Tirana Observer: “Më thuaj si e humbe virgjërinë, të të them si e ke jetën seksuale” plus 9 more |
- Më thuaj si e humbe virgjërinë, të të them si e ke jetën seksuale
- Nga Astrit Patozi/ Kush po e ha karremin e helmuar të Edi Ramës?
- FOTO: Grida Duma mbi motor, Basha dhe Rama, anëtarë të Bandës së Engjëjve të Ferrit
- Juventus-Real, formacioni ideal: Sulmi me Ronaldo-Dybala, përrallor
- “Nuk dukesh e shëndoshë me atë fustan”, 13 gënjeshtrat që i thonë të gjithë meshkujt
- Nga Artan Fuga/ 60 kërkesa Lulzim Bashës!
- Shpenzimet e fushatës çojnë euron në nivele rekord të ulëta në tregun shqiptar
- Harta globale, Shqipëria në zonën e kuqe të rrezikut për vdekjet e shkaktuara nga duhanpirja
- Dëshmitari i vrasjes së Azem Hajdarit rrezikon burgun
- Sondazhi që trazoi LSI-në: Të gjitha polemikat dhe konspiracionet
| Më thuaj si e humbe virgjërinë, të të them si e ke jetën seksuale Posted: 01 Jun 2017 09:21 AM PDT Mënyrat dhe rrethanat në të cilat personat e humbin virgjërninë lënë gjurmë gjatë gjithë jetës së dikujt. Kështu kanë zbuluar shkencëtarët e psikologjisë në Universitetin e Teksasit. Sipas studimit, sa më vonë që një person ta nisë jetën seksuale, jo vetëm që do të ketë një nivel më të lartë arsimi dhe të ardhurash, por shton edhe mundësitë që të mos zhgënjehet në pjesën tjetër të jetës prej të rrituri. Megjithatë studimi ka zbuluar se ata që fillojnë me vonesë jetën seksuale, janë më pak të pëlqyer për martesë dhe për të pasur marrëdhënie të zjarrta dashurie. Grupi i personave të studiuar përbëhej nga 1659 të rinj prej moshës 16 deri në 29 vjeç. E veçanta e studimit është se pjesëmarrësit u grupuan sipas moshës së fillimit të eksperiencës seksuale. "Të hershmit", ishin ata që kishin filluar marrëdhëniet para moshës 15 vjeç, "në kohë" ata që i kishin nisur marrëdhëniet nga mosha 15-19 vjeç dhe të vonuarit, ata që i kishin filluar mbi 19 vjeç. Për të gjithë personat që pyesin veten se kur është koha e duhur për fillimin e marrëdhënieve, specialistët shprehen se kjo është diçka që varet nga partnerët. Ka mënyra të ndryshme për të treguar se jeni gati për momentin e shumëpritur, këtu përfshihen çastet kur ju nuk ndiheni në siklet teksa qëndroni të zhveshur përpara partnerit, apo edhe kur ndieni se puthjet mes jush janë vërtet shumë të ëmbla. Studimi gjithashtu pretendon se, koha në të cilën fillohen marrëdhëniet seksuale parashikon qëndrueshmërinë e lidhjeve të krijuara deri në moshën 30-vjeçare. "Të vonuarit" e marrëdhënieve seksuale shpesh janë shumë përzgjedhës në lidhje me vendosjen për një partner apo për fillimin e një lidhjeje. Kjo shpjegon se përse ata ngurrojnë për të hyrë në një marrëdhënie. Është zbuluar gjithashtu se të rinjtë janë më optimistë mbi jetëgjatësinë e dashurisë, duke treguar se personat nga 18-29 vjeç presin që martesa e tyre të zgjasë përjetësisht. Por edhe nëse ju e gjeni veten te personat që kanë filluar marrëdhëniet herët, lajmi i mirë është se një studim i mëparshëm ka zbuluar se adoleshentët që kanë kryer seks më herët se 15 vjeç, kanë më pak mundësi të kenë probleme me shkeljen e ligjit. Është shumë e rëndësishme të kuptohen sesa shumë ndikojnë marrëdhëniet seksuale në të ardhmen e jetës së njeriut. Nga ana tjetër, studiuesit e Universitetit të Tenesit dhe Misisipit kanë intervistuar 206 femra dhe 113 meshkuj në lidhje me kohën dhe mënyrën sesi ata e kanë humbur virgjërinë, sa të kënaqur ishin dhe sa prej tyre ishin penduar. Hera e parë përshkruhej prej të gjithëve me terma si: "e sikletshme", "negative", "lidhje", "muzg". Atyre iu kërkua të tregonin për jetën e tanishme seksuale në lidhje me kontrollin, kënaqësinë dhe mirëqenien e përgjithshme. Pastaj për dy javët e ardhshme, personave të studiuar iu kërkua të mbanin ditarë seksualë, për të përshkruar dhe vlerësuar të gjitha marrëdhëniet e tyre seksuale apo takimet që kishin si qëllim seksin. Personat që kishin kaluar në mënyrë të këndshme herën e tyre të parë, u shprehën se eksperiencat e ardhshme kishin sjellë shumë kënaqësi dhe se kishin kaluar më pak depresion seksual. Të ndierit të dashuruar dhe të respektuar nga partneri i tyre kishte shtuar kënaqësinë emocionale dhe fizike më vonë dhe kishte ndikuar në mënyrën sesi personat në fjalë, kishin kaluar situatat e vështira në të ardhmen. Grupi i të studiuarve, të cilët herën e tyre të parë e kishin kaluar me stres dhe ankth, ishte i ekspozuar drejt një niveli më të ulët të kënaqësisë. Rezultatet e këtij studimi sugjerojnë se humbja e virgjërisë është më shumë se vetëm një pikënisje për jetën seksuale, duket se ajo sjell pasoja në vitet e ardhshme. Megjithatë ky studim nuk provon se domosdoshmërisht personat që e kanë humbur virgjërinë në mënyrë të dhimbshme kanë pasur një jetë seksuale të tillë, autorët e studimit kanë si qëllim parësor nënvijëzimin e idesë se, mendimet që kemi krijuar nga hera jonë e parë ndikojnë shumë në përvojat e mëpasshme. |
