Tirana Observer: “Beteja e ashpër për Durrësin: A do të ketë surpriza si në vitin 2013?” plus 9 more |
- Beteja e ashpër për Durrësin: A do të ketë surpriza si në vitin 2013?
- Koleksioni i fotografive të Franc Nopçës: Shqipëria në vitet 1903–1916
- Beteja për Lezhën: Cila parti do marrë mandatin e katërt në qarkun e përplasjeve të egra
- Parashikimi i Bernard Kushner për Shqipërinë: Negociatat brenda vitit
- FOTO: Panik pranë selisë së PS në Tiranë, përlasen dy makina, “Fordi” kthehet përmbys
- A po blen Greqia vota për Vangjel Dulen?
- Beteja për Beratin, disa qindra vota bëjnë diferencën
- Statistikat: 31 % e femrave dhe 18 % e meshkujve të punësuar punojnë pa pagë
- Ish kameramani i Rames hajdut serial në Tiranë, ja grabitjet me biçikletë
- Shuhen shpresat, Tramezzani nuk do ta drejtojë kombëtaren shqiptare
| Beteja e ashpër për Durrësin: A do të ketë surpriza si në vitin 2013? Posted: 15 Jun 2017 09:29 AM PDT Në vitin 2013, Durrës i hoqi një mandat Partisë Demokratike në krahasim me vitin 2009 ndërsa i dha një mandat shtesë Partisë Socialiste. Por ndryshimet demografike kanë bërë që Durrësi në zgjedhjet e vitit 2017 të ketë 14 deputetë dhe jo 13 siç kishte më 2009 dhe 2013. Kjo ka bërë që beteja për Durrësin të jetë edhe më e ashpër këtë vit, ku mandatet për të cilat luftohet janë të shumta, gjë që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve kombëtare. Zgjedhjet e vitit 2009 në Qarkun Durrës i dhanë shtatë deputetë Partisë Demokratike, 5 Partisë Socialiste dhe një deputet LSI-së. Partia Socialiste arriti të fitojë në vitin 2013 mbi 10 mijë vota më shumë se sa në zgjedhjet paraardhëse, duke rrëmbyer mandatin e gjashtë për këtë qark. PD dhe aleati i saj PR arritën të marrin gjashtë deputetë, ndërsa LSI mbeti me 1. Nëse shihet rezultati në vota, përmbysja e vitit 2013 duket qartë. E majta arriti të marrë 79 mijë vota në Durrës ose 51 %, më 2013 ndërsa e djathta mori gati 70 mijë vota, ose 45 %. Më 2009, koalicioni i PS plus koalicioni i LSI (të cilët garuan veçmas) morën 47.3% ndërsa e djathta mori 51.7%. Në Durrës më 2013 u hodhën gati 18 mijë vota më shumë se sa më 2009, ku votat shtesë duket se i mori e majta. Për zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste ka pozicionuar kandidatin Jurgis Çyrbja nga zona e Shijakut të gjashtin në listën e saj dhe Rrahman Rajën] nga Kruja në vend të shtatë. Këto janë dy kandidatët që do të hyjnë në parlament në rast se Partia Socialiste arrin të ruajë rezultatin e vitit 2013 apo ta përmirësojë atë për të fituar shtatë mandate. Përballë tyre Partia Demokratike ka vendosur në vend të pestë Agron Dukën, ish-ministër i Bujqësisë për Partinë Socialiste dhe biznesmen me bazë elektorale në Shijak, i cili fitoi mandatin më 2013 duke garuar për Partinë Republikane ndërsa më 2017 garon si kryetar i Partisë Agrare Ambjentaliste. Në rast se PD arrin të ruajë rezultatin e vitit 2013, atëherë votat e Dukës dhe mandati i Dukës do të jetë vendimtar për të mbajtur këtë rezultat. Duka ka gjasa që do të konkurrojë për