Tirana Observer: “Rama përballet me një surprizë nga demokratët gjatë mitingut në Has” plus 9 more

Tirana Observer: “Rama përballet me një surprizë nga demokratët gjatë mitingut në Has” plus 9 more


Rama përballet me një surprizë nga demokratët gjatë mitingut në Has

Posted: 06 Jun 2017 09:42 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me militantë të Partisë Socialiste në Has, por gjatë fjalës së tij, përballë u shfaqën disa flamuj të Partisë Demokratike.

Në fakt, përballë stendës të mitingut të PS-së ndodhet selia e Partisë Demokratike.

Rama e ka përcjellë me batuta shpalosjen e flamujve të opozitës.

I pranishëm tek ballkoni i selisë së Partisë Demokratike ishte edhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Miftar Dauti.

Rama: Ti që më bërtet që aty, mos më bërtit se i thashë Lulit. Votoni numrin 2. Duke votu atë 6, çfarë është ai numër…e çoni votën kot. Dhe në fund fare fitoni ca deputetë të PD-së në opozitë. Duke votu 2 votoni PS-në, keni dhe PD-në. Prandaj mos na turpëroni. Ju më keni borxh mua.

Kush ua nxori Lulin nga çadra? Ua nxora unë.

Po të mos e kisha nxjerrë unë do e kishit me rroba banje në bulevard dhe do kërkonte ujë.

Shaka, por shakaja është gjysma e së vërtetës. Ne nuk jemi armiq. Ne jemi të gjithë shqiptarë. Mos dëgjoni ata që Edi Rama do më shumë pushtet për veten. Po të doja nuk e nxirrja Lulin çadra.

Edhe marrëveshjen që bëmë me Lulin unë e desha atë marrëveshje për Shqipërinë jo për vete, se ku ta çoj Lulin vetë?

(Ndërhyn një nga pjesëmarrësit në tubim)

Rama: Do kafe atje (bën me shenjë nga zyra e shtabit të PD), që të japin kafe ty ata, jo. Nuk vi për kafe mos u shqetësoni, në 26 qershor do të ma jepni kafen dhe do të jeni shumë të gëzuar dhe do të festojmë bashkë. Madje pas datës së zgjedhjeve mos e prishni zyrën, lëreni siç është. Do të vi unë tek ajo zyra, seriozisht dhe do të bëjmë bashkë festë për fitoren e Shqipërisë.

10 gjërat që shkurtojnë jetën e grave

Posted: 06 Jun 2017 09:30 AM PDT

Sa herë e kemi pyetur veten se ajo që po bëjmë është e rrezikshme për shëndetin dhe jetën tonë?

Shumë pak herë, ashtu siç është e vërtetë që, pavarësisht të gjithave, vazhdojmë të pimë duhan, e ekzagjerojmë me alkoolin dhe kryejmë në përgjithësi sjellje të dëmshme.

Sipas shumë studiuesve, përsëritja e veprimeve të përditshme, sidomos për femrat, mund të ketë efektin e shkurtimit të jetës së tyre. Por cilat janë këto veprime?

Të shohim dhjetë prej tyre:

Të qëndruarit ulur për më shumë se dy orë në ditë

Sidomos për ato që punojnë në zyrë është e pashmangshme që mos të ndodhë. Sipas disa hulumtuesve australianë, kohëzgjatja e jetës do të reduktohej për disa vjet, duke qëndruar ulur për më shumë se dy-tri orë. Një efekt që nuk mund të zhduket edhe me një aktivitet të mirë fizik.

Mungesa e miqësisë

Miqësia i bën mirë zemrës dhe shpirtit, kështu që kush ka pak miq, ka mundësi të vdesë më parë. Këtë gjë e thotë një kërkim i zhvilluar nga "Brigham Young University" dhe Universiteti i Karolinës së Veriut, sipas të cilit qëndrimi vetëm për një kohë të gjatë do të ishte i dëmshëm sa pirja e 15 cigareve në ditë.

Qëndrimi i shumtë përpara televizorit

Të qëndrosh përballë televizorit edhe vetëm dy orë në ditë do të rriste rrezikun e vdekjes së parakohshme, sëmundjeve kardiovaskulare dhe të diabetit të tipit 2. Këtë gjë e pohojnë studiuesit e Universitetit të Harvardit, sipas të cilëve një orë e kaluar përpara ekranit të vogël shkurton deri në 21.8 minuta jetë.

Kequshqyerja

Të gjitha ushqimet që ekspertët i quajnë "mbeturina" zvogëlojnë jetëgjatësinë. Duket se edhe mishi i kuq kontribuon në reduktimin e 20% të jetës, nëse konsumohet vazhdimisht.

Papunësia

Papunësia nuk është një gjendje që ka një efekt pozitiv në organizëm. Nga shkencëtarët kanadezë është llogaritur që mospasja e një pune rrit me 63% rrezikun e vdekjes së hershme, pak a shumë sa pirja e duhanit.

Lëvizja e shumtë me makinë

Lëvizjet që përfshijnë më shumë se një orë me makinë rrisin stresin, trashjen, pagjumësinë, nervozizmin dhe pasivitetin fizik. Të gjithë këta faktorë, sipas universitetit suedez "Umea", do të shkurtonin jetëgjatësinë.

Moskryerja e marrëdhënieve seksuale

Një studim në Uells tregoi se mospërjetimi i një orgazme për periudha të gjata kohore mund të ulë jetëgjatësinë me 50% në krahasim me ato që kanë marrëdhënie seksuale të rregullt. Pra, atëherë rroftë seksi…!

