“Emailet tregojnë se prokurori rus i ofroi Trump Jr. informacione mbi Clintonin” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Emailet tregojnë se prokurori rus i ofroi Trump Jr. informacione mbi Clintonin
- BE miraton Marrëveshjen e Asociimit me Ukrainën
- Djegia e ambasadës amerikane në Beograd: Ngrihet aktakuzë kundër policëve
- Haradinaj dështon në përpjekjen e parë për koalicion
- Presidenti taxhik: Hiqni mjekrat dhe hixhabet
- Iraku feston çlirimin e Mosulit
- Simiq: Lista Serbe e gatshme të bisedojë me liderët shqiptarë
- Bosnja shënon 22-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës
- Maqedoni: Kërkohet rritje e cilësisë së shërbimeve në administratë
- Rusi: Shqyrtohet përgjigjja ndaj përzënies së diplomatëve nga SHBA-të
- BE-ja tubon kryeministrat e vendeve të Ballkanit më 12 korrik në Triestë
- Diabeti, çrregullim shëndetësor në rritje edhe te fëmijët
- Izetbegoviq: Populli serb të mos e mohoj gjenocidin në Srebrenicë
- Limaj: S’ka kandidat tjetër, Qeverinë e formon Haradinaj
- Limaj: Kosova do ta ketë shpejt Qeverinë
- Lavrov: Shpresë për sukses në ndërmjetësimin me SHBA-të për Sirinë
- Tillerson në Kuvajt për t’i ulur tensionet lidhur me Katarin
- NYT: Djalit të Trumpit i ishte thënë se Kremlini ka informacion kundër Clintonit
- Pakistan: Ka filluar aksioni për vaksinimin kundër poliomielitit
- Një ushtar amerikan akuzohet se i ka ndihmuar IS-it
| Emailet tregojnë se prokurori rus i ofroi Trump Jr. informacione mbi Clintonin Posted: 11 Jul 2017 09:26 AM PDT Djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, publikoi disa emaile, të cilat tregojnë se atij i janë ofruar informacione "të ndjeshme" për ish-rivalen e presidentit, Hillary Clinton, nga një prokuror rus. "Prokurori shtetëror rus...ofrohet për t'i siguruar fushatës së Trumpit disa dokumente zyrtare dhe informacione që do të inkriminonin Hillaryn dhe marrëveshjet e saj me Rusinë dhe do të ishin shumë të dobishme për babanë tuaj", thuhet në një email dërguar Donald Trump Jr. nga publicisti Rob Goldstone, më 3 qershor, 2016. Trump Jr. është përgjigjur: "Nëse është ashtu, e dua". Zyrtarët amerikanë janë duke hetuar ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA, të cilat janë fituar nga Donald Trump. Emailet janë prova e parë e dokumentuar për një bashkëpunëtor të Trumpit që me vetëdije angazhohet në, siç besohet, përpjekjet e Qeverisë ruse për të ndihmuar Trumpin në zgjedhjet e vitit 2016. Trump Jr. ka qenë thellësisht i përfshirë në fushatën presidenciale të babait të tij. Publikimi i emaileve vjen pasi gazeta New York Times, duke u thirrur në burime anonime, ka raportuar më 10 korrik se Goldstone i ka dërguar një email Trump Jr. duke i treguar se Kremlini është burim i informacioneve potencialisht dëmtuese dhe se ato janë siguruar në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë ruse për t'i ndihmuar babait të tij. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| BE miraton Marrëveshjen e Asociimit me Ukrainën Posted: 11 Jul 2017 08:26 AM PDT Njëzetetetë vendet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan formalisht Marrëveshjen e Asociimit me Ukrainën. Ky është hapi i fundit në procesin e ratifikimit dhe marrëveshja do të hyjë në fuqi më 1 shtator. Marrëveshja historike, fillimisht, është planifikuar të nënshkruhet në nëntor të vitit 2013. Por, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Yanukovych, është tërhequr nga ajo, nën presionin e Moskës. Ky veprim ka shkaktuar protesta masive, të cilat e kanë detyruar Yanukovychin të ikë nga pushteti në shkurt të vitit 2014. Rusia është përgjigjur pastaj me aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Djegia e ambasadës amerikane në Beograd: Ngrihet aktakuzë kundër policëve Posted: 11 Jul 2017 08:05 AM PDT Prokuroria e Lartë në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër pesë policëve serbë që kanë qenë në detyrë më 21 shkurt të vitit 2008 - ditën kur protestuesit në Beograd kanë djegur ambasadën amerikane. Sulmi ka ndodhur pas një proteste, të cilën Qeveria e Serbisë, me në krye kryeministrin e atëhershëm, Vojisllav Koshtunica, e ka organizuar katër ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë raporton se i akuzuari i parë është Sllobodan Vujolliq, i cili, në shkurt të 2008-ës, ka qenë shef i policisë në Beograd dhe ka udhëhequr shtabin e formuar për protestën "Kosova është Serbi". Aktakuza nga Prokuroria, e ngritur më 20 prill të këtij viti, ka arritur në Gjykatën e Lartë në Beograd më 8 maj, por ende nuk ka hyrë në fuqi. Derisa kjo nuk ndodh, gjykata nuk mund të thotë asgjë përveç të pohojë pranimin e aktakuzës, iu tha Shërbimit të Ballkanit të REL. Pas nëntë vjetësh, për herë të parë ngrihet tema e përgjegjësisë së aparatit shtetëror, tha për Radion Evropa e Lirë Sasha Gjorgjeviq, studiues në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Haradinaj dështon në përpjekjen e parë për koalicion Posted: 11 Jul 2017 07:36 AM PDT Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i subjekteve politike, të cilave u prin Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të diskutuar për formimin e Qeverisë së re, të cilën një ditë më parë ua ka bërë kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN. Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt që ka dalë i dyti për kah numri i ulëseve të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, por edhe koalicioni, të cilit i prin Lidhja Demokratike e Kosovës, si i treti me numër të fituar të ulëseve në Kuvend, që nga dita e hënë kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga Haradinaj. Avni Arifi, këshilltar i Haradinajt, ka theksuar se ky i fundit, do t'i ftojë në takim të gjitha partitë parlamentare. Lidhur me refuzimin e dy subjekteve politike, të cilat pas koalicionit PAN, kanë numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, Arifaj ka theksuar se megjithatë presin një përgjigje formale nga ato. "Ne u kemi bërë ftesë formale dhe presim përgjigje formale. Propozimet e para ua bëjmë partive parlamentare, që të jenë pjesë e qeverisjes. Nëse kemi refuzim, atëherë do të shikojmë mundësinë e ndërtimit të partneritetit me deputetë, jashtë grupeve parlamentare", ka thënë Arifaj. Ai ka shtuar se i nominuari për kryeministër, Haradinaj, ka pasur takime me përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës, përveç përfaqësuesve të komunitetit serbe, të cilëve, siç tha ai, së shpejti do t'iu bëhet ftesë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, i cili gjatë ditës së hënë është takuar me zotin Haradinaj, të martën është takuar edhe me liderin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollin. Subjekti politik që drejton Pacolli është në koalicionin parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Detajet e këtij takimi nuk janë publikuar, por ambasadori Delawie u ka thënë shkurt mediave se "do t'i takoj të gjithë". Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhje, me çka është hapur rruga për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit, si dhe formimin e Qeverisë së re, partitë politike do të përballen me realitetin, siç e vlerësojnë, jo të lehtë. Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se skena politike në Kosovë gjendet përballë dy varianteve për krijimin e institucioneve të reja. "Varianti i parë, pra, që PAN-i ta formojë Qeverinë, duket se nuk do të jetë ashtu siç kanë qenë deklaratat. Së paku, edhe nëse formohet, do të jetë shumë i brishtë koalicioni qeveritar dhe si i tillë lë për të dëshiruar se mund të ketë jetë të gjatë. Në variantin e dytë, pavarësisht se çfarë mendon personalisht presidenti (Hashim Thaçi), besoj që - duke i parë kontaktet e deritanishme me ndërkombëtarët - bashkësia ndërkombëtare, shtetet e QUINT-it, do ta detyrojnë Thaçin që t'i japin mundësinë që të formohet Qeveria nga Vetëvendosja, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe subjektet tjera", tha Beqaj. Ai beson që pavarësisht se cili subjekt apo koalicion do të qeverisë në këtë mandat, nuk do ta ketë jetën e gjatë, por në anën tjetër as një bllokadë për formimin e Qeverisë dhe shkuarja sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk janë zgjidhje për situatën dhe përballë proceseve që e presin Kosovën. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Presidenti taxhik: Hiqni mjekrat dhe hixhabet Posted: 11 Jul 2017 07:33 AM PDT Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, i bëri thirrje popullit të tij të mos mbajë mjekra apo hixhabe. Rahmon tha se hixhabet dhe veshjet e zeza të grave nuk janë në përputhje me traditat e Taxhikistanit dhe se mjekrat nuk janë domosdoshmërisht reflektim i fesë. Ai tha se taxhikët "duhet ta duan Zotin me zemër" dhe jo të kërkojnë drejtësi përmes atributeve të jashtme. Taxhikistani, ish-republikë sovjetike, me 8.5 milionë banorë, është vend me shumicë myslimane. Qeveria e Rahmonit vazhdimisht ka bërë përpjekje për forcimin e parimeve laike. Ajo ka ndaluar shamitë në shkolla, ka ndaluar të miturit të shkojnë në xhami dhe ka detyruar mijëra studentë të kthehen në shtëpi nga shkollat islamike jashtë vendit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Iraku feston çlirimin e Mosulit Posted: 11 Jul 2017 07:23 AM PDT Irakianët kanë dalë në rrugë për të festuar çlirimin e qytetit të Mosulit, pasi kryeministri i vendit, Haider al-Abadi, zyrtarisht ka shpallur fitoren ndaj grupit militant Shteti Islamik më 10 korrik. Qyteti i Mosulit, ishte nën kontrollin e militantëve për tri vjet. (Video: Reuters) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Simiq: Lista Serbe e gatshme të bisedojë me liderët shqiptarë Posted: 11 Jul 2017 06:27 AM PDT Kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky subjekt politik është i gatshëm të bisedojë rreth formimit të Qeverisë së re të Kosovës me të gjithë liderët e partive shqiptare. Ai ka thënë po ashtu se për Listën Serbe mbetet prioritet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Simiq nuk ka dhënë ndonjë preferencë në raport me pretendimet e kandidatit të