Tirana Observer: “Dorëheqja e Vasilit dhe “ngrirja” e Bashës, rrjetet sociale shpërthejnë në humor” plus 9 more |
- Dorëheqja e Vasilit dhe “ngrirja” e Bashës, rrjetet sociale shpërthejnë në humor
- Nënkryetarët e PD-së i përgjigjen kundërshtarëve për zgjedhjet në parti
- Nga Paulin Paplekaj/ I Llastuari i fatit Lulzim Basha është njësoj si Timon Tepsia
- Si pushonin familjet shqiptare në bregdetin e Dhërmiut në vitet ’60! (VIDEO)
- Eduard Selami do të ishte një magjistar, nëse do të bëhej kryetar i PD-së
- Shefi i Pentagonit, akuza Putinit: Sjellje të këqija. Angazhimi i SHBA ndaj NATO-s mbetet i palëkundur
- Ndërtimi “rilind”. Rritet vlera, në tre muaj jepen 101 leje
- Nga Elton Metaj / Vota kundër që dogji Idrizin
- Maturantja nga Kukësi zgjedh gjyshin në vend të partnerit në mbrëmjen e maturës
- Shkëlzen Berisha tenton të “ulë gjakrat” në PD: Mos linçoni njëri-tjetrin
| Dorëheqja e Vasilit dhe “ngrirja” e Bashës, rrjetet sociale shpërthejnë në humor Posted: 29 Jun 2017 10:08 AM PDT Dorëheqja e Petrit Vasilit nga posti kryetarit të LSI-së ditën e sotme, duke i hapur rrugë marrjes së drejtimit të partisë Monika Kryemadhit, nuk ka kaluar po u ironizuar në rrjet. Por edhe "ngrirja" e Bashës nuk ka ngelur pa u ironizuar nga disa prej faqeve të më njohura në Facebook.
|
| Nënkryetarët e PD-së i përgjigjen kundërshtarëve për zgjedhjet në parti Posted: 29 Jun 2017 09:31 AM PDT Partia Demokratike ka dalë në një deklaratë për mediat duke paralajmëruar të gjithë kritikët dhe demokratët e përfshirë në debat pas humbjes së PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit, të ruajnë etikën. Dy nënkyetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, iu përgjigjën Arben Ristanit, sekretarit të Përgjithshëm të PD, që citoi statutin për të kundërshtuar organizimin e zgjedhjeve në PD. Të dy citojnë nenet në statut që i japin të drejtë të drejtojnë partinë "në mungesë të zgjatur të kryetarit". Dy nënkryetarët, përmendin sërish përçarjen dhe përjashtimin në deklarëtn e tyre. DEKLARATA E PD: Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike janë të hapura dhe çdo anëtar i Partisë Demokratike ka të drejtë të kandidojë. Kjo garë do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për reflektim, diskutim idesh dhe konkurrencë vizionesh për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe demokracisë në vend. Mendimi ndryshe, debati dhe përplasja e ideve janë vlera themelore të Partisë Demokratike. Por, diskutimet duhet të zhvillohen në mënyrë reflektive, të qytetëruar dhe etike duke respektuar të drejtën dhe dinjitetin e gjithkujt, përmes frymës së bashkimit dhe gjithëpërfshirjes dhe jo përçarjes e përjashtimit.
