“Gjenevë: Ka filluar rundi i ri i bisedimeve për Sirinë” plus 18 more Radio Evropa e Lirë

“Gjenevë: Ka filluar rundi i ri i bisedimeve për Sirinë” plus 18 more Radio Evropa e Lirë


Gjenevë: Ka filluar rundi i ri i bisedimeve për Sirinë

Posted: 10 Jul 2017 09:42 AM PDT

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, e ka hapur sot një rund të ri të bisedimeve indirekte paqësore ndërmjet përfaqësuesve të qeverisë së Sirisë dhe liderëve opozitarë. Duke folur në një kofnerencë për gazetarë, në fillim të bisedimeve pesëditëshe, zoti Mistura tha se marrëveshjet për de-eskalimin e luftës në Siri, mund të çojnë në një fazë të stabilizimit të vendit, por marrëveshjet e tilla duhet të jenë një masë e përkohshme dhe për ta evituar ndarjen. Fillimi i rundit të shtatë të bisedimeve është përputhur me ditën e parë të plotë të armëpushimit për pjesën jugore të Sirisë, që është ndërmjetësuar javën e kaluar nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Jordania. Marrëveshja, që është përpjekja e parë paqeruajtëse për këtë luftë nga administrata e presidentit, Donald Trump, ishte arritur jashtë kornizës së bisedimeve të Gjenevës. De Mistura tha se në Aman të Jordanisë po zhvillohen bisedime për ta monitoruar implementimin e armëpushimit për pjesën jugore të Sirisë. Zëdhënësi i grupit opozitar për negociata, Yehaya al-Aridia, i tha agjencisë AFP se ka "pritje modeste" nga rundi më i ri i bisedimeve. Të gjashtë përpjekjet e deritashme në bisedimet në Gjenevë, që po ashtu ishin udhëhequr nga zoti Mistura, patën përfunduar në muajin maj pa ndonjë progres të prekshëm. Opozita vahdon të insistoj se presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, duhet të tërhiqet, si pjesë e çfarëdo marrëveshjeje, derisa qeveria e Sirisë konsideron se roli i Assadit nuk është temë e negociatave. Prej marsit të vitit 2011, kur ka filluar konflikti në Siri, janë vrarë më se 320 mijë njerëz, ndërsa miliona njerëz janë zhvendosur.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pakistan: Nga një sulm vetëvrasës është vrarë një polic

Posted: 10 Jul 2017 09:20 AM PDT

Një polic është vrarë dhe 11 persona të tjerë janë plagosur gjatë asaj që zyrtarët thanë se ishte sulm vetëvrasës në provincën Baluçistan në Pakistan. Policia i tha Radios Evropa e Lirë se incidenti i sotëm ishte "sulm vetëvrasës me motoçikletë". Një zyrtar lokal shëndetësor tha se pesë prej të lënduarve janë në gjendje serioze dhe janë dërguar në një spital në Kueta. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

AI: Kërkohen hetime për ekzekutimet e dyshuara në Çeçeni

Posted: 10 Jul 2017 08:21 AM PDT

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), ka kërkuar që autoritetet e Rusisë të zhvillojnë hetime për raportn në media se 27 vetë janë ekzekutuar nga forcat e sigurisë së republikës ruse të Çeçenisë, në muajin janar. "Forcat e sigurisë nuk mund të lejohen që të vazhdojnë me torturë dhe vrajse, thjesht vetëm se ata e bartin shenjën e shtetit", tha Denis Krivoshev, zëvendësdrejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në Amnesty International. E përditshmja e pavarur në Rusi, Novaya Gazeta, ka raportuar dje se burime të paidentifikuara i kanë dhënë shënime gazetës me emrat e viktimave të dyshuara, ndërsa reporterët nuk kanë mundur ta gjejnë vendndodhjen e asnjërit prej tyre. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot se Moska e ka parë raportin dhe "e ka atë parasysh, e po ashtu edhe deklaratën e agjencive çeçene për zbatimin e ligjit, në të cilën përgënjeshtrohen raportet". Mëtutje, zoti Peskov u tha gazetarëve se "burimi i informacionit të gazetës është i paqartë, prandaj nuk mund të them asgjë më tepër tash". Raportohet se viktimat e dyshuara të ekzekutimit ishin zënë gjatë një operacioni masiv të sigurisë, që kishte filluar në dhjetor të vitit 2016.  Në muajin prill, Novaya Gazeta, ka raportuar se dhjetëra homoseksualë janë zënë, burgosur dhe janë keqtrajtuar në Çeçeni. Autoritetet e Çeçenisë dhe Rusisë kanë refuzuar të zhvillojnë hetime për këtë raport.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Izrael: Një palestinez është vrarë pasi e ka sulmuar një ushtar

