Tashmë nuk ka dyshime se Douglas Costa do të largohet nga Bayern Munich për të kaluar në Juventus. Kjo tashmë është konfirmuar edhe nga Karl-Heinz Rummenigge, i cili thotë se shumë shpejtë do të ketë një marrëveshje. "Ende nuk ka marrëveshje, por bisedimet janë në progres dhe shumë shpejtë mund të arrihet edhe marrëveshja finale", tha Rummenigge gjatë prezantimit të Corentin Tolisso. Për shërbimet e Costas skuadra e Juventusit do të paguajë 40 milionë euro plus bonuse. The post Bayern konfirmon largimin e Douglas Costas appeared first on INSAJDERI. |
| Arratiset i akuzuari për vjedhjen e telefonit në shtëpinë e kryeprokurorit Posted: 10 Jul 2017 07:53 AM PDT Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Leutrim Kaqiut, i akuzuar për vjedhjen e telefonit të markës "Samsung" nga shtëpia e kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, pasi i njëjti është arratisur përderisa ishte nën masën e arrestit shtëpiak. Lajmin për mediumin "Betimi për Drejtësi" e konfirmoi mbrojtësi i Kaqiut, avokati Ali Beka. "Nuk kam kurrfarë informacioni unë, kurrfarë. Tek sot e mora vesh që ish në arrati, ish lëshuar urdhëresa. Mua prokurori më njoftoj", deklaroi avokati Beka. Ndërkaq, prokurori i rastit Kujtim Munishi tha se i akuzuari Kaqiu është arratisur në javën e parë të muajit korrik. "Javën e kaluar është arratisur, dhe ne menjëherë kemi kërkuar arrestimin e tij. I njëjti tashmë pritet të arrestohet", tha Munishi. Për më tepër, gjykimi ndaj Kaqiut dhe dy të akuzuarve tjerë, Mehmet Morina dhe Nazmi Gashi, të hënën do të fillonte përsëri nga fillimi. Kjo pasi që gjyqtarja Nora Bllaca-Dula nga 3 korriku ka filluar punën në Gjykatën e Apelit. Ndërsa, lënda në fjalë tashmë ka kaluar te gjyqtari Naser Foniqi. Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 8 qershor, pas propozimit të mbrojtjes së të akuzuarve, ishte marrë vendim që tre të akuzuarve t'iu zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak. Tutje, Leutrim Kaqiu kishte pranuar fajësinë për veprën penale "vjedhje e rëndë", që lidhet me këtë rast dhe një vjedhje tjetër. Mirëpo, i njëjti nuk pranoi se ka kryer edhe veprën penale "mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve". Ndërkaq, dy të akuzuarit tjerë Morina dhe Gashi ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat me të cilat i ngarkon aktakuza. Shqyrtimi fillestar për këtë rast pritet të mbahet nga mesi i shtatorit të këtij viti. Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 maj 2017 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Leutrim Kaqiu, Mehmet Morina dhe Nazmi Gashi për veprat penale "vjedhje e rëndë" dhe "mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve". Kaqiu akuzohet edhe për veprën penale "sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare", Morina për veprën penale "ndihma në kryerjen e veprës penale vjedhje e rëndë", ndërkaq Gashi edhe për veprat penale "blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale", "asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë". Sipas aktakuzës, Leutrim Kaqiu, më 22 nëntor 2016, rreth orës 03:25 në lagjen "Veternik" në Prishtinë, së bashku me të dyshuarin Armend Morina i cili gjendet në arrati, të pajisur me maska dhe armë zjarri, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja, kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi. Këtë e kanë bërë