“Vdiq ish-kancelari gjerman, Helmut Kohl” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Vdiq ish-kancelari gjerman, Helmut Kohl
- Kushtetuta që po e bllokon shtetin
- Trump thotë se është nën hetime
- Kush do të jetë kryeministër - Haradinaj apo Kurti?
- Kosovë: 6 raste të përfshira në lojën "Balena Blu"
- Maqedoni: Problem me djegien e mbeturinave
- Britania nuk negocion për Brexit pa diskutuar bashkëpunimin me BE-në
- Mbi 352 mijë euro gjoba për partitë politike që shkelën kodin zgjedhor
- Merkel: Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lidhin sanksionet ndaj Rusisë per interesa ekonomike amerikane
- Policia konfirmon 30 persona të vdekur pas zjarrit në kullën e Londrës
- Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmin në xhaminë e Kabulit
- “Balena Blu”- loja që po shtyn të rinjtë drejt vetëvrasjes
- Qeveria e Kosovës po i përcjell zhvillimet pas vrasjes së Lavdrim Muhaxherit
- Pence angazhon avokat rreth hetimeve ndaj tij për Rusinë
- Ka vdekur gjatë sulmit autori i shpërthimit në Kinë
- Rusia: Abu Bakr-al Baghdadi mund të jetë vrarë gjatë një sulmi ajror
- OKB nuk do të përfshihet në referendumin kurd
- Mediat: Pentagoni do të dërgojë 4000 trupa shtesë në Afganistan
- Ministria e Shëndetësisë blen barnat më shtrenjtë sesa çmimi në treg
- Ukrainë: Dy opozitarë rusë kërkojnë azil politik
| Vdiq ish-kancelari gjerman, Helmut Kohl Posted: 16 Jun 2017 08:37 AM PDT Ish-kancelari gjerman, Helmut Kohl, ka vdekur në moshën 87-vjeçare. Ai vdiq në shtëpinë e tij në qytetin Ludvigshafen, shkroi gazeta Bild. Kohl e udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet (1982-1998) dhe ishte arkitetkt i ribashkimit të shtetit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kushtetuta që po e bllokon shtetin Posted: 16 Jun 2017 08:31 AM PDT Për nëntë vjet që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e deri më tash, aktin më të lartë juridik vazhdojnë ta përcjellin sfidat e ndryshme. Në mungesë të konsensuseve politike, Kushtetuta ishte lënë "fajtore" për dështimin e reformave, ajo ishte lënë "fajtore" edhe për mosthemelimin e Ushtrisë së Kosovës e po ashtu, kjo Kushtetutë po shihet e paqartë edhe kur është në pyetje formimi i Qeverisë pas zgjedhjeve. Ekspertët e çështjeve juridike dhe kushtetuese, thonë se Kosova ka Kushtetutë të tipit të vështirë për t'u ndryshuar, pasi që ajo bazohet mbi një marrëveshje ndërkombëtare, siç është Plani i Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit ishte shpallur pavarësia e koordinuar e Kosovës me faktorin ndërkombëtar. Ish- presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha për Radion Evropa e Lirë se Kushtetua e Kosovës duhet të jetë Kushtetutë e të gjithë qytetarëve të saj, por jo edhe Kushtetutë e cila nga mënyra e interpretimit, nganjëherë mund ta kushtëzojë jetën e përgjithshme në vend. "Unë them se asnjë akt kushtetues, në këtë rast as Kushtetuta e Kosovë, nuk bie në tipin e kushtetutave të ngurta, por bën pjesë në tipin e kushtetutave që duhet të zhvillohen në proces". "Gjithmonë në pajtim me parimet themelore mbi të drejtat dhe liritë njerëzore, por edhe të drejtat nacionale dhe natyrisht në parimet e zhvillimit të mëtejmë të demokracisë në vend", tha Sejdiu. "Me rëndësi është që Kushtetuta e Kosovës të lexohet në frymën e saj", thotë tutje Sejdiu. Ai tërheq dhe vërejtjen se aktualisht nuk po i kushtohet kujdes zbatimit të saj. Ish-presidenti i Kosovës, u bën thirrje edhe përfaqësuesve politikë serb, që të tregohen më fleksibil dhe ta kuptojnë që ndryshimet kushtetuese nuk duhet të mbahet të bllokuara përjetësisht. "Në këtë kuadër, paralelisht flas edhe në fajësinë e një pjese të komunitetit serb, posaçërisht ata që dëshirojnë që përmes shkronjës, do ta quaja të vrazhdë të Kushtetutës, ta bëjnë një keqpërdorim të pozitës së tyre në dëm të zhvillimit normal të Kosovës", tha Sejdiu. Po ashtu, Sejdiu mendon se me një mirëkuptim duhet të shkohet më tutje drejt ndryshimit të Kushtetutës dhe se, sipas tij, ka dispozita kushtetuese të cilat kërkojnë sqarime më të hollësishme për ata të cilët i kanë keqkuptuar ato. Ndërkohë, ish-anëtari i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, njëherësh Ministër i Arsimit në Qeverinë në largim, Arsim Bajrami, vlerëson se Kushtetuta e Kosovës, ka realizuar misionin e saj historik dhe primar, që ka të bëjë me shtet-ndërtimin dhe implementimin e pavarësisë. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës për nga natyra dhe thelbi është kushtetutë moderne e një shteti liberal dhe demokratik, që është kampione për të drejtat dhe liritë e njeriut. Ai tha se Kushtetua përmban edhe disa kompromise sa u takon disa segmenteve, ku bashkësia ndërkombëtare ka pasur rol të rëndësishëm. "Kushtetua nuk është fajtore për krizat që krijon shoqëria kosovare, si mungesa e kulturës politike dhe emancipimi politik. Dhe, asnjë kushtetutë nuk është çelës për të zgjidhur krizat". "Kushtetua është çelës për të përcaktuar parime demokratike të një shoqërie të civilizuar. Mirëpo, me kalimin e kohës, sidomos pas përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare, në një moment të caktuar mbi bazën e një konsensusi nacional, politik, ndëretnik dhe ndërkombëtar ka mundësi të hapet çështja e ndryshimeve kushtetuese", tha Bajrami. Për këto nëntë vjet, janë ndërmarr disa nisma për ndryshimin