Po sot, Arben Ristani ka reaguar përmes një deklarate, ku sqaron situatën e krijuar brenda kësaj partie për hapjen e procesit zgjedhor për kryetarin e ri. Ristani ka dalë kundër Bashës, |
| Nga Paulin Paplekaj/ I Llastuari i fatit Lulzim Basha është njësoj si Timon Tepsia Posted: 29 Jun 2017 09:28 AM PDT Nga Paulin Paplekaj / Gjatë gjithë fushatës elektorale për zgjedhjet politike të këtij viti, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, jo pa karshillëk, u tha shqiptarëve që e kishte ndihmuar fati dhe mundësitë për të arritur deri këtu, dhe se tashmë e ndiente për detyrë të bënte të njëjtën gjë për popullin, tu jepte fat dhe mundësi. Ata që besojnë në besëtytni edhe mund ta kenë besuar që z. Basha, mund të "shkruante" fat, dhe mund të jepte mundësi, por shumica e popullit siç edhe rezultoi, nuk e morën seriozisht, "Misionarin" e ri. Unë e kam besuar dhe e besoj se Lulzim Basha është i Llastuari i fatit. Por se sa fat dhe mundësi mund të më sjellë, do e vlerësoj pasi të jetë tërhequr nga politika dhe të veshë petkun e eremitit, apo pasi të ketë ndërtuar Teqen e tij ku njerëzit shkojnë të shkruajnë fatin. I llastuari i fatit, është shkolluar në një ndër shkollat më të mira të Kryeqytetit, duke qenë gjithmonë i përkrahur nga mami mësuese në të njëtjë shkollë. Në kapërcyell të ndryshimeve demokratike, ka vazhduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, degë kjo ndër më të preferuarat e rinisë së kohës. Fati e deshi, që nëpërmjet Fondacionit "Shoqëria e hapur për Shqipërinë" të filantropistit Xhorxh Soros, të marrë një bursë për specializim të mëtejshëm në fushën e së drejtës evropiane në Universitetin e Utrechtit, Hollandë. Llastuari i fatit, pa mbaruar akoma kursin e studimeve të larta, si shumë studentë shqiptar që dinin një gjuhë të huaj, iu dha mundësia të shërbejë në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Fati e deshi, që liderit të opozitës Z. Sali Berisha, në vitin 2005 i duheshin djem dhe vajza të reja, të bukur, që dinin anglisht dhe ishin shkolluar në perëndim, për të qenë kjo një mundësi për të Llastuarin e fatit të drejtonte KOP-in, strukturë e re ngritur në Partinë Demokratike. Fal këtij promovimi, Z. Basha u bë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. I Llastuari i fatit, ia atribuon vetes së tij suksesin e ndërtimit të Rrugës së Kombit, në kohën që ishte ministër i transporteve, ndërkohë që shqiptarët e din që këtë rrugë e ka bërë vetëm e vetëm Sali Berisha. Madje, vetë i Llastuari i fatit, në mbrojtjen e tij ndaj akuzave publike, por edhe ndaj procedimit penal të hapur nga Prokuroria, ka shtjelluar faktin që prokurimi i ndërtimit të rrugës është kryer nga një organ kolegjial, Këshilli i Ministrave. "Fajin e kishte Saliu", sipas tij. I Llastuari i fatit, ia atribuon vetes suksesin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në kohën që ishte ministër i jashtëm, madje iluzioni i tij shkon deri aty sa të pretendosjë se Presidenti i SHBA-ve Xhorxh W Bush, paska ardhur për vizitë në Shqipëri, fal punës së mirë të z. Basha, ndërkohë që nuk ka shqiptar që nuk kupton faktin se ishin kushtet e gjeopolitikës ndërkombëtare, dhe vizioni i Sali Berishws, që diktuan anëtarësimin Shqipërisë në NATO. I Llastuari i fatit,ia atribuon vetes suksesin për përmbushjen e kritereve teknike për liberalizimin e vizave në zonën Schengen në kohën kur ishte ministër i brendshëm, ndërkohë që luftën ndaj krimit dhe bandavetë drogës dhe trafiqeve të paligjshme, memorandumin kundër skafeve, e kishin zhvilluar të tjerë përpara, çka solli suksesin më të madh për shqiptarët në këto njëzetë e shtatë vjet qeverisje, "lëvizjen e lirë të qytetarëve". Të Llastuarit të fatit, iu dha mundësia të kandidonte për Kryetar Bashkie të Kryeqytetit, në kohën kur Partia Demokratike ishte në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kur qytetarët e Tiranës ndiheshin të neveritur nga administrimi i Bashkisë që kryhej nga sejmenët e turistit Rama, dhe fitoi me një rezultat të diskutueshëm. I Llastuari i Fatit, në momentin që merr përgjësinë e drejtimit të Bashkisë, kishte nevojë për pushim , kishte nevojë për gjumë. Zhgënjeu të gjithë. Çdo demokrat e bëri të ndihet kokulur për dështimin që provuam në administrimin e Bashkisë. I llastuari i fatit, demostroi se ishte një dembel i pandreqshëm, që në shumicën e tyre punësoi një staf mediokrish sorosistë dhe pinjollë komunistësh.