| Nga Astrit Patozi/ Kush po e ha karremin e helmuar të Edi Ramës? Posted: 01 Jun 2017 09:11 AM PDT Legjenda e një koalicioni të madh pas zgjedhjeve po qëndron në qendër të fushatës së nëndheshme të 3 partive më të mëdha në garë, ndërkohë që po përbyllet java e parë, që kur PD zbriti më në fund në betejë. Është fare e qartë dhe e dukshme se kjo fabul e kudogjendur sot në Shqipëri, sa në terren, aq edhe në tribunat apo ekranet mediatike, është krijuar dhe ushqehet përditë nga Edi Rama, i cili është i vetmi përfitues nga efektet e saj. Kryeministri, i cili qëndroi në detyrë, falë një marrëveshjeje, që u paraqit si një lëshim i bollshëm për opozitën, po përpiqet të konsolidojë perceptimin se PS dhe PD janë marrë vesh tashmë që të jenë bashkë në një qeveri joteknike pas 25 qershorit. Bashkëqeverisja në koalicionin e madhe është sporti më popullor sot në fushatën kapilare të partive, por në fakt jehonën më të madhe negative ajo e ka nga komentet dhe analizat e mediave të Tiranës. Po pse them se Edi Rama është krijuesi dhe përfituesi i vetëm i kësaj loje të pistë me zgjedhjet, e cila pretendon të zëvendësojë atë humbje që mund t'i shkaktojë llogarive të tij paraelektorale pamundësia e pjeshme për t'i vjedhur apo blerë votat, pas arritjes se marrëveshjes? Sepse duke krijuar idenë e rreme të një detanteje të gjatë politike në Shqipëri, Edi Rama po përpiqet të vrasë me një gur dy zogj, duke dëmtuar njëkohësisht planet dhe fuqinë elektorale të Partisë Demokratike dhe të LSI-së. Nga njëra anë, koalicioni i madh dhe i mbyllur në tavolinë paraprakisht mes Bashës dhe Ramës dekurajon fushatën e demokratëve, sepse pritshmëria e tyre për rezultatin e zgjedhjeve dhe për të ardhmen e qeverisjes ka qenë krejtësisht tjetër para marrëveshjes. Vijoj të këmbëngul me forcë se ajo është qasja me e gabuar që mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme shfrytëzimin e kapaciteteve reale të Partisë Demokratike, në funksion të rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit. Por një bashkëqeverisje PD-PS nga ana tjetër hedh në erë shpresat e LSI-së për të qenë sërish "king maker" në qeverinë e ardhshme, që ka qenë edhe gjeneratori i vetëm i fushatave të saj në të paktën në dy zgjedhjet e fundit. Duke u kapur në befasi, partia e Ilir Metës me kryetar Petrit Vasilin, duket qartë se e ka të vështirë të përshatet për të gjetur një strategji tjetër fituese. Sa nga koha e pakët që ka në dispozicion, por më shumë ngaqë është e pamësuar të jetojë larg pushtetit, pa të cilin e ka të pamundur të ruajë raportin e kleringut të drejtpëdrejtë, që ka me votuesit e saj. Por si po sillen të dy targetuarit e Edi Ramës me këtë karrem të helmuar politik? LSI-ja po përpiqet të krijojë përshtypjen se është e pashqetësuar nga kjo lojë e Partisë Socialiste, duke fryrë pa kursim përmasat e saj dhe duke e paraqitur veten si pretendente reale për të qenë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit. Por, sipas meje, kjo përpjekje e sforcuar dhe shumë larg të së vërtetës, e bën shumë qesharake, dhe në vënd që ta mbulojë, e zbulon më shumë, vështirësinë e Ilir Metës në këto zgjedhje. Ndonëse fati politik i LSI-së nuk më intereson shumë, mendoj se ajo ka bërë zgjedhjen më të gabuar për t'iu përgjigjur këtij sulmi kibernetik të Edi Ramës, që në ditët e para të betejës elektorale. Dhe për rrjedhojë ka shumë gjasa që pasojat e tij të reflektohen në rezultatin final. Në ndryshim me Ilir Metën, PD ka zgjedhur të mbrohet nga ky diversion, duke u distancuar publikisht nga mundësia e një koalicioni të madh, idea e të cilit do të zbehte energjitë e demokratëve në fushatë. Lulzim Basha, që udhëheq opozitën e bashkuar nën siglën e Partisë Demokratike, ka deklaruar disa herë me forcë se nuk do të ketë pazar me Edi Ramën dhe LSI-së, duke fashitur cdo zë tjetër, qëndror ose periferik të opozitës, që i fryn kësaj legjende me pasoja shkatërruese. Kam bindjen, se kjo është mënyra më e mirë dhe e vetmja që Partia Demokratike të ruajë, jo vetëm ritmin e fushatës së vet, por dhe objektivat e saj për të fituar më 25 qershor. |
| FOTO: Grida Duma mbi motor, Basha dhe Rama, anëtarë të Bandës së Engjëjve të Ferrit Posted: 01 Jun 2017 09:00 AM PDT Vendi është në prag fushate zgjedhore dhe ato që dëgjohen më shumë janë thirrjet e politikanëve që mundohen të marrin sa më shumë vota. Duke shfrytëzuar fushatën, Brryli Broadway, një faqe popullore në Facebook i ka transformuar politikanë tanë në figura nga më të ndryshmet, ku mund të shikoni Grida Dumën mbi motor, apo Ramë, Bashën, Nanon dhe Berishën si anëtarë të Bandës së Engjëjve të Ferrit. ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() |
| Juventus-Real, formacioni ideal: Sulmi me Ronaldo-Dybala, përrallor Posted: 01 Jun 2017 08:45 AM PDT Juventus-i dhe Real Madrid-i do të diskutojnë finalen e Ligës së Kampioneve në Kardif. Ndërkohë "Goal" ka krahasuar 11-et respektive të të dyja skuadrave duke përftuar 11-en e kombinuar.
