Tirana Observer: “Grida Duma: Jam e bekuar që jam kaq e bukur” plus 9 more

Tirana Observer: “Grida Duma: Jam e bekuar që jam kaq e bukur” plus 9 more


Grida Duma: Jam e bekuar që jam kaq e bukur

Posted: 07 Jun 2017 09:38 AM PDT

Kandidatja e PD-së në Tiranë, Grida Duma, ka dhënë disa deklarata interesante, si ajo që do bëjë të njëjtën fushatë fituese si ajo e Durrësit, apo që Zoti e ka bekuar me bukurinë që i ka dhënë.

Cilat janë problemet që dëgjuat sot nga banorët?

Këtu është një zonë specifike, sepse rreth 400 familje i prek devijimi i rrugës së Lanës. Ndërkohë projekti Basha, në kohën kur ishte Kryetar Bashkie, ishte shumë më i ngushtë se çfarë është sot dhe ndiqte rrjedhën natyrale të Lanës. Ndaj, banorët kanë të drejtën  e tyre të thonë që ka diçka klienteliste që ka ndryshuar rrugëtimin e Lanës dhe mendohet që do të prishë rreth 180 banesa, së paku.

Banorët nuk kanë asnjë informacion, as si do të dëmshpërblehen. Një pjesë e tyre janë edhe të palegalizuar. Të gjithë janë plotësisht të frikësuar, pasi në mungesë të legalizimit nuk i njihet fare prona dhe mbeten në mesin e katër rrugëve. Oferta e parë që kanë bërë, është për dy vite qira, por nga ana tjetër i mbajnë varur, duke i thënë të shohim pas zgjedhjeve. Pra, i vendosin një lloj presioni hapur dhe qartë për votën.

Kjo është situata në njësinë 1, njerëzit nuk kërkojnë dot as punësim e as pensione më të larta. Është një zonë e bukur midis qytetit dhe periferisë, e ndërtuar me shpatullat e njerëzve që janë punëtor, por shumica e tyre janë të vetëpunësuar.

Ne i ftojmë qytetarët në fund të ditës në një kafe, për të mos qenë një fushatë propaganduese dhe e lodhshme, por fushata që ti si qytetar arrin të thuash shqetësimin tënd dhe të kesh komunikim të drejtpërdrejt me kandidatin, duke i treguar problemin tënd.  Asnjë problem e problematikë nuk humbet, çdo gjë shkruhet e ruhet.

Në Partinë Demokratike tashmë është krijuar një departament juridik për ndjekjen e problematikës juridike të qytetarëve. Ne jemi në gjendje të ndjekim problematikën hap pas hapi dhe kjo e bën më të lehtë procesin kur të vijmë në pushtet, që dimë të administrojmë problemet konkrete që kanë ardhur gjatë periudhës së opozitës.

Pse u la në hije Partia Demokratike e 27 viteve, për t'u zëvendësuar me fytyra të reja, të cilat për hir të vërtetës, nuk kanë kontribuar për PD aq shumë sa disa prej të lënëve jashtë?

Unë mendoj që kjo është një përgjigje shumë e thjeshtë dhe ky është një vendim i Kryetarit. Basha ka thënë edhe që kjo ishte hera e fundit, ku listat ndërtohen nga Kryetari. Herën tjetër, në Republikën e Re, lista e deputetëve do të zgjidhen drejtpërdrejtë nga populli. Dhe unë nuk i bëj koment më tepër se kaq kësaj ngjarjeje.

Nga ana tjetër mendoj që duhet të ndjehemi krenar që Partia Demokratike është një parti që i shërben shoqërisë dhe jo partisë. Besoj se ashtu siç e shohin rrugët e njësisë 1, që këta të rinj bëjnë më tepër punë dhe japin shumë më tepër impakt sesa dhe unë vetë; jam shumë e kënaqur që ka të rinj në listat e Partisë Demokratike.

 Ka ndonjë prej emrave të Partisë Demokratike, për të cilin ju vjen keq që është lënë jashtë listës së zgjedhjeve?

Mua mund të më vijë keq për emra që nuk janë në listë, edhe që nuk kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike. Që janë intelektualë, shoqëri civile dhe Shqipëria ka shumë njerëz me vlera të veçanta. Kështu që ky është një diskutim që nuk mbaron kurrë. Respektin për kontributin e anëtarëve të PD, e kam shprehur pafund që nga momenti i 2013, por edhe më përpara.

E keni quajtur Berishën mentorin tuaj politik, e keni menduar ndonjëherë veten të përkëdhelur nga partia?

Këtë e gjykojnë qytetarët, unë vetë nuk kam pushuar së punuari dhe nuk kam asnjë dëshirë t'i bëj komplimente vetes.

Po xhelozi keni ndjerë ndonjëherë, mbi të gjitha tani që ju arritët të jeni në listat e zgjedhjeve të 25 Qershorit, e emra të tjerë si Majlinda Bregu apo Jozefina Topalli nuk janë pjesë e tyre?

