Tirana Observer: “Nedved: Sa herë luan Juventusi, vuaj si i çmendur” plus 9 more |
- Nedved: Sa herë luan Juventusi, vuaj si i çmendur
- Historia e turkut që mbante si relike eshtrën e Skënderbeut
- “Thesari” Champions, Juventus, 133 mln euro përfitime
- Pse nuk duhet ta hapni derën e shoferit me dorën e majtë
- Studimet në SHBA/ Ambasada amerikane shpall procedurën dhe kriteret e aplikimit
- Rama publikon “mesazhet” mes Nokës dhe Bashës: Shefi të nisa emrat. “Je brilant”
- Zv/kryeministrja: Ja rastet kur ndëshkohen nëpunësit në fushatë
- Lidhjet: 6 mesazhe që trembin burrat
- Nga Gjergj Bojaxhi/ “Ne nuk ikim nga ky vend. Të ikin ata nga politika”
- Publikoi në media debatin me ministrin e Brendshëm, nën hetim oficeri gjyqësor
| Nedved: Sa herë luan Juventusi, vuaj si i çmendur Posted: 02 Jun 2017 09:00 AM PDT "Ne kemi një rekord të mirë me Realin, shpresojmë të vazhdojë kështu…, – tha Pavel Nedved për mediat çeke në prag të finales së Ligës së Kampioneve, Juventus-Real Madrid. – Por, mos harroni se ata e kanë fituar tashmë 11 herë këtë trofe, në 14 finale, dhe këto janë numra të çmendur. Real Madridi është ekipi më i mirë në botë. Besoj se në Cardiff do të jetë një lojë e balancuar dhe shumë e vështirë, një festë e futbollit." Nedved thotë se do të përballojë një vuajtje të madhe, pavarësisht rezultatit përfundimtar: “Për mua do të jetë si zakonisht, rraskapitëse. Jam i ndershëm. Ndonjëherë, pas lojërave ndihem keq. Gruaja ime më thotë se ndonjë ditë do të kem sulm në zemër, por çfarë mund të bëj. Unë vuaj shumë para, gjatë dhe pas ndeshjeve. Në fund të lojës jam po aq i rraskapitur, sa ata që kanë luajtur në fushë." Dy fjalë edhe për situatën në ekipin bardhezi: "Juventusi është i qetë, i përqendruar dhe nuk ndien presion të madh. Por, në të njëjtën kohë, unë mendoj se do të na duhet për të menaxhuar tensionin dhe zemërimin." |
| Historia e turkut që mbante si relike eshtrën e Skënderbeut Posted: 02 Jun 2017 08:42 AM PDT AVENTURIERI GJENIAL, SI PASARDHËS I SKËNDERBEUT (LIBRI "KASTRIOTI I MADH I SHQIPËRISË" I STEFAN ZANOVIÇIT) Nga Moikom Zeqo Të rrallë, të pabesueshëm dhe të patjetërsueshëm janë njerëzit në histori si Stefan Zanoviçi. Historia e jetës dhe e bëmave të tij është e jashtëzakonshme. Ai ka bërë shumë për Shqipërinë nëpërmjet veprimeve të tij paradoksale, përherë i përshndritur nga talenti i tij prej aventurieri dhe letrari. Ai meriton të njihet nga shqiptarët, madje në njëfarë mënyre edhe të nderohet. Po kush është Stefan Zanoviçi? Ai lindi në 18 shkurt 1751 në Budva të Malit të Zi. Këtu kaloi vitet e fëmijërisë. Në 1760 shkoi në Venedik ku nisi studimet për t'i mbaruar në qytetin e Padovës. Në Venedik ai u dha furishëm mbas lojërave të fatit. Ai zbuloi magjinë e probabilitetit, të fitimit të rastësishëm dhe të humbjeve të frikshme. Në 1766 Stefanin e përzënë nga Venediku për shkak të mashtrimeve të tij në kumar. Ai nisi të merrej me tregti. Moikom Zeqo Në 1769, Stefani u grind me një tregtar shqiptar nga Shkodra të quajtur Zenel Krajni. Zeneli e plagosi rëndë dhe ky incident u bë shkak, që Stefanin ta përzënë nga Venediku. Të dhëna që parashtroj më poshtë janë sipas një shkrimi të Dr. Ymer Jakës ku flet për aventurat e Stefan Zanoviçit. Stefani sëbashku me të vëllanë udhëton në Napoli, Firence, Milano, pastaj në qytetin Lion të Francës, ndërsa më vonë në Londër të Anglisë dhe në Amsterdam të Hollandës. Në 1772 Stefani kthehet në Paris, frekuenton sallonet letrare dhe njihet edhe me Zhan Zhak Rusonë. Tjetërsimi i identitetit Në vitin 1773 Stefan Zanoviçit i lind ideja e tjetërsimit të identitetit. Me një guxim të llahtarshëm ai mashtron të gjithë mjedisësit. Në 1773 Stefani kthehet në Budva dhe paraqitet me identitetin e rremë si gjoja princi malazes Stefani i Vogël. Ai i nxit malazezazit të ngrihen në kryengritje kundër turqve, por ky plan i tij dështon turpshëm. Atëherë ai ndërmerr një ide akoma më të çuditshme dhe më fantastike. Paraqitet me një identitet të ri, gjithashtu të rremë, si gjoja stërnip i Gjergj Kastriot Skënderbeut të Shqipërisë? Pse i lindi kjo ide Stefan Zanoviçit? Stefani thotë se në vitin 1770 kishte njohur në Napoli të Italisë një murg të Urdhrit të Shen Dominikut, i cili quhej Tanush Topia, që gjoja rridhte nga familja e famshme e Topiajve dhe që qe i zotëruar nga admirimi për kujtimin e Skënderbeut, portretin e të cilit e mbante në studion e tij midis ikonës së