Tirana Observer: “FOTO: 6 ushtrimet që tonifikojnë dhe ngrenë lartë gjoksin” plus 9 more

Tirana Observer: “FOTO: 6 ushtrimet që tonifikojnë dhe ngrenë lartë gjoksin” plus 9 more


FOTO: 6 ushtrimet që tonifikojnë dhe ngrenë lartë gjoksin

Posted: 08 Jun 2017 09:00 AM PDT

Me kalimin e viteve, ndryshimet që përjeton organizmi i njeriut janë të shumta e nëse disa prej tyre janë të fshehta, shumë të tjera dallohen qartazi në pamjen tonë.

Flokë të thinjur, rrudha, çehre e zbehtë, qeska nën sy, dhe për fat të keq gjoks jo i ngritur si më parë. Të gjithë fajin e ka kolagjeni, proteina e bukurisë që pas moshës 25 vjeçare fillon e reduktohet ndjeshëm.

Nëse flokët mund t'i lyeni, grimi mund t'ju fshehë disa vite, po për gjoksin çfarë mund të bëni?

Në fotogalerinë e mëposhtme gjeni 6 ushtrime që do të tonifikojnë muskujt e kraharorit.

1. Mblidhni dorën grusht dhe vendoseni nën mjekër për 5 sekonda. Relaksohuni për 5 sekonda dhe përsëriteni për 2-3 herë.
2. Bashkoni duart para gjoksit tuaj duke i mbajtur si në këtë foto. Sigurohuni të ushtroni presion dhe të rrini drejtë në mënyre që të tendosni muskujt.

 

3. Pompat mund të forcojnë muskujt e kraharorit. Mund të filloni duke bërë nga 10 në ditë dhe do të shihni ndryshim brenda një kohe shumë të shkurtër.

 

4. Shtrihuni në stomak, dhe përqipuni të kapni këmbët me duar. Rrini në këtë pozicion për 20 sekonda, bëni 10 sekonda pushim e përsëriteni 3 herë.

 

5.Qëndroni rreth gjysmë metri larg nga një mur, shtrini krahët dhe ushtroni presion për 20 sekonda. Mendoni se është një ushtrim i kotë, por nuk e dini sa shumë ndikon në tonifikimin e gjoksit.

 

6. Për dy ushtrimet e fundit ju nevojiten dy pesha për të realizuar këto pozicione.

 

 

Nga politika, terrorizmi e deri te lufta në Siri, rrëfehet Pep Guardiola

Posted: 08 Jun 2017 08:40 AM PDT

Pep Guardiola u intervistua nga Monica Terribas në "Catalunya Radio".

Duke folur për të ardhmen e tij, të Barcelonës, Messit dhe Manchester City, u pyet nga gazetarja për tema të ndryshme, si terrorizmi, politika ndërkombëtare, referendumi për pavarësinë e Katalonjës dhe marrëdhëniet e tij me shtypin. Këto janë 10 frazat e tij më të mahnitshme:

TERRORIZMI

"Ne nuk mund të jetojmë në frikë, por është e frikshme. Jeta është mbi çdo gjë dhe të gjithë janë në rrezik."

SIRIA

"Konflikti është shumë kompleks, me lidhje ndërkombëtare dhe interesa ekonomike. Nuk do të zgjidhet nëse fuqitë e mëdha botërore, si Shtetet e Bashkuara, Rusia apo Kina, nuk pajtohen."

KSENOFOBIA

"Në Angli unë nuk e kam vënë re. Ai është një vend multikulturor".

REFUGJATËT

"Ju keni për t'u ndaluar gjatë në atë që po ndodh në Mesdhe. Kjo është një dramë njerëzore".

KATALONJA

"Lexoni manifestin, e diela është një nder dhe privilegj. Çdo popull ka të drejtë të vendosë të ardhmen e tij. Ne kërkojmë vetëm për të votuar".

MEDIAT

"Unë nuk jam i prirur pas rrjeteve sociale, kritikat e medias më ndikojnë shumë. Shtatë ose tetë vjet më parë, kur shkova në një studio radioje, konstatova se gazetarët më japin frikë".