Mua më vjen shumë mirë që ju i referoheni zonjave të nderuara të Partisë Demokratike e gjithmonë PD tërheq këtë lloj vëmendje. Ajo që kam ndjerë e duhet të ndjejmë gjithmonë, unë e gjithë që i hyjmë politikës, është konkurrenca dhe ambicia, e cila nuk duhet quajtur xhelozi, por rregull loje. Të cilën Partia Demokratike, si e djathtë është e detyruar që t'ia japë jo vetvetes, por gjithë shoqërisë.

Ne duhet të mbështesim fituesin, të fortin, atë që përballon konkurrencën dhe betejën, normalisht gjithmonë me rregulla loje.

Krahasuar me fushatën e Berishës në 2013, si ju duket entuziazmi i kësaj fushate të parë për Bashën?

Nuk dua të krahasoj me asnjë nga fushatat e mëparshme, në kuptimin që secila ka identitetin e vet. Kanë ndryshuar rrethana e të bërit fushatë. Fushatat me mbledhje njerëzish, sot, janë më pak efiçente, nga  fushatat derë më derë, e cila është më e drejtpërdrejtë.

Vetë njerëzit tani,  janë të lodhur nga hallet e problemet, të ardhur nga një situatë katër vjeçare e premtimeve galopante të tipit 3000 mijë vende punë, shëndetësi e arsim falas, të zhgënjyer totalisht.  Kjo fushatë që po bën Partia Demokratike, është një strategji që unë e mbështes dhe më pëlqen.

 Jeni përballë dy zonjave në njësinë 1, Elona Gjebrea dhe Klajda Gjosha, cilën prej tyre konsideroni kandidaten më të fortë?

Unë e ftoj zonjën Gjebrea dhe zonjën Gjosha në një debat të hapur për njësinë dhe do ishte shumë kënaqësi për mua dhe qytetarët të dëgjonin propozimet.

Ajo që di unë mirë është që ato të dyja më shohin mua si më të fortën. Çka unë vlerësoj nga ato është që të dyja janë zonja.

Për sa i përket mënyrës se si po bëjnë fushatë, zonjën Gjebrea nuk e kam parë ende në terren, as zonjën Gjosha, që të shoh sesi po bëjnë fushatë. Shpresoj që fushata të jetë e ndershme dhe e alternativës dhe jo një fushatë e natyrës së presionit, marrjes së kartave të identitetit apo shitblerjes. Sepse aq më tepër zonjave nuk i takon të sillen kështu.

Erion Veliaj para disa ditësh ironizoi kandidimin tuaj, ku tha: "mbaruan gocat e Tiranës, që sjellin këtu Grida Dumën, të cilën e rrafi Vangjush Dako." 

Z.Veliaj mund të dojë të rrisë shumë profilin e tij, duke më përmendur mua. Por, unë e ul profilin tim, duke përmendur Erion Veliaj.  Ai është krejtësisht inekzistent për mua, është personazhi më artificial dhe më fiktiv që ka prodhuar ndonjëherë politika. Ai qeveris me facebook, në një  përmasë aq irreale, sa kur në Prezë binte shi, Veliaj transmetonte foto e video me diell. Kështu që në këto kushte, ju lutem shumë, le të flasim për njerëz realë,  jo për këto makinetat.

Sipas jush puna e tij në Tiranë është vetëm për fasadë dhe jo reale?

Puna e tij në Tiranë, në disa raste është jo vetëm fasadë, por edhe e dëmshme. Shikoni sheshin, e kuptoni se çfarë do të thotë vetëm betonizim e vetëm parkime. Kujt i shërben, qytetarëve apo atyre që do të përfitojnë nga këto parkime?! Shumë shpejt ne do të denoncojmë ata që e bënë dhe ata që përfitojnë.

Sa ndryshon fushata e Gridës tani në Tiranë, me fushatën e 2015-ës në Durrës?

Thuajse aspak, nuk ndryshon asgjë. Kam bërë në Durrës pothuajse të njëjtën strategji, kam shkuar, kam ecur e i kam takuar njerëzit. Besoj se ajo që kemi bërë në Durrës duke ecur pafund, ka dhënë frytet e veta, pavarësisht faktit që në Durrës nuk kishte zgjedhje. Dhe kjo është arsyeja e vetme pse unë nuk flas për Durrësin.

Gjithashtu sepse ju në Durrës humbët.

Zgjedhjet në Durrës nuk kishin të bënin me kandidatin, por me interesat e pafundme të grupeve kriminale në atë Bashki, të cilat së paku në emërtim u vërtetuan në momentin që Lulzim Berisha, doli nga burgu, ngaqë Bashkia e Dakos, kishte  nevojë për punë komunitare dhe këtë do mund ta bënte vetëm  kryebanditi. Nuk mjaftonin banditët e tjerë.  Kaq mjafton për të thënë se sa zgjedhje ka pasur Durrësi.

Mendoni se në Tiranë mund të ndodhë diçka e tillë edhe në këto zgjedhje?