Gianluigi Buffon | Juventus Torino | Nëse "Zonja e Vjetër" nuk ka pësuar veçse tre gola që nga fillimi i kompeticionit, ajo i detyrohet shumë legjendës së saj 39-vjeçar. Buffon ka qenë gjithmonë në ndjekje të trofeut të Champions-it dhe do të jetë shumë i motivuar për të ngritur në fund kupën me "veshë të mëdhenj". Dani Carvajal | Real Madrid | Mbrojtësi i djathtë i shpejtë, i aftë të shndërrohet në një rrezik të madh për kundërshtarin. Dani Carvajal është bërë një lojtar i kompletuar këtë sezon. Për kënaqësinë e madhe të Zidane. Leonardo Bonucci | Juventus Torino | Shumë komod në rinisje, ashtu si në mbrojtje, Bonucci dallohet në radhë të parë për cilësinë e pasimeve të tij. Lojtari bardhezi është një libero i vërtetë, jetik për "Zonjën e Vjetër". Sergio Ramos | Real Madrid | Këtë herë, nuk ka patur nevojë të përfshihet në aspektin ofensiv për t'a çuar Real Madrid-in në finale të Ligës së Kampioneve. Shumë i rregullt, autoritar, Sergio Ramos mbetet një rrezik konstant në fazën e ndalimit.
Daniel Alves | Juventus Torino | Ai e di se çfarë duhet për të fituar Ligën e Kampioneve të cilën e ka fituar 3 herë më fanelën e Barça-s, e cila "vajton" ende largimin e tij. "Zonja e Vjetër" mund t'i gëzohet goditjes së saj. Dani Alves është vendimtar këtë sezon. Sami Khedira | Juventus Torino | Ish-mesfushori i Real Madrid-it, Khedira do të rigjejë disa nga ish-shokët e tij në Kardif. Ndoshta ju ka rezervuar një surprizë të keqe? Toni Kroos | Real Madrid | "Nga mënyra se si luan, ai më kujton shumë veten time, është thuajse trashëgimtari im në këtë pozicion". Kur Xavi flet për Kroos…
Luka Modric | Real Madrid | Jo gjithmonë në nivel të lartë këtë sezon, Modric ka rigjetur frymëzimin javët e fundit. Deri në atë pikë sa për të ndikuar në finale? Është e mundur. Paulo Dybala | Juventus Torino | Ai është argjentinas, sallaks dhe ëndërron Ligën e Kampioneve, për të parë Topin e Artë. Dybala ka rastin të konfirmojë pozitat e tij si një trashëgimtar i mundshëm i Lionel Messi-t. Edhe pse rruga do të jetë shumë e gajtë.
Karim Benzema | Real Madrid | Aksioni i tij kundër Atletico Madrid-it ka treguar se deri në ç'pikë Benzema është një lojtar ndryshe nga të tjerët. Një 9 që nuk ka të ngjashëm. Një interpretues i shkëlqyer i futbollit. Cristiano Ronaldo | Real Madrid | Më golashënues se kurrë pas evolucionit të ri, Ronaldo ka ditur të përshtatet me rolin në bazë. Ai dëshiron të shkruajë historinë në Champions League dhe Juve është e paralajmëruar. |
| “Nuk dukesh e shëndoshë me atë fustan”, 13 gënjeshtrat që i thonë të gjithë meshkujt Posted: 01 Jun 2017 08:35 AM PDT Nëse e dini përgjigjen e një pyetjeje, por jeni e dëshpëruar për një të vërtetë që nuk ekziston, meshkujt janë gjithnjë aty, të gatshëm t'ju thonë gënjeshtrat e mëposhtme. 1. "Jo, ajo nuk po flirtonte me mua" Këtë gënjeshtër mund ta dëgjoni në shumë mjedise, si në ato të hapura, për shembull, kur bëni një shëtitje në natyrë, ashtu edhe në ato të mbyllura, fjala bie në një bar ku ju po shijoni një pije. Meshkujt priren të mos e pranojnë kurrë që një femër tjetër po flirtonte me ta, kjo sepse ata përpiqen të shmangin reagimin e tepruar të partneres. Edhe nëse ndonjë flirt sado i vogël është duke ndodhur, meshkujt nuk do ta pranojnë kurrë dhe gjithnjë do ta gënjejnë atë që kanë në krah për këtë fakt. 2. "Nuk dukesh e shëndoshë me atë fustan" Të gjithë burrat që njihni, nëse i pyesni se si ju rri një veshje dhe nëse ju bën të dukeni e shëndoshë, do t'ju përgjigjen me një "Joooo" të madhe. Gjithsesi ejani në vete, është një gënjeshtër e rëndomtë. Besojini instinktit tuaj dhe asaj që shihni në pasqyrë. Nëse ndiheni e shëndoshë, dobësohuni. Ai mund t'ju thotë që jeni shumë mirë, por në fakt mund të parapëlqejë të frekuentojë një tjetër vetëm prej këtij shkaku. 3. "Jo, unë nuk i shoh ato gjëra" Të gjithë meshkujt vizitojnë faqe interneti për të rritur herë pas here. Nëse partneri juaj e refuzon këtë, për fat të keq po ju gënjen. Gjithsesi mos i ushtroni shumë presion, në fakt është më mirë të mos e pyesni fare për këtë gjë, merreni vetë me mend të vërtetën. Përgjigjja e pyetjes suaj është "Po, zemër unë shoh materiale pornografike, por natyrisht që nuk do të ta pohoj ty që të nxehesh dhe të fillosh një grindje për faktin se ti nuk më mjafton dhe se trupi yt nuk më pëlqen". 4. "Jam i rëndësishëm në vendin e punës" Sa i rëndësishëm? Një president apo një drejtor? Nëse nuk është një nga këto të dyja, atëherë patjetër, përfshirë edhe rastet e sipërpërmendura, është i zëvendësueshëm dhe jo tepër i rëndësishëm. Meshkujve u pëlqen t'ia rrisin vlerën vetes, ashtu sikurse edhe femrat. Kur bëhet fjalë për punën, egoja është akoma më e madhe. 