Tirana Observer: “Shtatë produktet që nuk duhet t’i blini anjëherë në supermarket” plus 9 more

Tirana Observer: “Shtatë produktet që nuk duhet t’i blini anjëherë në supermarket” plus 9 more


Shtatë produktet që nuk duhet t’i blini anjëherë në supermarket

Posted: 14 Jun 2017 09:37 AM PDT

Supermarketet i kemi në çdo lagje për të na ofruar produktet që duam. Por ka disa prej tyre që nuk duhet t'i blini kurrë në supermarket.

Sallatë e gatshme

Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se një prej ushqimeve më të rrezikshme në supermarkete që mund të blini është sallata e paketuar dhe e gatshme, kjo sepse mund të grumbullojë shumë baktere të dëmshme për zorrët.

Suxhuk

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pohuar se suxhuku, dhe produktet e tjera të përpunuara të mishit, provokojnë kancerin, duke qenë se nitratet që gjenden tek ushqimet shndërrohen në lëndë kancerogjene.

Çaj jeshil me shishe

Një studim i kohëve të fundit ka treguar se një shishe çaj jeshil e blerë në supermarket nuk ka asnjë gjë të përbashkët me atë që përgatisni. Kështu që është një shpenzim i kotë.

Ushqime me fruta

Shmangini kategorikisht ëmbëlsirat dhe ushqimet e ndryshme që përmbajnë fruta, pasi duke qenë të konservuara janë shumë të dëmshme.

Majoneza

Zakonisht majoneza përbëhet nga vezët, uthulla, vaji vegjetal dhe erëza. Në vend që t'i blini të gatshme në supermarkete, mund t'i përgatisni lehtësisht në shtëpi.

Bukë

Një tjetër produkt që nuk duhet të blini kurrë supermarketeve është edhe buka, pasi përgatitet nga mielli i zbardhur kimikisht.

Armando Sadiku “shënon” edhe në politikë: Rama, trajner që vjen një herë në 50 vjet (VIDEO)

Posted: 14 Jun 2017 09:27 AM PDT

Heroi i kombëtares shqiptare te futbollit, golashënuesi më i mirë i europianit, Armando Sadiku, ka mbështetur publikisht Edi Ramen për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Përmes një video të publikuar nga vetë Rama në rrjetin social Facebook, Sadiku i kërkon tifozëve dhe qytetarëve të votojnë numrin 2 në fletën e votimit.

Ja video e publikuar në Facebook:

Nga Andi Bushati/ Po unë jam shok, tani edhe votues i Blushit

Posted: 14 Jun 2017 09:15 AM PDT

Nga Andi Bushati/ Një luzmë mediash që rendin pas Ramës e kanë radhitur Lapsi.al, mua personalisht dhe bashkëthemeluesin e kësaj faqeje, Armand Shkullakun mes shokëve të Blushit që e mbrojnë atë edhe në një "ditë të zeze" si ajo e fotos me Lul Berishën (faksimilet poshte).

Fatëkeqësia e këtij lajmi që njësoj si ajo foto "scoop" u shpërnda nga zyra e shtypit të kryeministrit, është se ai përkon me të njëjtën mendësi që predikoi një ditë më parë Lulzim Basha. Pra edhe kryeministri edhe shefi i opozitës tani e kanë gjetur targetin që duan të godasin: Blushin dhe "shokët" e tij.

Vetëm ky përkim epitetesh dhe konceptesh që paralajmëron errësirën ku po na shpie koalicioni i madh, ku Rama do të vazhdojë me drogën, me koncesionet, me lejet e ndërtimit dhe me kriminelët e tij dhe Basha do të bëjë fresk me broçkullat e "Republikës së re", flet qartë për vërtetësinë e përrallës së mbrojtjes së kreut të Libras për hir të miqësisë.

Por, për të qenë i vërtetë personalisht, unë dua të pranoj publikisht se: po, e kam mik Blushin. Kam ndarë me të një pjesë të madhe të arsimimit tim që në vitet e para të shkollës e deri në universitet. Kemi qenë së bashku në të njëjtën anije, tek gazeta Koha Jonë e viteve më të vështira dhe të errëta të regjimit të Berishës.

E kemi ruajtur miqësinë edhe më pas, megjithëse rrugët tona u ndanë dhe ai e braktisi gazetarinë për t'iu dorëzuar politikës, pas vitit të tmerrshëm '97.

Por, kjo miqësi gjithmonë e pandryshuar nuk na ka ndaluar asnjëherë të kemi shpesh divergjenca të thella dhe kundërshtime të paepura. Kemi qenë në llogore të ndryshme në vitet 2004-2005 kur ai ende militonte në qeverinë Nano që unë e konsideroja një fatkeqësi kombëtare. Jemi gjendur antagonistë kur ai punonte me mish e me shpirt për të zgjedhur Ramën në krye të PS-së. Ashtu siç i kemi ndejtur njëri tjetrit përballë (ende janë në arkiva emisionet "Opinion") kur ai mbronte koalicionin e 1 prillit me LSI-në që unë e përjetoja më "zemërthyer" se i ndjeri DR Flori.