të njëjtin mandat me Lefter Kokën, ministrin aktual të Mjedisit dhe i afërm i Dukës, i cili kërkon mandatin e parë për partinë Lëvizja Socialiste për Integrim. Gjithsesi rruga e Partisë Demokratike për mandatin e pestë në Durrës është e vështirë. Në zgjedhjet e vitit 2015, PD humbi në të trija bashkitë e këtij qarku, në Krujë, Durrës dhe Shijak, zona ku fituan kandidatët socialistë dhe në rastin e Shijakut, kandidati i LSI. Në rast se PD dëshiron të marrë një mandat të gjashtë në qarkun e Durrësit, atëherë ky mandat do t'i përkasë Vullnet Topallit, ish-drejtor i Policisë Bashkiake në Tiranë në kohën e Bashës. Të katërmbëdhjetë deputetët që do të nxjerrë qarku i Durrësit pritet të kenë efekt real në rezultatin kombëtar. Partia Socialiste ka deklaruar objektivin e saj për të fituar 71 deputetë, nga 65 që fitoi më 2013 dhe 66 që fitoi më 2009. Partia Demokratike duket e vendosur të mos lejojë që kjo të ndodhë. Durrësi është një nga qarqet ku një rezultat i tillë mund të përcaktohet. Partia Socialiste fitoi gati 61 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2013, plot 10 mijë më shumë se sa në zgjedhjet e vitit 2009. Partia Demokratike fitoi 53 mijë vota më 2013, gati 7 mijë vota më pak se sa PS. Por votat e PD në zgjedhjet e vitit 2013 u ndanë me aleatin e tyre të vjetër, Partinë Republikane, e cila garoi në Durrës Agron Dukën. PR arriti të marrë mbi 10 mijë vota në ato zgjedhje duke siguruar mandatin e deputetit për Dukën, i cili kësaj here nuk garon më vete por garon në listat e PD-së. Për rrjedhojë mund të thuhet se votat që humbi PD, i fitoi PR. Por krahasimisht, Partia Socialiste fitoi më 2013 nga pjesëmarrja më e lartë në votime. Mes viteve 2009 dhe 2013, lista e votuesve në Qarkun e Durrësit u shtua me 23 mijë votues, si pasojë e të rinjve që mbushën moshën e votimit si dhe të banorëve të rinj të Durrësit të ardhur nga anë të tjera të Shqipërisë. Numri i votave të hedhura më 2013 u rrit me 18 mijë, vota që në shumicë u fituan nga Partia Socialiste. Rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit do të varet shumë nga aftësia e Socialistëve për të bindur votuesit e saj të vitit 2013 që të vijojnë ta mbështesin. Burimi: BIRN |
| Koleksioni i fotografive të Franc Nopçës: Shqipëria në vitet 1903–1916 Posted: 15 Jun 2017 09:00 AM PDT Ky koleksion me foto të rralla është publikuar në faqen e studiuesit Robert Elsie dhe janë realizuar në vitet 1903 – 1916 nga baroni Franc Nopça. ![]()
Ja çfarë shkruan Elsie për Nopçën: "Shkencëtari dhe albanologu hungarez, Baroni Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) udhëtoi shpesh në Shqipëri dhe në jug të Ballkanit (Bosnje, Kosovë, Maqedoni, Serbi) midis vitit 1903 dhe Luftës së Parë Botërore. Gjatë udhëtimeve të shumta në malësinë e Shqipërisë së veriut mori me vete jo vetëm një pushkë por edhe një "Kodak" dhe bëri fotografi të rralla dhe magjepsëse të rajonit. Origjinalët e fotografive prej xhamit ndodhen në Muzeumin Hungarez të Historisë Natyrore (Magyar Természettudományi Múzeum) në Budapest".