Rreziku ekziston që vota të mos jetë e lirë, ne jemi për të ruajtur këto standarte. Për sa kohë ka varfëri, për sa kohë që ka administratë që presionin punonjësit, ky rrezik nuk do të jetë kurrë inekzistent. Por, të shohim, nuk dua të paragjykoj procesin, për sa kohë ne jemi duke i ofruar qytetarëve të ardhmen dhe jo fatalitetin.

Bukuria juaj ka qenë një pengesë apo avantazh për ju në politikë?

Unë nuk kam për të thënë asnjëherë që çështjet estetike janë gjë tjetër, përveç se bekim.  Jam mirënjohëse për çdo gjë të mirë që Zoti, natyra, prindërit, na kanë dhënë. Por, ju siguroj që shumë më të bukura se unë ka në Shqipëri, por kjo nuk e bën njeriun politikan. Shqiptarët nuk të vlerësojnë për këtë arsye në politikë, sepse ata kanë vuajtur shumë dhe dinë të gjykojnë shumë mirë.

Në media online po përfliteni shumë për stilin tuaj të veshjes, duke iu quajtur një fashioniste përballë njerëzve të varfër.

Duhet të ndajmë realitetin nga spekulimet, kur nuk ke çfarë gjen, fillon e merresh me veshjen. Unë jam një individ që së paku nuk gjendet një foto e imja dhe një veshje e papërshtatshme.

Nëse tek unë çdo gjë që vesh bën përshtypje, përsëri ju them atyre që shkruajnë për mua, në mediat e tyre,  shumë faleminderit./ dritare.net

Cilat janë 5 “sekretet” e kafes turke

Posted: 07 Jun 2017 09:15 AM PDT

Për shumë nga ne, aroma e kafes turke mbetet një nga më të preferuarat. Edhe pse prej vitesh, gjyshërit dhe prindërit tanë e kanë pjesë të mëngjesit ose mbrëmjeve, në të vërtetë dimë shumë pak për të. Por cilat janë disa nga "sekrete" e kafes turke?

-Kafeja turke nuk vjen nga Turqia

Nëse mendoni se kafeja turke quhet "turke" sepse e ka origjinën në Turqi, gaboheni. Provat historike tregojnë se kafeja turke ka nisur të konsumohet në Jemen në shekullin e 15-ë. Më pas ajo u përhap në Kajro dhe Mekë. Historianë të njohur tregojnë se në vitin 1640 në Kostandinopojë është hapur kafeteria e parë.

-Cilësia është tek ajka

Kafeja e mirë turke dallohet tek ajka që krijohet në krye të filxhanit. Ajka e ndihmon kafenë të qëndrojë e nxehtë për një kohë më të gjatë.

Ajo duhet të jetë e butë dhe me bulëza.

-Kafeja turke duhet të konsumohet me ujë

Kafeja turke shoqërohet me një gotë ujë. Sepse uji do t'ju ndihmojë të ndjeni shijen e vërtetë të kafesë dhe do të bëjë pastrimin e qiellzës nga llumi që  ngelet në fund.

-Kafeja me kripë

Në kulturën turke, nëse duhet të përcaktohet burrëria e dhëndrit atëherë në kafenë e tij shtohet kripë. Vajza bën kafenë dhe sasia e kripës tregon interesin. Nëse kripa është e tepërt, atëherë çifti nuk është për njëri-tjetrin. Nëse kripa është në nivele mesatare atëherë vajza ka interes, ndërsa kur vajza ka hedhur shumë pak kripë në kafe atëherë ajo është e gatshme për t'u martuar. Dhëndri duhet t'a pijë kafenë e përgatitur në mënyrë që të quhet i gatshëm për martesë, shkruan Shije.

-Kafeja turke mbrohet nga UNESCO-s

Kafeja turke është vendosur në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-së. Vendimi është marrë në seancën e 8-të të Komitetit ndërqeveritar të UNESCO-s të mbajtur në vitin 2013 në kryeqytetin e Azerbejxhanit, Baku.

Përgjigja epike e Putin kur e pyesin se çfarë do të bënte nëse do të ishte në dush me një homoseksual

Posted: 07 Jun 2017 08:46 AM PDT

Në një intervistë të fundit me regjisorin amerikan Oliver Stone, Vladimir Putin ka folur për gjithçka, edhe për ligjin që ndalon propagandën e homoseksualitetit në Rusi.

Në mënyrë të veçantë, regjisori donte të dinte nëse presidenti e konsideronte këtë ligj si diskriminues.

"Nuk ka kufizime absolutisht", tha presidenti.

Më tej. Oliver Stone e pyeti Putin se si do të vepronte nëse do të ishte i detyruar të bënte dush me një homoseksual në një nëndetëse.

"Do të preferoja të mos shkoja me të në dush. Pse ta provokoja? Ti e di, jam mjeshtër në xhudo", u përgjigj me humor Vladimir Putin.

16 këshilla për të dalluar një gënjeshtar

Posted: 07 Jun 2017 08:30 AM PDT

Shpesh dikush ndjen nevojën të gënjejë për diçka. Jeta na rezervon situata të vështira me të cilat duhet të përballemi medoemos duke gënjyer dikë apo veten. Në pjesën më të madhe të situatave të përditshme gënjeshtrat janë të padëmshme, megjithatë të pakëndshme.