shën Mërisë dhe ikonës së Jezu Krishtit. Që këtej e tutje Zanoviçi do ta besonte edhe vetë gënjeshtrën e tij, se gjoja që brezi i njëmbëdhjetë, i linjës mëmësore të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai vetë e thuri këtë mashtrim dhe mbeti përjetësisht brenda rrjetës së këtij mashtrimi. Zanoviçi shkoi në Vjenë dhe në Varshavë. Ai u takua me princin polak Mishel Kazimir Oxhinski, që qe pretendent i fronit të Polonisë dhe i premtoi trupa ushtarake që ai nuk i kishte, duke marrë prej tij shuma të mëdha të hollash. Nuk dihet se çfarë situate e vështirë bëri që Stefan Zanoviçi të arrinte kulmin e kulmeve të gënjeshtrës së vet. Shpallja e vdekjes së vetvetes Ai përhapi lajmin për vdekjen e tij, lajm që e botoi në një gazetë të një qyteti Vigenca të Italisë. E shkroi vetë dhe nekrologjinë, madje dhe listën e veprave postume. Në 1776 ky "i vdekur" ringjallet. Ai shkon në Berlin, në oborrin e mbretit Frederiku II. Shkëlqimtar në mashtrim, profesionist i gënjeshtrës, ai bëhet mik i princit trashëgimtar Vilhelmit II. Atij i kushton shumë poezi apologjike. Pastaj zhduket nga Berlini. Për të arritur në një zgrip tjetër surrealist të mashtrimit në vitin 1777 ai paraqitet si një mysliman i bërë haxhi me emrin Varta dhe shkon në Romë ku njihet me femrën Elisabet Çadleji, dukesha e Kingstonit. Dukesha ishte 57 vjeç, vejushë, sapo i kishte vdekur i shoqi, duka i Kingstonit. Zanoviçi qe 30 vjet më i ri, por arriti të aktivizonte epshet e saj, gati u martua me të, një dashuri marramendëse dhe e çmendur. Rastësisht identiteti i tij zbulohet dhe martesa prishet. I dëbuar nga Italia ai shkon në Gjermani, Hollandë dhe Belgjikë, jeton ca kohë si murg në Bavari, shkon në Vjenë dhe takohet me perandorin austriak Jozefi II. Njohja me Kluts dhe vdekja Në 1785 ai njihet me Anarkasis Kluts, dishepull i Volterit dhe i Rusoit, një pasanik i madh me origjinë prusiane, të cilit iu pre koka në gijotinë gjatë Revolucionit Francez në vitin 1789. Klutz në kujtimet e tij shkruan për Zanoviçin. Në 1785 Zanoviçi shkon sërish në Amsterdam ku arrestohet. Ai vrau veten në burg duke i prerë venat me xham, sipas një versioni tjetër u vetëhelmua në 25 maj 1786. Variantet e një libri
Përsa i përket librit të Zanoviçit për Gjergj Kastriotin duhet thënë se ky libër ka pasur dy projekte. Varianti përfundimtar i librit "Kastrioti i Madh i Shqipërisë" u botua në 1779. Libri i shkruar frëngjisht por në mënyrë paradoksale disa kopje kanë si vend botimi Parisin dhe disa të tjera kanë vend botimi Frankfurtin. Sipas një teze tjetër libri është botuar në Hollandë, në Hagë ose në Amsterdam. Kjo do të thotë që trilli i Zanoviçit për të gënjyer funksionon e funksionon pa pushim. Botimi kinse në qytetin Albanopolis Një libër tjetër të tij Zanoviçi kinse e boton në Albanopolis të Shqipërisë, kurse një tjetër në Konstandinopojë. Është i pashtershëm në trillim. Por ka një kulturë enciklopedike. Kështu ai është informuar që Albanopoli përmendet në hartën e Ptolemeut të shekullit II. Por le t'i rikthehemi librit të tij për Skënderbeun. Teksti i librit është i njëjtë, madje e njëjta faqosje, por hyrjet dhe ballinat e librave ndryshojnë. Dr. Ymer Jaka ka zbuluar se kopjet e librit që kanë si vend botimi Parisin nuk kanë emrin e botuesit, kurse ato që kanë vend botimi Frankfurtin shënojnë si botues J.J.Kessler. Në disa kopje kushtimi i drejtohet kontit polak Oxhinski. Përmbajtja e këtij libri mbështetet në kryeveprën barletiane. Por duket që Zanoviçi ka konsultuar edhe libra të tjerë. Mundet që ai e ka lexuar Barletin në latinisht. Për Zanoviçin kanë shumë rëndësi pikat kryesore të referencës të ideve kryesore. Por Zanoviçi nuk nguron të trillojë të dhëna të tjera të çuditshme. Ai shkruan se në letërkëmbimin apokrif barletian të Skënderbeut me sulltan Mehmetin II në 1460, gjoja letra e Skënderbeut qenkësh përpiluar "në gjuhën arnaute, pra në shqip" dhe se gjoja "kjo letër në shqip gjendet në arkivin e familjes Cërnojeviç – Kastrioti, në Mal të Zi, në kishën katedrale të Shell Venerandës në Çetine." Madje, thotë se "në Arkivin e bibliotekës së Konstandinopojës gjendet një dokument mbi gjenealogjinë e Kastriotëve. Fantazia e Zanoviçit nuk përfundon as këtu. Turku që ruante si relike eshtrën e Skënderbeut Ai shkruan se gjoja në Konstandinopojë paska njohur një turk, i cili ruante si relike një copë eshtre të Skënderbeut të mbështjellë me ar, mbas hapjes