INSAJDERI: “Hiri i Nobelistit Liu Xiaobo hidhet në det” plus 19 more

INSAJDERI: “Hiri i Nobelistit Liu Xiaobo hidhet në det” plus 19 more


Hiri i Nobelistit Liu Xiaobo hidhet në det

Posted: 15 Jul 2017 09:36 AM PDT

Kina e ka djegur trupin e vdekur të Laureatit të Çmimit Nobel për Paqe, dhe disidentit, Liu Xiaobo.

Ai ka vdekur gjatë kësaj jave në moshën 61 vjeçare, pas një beteje me kancer.

Vdekja e tij është përcjellur me kritika ndërkombëtare ndaj Beijingut, për mos lirimin e tij në ditët e fundit të jetës.

Autoritetet kineze kanë thënë se trupi i tij është djegur gjatë një ceremonie familjare.

Gruaja e Liut, Xia, është mbajtur në arrest shtëpiak që kur Liu pati fituar Çmimin Nobel për Paqe më 2010.

Liu që ka vuajtur nga kanceri në mëlçi, ishte dënuar me 11 vite burgim pasi kishte ndihmuar në shkrimin e një peticioni për krijimin e reformave të reja në Kinë, në vitin 2008.

Autoritetet kanë thënë se familjarët, kanë hedhur hirin e trupit të Liut në det.

Mbështetësit e Liut kanë thënë se një ceremoni e tillë e vdekjes është iniciuar nga autoritetet qeveritare për të zhdukur të gjitha gjurmët e të burgosurit më të famshëm politik në Kinë.

Vdekja e tij ka marrë vëmendjen globale, mirëpo në mediat e cenzuruara kineze, është përmendur shumë pak.

Thuhet se qeveria kineze ka ndaluar reagimet në rrjetet sociale lidhur me vdekjen e tij.

The post Hiri i Nobelistit Liu Xiaobo hidhet në det appeared first on INSAJDERI.

Bonuçi falënderon të gjithë te Juventusi, përveç një njeriu

Posted: 15 Jul 2017 09:22 AM PDT

Leonardo Bonuçi ka shkruar një letër falënderuese për Juventusin dhe tifozët e saj, pas transferimit tek Milani. Mbrojtësi italian, përmes kësaj letre, falënderoi klubin e Juventusit, shokët e ekipit, kapitenin Buffon, por jo edhe trajnerin Massimiliano Allegri.

Fillimisht, Bonuçi në letrën e tij shkruante për ëndrrën e realizuar për të luajtur me Juventusin.

“Kanë kaluar shtatë sezone, shtatë sezone me fitore, me ëndrra të realizuara, të rritjes së skuadrës që u zhvillua përmes një lidhje të jashtëzakonshme me Juven, në tërësinë e saj”, thuhet në deklaratën e Bonuçit.

“Mbetet një keqardhje e madhe që nuk e fituam Ligën e Kampionëve, por mbetet një krenari më e madhe për arritjet”, ka thënë ai, raporton Insajderi.

Bonuçi falënderoi shokët e skuadrës, kapitenin dhe klubin në tërërsi, por nuk e falënderoi vetëm një njeri. Trajnerin e Juventusit, Mssimiliano Allegri.

“Gjithmonë kam dhënë gjithçka, me të vërtetë, deri në fund. Sot, duke shikuar prapa, megjithatë shoh një histori të mrekullueshme, të denjë për t’i dhënë fund në respekt të plotë dhe dashuri, pa ndikuar në atë që kam jetuar së bashku me klubin, kapitenin, shokët e ekipit dhe tifozët”, ka thënë Bonuçi. /Insajderi.com

 

The post Bonuçi falënderon të gjithë te Juventusi, përveç një njeriu appeared first on INSAJDERI.

MPJ: Informata për aktivitetet e Speciales në Beograd është e paverifikuar

Posted: 15 Jul 2017 09:21 AM PDT

Ministria e Punëve të Jashtme e ka klasifikuar si të pakonfirmuar informatën e Ambasadorit kosovar në Beograd, Valdet Sadiku, lidhur me takimet e zyrtarëve të Gjykatës Speciale me Presidentin Aleksander Vucic.

Ministria e Punëve të Jashtme ka sqaruar se kanë udhëzuar Ambasadorin të ndjekë më tutje këtë informacion për ta verifikuar. Kanë kërkuar edhe prej ambasadave tjerë verifikimin nëse zyrtarë të Gjykatës Speciale kanë pasur takime me liderët e Shtetit serb.