5. "Edhe unë të dua" Nuk qëndron problemi vetëm te fjala "të dua", por pothuajse në çdo gjë që një mashkull është i detyruar t'i përgjigjet "edhe unë". Ai nuk do që ju të mendoni se nuk ju kupton apo se nuk është i të njëjtit nivel me ju, ndaj nëse i thoni se pëlqeni diçka, do t'ua konfirmojë se i pëlqen edhe atij. Fundja, e sheh si më të lehtë sesa të fillojë një argumentim të gjatë të arsyes përse nuk e pëlqen dhe një mbrojtje të pamundur se përse pëlqen të kundërtën. 6. Gjatësia Kjo gënjeshtër nuk funksionon në jetën e vërtetë, por në internet do ta hasni shumë. Meshkujve u pëlqen të gënjejnë për gjatësinë e tyre. Nëse janë 175 centimetra, do ta bëjnë 180 centimetra e kështu me radhë. Ndonëse mund t'i ndihmojë në caktimin e një takimi të parë, kjo gënjeshtër nuk u siguron një të dytë. 7. "Të betohem, me kaq vajza kam qenë" Femra, nëse e pyesni mashkullin tuaj se me sa të tjera ka qenë, përgatituni të dëgjoni një gënjeshtër. Nuk ka numër të saktë. Nëse numri është i vogël, ka gjasa që ai ta rrisë, nëse është e kundërta ai do ta ulë sa më shumë të mundet. Nëse po kërkoni të vërtetën, më mirë mos e pyesni fare. 8. "Nuk e shoh me atë sy filanen" Nëse mendoni se mikeshat tuaja janë tërheqëse, atëherë mos e vini në dyshim se edhe ai mendon të njëjtën gjë. Sado ta mohojë, mos ia vini veshin. Ai jo vetëm që e ka parë me atë sy, por mund ta ketë çuar fantazinë edhe pak më larg se aq. 9. "Bëj shumë gjëra" Asnjë burrë nuk do ta pranojë se atë nuk e tërheq gjë tjetër veç televizorit dhe kompjuterit. Nëse po kërkoni ndonjë interes të fshehur të tij, si leximi i librave, historia e artit modern, ngjitja e maleve apo zbulimet shkencore, i keni hyrë një çështjeje të thellë. Përgjigjja e saktë është televiziori dhe interneti, kaq. 10. Mosha Nuk janë vetëm femrat ato që luajnë me moshën, mesa duket edhe meshkujt gënjejnë për këtë fakt. Të rinjtë pëlqejnë të shtojnë ca muaj e vite, të mëdhenjtë natyrisht i ulin disa për të qenë sa më sportiv. Por përse të lodheni? Harrojini pyetjet në momente sinqeriteti dhe dehjeje, hapini pasaportën dhe mësoni të vërtetën. 11. Përmasa Kur bëhet fjalë për të treguar përmasat e tyre, të gjithë meshkujt pa përjashtim, gënjejnë duke shtuar disa centimetra. Natyrisht që ata mendojnë se po flitet për krenarinë e tyre mashkullore dhe cili është ai mashkull që nuk dëshiron më të mirën për veten? E vetmja mënyrë për të marrë vesh të vërtetën, është të hamendësoni. 12. "Jam mirë" Kjo fjali mendohet prej shumë kohësh si një gënjeshtër e praktikuar përgjithësisht nga femrat, por në fakt studimet tregojnë se edhe 52 për qind e meshkujve e përdorin. Meshkujt e urrejnë me të vërtetë të flasin për ndjenjat e tyre, ndaj e shohin si më të arsyeshme që thjesht të pretendojnë se janë mirë. 13. "Do të flasim më vonë për këtë" Ai do të thotë "kurrë", sepse nëse e lë një bisedë për më vonë, ideja është se nuk do të flasë për atë gjë as nesër, as pasnesër dhe as kurrë. Kursejini vetes një gënjeshtër. Lëreni dhe ju bisedën me aq. Ose mund të vazhdoni me guxim dhe do të përfundoni duke marrë një "ke të drejtë" të hershme ose akoma më keq, një grindje të panevojshme që ai do të mendojë se e kërkuat vetë. |
| Nga Artan Fuga/ 60 kërkesa Lulzim Bashës! Posted: 01 Jun 2017 08:21 AM PDT I nderuar z. Lulzim Basha po ju drejtohem si qytetar me këtë letër publike që të përfshini në përmbajtjen e fushatës elektorale edhe këto 60 kërkesa për rinovimin e administratës publike shqiptare, dhe pak më gjerë, sepse ajo ka mbetur po aq banale dhe mediokre sa edhe ajo e dëshmuar si fiksion nga filmi “Koncert në vitin 36”, e këtej, pra e Baba Qemos! Pse juve? Sepse si jurist e njihni sa të rëndësishme janë reformat në administratë, si opozitë keni detyrë ta shkundni debatin elektoral me novacione dhe jo të përgjumemi si qytetarë, sepse i një partie të djathtë e kuptoni se përpos fushatës është halli te elitat teknike dhe burokratike të vendit që vuajnë deri në vjellje! Pastaj edhe republika e re! Kërkesat: 1. Hiqen të gjitha privilegjet në pensione apo në trajtime të tjera shërbëtorëve të parë publikë, deputetëve! Trajtimi i tyre material i privilegjuar është një atentat ndaj barazisë së shtetasve dhe thyen barazinë e tyre para ligjit. 2. Të gjithë ata punonjës të administratës që gjyqi me vendim i kthen në punë, është e detyrueshme të kthehen në punë dhe rrogat e paguara zëvendësuesve apo atyre vetë pa bërë punë, t’u vihen në ngarkim përgjegjsve të tyre. 3. Asnjë nëpunës nuk mund të bëjë “kërcime” në karrierë, dhe të ngrihet më lart se dy rrangje nga pozicioni që mbante më parë. Karriera graduale është zëmra e burokracisë. 