Duhet shumë vullnet të mos pushtohemi nga ky ves i keq, por mund të ndihmojmë njëri-tjetrin duke e vënë në dijeni palën tjetër sa herë që kuptojmë se nuk po thuhet e vërteta. Nëse dikush po ju tregon diçka, ja disa këshilla për ta kuptuar një gënjeshtar.

Teknikat e mëposhtme që ju tregojnë nëse dikush po gënjen shpesh përdoren nga policia dhe ekspertët e sigurisë. Kjo njohuri është e nevojshme për menaxherët, punonjësit dhe për këdo në situata të përditshme që nuk do të jetë viktimë e mashtrimeve/mashtruesve dhe dinakërive të tjera.

Paralajmërim: Ndonjëherë mosdija është lumturi; pasi të merrni këtë njohuri mund të lëndoheni kur të kuptoni se dikush po ju gënjen.

Gjuha e trupit te gënjeshtrat
1. Shprehja fizike do të jetë e kufizuar dhe e ngurtë, me pak lëvizje krahësh dhe duarsh. Kur dikush që ju flet gënjen, lëvizjet e krahëve, duarve dhe këmbëve janë në drejtim të trupit të tij/saj, pasi gënjeshtarët përpiqen të zënë sa më pak hapësirë.
2. Dikush që po gënjen do të shmangë sa më shumë kontaktin e syve. Njerëzit e njohin të mirën dhe të keqen; edhe kur thonë fjalë të pavërteta, ndërgjegjja i thotë të kundërtën. Kontakti i syve tregon sinqeritet dhe çiltërsi në çdo rast.
3. Duart do të prekin fytyrën, fytin dhe gojën. Prekja apo kruajtja e hundës, apo prapa veshit është e zakonshme në këto raste. Nuk ka asnjë gjasë të prekë gjoksin/zemrën me një dorë të hapur.

Gjestet emocionale dhe fjalitë e shkurtra
4. Ekziston një mospërputhje mes gjesteve, shprehjeve dhe fjalëve. Për shembull: Dikush thotë "Më pëlqen" kur merr një dhuratë dhe pastaj buzëqesh pasi bën pohimin, dhe nuk buzëqesh në të njëjtën kohë kur thotë pohimin.
5. Gjestet/shprehjet nuk përputhem me pohimin verbal, si për shembull kur dikush shtrembërohet kur thotë "Të dua".
6. Kur dikush shtiret me emocione të rreme shprehjet janë të kufizuara me lëvizjet e gojës (si i lumtur, i habitur, i trishtuar apo i frikësuar) në vend që të ndryshojë krejt çehren e fytyrës. Për shembull: kur dikush buzëqesh natyrshëm e gjithë fytyra e tyre është e përfshirë: nofullat dhe faqet lëvizin, sytë dhe balli mblidhen etj.
7. Minutazhi dhe kohëzgjatja e gjesteve emocionale do të jetë jashtë tempit. Shfaqja e emocioneve do të vonojë, kur ato të shprehen do të qëndrojnë më gjatë nga sa do të qëndronin normalisht, dhe më pas do të ndalin papritmas.

Bashkëveprimet dhe reagimet
8. Një person fajtor bëhet mbrojtës i vetvetes, duke justifikuar veten. Një person i pafajshëm priret të ofendohet. (Kujdes se gënjeshtarët e dinë këtë taktikë dhe luajnë rolin sikur ofendohen).
9. Një gënjeshtar nuk ndihet rehat përballë akuzuesit/pyetësit dhe mund ta kthejë kokën apo të lëvizë trupin prapa.
10. Një gënjeshtar ka mjaft gjasa të vendosë objekte si libra, filxhanin e kafesë, mes atij dhe jush.

Konteksti verbal dhe kapaciteti
11. Një gënjeshtar do të përdorë fjalët tuaja për t'u përgjigjur apo për të pyetur. Kur e pyesin: "A e hëngre biskotën e fundit?", gënjeshtari do të përgjigjet: "Jo, s'e hëngra unë biskotën e fundit".
12. Një pohim i shkurtuar ka më pak gjasa të jetë i vërtetë: "S'e bëra unë", në vend të "Nuk e bëra unë".
13. Gënjeshtarët ndonjëherë i shmangen gënjeshtrës duke mos bërë pohime të drejtpërdrejta. Ata thjesht nënkuptojnë përgjigje në vend që ta mohojnë diçka në mënyrë të drejtpërdrejtë.
14. Personi fajtor mund të flasë më shumë se zakonisht, duke shtuar detaje të panevojshme për t'ju bindur. Ata nuk ndihen rehat me heshtjen apo pushimeve në bashkëbisedim.
15. Një gënjeshtar mund të lërë jashtë përemrat dhe të flasë me një ton monoton. Kur bëhet pohim i vërtetë, përemri theksohet po kaq shumë sa pjesa tjetër e fjalëve në një pohim.
16. Fjalët mund të ngatërrohen apo të fliten me ngadalë. Sintaksa dhe gramatika harrohen fare kur gënjen. Me fjalë të tjera, fjalët do të jenë të çrregullta në vend që të theksohen.