"Edhe kjo informatë është e tillë, jo e konfirmuar por e mbështetur në burime. Prandaj, edhe ambasadori është udhëzuar ta ndjekë më tutje këtë çështje dhe të kërkojë sqarime edhe zyrtarisht se për çka bëhet fjalë, ashtu sikurse është kërkuar edhe nga ambasadat tona të tjera që ndërlidhen me çështjen në fjalë, ta ndjekin këtë informatë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për Express.

MPJ ka sqaruar se posa të konfirmohet ky informacion do t'i njoftojnë edhe institucionet tjera.

"Raporti i përcjellë nga ambasadori ynë Valdet Sadiku është vetëm një informatë nga dhjetëra të tilla që marrim në baza ditore prej diplomatëve tanë nëpër botë. Si Ministri e Jashtme, pastaj varësisht nga rëndësia, kredibiliteti apo karakteri i informatës i përcjellim më tutje disa prej tyre deri në një sqarim të plotë ose i informojmë institucionet e tjera kompetente në Kosovë", thuhet nga kjo ministri

Ambasadori Sadiku kishte dërguar dy letra në MPJ, duke thënë se është shtuar aktiviteti i Speciales në Beograd.

Me letrën e parë, Valdet Sadiku e ka informuar MPJ-në se mbështetur në një burim të tij, përfaqësues të Gjykatës Speciale ditëve të fundit kanë pasur takime në Beograd, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Aty, Sadiku, ka bërë të ditur se Vuçiq ka premtuar se shteti i Serbisë do t'i ofrojë mbështetje maksimale Gjykatës, si në aspektin logjistik, ashtu edhe sa i përket bashkëpunimit me institucionet serbe.

E në lidhje me këtë, MPJ sqaron së kjo është edhe detyra e shërbimit diplomatik, për t'i vënë në dijeni sa më parë dhe për çdo gjë.

 

The post MPJ: Informata për aktivitetet e Speciales në Beograd është e paverifikuar appeared first on INSAJDERI.

PDK në Prishtinë nuk ka version zyrtar rreth ndërtimit të Xhamisë së re në Dardani

Posted: 15 Jul 2017 09:07 AM PDT

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka ende një version zyrtar nëse ky subjekt politik do ta mbështes apo jo dhënien e lejes për ndërtimin e Xhamisë së re në Prishtinë.

Asamblisti i PDK-së në Prishtinë Lirak Çelaj i kontaktuar nga Insajderi ka thënë se ai dhe partia e tij nuk kanë ende një version zyrtarë në lidhje me këtë çështje.

"Nuk kemi ende një version zyrtar për këtë çështje por shumë shpejt do të dilet me një version zyrtar", ka thënë Çelaj.

Në anën tjetër aj ka shprehur përkrahjen për komunitetin mysliman për të kërkuar një objekt fetar ku do të mund të i kryenin ritualet fetare.

"Po unë besoj që është e drejt e tyre sepse është e nevojshme, ka një nevojë të madhe për një objekt të tillë në Prishtinë", ka thënë Çelaj për Insajderin.

"Bashkësia Islame e Kosovës ditë më parë bëri të ditur për Insajderin se brenda 15 ditëve, në Kuvendin Komunal do të prezantohet plani për lejen e ndërtimit të kësaj xhamie./Insajderi.com

The post PDK në Prishtinë nuk ka version zyrtar rreth ndërtimit të Xhamisë së re në Dardani appeared first on INSAJDERI.

Mayweather – McGregor: Data e meçit, “biznesi milionësh” dhe informacione të tjera

Posted: 15 Jul 2017 08:55 AM PDT

Ajo që nisi vetëm si një thashethem, tani është një realitet.

Pasi të dy luftëtarët pranuan të flasin për këto thashetheme, ata vendosën që ta zhvillojnë një meç, i cili sa është interesant, është edhe i çuditshëm.

Floyd Mayweather – njëri prej boksierëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave – kundër Conor McGregor, një luftëtar i arteve parciale – UFC, i cili është po aq i aftë në fushën e tij, por nuk ka aspak përvojë në boks.

Por, e veçanta e kësaj sfide janë edhe konferencat për shtyp, të cilat e kthyen në spektakël për tifozët e boksit këtë para-meç të boksit, raporton Insajderi. Ky meç është duke u kthyer në një biznes në vete për të dyja palët.

Vetë Mayweather kur është pyetur përse u rikthye aktiv në boks për t’u ndeshur me McGregor, deklaroi se “paratë” ishin arsye për zhvillimin e këtij meçi.