Po ashtu nuk kam asnjë kompleks të thëm se e kam mbështetur publikisht, me shkrime dhe qëndrime divorcin e tij të pakthyeshëm me pushtetin arrogant, kleptokarat dhe bandit të Rilindjes. Kam ndarë pak a shumë të njëjtat qëndrime për kritikat e paepura ndaj Ramës dhe si një besimtar i palodhur i shembjes së partive të vjetra, kam qenë edhe pro krijimit të Libras.

Por, asgjë nga këto, absolutisht asgjë, nuk më ka yshtur asnjëherë për të shtrembëruar faktet, për të bërë pazar me të vërtetën, ashtu siç më akuzojnë mediat e kontrolluara nga Rama: pra se në "scoopin" e fotos me Lulëzim Berishën, ne tek Lapsi.al, qenkemi sjellë si miq të Blushit dhe jo si gazetarë.

Dhe meqë mediat që Rama nuk i quan të kazanit e cekën këtë temë, dua t'i rikthehem edhe unë.

Jo si shok i Blushit, as vetëm si gazetar, por si qytetar i këtij vendi, unë e quaj një skandal atë që pushteti i ka organizuar dje në fushatë kreut të Libras. Sepse ai qe një kurth sipas modelit kur "hajduti thërret kapeni hajdutin". Sepse ai qe një kopje e shëmtuar shqiptare e spin doctors-ave që e kanë mësuar zanatin përmes serialit "House of cards".

Çfarë ndodhi dje në Durrës?

Ben Blushi kishte dalë në bulevardin kryesor të qytetit për fushatë. Ai qe aty për t'u përshëndetur me njerëzit pse jo dhe për t'u filmuar dhe fotografuar me ta. Kur në një moment, i'u afrua një njeri që mbante veshur një kostum sportiv të Italisë, njësoj si Edi Rama dhe i kërkoi një fotografi. Pasi pozuan i panjohuri e pyeti edhe se ku do t'a marrë foton. "Tek faqja e Libras në internet" i'u përgjigj Blushi (lexo shkrimin poshte).

Në fakt njeriu me syze të mëdha dhe me kostumin blu të azzurrëve, nuk kishte nevojë për të pritur që fotoja të dalë në faqen e Libras. Siç u pa në filmimet e publikuara më pas, ai nuk do të priste shfaqen zyrtare të saj. Sepse pak më poshtë ishin marrë masat që të 'gjendet" një fotograf tjetër që tashmë e ka shkrepur aparatin. E njëjta foto brenda disa minutave u dërgua në Tiranë. Ajo menjëherë gjeti botimin në mediat që financohen nga zyra e shtypit të kryeministrit. Disa drejtues portalesh pohuan më vonë se, po nga kjo zyrë, janë kontaktuar dhe i kanë çuar linkun që duhej përhapur me shpejtësi.

Por megjithëatë, problem nuk është përhapja, po organizimi i gjithë këtij "scoopi".

Le ta zëmë se personi me rroba sporti, Lul Berisha pra, i njëjti që Blushi me anë të disa fjalimeve e kishte akuzuar se ishte liruar nga burgu me ndihmën e Ramës dhe Vangjush Dakos, shkoi të fotografohet "rastësisht" tek akuzuesi i tij. Le ta zëmë po të doni se kjo nuk paskësh qenë edhe kaq e rastësishme, dhe se ai ka planifikuar t'i ngrejë një kurth të vogël politikanit që e kishte përgojuar në parlament.

Megjithëse kjo nuk është e besueshme, megjithëse të fortët tanë nuk janë kaq të rafinuar, le të besojmë për një çast tek ky version.

Po si u lidh në pak çaste ish i dënuari për pesë vrasje me zyrën e Ramës në Tiranë? Pse ajo u vu në punë për të shpërndarë "scoop-in"? Pse ende pa u kthyer Blushi në Tiranë, mediat e financuara nga kryeministri e publikuan atë?

Ata që "harrojnë" t'i bëjnë këto pyetje, sipas meje themelore, duan të fshehin kompleksin e tyre duke i'u vërsulur miqve të Blushit. Ata përpiqen t'i këkojnë kreut të Libras llogari duke pretenduar se ai duhet ta njihte patjetër atë që akuzon. Ata e marrin për të mirqenë që politikanët duhet të jenë të afërt me të fortët, edhe kur i përdorin edhe kur bëjnë teatër duke u shtirur sikur i sulmojnë.

Kjo lojë perverse ka një qëllim të qartë. Ajo kërkon t'i bëjë pis të gjithë njësoj, si ata që denoncojnë kriminelët, si ata që bashkëpunojnë me ta.

