Tirana Observer: “Shenjat: A jeni tipi për lidhje të hapura?” plus 9 more

Tirana Observer: “Shenjat: A jeni tipi për lidhje të hapura?” plus 9 more


Shenjat: A jeni tipi për lidhje të hapura?

Posted: 03 Jun 2017 10:12 AM PDT

Besoni se jeni një çift modern? Nëse po, deri në çfarë pike mund të arrini? Sipas shumë personave, besimi absolut është një koncept qesharak dhe monogamia thjesht nuk bën pjesë në natyrën njerëzore. Në fakt, pjesa më e madhe e çifteve beson thellësisht se një lidhje serioze është ajo që përfshin dy njerëz, ndërsa çdo tjetër që përfshinë një të tretë është tradhti.

Megjithatë, një gjë është e sigurt: marrëdhëniet e hapura nuk janë për të gjithë.

Më poshtë do të gjeni një skemë për të kuptuar nëse jeni 100% monogam ose në mendjen tuaj mund të ketë pak hapësirë për një kundër mendim.

1. Tipi romantik: të jeni besnik është një gjë e bukur, por nuk është e nevojshme

Të ashtuquajturit "romantikë" i duan gjestet e bukura, emocionet e bukura dhe po ashtu edhe grindjet e tilla. Ja përse ata i premtojnë gjysmës tjetër një jetë së bashku dhe janë kaq pasionantë. Por ky pasion është i njëjti që mund të çojë në një tradhti të mundshme. Nëse ju pëlqen të keni një lloj pasigurie dhe xhelozie brenda dashurisë tuaj të dashurisë, atëherë është e mundur që një lidhje e hapur mund të funksionojë.

2. Tipi simbolik: besimi është gjithçka

Dy persona që bëjnë çdo gjë bashkë nuk mund të jetojnë kurrë pa besim. Është çifti tipik që ka një llogari të përbashkët facebook-u, që shkojnë gjithmonë bashkë nëpër festa dhe që shpesh u prezantohen të tjerëve si një "njësi" unike. Padyshim, në këtë tip raporti, nuk ekziston mundësia e asnjë hapësire për një lidhje të hapur.

3. Tipi posesiv: jemi unë dhe ti

Është e thjeshtë të ngatërrosh besimin me kontrollin. A ju ka ndodhur ndonjëherë që të mendoni për t'i lexuar me patjetër mesazhet e partnerit tuaj për të ditur se çfarë po bën? Ky çift nuk duhet të mendojë kurrë për një tradhti, e çfarëdo lloji qoftë ajo. Thjesht nuk do të funksiononte, sepse një lidhje e hapur kërkon një lloj mungese kontrolli.

4. Tipi i festave: për çfarë shërben të qenët besnik?

Jeni një çift i bukur dhe bini dakord në mënyrë perfekte, por ekzistojnë edhe disa gjëra të tjera. Preferoni flirtet dhe mbrëmjet në diskotekë, premtimet e dashurisë së përjetshme apo mbrëmjet në divan duke parë një film. Për këtë një lidhje e hapur mund të ndodhë në rastin tuaj, por kërkoni të jeni sa më të ndershëm të jetë e mundur. Sigurohuni që personi tjetër të dijë se çfarë keni në mendje me detaje.

5. Tipi individualist: të qenët besnik është jashtë mode

Ka çifte aq të sigurta për marrëdhënien e tyre të dashurisë saqë nuk kanë nevojë të jenë besnik për të ditur se duhen dhe respektohen. Kjo ndodh shpesh me personat që janë bashkë prej shumë kohësh dhe e dinë ekzaktësisht atë që mund të japin dhe të marrin në çift. Nëse besoni se dashuria dhe seksi janë dy gjëra komplet të ndryshme, atëherë nuk do të jetë e vështirë për të pranuar faktin se partneri juaj është i duhuri në shtrat me një person tjetër. Gjithsesi, edhe në këtë rast është mirë që të stabilizoni kushtet e lidhjes në mënyrë të qartë dhe ekuivoke. Do të jetë një zgjedhje ekstroverse dhe ultramoderne, por një lidhje e hapur mund të shërbejë që të ndiheni më të rinj dhe të lumtur. Gjithsesi, fiksojeni në mendje se cilësia e një marrëdhënieje nuk matet vetëm me besnikëri dhe një lidhje e hapur mund të ketë të njëjtën vlerë si ajo monogame. Gjëja më e rëndësishme është që të qëndroni gjithmonë besnikë të vetes dhe vlerave tuaja. Mos e lini partnerin tuaj që t'ju bindë për të provuar diçka që nuk ju pëlqen ta bëni. Nëse keni nevojë për besim në historinë tuaj, nuk është një gjë që do të ndryshojë dhe nuk ka asnjë nevojë për të ndryshuar.