![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() ![]() |
| Beteja për Lezhën: Cila parti do marrë mandatin e katërt në qarkun e përplasjeve të egra Posted: 15 Jun 2017 08:28 AM PDT Në maj të vitit 2013, Ipeshkvijtë Katolikë të Shqipërisë lëshuan një deklaratë të paprecedentë ku i bënë thirrje besimtarëve të tyre të mos e shesin votën, të mos e japin atë në shkëmbim të parave, duke bërë të ditur se kishte informacion për përpjekje në shkallë të gjerë të blerjes së votës në zonat ku popullsia e besimit katolik është më e numërt. Këto zona në Shqipëri janë Shkodra dhe Lezha. Qarku i Lezhës u bë simbol i fenomenit të kriminalizimit të politikës në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013, me pjesëmarrjen në garë të shumë personave me probleme me drejtësinë si dhe me akuza të shumta për blerje votash. Në ditën e zgjedhjeve, një militant i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Gjon Gjoni, u vra në përleshje të armatosur me deputetin demokrat Mhill Fufi. Fufi akuzoi Gjonin se po u jepte para banorëve të varfër të Qarkut Lezhë në shkëmbim të votës për LSI. Vrasja mbeti zyrtarisht pa autor dhe vijon të jetë e tillë edhe sot, katër vjet më vonë. Koalicioni i majtë pati marrë vetëm 35 për qind të votave në Qarkun Lezhë në zgjedhjet e vitit 2009, ndërsa ia doli të marrë 49.03 për qind të votave më 2013. Megjithatë, në numër deputetësh nuk ndryshoi asgjë. Partia Demokratike mbajti katër deputetë me një rezultat të ngushtë duke fituar 49.4 për qind të votave. Tre deputetët që PS i pati fituar më vete më 2009, u ndanë më 2013 në 2 socialistë dhe 1 LSI. Ndryshimi i rezultatit nga 2009 më 2013 tregon se në Qarkun Lezhë më 2013 u hodhën 10 mijë vota më shumë se sa më 2009 dhe pjesëmarrja u rrit me 3 pikë përqindjeje. Votat shtesë të krijuara nga rritja e numrit të votuesve dhe rritja e pjesëmarrjes ranë përgjithësisht në llogaritë e PS dhe LSI. Megjithatë, rezultati final në numër deputetësh nuk ndryshoi. E vetmja gjë që ndryshoi është që LSI fitoi një mandat që më 2009 e pati fituar PS. Pyetja për zgjedhjet e vitit 2017 është nëse Partia Socialiste do të arrijë të marrë më shumë vota se sa më 2013 për të fituar një mandat shtesë në këtë qark apo nëse Partia Demokratike do të arrijë të ruajë rezultatet e viteve 2009 dhe 2013. Pushteti vendor aktualisht në këtë qark ndahet në tre bashki, Lezhë, Kurbin dhe Mirditë, nga të cilat, Lezha, ku gjenden më shumë se gjysma e votave të qarkut, kontrollohet nga Partia Demokratike ndërsa Mirdita dhe Kurbini kontrollohen nga Partia Socialiste. Pozicionimi i kandidatëve në fushëbetejën e vitit 2017 nga partitë kryesore në vendet kyçe ku luftohet për mandate sugjeron se Lezha kësaj herë ka gjasa të ketë një fushatë më të qetë se sa zgjedhjet e kaluara. Lista e kandidatëve të Partisë Socialiste është e mbushur me ish-ministren e Arsimit Lindita Nikolla dhe deputetin aktual Pjerin Ndreu, i cili është i arsimuar në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër mbart emra zyrtarësh shteti apo drejtorësh që kanë marrë postet e drejtorëve pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Mandati i tretë i socialistëve, i cili herën e kaluar i shkoi Monika Kryemadhit të LSI, kësaj here mund të fitohet nga Gjetan Gjetani, aktualisht përgjegjës sektori në hipotekën e Kurbinit ndërsa nëse për socialistët do të ketë një mandat të katërt, ai do të fitohet nga Adriana Jaku, aktualisht drejtoreshë e shërbimit social shtetëror të qarkut Lezhë Pjesa tjetër e kandidatëve në listën e Lezhës ka eksperienca të ngjashme të punësimit në shtet, kryesisht në poste drejtuese pas vitit 2013. Lista e Partisë Demokratike kryesohet nga Aldo Bumçi [Link CV] ndërsa mandati i katërt i diskutueshëm, nëse fitohet nga demokratët, do t'i kalojë publicistit Preç Zogaj. Për LSI për Lezhën konkurron Viktor Tushaj, ish-kryetar i bashkisë Lezhë, aktualisht drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Partia Libra e Ben Blushit konkurron në Lezhë me mjeken Elida Hafizi, e cila në CV-në e saj shkruan se punon si mjeke në Itali që nga viti 2004. Burimi: BIRN |