Por, në dritshkurtësinë e tyre, organizatorët e kësaj farse, nuk llogaritën një gjë. Duke dashur që ta kthejnë Blushin në viktimë, ata e bënë dëshmitar të lidhjes së tyre okulte. Ata e shndërruan foton që u bë për të denoncuar, në një fakt që tregon se kush është në komunikim të vazhdueshëm me Lul Berishën.

Në këtë kuptim, ngjarja që ndodhi dje në Durrës është një boomerang që ra mbi kokën e atyre që e organizuan. Ajo është dëshmia më e qartë se kush bashkëpunon me basifondet e botës së errët. Ajo jep alarmin se këta që janë në pushtet kanë degraduar deri në atë pikë, sa mos t'i përdorin më të fortët për "punë të nderuara" si kërcënimi i kundërshtarëve dhe vjedhja e votave, por edhe për interesat perfide të propagandës së tyre malinje.

Prandaj "scoop-e" si ky, sado të pisët qofshin, shërbejnë për të qartësuar më mirë këdo që do t'i drejtohet kutive të votimit në 25 qershor.

Prandaj ngjarje si kjo, janë dëshmi të gjalla për sejcilin që do të rreshtohet me krahun e kriminelëve, apo për kë do të jetë përkrah denoncuesve të tyre.

Ndodhi të tilla, ndikojnë tek çdokush që të bëjë një zgjedhje. Ato janë pika e tepërt që derdhin gotën.

Një efekt të tillë pati kjo ndodhi edhe tek unë, duke u bërë shtysa e fundit që do të më çojë të dielën e fundit të qershorit (pas plot 17 viteve) drejt kutisë së votimit. Jo thjeshtë si "shok" i Blushit, po si dikush që kërkon t’a luftojë me sa mundet pushtetin e banditëve. (Lapsi.al)  

Koleksion i rrallë fotosh: Shqipëria në vitin 1922 dhe mahnitja e një amerikaneje

Posted: 14 Jun 2017 09:04 AM PDT

Ky koleksion me foto të rralla është publikuar në faqen e studiuesit Robert Elsie dhe janë realizuar në vitin 1922 nga Rozë Uajlldër Llejn.

Fotot kryesisht janë nga Shqipëria e Veriut.

Robert Elsie

Nga Robert Elsie

Koleksioni fotografik i Rozë Uajlldër Llejnit

Rozë Uajlldër Llejn Shkrimtarja amerikane Rozë Uajlldër Llejn (1886-1968), e bija e Llora Ingëllz Uajlldërit (Laura Ingalls Ëilder, 1867-1957), autorja e librave të suksesshme, Little House on the Prairie, lindi ne Dakotën e Jugut. U rrit në Mizuri ku në moshën 17-vjeçare punoi për Ëestern Union në Kanzas Siti. Në vitin 1908 u nis për në San Fransisko ku shkroi rubrikën e gruas për gazetën San Francisco Bulletin. Me tregimet e saj të shkurtra në gazetat për gruan u bë gazetarja më e paguar në Shtetet e Bashkuara. Pas botimit të librit të parë, ajo filloi punë për Kryqin e Kuq dhe Ndihmë për Lindjen e Afërt (American Red Cross and Near East Relief), duke hetuar dhe duke shkruar për kushtet në Evropë dhe në Lindjen e Afërt (përfshirë Ballkanin) për të grumbulluar fonde për ndihmë. Filloi punë në zyrën e Kryqit të Kuq në Paris dhe udhëtoi në Itali, Greqi, Jugosllavi dhe Shqipëri, vend ky që e mahniti.

Rose Wilder Lane (1886-1968).

Një ditë Rozë Uajlldër Llejni ndodhej në një kamp refugjatësh në Shkodër kur pak para largimit të saj, një veprimtare tjetër e Kryqit të Kuq Amerikan, Fransis Hardi (Frances Hardy), e bindi të shkonte me të në një ekspeditë në malet e veriut të Shqipërisë, në një udhëtim për të ngritur shkolla.

"Kostandinopoja s'është gjë! Të gjithë shkojnë në Kostandinopojë. Por nëse nuk shikon Shqipërinë, nuk ke parë gjë. Aty lart – po, pikërisht aty në ato male, një ditë rruge prej këtu – jetojnë njerëz si njëzet shekuj më parë, para se të njiheshin grekët, romakët ose sllavët. Ka ngulime parahistorike, legjenda të vjetra, këngë dhe zakone për të cilat nuk dihet asgjë. Asnjë i huaj s'i ka parë. Zoti i madh! Ti rri këtu dhe flet për Kostandinopojën!" "Por nëse nuk shkohet, si të bëjmë?" pyeta unë. "Si bëhet çdo gjë në jetë? Thjesht, bëhet! Marrim kuaj, u hipim dhe nisemi." "Të marrim edhe pushkë me vete?" "Mos ki frikë, nuk ka rrezik. Mbase hasim në ndonjë pritë hasmërie dhe vrasin udhërrëfyesit tanë, por askush nuk vret gra. As burrat nuk vriten kur janë me gra."