Posted: 10 Jul 2017 07:50 AM PDT

Ushtria izraelite ka njoftuar se pjesëtarët e saj e kanë vrarë një sulmues palestinez, i cili e sulmoi një ushtar në një udhëkryq në Bregun Perëndimor. Ushtria tha se personi palestinez sot ishte përpjekur të depërtoj me automobilin e tij në një udhëkryq. Ai pastaj kërceu nga makina me një thikë në dorë dhe e lëndoi lehtë një ushtar, që qëndronte aty afër. Pastaj, ushtarët e tjerë e vranë sulmuesin. Kjo ishte dhuna e fundit në valën e përleshjeve, që ka shpërthyer në shtator të vitit 2015. Prej atëherë, sulmuesit palestinezë i kanë vrarë 43 izraelitë, dy amerikanë që ishin në vizitë dhe një turist britanik, me therrje, të shtëna dhe me goditje me automobila në ushtarë ose civilë, raporton agjencia AP nga Jerusalemi. Gjatë kësaj kohe, forcat izraelite i kanë vrarë më tepër se 250 palestinezë, shumica e të cilëve sipas Izraelit, ishin sulmues, ndërsa të tjerët janë vrarë gjatë përleshjeve. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE-ja financon 7 projekte për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit

Posted: 10 Jul 2017 07:44 AM PDT

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zbogar u ka drejtuar mesazh vendeve të Ballkanit Perëndimor, se bashkëpunimi ekonomik dhe ai politik mes tyre e shkurton rrugën e integrimit euro-atlantik. Këto mesazhe, Zbogar i ka adresuar në prag të fillimit të Samitit të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Triestë të Italisë. Përfaqësuesit e lartë të gjashtë vendeve të rajonit, bashkë me kolegët e tyre nga gjashtë vende anëtare të BE-së, më 12 korrik, në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Triestë, pritet të fokusohen në krijimin e kushteve për stabiliteti ekonomik, shmangien e retorikës nacionaliste, zhvillimin e sigurisë në kuadër të shteteve të rajonit si dhe fuqizimin e rrjetit infrastrukturor dhe energjetik. Ambasadori Zbogar tha për mediat në Shkup se Bashkimi Evropian do të financojë shtatë projekte për të nxitur bashkëpunimin ndërfqinjësor dhe ndërekonomik të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Zbogar tha se për realizimin e projekteve, në kuadër të tregut të përbashkët ballkanik, krahas krerëve shtetërorë dhe institucioneve përkatëse, do të angazhohen dhe sektori civil dhe kompanitë private. "Bashkimi Evropian planifikon t'i ndajë rajonit 1.3 miliardë euro deri në vitin 2020 për projekte të ndryshme që ndërlidhen me fushën e energjetikës, transportit dhe mbrojtjes së ambientit jetësorë", tha Zbogar. "Ndërtimi i rrugëve, urave dhe lidhja e territoreve të ndryshme do të kontribuojë në zhvillimin e raporteve të mira ndërfqinjësore si dhe promovimin e paqes në funksion të zhvillimit ekonomik", nënvizoi ai. Ndërkaq, kryesuesi i këtij Samiti, ambasadori i Italisë në Shkup, Carlo Romeo ka sqaruar se këto procese dhe këmbime tregtare do të zhvillohen në kuadër të legjislacionit evropian, institucioneve ndërkombëtare financiare dhe Bankës Botërore. "Nga pikëpamja rajonale, prioritetet do të jenë: konsolidimi i demokracisë, stabiliteti social, ai ekonomik si dhe i sigurisë, tejkalim i ndarjeve të krijuara nga e kaluara si dhe shmangia e retorikës nacionaliste. Në kontekst të tejkalimit të sfidave mbetet siguria, lufta kundër terrorizmit, radikalizmit, migrimit dhe lufta kundër korrupsionit". "Nga pikëpamja ekonomike, fokusi do të vendoset në përforcimin e rrjetit aktual dhe lidhja me rrjetin evropian në energjetik, zhvillim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, inovacione, investime në hapësirën rajonale ekonomike. Në sferën sociale krijohen më shumë mundësi për gjeneratat e reja, kohezionin social", tha ambasadori Romeo. Diplomatët evropianë thanë po ashtu se një rendësi e veçantë, në kuadër të Samitit të Triestës, do t'i kushtohet luftës kundër korrupsionit dhe sforcimit të sundimit të rendit dhe ligjit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Armët ilegale, kërcënim i përditshëm për sigurinë e qytetarëve