dhe amendamentimin e kësaj Kushtetute, por të cilat në fund u përmbyllën pa sukses. Bajrami mendon se ndryshimet kushtetuese në Kosovë janë të vështira, pasi që sipas tij, ajo kushtetutë benë pjesë në radhën e kushtetutave të ngurta e cila është hartuar mbi bazën e planit Ahtisaari (Dokumenti Gjithëpërfshirës për Pavarësinë e Kosovës) i bazuar në konceptet e kompromiseve. "Na duhen tri nivele të pajtimit për ndryshime kushtetute. E para, niveli kombëtar dhe niveli i partive politike shqiptare, pastaj niveli ndëretnik, pajtimi me komunitetet që ato të përkrahin cilin do ndryshim të Kushtetutës, sepse e kanë mekanizmin e votës së dyfishtë me të cilin mund të bllokojnë cilindo ndryshim. Dhe natyrisht niveli ndërkombëtar, sepse ndryshimet kushtetuese në Kosovë kanë për të qenë një çështje ku bashkësia ndërkombëtar ka për te qenë e involvuar", tha Bajrami. Ai ka shtuar se komuniteti serb në Kosovës, në vend se të përdorë të drejtat që i jep Kushtetuta për të mbrojtur vetveten, ky komunitet i ka shndërruar në instrument të bllokimit të shtetit. Si shtet shumë etnik, Kosova ka një Kushtetutë e cila mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton vota e dy të tretave të numrit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë. Kushtetua e Kosovës, kishte hyrë në fuqi katër muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 15 qershor të vitit 2008. Ajo e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran , demokratik, unik dhe të pandashëm. Republika e Kosovës është shtet laik, shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitete tjera, thuhet në tekstin e Kushtetutës, me hyrjen në fuqi të së cilës fillon zbatimi i planit të ish-kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump thotë se është nën hetime Posted: 16 Jun 2017 08:30 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pranoi se është nën hetime në rastin e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Në një postim në Twitter, presidenti po ashtu duket se akuzoi zëvendësin e prokurorit të përgjithshëm amerikan për "gjueti shtrigash". "Po hetohem për shkarkimin e drejtorit të FBI-së nga personi që më ka thënë të shkarkoj drejtorin e FBI-së", shkroi Trump në Twitter. Zëvendësi i prokurorit të përgjithshëm, Rod Rosenstein, ka marrë përsipër hetimin e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA pasi prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions, është tërhequr në muajin mars. Rosenstein më pas ka emëruar këshilltarin e posaçëm, Robert Mueller, për të udhëhequr hetimet. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kush do të jetë kryeministër - Haradinaj apo Kurti? Posted: 16 Jun 2017 08:13 AM PDT Dy kandidatë janë duke e pretenduar një post, atë të kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do ta formojë Qeverinë një javë pas certifikimit të rezultateve. Ndërkaq, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij do ta formojë Qeverinë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kosovë: 6 raste të përfshira në lojën "Balena Blu" Posted: 16 Jun 2017 07:19 AM PDT Policia e Kosovës ka lajmëruar se gjatë ditës se premte janë raportuar gjashtë raste të përfshira në lojën " Balena Blu". Në një komunikatë për media, të Policisë se Kosovës, thuhet se "sipas informacioneve dhe verifikimeve të para, njëri nga rastet ka të bëjë edhe me gërvishtje të dorës, ku viktima e këtij rasti ka deklaruar se njeh edhe fëmijë tjerë, që kanë njohuri për këtë lojë, apo edhe të jenë duke luajtur këtë lojë." Policia e Kosovës, thuhet në vazhdim të komunikatës, në kuadër të saj ka angazhuar me kohë njësitet e saja relevante duke përfshirë edhe njësitin e krimeve kibernetike për trajtim dhe hetim të rasteve të kësaj natyre. "Me qëllim të trajtimit dhe parandalimit të rasteve të tilla apo të ndonjë fatkeqësie, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë prindërit dhe personat përgjegjës që të kenë një kujdes dhe kontroll më të shtuar ndaj fëmijëve gjatë përdorimit të internetit apo rrjeteve sociale", thuhet në komunikatë . This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Maqedoni: Problem me djegien e mbeturinave Posted: 16 Jun 2017 07:07 AM PDT Standardet për grumbullimin e mbeturinave në Maqedoni i plotëson vetëm deponia "Drislla" e Shkupit, ndërkohë që të tjerat funksionojnë si deponi me karakter të përkohshëm, siç i ka emëruar Ministria e Ambientit Jetësorë, pa dhënë detaje për numrin e tyre. Por organizatat joqeveritare, të cilat në fokus kanë ruajtjen e ambientit kanë ndezur alarmin, duke theksuar se në territorin e Maqedonisë ka mbi 50 deponi të egra, ku mbeturinat hidhen pa kurrfarë kontrolli dhe më problematike bëhet situata gjatë stinës së verës kur një pjese të deponive u vihet flaka. Rasti i fundit është ai deponisë në Strugë, vetëm 500 metra nga qendra e qytetin, buzë liqenit të Ohrit, ku zjarri ka arritur të vendoset nën kontroll gjatë ditës së sotme, pasi për disa ditë me radhë në kulmin e sezonit turistik, Struga ka qenë e mbuluar me tym të zi djegia e mbeturinave. Banorët e kësaj zone për disa ditë kanë protestuar për të shprehur revoltën ndaj institucioneve që vetëm në formë deklarative angazhohen për zgjidhjen e këtij problemi. Arianit Xhaferi nga organizata për mbrojtjen e ambientit jetësore Eco Guerila, thotë se problemi me deponitë e egra është edhe