Të ardhurat që të dy boksierët kanë përfituar vetëm nga katër konferencat për shtyp që kanë zhvilluar në tri vende të ndryshme – Amerikë, Kanada dhe Angli – janë shumë të mëdha.

Pse Mayweather vendosi të ndeshej me McGregor?

Është një pyetje e drejtë, pasi para së gjithash, vetëm njëri prej tyre është boksier profesionist.

Të dy luftëtarët kanë arsyet e tyre për t'u ndeshur kundër njëri-tjetrit, por shuma marramendëse e parave që do të fitojnë të dy boksierët është një nga arsyet kryesore. Të dy mund të fitojnë më shumë se 100 milion dollarë nga ky meç.

Nga një pikëpamje tjetër, dy luftëtarët duan që të dëshmojnë më shumë sesa kanë bërë deri më tani. Ata, të dy, kanë dominuar në disiplinat e tyre ku kanë garuar, dhe duan të shkojnë më tej duke zhvilluar meçin mes tyre.

Ky meç do të jetë i veçantë, për faktin se njëri është luftëtar i UFC-së, ndërsa tjetri boksier profesionist.

A nuk duhej që Floyd Mayweather tashmë të ishte në pension?

Po, Mayweather u pensionua për herë të dytë në vitin 2015 pasi mposhti Andre Berton, herën e parë ai kishte paralajmëruar tërheqjen, 10 vjet më parë pas duelit me Ricky Hatton.

Megjithatë, Mayweather, i njohur me nofkën "Money" (Paraja), tha se do të kthehej sërish aktiv për t'u ndeshur me McGregor.

"Gjëja e vetme që më intereson është lufta ndaj Conor McGregor", tha Mayweather. "Unë jam një biznesmen dhe kjo [lufta v.j] ka kuptim në biznes. Unë besoj në atë që unë dhe [këshilltari] Al Haymon kemi folur dhe diskutuar.”

Kur dhe ku zhvillohet meçi?

Meçi, që tashmë po quhet “Lufta e Shekullit” do të zhvillohet të shtunën më 26 gusht në T-Mobile Arena të Las Vegasit.

Koha e zhvillimit të meçit nuk është konfirmuar ende, por flitet se në Evropë meçi do të transmetohet në mëngjesin e së dielës.

Për cilët tituj do të luftohet?

Për asnjë. Edhe pse kjo po konsiderohet si një meç historik. Mayweather aktualisht nuk mban asnjë titull, për shkak se është tërhequr nga boksi profesionist në vitin 2015.

Sa i përket McGregor, ai është ende kampion i peshave të lehta në UFC, por kjo nuk ka të bëjë në disiplinën e boksit, kështu që nuk vihen në diskutim ata tituj. /Insajderi.com

The post Mayweather – McGregor: Data e meçit, “biznesi milionësh” dhe informacione të tjera appeared first on INSAJDERI.

Ahmeti: Nuk është paraparë ndërtimi i xhamisë në Dardani

Posted: 15 Jul 2017 08:51 AM PDT

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në mars të këtij viti, kishte deklaruar se në dy dokumentet mbi të cilat lëshohen lejet për ndërtim – Plani Urban dhe Plani Zhvillimor – nuk është paraparë ndërtimi i xhamisë në lagjen Dardania në Prishtinë. Atëkohë, Kryetari i Prishtinës kishte kërkuar ndihmën e shoqërisë civile dhe banorëve për të ndërhyrë në projektin e Xhamisë së Madhe.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, para katër muajsh, kishte sqaruar se nuk mund të ndërtohet Xhamia e Madhe në lagjen Dardania në Prishtinë. Kishte arsyetuar se në asnjë dokument të Komunës s'ishte paraparë ndërtimi i objektit fetar për komunitetin musliman.

"Duhet kuptuar se ne japim leje sipas dy dokumenteve: Planit Zhvillimor Urban dhe Planit Rregullativ. Në asnjërin prej këtyre dy dokumenteve nuk është e paraparë që xhamia të ndërtohet aty", kishte thënë Ahmeti, për Ekonomiaonline.

Atëkohë, Shpend Ahmeti kishte kërkuar reagimin e banorëve dhe të shoqërisë civile, duke iu kërkuar të përfshihen në debat.

Por, pavarësisht kësaj, Bashkësia Islame ka paralajmëruar se Xhamia do të ndërtohet shpejt. Kryemyftiu Naim Tërnava ka thënë se nëse Komuna nuk lëshon leje, atëherë, objekti i komuniteti musliman do të ndërtohet pa procedura.