Shenja të tjera të gënjeshtrës
– Nëse mendoni se dikush po ju gënjen, provoni të ndryshoni me shpejtësi temën e një bashkëbisede. Gënjeshtari do të pranojë dhe do të ndihet më i çliruar pastaj. Fajtori kërkon të ndryshojë temë; i pafajshmi mund të hutohet nga ndryshimi i papritur në temë dhe do të kërkojë të rikthehet tek tema e mëparshme.
– Fajtori do të përdorë humorin apo sarkazmin për të shmangur një temë.

Shënimet e fundit:
Duhet të kini parasysh se edhe nëse dikush ka këto shenja, kjo nuk e bën atë gënjeshtar/e. Sjelljet e sipërme duhet të krahasohen me sjelljen normale të tij në sa më shumë raste të jetë e mundur.

Zgjedhjet e paparashikueshme britanike: Askush nuk guxon të vërë bast

Posted: 07 Jun 2017 08:15 AM PDT

Asnjëri në fillim të muajit maj nuk e besonte se gara në zgjedhjet e parakohshme do të përfundonte kaq e ngushtë, saqë askush nuk është në gjendje të vendosë bast, se cili do të jetë rezultati i tyre, ndërkohë që disa flasin paradoksalisht për fitore plebishitare.

Kryeministrja britanike e filloi fushatën si një proces presidencial, por autogoli me politikat e kujdesit social dhe tërheqjet prej tyre, shto këtu edhe sulmet terroriste në Manchester dhe Londër, duket se e kanë tronditur pozitën e saj.

May kërkonte që këto zgjedhje të ishin "zgjedhjet për 'Brexit'-in dhe negociatat për të me BE-në", por në ditën e fundit, tema kryesore mbetet ajo e sigurisë kombëtare dhe tentativa stërmunduese e saj për të mbrojtur politikat e qeverisë në luftën kundër terrorizmit.

Dështimet e saj në shpalosjen e politikave sociale dhe rritja e parapëlqimit për udhëheqësin e opozitës, e kanë minuar distancën e saj fillestare në sondazhe me Jeremy Corbyn.

Edhe pse kryeministrja deklaron se po e shijon fushatën elektorale, e vërteta e hidhur është se, sa më shumë britanikët e shohin dhe e dëgjojnë kryeministren në fushatë, aq më pak po e pëlqejnë dhe janë më pak të gatshëm të votojnë të enjten për të.

Ndërkohë, udhëheqësi i opozitës, i cili ka pasur një marrëdhënie tejet të vështirë me median britanike, e cila ia ka bërë jetën ferr, duket se ka bërë një fushatë shumë më të suksesshme sesa pritej, duke u paraqitur i rehatuar dhe më karizmatik se ç'paragjykohej në daljet e tij televizive.

Gjithsesi, të enjten atij i duhet të ngjisë një mal të lartë për t'u bërë kryeministri i ardhshëm i Britanisë, një vend që ndodhet përballë negociatash mjaft të vështira me negociatorët europianë në Bruksel.

Zgjedhjet e parakohshme në Britani nuk është se janë intriguese dhe eksituese, si të tilla, por ato mbesin po aq të paparashikueshme dhe intriguese sa edhe sondazhet e opinionit publik, të cilat në vitet e fundit, sa herë kanë votuar britanikët, kanë shokuar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar.

Vettingu ankimohet në fshehtësi, gjyqtarët kundër reformës në drejtësi

Posted: 07 Jun 2017 08:10 AM PDT

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve janë bashkuar në një padi të re në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkojnë shfuqizimin e disa neneve të tre ligjeve pjesë të reformës në drejtësi – përfshirë të ashtuquajturin ligj i vetingut.

Të enjten më 1 qershor, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, depozituan një padi në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", ligjit "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve", si dhe ndaj ligjit "Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë" – i njohur gjithashtu si ligji i vetingut.

Kjo nuk është hera e parë që dy shoqatat që përfaqësojnë interesat e lobit të gjyqtarëve i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sfiduar ligjet që janë pjesë e reformës në drejtësi. Ato iu bashkuan Partisë Demokratike në vjeshtën e vitit 2016 duke kërkuar shfuqizimin e ligjit të vetingut – i cili mbart një rol kyç për zbatimin e reformës në drejtësi, të miratuar me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016.

Kërkesa për të hedhur poshtë ligjin e vetingut nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese, por kjo nuk i dekurajoi shoqatat e gjyqtarëve, të cilët, me anë të një kërkese të dytë, arritën të shfuqizonin pjesërisht në prill një numër nenesh nga ligji "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë". Vendimi në favor duket se i ka dhënë zemër shoqatave, që në kërkesën e tyre të fundit drejtuar Gjykatës Kushtetuese kanë shënjestruar zhbërjen e pjesshme të tre ligjeve të reformës.