Kolegët apatikë apo të padurueshëm

Jeta në zyrë nuk është aspak e lehtë, akoma më keq nëse kolegët që të qëndrojnë pranë janë shumë të padurueshëm. Një studim nga Universiteti i Tel Avivit tregoi se një subjekt i integruar në mjedisin e saj të punës ka gjasa të sjellë vdekjen e hershme. Ndërkohë, njerëzit e paintegruar, megjithatë, janë të rrezikuar deri në 2.4 herë më shumë se kolegët e lumtur.

Fjetja e shumtë ose e paktë

Fjetja e paktë i bën keq zemrës, favorizon diabetin, disa lloje kanceri, çmendurinë, shqetësimet konjitive dhe veçanërisht një vdekje të parakohshme. Por, në të njëjtën mënyrë, edhe të qenët gjumash nuk bën mirë. Por cila është masa e duhur e kohës së gjumit? 6 deri në 7 orë çdo natë.

Frika nga vdekja

Tanatofobia ose frika nga vdekja mund të shkurtojë jetën. Një studim i kryer nga Biblioteka Kombëtare Amerikane e Mjekësisë ka gjetur se ankthi për vdekjen zvogëlon jetëgjatësinë, duke shkaktuar paranojë dhe duke krijuar terror dhe tjetërsim.

Temperaturat e larta, kujdesi që duhet të tregojm

Posted: 06 Jun 2017 09:20 AM PDT

I nxehti ka ardhur zyrtarisht, por nëse nga pikëpamja e modës është një avantazh pasi lehtësohemi nga rrobat e dimrit, nuk mungojnë edhe disavantazhet, që janë të shumta si: dehidratim, vështirësi me tretjen e ushqimeve dhe shqetësime me barkun e stomakun.

Për të qenë të përgatitur, dietologët rekomandojnë si të shmangni rreziqet e kësaj stine dhe të shijoni vetëm bukurinë e saj.

Mos e teproni me kaloritë

Me të nxehtin energjitë tona pakësohen me 200-300 kalori në ditë, trupi nuk duhet të luftojë të ftohtin dhe si pasojë djeg më pak, kështu që bëni kujdes me racionet dhe yndyrnat.

Hani lehtë

Me verën dhe rritjen e temperaturave edhe proceset e tretjes "shkojnë me pushime" dhe bëhen më pak efikase.

Sekreti është të hani pak e shpesh dhe kryesisht ushqime që treten lehtë. Reduktoni mishin e kuq dhe shtoni konsumin e peshkut, që tretet lehtë nga stomaku, sepse ka pak kalori dhe është i pasur me acide yndyrore që luftojnë kolesterolin e keq.

Shmangni sa më shumë ushqimet e skuqura dhe ato me shumë erëza, por jo të gjitha, sepse disa lloje erëzash edhe mund t'ju ndihmojnë në tretje.

Të tilla janë menta, qimnoni, shafrani; speci djegës, xhenxhefili dhe piperi i zi e rrisin temperaturën e brendshme, nxisin djersitjen dhe japin një ndjenjë freskie (mund të provoni gjithashtu ujë me gjethe nenexhiku).

Kujdes me përhapjen e baktereve

Me rritjen e temperaturave shtohet edhe rreziku i infektimit të ushqimeve nga agjentët patogjenë. Për të shmangur rreziqet e mundshme duhet të rrisni konsumin e kosit që mbron dhe forcon mbrojtjet natyrore të organizmit.

Gjithashtu ndihmon edhe në përthithjen më mirë të vitaminave dhe mineraleve. Kosi mund të përdoret si përbërës në përzierjet e frutave të freskëta.

Kompensimi i mineraleve të humbura

Është normale që me të nxehtin të rritet djersitja. Kundër humbjes së kripërave dhe lëngjeve të trupit duhen pirë të paktën dy litra ujë në ditë; të konsumohen shumë perime (kastraveca, selino, rrepka, domate) dhe fruta të freskëta (kajsi, rrush, pjeshkë, kumbulla) që përmbajnë shumë ujë, 75% deri në 95% (si në rastin e pjeprit dhe shalqirit). Shmangni zierjen e zarzavateve, sepse kështu i "zhvishni" nga vitaminat dhe kripërat minerale.

Gjithashtu nuk duhen konsumuar pijet e gazuara dhe ato me sheqer që shtojnë kaloritë dhe janë të pasura me substanca të dëmshme për trupin. Mos e teproni me kafenë dhe pijet me kafeinë shkruan Shqip.

Bëni kujdes edhe me ushqimet që janë shumë të nxehta ose shumë të ftohta, sepse ndikojnë negativisht në mekanizmat e rregullimit të temperaturave.

Ndalohen pijet alkoolike, sepse rrisin djersitjen e mund të shkaktojnë dehidratim dhe ç'është më kryesorja kufizojnë përthithjen e vitaminave, sidomos të B-së që ka një rol thelbësor në shndërrimin e kalorive në energji.

Kujdes fëmijët dhe të moshuarit

Personat e rritur janë më të prirur ndaj dehidratimit, sepse me kalimin e viteve mekanizmi që rregullon ndjesinë e etjes mund ta humbasë efikasitetin.

Ndaj është e këshillueshme që ta rregullojnë dietën e tyre me kalium e magnez, duke konsumuar shumë fruta dhe zarzavate, sidomos banane, kajsi, bajame, fara luledielli, marule dhe ushqime integrale. E rëndësishme është që në pjatë të jenë të gjitha substancat e nevojshme dhe të eliminohen ushqimet e kripura, sepse "sekuestrojnë" ujin.

Për fëmijët është normale që gjatë verës të kenë mungesë oreksi dhe nuk duhet të sforcohen shumë që të hanë sepse janë mekanizmat e tyre rregullues, tepër të saktë, që sillen ndryshe nëse kanë shumë vapë.