duke hapur derën e ballkonit me një kaçavidë, nga pjesa e prapme e shtëpisë, e cila pjesë nuk shihet nga kabina ku bëjnë roje zyrtarët policor që sigurojnë shtëpinë e kryeprokurorit. Të njëjtit kanë hyrë brenda, pastaj kanë hapur edhe derën e pushimores e cila ishte e mbyllur me çelës dhe janë drejtuar për në sallon. Nga aty kanë marrë një telefon celular të markës "Samsung" të papërdorur. Gjatë kësaj kohe, familjarët e të dëmtuarit kanë qenë duke fjetur në katin e dytë të shtëpisë, ku me të dëgjuar zhurmën kanë zbritur poshtë. Të pandehurit përderisa largohen shpejtë nga shtëpia e kryeprokurorit Lumezi, harrojnë një kaçavidë mbi murin e oborrit të shtëpisë. Tutje, në aktakuzë thuhet se Kaqiu dhe Morina kanë shkuar në shtëpinë e kryeprokurorit me veturën e markës "BMË X5" me ngjyrë të kaltër, e cila drejtohej nga i pandehuri tjetër Mehmet Morina, përkatësisht vëllai i të dyshuarit të arrtisur. Ky i fundit ka bërë roje nga jashtë, përkatësisht nga një pozicion ku duket shtëpia e të dëmtuarit, derisa dy të lartpërmendurit e kryenin vjedhjen. Ndërkaq, i pandehuri Nazmi Gashi blen telefonin e vjedhur nga shtëpia e kryeprokurorit Lumezi, edhe pse ishte në dijeni për një gjë të tillë. Ndryshe, Kaqiu, Morina dhe Gashi po akuzohen edhe për disa raste të tjera të vjedhjes, me qëllim që vetit t'i sjellin dobi pasurore. /Betimipërdrejtësi.com The post Arratiset i akuzuari për vjedhjen e telefonit në shtëpinë e kryeprokurorit appeared first on INSAJDERI. |
| Hoti: PAN-i po u servon qytetarëve një qeveri të kontrabanduar Posted: 10 Jul 2017 07:41 AM PDT Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk ka vendosur nëse do ta votojë kandidatin e PAN-it për kryeparlamentar, që në këtë rast është Kadri Veseli. Kandidati për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se janë të bashkuar kundër koalicionin PAN dhe se asnjë deputet nga ta nuk do ta votojë Haradinajn për kryeministër, shkruan Ekonomia Online. “Mendoj se zyrtarët e koalicionit PAN, janë duke i fyer qytetarët e Kosovës, duke u servuar atyre qeveri të kontrabanduar”, ka thënë Hoti. Hoti ka thënë se koalicioni LDK-AKR është unik dhe i bashkuar. "Qëndrojmë mbrapa marrëveshjes që kemi mbërritur me AKR, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi. Kemi filluar diskutimet e brendshme për pjesëmarrjen tonë në seancën konstituive të kuvendit”, ka thënë ai. “Tani po presim që presidenti të ftojë seancën e parë konstituive të kuvendit dhe të fillojë procesi i konstituimit të institucioneve të reja të dala nga këto zgjedhje", ka thënë Hoti. Hoti është ministër në largim i Financave, në qeverinë Mustafa. /Insajderi.com
The post Hoti: PAN-i po u servon qytetarëve një qeveri të kontrabanduar appeared first on INSAJDERI. |
| Vuçiq: Erdogan do të dërgoj 150 biznesmenë turq në Serbi Posted: 10 Jul 2017 07:33 AM PDT Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua sot në Stamboll me kryeministrin turk Rexhep Tajip Erdogan. Ky është takimi i parë zyrtar i Vuçiqit me Erdoganin, në nivel presidentësh. Presidenti i Turqisë do të çojë në Serbi 150 biznesmenë për të krijuar kontakte biznesi me biznesmenët serbë, ka thënë sot presidenti i Serbisë. Vuçiq tha se pas takimit me Erdogan në Stamboll beson se homologu i tij turk sa më shpejt të vizitojë Serbinë. /Insajderi.com The post Vuçiq: Erdogan do të dërgoj 150 biznesmenë turq në Serbi appeared first on INSAJDERI. |