Kjo aktpadi, një kopje e sëcilës është siguruar nga BIRN, vjen në një kohë kur vendi është i përfshirë nga ethet e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit dhe kur dy komisione 'ad hoc' bipartizane në Kuvend po mbajnë seanca dëgjimore për përzgjedhjen e juristëve që do të jenë  pjesë e institucioneve të vetingut.

Në kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Unioni dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkojnë shfuqizimin e një numër nenesh të ligjit të vetingut, të cilat rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve përsa i përket lidhjeve dhe përfshirjes së tyre me krimin e organizuar.

Ata kundërshtojnë shtrirjen e kontrolleve në kohë, për lidhje të mundshme midis gjyqtarëve, prokurorëve dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar, duke filluar nga 1 janari 2012, si në tejkalimin e normave kushtetuese. Një parashikim tjetër i ligjit që kundërshtohet nga shoqatat si jokushtetues ka të bëjë me kontaktet që mund të kenë pasur me krimin e organizuar persona të lidhur me gjyqtarë dhe prokurorë.

Padia në mënyrë të veçantë kundërshton dhe mënyrën se si do të bëhet kontrolli i pastërtisë së figurës dhe provat që do të vlerësohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi dhe Kolegji i Apelimit.

Shoqatat e gjyqtarëve vlerësojnë se parashikimet e ligjit të vetingut mbi mënyrën si do të sigurohen dhe administrohen provat nga "grupi i kontrollit" gjatë procedurës së rivlerësimit kalimtar shkon përtej kushtetutës.

Shoqatat kundërshtojnë administrimin si provë gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të dëshmive të dhëna nga dëshmitarë të mbrojtur të prokurorisë, ku mund të flitet për lidhjet e tyre me krimin e organizuar. Ato gjithashtu kundërshtojnë përdorimin si provë në procesin e rivlerësimit të informacioneve konfidenciale, si përgjimet telefonike parandaluese të bëra nga agjenci ligj zbatuese dhe informacioneve të dhëna nga oficerë dhe agjentë të policisë gjyqësore.

Një tjetër nën i kontestuar i ligjit të vetingut ka të bëjë më të drejtën e gjyqtarit dhe prokurorit për të dhënë dorëheqjen gjatë procesit të rivlerësimit të integritetit të figurës, që sjell si rrjedhojë ndërprerjen e kontrollit. Ligji ka parashikuar që gjyqtarët dhe prokurorët mund ta ushtrojnë këtë të drejtë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e tij. Sipas shoqatave, ky përcaktim është jokushtetues dhe subjektet duhet të kenë të drejtë të japin dorëheqjen dhe, si rrjedhim, ta ndërpresin kontrollin gjatë gjithë procesit të vetingut.

Në padinë e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese shoqatat kanë kërkuar gjithashtu shfuqizimin e neneve të ligjit "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", të cilët përcaktojnë kriteret e vjetërsisë në punë dhe të vlerësimit profesional për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.  Gjyqtarët kundërshtojnë gjithashtu rolin që luajnë anëtar jo gjyqtar dhe jo prokurorë në përzgjedhjen e kryetarit dhe zv/kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë dhe rolin që anëtarët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë kanë në procedimet disiplinore.

Ligji i tretë i paketës së reformës në drejtësi i kundërshtuar nga dy shoqatat e gjyqtarëve është ai "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë". Në padinë e tyre, shoqatat kundërshtojnë kriteret minimale të ngritjes në detyrë të magjistratëve që lidhen me vjetërsinë në punë në një fushë të caktuar të drejtësisë, procedurat e lëvizjes paralele si dhe kufizimet e vendosura mbi promovimin e gjyqtarëve të shkallës së parë –kritere që sipas shoqatave të gjyqtarëve cenojnë të drejtën e karrierës dhe shkojnë përtej përcaktimeve kushtetuese./BIRN

SFIDA: Korrupsioni zgjidhet kur të kemi politikë të pastër

Posted: 07 Jun 2017 08:07 AM PDT

Sfida për Shqipërinë deklaroi sot se reforma në drejtësi nuk do të mjaftojë për të zgjidhur çështjen e korrupsionit.

Gjergj Bojaxhi, kandidati për Tiranën i kësaj partie, thotë se kryetarët ranë dakord për të votuar reformën në drejtësi, sepse ajo nuk prek korrupsionin që bëjnë ata vetë.

“Cili është problemi kryesor? Dihet, korrupsioni që kemi kudo dhe ndikon në punësim, shëndetësi dhe ekonomi. Por nga buron ai? Nga njerëzit? Nga drejtësia? Jo! Buron nga politika. Buron nga këta kryetarë partish që vendosin kush do të bëhet deputet, kush do të bëhet tatimor, kush do të jetë doganier. Drejtësi nuk mjafton. Duhet veting dhe reformë për politikën. Reforma që mund të nisim ne është vota për Sfida për Shqipërinë.”

Bojaxhi tha se shqiptarët duhet të ulin partitë e mëdha poshtë 20%.

“Mos e çoni votën dëm duke votuar njerëz që nuk besoni dhe parti që vjedhin e plaçkisin. Ne, shumica e shqpitarëve që jemi të pakënaqur nga kjo politikë duhet të bëhemi bashkë të ndërtojmë shtetin e ekonomisë së individit dhe një demokraci për të gjithë. Sfida për Shqipërinë beson te një politikë e pastër drejt një Shqipërie që punon,” u shpreh Bojaxhi.