(Për ilustrim, mjafton të konstatohet fakti se një ndër drejtorët kryesor të Bashkisë Tiranë u emërua djali i një prej sekretarëve më famëkeq të Partisë së Punës së Shqipërisë të Rrethit të Tropojës, në fund të monizmit). Një ndër arsyet më të forta të humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet politike të vitit 2013, ishte keqadministrimi i pushtetit vendor nga Kryetari i Bashkisë Tiranë. Pas humbjes, së Partisë Demokratike, lideri Sali Berisha, mori përgjegjësinë prej burri shteti, duke u tërhequr nga drejtimi i partisë. Prapë fati e deshi, që të përfitonte pikërisht ai që kishte përfituar gjithmonë, Lulzim Basha, duke u zgjedhur në krye të Partisë Demokratike, kjo edhe për faktin se konkurrenti i tij, i ndjeri Sokol Olldashi, duke qenë në qeverisjen qendrore, ishte në rreshtin e humbësve, ç'ka nuk e favorizonte në këtë garë. Me ardhjen në krye të Partisë Demokratike, u duk se i Llastuari i Fatit , kishte vendosur të sillte një frymë ndryshe, ku të mbizotëronte meritokracia, kolegjaliteti në vendimmarrje, për ta ringritur partinë. Por Jo… Në janar të vitit 2014, caktoi grupet e punës për të kryer analizën e rezultatit të zgjedhjeve dhe shkaqet që kishin çuar në humbjen e PD. Mirë apo keq, pati një analizë, por me sa duket koston e morën vetë drejtuesit e grupeve, sepse kurrë nuk i vlerësoi kush për punën e tyre. Një tjetër grup drejtuesish të caktuar nga kryetari u nis në bazë, këtë herë me misionin për të regjistruar anëtarësinë dhe kryerjen e procesit të zgjedhjeve në strukturat e degëve të partisë. Procesi përfundoi me sukses, (madje me plot gojën them që është e vetmja punë që Basha ka kryer në PD gjatë këtyre katër viteve), por shumica e këtyre koordinatorëve nuk u vlerësuan ndonjëherë për punën e kryer. Në vijim të drejtimit të partisë, I llastuari i fatit kuptoi se punët kryesore duheshin bërë natën. U caktuan kandidatët për Këshillin Kombëtar të partisë natën, zgjedhjet u bënë ditën, shumica e Këshillit Kombëtar u emërua nga Kryetari natën, mundësisht nga njësia nr. 5, historikisht gropë e zezë për rezultatin e PD. E megjithatë, Këshilli Kombëtar i partisë nuk u mblodh asnjëherë dhe nuk u vlerësua pothuajse asnjëri nga ata. Udhëzimi për zgjedhjet e kryesisë së partisë u hartua natën, doli ditën dhe po ditën u kryen aplikimet. Natën u caktuan kandidatët, dhe pas votimit fiktiv fituesit u shpallën ditën. Natën u vendos të ngrihej e ashtuquajtura "Çadra e Lirisë", ditën u ngrit, natën menaxhohej, ditën ishte për hije. Nën drejtimin e Odetës, Ervinit e Gridës, Lulzim Basha u rrit si lider, partia u shkatërrua, mbështetësit u shpërblyen me bronkopneomoni, Pampurat, Dukrat e Rrumrat me mandate deputeti. Negociatorët europianë dhe të SHBA-ve, negociuan mes palëve ditën, por marrëveshja u bë natën, vetëm për vetëm mes të Llastuarit të Fatit dhe Timon Tepsisë Të ashtuquajturit teknikë ministra e drejtor u caktuan natën, terrorizuan administratën ditën e natën, çka ndikoi në një humbje edhe më të thellë të PD, treguar kjo nga votat që u lexuan natën. Lista e deputetëve u bë natën, u dorëzua e paplotësuar natën për ta plotësuar ditën. I llastuari i fatit, tashmë e konsideronte vetën pronar të partisë, shmangu nga kandidimi personalitetet e partisë, nuk kandidoi asnjë nga kordinatorët kombëtar të partisë, nuk kandidoj anëtarët e kryesisë së partisë,nuk kandidoi kryetarët e degëve të partisë, bashëkëpunëtorët e tij më të afërt që e ndihmuan të bëj opozitë për katër vjet, Nuk kandidoi Kryetarin e FRPD, por kandidoi rivalin e tij humbës në garën ë zhvilluar për këtë forum. Në listat