Rozë Uajlldër Llejni ndërroi planet e saj aty për aty dhe u nis me Francës dhe një grua tjetër, Margrët Aleksandër (Margaret Alexander). Bashkë me to ishte Rexh Meta, një refugjat dymbëdhjetëvjeçar nga Kosova i cili kishte humbur prindërit dhe kishte përfunduar në një kamp refugjatësh në Shkodër. Aty kishte mësuar anglisht. Gjithashtu me grupin e udhëtarëve ishte edhe Rrok Perolli, punonjës i Ministrisë së Brendshme, si përkthyes. Një vit më parë, Rroku kishte qenë i burgosur në Serbi dhe ishte dënuar me vdekje. Ai u arratis dhe arriti të kalonte kufirin për në Shqipëri. Tani kishte frikë që malësorët do ta shisnin te serbët.

Helen Dore Boylston (1895-1984).

E frymëzuar nga udhëtimi i saj në vitin 1921, Rozë Uajlldër Llejni shkroi dhe botoi librin e saj më të njohur, Peaks of Shala, Being a Record of Certain Ëanderings among the Hill-tribes of Albania (Majat e Shalës: përshkrim i disa rrugëve mes fiseve të malësisë së Shqipërisë), Londër 1922, ndihmesë e çmuar në njohjen e Shqipërisë prej amerikanëve në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë. Rozë Uajlldër Llejni nuk ishte antropologe me njohuri të thella mbi Ballkanin, as analiste politike si paraardhësja e saj britanike, Edith Durham, dhe as shkrimtare e mirëfilltë udhëtimesh. Gjithsesi ajo arriti që me stil dhe thjeshtësi të bënte të kuptueshme për amerikanët botën e malësorëve të veriut të Shqipërisë. Me gjithë temën tërësisht të panjohur, Majat e Shalës u bë libër shumë i suksesshëm. Pas tirazhit të parë u ribotua edhe tri herë dhe u lexua shumë në Amerikë dhe në Angli.

Në vitin 1926, pesë vjet pas udhëtimit të saj në Dukagjin, Rozë Uajlldër Llejni u kthye në Shqipëri me mikeshën e saj Helenë Dor Bojllstën (Helen Dore Boylston, 1895-1984) dhe me shërbëtoren e tyre të tmerruar franceze, Ivonë, me qëllim që të ndërtonin një shtëpi dhe të jetonin bashkë në vendin e ëndrrave të saj. Rrëfimi i udhëtimit të tyre me një makinë të tipit Model T Ford, që i dhanë emrin Zenobia, nga Parisi në Tiranë u botua nga Uilliëm Holc (Ëilliam Holtz) në librin Travels ëith Zenobia, Paris to Albania in a Model T Ford: A Journal by Rose Ëilder Lane and Helen Dore Boylston (Udhëtime me Zenobian: nga Parisi për në Shqipëri në një Ford T. Ditar i Rozë Uajlldër Llejnit dhe i Helenë Dor Bojllstënit), Kolumbia 1983.

Për fat të keq, një vit e gjysmë më vonë ajo u detyrua të kthehej në Amerikë për arsye familjare dhe, pas kësaj, Depresioni i Madh ekonomik i vitit 1929 shkatërroi përfundimisht shpresën e saj për të jetuar në Shqipërinë që donte kaq shumë.

Rozë Uajlldër Llejni vdiq në vitin 1968 në moshën 81-vjeçare, një ditë para nisjes së saj në një udhëtim rreth botës. Fotografitë e këtij koleksioni nuk janë marrë nga vetë Rozë Uajlldër Llejni gjatë ekspeditës së saj të vitit 1921.

Kur shkoi në Shqipëri një vit më pas, ajo mori një fotografe, Anetë Markuis (Annette Marquis), dhe dy udhërrëfyes për të përsëritur udhëtimin e vitit 1921. Kësaj radhe, moti ishte më i mirë dhe udhëtimi më pak i lodhshëm.

Pas shumë peripecive Anetë Markuisi u kthye shëndoshë e mirë. Aparati fotografik ra në ujë por, për fat, negativat nuk ishin dëmtuar.

Historia: Pse pushimi nga puna i bëri mirë Makiavelit

Posted: 14 Jun 2017 08:36 AM PDT

Ai ishte një punonjës civil veçanërisht mbresëlënës. E mori vendin e parë të punës në vitin '98 pas një ndryshimi madhor në qeverisje. Ai ishte ende në të njëzetat dhe dukshëm njihte disa nga njerëzit e fuqishëm, por duhej të ketë qenë edhe një emërim meritokratik – që nga fillimi ai demonstroi mprehtësi dhe pasion për politikën.