Nga Lugina e Kelmendit në Shqipëri te Sinemorets në Bullgari: Mrekullitë sekrete të Ballkanit

Posted: 06 Jun 2017 09:00 AM PDT

Të shpërndara kudo në Ballkan ndodhen xhevahire natyrore ose historike të cilat shërbejnë si destinacionet më të pazakonta dhe aventuriere të Ballkanit.

Fshehur lart në male ose thellë nën tokë, në të gjithë Ballkanin, këto janë pamjet më fantastike që presin të zbulohen nga ju. Përgatituni të lini pas komoditetet dhe të përjetoni paqen dhe shtangien e këtyre peizazheve ballkanase.

Plazhi Gjipe, Shqipëri

Gjipe, Foto Miguel Palhinha/Flickr

Ujërat e detit Jon në Gjipe janë të thella dhe të kaltra, por shanset janë të pakta për t'u hasur me një turmë në këtë plazh me guralecë në Shqipërinë jugore. Arsyeja është e thjeshtë; Nuk ka rrugë për në plazh. Ju mund të mbërrini aty me varkë ose të ecni rreth gjysmë ore jashtë rrugës së asfaltuar nga fshatrat Dhërmi ose Jalë. Ecja në vetvete është një udhëtim i bukur përmes një kanioni. Vizitorët duhet të marrin me vete ushqimin dhe çadrat e plazhit pasi pak shitës e vizitojnë zonën.

Lugina e Kelmendit, Shqipëri

Lëpusha në Kelmend. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Në veri të Shqipërisë pranë kufirit me Malin e Zi shtrihet lugina e largët e Kelmendit. Me një popullsi jo më shumë se 6,000 banorë, lugina përfshin tetë fshatra. Rruga nëpër luginë është mahnitëse për ata që pëlqejnë panoramat, ujëvarat dhe shtigjet piktoreske të ecjes. Fshatarët e Kelmendit njihen për mikpritjen dhe traditën e vjetër shqiptare kur bëhet fjalë për ushqim, veshje dhe muzikë tradicionale.

Ujëvara e Gramshit, Shqipëri

Ujvara e Gramshit. Foto: Margott Wikimedia

Në zemër të Shqipërisë, rrethinat e Gramshit ofrojnë xhevahirë befasues. Një nga më të mahnitshmit është ujëvara e Sotirës, 16 km nga qyteti, nga ku rrjedh uji prej malit të Tomorrit. Zona e Gramshit ofron gjithashtu bukuri të tjera natyrore si kanioni në Holta dhe Liqeni i Zi, i krijuar nga akulli mes maleve.

Klinje, Bosnjë

Foto: JankoSam/Wikimedia

Lart në male, liqeni i Klinjes është i rrethuar nga shkëmbinj dhe pemë. Afër qytetit Gacko, në Republikën Srpska, ky është një nga liqenet më të vjetra artificiale në Bosnje. Gjatë periudhës jugosllave, liqeni ishte një destinacion i njohur për elitën e vendit, pasi ndodhet afër rrugës për në bregdetin kroat dhe në qytetin e Dubrovnikut. Sot, restorantet apo kafenetë janë zhdukur dhe shumica e vizitorëve janë vendas.

Sutjeska, Bosnje

Foto: Michael Kötter/Flickr

Parku kombëtar Sutjeska u bë i famshëm në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore si fushëbetejë e madhe e vitit 1943 mes forcave naziste gjermane dhe partizanëve të udhëhequr nga komunistët nën Josip Broz Titon. Filmi i vitit 1973 për betejën pati si protagonist edhe Richard Burton në rolin e Titos! Disa rrugë e përshkojnë parkun dhe një xhiro me makinë ofron pamje mbresëlënëse të maleve të larta, liqeneve, kanioneve, lumenjve dhe pyjeve të thella.

Mali Lindor Rhodope, Bullgari

Foto: Klearchos Kapoutsis/Flickr

Alpinistët e etur për historinë e lashtë dhe ritualet tradicionale do ta shohin malin Lindor të Rhodopesë si një destinacion të përshtatshëm. Larg nga pikat e nxehta të Rhodopës, pjesa lindore e vargmalit ofron një zhytje në një botë misticizmi. Ju duhet të vizitoni patjetër shenjtëroren në Tatul, e cila daton 4,000 vjet para Krishtit dhe që është përfshirë ndër dhjetë mrekullitë e Bullgarisë dhe Perperikoni, një kompleks arkeologjik i mrekullueshëm që përmban një vend të shenjtë trak. Rajoni është i pasur me shkëmbinj dhe shpella të bukura, ndërsa fansat e sporteve të ujit mund të zgjedhin të bëjnë kanoe përgjatë lumit Arda.

Sinemorets, Bullgari

Foto: Delysia/Wikimedia

Pa hotele të mëdha dhe disko të çmendura siç ndodh në vendpushimet bregdetare të Detit të Zi, Sinemorets është një vend paqeje, romance dhe natyre të ruajtur mirë. I ndodhur në një rezervë natyrore në pjesën më jugore të bregdetit, fshati i vogël strehon disa nga plazhet më piktoreske të vendit. Padyshim më e njohur është pjesa ku lumi Veleka derdhet në Detin e Zi, duke formuar një rrip rëre të rrethuar nga uji.

Muzeu i Evolucionit, Kroaci

Foto: Tromber/Wikimedia

Muzeu i Krapinës së Njeriut Neandertal – i quajtur edhe si Muzeu i Evolucionit – ndodhet në një gjetje arkeologjike mahnitëse në Husnjakovo, një kodër pranë qytetit verior të Krapinës. Në vitin 1899, arkeologu dhe paleontologu Dragutin Gorjanoviç-Kramberger zbuloi 800 fosile që i përkisnin burrave të Neandertalit që kishin jetuar rreth 125.000 vjet më parë. Kjo ishte një nga gjetjet më të mëdha në botë. Pas 11 vitesh ndërtimi, një muze i ri u hap në vitin 2010, i projektuar në arkitekturë moderne dhe i futur në kodër. Ai tregon historinë e njerëzve të Neandertalit dhe evolucionin në përgjithësi.