e kandidatëve për deputet, nuk u pa asnjë emër personaliteti të fushës së artit, kulturës apo sportit apo, aq sa një kandidat klloun, gjatë fushatës elektorale duke e ditur këtë difiçencë të listës, deklaronte se duhej që të kishte bërë më shumë palestër për të dhënë idenë se është sportist. Se sa të rëndësishme janë listat, për të cilat ka patur një debat shterues, për sa i përket mediokritetit që përfaqësonin, mjafton të shtoj se: Aty ku kishte kandidat të mirë, pati rezultat spektakolar në favor të PD. Flamur Hoxha e demostroi në Kamëz, Isuf Çela e demostroi në Tropojë. "Vështirësitë krijojnë burrat, ndërsa begatia krijon përbindëshat" – thotë Viktor Hygo. Shpesh më është kujtuar kjo shprehje gjatë kohës që jam ba dëshmitar i keqqeverisjes së Edi Ramës, që si një pinjoll komunisti ka jetuar në begati dhe ka qeverisur si përbindësh. Por, Edi Rama i fitoi këto zgjedhje, sepse populli zgjodhi të mos i ndërroi përbindëshat. Më mirë një përbindësh që e njeh se një tjetër që nuk ia din akoma huqet. Humbja e turpshme e Partisë Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës, duke marrë dyqind mijë vota më pak se në vitin 2013, dhe papërgjegjshmëria totale që demostron Lulzim Basha duke mos dhënë dorëheqjen në tentativë për ta shkatërruar Partinë Demokratike, më ka bërë të reflektoj, dhe të mendoj njësoj siç kanë menduar shumica e popullit, që i Llastuari i Fatit Lulzim Basha, është njësoj si përbindëshi Timon Tepsia, ndaj duhet larguar një orë e më parë nga drejtimi i Partisë Demokratike. |
| Si pushonin familjet shqiptare në bregdetin e Dhërmiut në vitet ’60! (VIDEO) Posted: 29 Jun 2017 09:00 AM PDT Gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar edhe për pushimet verore zbatoheshin rregulla të posaçme për mënyrën sesi duhej të organizoheshin pushimet verore. Për të pushuar nevojitej autorizim i posaçëm. Në vijën bregdetare të vendit për udhëheqjen e lartë u ndërtuan shtëpi pushimi të veçanta ndërsa për familjarët u ndërtuan kampe pushimi. Fletët e kampit ishin të kufizuara në numër dhe jo të gjithë punëtorët apo familjarët arrinin të siguronin një fletë kampi. Bregdeti i Dhërmiut dhe kampi që ishte ndërtua aty ishin më i preferuari nga familjet shqiptare por ashtu si në kampet e tjera nevojitej pajisja me fletë kampi. Bregdeti i Dhërmiut do të ishte një bregdet i pëlqyer dhe nga turistët e huaj që vinin nga blloku lindor e madje nuk do të mungonin as diskutimet konkrete me shtete të ndryshme që kërkonin të ndërtonin infrastrukturën e përshtatshme për të sjellë qytetarët e tyre për të pushuar. Pamjet e mëposhtme i përkasin një dokumentari të vitit 1963, prodhim i Kinostudios "Shqipëria e Re", që kanë si synim të promovojnë zonat turistike të Shqipërisë./SCAN |
| Eduard Selami do të ishte një magjistar, nëse do të bëhej kryetar i PD-së Posted: 29 Jun 2017 08:51 AM PDT Nga Mustafa Nano Lulzim Basha foli parmbrëmë për herë të parë. Foli shkurt. Vëmendja e opinionit publik mbeti e varur te vendimi i tij "për të ngrirë funksionet si kryetar i PD-së deri në zgjedhjen e kryetarit të ri", por në atë fjalim të shkurtër ka patur edhe një gjë tjetër për t'u nënvizuar. Madje, kjo e fundit ishte më e rëndësishmja. Ishte një pasazh i tërë, ku në thelb flitej për pará të pista droge, me të cilat u blenë votat e demokratëve. Po veçoj një pjesë nga ky pasazh: "Me gjithë përpjekjet që unë dhe Partia Demokratike bëmë…, sërish krimi dhe paraja e pistë, presioni i shtetit, nuk u ndalën. Blerja e votës u bë masivisht, duke zëvendësuar edhe një herë debatin për alternativën, me shukun e parave për votën… Kjo ishte një garë e pabarabartë… Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit është triumf i paligjshmërisë. Por… qindra-mijëra shqiptarë që refuzuan të shiten, janë një frymëzim për mua, për demokratët dhe qytetarët e ndershëm, që jo vetëm të mos e ndalim projektin tonë, por të ecim përpara me më shumë energji, kurajë dhe vendosmëri. Është e qartë si drita e diellit, se krimi, bandat, droga, trafikantët