Fijet e biznesit në politikë: Kush janë parellinjtë e PD-së e PS-së këtë fushatë

Posted: 08 Jun 2017 08:20 AM PDT

Biznesi dhe politika nuk janë kundërthënëse ndaj njëra-tjetrës dhe madje futja e biznesmenëve në sallën e Kuvendit është shndërruar tashmë një praktikë pragamatiste e partive shqiptare në dekadat e fundit. Kështu po ndodh dhe këtë fushatë, ku sëmundja e PS-së së Ramës, për të cilën është akuzuar rregullisht, i ka kaluar dhe akuzatores kryesore, PD-së…   

Në vitin 2009 në listën e deputetëve të Partisë Socialiste kishte kaq shumë njerëz nga bota e biznesit saqë mund ta ngatërroje me listën e ndonjë partie konservatore të djathtë.  Tentativa dukej qartësisht për interesa elektorale. Duke qenë në opozitë PS-së i duheshin sa më shumë njerëz me influencë dhe para për të fituar. Ishte koha kur kjo parti përfaqësohej nga Tom Doshi në Shkodër duke marrë mandat të majtë në një zonë që votonte vetëm djathtas.  Marrëdhënia mes PS-së dhe biznesmenëve nuk ishte një marrëdhënie natyrale, ideologjike. Doshi dhe biznesmenë të tjerë i lidhte interesi i fijeve të nëndheshme mes biznesit e politikës, ku njëra ndihmon tjetrën dhe të dyja bashkë krijojnë më shumë pushtet.

Sot që është në pushtet dhe nuk e ka më Doshin në listën e saj, PS e ka reduktuar ndjeshëm numrin e biznesmenëve në lista duke e zëvendësuar me mjekë, juristë dhe prefektët dhe drejtorët e administratës së fundit.

Në krahun e djathtë shohim fenomenin e listave të dikurshme të PS-së. Partia Demokratike ka plot 20 biznesmenë në listat e saj të kandidatëve për deputetë në raport me 12 të tillë që ka gjithsej PS-ja në këto zgjedhje.

Mbështetja tek biznesi në zonat e pasigurta

Partitë i duan biznesmenët ose njerëzit me influencë në zonat ku ndihen të pasigurta për votën; fjalën e kanë zëvëndësuar me forcën e parasë.

Po të shohësh listat e 25 qershorit, PD-ja ka vendosur më shumë biznesmenë në Vlorë në tentativë për të rritur numrin e mandateve. Vlora është një zonë elektorale kryesisht e majtë dhe vetëm paraja mund të ndikojë në forcimin e PD-së në elektorat. Listën e kryeson ai që njihet si "mbreti i call-centerave", Agron Shehaj, një biznesmen i ri që vjen nga Italia dhe që ka hapur mijëra vende pune në sektorin më të madh të punësimit në vend për të rinjtë këto vitet e fundit.

Por PD-ja ka dhe në Tiranë disa sipërmarrës të fuqishëm siç është Adi Haxhiymeri i PAA-së, pronar i fabrikës së parë të miellit në vend.

Në qarkun e Beratit, ku beteja është e fortë mes PD-së, PS-së dhe LSI-së për mandatet e deputetëve Lulzim Basha ka vënë në lista jo pak por tre biznesmenë lokalë: Astrit Veliajn, Bujar Hoxhajn dhe Myslim Haxhin.

Në Durrës dhe  Fier po ashtu ka nga 4 kandidatë që vijnë nga bota e biznesit dhe janë një suport i madh financiar për fushatën elektorale të partisë edhe kur nuk janë në listat fituese.

Nga ana tjetër, PS-ja e cila i ka me kursim emrat e biznesmenëve në listat e saj, në qarkun Shkodër ka 4 kandidatë që vijnë nga bota e biznesit. Është pikërisht Shkodra bastioni blu ku e majta synon të krijojë elektorat me anë të njerëzve me influencë dhe me pushtet në zonë.  Po ashtu në Kukës ku garon me emrin e Safet Gjicit, president i ekipit të futbollit të qytetit.

Nuk e bën këtë as në Fier dhe as në Vlorë, apo në Elbasan, ku futet me sigurinë e bastionit të majtë që nuk e ka lënë asnjëherë në baltë.