Shqiptarët, sipas Bojaxhi, duhet te ndëshkojnë të gjitha partitë të përbëra nga deputetë të vjetër.

Për partinë Sfida për Shqipërinë, me nr. 4 në fletën e votimit kandidojnë dhe emra të tjerë si Ermal Hasimja, Medlir Mema, Blerina Turdiu Kokona, përkrah Gjergj Bojaxhi.

Kryetar administrativ i partisë është Hektor Ruci.

Memushaj: Një fitore me Izraelin dhe nuk flet më njeri për krizë

Posted: 07 Jun 2017 07:51 AM PDT

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ledian Memushaj, mendon që humbja e pësuar me Luksemburgun ishte më mirë që ndodhi në atë miqësore sesa të ndodhë në ndeshjen e radhës ndaj Izraelit.

Në daljen e sotme në konferencë për shtyp, ai injoroi zërat për të ardhmen e trajnerit De Biazi dhe gjithashtu tha se nuk e di çdo të ndodhë në të ardhmen e tij personale.

Mesfushori Ledian Memushaj, me statusin e veteranit në ekip tregon recetën se si ekipi duhet të lërë pas këtë ecuri negative:

Për mërzinë pas Luksemburgut

"Mërzia ka ikur dhe duhet të ikte sa më shpejt sepse përpara kemi Izraelin, një ndeshje shumë e rëndësishme."

Ndeshja me Luksemburgun

"S'besoj se isha i vetmi i mërzitur pas asaj ndeshjeje, ishim të gjithë sepse nuk bëmë figurë të bukur sa i përket rezultatit. Nuk luajtëm shumë keq sepse kishim raste, por kur të mund Luksemburgu çdo gjë të ngjan tragjike. Tani duhet ta harrojmë dhe të mendojmë Izraelin. Nëse një humbje e tillë ishte për të ndodhur, më mirë që ndodhi me Luksemburgun sesa të ndodhte me Izraelin."

5 humbje radhazi, situatë e ngjashme me Peskarën

"Prandaj isha i mërzitur sepse nuk ishte ndeshja e parë që humbnim, kemi shumë ndeshje që humbim dhe për këtë më vjen më shumë gjynah. Nuk mendoj për ngjashmërinë me situatën te Peskara, kur jam në kombëtare mendoj vetëm për kombëtaren."

Ngërçi i ekipit në lojë

"Janë gjëra taktike për të cilat duhet të pyesni trajnerin. E di që jemi ne në fushë por nuk është se me Luksemburgun nuk patëm raste, duhet të bënim golin e dytë për të siguruar ndeshjen, kur nuk e bën rrezikon të pësosh dhe ashtu ndodhi. Tani të mendojmë të gjithë për Izraelin, të rikuperojmë të gjitha forcat sepse është ndeshja e fundit e këtij sezoni. Është moment i vështirë si fundsezoni dhe nuk dihet si janë lojtarët mendërisht dhe fizikisht."

Motivimi shumë më i lartë në këtë periudhë 1 vit më parë

"Një vit më parë kishim përpara Europianin dhe është ndryshe."

Momenti më negativ në karrierën me kombëtaren?

"Me rezultate ky është momenti më negativ."

Si kalohet kriza?

"Një fitore me Izraelin dhe askush s'flet më për krizë apo për gjë tjetër."

Si merret një fitore me Izraelin?

"Ne si cilësi jemi më mire se ata, por duhet ta tregojmë në fushë sepse dhe ndeshjen e parë kur ishim 11 me 11 kishim shanse por pas penalltisë dhe një lojtari më pak ishte më e vështirë."

E ardhmja e trajnerit

"Ka një vit që flitet që do largohet trajneri, por ai është akoma këtu. Këto fjalë nuk na interesojnë sepse trajneri s'na ka thënë kurrë që do ikë, ka treguar që do të rrije këtu sepse është i kënaqur. Se di pse dalin këto gjëra."

E ardhmja personale

"E ardhmja është me pushime javën tjetër në Kubë, pastaj të shohim, nuk e di çdo bëhet. Të mbyllim sezonin me kombëtaren sa më mirë që të qetësohemi, pastaj ka kohë për merkaton."

Ndeshjet e mbetura të kualifikueseve

"Tani për tani e rëndësishme është ndeshja me Izraelin, për të tjerat do mendojmë më vonë. Kjo ndeshje mbyll sezonin, lojtarët kanë nevojë për pushime që të mos mendojnë më për futbollin për pak kohë."

Sa të sakta kanë qenë sondazhet në Shqipëri në raport me realitetin? (Tabela)

Posted: 07 Jun 2017 07:42 AM PDT

Vitet e fundit sondazhet janë kthyer në një element të rëndësishëm jo vetëm të partive politike, që i marrin ato për bazë, por edhe për mediat dhe opinionin publik.