e votave e të dinjitetit njerëzor, kanë vetëm një pengesë, vetëm një rezistencë. Dhe unë e Partia Demokratike, së bashku me qytetarët e ndershëm të vendit, nuk jepemi… Mandatet për mazhorancën nuk kanë dalë prej socialistëve të ndershëm, por prej korridoreve të pista të pushtetit dhe kthinave të krimit e bandave. Nuk kanë asgjë për të gëzuar ata që festojnë sot mbi këtë maskaradë që ka ndodhur. Nuk ka gjë më të trishtë se blerja dhe shitja e votës". Më duhet ta them që në fillim: Ky njeri është për të ardhur keq. Pata një si empati për të në momentet e para pas humbjes, kur iu vërsulën ata që e kanë zakon ta braktisin barkën në momentet që barka lëkundet apo lloj-lloj vjetërsirash që nuk kanë asgjë për t'i ofruar as Partisë Demokratike, as Shqipërisë, por ky pasazh më ftilloi e më risolli para syve Lulzim Bashën e vërtetë, një njeri – në rastin më të mirë – deluzional. Ai nuk po e kupton se çfarë ka bërë e çfarë ka ndodhur. Ai po bën me faj gjithçka, por jo veten e jo Partinë Demokratike, që është në një gjendje të mjeruar. Por mund të thotë ndonjëri: "Çfarë ka për t'u habitur në këtë mes? Blerje votash ka patur që ç'ke me të". Ok, e di këtë. Vetëm një idiot mund ta përjashtojë që janë shitur e blerë vota, por i njëjti idiot e di gjithashtu, se humbja e Lulzim Bashës nuk ka lidhje me këtë gjë, dhe se prandaj ajo nuk është fare çështje e shtruar për diskutim. Një kjo. Së dyti, na është e bërë e lodhshme ta dëgjojmë këtë avaz pas humbjes. Nëse një parti e madhe ka bindjen se shitblerja e votës ekziston në këto nivele, ajo duhet të marrë të gjitha nismat ligjore në parlamentin e ardhshëm për të shtuar ndëshkimet ndaj atyre që guxojnë të kryejnë akte të tilla. Diçka ndodhi që këtë herë, gjë që u duk te ndalimet, arrestimet, paditë që u ngritën ndaj dhjetëra vetëve e te një klimë frike që u krijua për kundërvajtës të kësaj kategorie. Një klimë e tillë duhet të mbahet e të forcohet në të ardhmen. Vetëm kjo është zgjidhja. Prandaj, është koha për të thënë: Mjaft me denoncime të tilla! Sidomos kur janë të ngritura në havá. Asnjë provë nuk na dha Lulzim Basha me këtë rast. Vetëm bëri denoncimin. Fakti që ai nuk jep prova nuk do të thotë se fenomeni nuk ekziston. Jo, thjesht do të thotë se ai e kushdo tjetër, nuk duhet ta hapë gojën pa prova. Pastaj, siç e thashë, humbja nuk shpjegohet me këtë gjë. Po të ishte kështu, Basha do duhej të na shpjegonte se pse e fitoi PD-ja garën për kreun e bashkisë së Kavajës (meqë ra fjala, ishte gjest i bukur ai përqafimi mes fituesit e humbësit pasi u mor vesh rezultati)? Më saktë, pse nuk e bleu edhe këtë post banda e drogës dhe e krimit? Kjo paaftësi apo padëshirë e Bashës për të lexuar edhe një humbje të tillë katastrofike është shenjë se në atë parti gjërat janë keq. Si për ta përforcuar këtë përfundim, duhet thënë se nuk është vetëm Basha që nuk di ta lexojë humbjen. Duket se pothuaj të gjithë nuk dinë ta bëjnë këtë gjë. Kështu ka qenë qysh në krye të herës në atë parti. Kurrë nuk kanë ditur ta lexojnë humbjen. Është një nga karakteristikat dalluese të saj. Ja, shihni se si reagojnë të tjerët. Sidomos kundërshtarët e Bashës. "E ka fajin Basha", janë duke thënë pothuaj të gjithë, dhe as që u shkon në mendje se ajo parti ka nevojë për shumë më tepër se sa për zëvendësimin e kryetarit. Largimi i Bashës është më e para gjë që duhet bërë, por kjo nuk do ta zgjidhte krizën. Ajo parti duhet rithemeluar. Dhe duhet hapur. Dhe për këtë duhet që PD-ja të mos mbetet në duart e atyre që bërtasin më shumë kundër "armikut", në duar të atyre që për armik marrin këdo që nuk bie dakord me ta, në duar të atyre që u treguan të gatshëm që edhe Merkelin ta nxirrnin të blerë nga Sorosi apo Edi Rama etj. etj. Është e çuditshme se si nuk kuptohet që PD-ja është e zhytur në një krizë të thellë. Po të kuptohej kaq gjë, do të ishte gjysma e së keqes. Sepse kjo krizë, si çdo krizë, është edhe një mundësi e mirë. Është një rast i mirë për ta shkundur këtë parti. Dhe kjo shkundje duhet