spektakolare të varrit të Skënderbeut në Lezhë. Akoma në mënyrë më paradoksaletë skajshme Zanoviçi flet se gjoja Skënderbeu lexonte veprën e Jul Çezarit „Komentet", kurse librat e tjerë i përbuzte dhe më shumë nga të gjithë urrente romanet. Ky është portreti i fantazuar i Skënderbeut nga Zanoviçi. Vlera historike e librit të Zanoviçit pothuaj nuk ekziston fare. Por atëherë pse duhet përmendur ky libër? Libri i Zanoviçit është me të vërtetë një pamflet politik i klasit të parë plot ide të iluminizmit, pamflet që luajti rol në atmosferën e ndezur të Revolucionit të Madh Francez. Këtë e vë në dukje në mënyrë të spikatur Dr. Ymer Jaka. Jo plagjiat i Barletit Libri i Zanoviçit në këtë pikëpamje nuk është një plagjiat i Barletit, siç e quan V. Malaj, nuk është as vepër e një historiani të mirëfilltë por është një pamflet i mirëfilltë politik. Ky libër u përkthye edhe në gjermanisht, madje edhe në rusisht dhe në suedisht. E rëndësishme në këtë libër është fjalimi i Skënderbeut, një lloj testamenti në shtratin e vdekjes për djalin Gjon. Në vitin 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, akademiku shqiptar Androkli Kostallari botoi një studim të rëndësishëm „Figura e Skënderbeut në letërsinë botërore". Ky studim të habit për erudicionin që ka edhe sot kur e lexon. Kostallari i kushton një vend të veçantë veprës së Zanoviçit për Skënderbeun duke theksuar karakterin iluminist dhe substancën polemike. Sipas Kostallarit Zanoviçi shtron në pamfletin e tij çështje shumë të mprehta të filozofisë iluministe mbi rendin shtetëror dhe të drejtën, mbi sunduesin dhe popullin, mbi klerin, fenë dhe shtetin, mbi marrëdhëniet midis shteteve. Skënderbeu mbiquhet „si zbukurimi më i madh i shekullit të vet", paraqitet si përfaqësues arketipal „i absolutizmit të ndritur", pra si një mbret filozof i utopisë shtetërore të Platonit. Paraqitet si një princ mendimtar, më tepër një kryemësues i popullit. Zanoviçi e përmbys rrënjësisht versionin provenedikas që jep Barleti në librin e tij për Skënderbeun, kritikon karakterin ambikuid të Venedikut, por dhe të vetë Papatit të Romës. Testamenti apokrif i Skënderbeut Kemi të bëjmë me një lloj traktati politik dhe filozofik për ndërtimin e shoqërisë dhe të shtetit ideal. Skënderbeu i kërkon drejtësi të barabartë për të gjithë, për popullin e thjeshtë dhe për qeveritarët, për ushtarakun dhe për priftin. Drejtësia – thotë Skënderbeu – është themeli i të gjitha virtyteve. Skënderbeu e porosit të birin që të mos u besojë gënjeshtrave të qeveritarëve dhe lajkave të oborrtarëve, por të vijë vetë në gjirin e popullit dhe të dëgjojë me zemër të hapur zërin e tij. „Nxirr një gazetë që të përhapet në të gjithë mbretërinë i thotë Skënderbeu të birit, që të mos ketë asnjë censurë e të botojë të gjitha padrejtësisë dhe dhuna që mund të bëjnë ata që qeverisin krahinat e tua… Kur të flasin keq për dikë dëgjoje me njerin vesh, por ruaje veshin tjetër për të dëgjuar të akuzuarin… kujdesi për punonjësit është detyrë e parë e monarkut. Ti duhet të mbrosh zejtarët si njerëzit më të dobishëm të shtetit, dhe të mos lejosh në asnjë mënyrë që ata të shtypen nga të pasurit… Mos përbuz asnjëri, edhe ai më i vogli dhe më i varfri mund të të sjellë dobi të madhe me këshillat dhe me guximin e tij. Mbro njerëzit e dobët dhe të mirë, dëno shpirtrat e vrazhdë dhe kryelartë". Skënderbeu këshillon të birin që në mënyrë të veçantë të përkrahë filozofët dhe t'i bëjë ata „rrojtarë të drejtësisë". Zanoviçi i vë Skënderbeut në gojë parullat dhe idetë e Revolucionit Francez „liria e njeriut dhe prona e paprekshme… janë gjërat më të shenjta në botë." Interesante janë dhe këshillat për ushtrinë, se ushtarët nuk duhet trajtuar si skllevër por si shokë. Skënderbeu i Zanoviçit shprehet me nota antiklerikale . Skënderbeu paraqitet si deist, dhe Zanoviçi demaskon në mënyrë patetike legjendën e marrëdhënieve idilike midis Skënderbeut dhe papëve, të Jupiterit të Kapitolit dhe të gjithë priftërinjve dhe murgjve". Madje, Skënderbeu shpreh keqardhjen se gjoja ra shpesh „viktimë e hipokritëve të ungjillit". Antiklerikalizmi i Zanoviçit është i një substance me atë të Volterit, të Dideroit, të Rusoit, të D'Alamberit. Libri i Zanoviçit nuk është një tekst dokumentesh të Skënderbeut në marrëdhëniet me Papatin e Romës, pra s'mund të merret shkencërisht në konsideratë. Por Zanoviçi me antiklerikalizmin e tij është në shtratin e polemikës