koalicionit PAN, Ramush Haradinaj dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për formimin e Qeverisë, duke thënë se e drejta e mandatarit i takon shumicës shqiptare. "Ne do të marrim pjesë në të gjitha konsultimet politike, pavarësisht se a është ai Ramush Haradinaj, Albin Kurti apo Isa Mustafa. Ne nuk mund të ndikojmë në çështjen e mandatarit", ka thënë Simiq. Ndër çështjet më me prioritet për Listën Serbe, pas formimit të Qeverisë së re mbetet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Andaj, Simiq ka thënë se në Qeverinë e re, Lista Serbe do të angazhohet që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me theks të veçantë në çështjet që prekin në interesat e këtij komuniteti. "Është shumë me rëndësi që të zbatohet e gjithë ajo që është arritur në Bruksel, para së gjithash mendoj në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që paraqet imperativ për komunitetin serb në Kosovë dhe ekzistencën e tij", ka thënë Simiq. Ndonëse ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedimet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, Simiq, në këtë fazë, nuk ka dhënë ndonjë preferencë rreth ministrive që i synon Lista Serbe. "Lista Serbe dhe bashkësia serbe në Kosovë duhet të përfaqësohet fuqishëm në institucione, si në Qeveria ashtu edhe në Kuvend", shprehet Simiq. Tash për tash, nënvizon ai, nuk mund të dihet se cilat ministri do t'i ndahen Listës Serbe, por ai pret që ky subjekt politik të ketë ndikimin e vet në vendimmarrjen e institucioneve të Kosovës, sidomos për çështjet në interes të komunitetit që përfaqëson. Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Lista Serbe ka fituar 9 nga 10 ulëset sa i takojnë këtij komuniteti. Andaj, si parti fituese nga subjektet serbe, pritet që kjo Listë ta përfaqësojë komunitetin serb në Qeverinë e ardhshme të Kosovës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Bosnja shënon 22-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës Posted: 11 Jul 2017 05:55 AM PDT Mijëra njerëz janë tubuar të martën në Potoçari të Bosnjës për të shënuar 22-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës. Dhjetëra viktima, të identifikuara së voni, janë rivarrosur. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Maqedoni: Kërkohet rritje e cilësisë së shërbimeve në administratë Posted: 11 Jul 2017 05:41 AM PDT Maqedonia përballet me një administratë shumë të ngarkuar, ndërkohë që qytetarët ankohen se shërbimet e administratës në institucionet vendore, por edhe ato në nivelin qendror, nuk janë cilësore. Sindikatat që përfaqësojnë punonjësit në administratë, thonë se nevojitet një debat i gjerë, ku do të përfshihen ekspertë e kësaj fushe, administratorët, por edhe qytetarët, me qëllim që të arrihet deri tek një zgjidhje, e cila do të kënaq të gjitha palët. Sekretari i përgjithshëm i sindikatës që përfaqëson punëtorët në administratë, Tërpe Dejanovski përshëndet vendimin e Qeverisë që duke filluar nga 1 shtatori, orari i punës së administratorëve të jetë më fleksibil, që do të thotë punëtorët në administratë vetë të vendosin se do të fillojnë punën nga ora 7 e 30 apo 8 e 30 minuta, siç është aktualisht. Megjithatë, ai shton se nevojitet një debat i gjerë për aplikimin e orareve me dy ndërrime në disa institucione. "Në bazë të informacioneve që kemi marrë nga Ministria e Shoqërisë Informative, puna në dy turne për punëtorët e administratës do të aplikohet vetëm për ato shërbime për të cilat kanë nevojë qytetarët, siç është kadastra, kompletimi i dokumenteve personale, drejtoria e të hyrave publike etj. Megjithëse, për këtë çështje do ishte më mirë të hapet një debat më i gjerë, se a duhet të punohet me turne ose të punohet vetëm gjatë të shtunës së fillimit të muajit, që ata qytetarë, të cilët janë të punësuar, të mund t'i kryejnë punët në institucionet e pushtetit vendor ose në atë qendror, jashtë orarit të punës", thotë për Radion Evropa e Lirë, Tërpe Dejanovski, sekretar i përgjithshëm i sindikatës që përfaqëson punëtorët në administratë. Por ekspertë në këtë lëmi thonë se problemi i orarit të shërbyesve në administratë paraqet vetëm majën e "ajsbergut", sepse, siç theksojnë ata, për të pasur një administratë e cila do t'i ofrojë shërbime cilësore qytetarëve, në Maqedoni duhet të investohet në specializimin e administratorëve. "Çështja është se sa do të ketë Maqedonia si shtet kapacitete institucionale, dhe burime njerëzore, të cilat do të jenë në gjendje, në këtë fazë të realizmit të reformave në administratë të përmbushin këto standarde", thotë për Radion Evropa e Lirë, Besa Kadriu nga Fakulteti i Administratës Publike, që është në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. "Në këtë fazë, mendoj se është e nevojshme të implementohen dhe strategji të tjera, në kuadër të institucioneve përgjegjëse, të cilat janë kompetente për sferën e shërbimeve publike", thotë Kadriu, duke shtuar se duhet që të nisë ngritja në karrierë e punonjësve të administratës, në bazë të sistemit të meritokracisë. Kadriu po