të fillojë me përpjekjet për ta shkëputur atë nga e shkuara e vet, e për të shpallur një fillim të ri. "Një fillim i ri" jo për ta përdorur si slogan, siç u përdor "republika e re". Jo, lipset një fillim mirëfillti i ri. Mirëpo, duket se ka shumë pak demokratë që e shohin këtë punë kështu. Për më tepër, këta pak demokratë nuk guxojnë t'i thonë ato që mendojnë, ose guxojnë me shumë kujdes, iu vinë rrotull gjërave, e përdredhin gjuhën, më shumë e kanë mendjen të konformohen e të mbijetojnë, se sa të bëjnë tronditjen e madhe. Një nga këta duket se është Eduard Selami, që e ka shpallur kandidaturën tanimë. E dëgjuat mbrëmë atë? Nuk ka diskutim që ai është i ndryshëm nga kafshët e fermës orwelliane me emrin PD, është i ndryshëm sidomos nga kryederri, por në konferencën për shtyp e në "Top Story" nuk u shty më tutje se sa duhej. Është i justifikuar, ngaqë atij i duhet të bëjë real-politikë, ndryshe e sheh veten jashtë derës së selisë së PD-së (atje ku dje tentoi ta nxirrte një qëndrestar), por në të njëjtën kohë, ai ka shumë gjasa të pësojë një fiasko në një garë të kontrolluar plotësisht nga kundërshtari i tij, e kështu ka shumë mundësi të pësojë fiasko pa mundur as të denoncojë kushtet e pabarazisë në këtë garë. Nëse e ka të sigurt humbjen (siç ngjan të jetë; do ishte shumë naiv, nëse këtë fund nuk e çon në mendje), do ishte më mirë që ta çonte pak zërin (aq sa mund ta çojë ai) në mënyrë që të mbahet mend si dikushi që e vuri gishtin mbi plagët e mahisura të kësaj partie, se sa si dikush që doli ashtu si hyri, pa lënë asnjë gjurmë, e ç'është më e keqja, duke e lënë PD-në ashtu si është sot, të vdekur dhe të pakallur në dhé. Eduard Selami është optimist, por unë vetë kam frikë se gjendja në atë parti është e pashpresë, kam frikë se ajo parti është e sëmurë dhe e pashërueshme. Dhe kjo garë ka për ta provuar këtë që sapo thashë. Për trishtimin e Selamit./Mapo |
| Posted: 29 Jun 2017 08:32 AM PDT Shefi i Pentagonit, James Mattis akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për "sjellje të këqija" në arenën ndërkombëtare dhe tha se angazhimi i Amerikës ndaj NATO-s mbetet i palëkundur. Mattis i bëri këto komente në Gjermani gjatë një aktiviteti me rastin e 70-vjetorit të Planit Marshall. Duke folur për studentët në Gjermani në përkujtim të Planit Marshall për rindërtimin e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore, Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se Rusia ka zgjedhur të sfidojë rendin e "sigurisë dhe të paqes". Duke ju refereruar konfliktit ne Ukraine dhe ndërhyrjes së Moskës në procesin zgjedhor amerikan ai u shpreh: "Me sjelljet e këqija përtej kufijve të Rusisë, udhëheqësi rus nuk synon të përmirësojë fatet e këtyre njerëzve apo të rindezë shpresën e tyre", shprehet James Mattis, shef i pentagonit. Vizita e zotit Mattis në Gjermani është e katërta në Evropë që kur ai u bë sekretar i mbrojtjes në muajin janar. Partnerët e shqetësuar evropianë i kanë drejtuar sytë tek ai për mesazhe lidhur me synimet ndërkombëtare të Amerikës pas pikëpyetjeve të ngritura nga Presidenti Donald Trump rreth aleancave të vjetra. Por sekretari i Mbrojtjes theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump duhet të gjykohen nga veprimet e tyre. Mattis vuri në dukje vazhdimin e mbështetjes amerikane për praninë e avancuar të NATO-s në Europën Lindore deri në vitin 2020, për t'iu kundërvënë Rusisë. Në po të njëjtën dite Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se vendet aleate, duke përjashtuar SHBA, do të rrisin shpenzimet e mbrojtjes me 4.3 përqind për këtë vit. Stoltenberg foli përpara gazetarëve në Bruksel, në prag të një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s. Komentet vijnë në klimën e trysnive të ushtruara nga presidenti Donald Trump që aleatët të shpenzojnë më shumë për Aleancën. |