Posted: 10 Jul 2017 06:01 AM PDT

Numri i madh i armëve ilegale, të cilat vazhdojnë të mbeten në duart e qytetarëve, paraqesin rrezik për sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe në veçanti për vet qytetarët. Vetëm gjatë vitit 2016, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë arritur të identifikojnë dhe konfiskojnë rreth 1.300 armë dhe numër të madh të municionit. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i tha Radios Evropa e Lirë se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për identifikimin e armëve ilegale dhe reduktimin e prezencës dhe posedimit të tyre në mënyrë të kundërligjshme. "Gjatë vitit 2016, Policia e Kosovës, gjatë punëve operativo-hetimore, ka arritur të identifikojë dhe konfiskojë mbi 1.290 armë dhe rreth 25.800 copë municione të kalibrave të ndryshme. Gjithashtu, edhe këtë vit kemi në proces plane operacionale policore, në funksion të identifikimit dhe konfiskimit të armëve ilegale që mund të paraqesin rrezik për qytetarët tanë", tha Hoxha. Armët ilegale, shton Hoxha, paraqesin një rrezik potencial edhe për qytetarët e vendit, por janë një sfidë edhe për institucionet, e në veçanti ato të sigurisë. "Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale, apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme, apo që mund të çojnë tek kryerja e akteve të tilla", tha Hoxha. Në disa nga hulumtimet e bëra të organizatave joqeveritare të sigurisë në Kosovë, ishte theksuar se arsyet e mbajtjes së armëve të paligjshme janë pasojat e pasluftës, pastaj frika, mosbesimi tek institucionet, si dhe tradita. Ulja e numrit të mbajtjes së armëve pa leje nga qytetarët, ishte konsideruar nga hulumtimet e bëra të jetë sfidë për Kosovën. Plator Avdiu, hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se numri i armëve pa leje në duart e qytetarëve është shqetësuese për sigurinë dhe alarmuese për institucionet e sigurisë në vend. "Numri i madh i armëve që posedojnë qytetarët është shqetësuese, pasi që potencialisht mund rrezikojë sigurinë publike në vend, sigurinë e qytetarëve. Ky numër i madh i armëve vërehet gjatë sezonës së verës, kur në ahengje të ndryshme familjare janë përdorur armë ilegale dhe si pasojë e kësaj ka pasur edhe viktima", thekson Avdiu. Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta për numrin e armëve ilegale të cilat mund të jenë në duart e qytetarëve. Për këtë janë vetëm disa të dhëna të vitit 2008 të organizatave ndërkombëtare, ku ishte thënë se numri i armëve pa leje në Kosovë arrin në 300 mijë. Bazuar në këtë numër, pavarësisht konfiskimeve të armëve nga Policia, vit pas viti, besohet se përqindja e qytetarëve që posedojnë armë ilegale mbetet e lartë. Avdiu thotë se duhet të dihet numri i saktë i armëve pa leje, në mënyrë që të përgatitet një strategji për këtë çështje. "Duhet të ketë një regjistrim adekuat dhe të dihet saktë se kush ka armë në Kosovë, sa është numri i tyre dhe pastaj të vendoset kontroll më i madh i institucioneve në rrafshin e armëve ilegale. Pastaj të bëhet ose dorëzimi i armëve ose konfiskimi i tyre, por patjetër në këtë çështje duhet të ketë aktivizim më të madh të institucioneve", thekson Avdiu. Ditë më parë, Policia e Kosovës mbështetur nga mekanizmat ndërkombëtarë, ka shkatërruar një numër të madh të armëve të vogla dhe të lehta. Posedimi i armëve në Republikën e Kosovës rregullohet me ligj, prandaj edhe bartja apo posedimi i tyre në mënyrë të kundërligjshme është e sanksionuar me ligj.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE “të përshpejtojë zgjerimin” me Ballkanin Perëndimor