Mijatovic: Për jetën e djalit tim do të jepja gjithçka

Posted: 03 Jun 2017 10:00 AM PDT

Ndonëse ai do të mbahet mend gjithmonë si njeriu që i dha Real Madrid trofeun e shtatë të Champions League, Predrag Mijatovic ka pranuar se ai do ta këmbente me shumë kënaqësi atë gol të fitores, për të patur sërish në jetë djalin e tij, edhe një herë tjetër. Hera e fundit kur Los Blancos janë ndeshur me Juventus në finale ishte pikërisht në 1998, dhe ishte pikërisht atë natë kur Mijatovic hyri në skenë për të shënuar golin e vetëm të ndeshjes.

Gjithsesi, për atë, ai sukses shkon në harresë për shkak të humbjes së djalit të tij në moshën 14-vjeçare, në vitin 2009, si rezultat i hydrocephalus. "Për shëndetin e djalit tim, që vdiq 8 vite më parë, dhe jetën e tij, unë do të jepja çdo gjë që kam arritur, vetëm për ta dëgjuar atë të thotë diçka. Djali im Andrea kishte paralizë celebrale dhe nuk mund të fliste, të ecte apo të komunikonte. Do të kisha dhënë gjithçka vetëm ta dëgjoja atë të thoshte: 'ç'kemi, si je'", tha Mijatovic në një intervistë shumë emocionuese për 'El Mundo'.

Rezultate imazhesh për mijatovic real madrid

I përfshirë më pas në një diskutim hipotetik, në përpjekjen për të krijuar futbollistin perfekt, duke përdorur atributet sportive të futbollistëve më të mirë, Mijatovic pretendoi: "Unë do të merrja fuqinë e Cristiano Ronaldos, gjithashtu driblimin e Lionel Messi dhe gjuajtjen e Davor Suker, i cili ishte i tmerrshëm, vetëm për të shënuar gola. Më pas do të kisha edhe modelin e flokëve të Mijatovic!"

“Jam e dërguara e Zotit”, infermierja vret 8 pacientët e saj

Posted: 03 Jun 2017 09:47 AM PDT

Një ish-infermiere u deklarua fajtore të enjten për vrasjen e tetë pacientëve në shtëpitë e pleqve të Ontario, Kanada.

Sipas The New York Times, infermierja Elizabeth Tracey Mae Wettlaufer, 49 -vjeç, u ka injektuar insulinë 14 personave pa ndonjë arsye mjekësore. Tetë prej këtyre injektimeve u vërtetuan fatale ku gjetën vdekjen e menjëhershme.

Tetë pacientët që vdiqën ishin nga mosha 75 deri në 96 vjeç. Shtatë prej tyre jetonin në një shtëpi pleqsh në Woodstock, ndërsa i teti në një banesë tjetër në London.

Ditën e gjyqit Wettlaufer tha se ishte ndier e zemëruar për karrierën e saj dhe se personat që vdiqën sipas saj ishin të këqij.

Ajo i tha gjykatësit se ajo nuk ishte nën ndikimin e drogës apo alkoolit gjatë kryerjes së injeksioneve, por se ishte e dërguara e Zotit.

Wettlaufer është arrestuar në vitin 2016 dhe do të vuajë dënimin, pasi akuzohet për vrasje me dashje

Ditmir Bushati ashpërson gjuhën: Burg për partizat që premtojnë vende pune

Posted: 03 Jun 2017 09:34 AM PDT

Nga Shkodra ku ka qenë për një takim elektoral, ministri i Jashtëm e ka "harruar" gjuhën diplomatike duke u shprehse të gjithë ata që premtojnë vende pune pa meritë, i pret burgu.

"Ka partiza dhe individë që dalin publikisht dhe premtojnë për punësim madje duke mos respektuar dhe ndryshimet e fundit në Kod Penal. Një mik më tha që e kishte kontaktuar një parti që po premton vende pune në burgun e Malësisë së Madhe. Ajo që i thashë është se përgjigjja që duhet t'i jepte atyre që premtojnë punësime të tilla është se:

Në pune do të futen në bazë të meritës, në burg kujdes se do të futesh vet. Unë e di që kur flasim për reformat e shtet­ndërtimit demokratik në Shkodër ka njerëz që thonë hajde me mua tek zyra e Hipotekës dhe shiko se çfarë ndodh. Ku flamuri i partisë është më i rëndësishëm se interesi i Shqipërisë", – deklaroi Bushati.

De Biasi drejt largimit në Kinë

Posted: 03 Jun 2017 09:25 AM PDT

Aventurës së Gianni De Biasit në stolin e Shqipërisë po i vjen fundi dhe për këtë janë të sigurta mediat italiane, që e shohin të ardhmen e trajnerit të kombëtares kuqezi në Lindjen e Largët.