Tesheshi.com renditi qark për qark kush janë biznesmenët që garojnë nën siglat e dy partive të mëdha./tesheshi.com/

Biznesmenët e PS-së:

 

Tiranë:

Sadri Abazi

Arben Pëllumbi

Kukës:

Safet Gjici

Shkodër:

Paulin Luli

Alfons Babani

Vilson Masmala

Pjetër Nika

Durrës:

Ilir Ndraxhi

Korçë:

Ilir Xhakolli

Fidel Ylli

Vlorë:

Vullnet Sinaj

Gjirokastër:

Laert Duraj

Fier- S'ka

Dibër – S'ka

Lezhë -S'ka

Elbasan -S'ka

Biznesmenët e PD-së:

Berat:

Astrit Veliaj

Bujar Hoxhaj

Myslim Haxhi

Dibër:

Edmond Isaku

Agron Qoku

Durrës:

Agron Duka

Shkëlqim Fortuzi

Dejana Burgija

Agron Loka

 

Fier:

Myslim Murrizi

Dilaver Kamberaj

Ferdinant Cobo

Ermal Sefa

 

Tiranë:

Fuad Haxhiymeri

Flamur Hoxha

 

Shkodër:

Nikolin Staka

Vlorë:

Agron Shehaj

Dashamir Tahiri

Florenc Spahiu

Ervis Meco

Elbasan –ska

Anketimi: Shqiptarët i përdorin antibiotikët si “karamele”

Posted: 08 Jun 2017 08:05 AM PDT

Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur nëpërmjet një anketimi se antibiotikët merren në 24 për qind të rasteve pa recete mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre.

Mes pjesëmarrësve në anketë, 71% e tyre raportuan se ata morën antibiotikët e tyre nëpërmjet një recetë mjekësore (nga mjekët e tyre të familjes ose specialistë), ndërsa 24% nuk ​​i kanë marrë antibiotikët e tyre me recetë mjekësore, raporton Monitor.

Në veçanti, 73% e individëve gabimisht konsideruan se dhimbjet e fytit mund të trajtohen me antibiotikë. Për më tepër, 69% e pjesëmarrësve deklaruan se ftohjet e zakonshme dhe gripi duhet të trajtohen me antibiotikë. Gjithashtu, 41% dhe 34% të individët konsiderojnë të përshtatshme përdorimin e antibiotikëve për dhimbje të përgjithshme të trupit dhe të kokës respektivisht.

Instituti i Shëndetit Publik vë në dukje se kishte dallime të konsiderueshme gjinore në lidhje me mënyrën e marrjes së antibiotikëve, ku 75% e femrave raportuan se përdoren recetën mjekësore për marrjen e tyre krahasuar me 66% të meshkujve.

Anketimi nxjerr në pah se të rinjtë janë të përgjegjshëm pasi 78% e tyre i marrin antibiotikët më recetë, ndërsa në moshën më të vjetër vetëm 60 për qind e tyre përdorin recetën.

Përqindja më e madhe që nuk i drejtohen mjekut për recetë janë të paarsimuarit. Anketimi ka gjetur se vetëm 55 për qind e atyre me arsim 8-të vjeçar kanë përdorur recetën për të marrë antibiotikë.

Për më tepër, niveli i parashkrimit mjekësor ishte më i lartë në zonat urbane krahasuar me zonat periferike dhe veçanërisht zonat rurale.

Në përgjithësi, 61% e pjesëmarrësve u përgjigjën se antibiotikët duhet të merren sipas udhëzimit. Anasjelltas, rreth 33% raportuan se antibiotikët mund të ndalen kur ata ndjehen më mirë.

Ndaj totalit, 31% e pjesëmarrësve të përfshirë në këtë studim raportuan se kishin përdorur antibiotikë muajin e fundit, më tej 30% kanë raportuar se kanë përdorur në 6 muajt e fundit, 19% në vitin e kaluar, 12% më shumë se një vit. Ndërsa vetëm 4% e individëve nuk kishin përdorur kurrë antibiotikë.

Prevalenca e përdorimit të antibiotikut në muajin e fundit ishte dukshëm më e lartë në zonat rurale krahasuar me zonat urbane.

“Corriere della Sera”: Aksi Varese-Elbasan, zemra e trafikut të kokainës

Posted: 08 Jun 2017 07:48 AM PDT

"Elbasani, një qytet me 125 mijë banorë në qendër të Shqipërisë, është një prej vendeve prej të cilave duket se dalin vetëm gjëra të këqija. Elbasani është ana tjetër e aksit që lidh Shqipërinë me provincën e Vareses në Itali. Elbasani është djepi i xhihadizmit europian, vend i radikalizimit ku kalojnë si "ushtarët", edhe ata që duan të bëhen kamikazë".

Kështu e nis shkrimin e saj e përditshmja italiane "Corriere della Sera", e cila ka bërë një reportazh të shkurtër mbi "rrugët"e narkotrafikut që lidhin Shqipërinë me Italinë.