Lastovo, Kroaci

Foto: Luisa Josue/Flickr

Një nga ishujt më jugor në Kroaci, Lastova qe një bazë ushtarake gjatë epokës jugosllave, e cila shpëtoi nga shfrytëzimi i zakonshëm i turizmit. Si rezultat, nuk ka hotele të mëdha, kampe, vendpushime apo mijëra turistë. Aty ka objekte të kufizuara turistike dhe vetëm një hotel, ndërsa ishulli gëzon një zonë pyjore prej 40 kilometrash katrorë dhe rreth 800 njerëzish, ku mund të gjesh plazhe të paprekura. Fshati kryesor është një vend i këndshëm që duket sikur ka dalë nga një përrallë, me shtëpi që datojnë që nga shekulli i 15-të dhe i 16-të, shumë prej të cilave janë të mbuluara nga oxhakë tradicional të ndërtuara në mënyrë të pazakontë.

Shpella e Gadimes, Kosovë

Foto: Arben Llapashtica /Wikimedia

Njohur edhe si Shpella e Mermerit, në fshatin Gidime në komunën e Lipjanit, shpella e Gadimës u gjet në vitin 1966 nga një fshatar i quajtur Ahmet Asllani, i cili kishte dalë për të prerë gurë. Shpella është 1.300 metra e gjatë dhe përmban shumë kristale të rralla. Ajo besohet të jetë 80,000 vjeçare.

Ulpiana, Kosovë

Foto: Gashi Bujar/Wikimedia

Qyteti i lashtë i Ulpianës, rreth shtatë kilometra në juglindje të Prishtinës, u themelua në gjatë Perandorisë Romake dhe besohet të jetë me origjinë ilire, bazuar në artefaktet e gjetura atje nga arkeologët. Thesaret e gjetura në Ulpiana datojnë që nga shek IV para Krishtit dhe i përkasin Dardanisë, një fis ilir. Ulpiana u quajt më vonë Justiniana Secunda, pasi perandori Justinian rindërtoi qytetin, i cili u godit nga një tërmet në vitin 518 pas Krishtit.

Godinje, Mali i Zi

Foto: Mercy/Wikimedia

Një zonë e vogël pranë Liqenit të Shkodrës dhe pjesë e komunës bregdetare të Tivarit, vetëm 15 km larg deti, Godinje është bërë një vend popullor i njohur për shtëpitë intriguese të lashta prej guri. Arkitektura përfshin një sistem zinxhir të shtëpive të lidhura, të bashkuara me njëra-tjetrën, me bodrume të harkuara. Turistët mund të vizitojnë Zonën e Vjetër të Dinastisë Balsiç, ose të shohin fortesën e Grmozurit në ishullin me të njëjtin emër, në gjirin e Godinit.

Ura Tara e Djurdjevicës, Mali i Zi

Foto: Arno Hoyer/Flickr

172 metra mbi lumin Tara, ura me të njëjtin emër është një burim frymëzimi për artistët. Një destinacion popullor për turistët, ura është gjithashtu shumë e dashur nga ata në kërkim të aventurës. Ura Tara u ndërtua nga vitet 1937 deri në 1940, kohë kur ishte ura më e madhe e betonit në Europë.

Perast, Mali i Zi

Foto: Marjan Lazarevski/Flickr

Një perlë në bregdetin malazez, ky qytet i vogël mesjetar në Gjirin Boka shtrihet vetëm pak kilometra në veriperëndim të Kotorrit. Një vend i trashëgimisë së UNESCO-s, qyteti është i pasur me arkitekturë që daton nga koha kur bregdeti ra nën kontrollin e Venedikut. Gjashtëmbëdhjetë pallate të stilit barok, kisha të lashta katolike dhe ortodokse si dhe një sërë kullash mbrojtëse janë vetëm disa nga kënaqësitë që duhet të eksplorohen. Perast dikur ishte një vendpushim për rusët – dhe zona mbetet e populluar me turistë rusë.

Gura Portitei, Rumani

Foto: Ihopulele/Wikimedia

Dashamirët e plazheve të egra duhet ta vizitojnë këtë copë rërë mes Detit të Zi dhe Liqenit Golovita në Deltën e Danubit në Rumaninë juglindore. Shtëpi për një fshat peshkatarësh, Gura Portitei është e vështirë të arrihet edhe me anije edhe nga toka.

Kështjellë Poenari, Rumani

Foto: Emmanuel Brunner/Wikimedia

Kështjella Poenari ishte rezidenca e vërtetë e Vlad III, i cili frymëzoi shkrimtarin britanik Bram Stoker të shkruante romanin e tij të famshëm, Drakula. Kështjella ndodhet në rrafshnaltën e malit Cetatea. Për të arritur atje duhen ngjitur 1,480 shkallë betoni.

Lopatari, Rumani

Foto: Petr Sporer/Wikimedia

Zjarret e vazhdueshme të Lopatarit, në Buzau, janë ndër fenomenet më misterioze dhe të pazakonta që mund të gjenden kudo në natyrë. Turistët e huaj i kanë krahasuar ato me Mordorin, mbretërinë e zjarrtë të Sauronit te "Zoti i unazave". Shpërthimet natyrore të gazit marrin flakë në sipërfaqe nga rrezet e diellit. Zjarri digjet edhe natën, kur peizazhi është më spektakolar.