të iluminizmit europian dhe të Revolucionit të Madh Francez, një pikë reference e ndezur e atmosferës së shekullit XVIII. Del kështu se emri i Skënderbeut në mënyrë sui generis ka shkëlqyer dhe ka kontribuar në atmosferën letrare dhe ideore, politike të Revolucionit Francez. Ky pamflet politik ka vendin e vet në historinë e politikës, duke mos pasur asnjë vlerë të spikatur në rrafshin e historiografisë. Aventurieri gjenial Zanoviçi qe një aventurier gjenial, mashtrues i paskrupullt, kumarxhi dhe seksoman i madh, përvetësues pasurish dhe shfrytëzues miqësish. Nga kjo pikëpamje ai bën pjesë në galerinë e aventurierëve më të famshëm të të gjitha kohëve. Por në bazë të ligjit të paradoksit, ndonëse mashtrues i pafytyrë, ai bëri për popullarizimin dhe lartësimin e figurës së Skënderbeut, si gjeni i lirisë më shumë nga të gjithë shqiptarët e kohës së vet. Subjektivisht ai synonte të përfitonte nga mashtrimi i tij, por objektivisht Zanoviçi krijoi një vepër të paharruar dhe gati të pavdekshme. Ai i shërbeu jo vetëm popullarizimit të emrit të Skënderbeut, por edhe të Shqipërisë dhe për këtë arsye duhet të kujtohet edhe nga shqiptarët. Një portret i hershëm i Skënderbeut nga Budva Zanoviçi qe me origjinë nga Budva e Kotorrit, qytet që ka pasur përherë shumë shqiptarë, madje dhe të ditur. Duke rishikuar kohët e fundit një botim të hershëm të dijetarit francez Lavardeni të vitit 1576 në Francë, për historinë e Skënderbeut, libër që u ribotua gjashtë herë deri në shekullin XVII më tërhoqi vëmendjen një gravurë e Gjergj Kastriot Skënderbeut që shoqëron librin e Lavardenit. Kjo gravurë tregon portretin e Gjergj Kastriot Skënderbeut me duar të kryqëzuara në gjoks duke mbajtur shpatën. Është një gravurë e njohur në ikonografine skënderbejane. Ajo që të habit dhe që i ka shpëtuar nga vëmendja dijetarëve deri më sot është shënimi që shoqëron këtë gravurë të shekullit XVI. Mbishkrimi ndodhet në faqen 17 dhe përmban këtë tekst. "Ky portret është nxjerrë nga Muzeu i Andrea theuet, kozmograf i Mbretit i prurë nga BOUTHOLE, qytet i Shqipërisë". Cili është ky qytet i Shqipërisë? Sipas Vinçens Malajt emri Bouthole, nuk është gjë tjetër veçse emri i qytetit Budva në "Albania Veneta" që në shekullin XV. Pra, ky portret i hershëm i Skënderbeut e ka origjinën nga Budva, dy shekuj para se të lindte vetë Stefan Zanoviçi. Pra kulti kastriotas ka qenë i gjallë në Budva, vetëkuptohet nga shqiptarët. Mundet që portreti të jetë bërë nga një artist shqiptar. Mos ky portret i Skënderbeut qe pikërisht portreti që mbante murgu shqiptar Tanush Topia në Napoli të Italisë mes ikonës së Shën Mërisë dhe ikonës së Jezu Krishtit, siç shkruan vetë Zanoviçi për takimin me këtë murg shqiptar në vitin 1770./DITA |
| “Thesari” Champions, Juventus, 133 mln euro përfitime Posted: 02 Jun 2017 08:30 AM PDT Liga e Kampioneve ka rezultuar një burim i vërtetë të ardhurash për Juventusin. Nëse "Zonja e Vjetër" do të mund të mposhtë Realin e Madridit në finalen e së shtunës në Kardif, arkat e saj do të pasurohen me 133.2 milionë euro, 115 milionë nga ta cilat do të akordohen nga UEFA. Megjithatë edhe në rast disfate në fushën e lojës, skuadra torineze përsëri do të dalë e fituar pasi shifra që do të arkëtohet në këtë rast do të jetë vetëm 4.5 milionë euro më e vogël, domëthënë 128.7 milionë euro. Ajo që të bën përshtypje është se në 3 sezonet e fundit në Ligën e Kampionve, Juventus ka mundur të përfitojë nga UEFA 280 milionë euro. Ndërkaq, futbolli europian po përgatitet edhe për të ardhmen që duket se do të jetë e ndritur për klubet. Duke nisur nga sezoni 2018/2019, UEFA pretendon të sigurojë 3 miliardë euro të ardhura, ndërkohë që për këtë sezon dhe atë që vjen kjo shifër është vetëm 1.3 miliardë euro, Kjo do të thotë se skuadra që do të mund të triumfojë në Ligën e Kampioneve të vitit 2019 shifra totale e të ardhurave që do të mund të përfitojë do të arrijë deri në 230 milionë euro. |