| Daçiq thotë se “serbët dhe grekët janë vëllezër” Posted: 10 Jul 2017 07:21 AM PDT Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq tha sot në një takim me homologun e tij grek Nikos Kotzias, se “serbët dhe grekët janë miq dhe vëllezër”. “Dy vende të shenjta që çdo serb duhet t’i shoh në territorin e Greqisë janë (manastiri) Hilandari dhe Korfuzi – ishulli i Vidos”, tha Daçiç. “Kjo tregon se sa jemi të lidhur, është detyrim i politikanëve të ndjekin këtë lidhje që ekziston mes dy kombeve tona”, tha ministri serb. Serbia dhe Greqia, tha Daçiç, duhet të mbështesin dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. “Serbia është mbështetëse e integritetit territorial të Qipros dhe ne jemi mirënjohës ndaj Qipros dhe Greqisë për mbështetjen që u japin integritetit territorial të Serbisë, për qëndrimin e tyre kur është fjala për Kosovën dhe Metohinë”, tha ministri. /Insajderi.com The post Daçiq thotë se “serbët dhe grekët janë vëllezër” appeared first on INSAJDERI. |
| UEFA gjobit klubin serb – tifozët e tyre ofenduan Kosovën Posted: 10 Jul 2017 07:08 AM PDT UEFA ka gjobitur me tetë mijë euro dhe e ka dënuar me një ndeshje të garave evropiane pa tifozë, skuadrën e Crvena Zvezdas. Tifozët e Crvena Zvezdas kanë bërë thirrje ofenduese ndaj UEFA-s dhe Republikës së Kosovës gjatë ndeshjes së turit të parë kualifikues për Ligën e Evropës, ndaj skuadrës malteze Floriana. “UEFA Mafia dhe Kosova është Serbi”, kanë qenë thirrjet në kor të tifozëve të skuadrës serbe, raporton Insajderi. /Insajderi.com The post UEFA gjobit klubin serb – tifozët e tyre ofenduan Kosovën appeared first on INSAJDERI. |
| Vjen dokumentari për princeshën Diana Posted: 10 Jul 2017 06:53 AM PDT Duka i Cambridge dhe vëllai i tij princi Harry do të flasin për herë të parë për figurën e Dianës si nënë në dokumentarin e ri i cili do të shfaqet më vonë gjatë këtij muaji. Siç raporton Telegraph, në një dokumentar që do të shfaqet së shpejti në rrjetin ITV – me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së princeshës, të dy do të sjellin kujtimet e ëmbla të fëmijërisë në shoqërinë e Lady Diana. "Ishte mamaja jonë dhe është ende sot, më e mira në botë. Na ka mbushur me dashuri", thonë djemtë. Ndërsa princi Harry shton se "Ajo ishte prej prindërve më çapkënë". Në dokumentarin me metrazh të shkurtër me titullin "Diana, Our mother: Her Life and Legacy" – princi William ka treguar se sensi i humorit të mamasë së tij ka ardhur pjesërisht për shkak se ajo ka qenë e vetëdijshme për jetën jashtë kufizimeve të jetës së protokollit dhe detyrave mbretërore. "Ishte shumë e qeshur. Kishte një sjellje joformale dhe i dëshironte shumë të qeshurat dhe argëtimin. E kishte kuptuar që ishte një jetë reale jashtë mureve të Pallatit". Thëniet e Dukës së Cambridge, që në dokumentar kujton nënën e tij duke shfletuar një album të vjetër me fotografi, janë sipas mënyrës së tij historike, duke qenë se në prill 2017 William deklaroi se nuk ia kishte dalë të përballej me vëllanë e tij në mënyrë të plotë dhe të qetë mbi vdekjen e Dianës, shenjë që ajo ngjarje për ata është ende një lloj tabuje, një traumë. Siç shpjegon Jo Clinton-Davis, në krye të seksionit të fakteve në ITV, nga portreti intim dhe emocional i ofruar nga William dhe Harry – së bashku me disa kujtime të miqve dhe familjarëve – do të dalë një figurë "e freskët dhe një portret përfundimtar i princeshës Diana, një person unik që preku jetën e miliona njerëzve". Nick Kent, producent ekzekutiv i punës, njoftoi gjithashtu se ata do të shohin figurën e Lady D në mënyrë të paparë më herët, përmes syve të dy njerëzve siç janë William dhe Harry, të cilët e kanë njohur më mirë se kushdo tjetër. The post Vjen dokumentari për princeshën Diana appeared first on INSAJDERI. |