Posted: 10 Jul 2017 05:46 AM PDT

Shtatë vende anëtare të Bashkimit Evropian i bënë thirrje bllokut që të përshpejtojë pranimin e Malit të Zi dhe të Serbisë, duke thënë se dështimi për të integruar Ballkanin Perëndimor mund të përbëjë kërcënim për sigurinë e gjithë rajonit. Ministrat dhe zëvendësministrat e Jashtëm të vendeve të Grupit të Vishegradit – Hungarisë, Sllovakisë, Polonisë dhe Republikës Çeke, si dhe ata të Austrisë, Sllovenisë dhe Kroacisë u takuan në Budapest për të diskutuar çështje si: migrimi dhe situata në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë. "Nëse ne nuk e përshpejtojmë procesin e integrimit evropian, do të përballemi me sfida serioze të sigurisë në gjithë rajonin e Evropës Qendrore", tha ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto. Szijjarto tha se BE duhet t'i përshpejtojë bisedimet e pranimit me Malin e Zi dhe Serbinë dhe të hapë negociata me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia janë vende kandidate për anëtarësim në BE, por ende nuk i kanë filluar bisedimet e pranimit, ndërsa Bosnja dhe Kosova nuk e kanë ende statusin e kandidatit. Ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin ndihmë për zbatimin e reformave të nevojshme për t'u kualifikuar për anëtarësimin në BE. "Situata në Ballkanin Perëndimor është e errët, jo e qëndrueshme… Është e nevojshme të sigurohet se atje ka dialog për forcimin e stabilitetit", tha Erjavec. Tensionet mbeten të larta midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Maqedonia dhe Bosnja përballen me ndarje etnike.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Erdogan kundërshton referendumin e kurdëve në Irak

Posted: 10 Jul 2017 05:08 AM PDT

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se është shumë e rëndësishme që Iraku fqinj të mbetet vend i bashkuar dhe se referendumi i planifikuar i kurdëve për pavarësi nuk duhet të mbahet. Autoritetet në rajonin kurd të Irakut kanë planifikuar të mbajnë referendumin për pavarësi më 25 shtator dhe presidenti i Qeverisë rajonale kurde i ka thënë agjencisë Reuters, javën e kaluar, se nuk duhet të ketë kthim prapa nga përpjekja për shtetin e pavarur kurd. "Rëndësia e integritetit territorial të Irakut po rritet nga dita në ditë", tha Erdogan në një konferencë për naftën në Stamboll. "Ata duhet të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të tillë si referendumi për pavarësinë", shtoi Erdogan. Turqia, me dekada të tëra, lufton kurdët në territorin e saj që përpiqen për më shumë autonomi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA jep mbështetje për sovranitetin e Ukrainës

Posted: 10 Jul 2017 05:06 AM PDT

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko ka pritur në Kiev, Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, ku ka thënë se ka marrë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën. Në konferencën për media, Sekretari Tillerson ka thënë se SHBA-ja kërkon rivendosjen e "sovranitetit dhe integritetit territorial" të Ukrainës. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vetëvendosje dhe LDK refuzojnë ftesën e Haradinajt