| Parashikimi i Bernard Kushner për Shqipërinë: Negociatat brenda vitit Posted: 15 Jun 2017 08:05 AM PDT Ish-ministri i Jashtëm francez Bernard Kushner pret që Bashkimi Europian të nisë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë këtë vit. Në një opinion të publikuar në "Financial Times" disa muaj pasi vizitoi Shqipërinë në mesin e krizës së reformës në drejtësi, tashmë që gjithçka është zgjidhur, Kushner pret që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve dhe samitit të Triestes në korrik. Kushner i konsideron çikërrima opinionet se zgjerimi i BE po ndalet për shkak të Brexit, nacionalizmit në rritje apo lodhjes nga zgjerimi. Ai është optimist për Ballkanin perëndimor. Përgjigjia e BE do jetë pozitive në të paktën dy procese negocimi, thotë Kushner, gjykuar nga burimet që BE ka vënë në dispozicion të synimit për t'i mbajtur të gjashtë shtetet në rrugën e anëtarësimit, siç ka ndodhur së fundi me ndërhyrjet në Shqipëri dhe Maqedoni. Tregues është rasti i Shqipërisë. "Për tre muaj PD u fut në një çadër duke kërkuar dorëheqjen e Ramës, bojkotoi Parlamentin dhe nuk ishte kurrë e qartë se përse me një gjuhë bombastike brenda saj mbaheshin fjalime që mund të ishin mbajtur fare mirë në Parlament", shprehet ish-ministri i Jashtëm francez. Por ishte e qartë, sipas tij, se duke lënë bosh vendet në Parlament demokratët po bllokonin reformën në drejtësi, e fundit që kërkohej nga BE përpara hapjes së bisedimeve të anëtarësimit. Brukseli u hodh në veprim. Mogherini dhe negociatori i zgjerimit, Kristian Danielsson udhëhoqën delegacionet që biseduan me krerët e partive. Po ashtu, europarlamentarët ndërmjetësuan dhe marrëvjeshja u arrit. Përpara kërkesave të liderit të PD, sipas Kushner, Rama kishte një kërkesë kyçe, ai ngulte këmbë te reforma në drejtësi përpara zgjedhjeve. "Pa atë thoshte se bisedimet me BE-në nuk përparojnë. Strategjia e tij për arritjen e kompromisit ishte hapja e bisedimeve dhe jo ndarja e përkohshsme e pushtetit", thotë Kushner. Ai shprehet se, Rama po na shfaqet si një ndër liderët politikë më të sofistikuar në Europë. "Artist me famë ndërkombëtare, ish-basktebollist, poliglot dhe ndryshe nga të tjerët nuk shet slogane", thekson Kushner. Edhe Rama e sheh hyrjen në BE si çelësin për të stabilizuar Ballkanin dhe mosmarrëveshjet në rajon. Ai i ka bërë thirje Brukselit të përshpjetojë procesin që të krijojnë një gardh ndaj ndikimit rus. "Nuhatja ime si vëzhgues për një kohë të gjatë i Ballkanit është se pavarësisht ngurrimeve, Brukseli e ka me sy të mirë këtë këndvështrim. BE-së i duhet t'i mbajë shpresat gjallë në Ballkan. Edhe momenti ka ardhur, me liderë pro BE-së në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni, një skuadron reformartorësh të gatshëm për të udhëhequr në rrugën drejt BE", e përfundon opinionin e tij në "Financial Times" Bernard Kushner./Tch |
| FOTO: Panik pranë selisë së PS në Tiranë, përlasen dy makina, “Fordi” kthehet përmbys Posted: 15 Jun 2017 07:25 AM PDT Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në qendër të kryeqytetit. Një automjet tip "Ford" është përplasur kokë më kokë me një automjet tip "Benz" rreth orës 15:30 në afërsi të Bankës së Shqipërisë. Zona është e mbipopulluar dhe ngjarja ka shkaktuar panik tek qytetarët, që kanë vrapuar për të shpëtuar nga rrotullimi i makinave. NJOFTIMI I POLICISË Më datë 15.06.2017, rreth orës 15:50, në rrugën Çamëria, janë përplasur dy automjete dhe për pasojë një mjet është përmbysur. Mjetet e përfshira në përplasje janë automjeti tip "Ford" me drejtues shtetasin S. M. dhe automjeti tip "Mercedes Benz" me drejtues shtetasin S. P. Nga kjo përplasje nuk të lënduar. Punonjësit e Policisë Rrugore po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj përplasje dhe lirimin e trafikut. |