ashtu mendon se duhet të fillojë llogaridhënia për punën e shërbyesve të administratës, pasi sipas saj, vetëm kështu qytetarët e Maqedonisë do të ndjejnë se po iu ofrohen shërbime më cilësore. Ministri i Shoqërisë Informative, Dejan Manceski ka bërë të ditur se Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të aplikojë masën për orari fleksibil të punëtorëve në administratë, pas një varg konsultash me qytetarët dhe me përfaqësuesit e sektorit joqeveritar dhe sindikatave. "Kjo është një nga masat të cilat Qeveria do t'i ndërmarrë në drejtim të mundësimit të kushteve më të mira për të punësuarit në administratën publike. Gjithashtu, me këtë masë dëshirojmë t'u dalim në ndihmë edhe prindërve të cilët fillojnë punën në orare të ndryshme të punës. Presim që kjo masë të kontribuojë drejt uljes së tollovive në komunikacion, posaçërisht në qytetet e mëdha para fillimit dhe pas përfundimit të orarit të punës", ka theksuar ministri Damjan Mançevski. Ndërkohë që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në vazhdimësi kanë theksuar nevojën e rritjes së cilësisë së shërbimeve administrative për qytetarët, duke nënvizuar se Maqedonisë i duhet një numër shumë më i vogël i punëtorëve në administratë, por të cilët do të jenë të aftë tu përgjigjen kërkesave të qytetarëve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusi: Shqyrtohet përgjigjja ndaj përzënies së diplomatëve nga SHBA-të Posted: 11 Jul 2017 05:22 AM PDT Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se Moska po i shqyrton masat kundër Shteteve të Bashkuara në përgjigjje të vendimit të atëhershëm të presidentit amerikan, Barack Obama, për përzënien e 35 diplomatëve rusë dhe mbylljes së komplekseve të kontrolluara nga qeveria ruse, në dhjetor të vitit të kaluar. Mëtutje, duke folur sot në Majerbah të Austrisë, zoti Lavrov tha se "ne tash po mendojmë për hapa konkret", por nuk ka elaboruar më tepër. Aksionet e Uashingtonit ai i ka përshkruar si "shokuese" dhe i kritikoi Shtetet e Bashkuara se e kanë krijuar "një situatë të rëndë". Ish-presidenti Obama pat imponuar sanksione, pasi zyrtarë të inteligjencës ameriane kishin përcaktuar se Rusia kishte synuar ndikim në zgjedhjet presidenciale amerikane, për t'i ndihmuar kandidatit republikan, Donald Trunp. Por Rusia i ka hedhur poshtë akuzat për çfarëdo përzierje në zgjedhjet amerikane. Në atë kohë, Donald Trump e pat lavdëruar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për përmbajtje duke mos ndërmarrrë masa reciproke. E përditshmja moskovite, Izvestia, duke cituar një burim të paemëruar të Ministrisë së jashtme të Rusisë,sot ka raportuar se Moska po e shqyrton vendimin për përzënien e afro 30 diplomatëve amerikanë dhe konfiskimin e ndonjë "prone amerikane" në Rusi. Kjo gazetë, po ashtu, ka shkruar se Kremlini është i pakënaqur se çështja ka mbetur e pazgjidhur edhe pas takimit të presidentit rus, Vladimir Putin, me presidentin amerikan, Donald Trump, më 7 korrik në Gjermani, gjatë samitit të grupit të 20 vendeve më të zhvilluara industrialisht në botë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| BE-ja tubon kryeministrat e vendeve të Ballkanit më 12 korrik në Triestë Posted: 11 Jul 2017 04:32 AM PDT Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dhënë detaje në lidhje me Samitin e Ballkanit Perëndimor, i cili kësaj radhe do të mbahet më 12 korrik, në Triestë të Italisë. Qëllim ii këtij Samiti, thuhet të jetë forcimi i bashkëpunimit rajonal për një rrugë më të shpejtë drejt Bashkimit Evropian. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini si dhe Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn pritet të marrin pjesë në këtë Samit, i cili do të mbledh kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor bashkë me ministrat e Ekonomisë dhe Transportit. Krahas përfaqësuesve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bonjë e Hercegovina, në Samit do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e gjashtë shteteve anëtare të BE-së (Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia). Diskutimet, sipas informatave të publikuara nga Zyra e BE-së do të fokusohen në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal: 1) Lidhshmëria, 2) Integrimi rajonal ekonomik/zhvillimi i sektorit privat dhe 3) Kontaktet mes njerëzve. Italia është nikoqire e Samitit të katërt vjetor në kuadër të "Procesit të Berlinit", një iniciativë për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor, e cila pason pas Samiteve në Berlin (2014), Vjenë (2015) dhe Paris (2016). This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Diabeti, çrregullim shëndetësor në rritje edhe te fëmijët Posted: 11 Jul 2017 04:23 AM PDT Ndonëse në Kosovë nuk ka statistika të sakta se sa fëmijë vuajnë nga diabeti apo sëmundja e sheqerit, sipas profesionistëve shëndetësorë, numri i të prekurve nga ky çrregullim po shënon rritje çdo vit. Në krahasimet afatgjate, thuhet se përderisa në vitin 2007, numri i fëmijëve që ishin diagnostikuar me diabet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka qenë 12 raste, tre vjetët e fundit janë shfaqur rreth 50 raste të reja me diabet. Këta fëmijë, janë të varur nga insulina. Kështu tha Vjosa Kotori, pediatre, sipas të cilës sëmundja e diabetit është e trajtueshme, dhe fëmijët mund të rriten, zhvillohen mirë dhe të arrijnë një pleqëri të shëndetshme, nëse kanë qasje të drejtë mjekësore. "Numri i rasteve të reja me diabetin tip 1, që është çrregullim i natyrës auto-imune, është në rritje në Kosovë sikur edhe në shumë vende të tjera. Problemi nuk është Kosova, pse është një vend më pak i zhvilluar, ngase ky është një çrregullim dhe rritja e rasteve të reja shënohet edhe në shtetet e zhvilluara". "Problemi që Kosova duhet ta ngreh zërin është përkrahja e të sëmurëve me diabet, mbështetja e tyre me insulinë, dhe me rritjen e edukimit shëndetësor nëpër shkolla dhe media, që të luftohet stigma dhe ndjenja e frikës dhe turpi nga sëmundja e diabetit", thotë Kotori. "Sëmundja, që ne e thërrasim çrregullim është kronike, por është e trajtueshme dhe mund të trajtohet shkëlqyeshëm mirë", thotë tutje ajo. Mbipesha potencohet se është një ndër shkaktarët kryesor pse fëmijët preken nga diabeti. Por, profesionistë të fushës thonë se diabetin e shkaktojnë shumë faktorë. Për parandalimin e sëmundjes, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë rekomandime, të cilat Sami Uka nga zyra në Prishtinë e kësaj organizate, i shpjegon për Radion Evropa e Lirë. "Organizata Botërore e Shëndetësisë po përpiqet të ofrojë udhërrëfyes shkencor për parandalimin e shumicës së sëmundjeve jongjitëse, përfshirë edhe diabetin, të zhvillojë normat dhe standardet për diagnozën e diabetit, dhe të ngrisë ndërgjegjësimin për sëmundjen e diabetit, përfshirë ditën botërore të diabetit, po edhe të realizojë mbikëqyrjen e diabetit dhe faktorët e tij të rrezikut", thotë Uka. "Rekomandimi më i theksuar i OBSH-së lidhur me parandalimin e diabetit, është që të rritet aktiviteti fizik, dhe të ruhet pesha optimale. Aktiviteti fizik duhet të zgjatë 30 minuta në ditë". "Dietat e shëndetshme luajnë rol të rëndësishëm, duke shmangur sheqerin dhe yndyrat e ngopura,'' shton ai. Vjosa Kotori ndërkohë shpjegon për kushtet e trajtimit që bëhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për tërë Kosovën. "Trajtimi i fëmijëve me diabet në Kosovë është i njëjtë si në gjitha vendet tjera të botës. Ne mundohemi t'i përcjellim të dhënat e reja, marrim pjesë në mbarë botën në kongrese të ndryshme dhe i aplikojmë të njëjtat protokolle. Edukimi shëndetësorë i mirëfilltë për diabetin funksionon shumë mirë në Klinikën e Pediatrisë, pa të cilin nuk ka trajtim të mirë për diabetin". ''Diabeti i tipit 1 i varur nga insulina duhet të trajtohet me 4 dhënie të dozave ditore në ditë. Insulina e tillë ekziston në Klinikë, derisa pacientët edhe në qendra të mjekësisë familjare e marrin insulinën", tha Kotori. Ndryshe, edhe ushqimi jokualitativ që çon në mbipeshë, vlerësohet të jetë një nga shkaktarët e sëmundjes së diabetit tek fëmijët. Sidoqoftë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, vetëm 3 për qind e fëmijëve gjatë kontrolleve mjekësore në shkolla, kanë rezultuar me mbipeshë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Izetbegoviq: Populli serb të mos e mohoj gjenocidin në Srebrenicë Posted: 11 Jul 2017 04:10 AM PDT Anëtari mysliman i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, i ka bërë thirrje sot në Potoçari popullit serb, liderëve dhe elitës intelektuale serbe, që ta pranojnë të vërtetën dhe të mos e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. "Ky është hap i cili do t'i kontribuoj pajtimit të të gjithë neve", tha Izetbegoviq në tubimin përkujtimor në Potoçari dhe ka shtuar se "nga komuniteti ndërkombëtar e vërteta kërkon që të pengohen Srebrenicat e ardhshme". Ai ka theksuar se për boshnjakët, Srebrenica është "plaga më e thellë" të cilën askush kurrë nuk do ta harroj. "Ajo që ka ndodhur këtu në vitin 1995 është mirë e njohur. Njësitet e vdekjes të Mlladiqit dhe Karaxhiqit e thyen rezistencën e mijëra mbrojtësve, duke dashur që në këtë hapësirë të mos ekzistoj një popull", tha Bakir Izetbegoviq. Anëtari i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, tha se Kombet e Bashkuara kishin qëndruar pasive dhe memece, "duke e lëshuar në mënyrë qyqare zonën e mbrojtur nga OKB-ja" në të cilën ka ndodhur "njëri prej krimeve më të errëta të civilizimit të sotëm". Parashihet që pas fjalimeve të zyrtarëve, në Kompleksin përkujtimor në Potoçari do të varrosen mbetjet e 71 njerëzve të vrarë në Srebrenicë. Aty tashmë janë të varrosur edhe trupat e pajetë të 6,500 njerëzve. Në masakrën e Srebrenicës para 22 viteve janë vrarë afro 8 mijë burra e djem myslimanë. Viktimat ishin ekzekutuar nga forcat serbe të Bosnjës, të cilat e kishin marrë këtë qytet në korrik të vitit 1995, gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, në periudhën 1992-1995. Ky ishte akti më mizor i gjenocidit në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Limaj: S’ka kandidat tjetër, Qeverinë e formon Haradinaj Posted: 11 Jul 2017 03:21 AM PDT "Ne e kemi një kandidat dhe ai vjen nga ish-opozita. Kandidati ynë ka dalë nga një koalicion i cili ka marrë vota më së shumti në këtë vend", thotë kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. "Angazhimi ynë është që ky kandidat të jetë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës", thekson ai. Në këtë intervistë, Fatmir Limaj flet dhe në lidhje me ofertat që partia e tij, Nisma ka marrë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Radio Evropa e Lirë: Zoti Limaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit. Kur pritet formimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re? Fatmir Limaj: Besoj se tash pas certifikimit të rezultateve fillon lëvizja e afateve ligjore, dhe të gjithë duhet të sillemi sipas afateve ligjore. Natyrisht se tash mbeten 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe pastaj edhe afati tjetër për mandatarin për të formuar shumicën në Kuvendin e Kosovës. Kështu që, unë pres brenda këtij muaji me optimizëm do të thosha, nëse nuk kemi telashe rrugës, pres që brenda këtij muaji Kosova t'i ketë institucionet qendrore, pra edhe Kuvendin edhe Qeverinë. Radio Evropa e Lirë: A ka arritur kandidati i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj t'i sigurojë votat për formimin e Qeverisë? Fatmir Limaj: Në respekt të procedurave dhe komunikimit zyrtar, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe t'i bëjmë hapat ashtu siç duhet dhe siç e kërkon ligji. Nga dita e shtunë është hapur zyrtarisht mundësia për të bërë ftesa për të gjitha grupet politike, për t'i ftuar në partneritet dhe për të marrë përgjegjësi në qeverisjen e ardhshme. Ka kohë të mjaftueshëm që kandidati ynë t'i zhvillojë këto konsultime dhe bisedime, dhe unë pres që në ditën e konstituimit të Kuvendi, ne ta kemi shumicën parlamentare. Sinjalet janë pozitive dhe pres që kjo të ndodhë. Radio Evropa e Lirë: Ju, nuk e dini se a i keni apo jo votat e mjaftueshme për të votuar Qeverinë. Zoti Haradinaj ka pohuar se i ka votat? Fatmir Limaj: Ajo që po them unë është jemi në bisedime. Mendoj që tani në këtë moment nuk do të ishte në rregull që t'i shpalosim të gjitha ato bisedime që janë zhvilluar dhe po zhvillohen. Ajo që mund të them është se nga e shtuna zyrtarisht janë hapur bisedimet, dhe unë pres dhe kam besim të plotë se Kosova do ta ketë shumë shpejt Qeverinë. Ne do ta kemi shumicën dhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës do të jetë zoti Haradinaj. Radio Evropa e Lirë: LDK-ja ka propozuar që së bashku me AAK-në dhe partinë Nisma të formohet Qeveria e ardhshme, por pa PDK-në. A jeni të gatshëm për këtë opsion? Fatmir Limaj: Unë e kuptoj, ose me mirë me thënë e mirëkuptoj qëndrimin e LDK-në në raport me Partinë Demokratike, për shkak të kaluarës së tyre. Ajo çka ne sot po punojmë dhe jeni të fokusuar është një gjë, që ky koalicioni i cili ka dalë i pari në zgjedhjet e kaluara, pra në zgjedhjet që lamë pas, ta fitojë mandatarin dhe mandatari ta krijojë Qeverinë. Ky është fokusi ynë, pra me zotin Haradinaj kryeministër. Ky është angazhimi ynë dhe asgjë tjetër në nuk është në tavolinë tonë apo në prioritet tonë në ketë moment. Radio Evropa e Lirë: Edhe Lëvizja Vetëvendosje ju ka bërë thirrje publike për bashkëpunim dhe koalicion. Cili është qëndrimi juaj rreth ofertës së Vetëvendosjes? Fatmir Limaj: E njëjta gjë, ne e kemi një kandidat dhe ai vjen nga ish-opozita. Kandidati ynë ka dalë nga një koalicion i cili ka marrë vota më së shumti në këtë vend. Angazhimi ynë është që ky kandidat të jetë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Të gjithë faktorët politikë në këtë vend duhet ta japin ndihmën e tyre dhe të marrin përgjegjësi dhe të jenë pjesë e këtij partneriteti, që Kosova sa më shpejt ta ketë Qeverinë dhe në krye të Qeverisë të jetë kandidati i cili ka dalë nga koalicioni fitues, zoti Haradinaj. Radio Evropa e Lirë: Zoti Limaj, disi nuk po shprehni entuziast për formimin e shpejt të Qeverisë. Cilat janë parashikimet tuaj në rast se nuk do të mund të krijohet Qeveria nga PAN? Fatmir Limaj: Ne e kemi një sjellje politike që duhet të jemi të kujdesshëm për faktin se ja kemi dhënë autorizimin mandatarit tonë në emër të koalicionit tonë për bashkëbisedimet që i zhvillon, dhe e ka autorizimin e plotë tonin. Prandaj edhe ne nuk dalim një hap para kandidati tonë. Është kandidati që paraqet qëndrimin në emër të koalicionit. Ai i zhvillon bisedimet në i qëndrojmë mbrapa të gjitha ofertave, angazhimeve që ai bënë për të krijuar shumicën. Natyrisht, ne si partner të tij, ne i ndihmojmë, por zoti Haradinaj është ai që e ka marr autorizimin për t'i udhëhequr këto bisedime dhe mendoj që kompetent për këtë çështje është ai, për faktin se e ka autorizimin. Ajo që mund të them është se PAN-i do ta ketë Qeverinë dhe nuk shoh ndonjë mundësi tjetër. Nëse i shikoni rezultate zgjedhore, të gjitha këto të çojnë, se nuk ka rrugë tjetër përveç që zoti Haradinaj të jetë