më i theksuar në zonat e banuara me shqiptarët, me theks në rajonin e Tetovës , Strugës dhe Likovës, për shkak të mos shpërndarjes së barabartë të mjeteve financiare për menaxhimin e mbeturinave, përkatësisht ndërtimit të deponive në bazë të standardeve. "Është gjithnjë problematike prezenca e këtyre deponive, ku në të shumtën e rasteve mbeturinave u vihet zjarri. Komuna e Tetovës, më saktësisht kryetarja aktuale e Komunës së Tetovës, gjatë fushatës premtoi se zgjidhja e problemit të mbeturinave do të jetë prioritet i administratës së Komunës që ajo udhëheq, por ikën tanimë katër vite dhe problemi i mbeturinave mbetet akoma". "E njëjta gjë ndodh edhe në Strugë. Në një takim joformal kur biseduam këtë çështje u arsyetua se mungojnë fondet. Komuna e Likovës, prej ku dhe është Ministri i ekologjisë, llogaritet se ka 12 apo 13 deponi të egra". "Ajo që duhet të bëhet është ndërtimi i deponive me standarde, të krijohen mekanizma për kontrollin e funksionimit të tyre përmes një monitorimi të vazhdueshëm, si nga autoritet kompetente të shtetit po edhe trupa e pavarur", thekson Arianit Xhaferi . Nga dikasteri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë thonë se vetëm përmes ndërtimit të deponive rajonale mund të zgjidhet problemi me deponitë e egra, duke theksuar se nuk e kanë të qartë pse kryetarët e komunave nuk arrijnë ujdi se në cilat vise do të lokalizoheshin deponitë e ndërtuara në bazë të standardeve që kërkohen nga Bashkimi Evropian. "Deponitë regjionale do të duhet të formohen me vendim të këshillit të kryetarëve të komunave në rajone të caktuara, përkatësisht 8. Ka një mundësi që ngritja e këtyre deponive të bëhet me mjete nga fondet IPA". "Ngritja e deponive regjionale me standarde evropiane është zgjidhja e vetme për problemin me grumbullimin e papërshtatshëm të mbeturinave në Republikën e Maqedonisë", thekson për Radion Evropa e Lirë Sasho Sekullovski, zëdhënës i Ministrisë së Ambientit Jetësorë. Nga ana tjetër, kryetarët e komunave thonë se mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me atë se asnjë komunë nuk dëshiron të bëhet depo e grumbullimit të mbeturinave nga komunat e tjera. Ndërkaq, Bllazhe Josifovski nga Asociacioni për Ambient të Pastër në Maqedoni, thotë se krahas ngritjes së deponive që do të plotësojnë standardet, duhet të investohet në edukimin e qytetarëve për selektimin e mbeturinave në bashkëpunim me autoritet komunale dhe sektorin civil. "Duhet të ngrihet një sistem për selektimin e mbeturinave përmes edukimit të qytetarëve për selektimin permanent të mbeturinave. Pastaj duhet të investohet në krijimin e politikave për shfrytëzimin e mbeturinave për prodhimin e energjisë... vetëm përmes këtyre mekanizmave mund të kemi një zgjidhje afatgjate, gjithçka tjetër shton ai do t'i ngjasojë asaj fjalës popullore 'fshehje të bërllokut nën tepih'", thotë Josifovski. Nga ana tjetër, Arianit Xhaferi nga organizata Eco Guerila, thotë se shqetësim më vete paraqesin dhe mbetjet nga punimet në ndërtimtari. "Një problem që nuk diskutohet dhe aq në opinion, por që është prezent, është problemi me mbeturinat e ashtuquajtura inerte, si pjesë e mbetjeve nga ndërtimet. Tetova nuk ka një vend të caktuar për grumbullimin e mbeturinave inerte dhe shumica e ndërtesave, qofshin ata kontrakturë ose individ privat, mbetjet nga ndërtimet i hedhin në shtratin e lumit Shkumbin,duke shkaktuar dhe përmbytje për shkak të bllokimit të shtratit të lumit", thotë Xhaferi. Organizatat joqeveritare për Radion Evropa e Lirë thonë se përpos 50 deponive të egra, ku mblidhet bërlloku i komunave, në Maqedoni janë aktive mbi 2 mijë lokacione ku mund të gjesh me tone mbeturina, të cilat hidhen pa asnjë standard dhe askush nuk di të thotë përmbajtjen e atyre mbeturinave. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Britania nuk negocion për Brexit pa diskutuar bashkëpunimin me BE-në Posted: 16 Jun 2017 06:32 AM PDT Britania e Madhe ka thënë të premten se asnjë marrëveshje nuk mund të nisë për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian nëse nuk merret parasysh bashkëpunimi i ardhshëm me vendet anwtare tw BE-sw. Kryeministrja Theresa May dëshiron që para se Britania të largohet nga BE-ja në mars të vitit 2019, të negociojë edhe marrëdhëniet e ardhshme tregtare me vendet e BE-së. "Siç kemi parashtruar në artikull, në nenin 50, qëndrimi ynë është se procesi i largimit tonë nga BE-ja dhe bashkëpunimi në të ardhmen duhet të miratohen së bashku" ka thënë zëdhënësi i ministrisë britanike për Brexit. "Ne besojmë se procesi i largimit tonë nuk mund të përfundojë pa negociuar marrëdhëniet tona në të ardhmen", ka shtuar zëdhënësi. Kryeministrja May ka përsëritur se dëshiron një partneritet të veçantë dhe të thellë me BE-në, duke shtuar se një prishje eventuale e bisedimeve do të dëmtonte bashkëpunimin rreth sigurisë mes këtyre vendeve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Mbi 352 mijë euro gjoba për partitë politike që shkelën kodin zgjedhor Posted: 16 Jun 2017 06:17 AM PDT Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, ndonëse u vlerësuan se kaluan pa ndonjë parregullsi që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve, u përcollën me ankesa e gjoba të shumta. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka bërë të ditur se kanë pranuar 354 ankesa, derisa, për shkelje të kodit të mirësjelljes kanë gjobitur partitë politike në vlerën prej mbi 352 mijë euro. Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP, tha se gjatë këtij procesi zgjedhor për shkak të shkeljeve nga ana e subjekteve politike gjatë bërjes së fushatës, thyerjes së kodit të mirësjelljes, ka shqiptuar gjoba të mëdha për subjektet politike dhe kandidatët. "Gjobat e shqiptuara arrijnë në 352 mijë e 400 euro. Koalicioni Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma është gjobitur me 157 mijë e 700 euro. Koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosovare e re dhe Alternativa janë gjobitur me 71 mijë e 700 euro, kurse Lëvizja "Vetëvendosje me 66 mijë euro", thekson Desku. Sipas tij, gjoba u janë shqiptuar edhe disa partive tjera. PZAP ka bërë të ditur se asnjë nga subjektet politike nuk do të mund të certifikohen në zgjedhjet komunale të cilat do të mbahen në këtë vit pa i paguar këto gjoba. Po ashtu, PZAP ka publikuar edhe ankesat për shkelje të rregullave të procesit zgjedhor të cilat janë pranuar nga subjektet politike si dhe nga organizatat vendore që janë marrë me vëzhgimin e këtij procesi. "Natyra e ankesave kryesisht kishte të bënte me vendosjen e posterëve në hapësirat publike, mospërputhja e votave, gabim në të numëruarit e votave, asistim për votim, tentim për blerje të votës, dëmtim të posterëve, fotografim i votave dhe parregullsi të tjera", ka bërë të ditur Desku. Ndërkohë, Adnan Konushevci, anëtar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka theksuar se në zgjedhjet e 11 qershorit, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014, është shënuar përkeqësim i thyerjes së kodit të mirësjelljes nga subjektet politike. "Përderisa në vitin 2014 janë shqiptuar 86 mijë euro derisa në vitin 2017 kemi mbi 300 mijë euro gjoba e të gjitha janë për thyerje të kodit të mirësjelljes dhe të gjitha janë për vendosjen e posterëve në vendin ku nuk janë të dedikuar për vendosjen e tyre, tregon se kemi përkeqësim të thyerjes së kodit të mirësjelljes", thekson Konushevci. Numrin e ankesave e konsiderojnë mjaft të lartë përfaqësues të organizatës joqeveritare "Demokraci plus". Isuf Zejna nga kjo organizatë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky numër i madh i ankesave dëshmon se procesi zgjedhor është përcjellë me parregullsi sa i përket respektimit të kodit të mirësjelljes. "Është numër jashtëzakonisht i madh i ankesave edhe vlerës së dënimeve. Ankesat mund të jenë edhe më të larta. Ne si organizatë kemi ankesa për PZAP në trajtimin e ankesave sa i përket trajtimit të rrjeteve sociale. PZAP nuk kanë kapacitetin e duhur që të trajtojnë ankesat për këtë formë të fushatës. Si organizatë i kemi dërguar rreth 40 ankesa për thyerje të heshtjes elektorale përmes rrjeteve sociale, por që të gjitha janë refuzuar nga PZAP". Ndryshe, procesi zgjedhor i 11 qershorit ishte vlerësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, se ka shkuar pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve. Zgjedhjet në Kosovë ishin vëzhguar nga më shumë se 29 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Posted: 16 Jun 2017 06:02 AM PDT Steffen Seibert, zëdhënësi i Angela Merkel, ka thënë se kancelarja gjermane beson se do të ishte në dëm të Shteteve të Bashkuara nëse do të lidhnin sanksionet ndaj Rusisë me përpjeket për të promovuar interesat ekonomike amerikane. Senati i Shteteve të Bashkuara ka votuar të mërkurën për sanksione të reja ndaj Rusisë lidhur me dyshimet për ndërhyrjen e saj në fushatën zgjedhore të vitit 2016 në SHBA dhe agresionin e saj në Siri dhe Ukrainë. Legjislacioni tani duhet të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ka kritikuar ashpër një dispozitë përmes së cilës sanksionet prekin bizneset evropiane të përfshira në importimin e gazit natyror rus. Kjo menjëherë paraqet nevojën për nxitjen e eksporteve të energjisë nga SHBA-të. Zëdhënësi i kancelares, Steffen Seibert, ka thënë të premten se kancelarja është njoftuar për shqetësimet e Gabrielit dhe e ka quajtur vendimin e senatit amerikan "të çuditshëm ". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Policia konfirmon 30 persona të vdekur pas zjarrit në kullën e Londrës Posted: 16 Jun 2017 05:12 AM PDT Policia britanike ka thënë se është rritur në 30 numri i personave që kanë vdekur nga një zjarr që përfshiu një kullë banimi në Londër gjatë kësaj jave. Komandanti i policisë së qytetit, Stuart Cundy, ka thënë se mund të rritet numri i personave të vdekur në kullën 24 katëshe të Londrës. Sipas Cundy 24 persona janë ende në spital, 12 prej tyre në gjendje kritike. Policia tashmë ka nisur hetimet për incidentin e 14 qershorit. "Ne kemi kontrolluar lokacionin ku ka nisur zjarri dhe tash për tash nuk kemi prova se zjarri ka qenë i qëllimshëm" ka shtuar Cundy. Ai gjithashtu ka thënë se ka " rrezik që fatkeqësisht nuk mund të jemi në gjendje të identifikojmë" të gjitha viktimat. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmin në xhaminë e Kabulit Posted: 16 Jun 2017 04:34 AM PDT Autoritetet në Afganistan kanë thënë se sulmet me armë zjarri dhe me bombë vetëvrasëse në një xhami të shiitëve në Kabul, kanë vrarë pesë persona. Grupi ekstremist Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e ditës së djeshme. Zëvendësministri i brendshëm, Murad Ali Murad ka thënë se gjatë sulmit të dy personave me bomba vetëvrasëse, pesë persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë lënduar. Shefi i policisë në Kabul, gjenerali Haqnawaz Haqyar, i ka thënë një radioje në Afganistan se tre civilë dhe një komandant policie kanë qenë midis të vdekurve. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Najib Danish ka thënë se njëri nga sulmuesit kishte tentuar të hynte në xhami dhe pasi ishte penguar nga policia, ka filluar sulmin me armë zjarri. Sulmuesi më pas ka vrapuar drejt kuzhinës për të shpërthyer bombën. Xhamia e Al Zahra është e frekuentuar nga pakica shiite e Kabulit, të cilët kanë qenë të shënjestruar edhe më parë nga sulmet vetëvrasëse. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| “Balena Blu”- loja që po shtyn të rinjtë drejt vetëvrasjes Posted: 16 Jun 2017 04:05 AM PDT Loja e rrezikshme, e njohur si "Balena Blu", që po shtyn fëmijët dhe të rinjtë të bëjnë vetëvrasje, fillimisht u përhap në rrjetet sociale në Rusi por tash me shpejtësi është duke u përhapur edhe në vendet, përfshirë edhe Evropën. Mediat ruse, kanë thënë se të paktën 130 vetëvrasje të të rinjve, lidhen me këtë lojë që luhet online. Ndërkaq, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje prindërve që të mbrojnë fëmijët e tyre, që të mos qasen në këtë lojë të rrezikshme. "Policia e Kosovës dëshiron të ngritë nivelin e vëmendjes tek të gjithë prindërit për mundësinë potenciale që edhe fëmijët tanë të mund të bien pre e kësaj loje degjeneruese dhe shkatërruese për ta", thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës. Mediat në Rusi më 14 shkurt, kishin raportuar se një vajzë 10-vjeçare, në Kirishi, në periferi të Shën Petersburgut, ishte hedhur nga dritarja. Sipas të "gjeturave paraprake", mediat raportuan se ky incident ishte një tentim-vetëvrasje dhe ishte e lidhur me fenomenin online të quajtur "Balena Blu". Më 20 shkurt, u raportua se dega e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), kishte hapur një databazë për informacionet lidhur me vetëvrasjen e fëmijëve. Në gjithë Rusinë dhe vendet e Azisë Qendrore, si Kazakistani dhe Kirgizia, titujt tronditës për Balenën Blu janë bërë pothuajse përditshmëri: një fëmijë apo një adoleshent është shtyrë të bëjë vetëvrasje, përmes pjesëmarrjes në këtë lojë online, që është përhapur në rrjetet sociale përmes thurjeve (hashtag), të tilla si "balena blu", "det me balena", "unë jam në lojë", "më zgjo në orë 4:20", "F58", e shumë të tjera. Sipas një raporti në gazetën Novaya Gazeta, Qendra për Teknologji e Rusisë, ka gjetur se vetëm më 20 janar, thurjet me mesazhe të kësaj loje, janë përdorur nga 4,000 përdorues të internetit. Raste të tilla të dyshimta po ashtu janë raportuar edhe në vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, si Ukraina, Bjellorusia dhe Azerbajxhani. Përderisa në faqet e internetit në gjuhën ruse po rritet numri i llogarive të të rinjve që po tentojnë ta luajnë këtë lojë dhe fotografive tronditëse të vetëlëndimeve, si vizatimi me thikë në trup i imazhit të balenës, megjithatë, asnjë vetëvrasje e të rinjve në Rusi apo Azinë Qendrore nuk është lidhur drejtpërdrejt me Balenën Blu. Për shembull, më 6 shkurt, një 19-vjeçar nga Karaganda e Kazakistanit, e ka varur veten, një incident ky që i është atribuuar grupit të Balenës Blu. Megjithatë, xhaxhai i viktimës, Marat Aitkazin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se tragjedia në familjen e tij nuk ka asnjë lidhje me lojërat në internet. Profesionistët e shëndetit mendorë dhe zyrtarët qeveritarë kanë shprehur shqetësimet e tyre, edhe për që të dy palët kanë dhënë arsye të ndryshme. Ndërkaq, aktivistët kanë bërë thirrje që institucionet të fokusohen në faktorët që po i shtyjnë të rinjtë të interesohen në këso lojërash vdekjeprurëse, përderisa politikanët po tentojnë që ta shohin fenomenin e Balenës Blu, si një argument për të forcuar kontrollin mbi internetin. Në një seancë dëgjimore, më 16 shkurt në Dhomën Publike ruse u diskutua legjislacioni i propozuar, ku shtohen dënimet për nxitjet për vetëvrasje. Anëtarët e këtij organi dëgjuan akuza se Balena Blu është krijuar nga "nacionalistët ukrainas", si "një fushatë profesionale për të sulmuar të paktën 2 milionë të rinj", ka raportuar e përditshmja Kommersant. Në Osetinë Veriore më 17 shkurt është raportuar se 4 persona, përfshirë dy të mitur, ishin arrestuar nën dyshimin se kanë organizuar një grup të Balenës Blu, e cila "mund të ketë" luajtur rol në vetëvrasjen e një 15-vjeçari më herët gjatë atij muaji në Sindzikai. A je gati? "Dua ta luaj këtë lojë", ka shkruar një korrespondent i Radios Evropa e Lirë, pasi ka hapur një profil të rremë në rrjetin sociale mjaft popullore ruse, VKontakte. "A je i sigurt? Nuk ka kthim prapa", ka qenë përgjigja e të ashtuquajturit administrator të lojës Balena Blu. "Po. Çfarë do të thotë nuk ka kthim prapa?". "Nuk mund ta lësh këtë lojë kur të fillosh ta luash". "Jam gati". Më pas administratori i lojës ka shpjeguar rregullat. "Duhet të kryesh çdo detyrë dhe nuk duhet askush ta dijë për këtë. Kur ta përfundosh një detyrë duhet të dërgosh fotografi. Në fund të lojës ti vdes. A je gati?" "Çka nëse e lë lojën". "I kam të gjitha të dhënat e tua. Ata do të të ndjekin". Detyra e parë që i është caktuar gazetarit të REL-it, i cili ka hapur një llogari të rreme për këtë lojë, ka qenë që të gërvishtë në krahun e tij, simbolin "F58". Ai i ka dërguar një fotografi montazh të këtij simboli por administratori i lojës nuk i është përgjigjur. Por Radio Evropa e Lirë, ka arritur që për një periudhë një javore të kontaktojë me dhjetëra lojtarë aktual apo ish-lojtarë dhe disa administrator të lojës. "Do të jem balena jote personale", ka shkruar një tjetër administrator, duke shpjeguar se loja ka 50 detyra, që duhet të kryhen për 50 ditë. "Do të të ndihmojë gjatë lojës deri në fund. Dita e fundit është fundi i lojës. Nëse ti vdes, fiton. Nëse jo, ne do të të ndihmojmë. A je gati?" Ky administrator ka premtuar që do t'i dërgojë detyrën e parë në orën 4:20 por më pas llogaria e tij është bllokuar. 