| Armët ilegale, kërcënim i përditshëm për sigurinë e qytetarëve Posted: 10 Jul 2017 06:49 AM PDT Numri i madh i armëve ilegale, të cilat vazhdojnë të mbeten në duart e qytetarëve, paraqesin rrezik për sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe në veçanti për vet qytetarët. Vetëm gjatë vitit 2016, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë arritur të identifikojnë dhe konfiskojnë rreth 1.300 armë dhe numër të madh të municionit. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i tha Radios Evropa e Lirë se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për identifikimin e armëve ilegale dhe reduktimin e prezencës dhe posedimit të tyre në mënyrë të kundërligjshme. "Gjatë vitit 2016, Policia e Kosovës, gjatë punëve operativo-hetimore, ka arritur të identifikojë dhe konfiskojë mbi 1.290 armë dhe rreth 25.800 copë municione të kalibrave të ndryshme. Gjithashtu, edhe këtë vit kemi në proces plane operacionale policore, në funksion të identifikimit dhe konfiskimit të armëve ilegale që mund të paraqesin rrezik për qytetarët tanë", tha Hoxha. Armët ilegale, shton Hoxha, paraqesin një rrezik potencial edhe për qytetarët e vendit, por janë një sfidë edhe për institucionet, e në veçanti ato të sigurisë. "Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale, apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme, apo që mund të çojnë tek kryerja e akteve të tilla", tha Hoxha. Në disa nga hulumtimet e bëra të organizatave joqeveritare të sigurisë në Kosovë, ishte theksuar se arsyet e mbajtjes së armëve të paligjshme janë pasojat e pasluftës, pastaj frika, mosbesimi tek institucionet, si dhe tradita. Ulja e numrit të mbajtjes së armëve pa leje nga qytetarët, ishte konsideruar nga hulumtimet e bëra të jetë sfidë për Kosovën. Plator Avdiu, hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se numri i armëve pa leje në duart e qytetarëve është shqetësuese për sigurinë dhe alarmuese për institucionet e sigurisë në vend. "Numri i madh i armëve që posedojnë qytetarët është shqetësuese, pasi që potencialisht mund rrezikojë sigurinë publike në vend, sigurinë e qytetarëve. Ky numër i madh i armëve vërehet gjatë sezonës së verës, kur në ahengje të ndryshme familjare janë përdorur armë ilegale dhe si pasojë e kësaj ka pasur edhe viktima", thekson Avdiu. Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta për numrin e armëve ilegale të cilat mund të jenë në duart e qytetarëve. Për këtë janë vetëm disa të dhëna të vitit 2008 të organizatave ndërkombëtare, ku ishte thënë se numri i armëve pa leje në Kosovë arrin në 300 mijë. Bazuar në këtë numër, pavarësisht konfiskimeve të armëve nga Policia, vit pas viti, besohet se përqindja e qytetarëve që posedojnë armë ilegale mbetet e lartë. Avdiu thotë se duhet të dihet numri i saktë i armëve pa leje, në mënyrë që të përgatitet një strategji për këtë çështje. "Duhet të ketë një regjistrim adekuat dhe të dihet saktë se