Posted: 10 Jul 2017 04:15 AM PDT

Kandidati i nominuar për kryeministër nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, u ka dërguar ftesë liderëve të partive politike, parti këto që kanë siguruar ulëset në Kuvendin e Kosovës, për të diskutuar lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe për krijimin e Qeverisë së re. Ai e ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje, si subjektin e dytë të dalë nga zgjedhjet, që të diskutojë për formimin e Qeverisë, ndonëse kjo e dyta ka dalë me qëndrimin se Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë e ardhshme. Nisur nga e drejta kushtetuese që i jep, koalicionit PAN, si fituese i zgjedhjeve, të drejtën për formimin e Qeverisë, Haradinaj ka ftuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, Listën Serbe dhe subjektet tjera joserbe që të bisedojnë dhe në afatin, sipas tij, sa më të shkurtë kohorë të formojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës. Për të martën, Haradinaj ka ftuar në takime të ndara kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Haradinaj, gjatë një takimi me media, ka thënë se u ka propozuar liderëve të partive politike që t'i zhvillojnë takimet në Kuvendin e Kosovës. "Kam shkruar letra dhe u kam dërguar sot Lëvizjes Vetëvendosje, koalicionit që ka garuar me LDK-në, Listës Serbe, komuniteteve joserbe, me qëllim që deri sot një javë të mund ta mbajmë seancën konstituive (të Kuvendit) dhe pas seancës konstituive, menjëherë ta mbajmë edhe seancën për formimin e Qeverisë, pra për votimin e Qeverisë. Si i nominuar, përparësi i jap një koalicioni sa më të gjerë me subjekte politike, duke u bërë thirrje të sinqertë deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, që ta përkrahin Qeverinë që ua propozojmë", tha Haradinaj. Por, Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, duke komentuar ftesën nga zoti Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky i fundit nuk mund të bëj thirrje për konstituim të Kuvendit, për shkak se ai ende është vetëm një nga tre kandidatët për kryeministër, të nominuar nga subjektet e ndryshme politike. Ndërkaq, lidhur me ftesën e Haradinajt për formimin e Qeverisë së re, Pantina thekson se nuk ekziston arsye që Lëvizja Vetëvendosje t'i përgjigjet kësaj ftese. "Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ende nuk është mbledhur, nuk e ka shqyrtuar një kërkesë të tillë. Megjithatë, ne e kemi kandidatin tonë dhe nuk e shoh të arsyeshme që ne t'i përgjigjemi thirrjes së zotit Haradinaj. Ne do të presim që zoti Haradinaj, nëse do të jetë i mandatuar nga Presidenti, ta konsumojë të drejtën e tij për të tentuar ta bëj Qeverinë dhe menjëherë pas kësaj, radha do të na kalojë ne. Në fakt, ne tashmë kemi filluar bisedimet me LDK-në, që bashkërisht të bashkëqeverisim në katër vjetët e ardhshëm", thekson Pantina. Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka konfirmuar se ka pranuar një letër prej kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt. Ftesën e Haradinajt për takim, në mënyrë të prerë e ka refuzuar Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ka thënë se nuk do të shkojë në një takim të tillë. "Jo, sepse nuk kemi fare nevojë për takime të tilla. Ne si LDK jemi deklaruar qartë edhe si koalicion, se nuk do të hyjmë në asnjë marrëveshje tani me koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës. Ata e kanë të drejtën, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që të procedojnë. Ne presim që ata t'i kryejnë të gjitha proceset demokratike që duhet t'i bëjnë. Grupi jonë parlamentar, përkatësisht deputetët e koalicionit tonë, do të marrin pjesë në mbledhjen konstituive dhe Kuvendi do të marrë vendim meritor", tha Mustafa. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tashmë është hapur rruga që brenda një muaji, të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës. Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në rast se zoti Haradinaj, dështon t'i marrë mbi gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për formimin e Qeverisë së re, atëherë procedura përsëritet brenda dhjetë ditësh. Hera e dytë, mbetet në diskrecionin e Presidentit që të vendosë se kujt do t'ia jap mandatin, pa kufizimin që mandatin t'ia japë partisë së dytë apo të tretë, varësisht nga subjekti politik, i cili ia dëshmon Presidentit se ka numrin e nevojshëm të votave për ta zgjedhur Qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Stoltenberg: Rusia duhet të tërheqë ushtarët nga Ukraina

Posted: 10 Jul 2017 03:58 AM PDT

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se vendi i tij nuk do të synojë "menjëherë" anëtarësimin në NATO, por fillimisht do të përqendrohet në zbatimin e reformave. Poroshenko, duke folur në Kiev, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se qeveria e tij "do të ndërtojë një program të vërtetë reformash" për t'i përmbushur kërkesat për anëtarësim në NATO në të ardhmen. Stoltenberg, në anën tjetër, shprehu mbështetjen e NATO-s për Ukrainën dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut, që parashohin fundin e konfliktit midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës. "Marrëveshjet e Minskut mbeten rruga e vetme drejt paqes. Rusia duhet të tërheqë mijëra ushtarët e saj nga Ukraina dhe të ndalojë mbështetjen për militantët me komanda, kontroll dhe pajisje ushtarake", tha Stoltenberg. Ai konfirmoi se vendet anëtare të NATO-s nuk e njohin aneksimin e rajonit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vazhdojnë luftimet në disa pjesë të Mosulit