Disa anëtarë të shoqërisë civile, e disa banorë të lagjes Dardania, kanë nënshkruar një peticion, duke kërkuar të mos ndërtohet xhamia në afërsi të Postës së Kosovës.

"Së këndejmi, ne si nënshkrues të këtij dokumenti, nuk jemi kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por jemi gjithsesi të interesuar për një proces ligjor, gjithëpërfshirës dhe profesional për kryeqytetin tonë", thuhet ndër të tjera në peticion.

The post Ahmeti: Nuk është paraparë ndërtimi i xhamisë në Dardani appeared first on INSAJDERI.

“Jemi me ju” – qindra kosovarë solidarizohen me Turqinë në Prishtinë

Posted: 15 Jul 2017 08:43 AM PDT

Me flamuj të Turqisë dhe të Kosovës në duar, qindra persona janë grumbulluar sot në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, për t'u solidarizuar me puçin që ndodhi saktësisht një vit më parë në Turqi.

Me një pankartë ku mbishkruhej "Jemi me ju", organizatorët kanë thënë se janë mbledhur sot në Prishtinë për t'u solidarizuar me Turqinë.

Njëri nga organizatorët, i cili mori fjalën, tha se Turqia është "shtet mik i Kosovës".

"Jemi mbledhur këtu për solidarizim ndaj një shteti mik", tha njëri nga organizatorët, raporton Insajderi.

Në këtë marsh nuk morën pjesë njerëz të politikës, apo fytyra publike.

Puçi i organizuar më 15 korrik të vitit të kaluar në Turqi kishte dështuar, pasi qytetarët e Turqisë dolën në rrugë për ta mbrojtur sistemin qeverisës të vendit. Por, nga ky tentim-puç mbetën të vdekur më shumë se 150 njerzë, derisa u plagosën edhe rreth 1 mijë veta të tjerë. /Insajderi.com

The post "Jemi me ju" – qindra kosovarë solidarizohen me Turqinë në Prishtinë appeared first on INSAJDERI.

David Haye thotë se Mayweather po “rrezikon gjithçka” ndaj McGregor

Posted: 15 Jul 2017 08:16 AM PDT

Floyd Mayweather është duke “rrezikuar gjithçka” me meçin ndaj Conor McGregor, sipas ish-kampionit të peshave të rënda në boks, David Haye.

Kampioni i Botës dhe i pamposhturi në 49 meçe të boksit, Floyd Mayweather do të takohet me kampionin e peshave të lehta të UFC-së, Conor McGregor, në një ndeshje boksi që do të zhvillohet më 26 gusht.

E boksieri britanik, Haye, thotë se Mayweather rrezikon gjithçka nga meçi me MGregor. Sipas Haye, Mayweather mund ta humbas trashëgimin që e kishte lënë pas, si boksier i pamposhtur.

“Mayweather rrezikon gjithçka. Ai mund të zhbëjë krejtësisht trashëgiminë mahnitëse që ai e ka ndërtuar që kur ishte fëmijë i vogël, nëse ai mposhtet nga dikush që nuk është as boksier”, ka thënë Haye për Sky Sport.

McGregor dhe Mayweather pritet të përfitojnë nga më shumë se 100 milionë dollarë secili, prej meçit që po cilësohet si “Lufta e Shekullit”. /Insajderi.com

The post David Haye thotë se Mayweather po “rrezikon gjithçka” ndaj McGregor appeared first on INSAJDERI.

Mbyten tre persona në plazhin e Vlorës

Posted: 15 Jul 2017 08:13 AM PDT

Tre persona kanë humbur jetën këtë të shtunë pasi janë mbytur teksa bënin plazh në zonën e Zvërnecit, në Vlorë.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 14:30 policia është njoftuar se pranë Gjirit të Portanovos ishin në rrezik mbytjeje dy persona.

Menjëherë shërbimet e policisë kufitare janë nisur me mjete lundruese për t'u ardhur në ndihmë, por pa mundur t'i shpëtojnë.

Sipas autoriteteve lokale, viktimat janë dy femra dhe një mashkull dhe trupat e tyre janë nxjerrë tashmë nga uji.

Një grup hetimor po punon për zbardhjen e identiteteve të tyre, si dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Më herët gjatë ditës, po në Vlorë, një 14-vjeçar u mbyt në zonën e Ujit të Ftohtë. /TopChannel

The post Mbyten tre persona në plazhin e Vlorës appeared first on INSAJDERI.