Kina do të jetë me shumë gjasa destinacioni i ardhshëm i De Biasit me 60-vjeçarin që mund të marrë drejtimin e një skuadre të Superligës kineze. Ndeshja me Izraelin mund të mbyllë ciklin e Gianni De Biasit te Shqipëria, një cikël 6-vjeçar që kulmoi me atë kualifikim historik në Europianin, Francë 2016-të.

Nëse deri para disa ditësh kishte vetëm zëra për kalimin e De Biasit në Kinë, tashmë mediat italiane kanë bërë publike edhe emrin e skuadrës.

Bëhet fjalë për Tianjin Teda-n ekip që pozicionohet në vendin e 8-të të Superligës kineze pas 12 javëve kampionat.

Nëse merr drejtimin e Tianjin Teda-s, De Biasi do të ketë mundësi të stërvisë lojtarë të klasit të lartë Botëror, siç është ish-mesfushori i Chelsea-it John Obi Mikel, serbi Nemanja Gudelj që ka një të shkuar te Az Alkmaar dhe Ajax në Holandë, por edhe ish-sulmuesin e West Bromwich Albion dhe Olympiacosit, Brown Ideye.

De Biasi në fakt ka kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në përfundim të fushatës kualifikuese për Botërorin, Rusi 2018, por mesa duket gjasat janë që trajneri italian të ndërpresë përpara kohe bashkëpunimin me FSHF.

9 qytetet e botës ku duhet të jetosh, nëse s’ke një punë të garantuar

Posted: 03 Jun 2017 09:18 AM PDT

Të jesh punonjës "freelance" mund të jetë çliruese, ti mund t'i zgjedhësh vet orët e punës, çfarë dëshiron të bësh dhe sa do të paguhesh.

Por nga ana tjetër do të thotë që nuk ke një punë të garantuar dhe mund të bëhet e vështirë kur të duhen para për të paguar faturat.

Platforma holandeze për punët "freelance" (i pavarur, i vetëpunësuar), "Hoofdkraan.nl", ka publikuar një raport që tregon qytetet më të mirë në botë për të punuar si "freelancer", nisur nga 23 faktorë në 117 qytete.

Faktorët përfshinin:

-Kostot e jetese

-Shpejtësitë e internetit

-Tatimet

-Cilësia e përgjithshme e jetës

Ja 9 vendet që janë në krye:

9.Vankuver, Kanada

Qytet që është tërheqës për "freelancer"-at për shkak të cilësisë së lartë të jetesës.

 

8.Bratislava, Sllovaki

Ka normat më të ulëta të taksave nga të gjithë qytetet e tjerë në listë dhe ka një kosto të ulët jetesë duke e bërë një vend parësor për ata që nuk kanë të ardhura të garantuara.

7.Marsejë, Francë

Qyteti i vogël siguron të gjitha komoditetet për jetë sociale të lulëzuar por gjithashtu ka shumë mundësi për "freelancer"-at për të punuar.

6.Bristol, Angli

Qyteti perëndimor i Anglisë është pranë Londrës, është i sigurt dhe ka shumë vende nga ku të punosh, thotë Hoofdkraan.nl. Ka gjithashtu cilësi më të mirë jete dhe është më i lirë se Londra.

5.Nju Orlins, ShBA

Thuhet se qyteti ka një nga vlerësimet më të larta për cilësinë e jetës dhe ka gjithashtu jetë nate fantastike për vendasit.

4.Las Palmas, Gran Kanarie

Mot fantastik, afër plazhit dhe natyrës.

3.Sevilje, Spanjë

Kostoja e ulët e jetesës dhe moti i mirë e ndihmojnë qytetin spanjoll të renditet thuajse në majë të klasifikimit, duke qenë se njerëzit mund të qëndrojnë për më gjatë dhe më pak para.

2.Majami, SHBA

Qyteti bregdetar thuhet se është një nga më të mirët për cilësinë e jetës si edhe ka interneti më të shpejtë me 80 MB/s.

1.Lisbonë, Portugali

Interneti i lirë dhe i shpejtë është domosdoshmëri për këdo që punon larg. Është nga më të shpejtët në Europë, si edhe punëtorët mund të gëzojnë duke qëndruar pranë plazhit gjatë kohës së lirë.

Burimi: Business Insider

7 gënjeshtrat që njerëzit thonë më shumë në Facebook

Posted: 03 Jun 2017 09:08 AM PDT

Facebook së shpejti mund të quhet edhe si "gënjeshtra"! Njerëzit të cilët gënjejnë në këtë rrjet social po bëhen gjithnjë e më të shumtë, ndërsa gënjeshtrat janë nga më të zakonshmet, por shtatë janë ato më të zakonshmet.

7. Më duhet të largohem…

Pjesa më e madhe e herëve "më duhet ta mbyll sepse…eh…do të dal për darkë!", do të thotë thjesht ndërrim statusi në "jashtë linje" dhe vazhdim i shikimit të fotove dhe i statuseve pa u shqetësuar nga askush.