'Grupi i Vdekjes' Për rreth 6 muaj, dhjetëra vetëvrasje dhe tentim-vetëvrasje në Rusi dhe vendet e Azisë Qendrore janë lidhur me këtë lojë edhe pse një pretendim i tillë asnjëherë nuk është vërtetuar. Më 14 nëntor të vitit 2016, policia në Moskë ka arrestuar 21-vjeçarin, Filipp Budeikin, nën dyshimin se ka organizuar "grupe të vdekjes" të Balenës Blu. Mediat kanë raportuar se edhe 10 persona të tjerë, nga rajone të ndryshme, në periudhën e njëjtë kohore, janë arrestuar. Ata ishin marrë në pyetje dhe më pas ishin liruar. Budeikin, më pas është raportuar se ka pranuar se ka shtyrë të paktën 16 adoleshentë drejtë vetëvrasjes, përmes kësaj loje. Mediat ruse kanë ngritur shqetësimin se "shumica" e 130 vetëvrasjeve të të rinjëve në Rusi, në periudhën nëntor 2015- prill 2016, kanë lidhje me fenomenin Balena Blu. Këto të gjetura janë raportuar nga gazeta Novaya Gazeta më 16 shkurt. Lidhur me lojra të tilla të rrezikshme ka pasur edhe në të kaluarën. Më 2007, The Independent kishte raportuar se "të paktën 16 të rinj në Britani", kanë kryer vetëvrasje", pasi kanë vizituar "ueb-faqe që janë pro vetëvrasjes dhe disa dhoma të çatit". Edhë në vitet e 80-ta, lojra Dungeons & Dragons kishte rritur shqetësimin e publikut, pas raportimeve se kjo lojë ka promovar vrasje, vetëvrasje dhe rituale sataniste. Shumë pjesëmarrës në lojën Balena Blu, janë kërcënuar nga administratorët kur ata kanë dashur ta lënë lojën. Një pjesëmarrëse ka marrë këtë mesazh: "Nëna jote nuk do të mund që nesër të arrijë tek stacioni i autobusëve". Kjo lojtare është frikësuar, pasi nëna e saj përdor autobusin për të shkuar në punë. Një lojtar tjetër, i identifikuar si Ivan, ka tentuar që ta lë lojën duke e bllokuar administratorin e tij. Por atij i erdhi në mesazh që thoshte se "ti nuk mund të fshihesh nga ne". Sidoqoftë, ai e bllokoi edhe llogarinë nga i ishte dërguar ky mesazh dhe e gjithë kjo histori për të morri fund këtu. Shumë lojtarë të Balenës Blu janë të bindur – edhe pse gabimisht – se administratorët kanë qasje në një program, që ua mundëson atyre që të përkthejnë IP adresën e përdoruesve në lokacion gjeografik. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë raportim se ndonjë incident i kësaj natyre ka ndodhur në botën jovirtuale. Gjatë hetimit që ka bërë Radio Evropa e Lirë, në çatet online ka biseduar me dhjetëra pjesëmarrës të kësaj loje. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk kishte avancuar në këtë lojë. Që të gjithë, i kanë përshkruar detyrat tipike të kësaj loje, të tilla si, vizatimi i një balene në një pjesë të trupit apo në letër, prerjen e venave, gërvishtja me thikë e simbolit të balenës në njërin krah. Shumica prej tyre kanë gjetur fotografi të papërshtatshme në internet ose i kanë krijuar ato përmes mjeteve grafike. Disa prej lojtarëve janë ankuar për administrator "fals". Stefan, 15-vjeçar nga Solikamsk i Rusisë, ka thënë se tre administratorë të ndryshëm i kishin kërkuar atij që tu dërgonte nga 200 rubla (3.50 $). Ai nuk kishte para, prandaj edhe i kishte bllokuar llogarit e tyre. Shumica e lojtarëve i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se kanë hyrë në këtë lojë për të "ngacmuar administratorët" ose sepse u është dukur "interesant". Por disa kishin edhe përgjigje më të zymta. "Dëshiron të vdesësh", e ka pyetur korrespondenti i REL-it një vajzë. "Po", është përgjigjur ajo. Përpara se të mund të vazhdonte komunikimin me këtë vajzë, llogaria e saj është bllokuar. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Qeveria e Kosovës po i përcjell zhvillimet pas vrasjes së Lavdrim Muhaxherit Posted: 16 Jun 2017 03:42 AM PDT Qeveria e Republikës së Kosovës po i përcjellë nga afër zhvillimet "pas njoftimeve për vrasjen e terroristit famëkeq, Lavdrim Muhaxheri", thuhet në një komunikatë për media. "Me këtë rast, Qeveria rikonfirmon qëndrimin e saj të paluhatshëm për të luftuar intensivisht dhe në mënyrë të vendosur çfarëdo ekstremizmi të dhunshëm dhe terrorizmin", vijon komunikata. Qeveria u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë dhe "kultivojnë karakterin multikonfesional" të Republikës së Kosovës. "Edhe njëherë, Qeveria e Kosovës rikonfirmon përkushtimin e fuqishëm për të qenë pjesë e koalicionit anti-ISIS dhe se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje apo tendencë nga qytetarët e saj për radikalizim dhe bashkëngjitje në luftëra të huaja", theksohet në këtë komunikatë. Reagimi i Qeverisë së Kosovës, pason raportimet e javës së kaluar për vrasjen e njërit prej personave më të kërkuar nga Kosova në luftën e Sirisë, Lavdrim Muhaxheri dhe disa paralajmërimeve kërcënuese nga organizata tashmë e shpallur terroriste, Shteti Islamik (IS), për cenimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, përfshi edhe Kosovën. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pence angazhon avokat rreth hetimeve ndaj tij për Rusinë Posted: 16 Jun 2017 02:28 AM PDT Nënpresidenti i SHBA-ve, Mike Pence, ka angazhuar një avokat për të mbikqyrur përgjigjet e tij ndaj pyetjeve rreth marrëveshjes së mundshme midis Rusisë dhe fushatës së Presidentit Donald Trump në 2016. Zyra e Pence njoftoi rreth vendimit për të angazhuar Richard Cullen, kryetar i firmës ligjore McGuireWoods LLP. Cullen është i njohur për përfaqësimin e klientëve të profilit të lartë si dhe ka qenë i përfshirë në hetimet Iran-Contra dhe Watergate. Ky lajm erdhi pasi mediat raportuan se Trump ishte duke u hetuar nga avokati special Robert Mueller, për pengimin të mundshëm në fushën e drejtësisë. Mueller po mbikëqyr një hetim të FBI-së për ndërhyrjet e supozuara ruse në zgjedhjet presidenciale dhe nëse kanë pasur ndonjë bashkëpunim me fushatën e presidentit Trump. Trump, ka mohuar ndonjë bashkëpunim me Rusinë, duke thënë përmes Twitterit, se hetimet ndaj tij ishin të bazuara në "lajme të rreme". Trump po ashtu, ka punësuar avokatin e tij muajin e kaluar rreth këtyre hetimeve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ka vdekur gjatë sulmit autori i shpërthimit në Kinë Posted: 16 Jun 2017 01:44 AM PDT Autoritetet kineze kanë bërë të ditur se shpërthimi që vrau tetë persona dhe lëndoi shumë të tjerë afër një kopshti të fëmijëve, ishte si shkak i një bombe të bërë nga vet sulmuesi. Ministria e Sigurisë Publike ka thënë se sulmuesi i dyshuar, një 22 vjeçar i identifikuar si Xu, ka qenë në mesin e personave të vrarë gjatë shpërthimit në qytetin lindor, Fengxian. Është thënë se Xu ka braktisur shkollën për shkak të disa çrregullimeve të sistemit nervor. Hetuesit kanë gjetur afër shtëpisë së tij materiale për krijimin e bombave si dhe kanë parë mbishkrimin "vdekje", të shkruar në mur. Autoritetet kanë thënë se 65 persona janë lënduar, tetë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusia: Abu Bakr-al Baghdadi mund të jetë vrarë gjatë një sulmi ajror Posted: 16 Jun 2017 01:14 AM PDT Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se lideri i grupit ekstremist Shteti Islamik, Abu Bakr-al Baghdadi, mund të jetë vrarë gjatë një sulmi ajror rus në Siri gjatë muajit të kaluar. Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar ministrinë të ketë thënë se kanë përdorur kanale të ndryshme për të konfirmuar informacionin sipas të cilit, al-Baghdadi ishtë vrarë gjatë sulmit ajror në Raka, më 28 maj. Gjatë këtij sulmi janë vrarë rreth 330 persona, duke përfshirë disa pjestarë të grupit ekstremist Shteti Islamik. Ky sulm kishte shënjestruar një takim të militantëve të Shtetit Islamik, të cilët ishin duke diskutuar rreth bazës së tyre Raka, vend në të cilin grupi ekstremist është në presion nga sulmet e forcave siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| OKB nuk do të përfshihet në referendumin kurd Posted: 16 Jun 2017 12:48 AM PDT Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se nuk do të "përfshihen në asnjë mënyrë" në referendumin për pavarësi në një rajon kurd të veri të Irakut, që është planifikuar të mbahet në shtator. Misioni i posaçëm i OKB-së, ka hedhur dyshime mbi kredibilitetin e votës, gjë që ka ngjallur kritika nga qeveria qendrore në Bagdad, vendet perëndimore, Turqia dhe Irani. Javën e kaluar, presidenti i rajonit kurd, Masoud Barzani, ka thënë se votimi do të përcaktojë nëse rajoni kurd do të shkëputet nga Iraku. Votimi do të mbahet në rajonin kurd dhe në zonat që pretendohen nga të dy palët, kurdët dhe Bagdadi. Këto zona të diskutueshme, duke përfshirë edhe qytetin e naftës në Kirkuk, kanë qenë nën kontrollin e kurdëve që kur forcat peshmerga kurde kanë rimarrë territorin në veri dhe perëndim të Irakut pasi ishte pushtuar nga grupi militant Shteti Islamik. Opozitës së fuqishme të Bagdaditi 'u janë bashkuar Turqia dhe Irani, të cilat kanë popullsi kurde në vendet etyre. Me një popullsi prej rreth 5 milionë, rajoni kurd i Irakut ka një shkallë të lartë autonomie, duke përfshirë parlamentin dhe forcat e armatosura. Marrëdhëniet me qeverinë qendrore në Bagdad janë tensionuar rreth ndarjes së të ardhurave të naftës dhe çështjeve të tjera. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Mediat: Pentagoni do të dërgojë 4000 trupa shtesë në Afganistan Posted: 15 Jun 2017 11:35 PM PDT Zyrtarë të administratës amerikane kanë thënë se Pentagoni do të dërgojë 4,000 trupa shtesë në Afganistan, duke shpresuar t'i jap fund bllokadës në luftën 16 vjeçare. Sipas Associated Press, zyrtarë të paindentifikuar kanë thënë se ky vendim mund të bëhet publik gjatë javës së ardhshme. Pjesa më e madhe e forcave shtesë do të trajnojnë dhe këshillojnë trupat afgane, ka thënë një zyrtar, ndërsa një numër më i vogël do të caktohet në operacionet kundër terrorizmit ndaj grupit taliban dhe të atij të Shtetit Islamik. Zëdhënësi i Pentagonit ka deklaruar se: "Asnjë vendim nuk është marrë". Mattis u ka thënë ligjvënësve të SHBA-ve më 15 qershor, se Presidenti Donald Trump i ka dhënë atij autoritetin për të vendosur shtimin e trupave ushtarake në Afganistan. Mediat në Shtetet e Bashkuara kanë raportuar se Mattis do të rekomandojë dërgimin e një numri prej 3,000-5,000 trupave amerikane. Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë rreth 8,400 trupa në Afganistan. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ministria e Shëndetësisë blen barnat më shtrenjtë sesa çmimi në treg Posted: 15 Jun 2017 11:05 PM PDT Rreth 21 milionë euro në vit ndahen për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në Kosovë. Por, zyrtarë shëndetësorë thonë se ky buxhet është i pamjaftueshëm për të përmbushur listën esenciale dhe nevojat e pacientëve. Nga Qendra Klinike Universitare adresohen kritika në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë në largim të Kosovës, për blerjen e barnave me çmime larta sesa çmimi real në treg. Lista esenciale me barna, asnjëherë nuk ka arritur të përmbushet në tërësi që nga paslufta e fundit në Kosovë. Shemsi Veseli, anëtar i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë i blen barnat me çmim shumë më të shtrenjtë sesa çmimi real i tyre. Andaj, kjo sipas tij, ka ndikuar që lista esenciale të mos mund të përmbushet për mungesë të buxhetit. "Listën esenciale e bën Ministria e Shëndetësisë. Ndonëse kemi dërguar propozime, ato nuk merren parasysh. Buxheti për barna nga Qendra Klinike është alokuar në Ministrinë e Shëndetësisë". "Kontratat e lidhura nga Ministria e Shëndetësisë që i blejnë barnat për QKUK-në , i kanë më të shtrenjta 2 milionë euro, sesa të njëjtat kur janë blerë nga QKUK-ja vite më parë. Ta zëmë, një ilaç, 'fermibarbiton' që në treg kushton 1.5 euro, Ministria e Shëndetësisë e blen 9 euro", ka deklaruar Veseli. Mungesat në listën esenciale të barnave, sipas ekspertëve shëndetësorë, vlerësohet të ketë ardhur si pasojë e alokimit të buxhetit për barna në vlerë prej 15 milionë euro, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Ministrinë e Shëndetësisë. Zyrtarë të lartë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar qysh në fillim të planifikimit të blerjes së barnave, iu kanë munguar 5 milionë euro. Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se çdo zyrtar shëndetësor ka mundësinë e diskutimit në rast se ka shkelje ligjore dhe kjo të korrigjohet në përputhshmëri me ligjin. Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në këtë ministri tha se nuk mund t'i komentojë të gjitha ankesat që vijnë nga sistemi shëndetësor. "Nuk mund t'i komentojmë pohimet që mund të shprehen në kuadër të sistemit shëndetësor, pasi pavarësisht nëse dikush punon në kujdesin parësor, dytësor apo tretësor e ka mundësinë ideale që nëse ka çështje që mund të korrektohen të shprehen në vijën institucionale, të diskutohen, të shihet nëse janë të vërteta ose jo dhe më pas të përmirësohet procesi i furnizimit", ka thënë Hoti. Ndërkaq, Shemsi Veseli thotë se buxheti është i pamjaftueshëm në përgjithësi për sektorin e shëndetësisë. ''Buxheti duhet rritet edhe sa gjysma e buxhetit aktual. Vetëm për aparaturë të re nevojiten 60 milionë euro shtesë. Për shëndetësi nuk është paraparë rritje e buxhetit as për vitet e ardhshme", ka thënë Veseli. Derisa Faik Hoti ka dhënë detaje për mjetet e ndara për barna për këtë vit nga Qeveria e Kosovës. "Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për barna dhe material shpenzues dhe për citostatikë për vitin 2017, është mbi 21 milionë euro. Prej kësaj shume, 15 milionë euro janë të dedikuara për kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësorë, ndërsa 6 milionë të tjera për Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komuna". "Furnizimi gjatë këtij viti ka qenë afërsisht në limitet e mundësive financiare dhe furnizimi me barna shkon deri në 80 për qind ndonëse ka ndryshime, derisa furnizimi çalon në materialin shpenzues", është shprehur Hoti. Kurse drejtori i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni, tha se furnizimin me barna e kanë stabil, duke përmendur disa mungesa të kohëpaskohshme, por që me kërkesë emergjente, po zgjidhen. "Klinika Onkologjik është stabile me furnizim. Ka shumë mundësi që nga java e ardhshme do t'i kemi tri produkte në mungesë, e që jemi duke u munduar të bëjmë zgjidhje derisa të fillojë tre mujori i tretë". Sido që të jetë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se alokimi i buxhetit nga një institucion në tjetrin, ka qenë kërkesë e donatorëve dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ukrainë: Dy opozitarë rusë kërkojnë azil politik Posted: 15 Jun 2017 10:51 PM PDT Dy figura të opozitës ruse, pjestarë të partisë së Alekesi Navlany kanë kërkuar azil politik në kufirin e Ukrainës, ka thënë Shërbimi Kufitar i Ukrainës. "Burrat arritën në pikën e kontrollit dhe menjëherë kërkuan mbrojtje në territorin e Ukrainës për shkak të ngacmimeve politike në Rusi", tha më tutje ky shërbim. Agjentët kufitarë pas kontrollit të tyre kuptuan se të dy ishin pjesë e opozitës së udhëhequr nga Navalny, e cila është persekutuar për aktivitetin e saj politik. Të dy burrat janë lejuar të kalonin kufirin dhe u dërguan në shërbimin e migracionit, thanë autoritetet ukrainase, pa treguar identitetin e dy personave Navalny dhe të paktën 1.500 mbështetësit e tij janë arrestuar më 12 qershor në Moskë dhe qytete të tjera anembanë Rusisë për protesta të paautorizuara kundër korrupsionit. Navalny u burgos për 30 ditë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