Edhe ambasada e Turqisë në Shqipëri bën thirrje: Larg shkollave të Gylenit

Posted: 15 Jul 2017 08:11 AM PDT

Ambasada e Turqisë përkujtoi këtë të shtunë 1-vjetorin e asaj që u quajt "Dita e fitores së demorkacisë dhe përkujtimit të dëshmorëve".

Përpara qindra të ftuarve, mes tyre dhe minsitri i Brendshëm Dritan Demiraj, ambasadori Hydajet Bayraktar, duke risjellë në kujtesë çfarë ndodhi një vit më parë me tentativën e dështuar të grushtit të shtetit, edhe njëherë kërkoi nga të gjithë shqiptarët shkatërrimin e kësaj organizate.

"Për të gjithë ju është e ditur dashuria e sinqertë e Turqisë, popullit turk dhe para së gjithash e presidentit Rexhep Taip Erdoan për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pastrimi i Shqipërisë nga kjo organizatë para së gjithash është në të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nëse e themi që duhet shkatërruar kjo organizatë në vendin tuaj, e themi këtë që mos t'i ndodhin Shqipërisë ato që përjetuam ne, sepse organizata është e njëjtë, funksionimi është i njëjtë. Ne të gjithë së bashku ishim dëshmitarë më 15 korrik, arma shkrepi zjarr në Turqi, kush mund të garantojë se e njëjta armë nuk do të shkrepë zjarr në Shqipëri", tha Bayraktar.

I ftuar ishte dhe një prej 1.500 veteranëve të 15 korrikut, ish-kampioni i karatesë, Ismet Dogan, i cili në tentativë për të ndaluar organizatorët e grushtit të shtetit mbeti i plagosur, duke i dhënë fund dhe karrierës së tij.

"E pash në sy dhe i thash, a e qëllon myslimani myslimanin? Dhe ai nuk u përgjigj. Në ato momente atij i mbërriti një njoftim në radio ku i thuhej që mos i harxhoni fishekët kot, çdo fishek për një person. Ata menduan se ne do të zmbrapseshim, por ne nuk kishim më frikë nga vdekja. Ata u ulën në gjunjë, morën pozicionin e zjarrit dhe na qëlluan me automatik. Në ato momente ndjeva një dhimbje në këmbën e majtë, të cilën plumbi e tejkaloi dhe dëmtoi edhe këmbën tjetër", tha Dogan.

Por Dogan e mbyll rrëfimin e tij duke thënë se asnjëherë nuk është penduar për atë çfarë ka bërë, pasi detyra e çdo qytetari është të mbrojë atdheun e tij.

The post Edhe ambasada e Turqisë në Shqipëri bën thirrje: Larg shkollave të Gylenit appeared first on INSAJDERI.

Myftiu: Ndoshta do të vijë dita kur do ta ndërtojmë xhaminë pa leje

Posted: 15 Jul 2017 07:57 AM PDT

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se nuk dëshiron të komentojë fare peticionin e disa anëtarëve të shoqërisë civile lidhur me kundërshtimin e tyre për projektin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Ai ka thënë se qëndron prapa deklarimeve që i ka dhënë në intervistën e fundit në RTK, ku ka thënë se xhamia do të ndërtohet shumë shpejt pasi që sipas tij kjo gjë tashmë është tepruar.

"Shikojeni intervistën e fundit në RTK. Të gjitha i kam sqaruar aty. Qëndroj prapa asaj që kam thënë në RTK", ka thënë Tërnava, për Express, të shtunën.

Tërnava në intervistën e bërë në televizionin publik të vendit kishte thënë se Xhamia e Madhe në Prishtinë do të ndërtohet shumë shpejt.

"Xhami do të ndërtohet të jeni të bindur se do të ndërtohet dhe shumë shpejt do të ndërtohet unë nuk jam njëri që di të kërcënoj por çfarë është boll është boll, me këtë Xhami është bërë boll", ka thënë Tërrnava.

Ai më tutje kishte thënë se shumë shpejt mund të vjen dita kur të niset ndërtimi i kësaj xhamie pa leje dhe të gjitha përgjegjësin do të i merrte Tërnava.

"Ndoshta shumë shpejtë do të vijë dita që të dalim dhe ta nisim xhaminë pa leje dhe atëherë ju bëjë me dije që ai që organizon jam unë, ai që marrë përgjegjësinë jam unë, ai që duhet të burgoset jam unë, të gjitha jam unë, por nuk kam dëshirë të shkojë punën deri aty", ka thënë Tërrnava.