4. Hiqet dorë nga praktika e republikës së vjetër që ministritë ndahen si llokma elektorale ndaj partie politike në koalicion. Mos e ndani shtetin sipas partive aq sa një partie e trashëgon një ministri nga fillimi deri në fund të një mandati legjislativ. Kjo është e turpshme! 5. Administrata publike, cdo agjenci e saj, ministri apo drejtori, duhet të bëjë cdo vit bilancin e arritjeve dhe të metave duke e botuar në një raport publik vjetor të botuar dhe me akses për cdo qytetar dhe sipërmarrje. 6. Kërkohet që ministrat në krye të 2 vjetëve në detyrë të dalin në riafirmim të postit të tyre vetëm pasi të marrim besimin e komisioneve parlamentare përkatëse dhe të kuvendit. Cdo ministër brenda dy viteve votëbesohet individualisht. 7. Asnjë ministër të mos jetë deputet sepse kjo infekton rëndë ndarjen e pushteteve. Madje as kryeministri nuk ka përse të jetë deputet! Aktualisht që prej “shekujsh” kryeministri në fakt drejton me sy e me vetulla edhe punimet e kuvendit! 8.Asnjë antar partie në administratë. Kush hyn në administratën publike dorëzon teserën e partisë. 9. Asnjë punonjës i administratës publike, si policët dhe oficerëtj, edhe ata, nuk kanë të drejtë të dalin në fushata dhe mitingje elektorale as para puble as pas buke, pra as në orarin zyrtar dhe as pas tij. 10. Cdo punonjës i administratës publike duke përfshirë edhe vetë ministrat në rast se kandidojnë në një fushatë elektorale duhet të japin më parë dorëheqjen nga posti që mbajnë! 11. Të njihet e drejta e punonjëve të administratës publike për të krijuar dhe marrë pjesë në Unionin profesional të administratës publike si përfaqësuesja kolektive e interesave të punonjësve të kësaj administrate në mbrojtjen e tyre në punë. 12. Pasi të bëhet monitorimi dhe matja e proceseve të punës të shfryhet administrata publike së paku në 50% të numrit aktual të punonjësve që vjen për arsye trafiqesh të mirëfillta elektorale. 13. Asnjë i afërm i rrethit të parë familjar të një ministri, deputeti, etj., i ngjashëm me ta, nuk mund të punësohet në administratën publike pasi të parët kanë marrë postet përkatëse. Familjariteti po bën kërdinë. Kjo të aplikohet edhe për pronarët e cdo medieje. 14. Në asnjë administratë publike nuk mund të punojnë njëkohësisht, burri dhe gruaja, prindërit dhe fëmijët, vëllezër e motra. 15. I gjithë dokumentacioni jo sekret shtetëror i cdo administrate publike të vendoset on line dhe të jetë i aksesueshëm nga cdo qytetar i interesuar, sipas parimit të “open source”. 16. Cdo moskthim përgjigjeje brenda një afati shumë të shkurtër kohor të përcaktuar me ligj nga ana e një nëpunësi ndaj qytetarit të ndëshkohet me gjoba dhe masa të tjera administrative dhe të shënohet në cv e nëpunësit. 17. Rrogat dhe shpërblimet e nëpunësve të administratës të ndahen në dy pjesë, paga fikse dhe paga në funksion të performancës personale vjetore të cdo nëpunësi ose drejtorie. 18. Të konceptohet dhe përpilohet karta etike për nëpunësin e administratës publike dhe të shpallet dhe të bëhet e detyrueshme vendosja e saj në cdo zyrë administrate dhe në hyrje të cdo institucioni. 19. Asnjë punonjës administrate publike të mos emërohet në detyrë pa pasur notën mesatare mbi 8,5 gjatë diplomimit të tij. Forumet rinore të partive politike janë bërë tramplina punësimi në administratë e të rinjve. 20. Cdo administratë të hapi dhe të modernizojë sipas kritereve zyrën e ankimimeve publike dhe kjo të jetë pjesë e komunikimit publik e administratës që tani pothuajse është zhdukur. 21. Asnjë titullar nuk ka të drejtë të emërojë një të afërm të tij edhe të shkallës së dytë a të tretë të lidhjes familjare pasi është emëruar në detyrë. 22. Askush nuk mund të qendrojë nëpunës sado i ulët në administratë nëse për të ka një vendim dënimi nga gjykata. 23. Cdo nëpunës i administratës publike duhet që të ketë tre diploma, atë universitare, të një gjuhe të huaj, si edhe diplomën e shkollës së administratës publike, të një niveli të caktuar, marrë jo më larg sesa tre vjet nga data e emërimit të tij. 24. Cdo nëpunës duhet të certifikojë cdo pesë vjet kompetencat e duhura për vendin e tij të punës. 25. Cdo shkelje financiare administrative e konstatuar nga kontrolli i lartë i shtetit është në ngarkim të titullarëve të institucionit. 26. Kryeministri të detyrohet që cdo shkelje të konstatuar nga kontrolli i lartë i shtetit ta dërgojë edhe ai në Prokurori. 27. Të krijohet agjencia qendrore e etikës të administratës publike, e cila survejon dhe vigjëlon për deontologjinë e nëpunësit të administratës publike. 