6. Biografia personale

Facebook janë të shumtë ata të cilët shkruajnë biografi personale të trilluara, vende ku nuk jetojnë, kompani ku nuk punojnë, tituj e medalje që nuk i kanë marrë. Janë po ashtu të shumtë ata të cilët gënjejnë mbi aspektet e tyre të karakterit duke thënë se janë pozitivë, të mençur, të qetë në një kohë kur sa kanë dalë nga një qendër çmendine apo nga burgu, sepse kanë vrarë dhe kanë bërë krime të ndryshme.

5. Mosha

Në SHBA është kryer një studim i vërtetë statistikor mbi moshën e përdoruesve të Facebook. 15-vjeçarët në përgjithësi i shtojnë dy vjet më shumë moshës së tyre ndërsa bisedojnë me të panjohurit. Ndërkohë 40-vjeçarët/et shtiren mesatarisht sikur janë 5 vjet më të rinj.

4. Fotoja e profilit

Po, fotoja e profilit nga shumica mendohet se është normalisht më unikja e fotove të bëra gjatë gjithë jetës. Madje, ajo është bërë edhe me fotoshop (shpresohet me stil).

3. Falënderimet dhe të shtirurit të surprizuar nga urimet e ditëlindjes.

Marrja e shumë urimeve nga persona që nuk i njeh është një shtirje e vërtetë në Facebook, sepse ky i fundit është pikërisht ai që ia kujton shumicës së njerëzve ditëlindjet e gjithsecilit. Po ashtu shtirje janë edhe pëlqimet apo komentet që u bëhen këtyre urimeve, kur nuk bëhen me dëshirë të plotë.

2. "Ndoshta" do të marr pjesë në një ngjarje të madhe.

Ndoshta në gjuhën e eventeve do të thotë "jo, por nuk dua të të ofendoj".

1. "Më pëlqen"

"Më pëlqen" klikojnë te filmat, qe nuk i kanë parë kurrë, te  shkrimtarët, filozofët për të cilët nuk kanë lexuar asnjëherë ose te ndonjë foto e shpifur vetëm e vetëm për të mbajtur miqësi dhe për të marrë mbrapsht më shumë "më pëlqen" të tjera, hipokrizi i bënë pa kufij.

Nga Linda Rama/ Ne gratë, kemi në dorë t’i japim formë të ardhmes!

Posted: 03 Jun 2017 09:03 AM PDT

Miqve që vizitojnë për herë të parë Shqipërinë, dëshiroj t'iu them se gjendeni në një vend, ku siç thote im shoq, nuk duhet ardhur asnjëherë po ku nëse vjen, asnjëherë nuk ndodh të mos duash të kthehesh.

Kujt prej jush, nuk i ndodhi që ta gjente këtë vend krejt të ndryshëm nga çfarë e priste? I tillë është stereotipi i krijuar në vite për Shqipërinë; vend i errët, i varfër, i pasigurtë. Po në fakt mësojeni se ky është një vend aq i sigurtë, sa megjithëse mund të lëvizni vetëm natën, edhe në periferitë më të largëta të qytetit, i vetmi moment ku mund t'iu ndodhë diçka e papëlqyeshme, mund të jetë kur do të merrni faturën e telefonatave nga dhoma e hotelit, përpara se sa të beni check out.

Shqipëria e mbyllur për gjysmë shekulli në bunkerin e diktaturës me izolacioniste të Perandorisë Komuniste kaloi periudha të vështira, dramatike, pas daljes në detin e hapur të lirisë. Një regjim mund të ndryshojë në një javë, ndërsa zakonet e të jetuarit me përgjigje të gatshme, nuk zhbëhen dot as në një gjeneratë.

Gjyshi im që nuk e jetoi dot demokracinë, u largua pa e parë dot as në ëndrrën e tij më të guximshme, që një ditë unë, mbesa e tij, do të gjendesha një ditë këtu me kaq shumë miq nga vende që deri vetëm 27 vite më parë, shqiptarëve të kohës së tij u thuhej se ishin të marra peng prej imperializmit amerikan e social-imperializmit sovietik.

Ai jetoi kohën e bunkerit dhe të shtëpisë me gjethe, dy muzeume te sapohapura që ju sugjeroj t'i vizitoni; gjenden vetëm pak metra më larg, si hapësira kujtese të viteve të një kohe që e treguar sot me fjalë, mbetet tejet e ekzagjeruar në përmasën shtrenguese te saj, sa edhe për ne që e jetuam ngjan e pamundur të ketë qenë realiteti i përditshëm e i përnatshëm, një orë larg Romës, dy larg Berlinit, për 45 vjet me radhë. Nuk do të mund ta imagjinonte kurrë im gjysh, që fare ngjitur me ato dy hapësira të barkut të papenetrueshëm të territ të frikës së ngritur në sistem, do të ngrihej godina ku jemi mbledhur; një perlë e arkitekturës bashkëkohore europiane e vlerësuar ndërkombëtarisht nga Muzeu i Artit Modern të Nju Jorkut, si një ndër 10 godinat më mbresëlënëse që janë ndërtuar në 10 vitet e fundit në botën e madhe, ku tanimë jeton edhe Shqiperia, si një pikë uji e rrjedhshme në oqeanin e madh të lirisë.