"Me dhjetëra herë kam kërkuar dhe kërkoj që pesë vjet të jepet leja për ndërtimin e xhamisë, toka është në emrin tonë, projekti është kryer është dorëzua në komunë qe sa vite. Unë kam një presion shumë të madh prej xhematin sepse kjo xhami është shumë domethënëse për komunitetin Mysliman", kishte thënë Tërnava.

 

 

 

The post Myftiu: Ndoshta do të vijë dita kur do ta ndërtojmë xhaminë pa leje appeared first on INSAJDERI.

Era Istrefi për “Forbes”: Dua të bëhem si Beyonce

Posted: 15 Jul 2017 07:50 AM PDT

Era Istrefi është një nga këngëtaret shqiptare më me famë në botë, momentalisht. Hiti i yllit "BonBon" ka realizuar të premtën një intervistë me revistën e famshme amerikane "Forbes".

"Njihuni me yllin e ardhshëm të muzikës pop", shkruhet në titullin e artikullit të publikuar nga "Forbes", ku në brendësi përmban intervistën me Era Istrefin.

"Forbes" shkruan se Era Istrefi ishte e famshme edhe më parë në vendin e saj në Kosovë dhe në Evropë, por sipas revistës amerikane, këngëtarja nga Prishtina mori vëmendje edhe përtej oqeanit Atlantik, kur publikoi këngën "BonBon".

Kjo këngë e Istrefit ka arritur në më shumë se 400 milionë shikime në kanalin e internetit, Youtube.

Pjesë nga intervista e "Forbes" me Era Istrefin:

"Forbes": Çfarë keni vërejtur nga performanca në Coachella që keni dëshirë të përmirësoni?

Istrefi: Dua të jem në gjendje të kërcej më shumë, sepse e dua shumë vallëzimin, por më mbaron frymëmarrja. Unë vetëm dua të bëj më shumë kërcim. Kështu që, unë dua të bëhem Beyonce.

"Forbes": Pra, në një shkallë nga 1 deri në 100 – 100 duke qenë Beyonce, ku e vendosni vetën tani? Çfarë duhet të bëni për të arritur Beyoncen?

Istrefi: (Qesh) Në fakt unë po qesh sepse nuk dua ta marr aq seriozisht jetën. Sinqerisht, unë dua të jem Rihanna sepse ajo nuk e merr jetën seriozisht, ajo e shijon jetën e saj si një person normal. E përsosura tw lëndon.

"Forbes": Pra, ku qëndroni ju në "nivelin e Rihannas"?

Istrefi: Ndihem sikur jam në kapitullin e dytë dhe ajo është në kapitullin e 20-të, kështu që nuk mund ta krahasoj veten time me të. Audienca dhe fansat më krahasojnë me të, duke thënë se kemi zëra dhe ndjenja të ngjashme, të cilat me të vërtetë i dua, sepse ajo ka qenë një ndikuese e madhe në mbarë botën dhe unë u rrita duke e dëgjuar atë. Por unë kam më shumë për të bërë, ju nuk mund ta mposhtni përvojën. Kjo do të marrë kohë. /Insajderi.com

The post Era Istrefi për "Forbes": Dua të bëhem si Beyonce appeared first on INSAJDERI.

Blair: Mund të bëhen kompromise për lëvizjen e lirë

Posted: 15 Jul 2017 07:49 AM PDT

Ish-kryeministri britanik Toni Blair beson se udhëheqësit evropianë janë të gatshëm të bëjnë kompromis për lëvizjen e lirë të njerëzve si mënyrë për të shmangur largimin e Britanisë nga Unioni. Sipas tij, "vullneti i britanikëve" mund të ndryshojë kur vështirësitë e Brexit-it të duken më qartë.

Ish-kryeministri më i suksesshëm britanik i dekadave të fundit, Toni Blair, ndërhyn sërish në fushatën e Brexit-it, duke deklaruar se, sipas politikanëve më me influencë të Evropës, me të cilët ai ka kontakte, janë të gatshëm të bëjnë kompromis për lëvizjen e lirë në vendet e BE-së, në këmbim të qëndrimit të mëtejshëm të Britanisë në Bashkimin Evropian.

Në një shkrim, Blair i referohet politikanëve gjermanë dhe francezë. Sipas tij, "fitorja e Macron në Francë ka ndryshuar dinamikën politike në Ervopë".

Sipas Blair, konservatorët në pushtet në Britani humbën shumicën parlamentare në zgjedhjet e fundit sepse një numër i madh britanikësh votuan për të frenuar Brexit-in e fortë dhe në mënyrë eksplicite hodhën poshtë mandatin që kërkonte kryeministrja May për bisedimet e Brexit-it.