"Nga Elbasani vinte Bledar Ibrahimi, i dëbuar në mars 2016 nga Pozzo d'Adda, mes provincave të Milanos dhe Bergamos, pasi i tërhequr nga idetë e Shtetit Islamik kishte shprehur dëshirën për  të luftuar në radhët e organizatave terroriste. Por marka më e famshme e këtij qyteti mbetet droga. Një vit më parë policia gjeti atje një kapanon për prodhimin e kokainës sipas stilit kolumbian. Kolaumbianët kishin çuar në Shqipëri përvojën e tyre për prodhimin e kokainës së cilësisë së lartë që sillte përfitime të majme", thuhet në shkrim.

Në këtë xhiro milionash kanë hyrë edhe lombardët, mes të cilëve spikat emri i Pasquale D'Ambrosios dhe udhëtimet e tij të shpeshta drejt Shqipërisë.

Nuk mund të ketë tjetër rajon në Itali kaq të "disponueshëm" për të siguruar pilotë dhe pista private e publike për mjetet e fluturimit.

Në provincën e Vareses duket se përmblidhen të gjitha interesat kriminale të Lombardisë dhe Shqipërisë. Vendi me 10 mijë banorë është vatër e një organizate të fuqishme, krerë të të cilës janë hetuar, vënë në arrest shtëpie apo ia kanë mbathur në Shqipëri, thuhet në shkrim.

Edhe në Varesotto, bandat shqiptare drejtojnë trafikun e drogës. Me kalimin e kohës, ato janë maturuar, kanë përsosur shpërndarjen dhe kanë shtuar lidhjet.

Për udhëtimet drejt Shqipërisë, korrierët e drogës shfrytëzojnë tre avantazhe që u jepen. E para është numri i madh i fluturimeve në fundjavë, kur edhe amatorët preferojnë të ngrihen nga pistat e tyre.

Avantazhi i dytë është mundësia për të fluturuar ulët, në mënyrë që të mos kapen nga radarët, ndërsa i treti ka karakter gjeografik. Për shkak të distancës së shkurtër, fluturimet nuk zgjasin shumë dhe bandat shqiptare të drogës kanë në të gjithë Italinë pika mbështetjeje të mbrojtura, si p.sh. në Pulia.

"Disa ekspertë të hetimit të trafiqeve e krahasojnë mafian shqiptare me atë të Kolumbisë. Fakti që ka ngjashmëri, por edhe diferenca të mëdha me Kolumbinë, nuk e ndryshon aspak profilin kriminal të vendit përtej Adriatikut", thekson shkrimi.

Në tregun e kokainës kanë hyrë shumë prej skafistëve të viteve '90, koha e eksodit të madh drejt Italisë, ndërsa gjithnjë e më shumë në hetime dalin emra të personazheve të famshëm. Në një operacion në Elbasan një vit më parë u kap edhe nipi i diktatorit komunist, Enver Hoxha. / TemaTv

Blushi: Të vjedhësh njerëzit me aftësi të kufizuar është mëkati i madh dhe qeveritë e kanë bërë

Posted: 08 Jun 2017 07:34 AM PDT

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi vijon fushatën derë më derë në lagjet e Tiranës.

Së fundi ai është takuar me banorë të "Don Boskos", ku ka premtuar mbështetje ndaj personave me aftësi të kufizuara.

"Do t'i japim fund që qeveritarët dhe administrata e korruptuar i fut duart në supa e në ushqime njerëzve me aftësi të kufizuar. Të vjedhësh njerëzit me aftësi të kufizuar është mëkati më i madh dhe kjo qeveri e ajo përpara kësaj, e ka bërë në mënyrë konstante. Kanë vjedhur njerëzit me aftësi të kufizuar. Kjo praktikë do marri fund! Do ndëshkohet çdo njeri që prek atë që meriton, atë që i takon këtyre personave", tha Blushi.

Blushi i shoqëruar me mbështetësit e tij ka shpërndarë fletëpalosje me programin e Libra, teksa u ka kërkuar të mbajnë në dorë një shirit të verdhë me simbolin e saj.