Krejt ndryshe nga im gjysh, unë dhe i gjithë brezi im patëm fatin të jetojmë ndërrimin mes dy botëve, qe ndanë historinë e Shqipërisë në dy pjesë krejt të ndryshme, çerekshekulli totalitarizëm komunist dhe një çerekshekulli tjetër demokracie në formim. Jeta jonë u spostua sa hap e mbyll sytë nga vetëm brenda rrugicave të lagjes e rrugëve të qytetit, ku bulevardi na ngjante si shtylla vertebrore e globit, në hapësirën e paanë të zgjedhjes së lirë përballë mundësive e tundimeve të gjithëfarllojshme përgjatë një rrotullimi marramendës të botës. Nga barazia, në varfërinë kolektive, tek frenezia drejt vetëpërmbushjes individuale; protagonistë, viktima, dëshmimtarë të një transformimi epokal, për mirë dhe keq, me hir e me pahir, ku individualizmi ekstrem në mungesë të institucioneve të bashkëjetesës demokratike, e bëri jetën tonë një kaos dhe kacafytje për të dalë mbi ujë e për të mbijetuar.

Natyrisht, kjo vorbull e patregueshme, rëndoi posaçërisht mbi gruan e vajzën. Ato dolën në detin e hapur, me përgjegjësinë natyrale të të qenit pjesa me vulnerabël që duhet të bëjë rolin më të vështirë. Drita verbuese e botës së lirë nxorri në dritë hiret e tyre, përmes një epidemie konkursesh, Miss nga Albania, si revansh i kohës së emancipimit komunist, kur gruaja njësoj si burri, humbi të drejtën të shfaqej e ndryshme në hiret e saj. Padyshim, liria çliroi energji të panjohura tek gra e vajza ambicioze që në rrugët e politikës, biznesit, po sidomos shoqërise civile sprovuan veten dhe provuan se barazia gjinore nuk ishte një utopi, po një rrugë e gjatë që mund të ndërtohej metër për metër, përmes forcës së shembujve. Por, ajo dritë verbuese, pati efektin e saj drithërues, mbi zonat gri që u kthyen në të zeza, duke u bërë territore të rikthimit të kohëve të errëta përpara revolucionit komunist, ku gruaja e vajza u gjenden në rrëpirën marramendëse të udhës drejt të shkuarës. Prej aty, prej andej, lindën fenomenet e izolimit, dhunimit, trafikimit të grave.

Dhe ende sot, pas pak më shumë së çerekshekulli qysh prej ballafaqimit me dritën e lirisë, nuk e di nëse më shumë duhet të gëzohem për arritjet mbresëlënëse të gjinisë sonë, apo duhet të trishtohem për regresin rrënqethës që i'u imponua simotrave tona në territore ku ora punoi mbrapsht për shumë vite me radhë(?)

Gra gjysma e kabinetit qeveritar, një e katërta e Parlamentit shqiptar?! Gra njësoj sa burra në këshillat bashkiakë?! Gra në më shumë se 40% të linjës së parë të menaxhimit në kompanitë private?! Gra në më shumë se 50% të niveleve të larta të administratës publike?! E kush nuk do të çuditej si përpara një përralle shumë të bukur për të qenë e vërtetë, nëse do të dëgjonte qoftë edhe 10 vjet më parë se Shqipëria do të ishte kështu, si sot, një ditë?!
Por, kjo është vetëm pjesa e ndriçuar e medaljes. Ka ende shumë gra e vajza që nuk ia kanë dalë të ngrihen mbi dallgët e vështirësive, duke mbetur në kthetrat e diskriminimit e të dhunës së përditshme, të paragjykimit ekstrem të botës që i rrethon! E cila nënshtrimin e gruas e ka kthyer në normë dhe sjelljen e vrazhdë si prelud i dhunës, në një mënyrë jetese. Shumë gra dhe vajza gjenden ende sot, nën peshën e punëve të renda, në këmbim të të ardhurave më pak se modeste, për të vijuar me punët e shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët, nen presionin e mendesise qe i sheh ato si kurrizulurat e shtëpisë. Kjo pjesë e errët e botës, sëbashku me historitë e trishta gjendet e strukur dhe e mënanjuar dhe thuajse asgjë nuk penetron brenda saj. Nuk penetron syri i medias dhe as ekspozita e madhe e botës së klikimeve dhe pëlqimeve që përthith fuqishëm vëmendjen tonë, nuk penetron fuqia e institucioneve dhe as shoqëria civile që e ka zbehur dukshëm rolin e saj të drejtpërdrejtë në komunitete duke rrezikuar kështu që jo vetëm të gjitha këto gra e vajza të mos i gëzohen bukurive të jetës, po dhe të projektojnë tek fëmijët e tyre të njëjtin fat.