| Pse nuk duhet ta hapni derën e shoferit me dorën e majtë Posted: 02 Jun 2017 08:15 AM PDT Shoferët në të gjithë botën janë duke marrë disa leksione të rëndësishme dhe nuk është çudi që ky rregull në kursin e patentës të jetë si një mësim kyç. Kurrë mos e hapni derën e makinës me dorën e majtë kur gjendeni në krahu e shoferit, kjo vlen edhe për vetë shoferin. A është ky një paralajmërim apo një mësim?! Ky rregull ka nisur të zbatohet rreptësisht në Holandë si vendi që përdor më shumë biçikletat. Si rezultat, ky vend i vogël europian ka disa korsi, ligje dhe rregullore ndër më të përparuarat në botë. Instinkti është që të hapim derën me dorën e majtë sepse jemi në atë krah dhe e kemi më të lehtë. Por, shoferëve holandezë deri tani u është ndaluar rreptësisht ta bëjnë këtë gjë sepse çdo vit janë shënuar rreth 150.000 plagosje duke hapur derën e makinës nga ana e shoferit me dorën e majtë. Aksidentet përfshijnë edhe dëmtimet e makinave përbri, por rreziku vdekjeprurës i këtij veprimi është shkaktuar tek çiklistët. Kjo lloj përplasjeje është më e zakonshme nga ç'mund ta mendojmë. Shumë çiklistë përplasen si shkak i hapjes së pakujdesshme që u bëhet dyerve të makinës. Zakonisht ajo që ndodh është që çiklisti lëviz shpejt në korsinë e biçikletave dhe papritmas para tij hapet një derë çka sjell edhe përplasjen fatale. Të paktën 24 çiklistë kanë vdekur në këtë mënyrë edhe pse numri mund të jetë më i madh, por ka raste që nuk janë raportuar. Në qoftë se ju përdorni dorën tuaj të majtë për të hapur derën kur ju jeni në anën e majtë të makinës, ju e hapni atë pa i kushtuar vëmendje trafikut apo asaj çfarë mund të kesh pas. Në anën tjetër, në qoftë se ju përdorni dorën e djathtë për të hapur derën, jeni i detyruar që ta ktheni trupin e sipërm dhe të kuptoni nëse dikush po vjen. Sigurisht, çiklistët nuk janë i vetmi rrezik potencial. Hapja e derës me të djathtën gjithashtu mund të mbrojë shoferët e tjerë dhe këmbësorët nga përplasja. Ky ndryshim i thjeshtë në shprehitë tuaja mund të bëjë një ndryshim të madh në përmirësimin e sigurisë në rrugë. |
| Studimet në SHBA/ Ambasada amerikane shpall procedurën dhe kriteret e aplikimit Posted: 02 Jun 2017 08:15 AM PDT Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranon aplikime për Programin Hubert H. Humphrey për vitin akademik 2018 – 2019. Ky program u jep mundësinë personave që janë në mes të karrierës së tyre profesionale dhe me potencial udhëheqës të shkojnë në Shtetet e Bashkuara për një vit të nivelit pasuniversitar, jo në nivel diplome shtetërore për kurse akademike dhe aktivitete të zhvillimit profesional. Njoftimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Duke iu ofruar udhëheqësve të ardhshëm dhe hartuesve të politikave një përvojë në shoqërinë dhe kulturën amerikane, si edhe fushat profesionale, programi siguron një bazë të qëndrueshme për lidhjet e frytshme mes amerikanëve dhe homologëve të tyre profesionistë jashtë shtetit“, theksohet në njoftimin e Ambasadës.. Kandidatët emërohen në bazë të potencialit për udhëheqje dhe përkushtim në shërbim publik. Fushat e Programit
Kohëzgjatja e grantit: Programi Humphrey zgjat 10 muaj! Kriteret e përzgjedhjes:
Personat që janë aktualisht të regjistruar në programet e studimit ne Shtetet e Bashkuara, të punësuar, të martuar me shtetas amerikanë, ose që kanë aplikuar për të emigruar, kanë kërkuar azil në shtet tjetër nuk janë të ligjshëm për të aplikuar. Dispozitat FinanciareProgrami Humphrey garanton shkollimin dhe shpenzimet universitare, pagesë mujore për jetesë, pagesë për libra dhe mjete shkollore, kompjuter, udhëtim vajtje-ardhje në institucionin pritës (dhe program të gjuhës angleze kur është e nevojshme për kandidatin) dhe udhëtim në Washington D.C. për seminare të veçanta. Fonde shtesë janë te disponueshme për aktivitete profesionale si udhëtime profesionale ose pjesëmarrje në konferenca. Bursa Humphrey nuk rinovohet. Kandidatët duhet të kenë te vlefshme fonde të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për incidente që nuk përfshihen në bursë. Procedura e aplikimitAplikimet për Humphrey duhet të plotësohen në mënyrë elektronike në faqen online, këtu. Aplikimet duhet të dërgohen përpara datës 15 Qershor 2017. Një aplikim i plotë përfshin:
Pasi të plotësoni aplikimin online ju duhet ta printoni dhe ta postoni bashkë me dokumentat e tjera plotësuese në adresën e mëposhtme jo më vonë se data 15 Qershor 2017. Humphrey Program Për informacion të mëtejshëm kontaktoni: Zyra e Marrëdhënieve me Publikun, Ambasada Amerikane, Tiranë Tel: 04 224-7285, e-mail: Humphreyapplications@state.gov ose vizitoni faqen tonë në Facebook. Kujdes: Aplikimet që do të dorëzohen ose postohen pas datës 15 Qershor 2017, apo të dërgohen si dokument Google ose We tranfer nuk do të merren në konsideratë! |