Posted: 10 Jul 2017 02:32 AM PDT

Forcat qeveritare të Irakut po vazhdojnë luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në disa pjesë të Mosulit, një ditë pasi kryeministri irakian, Haider al-Abadi, ka vizituar qytetin dhe ka uruar ushtrinë për, siç ka thënë, fitoren e madhe me rikthimin e kontrollit të qytetit. Televizioni shtetëror irakian raportoi për luftime në Qytetin e Vjetër të Mosulit, në perëndim të Lumit Tigër. Gjenerali irakian, Haider Fadhil, u citua të ketë thënë se procesi i pastrimit të qytetit nga eksplozivët, kurthet dhe "qelizat e fjetura" do të marrë ca kohë. Shteti Islamik ka marrë kontrollin e Mosulit, qytetit të dytë më të madh të Irakut, në vitin 2014 dhe beteja për rikthimin e tij ka zgjatur mbi tetë muaj

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Austria i ndalon hyrjen ministrit turk të Ekonomisë

Posted: 10 Jul 2017 01:49 AM PDT

Austria ka refuzuar të pranojë ministrin turk të Ekonomisë, Nihat Zeybekci, i cili ka planifikuar të marrë pjesë në një ngjarje në Vjenë, për përvjetorin e parë të puçit të dështuar në Turqi.  Një zëdhënës i Qeverisë austriake tha se ngjarja e planifikuar "paraqet rrezik për rendin publik dhe sigurinë në Austri". Javën e kaluar, Holanda ka thënë se zëvendëskryeministri turk, Tugrul Turkes, nuk është mirëpritur në atë vend për arsye të ngjashme. Presidenti i Turqisë, Rexep Tayyip Erdogan, po ashtu është ankuar se nuk është lejuar të flasë publikisht derisa ka qenë në Gjermani, më 7 dhe 8 korrik, për samitin e 20 ekonomive më të mëdha në botë. Austria dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian kanë kritikuar fuqishëm Turqinë për veprimet e saj pas përpjekjes për grushtshtet, më 15 korrik të vitit të kaluar. Së paku 40,000 njerëz janë arrestaur dhe mbi 100,000 të tjerë janë pushuar nga puna, nën akuzat se kanë lidhje me klerikun fetar, Fethullah Gulen. Ankaraja e fajëson Gulenin për orkestrim të grushtshtetit. Gulen, i cili jeton në mërgim në SHBA, e mohon përfshirjen.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Siguria kibernetike, Trump zmbrapset nga ideja e bashkëpunimit me Rusinë

Posted: 10 Jul 2017 01:12 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zmbraps nga propozimi i tij për të punuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në krijimin e një njësie të sigurisë kibernetike, e cila do t'i parandalonte sulmet e hakerëve dhe ndërhyrjet në zgjedhje. "Fakti se presidenti Putin dhe unë kemi diskutuar për njësinë e sigurisë kibernetike, nuk do të thotë se ajo do të ndodhë. Nuk mund të ndodhë, por armëpushimi mund dhe ka ndodhur", shkroi Trump në Twitter, duke iu referuar armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Rusia për pjesën jugore të Sirisë. Trump, i cili ka takuar Putinin më 7 korrik, në margjina të samitit të G20-ës në Hamburg, tha më herët në Twitter se ai dhe Putini kanë diskutuar për një njësi të sigurisë kibernetike, e cila do të parandalonte ndërhyrjet në zgjedhje. Lindsey Graham, republikan nga Karolina e Jugut, kritik i shpeshtë i presidentit, tha se propozimi fillestar i Trumpit, për të punuar me Rusinë për sigurinë kibernetike, "nuk është ideja më e marrë që ka dëgjuar, por diçka shumë afër saj". Agjencitë e zbulimit në SHBA kanë konstatuar se Rusia, me gjasë nën urdhrat e Putinit, ka ndërhyrë në fushatën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 2016, për t'i forcuar shanset e Trumpit përballë rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.  Putin i ka hedhur poshtë akuzat.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Edhe Jordania e Kuvajti rikthejnë laptopët në bord

Posted: 10 Jul 2017 12:57 AM PDT

Linjat ajrore të Kuvajtit dhe Jordanisë do të lejojnë sërish pasagjerët të marrin kompjuterët laptopë në bordin e fluturimeve drejt SHBA-së. Kuwait Airways dhe Royal Jordanian thanë se kanë punuar me zyrtarët amerikanë për të forcuar kontrollin e sigurisë. Në muajin mars, Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar laptopët në fluturimet nga tetë vende me shumicë myslimane, nga frika se me to mund të kurdisen bomba. Javën e kaluar, kompanitë Turkish Airlines, Etihad, Emirates dhe Qatar Airways kanë thënë se i kanë rikthyer laptopët, pas vendosjes së masave të reja të sigurisë. Arabia Saudite ka thënë se pret që të lirohet nga ndalesa deri më 19 korrik.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tillerson lavdëron popullin turk që u ngrit kundër grushtshtetit