Ka një shqetësim dhe debat të vijueshëm sot për krizat e të gjitha llojeve që rrezikojnë mirëqënien e familjeve shqiptare. Ky nuk është një shqetësim vetëm shqiptar, por thuajse i të gjitha vendeve të kontinentit tonë dhe përtej tij. Kaq e vërtetë është kjo sa duket sikur sheh lajmet dhe debatet e trazuara të të njëjtit vend, kur kalon me pultin e televizionit nga një shtet fqinj në tjetrin apo nga një vend i BE në tjetrin. Në brendinë e këtij shqetësimi duket sikur vlon një e vërtetë e pathënë dot deri në fund, por që lidhet me vlerat, në një moment të historisë sonë kur duket sikur e gjithë bota po bëhet e afërt sa një ekran telefoni, ndërkohë që gjithçka po lëviz vrullshëm në një drejtim të pasigurte, minimumi që mund të thuhet, për individin, për prindin dhe posaçërisht nënat tek shohin pushtimin e hapësirave të tyre familjare nga miq virtualë. Të cilët diktojnë nga ekrani i vogël shijet dhe stilin e jetesës, duke konkuruar dukshëm kodet familjare të trashëguara brez pas brezi.

Në një botë ku makina po i merr gjithnjë dhe më shumë terren njeriut, ku materialja po përparon në një konkurencë përditë e më cinike me shpirtëroren, ku e sipërfaqshmja në dëm të thelbësores, pëlqyeshmëria imediate në dëm të thellësisë së pëlqimit si grua dhe si nënë, besoj që lipset të gjejmë motivet e vështira për të reaguar; të përpiqemi në nxitjen e mendimit dhe debatit mbi kërkimin e mënyrave dhe formave të reja për të mos hequr dorë nga rëndësia e komunikimit tradicional, nga rëndësia e shëmbullit të mirë dhe respektit për të, nga rëndësia e pakonkurueshme e dashurisë, dritës dhe magjisë së prehrit të nënës dhe gjyshes, qysh në fëmijëri, mbi çdo magji tjetër, nga edukimi i fëmijve për t'iu gëzuar gjërave të thjeshta të jetës dhe për të kultivuar tek ta dëshirën për të ndihmuar dhe për t'iu gjendur gjithkujt që ka nevojë.

Duke patur nderin të jem e para që flas para jush, kam edhe merakun se mos kjo përparësi nuk lexohet për atë që është! Një shenjë nderimi ndaj jush në radhë të parë, një shprehje tradicionale mirëseardhjeje, pa pretenduar asgjë më shumë se sa të kontribuoj që ju të ndjeheni mirë dhe të doni të riktheheni në Shqipëri! Nuk më shkon aspak mendja të jap më shumë se sa çfarë unë mund të bëj që ju të ndjeheni sa më mirë; në këtë samit që ka mundësinë të mbledhë njerëz të ditur e me pasion, të cilët suksesin e tyre nuk e quajnë të përmbushur pa kontributin në çështje të qënësishme që shqetësojnë të sotmen tonë dhe me shumë pikëpyetje për të nesërmen.

Këto të miat, ju lutem merrini si një kontribut i kërkuar, të cilin e jap më dëshirën me të madhe, për t'iu bashkuar ketij eventi fantastik me kërkesën e organizatorëve, që donin fjalën time hyrëse…

Faleminderit për këtë nder dhe lejomeni të pyes:
Si ndihemi esencialisht ne, në botën e pushtetit, financës, spektaklit, mësimdhënies, vendimmarrjes?

Si ndihemi ne, gra të pushtetit e të biznesit, gra të anonimatit të sforcuar apo famës shpesh herë të padëshiruar, gra të spektaklit dhe aktore vendimtare prapa kuintave?

Tek përparojmë në çka presim nga sforcot tona të përditshme, gjenerojmë ankth në vetvete dhe rreth nesh, apo bëhemi përçuese të një mirëqënie të shëndetshme vetjake, sociabiliteti dhe respekti?

A ka ekuilibër të mirëfilltë në çka ndërmarrim në përditshmëri dhe në momente specifike kyçe ku luhet jo vetëm fati ynë, por ai i kolegëve, miqve dhe të afërmve, me raste edhe i vetë familjes?

Sjellim qartësi apo tymnajë, siguri apo luhatje, shpresë apo dëshpërim, orientim apo përhumbje, vetkënaqësi apo çlirim të vërtetë?

Tematikat e hapura të këtij samiti rreken të formulojnë këto pikëpyetje, me të cilat, përballemi në çdo moment.