| Rama publikon “mesazhet” mes Nokës dhe Bashës: Shefi të nisa emrat. “Je brilant” Posted: 02 Jun 2017 08:06 AM PDT Kryeministri Edi Rama vijon të ironizojë Partinë Demokratike, pasi ka një numër të vogël të grave dhe vajzave që kandidojnë për zgjedhjet e 25 qershorit. Me anë të një statusi në Facebook, Rama shkruan:
Por ironia e Ramës nuk ndalet me kaq. Ai ka publikuar edhe një “bisedë” mes Nokës dhe Bashës. |
| Zv/kryeministrja: Ja rastet kur ndëshkohen nëpunësit në fushatë Posted: 02 Jun 2017 07:58 AM PDT Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija ka reaguar pas Vendimit të Këshillit të Ministrave për ngritjen e task forcës për monitorimin e administratës gjatë fushatë zgjedhore. Në një deklaratë për mediat, Mandija thotë se nëpunësi civil jashtë orarit zyrtar ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike. Mandija sqaron gjithashtu se pavarësisht se mund të marrë pjesë në veprimtari politike, nëpunësit nuk i lejohet të shprehë publikisht bindjet dhe preferencat e tij politike. Deklarata e zv/kryeministres Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në vijim të deklaratave të këtyre ditëve dhe me qëllim qartësimin e opinionit publik, në referim të legjislacionit në fuqi, veçanërisht nenit 37, të Ligjit nr. 152/2013 "Për nëpunësin civilë" si dhe qëndrimit të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, sqaron se nëpunësi civil jashtë orarit zyrtar ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike, por nuk i lejohet të shprehë publikisht bindjet dhe preferencat e tij politike. Kjo do të thotë që nuk i lejohet të ndërmarrë veprime të bëjë fushatë për një subjekt politik/zgjedhor apo kandidat, të jetë protagonist në aktivitete/veprimtari politike apo të manifestojë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht. Gjithashtu, sqarojmë që gjatë orarit zyrtar të punës çdo lloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore për një parti politike ose kandidat është e ndaluar për çdo punonjës të administratës shtetërore nëpunës civil, administrativ apo me kontratë punë. Çdo pjesëmarrje në kundërshtim me këto rregulla sjell përgjegjësi penale, sipas ndryshimeve më të fundit të miratuara në Kodin Penal nga Kuvendi i Shqipërisë. Zëvendëskryeministrja znj. Mandija shpreh besimin e plotë se titullarët e të gjitha institucioneve shtetërore do të marrin masat e nevojshme në përputhje me ligjin, për respektimin e detyrimeve të punonjësve të administratës shtetërore dhe do të procedojnë sipas ligjit për çdo shkelje të evidentuar. |
| Lidhjet: 6 mesazhe që trembin burrat Posted: 02 Jun 2017 07:53 AM PDT Të gjithë ne dashurojmë të dërgojmë mesazhe të shpejta! Mesazhet e shkurtra mund të tregojnë dashurinë tonë të pavdekshme. Ato mund të përmbajnë përkushtimin në rritje për dikë, por edhe dëshirën e madhe për të pasur takimin e parë sa më shpejt. Gjithsesi, ka disa mesazhe që mund ta bëjnë një mashkull që ju dëshironi të ikë me vrap, sa më larg jush, në vend që të vijë më pranë. Synimi i këtij shkrimi është të japë disa lloje mesazhesh, të cilat me të vërtetë klasifikohen si mesazhet më të gabuara të mundshme, që vështirë se do ta joshin një mashkull. Mesazhe të tilla bëni mirë të mos i dërgoni, me përjashtim të rasteve kur doni t'i jepni duart. Mesazhi i frikshëm 1: "Nuk mund të ndaloj së menduari për ty." Ky mesazh është shumë i mirë, në rast se keni disa javë që takoheni, por edhe në këtë rast, mendohuni mirë para se ta nisni dhe përdoreni këtë mesazh sa më rrallë. Por kur jeni ende pa u takuar, ose sapo keni konsumuar takimin e parë të zemrës, një mesazh i tillë është shumë frikësues. Ai mund të mendojë se jeni ngjitëse, se nuk keni ndër mend ta lini të vijojë jetën e tij, se kërkoni vëmendjen e tij në çdo çast. Në fillim të një marrëdhënieje romantike, meshkujt janë shumë të alarmuar nga vajzat ngjitëse. Dhe nëse mesazhi yt është ngjitës që në fillim, ai ka gjasa që të largohet menjëherë. Unë besoj se dërgimi i një mesazhi pas takimit të parë, pikërisht në kohën kur po shkoni të flini, është gjithmonë gjë e mirë, për të mos thënë e domosdoshme. Por një mesazh tipik i mirë në këtë rast mund të jetë: "Kalova me të vërtetë një natë shumë të këndshme me ty dhe do të më pëlqente të dilnim sërish". Kjo mund të pasohet nga mosdërgimi i mesazheve për disa ditë, për të mos treguar as interes të madh dhe as mungesë interesi, por thjesht për ta lënë lidhjen të qetësohet, në mënyrë që edhe dëshira të rikthehet me forcë pas disa ditësh. Duke i