Pjesërisht diplomat, pjesërisht këshilltar, përgjatë dhjetë viteve që pasuan ai udhëtoi pa pushim në zonat më të nxehta të politikës, duke u takuar me lojtarët, duke vlerësuar rrezikun e kërcënimin dhe duke dërguar te punëdhënësi i tij vëzhgime të detajuara dhe këshilla.

Vitet e para të shekullit qenë shumë të rrezikshme në politikën ndërkombëtare dhe këshillat e tij, megjithëse me bazë nga eksperiencat personale, nuk u dëgjuan gjithmonë nga ata që merrnin vendime. Duke parë pas, historia e tregoi se ai kishte të drejtë.

Por testi i madh për të erdhi më vonë. Në nëntor '12 (pra viti 1512), Nikolo Makiaveli pasi i pati shërbyer shtetit të Firences me besnikëri për 14 vjet, ra viktimë e një ndryshimi regjimi kur qeveria republikane u shpërbë përballë një komploti të jashtëm për të riinstaluar familjen Mediçi.

Burrat e djeshëm u bënë armiq të sotëm. Makiaveli nuk pati kohë as për të pastruar tryezën e tij të punës. Ai u përzu nga qeveria dhe në fillim të vitit 1513 emri i tij u zbulua në një copë letër krahas shumë të tjerëve, të cilët qenë komplotues dhe synonin të bënin një kundërpuç.

I arrestuar, i burgosur dhe i torturuar, ai kaloi shumë javë në atë që e quajti "bujtinë me shije të hollë" në një shtëpi me erë kalbësirë, ku morrat qenë aq të mëdhenj sa fluturat, ndërsa dëgjonte ulërimat përreth tij.

Fati – një faktor gjithmonë i fuqishëm që duhet të kihet parasysh kur merresh me politikë, – erdhi në ndihmë të tij. Në Romë, kardinal Mediçi u zgjodh Papë dhe ndërsa Firence u çmend nga gëzimi, ai dhe shumë të burgosur të tjerë u falën dhe u liruan.

I dëshpëruar për t'u rikthyer në politikë, por duke e ditur se askush nuk do ta punësonte, ai e kaloi shumicën e vitit në pronën e familjes në jug të qytetit dhe ishte pikërisht atje, ekzaktësisht 500 vjet më parë, që ai filloi të shkruajë një manual këshillash mbi artin e kapjes dhe ruajtjes së pushtetit.

Duke vlerësuar sjelljen e njeriut përgjatë historisë dhe natyrën si arenë cirku të politikës italiane, ai argumentoi se një sundimtar i suksesshëm duhet të jetë i aftë dhe me vullnetin për të balancuar virtytet morale me pragmatizmin disa herë të ashpër dhe të pamëshirshëm. "Princi" do të bëhet një nga librat më të admiruar, të studiuar dhe me ndikim. Për të u shkrua në fushën e filozofisë politike, duke i siguruar autorit një vend në histori, të cilin shumica e sundimtarëve përreth tij nuk e arritën kurrë.

Kjo, natyrisht, është vetëm një hyrje mbi njohuritë e tij të thella. Por për momentin, le të mbetemi në verën e thatë të Toskanës 500 vjet më parë, kur një 44-vjeçar, me armët dhe krahët ende të copëtuar nga strappado (një instrument torture i krijuar për të tërhequr krahët deri në agoni), u ul për të shkruar atë që ai shpresonte se do të bëhej edhe mjeti për të marrë një ftesë për t'u rikthyer në politikë.

Ne në fakt mundemi të rikrijojmë shumë detaje nga ai moment. Prona e familjes, ku ai u kthye për të lëpirë plagët e veta, ekziston ende. Censusi i taksave të vitit 1498 e përshkruan atë si një pronë prej 60 hektarësh të mbushur me vreshta, ullinj dhe pyje.

Toka, tani nën pronësinë e një biznesmeni vere, qëndroi në duart e pasardhësve të familjes Makiaveli deri pak dekada më parë dhe shumica e shtëpisë origjinale është restauruar me dashuri. Stema e familjes, dy gozhdë të kryqëzuara që përfaqësojnë pasionin e Krishtit, është gdhendur në derën e saj dhe pas një dollapi të vjetër rrobash mund të gjesh ende govatën e gurit ku Makiaveli duhet të jetë larë para dhe pasi të hante.

Megjithëse shtëpia aktualisht është e hapur për publikun, ajo është disi larg rrugëve dhe duhet të caktosh një takim paraprak: brenda saj gjendet një oxhak i madh, ndërsa ti mund të zbresësh në qilarin e freskët të verës për të gjetur gjurmë të forta të së shkuarës, të cilat krijojnë emocione shumë të forta.

Nëse ecën deri në fund të tarracës dhe shikon nga lugina, mund të shohësh japin e kupolës madhështore të Bruneleskit. Sa e dhimbshme duhet të ketë qenë për një njeri që ishte për aq shumë kohë në zemër të të gjithë biznesit të politikës, ndërsa shikon poshtë drejt qytetit që ai dashuronte dhe që e dinte se ishte përjashtuar nga qeverisja e tij.