kush ka armë në Kosovë, sa është numri i tyre dhe pastaj të vendoset kontroll më i madh i institucioneve në rrafshin e armëve ilegale. Pastaj të bëhet ose dorëzimi i armëve ose konfiskimi i tyre, por patjetër në këtë çështje duhet të ketë aktivizim më të madh të institucioneve", thekson Avdiu. Ditë më parë, Policia e Kosovës mbështetur nga mekanizmat ndërkombëtarë, ka shkatërruar një numër të madh të armëve të vogla dhe të lehta. Posedimi i armëve në Republikën e Kosovës rregullohet me ligj, prandaj edhe bartja apo posedimi i tyre në mënyrë të kundërligjshme është e sanksionuar me ligj. The post Armët ilegale, kërcënim i përditshëm për sigurinë e qytetarëve appeared first on INSAJDERI. |
| Ymeri ia bën të qartë Haradinajt se kur do ta pranojë ftesën e tij për takim Posted: 10 Jul 2017 06:42 AM PDT Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka konfirmuar pranimin e ftesës nga i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN. Por Ymeri ka thënë se brenda kësaj ftese ka shumë paqartësi. "Sot kam pranuar një letër prej Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt. Prej letrës së tij, kuptohet që z. Haradinaj dëshiron takim, por nuk është i qartë qëllimi i këtij takimi", ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook. "Nëse është fjala për koordinimin e mbledhjes së parë të Kuvendit ky nuk është roli e as detyra e z. Haradinaj. Duke qenë vetëm njëri prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë Z. Haradinaj nuk e ka rolin e koordinimit dhe konsultimit për mbledhjen e parë", ka shtuar më tej Ymeri. Por kreu i Vetëvendosjes ia ka bërë të qartë Haradinajt se kur do ta pranonte një ftesë të tillë. "Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK dhe pasi të dalë prej PAN-it", ka përfunduar postimin e tij Ymeri./Insjaderi.com The post Ymeri ia bën të qartë Haradinajt se kur do ta pranojë ftesën e tij për takim appeared first on INSAJDERI. |
| Përmbajtja e ftesave që Haradinaj ua dërgoi Mustafës dhe Ymerit Posted: 10 Jul 2017 06:26 AM PDT I nomunuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur sot se edhe zyrtarisht i ka ftuan në takim konsultativ kreun e koalicioni LAA, Isa Mustafa, dhe atë të Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Por nuk ka shkuar shumë gjatë dhe Isa Mustafa i është përgjigjur Haradinajt rreth ftesës. Mustafa e ka refuzuar atë duke thënë se tashmë LDK e ka bërë të qartë se nuk hyn në asnjë koalicion ku është edhe PDK-ja. Në letrën e Haradinajt drejtuar Isa Mustafës, i kërkon atij që për hir të interesit nacional të takohen dhe të diskutojnë rreth pikëpamjeve për ndërtimin e institucioneve. Letrat kanë përmbajtje të njëjtë, si për Mustafën, ashtu edhe për Ymerin. I nderuar z. Mustafa/ I nderuar z. Ymeri Kosova ka zhvilluar një proces të drejt dhe të rregullt zgjedhor, duke rikonfirmuar rrugën e sigurt të konsolidimit të demokracisë dhe të shtetndërtimit. Qytetarët e Kosovës presin nga institucionet e dala nga zgjedhjet që të avancojnë agjendën e interesit nacional të ndërtimit të shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik dhe përparimit të Kosovës në proceset e integrimit euro-atlantik. Në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të datës 11 qershor 2017 e të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në cilësinë e të nominuarit të koalicionit fitues, ju ftoj për një takim