Në shkrimin e botuar nga Inistuti i Toni Blair, theksohet se debati i duhur për çështjet e Brexit-it nuk është në tavolinë për shkak të frikës së konservatorëve për hapjen e plagëve të brendshme brenda partisë së tyre.

Artikulli i Toni Blair botohet në kohën e njoftimit të të dhënave të sondazhit të fundit të opinonit publik, ku 70% e britanikëve do të mbështesnin lëvizjen e lirë nëse ajo do të reformohej, sipas të cilës, shtetasit e BE-së nuk do të gëzonin automatikisht të drejtën për t'u vendosur në një vend të BE-së pa pasur më parë një ofertë për vend pune dhe nëse do të kishte kontrolle më të forta për përfitimet dhe ndihmat sociale. E njëjta gjë konfirmohet edhe nga votuesit gjermanë dhe ata francezë.

The post Blair: Mund të bëhen kompromise për lëvizjen e lirë appeared first on INSAJDERI.

Profesori i Studimeve Islame: Peticioni kundër ndërtimit të xhamisë i pa bazë

Posted: 15 Jul 2017 07:48 AM PDT

Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, është deklaruar në lidhje me debatin e fundit rreth ndërtimit të xhamisë në Prishtinë.

Ai ka thënë se ndërtimit i kësaj xhamie është nevojë e komunitetit mysliman në kryeqytet. Madje sipas tij, këtë askush nuk duhet ta kontestojë.

"Peticioni kundër, është një hap i cili nuk ka asnjë arsye dhe argument të bazuar. Është e kuptueshme se, përzgjedhjet arkitekturale nuk janë gjithmonë të pëlqyera nga të gjithë, e as që shikohen me shijen e njëjtë. Lulet, jo të gjithë i shohim dhe i përjetojmë njëjtë", ka thënë Hamiti, përcjell Koha.net.

Ai ka thënë se xhamitë, si edhe faltoret tjera, nuk bën të ndërtohen për inati të askujt, por të shihen si plotësim i kërkesave të besimtarëve, të cilët i takojnë një kulti të caktuar fetar.

"Unë, nuk arrij të kuptoj këtë zhurmë të panevojshme sot. Nëse plotësimi i kushteve urbanistike është arritur në plotni, pse të ketë peticion?! As organet komunale, e as BIK nuk janë mbi qytetarët, por në shërbim të tyre. Nuk është e nevojshme që publikun ta ngarkojmë me një çështje, e cila është detyrë e këtyre dy institucioneve zyrtare", ka thënë tutje Hamiti.

"Prandaj, të plotësohet ajo që nuk është plotësuar në këtë drejtim, nëse veç nuk është plotësuar deri më tani nga të dy palët, e të ecet përpara me realizimin e projektit në fjalë", ka shtuar ai.

 

The post Profesori i Studimeve Islame: Peticioni kundër ndërtimit të xhamisë i pa bazë appeared first on INSAJDERI.

Wenger: Mbappe vlen më shumë se 100 milionë euro

Posted: 15 Jul 2017 07:44 AM PDT

Trajneri i Arsenalit, Arsen Wenger pas ndeshjes miqësore me Wanderers ka folur për lajmet që po qarkullojnë se Arsenali ka bërë ofertë zyrtare për Kylian Mbappen.

Ai ka thënë se kjo gjë është e pavërtetë se Arsenali ka ofruar 123 milionë euro në drejtim të francezit, ai ka thënë se Arsenali nuk ka bërë asnjë ofertë për francezin.

"Nuk është e vërtet, njerëzit kanë një imagjinatë të madhe. Ajo çfarë dimë është se Mbappe vlen më shumë se 100 milionë euro. Pas kësaj është e lirë të imagjinoni çfarë të doni. Por duket se Mbappe do të qëndrojë edhe një sezon në Monacco", ka thënë Wenger.

Wenger ka folur edhe për të ardhmen e kilianit Alexis Sanchez. Ai ka thënë se Sanchez nuk ka arritur asnjë marrëveshje të re.

Wenger më tutje u shpreh 100 për qind i sigurt se Alex Oxlade-Chamberlain do të vazhdojë të qëndroj në Arsenal

The post Wenger: Mbappe vlen më shumë se 100 milionë euro appeared first on INSAJDERI.

Qëllohet me armë një kosovar në Lucernë, arrestohet një zviceran

Posted: 15 Jul 2017 07:34 AM PDT

Një kosovar (21 vjeç) ishte qëlluar me armë mbrëmë në oborrin e shkollës në Ebikon në Lucernë të Zvicrës. Policia ka arrestuar një zviceran (34) dhe po kërkon dëshmitarë tjerë, raporton gazeta zvicerane Blick.