bërë gjërat në këtë mënyrë, pas takimit tuaj të parë ai ka krijuar një përshtypje pozitive për ty, por gjithashtu ti ia ke bërë të qartë se ke jetën tënde. Ai vetë e kupton se mund të vijojë jetën e vet dhe se lidhja me ty do të jetë një gjë e mirë shtesë, për të cilën nuk ka pse të sakrifikojë asgjë. Mesazhi i frikshëm 2: "Duhet të flasim." Një mesazh është një lloj "vrasësi" për lidhjen dhe nuk ka rëndësi nëse e dërgoni në mëngjes apo në mesnatë. Një mesazh i tillë është më shumë një qortim, një tërheqje vëmendjeje për diçka shumë të gabuar që ka bërë ai. Dhe për më tepër, ai do të duhet të marrë me mend se çfarë ka bërë ose çfarë ka ndodhur që të ka mërzitur, për shkak se ju nuk jepni shpjegime. E di që një vajzë mund të dërgojë një mesazh të tillë në përpjekje për ta nxjerrë jashtë loje një djalë ose për të krijuar tek ai ndjenjën e një shqetësimi urgjent, kur ajo ndihet e mërzitur. Por ka gjasa që ai do ta shohë një mesazh të tillë thjesht si një kurth dhe burim të një frustrimi para se të mësojë se për çfarë bëhet fjalë realisht. Pra, nëse ke nevojë të krijosh situatën "ne duhet të flasim" me dikë, thjesht merre në telefon dhe thuaji se çfarë nuk shkon, ose lëri një mesazh zanor nëse ai nuk e ngre telefonin. Dërgimi i një mesazhi është thjesht një torturë për të dhe as nuk do ta zgjidhë problemin tuaj. Mesazhi i frikshëm 3: "OK" Unë dashuroj të dërgoj mesazhe dhe në disa raste, mesazhet e mia bëhen tregime të shkurtra, ku përshkruhet pothuajse çdo gjë që më ndodh gjatë ditës. Por nëse dikush më përgjigjet me vetëm dy germa, atëherë duket sikur personi në fjalë nuk është fare i interesuar për mua. Mesazhi i frikshëm 4: "Sapo pashë këpucët më të bukura në botë." Ky mesazh mund të jetë shqetësues për një djalë në dy mënyra të ndryshme. E para, ai mund ta marrë këtë si një kërkesë për para për të paguar këto këpucët e bukura, ose ai mund të mendojë se po ecën drejt "zonës së miqve" me ju në vend që të mendojë në rolin e të dashurit. Mesazhet rastësore mbi çështje materiale mund të ngjajnë si komplote për ta bërë një mashkull të mendojë se kërkoni që ai t'ju blejë diçka. Burrat duan që gratë të jenë të drejtpërdrejta për atë që kërkojnë, dhe ato do të pëlqenin më shumë t'ju dëgjonin të thoshit "dua të m'i bësh dhuratë këto këpucë", dhe natyrisht do të ishte më mirë që një kërkesë e tillë të bëhej ballë për ballë, jo me mesazh. Mesazhi i frikshëm 5: Çdo mesazh që fillon me fjalët "mamaja ime tha se ne duhet të…" Nëse ke probleme të rëndësishme jete, dashurie apo marrëdhënieje për të zgjidhur, t'i dërgosh mesazh atij për të thënë se mamaja jote i ka zgjidhur të gjitha problemet duke zgjedhur lëvizjen e ardhshme në jetët tuaja… epo, na vjen keq ta themi, por ai ka shumë pak gjasa ta pëlqejë diçka të tillë. Një mashkull dëshiron të dijë se ju të dy do të merreni me ulje-ngritjet e jetës së bashku dhe megjithëse ai e di se prindërit mund të jenë këshilltarë të çmuar, dëshiron gjithashtu të dijë se ka një kufi që nuk do të kapërcehet kur vjen fjala për të folur rreth problemeve të marrëdhënieve tuaja me mamanë apo babanë tuaj. Duhet të përcaktoni mirë kufirin mbi çfarë mund të flitet nga marrëdhënia juaj me të tjerët dhe çfarë duhet të mbetet ngushtësisht mes jush. Mesazhi i frikshëm 6: "Sapo u takova/fola rastësisht me ish të dashurin tim." E shkuara ka një mënyrë shumë të keqe të rishfaqjes, shpesh në momentin më të gabuar dhe për shkak se jetët e kaq shumë njerëzve janë transferuar në internet, nuk është shumë e pazakontë që t'ju dalin në "Facebook" ish-ët. Sigurohu që çdo problem me ish-in të jetë jashtë jetës tënde, në mënyrë që e shkuara të mos kthehet në një forcë helmuese për mundësitë e tua për lumturi. Lëri dashuritë e vjetra të ikin e mos përmend asnjë prej tyre kurrë. |