kryeministër, dhe nuk isha futur në fushën e spekulimeve tash për tash. Ne jemi në fazën fillestare të konsultimit dhe fillimit të krijimit të shumicës. Mos harroni se këtij koalicioni nuk i duhen shumë vota për të pasur një shumicë ose një mundësi për të votuar Qeverinë, dhe tani për tani angazhimi ynë është që kjo të ndodhë. Radio Evropa e Lirë: Nisma për Kosovës si subjekt politike nga zgjedhjet e 11 qershorit ka pasur rritje. Çka mund të ofrojë subjekt juaj në ndryshimet pozitive të vendit? Fatmir Limaj: Besoj e Nisma do të jetë një vlerë e shtuar. Tashmë ne si subjekt politik jemi etabluar në skenën politike të Kosovës dhe si qëndrim, vizioni ynë është respektuar dhe nga rivalët politikë, po edhe aleatët e dinë mirë që si grup politik ose si parti politike, jemi korrekt me qëndrimet tonë, qoftë në marrëveshje, qoftë në parimet tonë. Ne i themi gjërat hapur dhe ajo çka Nisma promovon është ndryshimi i plotë në qeverisje. Ne presim një Qeveri reformatore. Ne presim një kryeministër i cili ndryshon mentalitetin qeverisës. Ne presim një Qeveri me ndryshime rrënjësore, ashtu siç presin qytetarët e Kosovës. Ne jemi të bindur që qytetarët e këtij vendi kanë votuar për ndryshimin. Kryeministri i ardhshëm zoti Haradinaj duhet ta lexojë këtë mesazh edhe jam i bindur se e ka lexuar. Qeveria e tij duhet të paraqet ndryshime, Qeveria e tij duhet të jetë Qeveri reformatore. Ne si subjekt politik, në ketë Qeveri, pikërisht këtë rol do ta luajmë, të ndodhë ndryshimi i plotë, të ketë një Qeveri reformatore dhe mentaliteti qeverisës të jetë më ndryshe nga ai që ka qenë për tri vitet e kaluar ose më tepër. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Limaj: Kosova do ta ketë shpejt Qeverinë Posted: 11 Jul 2017 03:19 AM PDT Kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj thotë për Radion Evropa e Lirë, se koalicioni PAN, në krye me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj do të formojnë Qeverinë e ardhshme të Kosovës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Lavrov: Shpresë për sukses në ndërmjetësimin me SHBA-të për Sirinë Posted: 11 Jul 2017 02:19 AM PDT Rusia do të synonte bashkëpunim të mëtejshëm me Uashingtonin, nëse do të ketë sukses armëpushimi në pjesën jugperëndimore të Sirisë, që është ndërmjetësuar së bashku me Shtetet e Bashkuara, ka thënë sot ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov. "Ne do të përpiqemi në këtë bazë, për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm", tha Lavrov gjatë një konference për gazetarë në Moskë. Mëtutje, ai ka theksuar se Rusia ka kontakte të vazhdueshme me zyrtarët amerikanë për konfliktin në Siri dhe shpreson se do të jenë të gjendje të ndërmjetësojnë një armëpushim të ngjashëm edhe në pjesët e tjera të këtij vendi të përfshirë nga lufta. Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, ka shprehur pothuajse qëndrime të njejta me rastin e shpalljes së marrëveshjes për imponim të armëpushimit në pjesën jugperëndimore të Sirisë, javën e kaluar. Marrëveshja ka hyrë në fuqi para dy ditësh dhe duket se po respektohet. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Tillerson në Kuvajt për t’i ulur tensionet lidhur me Katarin Posted: 11 Jul 2017 01:53 AM PDT Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, ka arritur mbrëmë në Kuvajt, në kuadër të synimit për uljen e tensioneve ndërmjet Katarit dhe vendeve të tjera arabe. Ai planifikon t'i kalojë dy ditë duke udhëtuar në realcionin Kuvajt, Katar dhe Arabia Saudite, për të ndërmjetësuar në mospajtimin që ka shpërthyer muajin e kaluar, kur Arabia Saudite dhe disa vende të tjera arabe, imponuan sanksione kundër Katarit për lidhjet e dyshuara të këtij vendi me grupet ekstremsite islamike dhe me rivalin rajonal, Iranin. Zoti Tillerson është takuar me emirin e Kuvajtit, Sheik Sabah al-Ahmad Al-Sabah, dhe me ministrin e jashtëm, Sheik Sabah Khaled Al-Sabah, në përpjekjet e para të Shteteve të Bashkuara për të ndërhyrë në këtë mospajtim. Më 5 qershor, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, i kanë shkëputur lidhjet diplomatike me Katarin dhe i kanë pezulluar lidhjet transportuese. Këto shtete e kanë paraqitur një listë prej 13 kërkesash, përfshirë edhe mbylljen e transmetuesit, Al-Jazeera, dhe për ta ulur nivelin e lidhjeve diplomatike të Katarit me Iranin. Arabia Saudite dhe Katari janë aleatë kryesorë të Shteteve të Bashkuara në rajon. Në Katar gjendet baza më e madhe ushtarake amerikane në rajon, në të cilën janë të vendosur afro 11 mijë ushtarë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| NYT: Djalit të Trumpit i ishte thënë se Kremlini ka informacion kundër Clintonit Posted: 11 Jul 2017 01:51 AM PDT Djalit të presidentit amerikan, Donald Trump, i ishte thënë se Qeveria e Rusisë ishte burim i informacionit dëmtues për ish-kandidaten presidenciale demokrate, Hillary Clinton, para takimit të tij me një avokate ruse për këtë çështje, ka raportuar dje e përditshmja New York Times. Duke i cituar tri burime anonime, NYT tha se publicisti, Rob