Zv/kryeministrja nuk ndalet me “kërcënimet”, këtë herë për punonjësit e Bashkive dhe Prefekturave

Posted: 08 Jun 2017 07:26 AM PDT

Zëvendëskryeministrja Ledia Mandija ka shpërndarë një tjetër deklaratë ku paralajmëron të gjithë nënpunësit civil për pjesëmarrjen e tyre në fushatë.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, zv.kryeminstrja iu bën thirrje punonjësve të mos marrin pjesë në fushatë gjatë orarit zyrtar dhe të mos bëjnë fushatë për asnjë subjekt politike me asnjë mjet, duke përfshirë të shkruar apo të ekspozuar publikisht.

Ndër të tjera në thirrjen e Mandijas gjithashtu theksohet se nuk mund të përdoren burime të organeve publike.

Deklarata

Zëvendëskryeministrja në vijim të njoftimit për shtyp të datës 1 qershor 2017 në adresë të gjithë institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe vendor duke ndjekur situatën në terren si bazuar në informacionet e marra, nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp dëshiron të sqarojë veçanërisht të gjithë punonjësit e Bashkive dhe Prefekturave që janë nëpunës civilë, administrativë apo me kontratë punë që e kanë të ndaluar gjatë orarit zyrtar të punës çdo lloj pjesëmarrjeje në aktivitete/veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati.

Ndërkohë punonjësit e institucioneve më sipër që gëzojnë statusin e nëpunësit civil jashtë orarit zyrtar kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari politike, por nuk u lejohet të shprehin publikisht bindjet dhe preferencat e tyre politike. Kjo do të thotë që nuk u lejohet të ndërmarrin veprime për të bërë fushatë për një subjekt politik/zgjedhor apo kandidat, të jenë protagonist në aktivitete/veprimtari politike apo të manifestojnë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht.

Gjithashtu, sqarojmë që bazuar në nenin 88 të Kodit Zgjedhor nuk mund të përdoren apo të vihen në mbështetje të kandidatëve, partive politike apo koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror e vendor apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota dhe/ose emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo drejtues të entit pavarësisht kapitalit apo pronësisë.

Me "burime" kuptohen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të "burimeve njerëzore" kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore.

Gjatë fushatës zgjedhore gjithashtu ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, me përjashtim të rasteve të përligjura. Konsiderohen raste të përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve, sipas legjislacionit përkatës, ose marrja në punë bëhet brenda strukturës dhe organikës në fuqi përpara fushatës zgjedhore nga institucioni apo enti publik në përmbushje të misionit të tij. Bëjnë përjashtim rastet e emergjencave për shkak të ngjarjeve të paparashikuara që diktojnë marrjen në punë.

Për sa më sipër ju bëjmë thirrje veçanërisht Bashkive dhe Prefekturave, por edhe çdo institucioni tjetër në nivel qendror e vendor të marrin masa për respektimin e plotë të dispozitave ligjore dhe nënligjore gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe sjellim në vëmendje që mosrespektimi i tyre mbart pasoja ligjore sipas ligjit deri në ndjekje penale.

“Jam socialist, por votën do ja jap PD-së”, Rama i kthehet komentuesit

Posted: 08 Jun 2017 06:50 AM PDT

Në një kohë kur na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet e 25 qershorit, kryeministri Edi Rama u bën shpesh herë thirrje qytetarëve që të votojnë PS-së që kjo e fundit të marrë 'timonin në dorë'. Ndaj, i pari i qeverisë këtë fakt e shfrytëzon edhe në faqen e tij të 'Facebook'-ut, teksa komunikon me qytetarët. Një komentues i shkruan Ramës së njeh dikë që votën ia ka dhënë dikur PS-së, ndërsa në 25 qershor do ia japë PD-së. Por kryeministri ia kthen ashtu siç di vetë përgjigjen, ndërsa i sugjeron qytetarët që të marrë dhe dike në përher ndërkohë që nget makinën.

KOMENTUESI 1: Z.Kryeminister viti i katert qe Durresi eshte kthyer ne shkatrrim , dhe kte vit cop cop rruga e plazhit! Te lutem mer masa qe te marre fund kjo masaker

RAMA: Vertet?! Cudi se une aty kalova dhe pashe qe po rindertohet e po behet me e bukur se c'ka qene kurre ndonjehere😊

KOMENTUESI 2: Njoh dhe un nje socjalist qe do ja japi voten demokrateve, kshu shkon kjo pune ske cben.