| A po blen Greqia vota për Vangjel Dulen? Posted: 15 Jun 2017 07:10 AM PDT Në çdo palë zgjedhje, një rol jo të vogël kanë luajtur emigrantët shqiptarë nga Greqia, të cilët sillen falas me autobus, kryesisht në jug të vendit për të votuar. Vota e tyre ka qenë e diktuar që në momentin kur ata kanë vendosur të udhëtojnë falas. As zgjedhjet e 25 qershorit nuk mund të bënin përjashtim nga ky rregull. Prej disa ditësh qarkullojnë njoftime për udhëtime me autobus falas nga Greqia në drejtim të fshatrave të Himarës. Sipas njoftimit, janë të parashikuara dy nisje, pasditen e datës 23 qershor dhe pasditen e datës 24 qershor. Ndërsa kthimi në datat 25 ose 26. Por në formularin që duhet të plotësohet për të përfituar nga udhëtimi falas në Shqipëri, çdo person është i detyruar të deklarojë se vota e tij do të jetë për PBDNJ dhe Vangjel Dulen, edhe pse në këto zgjedhje ata do të duhet të votojnë për Partinë Demokratike. A është kjo një mënyrë e blerjes së votës? Këtë përgjigje duhet ta japin organet kompetente./Top Channel |
| Beteja për Beratin, disa qindra vota bëjnë diferencën Posted: 15 Jun 2017 06:36 AM PDT Berati do të nxjerrë një deputet më pak se sa më 2013 në zgjedhjet e këtij viti ndërsa disa qindra vota do të përcaktojnë nëse ky mandat do t'i hiqet PS-së, PD-së apo LSI-së. Lëvizja Socialiste për Integrim doli e dyta në qarkun e Beratit për nga numri i votave në zgjedhjet e vitit 2013, duke kapur rreth 1,500 vota më shumë se sa Partia Demokratike, e cila ra në vend të tretë. Ky ishte qarku i vetëm në Shqipëri ku LSI arriti një sukses të tillë, duke marrë 21 mijë vota dhe duke fituar dy mandate deputetësh, nga një mandat që pati fituar në zgjedhjet e vitit 2009. Partia Demokratike ra në dy deputetë. Formula aktuale e ndarjes së mandateve në Shqipëri është e tillë që një partie i mjaftojnë vetëm një grusht votash më shumë se sa një partie tjetër për të marrë një mandat shtesë. Dhe në qarkun e Beratit, ku numri total i mandateve është ulur nga tetë në shtatë, një grusht votash do të përcaktojë se cila nga partitë do ta humbasë këtë mandat dhe cila do të ruajë të njëjtin rezultat si më 2013. Partia Socialiste doli parti e parë në Berat si më 2009 ashtu edhe më 2013, duke marrë në të dyja rastet katër deputetë. Por ngritja e LSI-së në vitin 2013 bëri që PD dhe aleatët e vet të bien nga tre në vetëm dy mandate deputetësh në vitin 2013. Diferenca u bë nga ajo diferencë e vogël në vota mes partisë së dytë dhe të tretë. Rrjedhimisht, në zgjedhjet e këtij viti, objektivat për palët në Berat janë të qarta: PS duhet të ruajë rezultatin e vitit 2013 dhe ta përmirësojë atë për të siguruar të katër mandatet, duke i lënë PD dhe LSI në betejë për vendin e dytë. Në rast se panorama e votave nuk ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore përgjatë katër viteve të fundit, beteja për vendin e dytë duket se do të jetë e ngushtë. Por një skenar tjetër është që diferenca mes partisë së parë dhe të dytë të jetë e tillë që të parës t'i bie mandati i katërt në favor të së dytës. Partia Socialiste ka vendosur në vend të katërt Fadil Nasufin, ish-kryebashkiakun jetëgjatë të Beratit, i cili arriti ta mbajë postin e kryebashkiakut në zgjedhjet e viteve 2003, e më pas, në zgjedhjet e viteve 2006 e 2011, kur PS qe në opozitë, para se të mos rikandidohej më në zgjedhjet e vitit 2015. Partia Demokratike garon në vend të dytë Astrit Veliajn, biznesmenin drejtues të Albanian University, i cili është deputeti aktual i Partisë Demokratike që nga viti 2013. Partia Republikane ka një prezencë jo të vogël në Qarkun e