Ah, shkrimtarët flasin shumë, mund të jeni duke menduar ju – nuk ka asgjë të vërtetë në këtë histori. E pra, ka edhe nuk ka. "Unë po jetoj në fermën time dhe që kur pata fatin e keq nuk kam kaluar as njëzet ditë në Firence… çfarë jete po bëj, do të duhet t'jua them."

Makiaveli si shumë njerëz të moshës së tij, ishte një shkrues letrash i regjur. Në muajt që pasuan "fatin e tij të keq", korrespondenca e tij është e mbushur me analiza të rivalitetit mes Spanjës dhe Francës (politikani tek ai nuk flinte kurrë), por ai ofron edhe informacione më intime mbi jetën e tij.

Një letër shumë e cituar, e 10 dhjetorit 1513, për korrespondentin e tij të rregullt, Francesko Vetori, ambasador në Romë dhe një njeri që ai shpresonte se do të mbronte çështjen e tij, përshkruan ekzilin e tij të përditshëm: fillon me kurthet për mëllenjat, pastaj me menaxhimin e punëve të fermës, leximi i pak poezive mbi dashurinë, pasdreka kalohet në hanin e vendit, duke luajtur lojëra tavoline "të cilat sjellin mijëra mosmarrëveshje dhe fyerje të panumërta deri sa plas përleshja për ndonjë qindarkë".

Në fund, në perëndim, kthehet në shtëpi në të gjithë kuptimin e fjalës.

"Te pragu i studios sime", shkruan ai, "unë heq rrobat e ditës, të mbuluara me baltë e pluhur, vesh rrobat më të mira me kujdes dhe, pasi jam i veshur në mënyrën e përshtatshme, hyj në oborret e nderuara të burrave të lashtësisë, ku pritem nga ata vetë me dashuri, e ushqej veten me atë ushqim që është vetëm i imi dhe për të cilin pata lindur, jam i mrekulluar të flas me ta dhe t'i pyes për arsyet e veprimeve të tyre dhe ata me dashamirësi më përgjigjen. Për katër orë me radhë unë nuk ndiej mërzi, harroj çdo telash, nuk më kap makthi i varfërisë, nuk jam i frikësuar nga vdekja: unë ua jap veten time tërësisht atyre… dhe për shkak se Dante thotë se dituria nuk prodhohet kur ne dëgjojmë, por kur ne mbajmë mend, unë krijova këtë vepër të vogël mbi principatat…"

Nga dhjetori i vitit 1513, "Princi" ka përfunduar së shkruari.

Natyrisht, nuk ishte thjesht intimiteti i Makiavelit me të lashtët – historianët e Greqisë dhe Romës – që krijoi "veprën e tij të vogël". Ai ofroi gjithashtu shembuj nga Italia e kohës së tij, duke nxjerrë në pah një figurë, mentaliteti dhe sjellja e të cilit e veçoi atë si njeriu më afër të qenët madhështor si Princi: Cezare Borxhia, djali luftëtar i Papës Aleksandër VI.

Vëzhgimet e Makiavelit mbi Cezaren janë përmbledhur në raportet diplomatike mbi takimet e tyre si në kohën e zenitit ashtu edhe në kohën e pikës më të ulët të karrierës së Borxhias së re, janë histori e shkruar me standardet më të larta.

Kur më 1502-shin, me një goditje të guximshme strategjike, gjenerali i ri pushton qytetin e Urbinos, Makiaveli dhe shefi i tij janë diplomatët e parë që ai dëfren. Duke u ulur së bashku në pallatin dukal të pushtuar – një xhevahir i Rilindjes që në atë kohë – ne shohim përmes syve të Makiavelit ekzaltimin, arrogancën, inteligjencën dhe ambicien e paepur të Cezares.

Ata madje argumentojnë edhe për mjetet më të mira të qeverisjes – Fiorentinët që po punonin për të mbajtur më këmbë republikën e tyre, ndërsa i zoti i shtëpisë e hedh poshtë këtë formë qeverisje. Është pothuajse sikur ne jemi në dhomë duke i dëgjuar.

Pastaj, më pak se 18 muaj më vonë, ne jemi sërish me të, në Romë këtë herë, kur i riu Borxhia është ende duke marrë veten nga ethet që sapo patën vrarë të atin e tij, ndërkohë që armiqtë e tij po fluturojnë si skifterë përreth trupit të pajetë të Papës.

Ai që dikur ishte plot vetëbesim dhe veprimtari, tashmë është me dyshime dhe i pavendosur. Është njësoj sikur, siç vëren Makiaveli, mendja e fortë strategjike është rrëzuar nga fati i keq.

Mes shumë mësimeve që ai merr nga studimi i Cezare Borxhias, fuqia e fatit është me të vërtetë e dallueshme. Ndërsa ndërmarrja e rrezikut është e nevojshme për suksesin, një kombinim i pamëshirshëm ngjarjesh fatkeqe mund të rrëzojnë edhe njeriun më të fortë.