RAMA: Po po, tamam keshtu si thua ti do shkoje, vetem prit edhe pak se erdhi 25 qershori dhe je qe je, merr ndonje ne preher meqe qenke ne timon e provoje njehere si ecen makina😂

Padia për Vetting-un, Rama dhe Basha “bashkohen” kundër gjykatësve

Posted: 08 Jun 2017 06:35 AM PDT

Padia në Gjykatën Kushtetuese e Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve kundër ligjit të vettingut, këtë herë nuk ka gjetur mbështetjen e opozitës.

Lulzim Basha u shkëput për pak nga fushata elektorale në Korçë dhe në një prononcim për Top Channel nuk la vend për interpretim kur përkrahu pa rezerva vettingun.

"Nuk e njoh natyrën e padisë, konfirmoj mbështetjen totale të PD për vettingun, për pastrimin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar e sidomos nga ata me lidhje kriminale. Jemi ne që prej 3 vitesh e gjysmë kemi kërkuar vettingun me qëllim largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, me qëllim shëndoshjen e sistemit me gjyqtarë e prokurorë që nuk mbrojnë krimin dhe korrupsionin, por u shërbejnë qytetarëve", deklaroi Basha.

Një nga kërkesat e gjyqtarëve është shpallja antikushtetuese e një shprehjeje në ligj, që lidhet me kontrollin e figurës, duke përfshirë në verifikim për lidhje me njerëzit e drejtësisë edhe persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar pa një vendim të formës së prerë.

Çka sipas tyre mund të çojë në vendime abuzive të komisionit të vettingut.

Por sipas kryeministrit, abuzuesit gjenden në radhët e njerëzve të drejtësisë.

"Tani shkojnë atje dhe thonë, 'vettingu dakord, por jo për krimin e organizuar'. Atëherë për çfarë? Se vettingu këto ka, pasuritë dhe lidhjet me krimin. Ke apo s'ke lidhje me krimin, këtë do bëjnë komisionet e vettingut. Këta thonë se këtë s'duhet ta bëni sepse është shkelje e të drejtave të njeriut. Është shkelje e të drejtave të njeriut kur ti si gjykatës ulesh e ha drekë me kriminelë që duhet t'i gjykosh", tha Rama.

Zbatimi i ligjit të vettingut ishte një nga pikat e marrëveshjes Rama-Basha më 18 maj dhe kur Parlamenti të votojë me tre të pestat ngritjen e komisioneve të vettingut, ajo do të jetë dita kur kjo pikë e marrëveshjes të përmbushet plotësisht.

Rama kërkon votat e minoritarëve dhe sulmon Vangjel Dulen: Ja pse s’duhet t’i besoni më

Posted: 08 Jun 2017 06:24 AM PDT

Në dy takime me banorët e Xarrës dhe Finiqit në Sarandë, kryeministri Edi Rama përveç sulmeve për kryedemokratin Basha ka shigjetuar edhe kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dulen.

"Mos i jepni asnjë votë. Pse ajo karrige nuk mban njeri tjetër përveç Vangjelit",- iu drejtua Rama minoritarëve të Finiqit.

Kryeministri tha ndër të tjera se duhet të zgjidhnin mes investimeve dhe Vangjelit, duke shtuar se ky i fundit nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta.

"Doni ujin apo Vangejlin? Doni ujë apo Lulin?",- vijoi ai.

Sulmet ndaj Dules, Rama i ka artikuluar edhe më herët në një takim me banorët e Xarrës, të cilëve iu ka kërkuar të mos i japin asnjë votë, duke shtuar se Dulja nuk i kishte trokituar asnjëherë në zyrë për t'i kërkuar investime për minoritarët.

"Ky Vangjeli u nderua në PS siç nuk është nderuar asnjë përfaqësues i minoritetit, u bë nënkryetar i Kuvendit sapo u zgjodh Idrizi pas ca kohësh dha dorëheqjen. Pse e dha dorëheqjen? Se nuk bashkëjetonte me çamët, secili është përfaqësues i atyre që përfaqëson pse duhet të ikte ky nga nënkryetar Kuvendi? Na shfaqet me Dashin e Havasë dhe vjen këtu e thotë unë e Dashi do bëjmë republikën e re, asnjë votë Dules se është vota më e pavlefshme, është vota e një verbërie të pashoqe, ai do të përfaqësonte minoritetin atje, smë ka ardhur një herë 44 muaj kryeministrër s'mu shfaq një herë të më kërkojë një investim, zgjidhje për një problem njerëzisht vetëm në parlament për të nxitur sherr", tha Rama.