Lumit Gradac, Serbi

Foto: Nenad Sakovic/Wikimedia

Lumi Gradac është një nga vendet më të vogla të njohura për ecje në shtigje në rajon. Një lumë i gjatë 17 km rrjedh nëpër natyrën përreth duke bërë që shpesh të krijohen vende të përsosura për të bërë plazh. Në afërsi të Gradacit janë dy shpella të famshme – shpella Deguricka dhe shpella e Petnicës, e cila madje ka një restorant në hyrje.

Gryka Ovcarsko-Kablarska, Serbi

Foto: NeDJo/Wikimedia

Në Serbinë jugperëndimore, lumi Zapadna Morava krijon një grykë të bukur midis maleve Ovcar dhe Kablar. Pamja në grykë është një ndërthurje mbresëlënëse e lumit dhe dy liqeneve artificiale. Zona është e njohur edhe si Mali i Shenjtë i Serbisë. Kjo ngaqë ekzistojnë 11 manastire ortodokse serbe të shekullit 15 dh 16 të fshura mes pyjeve dhe shkëmbinjve./ Burimi: BIRN

Hani këto ushqime dhe do dukeni 10 vite më të rinj

Posted: 06 Jun 2017 08:41 AM PDT

Mbase nuk e keni menduar asnjëherë, por disa nga ushqimet që ne përdorim në të përditshmen tonë, ndikojnë drejt për së drejti në shëndetin e lëkurës.

Por, ajo që i shqetëson më së shumti femrat, është të pasurit një lëkurë e cila nuk do të plakej kurrë dhe për këtë, ato i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.

Por, para se ta bëni këtë, hidheni shikimin tek nëna natyrë dhe tek produktet e saj të mrekullueshme që jo vetëm fshijnë hijet e viteve, por ndihmojnë të qëndroni të shëndetshëm dhe të freskët.

Këto janë pesë ushqimet që luftojnë moshën dhe ju bëjnë të dukeni 10 vjet më të rinj:

1- Agrumet: Tashmë e keni mësuar që agrumet janë burimi kryesor i vitaminës C, por jo vetëm. Qitroja, portokalli, mandarina dhe limoni përmbajnë gjithashtu vlera të tjera ushqyese ku ndër më kryesorët përmendim acidin folik dhe antioksidantët. Këta përbërës ulin kolesterolin e lartë dhe acidin urik në gjak, parandalojnë oksidimin e venave të gjakut dhe mbrojnë zemrën.

2- Domatet: Domatet janë ndër perimet që nuk duhet të mungojnë kurrë në tryezën tuaj. Janë të pasura me vitaminë A , vitaminë C dhe acid folik. Licopeni është antioksidanti më i fuqishëm që gjendet tek domatja dhe mbron lëkurën nga rrezet ultravjollcë dhe mbron organizmin nga infeksionet e ndryshme.

3- Hudhra: Hudhra mund të mos ketë aromën e trëndafilit, por vlerat e saj ushqyese janë aq të mëdha sa nuk mund ta merrni me mend. Ka veti anti-bakteriale dhe anti-inflamatore që përmirësojnë qarkullimin e gjakut, luftojnë plakjen e parakohshme dhe ulin rrezikun e prekjes nga tumore të caktuara.

4- Çokollata e zezë: Me siguri dashamirësve të çokollatës së zezë do t'ju pëlqejë ky lajm dhe gjetën justifikimin perfekt ëpr të ngrënë akoma më shumë. Çokollata e zezë mbron lëkurën nga veprimi i radikaleve të lira dhe rrezeve të dëmshme të diellit, si dhe e hidraton atë.

5- Karotat: Edhe pse është fund ii sezonit të tyre, karotat janë shumë të ushqyeshme për trupin, mendjen dhe lëkurën. Beta-karoteni që gjendet tek karota mbron retinën e syrit nga dëmet e ndryshme dhe përmirëson shikimin, ndërkohë që edhe trupi përfiton prej dobive të saj pasi ky përbërës mbron lëkurën nga rrezet ultra-vjollcë.

12 shenja të rëndësishme që tregojnë se nuk pini ujë mjaftueshëm

Posted: 06 Jun 2017 08:22 AM PDT

Nuk ka asgjë më freskuese në botë sesa një gotë e madhe me ujë të ftohtë.

Askush nuk mund ta mohojë se ndonjëherë, një gotë e thjeshtë uji është shumë më e shijshme se kafeja apo pijet freskuese. Pavarësisht kësaj, shumë prej nesh nuk pinë ujin e mjaftueshëm që u nevojitet në bazë ditore.

Duke ia mohuar vetes burimin më natyral në botë, ne dëmtojmë edhe trupin tonë.

Nëse i identifikoni edhe për veten tuaj shenjat e mëposhtme, atëherë nuk jeni duke pirë ujë mjaftueshëm dhe ju nevojitet një korrigjim.

-E keni gojën të thatë

-Lëkura juaj është e thatë

–Ndjeheni ndonjëherë sikur do të vdisni nga etja

-I ndjeni sytë e thatë

-Ndjeni dhimbje kyçesh

-Ju rritet masa muskulare

-Qëndroni sëmurë më shumë se të tjerët

-Përjetoni lodhje dhe një lloj letargjie gjatë ditës

-Shihni tek vetja plakje të parakohshme

Sasia e ujit që mban trupi ynë ulet natyralisht me avancimin e moshës. Kjo do të thotë se sa më shumë plakemi, aq më shumë ujë duhet të konsumojmë.

Kartëmonedha 1 mijë lekëshe, prerja më e falsifikuar në Shqipëri: Si të mos mashtroheni

Posted: 06 Jun 2017 08:02 AM PDT

Kartëmonedha 1 mijë lekëshe është prerja më e falsifikuar e lekut shqiptar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar pothuajse gjysma e kartëmonedhave të zbuluara si të falsifikuara i takonin kësaj prerjeje.