Përgjatë viteve që nga vdekja e tij, shumë kanë spekuluar nëse pragmatizmi politik i Makiavelit është në një farë mase, pa zot – koncepti i tij se virtyti në fund duhet të jetë në shërbim të dobisë.

Cilado qoftë natyra e besimit privat të Makiavelit, është e qartë se ai – si shumë bashkëkohës së tij, përfshirë edhe Cezare Borxhian – ishte gjithashtu i skllavëruar nga perëndesha e fatit.

Në këtë kohë, kur ai u ul për të shkruar "Princin", kjo perëndeshë sapo kishte luajtur një skenë dramatike në jetën e tij. Ishte i ndjeri Enoch Powell, gjithashtu një politikan kontrovers, i cili shkroi "Të gjitha jetët politike përfundojnë në dështim… kjo është natyra e politikës."

Në fakt, citimi origjinal përmban një nënklauzolë – "përveç rasteve që ata gjenden në mes të një koniunkture të lumtur".

"Unë dashuroj qytetin tim të lindjes më shumë sesa vetë shpirtin tim", shkroi Makiaveli kur iu afrua fundit të jetës së vet. Megjithatë, pavarësisht se ia dedikoi "Princin" një anëtari me peshë të familjes Mediçi, ai nuk u rehabilitua kurrë në qeverisje. Atij iu dha një mision diplomatik i çuditshëm, por më së shumti ai mbeti një vëzhgues, duke udhëtuar, komentuar dhe shkruar mbi luftën, historinë dhe natyrën njerëzore.

Megjithëse askush, dhe ai më pak se të gjithë, do ta quante atë goditje të pamëshirshme të fatit, një koniunkturë fatlume në jetën e tij, ajo solli një nga librat më provokativë dhe me ndikim të politikës dhe një nga më të shumëshiturit e të gjitha kohërave.

Në disa raste, të qenët i pushuar nga puna është gjëja më e mirë që mund t'i ndodhi një burri.

Bum dekoratash nga Nishani! 32 artistë shqiptarë vlerësohen me tituj

Posted: 14 Jun 2017 08:19 AM PDT

Plot 32 artistë shqiptarë u dekoruan dje nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre për artin.

Mes të dekoruarve kishte nga fushat më të ndryshme, nga Aurela Gaçe, Eli Fara, Julian Deda e deri te Matilda Makoçi e Ndriçim Xhepa.

Lamtumira e Gianni De Biasi-t, Lorik Cana i ka dy fjalë për të

Posted: 14 Jun 2017 08:07 AM PDT

Largimi i trajnerit Gianni De Biasi nga kombëtarja shqiptare si trajner i saj ka surprizuar jo pak të gjithë sportdashësit.

Të shumtë kanë qenë ata që kanë komentuar dhe i kanë shkruar fjalë të mirë trajnerit italian.

Por një shkrim mes tyre ka veçuar, ai i ish-kapitenit të kombëtares shqiptare, Lorik Canës.

Ish-kapiteni ka postuar një foto në Instagram, ku e falenderon De Biasi-n për gjithë kontributin që ai ka dhënë për kombëtaren shqiptare.

"Kjo është ajo që meritoni, Rrespekt!!! Flm për kontributin , eksperiencën, rrugëtimin tonë dhe miqësinë. Bashkë kemi përjetu momente të paharrueshme për të gjithë ne", shkruan Loriku.

Lubonja pozicionohet hapur: Votë për Ben Blushin për të ruajtur shpresën gjallë

Posted: 14 Jun 2017 07:49 AM PDT

Në një analizë të botuar sot në gazetën Panorama, analisti i njohur Fatos Lubonja, pozicionohet hapur në krahun e Ben Blushit.

Duke qenë një kritizer i fortë i kryeministrit Rama, por edhe i klasës së vjetër politike, Lubonja analizon lojën politike parazgjedhore dhe mundësitë e koalicioneve pas 25 qershorit.

Sipas Lubonjës, "sido që të ndodhë koalicioni i radhës do të jetë akti i radhës i tragjedisë dhe komedisë së radhës.

E vetmja shpresë për të dalë nga kjo tragji-komedi është që ata 56 për qind të shqiptarëve që sipas Gallup kërkojnë të lënë Shqipërinë- kuptohet si rezultat i keqqeverisjes dhe zhgënjimit nga të trija partitë kryesore, – t'i japin një goditje të trijave duke votuar ndonjë parti të re si LIBRA e Ben Blushit, që u është kundërvënë të trijave dhe që kërkon të mbesë kundër tyre në opozitë edhe pas zgjedhjeve.

Të paktën sa për të ruajtur shpresën gjallë".

Lubonja duket se gjen tek Blushi dy tipare që e bëjnë atë të pëlqyeshëm për të, është kundërshtar i Ramës dhe një i majtë par excellence.