Përballem, në distancë, me brengat dhe dilemat e një bashkëshorti, pionier i emancipimit të gruas në shoqëri, i cili ndoshta ende nuk i sheh frutet e këtij procesi të kenë impaktin pozitiv thellë në shoqërinë shqiptare.

Përballem, shumë shpesh e vetme, në mënyrë të drejtpërdrejtë, me pikëpyetjet dërrmuese të një fëmije që veç rishtazi ka filluar të belbëzojë dhe që gjendet që i vogël në një univers të dominuar nga supremacia e internetit.

Zaho i vogël, im bir, nesër, do të këpusë nyjet ushqyese të familjes që edhe për ca kohë do t'i sigurojnë një strehë të barazpeshuar sigurie dhe përgjegjësie. Nesër ai do të gjendet përballë sfidave më angazhuese se ç'kemi njohur ne dhe brezi ynë. Atëherë, nënës së tij, e cila deri sa ai të ketë fluturuar me krahët e tij, do të jetë munduar t'i jetë pasqyrë e feminitetit të arrirë dhe shtyllë e një shoqërie të larmishme, ai do t'i kërkojë llogari dhe me të drejtë, ndoshta duke perifrazuar shprehjen biblike: « Çfarë kërkon prej meje, grua? » « Përse u fute zhurmshëm në histori dhe dole prej saj në hapësirën e një brezi, pa bërë zë? »

Si duhet të ndihemi ne gratë, për botën që po brumosim me pamje të rafinuar, por me gjymtyrë prej burri, si biznesmene, politikane, të fuqishme mes të fuqishmëve, apo që po promovojmë dashje pa dashje, me një indiferencë të sofistikuar që mezi fsheh ankthin ekzistencial dhe pakënaqësinë e thellë ndaj vorbullës anti-femërore të kësaj epoke?

Demografi në rënie, shpërthim emigrimi i pakontrolluar sepse i pakuptuar dhe i pakuruar, ekstremizma fetare, përcjellës dhune fizike apo shtrëngesash morale dhe intelektuale të kobshme, relativizëm i theksuar etik që na bën të pandjeshëm në esencë ndaj çdo klithme individuale në zhurmnajën e përbotshme, jehonë luftrash pa krisur ende e para armë.
Këtë apel përgjegjshmërie, desha ta artikuloj sot këtu, jo për një diagnozë të gjërave që nuk shkojnë mirë. E bëra për të thënë se Shqipëria ku u mblodhët sot, është një vend ku ja vlen të rikapitullosh dhe të debatosh sfidat e përbashkëta, me taktin, humorin dhe seriozitetin e duhur.

Më kujtohet leximi i dy librave të Torës hebraike, libri i Esterit dhe ai i Rutit, në të cilët gjeniu i gruas, si kokrra e rërës ingranazhin shkërrmoqës, bllokoi mekanizmin vrastar të përplasjes pushtetare mes burrave apo të fataliteteve të jetës.

Dhe në respektin tuaj, dua ta lë këtë fjalë pa një mbyllje, si një hapje të një rruge ku jam e bindur, ju i keni të gjitha motivet e forcat për të shtruar tapetin e të ardhmes…

*Fjala e mbajtur nga zonja Linda Rama, në Samitin Global të Gruas që u mbajt sot në Tiranë

Nga Lutfi Dervishi/ Java e heshtjes zgjedhore!

Posted: 03 Jun 2017 08:41 AM PDT

 

Fushatat zgjedhore janë një mundësi e mirë për të diskutuar për vende pune, për mjedis më të pastër, për ushqime më të sigurta, për shërbim shëndetësor më të mirë, për arsim më cilësor, për nxitje të investimeve vendase dhe të huaja.

Fushatat zgjedhore janë një mundësi, që si rregull ofrohet vetëm një herë në 4 vjet, për të diskutuar çfarë është bërë mirë, çfarë është bërë keq, çfarë mund të bëhet më mirë dhe mbi të gjitha kush e meriton të marrë në dorë timonin e makinës për një mandat tjetër 4 vjeçar.

Si sot 3 javë nis heshtja zgjedhore. Në fakt, edhe kjo javë që po mbyllet mund të quhet javë e heshtur.

Debati, nëse mund të quhet i tillë, deri më tani, është për shoferin e timonit. Jo për makinën. Jo për cilësinë e karburantit të makinës, jo për sigurinë e pasagjerëve, jo për destinacionin dhe për shpejtësinë e lëvizjes së makinës.. Është thjesht kush do të hipë në timon.

Debatit për çështje që janë shqetësim për qytetarët mungon. Sikundër mungojnë programet e shkruara të dy partive kryesore. Një parti që në mes të fushatës ka probleme nuk është fundit botës. Por parti që 3 javë para zgjedhjeve janë pa program të shkruar, të debatuar dhe të kostuar- më e pakta nuk janë gati për të marrë përgjegjësi.