Pjesa tjetër e parasë së falsifikuar ndahet mes monedhave metalike 50 lekëshe, kartëmonedhave 500 lekëshe dhe atyre me vlerë 2 mijë lekëshe.

Ndonëse nuk jep informacion lidhur me vlerën apo sasinë e parasë së falsifikuar, Banka e Shqipërisë thotë se ajo ka një vlerë krejt të papërfillshme në raport me sasinë e kartëmonedhave dhe monedhave metalike në qarkullim, raporton TV Scan.

Gjatë vitit 2016, sasia e kartëmonedhave dhe monedhave metalike të falsifikuara ka pësuar ulje me 13.4%, krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë vlerëson se përgjithësisht falsifikimi i kartëmonedhave bëhet me metoda të thjeshta dhe ka nivel të ulët sofistikimi.

Falsifikuesit përdorin kryesisht riprodhimet dixhitale me ngjyra, të kombinuara me aplikimin e metodave shtesë për imitimin e elementeve bazë të sigurisë, të natyrës vizuale.

Nuk konstatohet ndonjë tendencë drejt printimeve me natyrë profesionale, që tentojnë të imitojnë elementët e sigurisë të lexueshëm nga pajisjet autentifikuese.

Disa shenja se si të dalloni një kartëmonedhë false nga një e vërtetë

Nëse mendoni se verifikimi i shiritit të ndritshëm mjafton për të mos u mashtruar, gaboheni.

Kjo, pasi falsifikatorët kanë perfeksionuar metodat e tyre duke shtypur mbi kartëmonedhat false edhe këtë element dallues.

Megjithatë, nëse shihet me kujdes, tek kartëmonedha false nuk është i shënuar numri 1 000 lekë mbi shiritin e shndritshëm, ndryshe nga kartëmonedhat e rregullta.

Gjithashtu, një kartëmonedhë 1 000 lekë false është rreth 5 mm më e ngushtë se sa kartëmonedha 1 000 e rregullt.

Kjo është një element i rëndësishëm për ta dalluar, pasi nëse shihet me vëmendje, dallimi është i dukshëm.

Krahas kësaj, kartëmonedha e falsifikuar nuk e ka relievin mbi të, ndryshe nga kartëmonedha e rregullt, e cila ka reliev në disa pjesë të saj.

Një element tjetër dallues është letra. Kjo e fundit është shumë e butë dhe duket si e lagur e rrudhur tek kartëmonedhat e falsifikuar, ndërsa letra e kartëmonedhave të rregullta është më e fortë dhe më e shndritshme.

Lufta gjashtё ditore e 1967-ës: Pse fitorja e Izraelit ka lёnё gjurmё tё thella edhe sot

Posted: 06 Jun 2017 07:40 AM PDT

Para 50 vjetёsh nis lufta gjashtё ditore: Izraeli sulmoi njёkohёsisht tre vende arabe fiqnj, qё kishin kёrcёnuar tё asgjёsonin shtetin hebre. Fitorja e Izraelit ka lёnё gjurmё tё thella nё rajon edhe sot.

"Ndihej si njё kёrcёnim ekzistencial pёr Izraelin", kujton Moshe Milo kohёn para shpёrthimit tё luftёs. Milo ishte askohe 23 vjeç dhe shёrbente si radiomarrёs nё njёsinё e parashutistёve izraelitё. Disa javё mё parё nё Egjipt ish-presidenti Gamal Abdel Nasser kishte kёrcёnuar, se do ta fshinte Izraelin nga harta. Tone tё ngjashme dёgjoheshin edhe nga Siria. Dy luftra kishin zhvilluar tё dyja kёto shtete arabe me Izraelin nё vitet 1948 dhe 1956. Mё pas presidenti egjiptian dislokoi trupat e veta nё Sinai dhe bllokoi rrugёn e Tiranit pёr qarkullimin e anijeve izraelite.

Mёngjesin e 5 qershorit 1967 aviacioni izraelit atakoi pёrmes njё sulmi tё papritur trupat nё Sinai. Kur shprёrtheu lufta, ushtari Milo ishte mobilizuar pёr tё luftuar nё frontin jugor kundёr Egjiptit: "Por papritur misioni ynё ndryshoi dhe ne u nisёm drejt Jeruzalemit", kujton ai.

Pushtimi i murit tё vajtimit

50 vjet mё vonё Moshe Milo dhe Yoram Zamsh me hapa tё shpejtё shkojnё nё pjesёn historike tё Jeruzalemit pёrmes rrugёs Al-Vad nё lagjen myslimane. Mё 1967 Yoram Zamosh ishte komandanti i ri i njёsisё. Bashkё ata sulmuan portёn e luanit dhe mundёn tё hyjnё nё pjesёn historike tё qytetit, e cila qё nga viti 1948 kontrollohej prej Jordanisё. Lufta gjashtё ditore i ka lidhur ngushtё deri mё sot tё dy shokёt e ushtrisё. "Deri nё luftё ne konsideroheshim si njё popull i dobёt i pёrnjdekur. Holokausti kishte vetёm 25 vjet qё kishte ndodhur", thotё sot Yoram Zamosh. "E ne tashmё ia arritёm, qё tё ripushtojmё murin e vajtimit. Ne sёrish mund tё mbaheshim nё kёmbёt tona."

Vetёm pak metra mё tutje, 17-vjeçarja palestineze Haifa al Khalidi asokohe shihte marshimin e izraelitёve. Nga çatia e shtёpisё sё prindёrve tё saj edhe sot shihet muri i vajtimit, kodra e tempulit dhe xhamia Al-Aksa. "Ne ishim feshur nё shtёpi, askush nuk guxonte tё dilte, madje as tё shihnim nga dritarja nuk guxonim. Dёgjuam dikё nё rrugё qё thёrriste – ushtarёt irakianё kanё ardhur", kujton al Khalidi. "Por nёna ime shumё shpejt e kuptoi nga zёrat, qё ishin ushtarё izraelitё. Ishte njё shok, qё izraelitёt kaq shpejt kishin ardhur nё pjesёn historike tё qytetit."