Goldstone, i cili kishte ndihmuar në ndërmjetësimin e takimit në qershor të vitit 2016, e kishte dërguar një email te Donald Trump Jr., ku sinjalizohej se Kremlini ishte burim i informacionit potencialisht dëmtues dhe se ai ishte dhënë "në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë ruse për t'i ndihmuar kandidaturës së babait të tij". Në këtë email, publicisti Goldstone konsiderohet se ka shkruar se avokatja ruse, Natalia Veselnitskaya, kishte pretenduar se ka informacion për dyshime lidhur me kontributet ilegale të fushatës së Komitetit Kombëtar Demokratik, për të cilat ajo kishte menduar se mund të jenë të dobishme për djalin e zotit Trump. Sipas burimeve të së përditshmes, New York Times, ky email nuk jep detaje për përpjeket e dyshuara të Moskës për t'i ndihmuar Donald Trumpit. Në një intervistë të mëparshme me gazetën, New York Times, publicisti Goldstone ka refuzuar se e ka ditur burimin e informacionit. Ai nuk ishte në dispozicion tash për tu pyetur ldhur me emailin, për të cilin është raportuar rishtas. Takimi, ku merrte pjesë edhe dhëndëri i presidentit, Jared Kushner, dhe shefi i atëhershëm i fushatës, Paul Manafort, ishte mbajtur tri javë pasi Donald Trump kishte siguruar numër të mjaftushëm të delegatëve për ta siguruar nominimin e Partisë Republikane dhe afro një muaj para konventës nominuese të partisë. Ky takim, po ashtu, ka ndodhur më pak se një javë para se mediat gjërësisht kishin raportuar se hakerët rusë kishin ndërhyrë në serverët e Komitetit Kombëtar Demokratik dhe kishin vjedhur mijëra emaila. Pritet që emaili i zotit Goldstone, nëse ekziston, do të kërkohet nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe komitetet e Kongresit, që po zhvillojnë hetime për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe për mundësinë e marrëveshjes së fshehtë ndërmjet fushatës së zotit Trump dhe agjentëve që kanë vepruar për Moskën. Donald Trump Jr., ka pranuar se ishte pajtuar të takohet me avokaten Veselnitskaya, për të mësuar informacion dëmtues për ish-kandidaten demokrate, Hillary Clinton. Por, kjo është hera e parë që indikohet se atij ka mundur t'i bëhet e ditur para takimit se informacioni vjen nga Kremlini, në kuadër të përpjekjeve për ta ndihmuar kandidaturën e Donald Trumpit. Ai ka refuzuar se ka marrë çfarëdo informacioni specifik për fushatën Clinton gjatë takimit. Alan Futerfas, avokat i Donald Trumpit Jr., i ka thënë gazetës, New York Times, se klienti i tij nuk ka bërë asgjë të keqe dhe ka premtuar të bashkëpunojë me hetuesit. Donald Trump Jr., pritet të ftohet në Kongres për të dëshmuar lidhur me takimin me avokaten ruse, Natalia Veselnitskaya. "Kjo është hera e parë që publiku ka parë dëshmi të qartë të së paku një përpjekjeje nga fushata Trump për të marrë informacion, në këtë rast nga një agjent i jashtëm i mundshëm, që do të ndërhynte në përpjekjen e fushatës së Hillary Clintonit. Kjo përsëri, është një lloj i theksuar i supozimit, që ishte ngritur gjatë këtij hetimi të tërësishëm. Ne duhet të kemi më tepër informacione", tha demokrati, Mark Werner, anëtar i Komitetit të Inteligjencës së Senatit. Përgatiti: Fatmir Bujupi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pakistan: Ka filluar aksioni për vaksinimin kundër poliomielitit Posted: 11 Jul 2017 12:17 AM PDT Autoritetet e Pakistanit dje e kanë filluar aksionin triditësh të vaksinimit kundër poliomielitit në hapësirat fisnore, ku më parë përpjekjet për vaksinimin ishin penguar nga pasiguria. Zyrtarët shëndetësorë pakistanezë thonë se gjatë kësaj fushate triditëshe do të vaksinohen afro 350 mijë fëmijë. Në rajonin Jamrud të provincës Khyber, ekipet e vaksinimit po shkojnë derë më derë nën masa të shtuara të sigurisë për t'i vaksinuar fëmijët nën moshën pesëvjeçare. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Një ushtar amerikan akuzohet se i ka ndihmuar IS-it Posted: 10 Jul 2017 11:27 PM PDT Ushtari aktiv amerikan, Ikaika Kang, 34 vjeçar, është arrestuar në shtetin Havai, i dyshuar se ishte përpjekur t'i ndihmonte organizatës terroriste, Shteti Islamik (IS). Ky ushtar, që ishte arrestuar para tri ditësh, dje është paraqitur në një gjykatë federale lidhur me akuza se disa njerëzve, që konsiderohet se kishin lidhje me Shtetin Islamik, u kishte dhënë dokumente ushtarake. Raportohet se i akuzuari Kang, po ashtu, ka pranuaar se kishte shprehur lojalitet ndaj liderit të IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi. Ai, po ashtu, është i akuzuar për përgatitjen e videove strëvitore luftarake, për të cilat besonte se do të mund të përdoreshin nga luftëtarët e IS-it kundër trupave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. Ushtari Kang është veteran i luftës në Irak dhe Afganistan. Avokati i tij i caktuar nga gjykata, tha se klienti i tij mund të vuante nga ndonjë sëmundje psikike e ndërlidhur me shërbimin e tij luftarak. Ushtari Ikaika Kang u ishte bashkuar forcave amerikane në dhjetor të vitit 2001, pak muaj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