 

DETAJET/ Vrasja e Artan Cukut, për shkak se zbuloi vrasjen në Vlorë DETAJET

Posted: 14 Jun 2017 07:30 AM PDT

Hetimet për vrasjen e Artan Cukut pritet të marrin një tjetër drejtim pas arrestimit të 24-vjeçarit Mikel Shallari.

Ndonëse i riu nuk ka pranuar deri tani të bashkëpunojë me drejtësinë, hetuesit janë përqendruar tek dy persona të arrestuar në Vlorë, në kohën kur drejtor policie ishte Artan Cuku.

Mësohet se njëri prej tyre është nga Mbrostari i Fierit i arrestuar për llogari të një dosjeje të rihapur nga Artan Cuku në vitin 2012, ndërsa personi tjetër nga Vlora.

Një ditë më parë, prokurori në kërkesën për gjykim ndaj te dyshuarit si ekzekutor Mikel Shallari, tha se vrasja po hetohet për gjakmarrje, por nuk la pa përmendur dhe punën e Cukut si drejtor policie, e cila vijon të jetë në hetim.

Këtu ekspertët po verifikojnë edhe një nga ngjarjet më të hershme në Vlorë, e cila e ka pikënisjen që në vitin 1997 e ka vijuar me krime të rënda mes bandave rivale deri në vitin 2012.

Personazhet që akuzoheshin se ishin bërë shkak për një serial të përgjakshëm vrasjesh që filloi në Barcelonë të Spanjës, vazhdoi në Vlorë dhe përfundoi në Tiranë, u arrestuan por disa prej tyre janë liruar për mungesë provash.

Këtu hetuesit janë mbështetur te e njëjta dosje, të cilën rihapi ish-drejtori i policisë së Vlorës Artan Cuku.

Në atë kohë në pranga ra një person i rrezikshëm e që dyshohej si vrasës me pagesë në zinxhirin e krimeve mes bandave, por që përfshirja e tij nuk u arrit te vërtetohej përmes provave.

Ndonëse deri më tani policia nuk ka bërë asnjë lidhje mes përplasjes mes bandave dhe ekzekutimit të Cukut, e vetmja pikë takimi është rihapja e dosjes dhe arrestimet e bëra nga ish-kreu i policisë së Vlorës.

Nga ana tjetër, në pikat kufitare janë dërguar edhe emrat e vëllezërve Daka, të cilët pritet të intervistohen nga hetuesit. Një masë e tillë është marre për t'i mos lejuar ata që të largohen jashtë vendit, ndonëse familja Daka në Shkodër pretendon se nuk ka lidhje me krimin dhe se hasmëria është mbyllur sipas zakoneve kanunore. /Vizion Plus

Niset kontigjenti i parë shqiptar në Letoni. Kodheli: Garantojmë sigurinë e aleatëve lindorë (FOTO)

Posted: 14 Jun 2017 07:06 AM PDT

Në ambientet e Komandës Mbështetëse u zhvillua sot ceremonia e dërgimit të kontingjentit të parë të EOD (Explosive Ordnance Disposal), në misionin operacional të NATO-s në kuadër të prezencës së përforcuar në Letoni.

Të pranishëm në ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, komandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Ardian Bali, komandantë e drejtues të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes si dhe familjarë dhe të afërm të pjesëtarëve të EOD.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në fjalën e saj tha se pas anëtarësimit në NATO, koncepti i Mbrojtjes Kolektive, e ka evoluar perceptimin tonë për mbrojtjen, pasi tashmë kufijtë e çdo Aleati janë edhe kufijtë tanë, të cilët mishërojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë.

"Në këtë kuadër, këta djem do të nisen sot, si pjesë e forcës së përparuar të Aleancës, për të kontribuar në mbrojtjen, parandalimin dhe aq më shumë garantimin e sigurisë së vendeve Aleate të NATO-s në Europën Lindore".

Më tej, ministrja Kodheli theksoi përgjegjshmërinë dhe seriozitetin e qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për mbajtjen e barrës që i takon brenda Aleancës, si dhe përkushtim për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të angazhimeve në raport me shtetet Aleate siç është rënë dakord në samitin e Varshavës.

EOD është struktura speciale për eleminimin e materialeve të rrezikshme, të Batalionit të Xhenios të Komandës Mbështetëse.

Kjo strukturë është prioritet i Komandës Mbështetëse dhe i Forcave të Armatosura dhe përveç angazhimit brenda vendit ajo kontribuon me përfaqësues në Mali, Afrikë dhe tashmë edhe në Letoni.

Shqipëria është pjesë e grup-batalionit në Letoni nën komandën e Kanadasë, ku marrin pjesë dhe Italia, Polonia dhe Sllovenia.

Aktualisht po dislokohen katër grup-batalione shumëkombëshe në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, që do drejtohen respektivisht nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Gjermania dhe SHBA.