konsultativ me qëllim të diskutimit të pikëpamjeve rreth ndërtimit të institucioneve të reja në Kosovë. Diskutimi për çështjet e interesit nacional dhe të bashkëpunimit e bashkërendimit institucional duhet të jetë praktikë e vazhdueshme me qëllim të formimit të demokracisë së brendshme në Kosovë. Ju ftoj që takimin ta zhvillojmë në datë 11 korrik, në ora 12:00, në mjediset e Kuvendit të Kosovës. The post Përmbajtja e ftesave që Haradinaj ua dërgoi Mustafës dhe Ymerit appeared first on INSAJDERI. |
| Vidal refuzon ofertën e majme të Interit për shkak të Juventusit Posted: 10 Jul 2017 06:21 AM PDT Siç është shkruar prej disa ditësh, Arturo Vidal ka refuzuar një ofertë të majme nga Interi. Bazuar në raportimin e gazetës kiliane "El Mercurio", klubi italian ishte gati të paguante 57 milionë euro për mesfushorin e Bayern-it. Në Milano "Luftëtari" do të kishte një kontratë 4-vjeçare me pagë më të lartë, por 30-vjeçari ka thënë "jo" pa iu dridhur qerpiku. Deri këtu nuk ka ndonjë çudi, sepse lajmi përgjithësisht dihej, por detaji që duhet theksuar është arsyeja pse Vidal nuk ka pranuar të rikthehet në kampionatin italian. "El Mercurio" shkruan se mesfushorin e ka penguar e kaluara e tij te Juventusi. Ai ka luajtur në Torino nga viti 2011 deri në vitin 2015, ku ka gëzuar një respekt të jashtëzakonshëm nga tifozët, përveçse ka provuar shijen e titujve kampionë, shkruan telesport. Kështu, duke ruajtur me fanatizëm ndjenjat e tij për "Zonjën e vjetër", Vidal ka vendosur të vazhdojë aventurën bavareze. Ai ka edhe dy vite kontratë në Mynih, por pritet që shumë shpejt të rinovojë. Mediet gjermane, sakaq, shkruajnë se Bayern po mendon t'ia rrisë pagën kilianit. The post Vidal refuzon ofertën e majme të Interit për shkak të Juventusit appeared first on INSAJDERI. |
| BE “të përshpejtojë zgjerimin” me Ballkanin Perëndimor Posted: 10 Jul 2017 05:56 AM PDT Shtatë vende anëtare të Bashkimit Evropian i bënë thirrje bllokut që të përshpejtojë pranimin e Malit të Zi dhe të Serbisë, duke thënë se dështimi për të integruar Ballkanin Perëndimor mund të përbëjë kërcënim për sigurinë e gjithë rajonit. Ministrat dhe zëvendësministrat e Jashtëm të vendeve të Grupit të Vishegradit – Hungarisë, Sllovakisë, Polonisë dhe Republikës Çeke, si dhe ata të Austrisë, Slloevnisë dhe Kroacisë u takuan në Budapest për të diskutuar çështje si: migrimi dhe situata në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë. "Nëse ne nuk e përshpejtojmë procesin e integrimit evropian, do të përballemi me sfida serioze të sigurisë në gjithë rajonin e Evropës Qendrore", tha ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto. Szijjarto tha se BE duhet t'i përshpejtojë bisedimet e pranimit me Malin e Zi dhe Serbinë dhe të hapë negociata me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia janë vende kandidate për anëtarësim në BE, por ende nuk i kanë filluar bisedimet e pranimit, ndërsa Bosnja dhe Kosova nuk e kanë ende statusin e kandidatit. Ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin ndihmë për zbatimin e reformave të nevojshme për t’u kualifikuar për anëtarësimin në BE. "Situata në Ballkanin Perëndimor është e errët, jo e qëndrueshme… Është e nevojshme të sigurohet se atje ka dialog për forcimin e stabilitetit", tha Erjavec. Tensionet mbeten të larta midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Maqedonia dhe Bosnja përballen me ndarje etnike. The post BE "të përshpejtojë zgjerimin" me Ballkanin Perëndimor appeared first on INSAJDERI. |