| Ndërtimi “rilind”. Rritet vlera, në tre muaj jepen 101 leje Posted: 29 Jun 2017 08:15 AM PDT Instituti i Statistikave raportoi se vlera e lejeve të ndërtimit që u dhanë në tremujorin e parë të këtij viti u rrit me gati 3 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, nga 3.9 miliardë lekë që ishte në tremujorin e parë të vitit të kaluar, vlera e lejeve të miratuara u ngjit në 11 miliardë lekë në janar-mars të këtij viti. Të dhënat tregojnë se sektori i ndërtimeve private ka nisur të rigjallërohet pas goditjes nga kriza, por edhe moratoriumi. Vlera e projekteve të miratuara ka ardhur në rritje të ndjeshme, veçanërisht nga gjysma e dytë e vitit të kaluar. Sipas INSTAT, vetëm për periudhën janar-mars të këtij viti, autoritetet kanë miratuar 101 leje të reja ndërtimi. Pjesa dërrmuese e tyre, rreth 75 për qind janë ndërtime rezidenciale për qëllime banimi, ndërsa 25 për qind janë ndërtesa tregtare për aktivitete biznesi. Të dhënat tregojnë se gati gjysma e lejeve të miratuara i përket Tiranës, ndërsa në vendin e dytë renditet Vlora me 15.6 për qind. Ndërtimi ishte një nga sektorët më të goditur nga kriza ekonomike, jo vetëm për shkak të ngadalësimit të investimeve publike në infrastrukturë, por edhe rënies së ndjeshme të kërkesës në tregun e banesave. Pesha e sektorit në ekonominë kombëtare gati u përgjysmua brenda pak viteve nga 15 për qind në vitin 2009, në rreth 8 për qind, por në dy vitet e fundit duket se ndërtimi ka nisur të rigjallërohet sërish, ndonëse me ritme të ngadalta. |
| Nga Elton Metaj / Vota kundër që dogji Idrizin Posted: 29 Jun 2017 08:06 AM PDT Elton Metaj/ Procesi zgjedhor i 25 qershorit u mbyll me një rezultat të qartë, duke i dhënë fitoren Partisë Socialiste, por duke dërguar edhe disa mesazhe po kaq të qartë. Ajo që bie në sy, krahas abstenimit masiv, është numri i shtuar i votave që nuk u dhanë për asnjë parti. Këta votues të veçantë sfiduan edhe temperaturat e larta, edhe festën fetare, për t'u bërë pjesë e procesit, duke respektuar një detyrim moral e politik. Në shkallë vendi rreth 32 mijë qytetarë shkuan në kutinë e votimit dhe e shprehën vullnetin e tyre për asnjë nga partitë në garë. Ky numër rezulton të jetë rreth 8 mijë vota më tepër se në vitin 2013, ndonëse këtë herë mundësia për të gabuar teknikisht me votën, duke e bërë të pavlefshme, ishte më e vogël. Fleta e votimit kishte vetëm 18 subjekte, në ndryshim nga viti 2013, ku duhej të sorrollateshe mes 66 siglave e emrave për të gjetur liderin që preferoje. E për rrjedhojë, në vitin 2013 zgjedhësi ishte shumë më pranë mundësisë për të gabuar. Këtë herë, jo. Pra, në një masë të konsiderueshme, në zgjedhjet e 25 qershorit, ajo që ligjërisht klasifikohet si votë e pavlefshme, është në pjesën më të madhe një votë kundër. Këtë e dëshmojnë edhe dhjetra fletë votimi të fotografuara dhe të publikuara në rrjetet sociale, pavarësisht se një gjë e tillë renditet si krim elektoral. Në mënyrë specifike duket se vota kundër, e mbështetur edhe nga një fushatë e Aleancës Popullore dhe disa përfaqësuesve të shoqërisë civile, ka patur efekt te dy personazhe të rëndësishëm politikë. Shpëtim Idrizi dhe Ben Blushi do të jenë jashtë Kuvendit të ardhshëm, ndonëse ishin shumë pranë sigurimit të mandatit të deputetit në qarkun e Tiranës. Pikërisht në qarkun më të madh në vend, ku garonin Idrizi e Blushi, numri i votave për askënd në garë, ishte mbi 8 mijë. Idrizi e ndali vrullin e tij në kuotën 12.347 vota, duke qenë vetëm 0.02 % nën pragun e kërkuar nga ligji. Pra do t'i mjaftonin rreth 100 vota më tepër për të gëzuar sot, bashkë me kolegët e tjerë të Partisë për Drejtësi, Integrim e Unitet. Si për ironi të fatit apo në një kombinacion perfekt hakmarrës, votat kundër në këto zgjedhje i dëshironte një parti tjetër, që përfaqëson komunitetin çam, si Aleanca Popullore, e cila katër vite të shkuar firmosi një marrëveshje paraelektorale me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Shumë gjëra ndryshuan me ardhjen në pushtet të Ramës dhe Idrizi, i zgjedhur deputet në siglën e Partisë Demokratike, e pa veten në bashkëqeverisje me socialistët dhe deri nënkryetar të Kuvendit, duke tundur flamurin