Por, sa është niveli i saktësisë së tyre në raport me realitetin. "Qendra e Kërkimeve Monitor" ka krahasuar të  dhënat e rezultuara nga sondazhet e IPR Marketing dhe Piepoli, me rezultatet faktike në zgjedhjet e kaluara vendore për Tiranën dhe Durrësin.

Tirana

Për zgjedhjet lokale të Tiranës të qershorit 2015 , në valën e parë të sondazhit, IPR ka pasur një marzh gabimi prej 8.1% për kandidatin e partisë Socialiste, që u shpall fitues, Erion Veliaj. IPR parashikonte një fitore të tij me 45.5%, ndërsa ai ka fituar me 53.6% të votave.

Edhe për Halim Kosovën, kandidatin e PD, rezultati real ka qenë më i lartë se ai i parashikuar, (në 39%, nga 36.5%).

Ajo që konstatohet është se në sondazh kanë pasur një rezultat të mirë kandidatët e vegjël, që realisht kur janë zhvilluar zgjedhjet kanë marrë shumë më pak se parashikohej. Psh Gjergj Bojaxhi ka marrë vetëm 5.4% të votave, nga 12% që parashikohej në valën e parë të sondazhit dhe 11% në valën e dytë dhe të tretë.

Në valën e dytë dhe të tretë të sondazhit të IPR  marzhi i gabimit për kandidatin kryesor ka rënë.

Kompania tjetër Piepoli ka pasur një marzh shumë më të vogël gabimi në zgjedhjet lokale të Tiranës, ku parashikimi prej 53.5% për kandidatin fitues ishte shumë afër realitetit, ndërsa për Kosovën ka parashikuar rreth 4.5 pikë përqindje më pak. Edhe sondazhi i Piepoli i ka dhënë peshë më të lartë kandidatëve të vegjël, që në realitet morën më pak vota sesa rezultuan në sondazhe.

Durrësi

Në qarkun e Durrësit , sondazhi i IRP nuk ka arritur të parashikojë diferencën e lartë me të cilën fitoi kandidati socialist Vangjush Dako, por i vendoste dy kandidatët pothuajse kokë më kokë. Sondazhet e nxirrnin Dakon fitues me 51% të votave, ndërsa ai mori realisht 57% të votave. Ndërsa kandidatja e PD-së Grida Duma mori më pak sesa pritej, 43% të votave, nga 49% që e nxirrnin sondazhet.

Çfarë nuk shkon me vendet e Lindjes në sondazhe

Fatmir Mema, profesor i Statistikës në Fakultetin e Ekonomisë kujton se gjatë vizitës për të trajnuar profesorët shqiptarë në 1996, Micheal Lewis Beck, profesor i Shkencave Politike, i cili ka kryer studime të thelluara mbi zgjedhjet, parashikimet zgjedhore dhe ekonominë politike, tha se një nga arsyet pse nuk vjen të punojë në lindje është se "njerëzit tjetër gjë thonë dhe tjetër bëjnë".

Ka një sërë faktorësh, të cilët ndikojnë direkt në marzhin e gabimit, që sipas profesor Memës e bëjnë një sondazh të besueshëm ose jo.

Për sa i përket sondazheve të kryera në Shqipëri, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në marzhin e gabimit kanë qenë përzgjedhja e kampionit, saktësia e përgjigjes së njerëzve dhe fasha e gjerë e votuesve të pavendosur.

Çdo rezultat sondazhi është i përbërë nga kombinimi i dy variablave: përbërja demografike e elektoratit, që në Shqipëri është jo homogjene dhe se si pritet që secili grup të votojë. Jo- homogjeniteti i popullatës bën që marzhi i gabimit të sondazheve të rritet, tha profesor Mema.

Megjithëse analistët përpiqen që të bëjnë peshimin e rezultateve, arritja e një parashikimi të saktë mbetet e vështirë.

Zgjedhjet në Shqipëri kanë disa karakteristika të veçanta, p.sh. ka një grup të caktuar votuesish që janë besnikë të përhershëm të një krahu politik. Në vitin e saj më të keq zgjedhor 1993 për Partinë Socialiste të Shqipërisë  dhe në vitin 1997 për Partinë Demokratike numëroheshin rreth 27% të votuesve për secilin krah politik, thotë Mema. (Monitor)

E qetë dhe e bukur, zbulohet jeta e Donës jashtë shtëpisë së Big Brother

Posted: 07 Jun 2017 06:47 AM PDT

Vajza nga Mirdita Dona e cila është konkurrente në shtëpinë e Big Brother këtë vit, ka fituar simpatinë e publikut për qetësinë dhe ëmbëlsinë e saj.

Ajo është lidhur brenda shtëpisë me Musën, dhe duken mjaft të dashuruar. Dona ka treguar se ka qenë modele jashtë shtëpisë, dhe nga eleganca dhe gjatësia e saj, të shkon mendja se duhet të merret me modeling.

Por tabloidi.al, ka publikuar disa foto gjatë një seti fotografik, kur Dona nuk ishte e famshme. Bukuroshja bionde ka marrë pjesë edhe në disa sfilata mode në Stamboll.