| Arratiset i akuzuari që ia vodhi telefonin kryeprokurorit Posted: 10 Jul 2017 05:54 AM PDT Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Leutrim Kaqiut, i akuzuar për vjedhjen e telefonit të markës "Samsung" nga shtëpia e kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, pasi i njëjti është arratisur. Lajmin për "Betimi për Drejtësi" e konfirmoi mbrojtësi i Kaqiut, avokati Ali Beka. "Nuk kam kurrfarë informacioni unë, kurrfarë. Tek sot e mora vesh që ish në arrati, ish lëshuar urdhëresa. Mua prokurori më njoftoj", deklaroi avokati Beka. I kontaktuar nga "Betimi për Drejtësi", prokurori i rastit Kujtim Munishi tha se i akuzuari Kaqiu është arratisur në javën e parë të muajit korrik. "Javën e kaluar është arratisur, dhe ne menjëherë kemi kërkuar arrestimin e tij. I njëjti tashmë pritet të arrestohet", tha Munishi. Për më tepër, gjykimi ndaj Kaqiut dhe dy të akuzuarve tjerë, Mehmet Morina dhe Nazmi Gashi, të hënën do të fillonte përsëri nga fillimi. Kjo pasi që gjyqtarja Nora Bllaca-Dula nga 3 korriku ka filluar punën në Gjykatën e Apelit. Ndërsa, lënda në fjalë tashmë ka kaluar te gjyqtari Naser Foniqi. Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 8 qershor, pas propozimit të mbrojtjes së të akuzuarve, ishte marrë vendim që tre të akuzuarve t'iu zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak. Tutje, Leutrim Kaqiu kishte pranuar fajësinë për veprën penale "vjedhje e rëndë", që lidhet me këtë rast dhe një vjedhje tjetër. Mirëpo, i njëjti nuk pranoi se ka kryer edhe veprën penale "mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve". Ndërkaq, dy të akuzuarit tjerë Morina dhe Gashi ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat me të cilat i ngarkon aktakuza. Shqyrtimi fillestar për këtë rast pritet të mbahet nga mesi i shtatorit të këtij viti. Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 maj 2017 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Leutrim Kaqiu, Mehmet Morina dhe Nazmi Gashi për veprat penale "vjedhje e rëndë" dhe "mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve". Kaqiu akuzohet edhe për veprën penale "sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare", Morina për veprën penale "ndihma në kryerjen e veprës penale vjedhje e rëndë", ndërkaq Gashi edhe për veprat penale "blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale", "asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë". Sipas aktakuzës, Leutrim Kaqiu, më 22 nëntor 2016, rreth orës 03:25 në lagjen "Veternik" në Prishtinë, së bashku me të dyshuarin Armend Morina i cili gjendet në arrati, të pajisur me maska dhe armë zjarri, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja, kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi. Këtë e kanë bërë duke hapur derën e ballkonit me një kaçavidë, nga pjesa e prapme e shtëpisë, e cila pjesë nuk shihet nga kabina ku bëjnë roje zyrtarët policor që sigurojnë shtëpinë e kryeprokurorit. Të njëjtit kanë hyrë brenda, pastaj kanë hapur edhe derën e pushimores e cila ishte e mbyllur me çelës dhe janë drejtuar për në sallon. Nga aty kanë marrë një telefon celular të markës "Samsung" të papërdorur. Gjatë kësaj kohe, familjarët e të dëmtuarit kanë qenë duke fjetur në katin