Polica ishte alarmuar për të shtëna me armë mbrëm rreth ores 20:45,  në rrugën Schulhausstrasse në Ebikon, njoftoi policia e Lucernës.

Policia kishte hasur në disa njerëz në sheshin para shkollës Wydenhof. Njëri prej tyre, një kosovar 21-vjeçar ishte i plagosur. Ai u dërgua në spital me ambulancë dhe thuhet të jetë jashtë rrezikut për jetë, thotë policia.

Policia tha se është arrestuar një zviceran 34-vjeçar në lidhje me ngjarjen. /Insajderi.com

The post Qëllohet me armë një kosovar në Lucernë, arrestohet një zviceran appeared first on INSAJDERI.

Një burrë kanos me jetë vëllanë e tij

Posted: 15 Jul 2017 07:28 AM PDT

Një burrë ka kanosur me jetë vëllanë e tij të enjten në Prishtinë, tregon raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës.

I dyshuari para kanosjes ka dëmtuar një mur.

Me urdhër te prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet ne mbajtje, shkruan në raport. /Insajderi.com

The post Një burrë kanos me jetë vëllanë e tij appeared first on INSAJDERI.

Mourinho tregon pse zgjodhi Lukakun para Moratës

Posted: 15 Jul 2017 07:27 AM PDT

Trajneri i Djajve të Kuq ka pranuar për të parën herë se ka dashur të blinte sulmuesin e Real Madrid.

United ofroi 70 milionë euro por Real Donte 90 milionë dhe marrëveshja nuk u krye megjithëse Morata kishte ndërhyrë personalisht në mënyrë që të finalizohej operacioni.

"Po, ne kishim interes, kjo është e dukshme dhe publike tashmë," shprehet Jose Mourinho.

"Nuk arritëm marrëveshjen ekonomike, edhe kjo është e qartë. Por është e drejta e Real të kërkojë aq sa do për lojtarin", përcjell Telesport.

"Nuk e vendosim ne çmimin e lojtarit të Real Madrid, këtë gjë e bën Real dhe kështu që nuk arritëm marrëveshjen. Nuk e kritikoj Madridin dhe nuk do të kritikoj bordin tim pasi bordi im drejtues e bëri ofertën, ata u munduan të arrinin akordin gjatë një periudhe, dhe ata thjesht nuk gjetën marrëveshjen. Është e thjeshtë." Mourinho pranoi se pret edhe dy lojtarë të tjerë të nivelit të lartë.

The post Mourinho tregon pse zgjodhi Lukakun para Moratës appeared first on INSAJDERI.

Merkel tregon pse ndërroi pikëpamjen për BE-në

Posted: 15 Jul 2017 07:26 AM PDT

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi sot se vendimi i Britanisë së Madhe për të braktisur BE-në dhe zgjedhja e Emmanuel Macron për president të Francës kanë ndryshuar pikëpamjen e saj ndaj bllokut.

Ajo beson se ia vlen për të luftuar për një Evropë më të fuqishme.

Komentet e Merkel në pushimoren gjermane Cingst, dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në vend, shprehin vendosmërinë e saj për të thelluar integrimet evropiane nëse do të marrë mandatin e katërt, vlerëson Reuters.

The post Merkel tregon pse ndërroi pikëpamjen për BE-në appeared first on INSAJDERI.

Rreth 25 mijë pushues kosovarë drejt Shqipërisë, vetëm gjatë vikendit

Posted: 15 Jul 2017 07:24 AM PDT

Edhe këtë fundjavë, që në orët e para të mëngjesit, rreth 25 mijë qytetarë kosovarë kaluan doganën e Morinës për të pushuar në Shqipëri.

Në kufi, siç shkruan TopChannel, pavarësisht fluksit të lartë nuk pati pritje të gjata.

Po sipas këtij mediumi, Policia kufitare ka rritur edhe numrin e punonjësve për të mos krijuar anomali, ndërsa rruga e Kombit monitorohet nga policitë e dy shteteve.

Përkundër fluksit gjithnjë në rritje, kontrollimi gjatë kalimit të kufirit në Morinë bëhet në mënyrë efikase si nga policia kufitare, ashtu edhe nga doganierët.

The post Rreth 25 mijë pushues kosovarë drejt Shqipërisë, vetëm gjatë vikendit appeared first on INSAJDERI.