Në listën e mungesave renditen edhe CV -të e kandidatëve për deputet. Listat pa CV quhen lista fituese!!!

Në google sot mund të gjesh gjithçka. Të dhëna për NASA-n dhe çdo teori konspirative që qarkullon në planet. Gjithçka, por jo CV e kandidatëve për deputet. Falë sistemit zgjedhor, 80% të tyre e dimë se do të jenë deputet edhe nëse nuk takojnë asnjë zgjedhës deri më datë 25 qershor. Pas kësaj date probabiliteti që këta kandidatë të takojnë zgjedhës shkon drejt zeros.

Zgjedhjet janë edhe çështje numrash, por shifrat janë zhdukur nga fushata! Që do të thotë premtime – të shoqëruara me faturë financiare! Pyetje e thjeshtë: me sa para e bën aeroportin/urën/rrugën/ dhe ku gjende këto para?

Meqë ra fjala te rrugët. Fushata për zgjedhjet parlamentare nuk është për rrugë, kanale, fasada dhe sheshe. Këto janë punë të pushtetit lokal. Fushata është për platforma, projekte dhe politika:

Shohim karshillët dhe batuta, por jo përballje dhe thelb.

Zgjedhjet janë për të zgjedhur mes alternativave më të mira.

Alternativat dalin në pah nga debati i argumentuar dhe jo nga propaganda e sheqerosur.

Fushatat zgjedhore janë mundësi e artë për të diskutuar tema të mëdha, shumë më të mëdha se problemet e përditshme.

Dekriminializimi, kanabisi, zgjedhjet e lira- ishin kryeçështje të opozitës që fituan simpati si brenda dhe jashtë vendit gjatë qëndrimit 90 ditor në çadër. Falë marrëveshjes së 18 majit, PD, forca kryesore e opozitë është e përfaqësuar në qeveri- me 6 ministra dhe disa drejtorë në agjenci. Këto nuk janë më çështje fushate.

Fushatat janë mundësi për të skanuar premtimet e vjetra dhe premtimet e përditësuara.

Kjo bëhet nga media. Por kur fushata raportohet nga partitë dhe kandidatët- dhe live, atëherë kjo nuk- medias i mbetet të bëjë vetëm “rripin e transmisionit”.

2000 vjet më parë, jo shumë larg prej nesh, në Romë, qeveria kujdesej që popullit të mos i mungonin 2 gjëra: buka (drithi sigurohej nga Egjipti) dhe cirku.

2000 vjet më pas në Shqipëri, e vetmja gjë e garantuar është cirku…politik.

Fushatat e vetmja mundësi për të dëgjuar zërin e votuesve- i ngjajnë më shumë cirkut si në formë, ashtu edhe në përmbajtje.- ku njerëzit thirren për t'u argëtuar. Flet vetëm kryetari. Duartrokitje, batuta. Transmetime të drejtpërdrejta në ekranet televizive dhe në facebook?!

Nuk ka pyetje, nuk ka diskutim, kalohet te takimi tjetër.

Kemi parë boll monolog, por jo dialog.

Duel? Përjashto batutat në distancë me Dulen. Deri më tani Dueli ka qenë i heshtur!

Përballë në RTSH/ Gjinushi: Tani kemi “hashash teknik”!

Posted: 03 Jun 2017 08:35 AM PDT

Në përgjigje të pyetjes së Mesila Dodës, deputete e PDIU-së: pse nuk flitet më për hashashin? Pse nuk kapet më hashash?, – kryetari PSD -së Gjinushi tha mbrëmë në emisionin "Përballë" të gazetarit Lutfi Dervishi në televizionin publik, se "tani kemi hashash teknik".

Debati për zgjedhjet e 25 qershorit vuri përballë përfaqësues të partive që synojnë të arrijnë përfaqësim në Parlamentin e ardhshëm. Gjergj Bojaxhi, përfaqësues politik i partisë Sfida për Shqipërinë tha se klasa politike ka dështuar dhe se synon votën e shqiptarëve që ndihen të papërfaqësuar nga partitë aktuale.

Mimoza Hafizi e partisë Libra, tha se synojnë të paktën 10 vende në Parlamentin e ardhshëm.

Mesila Doda, sekretare e përgjithshme e PDIU – u shpreh dyshuese për sondazhet e deritanishme.

Në përgjigje të pyetjes nëse PDIU e ndjen veten në pushtet apo në opozitë, Doda tha se asnjë

Gjinushi tha se sondazhet kanë një synim djallëzor për të përçuar tek votuesit se vota për partitë e vogla shkon dëm.

Sipas sondazhit të parë të publikuar nga Ora News dhe PR marketing, mbi 20% e njerëzve që do të shkojnë të votojnë ende nuk kanë vendosur se për cilën parti do të japin votën.