e dytë të shtëpisë, ku me të dëgjuar zhurmën kanë zbritur poshtë. Të pandehurit përderisa largohen shpejtë nga shtëpia e kryeprokurorit Lumezi, harrojnë një kaçavidë mbi murin e oborrit të shtëpisë. Tutje, në aktakuzë thuhet se Kaqiu dhe Morina kanë shkuar në shtëpinë e kryeprokurorit me veturën e markës "BMË X5" me ngjyrë të kaltër, e cila drejtohej nga i pandehuri tjetër Mehmet Morina, përkatësisht vëllai i të dyshuarit të arrtisur. Ky i fundit ka bërë roje nga jashtë, përkatësisht nga një pozicion ku duket shtëpia e të dëmtuarit, derisa dy të lartpërmendurit e kryenin vjedhjen. Ndërkaq, i pandehuri Nazmi Gashi blen telefonin e vjedhur nga shtëpia e kryeprokurorit Lumezi, edhe pse ishte në dijeni për një gjë të tillë. Ndryshe, Kaqiu, Morina dhe Gashi po akuzohen edhe për disa raste të tjera të vjedhjes, me qëllim që vetit t'i sjellin dobi pasurore. The post Arratiset i akuzuari që ia vodhi telefonin kryeprokurorit appeared first on INSAJDERI. |
| Posted: 10 Jul 2017 05:44 AM PDT Familjet dhe kryesisht fëmijët që jetojnë nëpër çadrat përreth zonave në qytetin Idlib i cili ndodhet nën kontrollin e opozitarëve në veri të Sirisë, po përballen me të nxehtin ekstrem. Familjet të cilat janë strehuar në qytetin Idlib në veri të vendit duke u larguar nga sulmet e regjimit të Bashar al Asadit dhe mbështetësve të tij, që jetojnë nëpër çadrat të cilat i kanë ngritur mbi toka jo pjellore ku pavarësisht kushteve të këqija ku mungojnë energjia dhe uji, përballen me të nxehtin ekstrem, ku herë pas temperatura arrin mbi 50 gradë, ndërsa më shumë është problem për fëmijët. Nëna Um Hatice Kasım, e cila jeton në qytetin çadër në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se “Vajza ime 2 vjeçare humbi dëgjimin pasi u sëmur për shkak të të nxehtit. Kemi vajtur tek mjeku, duhet të mjekohet me pajisjet e nevojshme, por edhe ato kushtojnë shumë.” Duke theksuar se përpiqen të gjejnë zgjidhje për të freskuar fëmijët, Kasim është shprehur “Këtu në këto çadra është e vështirë të gjesh gjëra të ftohta apo akull. Kur lind dielli dalim e gjejmë ujë të ftohtë me të cilin lagim çarçafët dhe veshjet duke i mbështjellë në trupin tonë.” “Fëmijët i dërgojmë pranë të njohurve tanë” Ndërsa Ebu Muhammed Hamavi, i cili jeton që prej 4 vitesh në qytetin çadër në një deklaratë për gazetarin e AA-së shprehet se “Kjo verë po kalon shumë e vështirë. Teksa para disa ditësh nxehtësia nëpër shtëpi u ndje në 50 gradë kjo nëpër çadra u ndje akoma edhe më shumë. Të nxehtit vazhdon akoma.” Duke vënë në dukej se një pjesë të fëmijëve i dërgojnë pranë të njohurve, shokëve në qendër të qytetit Hamavi tha se “Nuk kemi mundur t’i dërgojmë të gjithë. Me ujin e fundit që na ka mbetur ia hedhim fëmijëve që kanë mbetur këtu. Përpiqemi që ato t’i mbrojmë në këtë mënyrë.” Ndërsa edhe Um Yusuf Zeki që ka tërhequr vëmendjen se në kamp ka mangësi për ujin tha se “Përpiqemi të sigurojmë jetesën duke punuar këtu. Bashkë me familjen time kemi emigruar nga Hama. Fëmijët përballen me të nxehtin i cili këtë verë ka arritur në 50 gradë. Ato kanë patur probleme shëndetësore si marrje mendsh dhe të vjella. I kemi dërguar çdo ditë nëpër spitale dhe pikat shëndetësore”./Anadolu Agency. The post “Qytetet çadër” appeared first on INSAJDERI. |
| You are subscribed to email updates from INSAJDERI. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