28. Të krijohet shërbimi administrativ on line për qytetarët. 29. Të gjitha shërbimet e thjeshta administrative që nuk prodhojnë parà të jenë falas për personat fizikë. 30. Në cdo administratë, femrat të jenë jo më pak se 50 përqind e numrit të përgjithshëm të nëpunësve. 31. Të gjitha ndërtesat e administratës publike të bëhen urgjentisht të aksesueshme për personat me aftësi fizike të kufizuara. 32. Në të gjitha mjediset e shërbimeve të administratës publike ose në “open space” të vendosen kamera të monitorueshme. 33. Ndalohen marrjet e dhuratave dhe pasuria e cdo punonjësi të administratës publike të monitorohet me detyrimin për t’u justifikuar në cdo cast dhe pas cdo periudhe, në hyrje apo gjate ushtrimit të detyrës. 34. Asnjë nëpunës nuk mund të ushtrojë një detyrë nëse ai ose familja e tij janë në konflikt interesi midis të mirës publike dhe interesave private të tij. 35. Asnjë nëpunës nuk mund të jetë në detyrë nëse ai ose pjestarë të rrethit të tij të parë familjar ushtrojnë biznese në atë fushë që mbulon administrata përkatëse. 36. Punonjësit e administratës në shërbim të qytetarit duhet të jen me uniforma. 37. Zyrat e burimeve njerëzore plotësojnë cdo vit cv e nëpunësve duke dhënë vlerësimet përkatëse sipas standarteve përkatëse. 38. Vlerësimi vjetor i nëpunësve bëhet me sistem vlerësimi cilësor dhe sasior me notat përkatëse. Pa pasur një nivel të caktuar vlerësuar nga komisioni përkatës, askush nuk mund të ngrihet në detyrë ose në rang. 39. Në cdo administratë qendrore krijohen këshillat e vlerësimit të karrierës të nëpunësve të përbëra nga specialistë të jashtëm caktuar nga agjenci të jashtme tekniko-shkencore, nga përfaqësues të personelit si edhe nga pushteti ekzekutiv. 40. Asnjë nëpunës i administratës publike nuk mund të rikthehet, pasi ka ikur nga kjo administratë, në po atë nivel dhe rang ku ka qenë, ose më poshtë tij. 41. Të vendosen rangjet e nëpunësve të administratës publike. 42. Cdo nëpunës së pak 10 përqind të ditëve të punës gjatë një viti duhet t’i ketë të planizuara në terren. 43. 50 përqind e agjencive apo departamenteve të administratës publike të cvendoset nga Tirana nëpër rrethe në kuadrin e decentralizimit territorial të administratës publike. 44. Të hiqen këshilltarët e jashtëm që shpesh janë qoka akorduar militantëve apo beniaminëve personalë. 45. Asnjë ministër të mos drejtojë borde ose keshilla brenda administratës që ai drejton politikisht. 46. 10 përqind e nëpunësve të jenë me kohë të pjesëshme pune, ardhur nga agjenci dhe institucione teknike ku vazhdojnë pa shkëputje punën e tyre. 47. Të krijohet qendra e novacionit të vazhdueshëm administratës publike. 48. 10 përqind e investimeve të negociuara nga një administratë të përdoren për inovacionin e saj, për përmirësimin e bazës teknologjike, si edhe për shperblime për punonjësit e saj. 49. Asnjë tenderim nuk mund të kryhet sipas vendimeve të administratës, por me praktikat e ankandit publik. 50. Të vendosen medaljet e punës në administratën publike dhe të shoqërohen me motivet përkatëse materiale, morale dhe të karrierës. 51. Punonjësi civil të pajiset detyrimisht me adresë web dhe të jetë i detyruar t’i përgjigjet kërkesave, pyetjeve dhe vërejtjeve qytetare on line. 52. Mosha mesatare e të gjithë punonjësve të administratës publike në cdo agjenci të variojë midis 35 dhe 50 vjeç. 53. Asnjë punonjës që nis për të herë të parë një marrëdhënie pune në administratën publike të mos ketë të drejtë ta nisi me një rang më të lartë sesa rangu më i ulët. 54. Punonjësi i administratës publike të përfitojë nga shërbimet restoratore dhe të kafenesë në qendrën e tij të punësimit me tarifa të veçanta. 55. Punonjësi i administratës publike veç kryeministrit nuk mund të përdori asnjë mjet transporti zyrtar (veturë) jashtë shërbimeve zyrtare që kryhen. 56. Punonjësi i administratës publike të ketë të drejtën e përfitimit të shpërblimeve suplementare në varësi të të ardhurave që krijohen në sektorin që mbulon si pasojë e punës së tij. 57. Të përcaktohen “gabimet e rënda etike dhe profesionale” në krye të detyrës dhe masat disiplinore që i shoqërojnë ato. 58. Punonjësi i administratës publike përfiton bonuese financiare sipas shkallëve të ndryshme për cdo periudhë kohe pune në këtë administratë. 59. Punonjësi i administratës publike edhe pas pesë vitesh nga dalja prej pune nga kjo administratë nuk ka të drejtë të punojë në sektorin privat që administrata në fjalë ka mbuluar. 60. Punonjësi i administratës publike me kohë pune të plotë nuk ka të drejtë të punojë pas orarit të punës në një biznes që funksionon në sektorin që ajo mbulon. |