Mё 7 qershor 1967 trupat izraelite pushtuan territorin. "Ne pamё komandatin tonё duke qarё prej gёzimit, qё mund tё prekte me dorё murin e vajtimit", kujton Zamosh. Ai ngriti aty flamurin izraelit. "Ne ishim sёrish aty. Flamuri izraelit valёvitej mbi murin e vajtimit", pёrshkruan momentin Zamosh, i cili e ndjen atё edhe sot njёsoj si dikur.

Çlirim dhe pushtim

Pushtimi i pjesёs historike tё Jeruzalemit edhe sot festohet nё Izrael si "Çlirim dhe ribashkim i Jeruzalemit". Transkriptet e publikuara sё fundi nga Arkivi i Shtetit nё Izrael mbi mbledhjet qeveritare tё qershorit 1967 tregojnё, se si pas spkepticizmit fillestar me çdo ditё tё luftёs rritej euforia. Nёse ёshtё e nevojshme, ne mund tё jemi "brenda pak orёsh edhe nё Bejrut", citohet ministri i atёhershёm i Mbrojtjes Moshe Dayan.

Izraeli brenda pak ditёsh e trefishoi territorin e vet dhe pushtoi territore duke kontrolluar edhe njё popull tjetёr: palestinezёt. Pak pas luftёs u diskutua se si do tё veprohej me territoret e pushtuara. "Ne ndodhemi kёtu me dy popuj, njёri me tё gjitha tё drejtat themelore dhe tjetri, qё i mohohen tё gjitha tё drejtat", me kёto fjalё citohet ministri i Jashtёm Abba Eban. Kjo nё sfondin e sё kaluarёs sё hebrejve dhe nё kontekstin ndёrkombёtar nuk mund tё mbrohet.

Nё pjesёn historike tё Jeruzalemit palestinezja Haifa al Khalidi vёzhgon pasojat e luftёs: Lagja e vjeter fqinj Mughrabi  u shkatёrrua pёr tё lehtёsuar akesin tek muri i vajtimit. "Ata u dhanё njerёzve dy orё kohё, qё tё lironin shtёpitё e tyre, e pastaj erdhёn buldozerёt", kujton al Khalidi. Pak ditё mё vonё kjo lagje ndodhej nёn rёnoja. Mё vonё u krijua prej saj njё shesh i lirё para murit tё vajtimit. "Unё nuk e di, se ku shkuan gjithё ata njerёz. Por ata qё mundёn tё arratisen, nuk mund tё ktheheshin mё nё Jeruzalem." Mijёra gjatё luftёs u arratisёn nё drejtim tё Lindjes, shumё syresh edhe sot jetojnё me statusin e refugjatit nё Jordani.

Pёr palestinezёt qё kanё mbetur, mё 1967 nisi jeta nёn pushtimin ushtarak izraelit. Izraeli aneksoi pjesёn lindore arabe dhe e shpalli mё vonё Jeruzalemin si kryeqytetin e vet tё "pandarё dhe tё pёrjetshёm". Por kjo nuk u pranua kurrё nga bashkёsia ndёrkombёtare. Shumica e banorёve palestinezё tё Jeruzalemit Lindor u pajisёn me njё status tё veçantё refugjati – pa tё drejta civile. Palestinezёt, qё janё regjistruar nё Jordanin Perёndimor apo nё Rripin e Gazёs, edhe sot e kёsaj dite duhet tё marrin leje prej administratёs ushtarake izraelite, pёr tё vizituar Jeruzalemin.

Izraeli mё 1967 pushtoi edhe Sinain e Rripin e Gazёs, qё mё parё kontrolloheshin nga Egjipti, si dhe kodrat siriane Golan. Lufta e sukseshme rrufe krijoi mitin e Izraelit tё pamposhtshёm – por sidoqoftё ajo nuk u dha fund konflikteve me fqinjёt arabё. Pasuan luftra tё tjera. Vetёm vite mё vonё Izraeli vendosi paqen me Egjiptin dhe Jordaninё. Konflikti mes Izraelit dhe palestinezёve nuk ёshtё zgjidhur as sot. "Askush nuk mund ta pёrfytyronte atёbotё, qё Izraeli do tё qendronte kaq gjatё nё Jeruzalemin Lindor dhe nё Jordanin Perёndimor", thotё Haifa al Khalidi. Tani vetёm mund tё shpresoj, qё njё ditё situata do tё ndryshojё."/DW

Zëri i Amerikës: Pse Meta zbriti në fushë

Posted: 06 Jun 2017 07:32 AM PDT

Në Shqipëri deputeti i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Gledjon Rehovica dhe drejtori i Spitalit Rajonal të Beratit, Idlir Frashëri janë vënë në ndjekje penale nga policia pasi dyshohet të jenë përfshirë në blerje votash në favor të LSI-së.

Sipas njoftimit të policisë, hetimi ndaj tyre ka nisur pas një denoncimi dhe ata dyshohet të kenë konsumuar elementët e veprës penale të "Korrupsionit aktiv në zgjedhje" dhe "Përdorim i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore", vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal.

Policia bëri të ditur se materialet për këtë rast i janë përcjellë Prokurorisë.

Ky është rasti i parë i zyrtarëve të vënë në ndjekje penale për tentativë për blerje votash ndërkohë që një numër i konsiderueshëm funksionarësh të tjerë janë pezulluar nga detyra për përfshirje në fushatë zgjedhore në shkelje të ligjit. Me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave është ngritur dhe një “Task-Forcë” e posaçme si dhe janë përcaktuar masat për monitorimin e sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare e logjistike të administratës shtetërore gjatë procesit zgjedhor të 25 qershorit.