| Nga Gjergj Bojaxhi/ “Ne nuk ikim nga ky vend. Të ikin ata nga politika” Posted: 02 Jun 2017 07:40 AM PDT Nga Gjergj Bojaxhi Ky vend ka shumë shpresë. Shumë. Gjithsesi duhet të kthejmë kokën para se të shohim përpara. Kaq i mirë ka qenë ky vend gjatë "Rilindjes" sa për katër vjet humbën shpresën 200.000 shqiptarë dhe lanë gjënë e tyre më të shtrenjtë: tokën ku ishin rritur, njerëzit e dashur pa të cilët s'jetonin, shoqërinë e zgjedhur në vite dhe shtëpitë që ndërtuan me aq mundim e sakrifica. U larguan se panë një vend që nuk drejtohet nga e drejta por nga militantizmi dhe njohjet personale. Ikën se "Rilindja" i humbi edhe shpresën e fundit, se pas zhgënjimeve të përsëritura nga Berisha, Nano, Meta, e së fundmi Rama. Pritën shtetin e së drejtës, do zhdukte korrupsionin në spitale, në emerimet e mësuesve, s'do shkarkonte punonjës për bindje politike apo s'do mbushte tatimet, doganat e gjithë tollovinë e inspektoreve me shtresën me të paaftë e hajdute të shoqërisë. Priten qe Edi të sillte intelektualë e jo të fortë në Parlament, të mos binte nën grackën e interesit të një privati për të hartuar ligjet e shtetit, të mos i jepte tendera e koncensione pafund atyre që i vardiseshin si çamçakiz pas këpucë. Së fundmi priten që Edi perveçse do i bente të kuroheshin pa lekë dhe të kishin ilaçe të paskaduara, nuk do lejonte që droga e grupet kriminale të shetisnin në makina shteterore – pasi ai "do bënte shtet". Do bënte shtet siç po premton sërish. Në fakt, të vetmet vende pune që hapi ishin ata pozicione që lanë bosh këta 200.000 që u arratisen nga sytë këmbët. Sërish ju gënjejnë, pasi qeveria nuk hap vende pune por i hap tregu. Të gjithë që ju premtojnë ju gënjejnë. Ndaj: Shqiptarët duhet të eleminojmë nga skena politike këtë 10 vjeçar PS-LSI-PD dhe ta ri-themelojmë klasën politike përmes qytetareve profesionistë dhe me integritet. Shqiptarët duhet të ngrenë çadra para selive të këtyre partive parlamentare ku t'i kërkojnë dorëheqjen nga politika dhe të ngrenë mbi ato gërmadha themelet e një politike të pastër që nuk ngatërron shtetin me pushtetin, ekspertët me militantët, ligjin me urdhërin. Ne, qytetarët e këtij vendi, duhet t'i prishim çdo skemë të tyre në parlamentin e ri që duan ta mbushin ose me femijët e të fortëve, ose me hajdutët e administratës. Përballë do na kenë edhe 10 apo 20 vjet, derisa ti provojmë shqiptareve që nje produkt i skaduar nuk bëhet më i fresket. Meta e pamë me bllok në dorë, nuk bëhet më i ndershëm, Basha është një i akuzuar që i iku me vrap drejtesise sone plakë, nuk bëhet më i ndershëm. Rama pushtoi nje shtet jo për të bërë shtet por për të bërë shtetin autoritar. Edhe ky nuk bëhet me i mire. Ne nuk ikim nga ky vend. Te ikin ata nga politika. Ne do rrisim fëmijët në këtë vend. Shqipëria ka shumë shpresë. Eshtë koha për ndërgjegjësim. Ne kemi planin për rimëkëmbjen e ekonomisë, kundër korrupsionit, departizimin e administrates dhe sigurinë ushqimore. Bashke jemi shume qe e duan kete gje. Bashke mundet. |
| Publikoi në media debatin me ministrin e Brendshëm, nën hetim oficeri gjyqësor Posted: 02 Jun 2017 07:35 AM PDT Përveç hetimeve që po zhvillohen për të përcaktuar shkaqet e dëmtimit të 140 tubuesve, prokuroria nisi hetimet edhe për procedurën e ndjekur se si u sekuestruan dy projektorë të përdorur gjatë mitingut. Shkak është bërë një video që tregon ministrin e Brendshëm, Dritan Demiraj teksa i ndërhyn me udhëzime oficerit të policisë gjyqësore, se sa projektorë duhet të sekuestronte. Por prokurorët thonë se oficeri i policisë gjyqësore, i cili po kërkonte sekuestron e projektorëve nuk ishte urdhëruar nga prokurori për të kryer një veprim të tillë sikurse pretendon në bisedën e filmuar. Është detyra e tij të kryente këtë veprim shpjegojnë burime të prokurorisë duke nënkuptuar me këtë veprim se ne fakt prokuroria nuk është penguar gjatë detyrës së saj. Materiali, siç thonë burimet jo zyrtare referuar kundër oficerit të policisë gjyqësore, nga strukturat e policisë së bashku me të dhënat për një efektiv tjetër të "Shqiponjave". Ky efektiv dyshohet se ka filmuar ministrin e Brendshëm me kamerën e trupit dhe prokurorët po synojnë të zbulojnë se si u shpërnda ky filmim. Burimet shpjegojnë se nuk ka hetime të nisura ndaj ministrit të Brendshëm, por ndaj oficerit të policisë gjyqësore. Më herët, Prokuroria refuzoi të regjistrojë ngjarjen ku u dëmtuan tubuesit demokratë për dyshimet e ndotjes së ajrit duke i regjistruar për pengim të aktivitetit elektoral. Megjithëse policia dyshon se dëmtimi i qytetarëve ndodhi nga projektorët, prokurorët kanë vendosur t'i kërkojnë ndihmë Gjermanisë për të marrë një përgjigje se çfarë u ndodhi 140 tubuesve në bulevard. |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |






Një bibliografi e veprave, kryesisht libra të Zanoviçit e ka bërë i ndjeri albanologu Vinçens Malaj. Përsa i përket shkrimeve në shtypin europian që ka botuar Zanoviçi në disa gjuhë është e pamundur të bëhet një bibliografi e saktë.


#GratëeBashkuaraMePartinëSocialiste
të votojnë kuqezi
nr.✌️)