| Shpenzimet e fushatës çojnë euron në nivele rekord të ulëta në tregun shqiptar Posted: 01 Jun 2017 08:15 AM PDT Teksa euro në bursat ndërkombëtare ka arritur nivelet me të larta të këmbimit nga fillimi i vitit, në Shqipëri arrin rekord të ri të ulët të 9 viteve… Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e përbashkët këmbehet sot me 134.12 lekë, duke shënuar një nivel të ri të ulët prej gati nëntë vitesh, raporton Monitor. Ndërsa në tregun vendas, euro është zhvlerësuar ndjeshëm, në tregjet ndërkombëtare euro ka kapur nivelet më të larta të këmbimit në raport me dollarin amerikan nga shtatori i vitit të shkuar, ku sot 1EUR këmbehej me 1.13 USD. Leku është forcuar dhe përkundrejt dollarit amerikan, duke u këmbyer sot me 119.47 lekë. Sipas ekspertëve të tregut një ndër arsyet që po zhvlerësohet euro lidhet me faktin që shpenzimet e fushatës elektorale këtë vit kanë qenë në një pjesë të konsiderueshme në valutë, ndryshe nga vitet e mëparshme, kur ato ishin përgjithësisht në lekë. Ekspertët e agjencive valutore pohojnë se edhe posterat, apo shpenzime të tjera paguhen përgjithësisht në valutë, duke rritur ofertën në euro. Arsye tjetër e mbi ofertës së valutës në treg, sipas ekspertëve të tregut, kanë qenë dhe investimet e kryera nga projekti TAP, si pagat, punimet në rrugët dytësore, apo shpenzimet për transportin e tubave dhe ruajtjen fizike të tyre. Pritshmëritë, euro mund të zbresë edhe në 132 lekë Ekspertët e tregut pohojnë që euro të vijojë të qëndrojë e dobët të paktën deri në përfundim të zgjedhjeve, për shkak të shpenzimeve në euro. Por, edhe pas zgjedhjeve, oferta në euro pritet të jetë sërish e lartë. Kjo pasi dita e zgjedhjeve këtë vit ka përkuar me ditën e fundit të ramazanit për besimtarët myslimanë, dhe pas përfundimit të ramazanit rritet fluksi i turistëve nga Kosova, ndaj pritet që euro të arrijë përsëri nivele të ulëta në javën e fundit të qershorit dhe javën e parë të korrikut. Në përgjithësi tregu vendas i këmbimit ndikohet nga flukset hyrëse dhe dalëse të valutës, prandaj do të reflektohen në treg prurjet valutore nga turistët. Sipas ekspertëve parashikohet se trendi normal i euros do të jetë midis 132 lekëve (niveli më i ulët) dhe 136 lekë (niveli më i lartë). Nëse gjatë verës këmbimi i euros me lekun mund të zbresë nën 132 lekë, ka pak gjasa që euro të shkojë në nivelin e 137 lekëve. |
| Harta globale, Shqipëria në zonën e kuqe të rrezikut për vdekjet e shkaktuara nga duhanpirja Posted: 01 Jun 2017 07:54 AM PDT Shqipëria renditet ndër 37 vendet ku duhanpirja është shkaktari dytë më i madh i sëmundjeve dhe vdekjeve, sipas të dhënave të përpunuara nga The Economist. Edhe pse në shumicën e vendeve, përqindja e njerëzve që pinë duhan po bie, aktivistët vazhdojnë dhe e shohin gotën gjysmë plot. Në 24 vende, duhanpirja është shkaktari i pjesës më të madhe të barrës së sëmundjeve, e matur me shkurtimin e jetëgjatësisë, sëmundjeve dhe vdekshmërisë foshnjore. Në 37 vendet e tjera, grupi i dytë në të cilin bën pjesë dhe Shqipëria, duhanpirja renditet e dyta. Pjesa më e madhe e këtyre 61 vendeve janë të pasura. Megjithëse përqindja e duhanpirësve po bie, kjo më së shumti vjen se të rinjtë nuk po bien pre e këtij vesi, se sa nga heqja dorë e duhanpirjes në moshë. Dëmet nga duhanpirja shfaqen pas moshës së mesme, kështu që vendet ku duhanpirja ishte popullore një gjeneratë më parë, janë më shumë të prekura sot. Më të prekurat janë vendet e pasura, por të varfrat do t'i ndjekin shumë shpejt… Në vendet më të varfra, duhanpirja është një shkaktar më pak i rëndësishëm vdekjeje krahasuar me faktorë të tjerë, siç është ndotja e ujit të pijshëm apo kequshqyerja. Më pak gra afrikane apo aziatike tymosin në këto shoqëri, duhanpirja shpesh është fenomen i pranuar vetëm te meshkujt. Në disa prej vendeve të varfra, duhanpirja është ende jo e zakontë, edhe pse ka filluar që të përhapet. Duke qenë se vendet në zhvillim po bëhen më pak të varfra, faktorët e tjerë të vdekshmërisë dhe sëmundjeve do të jenë më pak të dukshme, ndërsa duhanpirja do të jetë ndër shkaktarët kryesorë. |