Mbrëmë kryetari i LSI-së Petrit Vasili ju drejtua me një letër krerëve të shtetit duke kritikuar vendim-marrjen për “Task-Forcën”, e cila sipas tij, nuk ka qenë pjesë e asnjë mbledhjeje të qeverisë dhe, sipas zotit Vasili, “është e patolerueshme që vendimi i referohet një mbledhjeje e cila nuk ka ndodhur. Një vendim kaq i rëndësishëm nuk i është nënshtruar asnjë debati qeveritar dhe mundësisë së shprehjes se opinioneve nga ministrat, por është hartuar e miratuar në mënyrë tërësisht të njëanshme, ku specifikoj, anëtarët e Kabinetit Qeveritar përfaqësues të LSI-së, kanë qënë jashtë diskutimit dhe janë vënë para faktit të kryer, duke u çuar një vendim qarkullues, të cilit nuk i njihen as autorët dhe as ata që kanë dhënë opinionet", shkruan zoti Vasili.

Sipas tij "një mënyrë e tillë, okulte e funksionimit të qeverisë, ku përgjegjësia bie mbi kryeministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, hedh hije të forta dyshimi në një moment ku vetëm transparenca, komunikimi i hapur dhe përfshirja e të gjithë aktorëve, janë ato që zgjedhjet e lira e të ndershme presin në Shqipëri". Për kryetarin e LSI-së "fatkeqësisht marrëveshja politike e 18 Majit, në vend të qartësisë e ndershmërisë, prodhoi një komunikim të njëanshëm, të mbyllur dhe të errët".

Në fakt marrëveshja e arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha u interpretua gjerësisht si një përpjekje për të goditur partitë e vogla e veçanërisht LSI-në, ndaj së cilës nuk mungojnë sulmet e përditshme si nga ana e socialistëve ashtu dhe nga Partia Demokratike.

Një pjesë e mirë e të pezulluarve të ditëve të fundit i përkasin pikërisht LSI-së. Javën e shkuar u shkarkua nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Postave Majlind Lazimi, si dhe një drejtoreshë rajonale.

LSI-ja foli për një hakmarrje politike, ndërsa zoti Lazimi dje bëri kallzim në prokurori ndaj Ministres së Ekonomisë Milva Ekonomi që kishte firmosur shkarkimin, të cilin ai e ka cilësuar si "tërësisht të paligjshëm".

LSI-ja e cila është konsideruar si vendimtare për përcaktimin e pushteteve, pas 4 vitesh në qeveri me demokratët dhe 4 të tjerave më pas me socialistët, duket se është gjendur e papërgatitur për situatën e krijuar, ku dy partitë e mëdha e kanë vënë në qendër të sulmeve.

Pikërisht kjo duket të jetë dhe arsyeja që udhëheqësi dhe themeluesi i saj Ilir Meta, ka zbritur në fushatë, pavarësisht se në momentin e zgjedhjes si president kishte deklaruar se nuk do të përfshihej./VOA

“Shqipëria po bëhet rrugë kryesore e trafikimit të narkotikëve në Europë”

Posted: 06 Jun 2017 07:18 AM PDT

Shqipëria përmendet për herë të parë me shqetësim në raportin vjetor Europian të Drogave të vitit 2017, publikuar gjatë ditës së sotme nga Qendra Europiane e Monitorimit të drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA).

Raporti bazohet në informacionin që EMCDDA merr nga shtetet anëtare të BE, shteti kandidat Turqia dhe Norvegjia. Ndryshe nga viti i kaluar, ku Shqipëria nuk përmendej, në raportin e 2017s vendi ynë veçohet si për rritjen e kultivimit të kanabisit ashtu dhe për faktin se ajo po bëhet një rrugë kryesore e trafikimit të narkotikëve në Europë.

"Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabis ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende", thuhet në raportin vjetor të EMCDDA për vitin 2017.

Në një publikim të mëparshëm të EMCDDA, "Raporti i Tregjeve të Drogave në Europë 2016", në bashkëpunim me Europol, që botohet një herë të tre vjet, thuhet se vendet kryesore të prodhimit të kanabisit në rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Bullgarinë dhe në një farë mase Kosovën, furnizojnë tregjet e Europës qendrore dhe Europës Lindore.

Shqipëria duket të ketë qenë një prodhues i rëndësishëm (raporti i referohet dhe zhvillimeve në Lazarat dhe mbylljes së prodhimit aty).

Greqia, ku prodhohet gjithashtu kanabisi, është një pikë e rëndësishme hyrëse në BE për kanabisin shqiptar, që shpërndahet në disa shtete anëtare, përfshirë Italinë, Kroacinë, Hungarinë, Republikën Çeke dhe Austrinë.

Një pjesë e kanabisit shqiptar mund të shitet dhe në Europën perëndimore, si në Gjermani, ose Francë. Për më tepër, Europol bën të ditur se kanabisi me fuqi të ulët trafikohet në Holandë dhe përdoret për të prodhues kanabis të fortë, që më pas destinohet për tregjet e Mbretërisë së Bashkuar.

Shqipëria dhe Holanda duket të jenë nyjet kryesore të shpërndarjes për vajin afgan të kanabisit (Europol, 2015d), sipas raportit të Tregjeve të Drogave në Europë 2016.

Në hartat e publikuara nga raporti, shihet që Shqipëria ndodhet si në rrugën e trafikut të barit të kanabisit, ashtu dhe të vajit të kanabisit.

Raporti thekson se grupet shqiptare të krimit të organizuar vlerësohet se janë të përfshirë në tregtimin e vajit Afganistan të kanabisit, kryesisht në Europën Qendroe dhe Lindore përmes Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.