Posted: 09 Jul 2017 11:26 PM PDT

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, lavdëroi, siç tha ai, kurajën e popullit turk "për të mbrojtur demokracinë", duke u ngritur kundër komplotuesve të grushtshtetit, vitin e kaluar. Tillerson, duke folur të dielën në Stamboll, nuk i përmendi ndjekjet dhe arrestimet masive që kanë pasuar puçin e dështuar, më 15 korrik, 2016. "Jemi në Stamboll në një kohë të rëndësishme. Gati një vit më parë, populli turk, burra dhe gra të guximshëm, u ngritën kundër komplotuesve të puçit dhe mbrojtën demokracinë e tyre", tha Tillerson në hapje të një konference për naftën në Stamboll. Puçi ka dështuar pasi mijëra njerëz kanë dalë në rrugë pas thirrjes së presidentit Recep Tayyip Erdogan për t'iu rezistuar komplotuesve. Që atëherë, mbi 100,000 njerëz janë pushuar nga puna në shërbimin civil, polici, ushtri dhe sektorin privat. Rreth 40,000 të tjerë janë arrestuar. Autoritetet turke kanë fajësuar klreikun fetar, Fethullah Gulen, për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet. Gulen e ka mohuar përfshirjen. Derisa Tillerson ka folur, qindra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në një protestë të opozitës në rrugët e Stambollit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Katari “ka rezerva” për të përballuar bojkotin nga fqinjët

Posted: 09 Jul 2017 11:13 PM PDT

Banka Qendrore e Katarit tha se ka 340 miliardë dollarë rezerva që mund ta ndihmojnë vendin të përballojë efektet nga bojkotimi që i bëjnë fqinjët arabë. Guvernatori i Bankës, Sheikh Abdullah Bin Saoud al-Thani, tha në një intervistë për CNBC se kjo tregon "besueshmërinë" në sistemin bankar. "Kemi para të mjaftueshme për t'u mbrojtur nga çdo tronditje", tha ai. Arabia Saudite, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti kanë ndërprerë lidhjet diplomatike dhe të udhëtimit me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit dhe lidhje me rivalin rajonal – Iranin. Al-Thani mohoi se financat e Katarit kanë lidhje me aktivitetet terroriste. "Ne kemi ligje kundër terrorizmit. Ne punojmë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe institucione të tjera për të krijuar ligjet tona, auditimet dhe rishikimet", tha Al-Thani. Lexoni edhe këtë: Vendet arabe kërcënojnë me masa të reja kundër Katarit

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sot mbahet rrethi i ri i bisedimeve për Sirinë

Posted: 09 Jul 2017 10:57 PM PDT

Përfaqësues të Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad, do të takojnë sot të dërguarit e opozitës për rrethin e shtatë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara. Takimi në Gjenevë vjen një ditë pasi armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Rusia dhe Jordania, ka hyrë në fuqi në jug të Sirisë. Kjo marrëveshje është aarritur jashtë kornizës së Gjenevës. Një zëdhënës i OKB-së e mirëpriti armëpushimin dhe tha se ai krijon një "atmosferë të përshtatshme" për bisedimet e Gjenevës. Rrethi i gjashtë i këtyre bisedimeve ka përfunduar në muajin maj, pa ndonjë përparim të prekshëm. Yehaya al-Aridia, zëdhënës i opozitës siriane, tha se ka "pritije modeste" edhe nga bisedimet e sotme. Opozita vazhdon të këmbëngulë se Assadi duhet të largohet nga pushteti, ndërsa Qeveria siriane thotë se roli i Assadit nuk duhet të vihet në diskutim. Lufta civile në Siri ka shpërthyer qysh në mars të vitit 2011. Mbi 320,000 njerëz janë vrarë, ndërsa miliona janë zhvendosur.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Djali i Trumpit ka pasur kontakte me rusët

Posted: 09 Jul 2017 10:47 PM PDT

Mediat amerikane raportojnë se djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është takuar me një avokate të lidhur me Kremlinin, vitin e kaluar, pasi i janë premtuar informacione që do të dëmtonin rivalen demokrate të Trumpit, Hillary Clinton.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now