| Dëshmitari i vrasjes së Azem Hajdarit rrezikon burgun Posted: 01 Jun 2017 07:39 AM PDT Petrit Çakrri, i njohur për një nga dëshmitë kryesore në vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari, duket se nuk i ndahet dot problemeve me drejtësinë. Pas disa precedentëve të mëparshëm, që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me armë me policinë, së fundmi Çakrri mbahet i arrestuar për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda. Më konkretisht, ai akuzohet se i ka marrë një biznesmeni nga Vora një shumë prej 4.4 milionë lekësh të reja. Sipas dëshmisë së vetë biznesmenit, Çakrri i kishte vajtur në dyqanin e tij në Vore dhe i ishte prezantuar si tregtar. Në bisedë e sipër Çakrri i kishte premtuar biznesmenit se do t'i siguronte mallra me çmime më të lira se tregu dhe për këtë i duheshin 4.4 milionë lekë të reja. Për t'i dhënë këtë shumë, biznesmeni udhëtoi nga Vora në Tirane dhe pasi dorëzoi shumën e kërkuar nuk pati më asnjë kontakt me Petrit Çakrrin. Pas denoncimit në polici, Çakrri u ndalua, ndërsa në seancën e parë në Gjykatën e Tiranës ai dhe avokati mbrojtës kërkuan gjykim të shkurtuar, duke pranuar dosjen e prokurorisë. Nisur nga shuma e përfituar nëpërmjet mashtrimit, kjo vepër klasifikohet me pasoja të rënda dhe parashikon dënime mbi 7 vite burg./TCH |
| Sondazhi që trazoi LSI-në: Të gjitha polemikat dhe konspiracionet Posted: 01 Jun 2017 07:23 AM PDT Nëse qytetarët shqiptarë do të votonin sot për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet me 43% të votave. Rezultatet e sondazhit të parë për votën kombëtare i realizuar nga Ora Neës dhe IPR Marketing rendisin forcë të dytë Partinë Demokratike me 36%, pas saj vjen Lëvizja Socialiste për Integrim me 12% dhe LIBRA me 2.3%. Ndërkohë të gjitha partitë e tjera si PR apo PDIU nuk kalojnë pragun. Por ky sondazh ka trazuar keq politikën shqiptare, sidomos Lëvizjen Socialiste që mori një goditje për propagandën e saj se do të dalë forcë e parë. Të vetmet që nuk kanë reaguar deri tani për sondazhin janë dy elefantët e politikës, PS dhe PD. Partia e parë që reagoi ishte LSI-ja. Madje kjo parti ka nisur ta godasë me të gjithë artilerinë e saj sondazhin. Deputetja e LSI-së, Silva Caka e ka cilësuar sondazhin si "konsensual", ka ironizuar edhe paktin Rama-Basha, duke lënë të nënkuptohet se sondazhi ka qenë i porositur. Caka duke e cilësuar sondazhin si qesharak, thekson se LSI-ja do të jetë forcë e parë. Ndërkohë që të gjitha mediat pranë LSI-së kanë nisur konspiracione për sondazhin, duke dhënë teori nga më të ndryshmet, edhe pse Ora News, njihet si një televizion pranë Ilir Metës. Megjithatë për ta shtuar dozën e akuzave ndaj sondazhit ka reaguar sot edhe kreu i Grupit Parlamentar i LSI-së, Luan Rama. Rama tha se LSI del e para në Berat dhe Gjirokastër dhe do "luftojë" përballë PS në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier. "Asnjë kushtëzim nuk ka pasur LSI prej faktit nëse opozita do të futet apo jo në zgjedhje. Ju siguroj se do kisha të njëjtën garanci edhe nëse do isha i dhjeti. Luftojmë përballë PS për vendin e parë në Tiranë, në Durrës, Elbasan, në Fier, absolutisht qe jemi të parët në Berat dhe Gjirokastër", tha Luan Rama. Gjatë konferencës për shtyp, Rama ritheksoi se LSI do të jetë forcë e parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit. I pyetur nga gazetarët në lidhje me sondazhin e IPR Marketing, që e nxirrte LSI-në të tretën, pas PS-së dhe PD-së, me 12%, Rama tha se nuk i referohet sondazheve klienteliste e të manipuluara. "Nuk i referohem sondazheve klienteliste, të manipuluara dhe të pavërtetë. Për vlerën reale të mbështetjes do jemi këtu gjatë gjithë ditëve të fushatës, me 26 qershor në mëngjes, do shohim LSI-në forcë e parë, dhe forcë qeverisëse kryesore," tha nënkryetari i LSI-së. Por të kundërtën mendon kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Sipas Idrizit, sondazhi është i sponsorizuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes së cilës i ushtron presion kryeministrit Rama. "Këto janë sondazhe të sponsorizuara nga LSI, përmes të cilëve shantazhin PS-në për koalicion qeverisës pas 25 qershorit. Sigurisht që iu leverdis të zhbëjnë gjurmën e PDIU-së, për ta eliminuar si aleate në qeveri PS+PDIU", ka deklaruar Idrizi. Edhe kreu i LIBRA, deputeti Ben Blushi ka reaguar në lidhje me sondazhin e publikuar mbrëmë nga IRP Marketing mbi partitë që do të garojnë me 25 qershor. Ai shkruan se nuk i beson atij sondazhi, pasi nuk ka asnjë popull qe voton një qeveri 90%. "Sipas një sondazhi Qeveria Rilindje-Çadra-LSI merr 90 për qind te votave. A ka popull që voton 90 për qind një qeveri? Sigurisht që jo. Prandaj nuk mund ti besoj sondazhit. LIBRA do marrë të gjitha votat e atyre që janë kundër Qeverisë dhe janë shumicë. Ky është ndryshimi i LIBRA me të tjerët. Ata duan të ndryshojnë popullin me ndihmën e Qeverisë, ne duam të ndryshojmë Qeverinë me ndihmën e popullit", shkruante Blushi në Facebook./Burimi: American Eye |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |



