e çështjes çame dhe më tej akoma, çështjes kombëtare. Kjo tundje merr fund me rezultatin e Tiranës, ku sabotatorët ndoshta nuk janë vetëm në partinë rivale të Artur Dojakës. Gjithashtu, i penalizuar nga vota kundër në zgjedhjet e 25 qershorit rezulton edhe Ben Blushi me krijesën e tij interesante LIBRA. Ata siguruan në Tiranë 9.535 mbështetës, duke mbetur 3 mijë vota nën kalimin e pragut që e ridërgonte në Kuvend ish-ministrin socialist. Për ta bërë këtë, do të mjaftonin më pak se gjysma e votave të hedhura për askënd. Pa patur strukturën organizative të partisë së Idrizit e rivalëve të tjerë dhe pa mundësitë për shpenzime të ndjeshme, Blushi mori sidoqoftë shpërblimin e tij moral me 20 mijë votat kombëtare për një parti ende në vitin e parë të jetës. Në këtë mënyrë, vota kundër, e koordinuar ose jo, duket se e dha efektin e saj të parë. Ajo u vuri kryqin aspiratave për të mbërritur në Kuvend të Shpëtim Idrizit dhe ndoshta edhe të Ben Blushit. Sikur vetëm gjysma e atyre që votuan për askënd të zgjidhnin shtëpinë apo plazhin më 25 qershor, të paktën Shpëtim Idrizi do të ishte duke folur për fitore dhe për çështjen kombëtare. Tashmë duhet menduar një alternativë tjetër për të bërë politikë nga jashtë Kuvendit. |
| Maturantja nga Kukësi zgjedh gjyshin në vend të partnerit në mbrëmjen e maturës Posted: 29 Jun 2017 07:58 AM PDT Pavarësisht numrit të viteve që mund të kenë kaluar, shumë prej nesh e kanë akoma të shenjuar në kujtesë mbrëmjen e maturës. Vitet e fundit, mbrëmja e maturës është bërë ndwr festat më luksoze mes të rinjve, duke u përpjekur të bëjnë gjëra gjithmonë e më të veçanta. Makina luksoze, veshje ekstravagante, ide nga më të çmendura, gjithçka për të qenë në qendër të vëmendjes. Por, mesa duket një maturante nga shkolla e mesme "Havzi Nela" në Kukës ka gjetur idenë më interesante për t'u paraqitur në mbrëmjen e maturës. E veshur me veshjen tradicionale të qytetit të verilindjes, bukuroshja ka në krah shoqëruesin më simpatik, gjyshin e saj. Të kapur krah për krahu ata kanë bërë ecjen tradicionale në mes të qytetit duke shkaktuar eufori dhe duartrokitje mes të pranishmëve. |
| Shkëlzen Berisha tenton të “ulë gjakrat” në PD: Mos linçoni njëri-tjetrin Posted: 29 Jun 2017 07:29 AM PDT Shkëlzen Berisha ka zgjedhur të reagojë pas disa ditësh që situata në PD është acaruar. Nëpërmjet Facebook-ut djali i ish-kryeministrit Berisha është shprehur se edhe pse nuk preferon të bëhet pjesë e këtij debate, demokratët sot duhet të respektojnë njëri-tjetrin. Statusi i Shkëlzen Berishës Te dashur miq E kuptoj debatin qe ka lindur mes nesh per shkak te rezultatit. Kam zgjedhur te mos behem pjese ne kete debat, ndonese si te gjithe ju kam mendimet e mia. Por nuk i kuptoj dhe nuk i justifikoj dot sulmet, etiketimet dhe fyerjet qe i adresoni njeri-tjetrit. Perse eshte kaq e veshtire te shprehni mendimet tuaja pa ofenduar ata qe nuk mendojne si ju? Perse e keni kaq te thjeshte te zeroni kontributet e demokrateve vetem pse nuk mendoni njelloj. Mendoni se e keni vertet luksin qe me kete rezultat te linconi njeri-tjetrin? Keni plotesisht te drejte te mbani qendrimet dhe mendimet tuaja, por askush nuk ka te drejte te shkele, te mohoje, te ofendoje, te lincoje ata qe mendojne ndryshe nga ju! Kjo nuk eshte demokratike, kjo nuk eshte e ndershme, kjo nuk eshte rruga drejt bashkimit dhe fitores, por rruga drejt percarjes dhe humbjes. Kemi ndare se bashku per 4 vjet opinione dhe qendrime opozitare! I kemi dhene me mijera pelqime dhe mbeshtetje virtuale statuseve opozitare te njeri– tjetrit. Jemi respektuar si pjese e se njejtes familje politike. Kjo nuk duhet te ndryshoje thjesht dhe vetem pse sot keni mendime te ndryshme se si dilet nga kriza, sepse ne perfundim te saj, e vetmja menyre per te dale te bashkuar, eshte respektimi i mendimit ndryshe. Askush nuk duhet dhe as nuk meriton te largohet nga shtepia jone e tronditur sepse mendon ndryshe. |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |
