Beratit, ku më 2009 mori 4,200 vota dhe më 2013 mori rreth 2 mijë vota, ndërsa më 2015, kandidati i saj Kasëm Mahmutaj, që kandidonte për të djathtën, ofroi një garë relativisht të fortë përballë kandidatit të LSI Petrit Sinaj. Në rast se votat e PR-së kalojnë kësaj here te Partia Demokratike falë aleancës informale mes këtyre dy partive, këto vota mund të jenë të rëndësishme për garën për vendin e dytë. Por ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim duket se synon rezultat të fortë në këtë qark që konsiderohet edhe si bastion i saj. Kur Kuvendi i Shqipërisë pa praninë e opozitës diskutoi ndarjen administrative dhe territoriale në vitin 2014, Qarku i Beratit u nda në pesë bashki nga tre që duhej të ndahej normalisht, me kërkesë të Partisë Socialiste, e cila kishte frikë se LSI do të fuqizohej me tepri në rast se do të kontrollonte dy nga tre bashkitë e reja. Të 180 mijë votuesit nominalë të Qarkut Berat janë të ndarë në Bashkinë Berat me 79 mijë votues, Kuçova me 44 mijë, Ura Vajgurore me 30 mijë, Skrapari me 14 mijë dhe Poliçani me 13,600 votues. Aktualisht Bashkia Berat kontrollohet nga Petrit Sinaj, i LSI, Kuçova nga Selfo Kapllani i LSI dhe Skrapari gjithashtu nga LSI. Dy bashkitë e tjera, Poliçani dhe Ura Vajgurore, kontrollohen nga Partia Socialiste. Zgjedhjet për pushtetin vendor janë një tregues i dobët për fuqinë e partive në zgjedhje, por gjithsesi, fakti është që LSI ka dalë në vend të dytë si parti në garën për këshilltarë në të gjitha bashkitë e këtij qarku me përjashtim të Skraparit. LSI garon në Berat me ish-ministrin e vet Nasip Naço dhe me deputetët Gledjon Rehovica e Silva Caka. Burimi: Birn |
| Statistikat: 31 % e femrave dhe 18 % e meshkujve të punësuar punojnë pa pagë Posted: 15 Jun 2017 06:19 AM PDT Norma e të punësuarve për popullsinë 15-64 vjeç është 62 % për burrat si 50 % për gratë. Por INSTAT publikon se struktura e të punësuarve numëron se 31,2% e grave të punësuara janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes, kundrejt 18,2 % të të punësuarve burra. Një pjesë e konsiderueshme e burrave të punësuar janë të vetëpunësuar pra të punësuar me pagë (38,3 %), kundrejt 24,4 % për gratë. Në vitin 2016 rezulton se sektori bujqësor punëson 40,2 % të të punësuarve duke pësuar një rënie me 1 % krahasuar me 2015. Rënia e të punësuarve në këtë sektor i atribuohet rënies së të punësuarave gra në këtë sektor me gati 2 % krahasuar me 2015. Sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e grave pas sektorit të bujqësisë është ai i shërbimeve jo të tregut (20 %) dhe për burrat e moshës 15-64 vjeç punësimi mbizotëron në sektorin e bujqësisë, por në një shkallë shumë të ulët sesa për gratë. Më pas burrat janë të punësuar në sektorin e shërbimeve të tregut me 27,8 %. Të dhëna të përllogaritura mbi numrin e orëve të punës, na tregojnë se 36,5 % e grave punojnë nën 40 orë në javë kundrejt 27,6 % të burrave. Duket qartë se burrat janë ata që punojnë punë të paguar shumë më tepër sesa gratë (50 % e burrave punojnë 40-48 orë në javë përkundrejt 46 për qind të grave). Kur orët e punës rriten në 49 orë në javë, përqindja e grave që punon është sa gjysma e atyre të burrave (23 % burra dhe 11,2 % gra). Gratë kanë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës. Për sa i përket popullsisë 15- 64 vjeç treguesi për burrat ka qenë relativisht i pandryshuar, ndërkohë kemi një përmirësim të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës që prej vitit 2013, nga 50 % në 58 % për vitin 2016. Duke parë arsyet e inaktivitetit, përgjithësisht gratë mbeten jashtë forcës së punës kryesisht pasi janë në pension ose pension të parakohshëm (40 %), duke përmbushur detyrat shtëpiake (21,5 %). Ndërkohë përmbushja e detyrave shtëpiake për burrat është vetëm 1,0 %. Jashtë tregut të punës për grupmoshën 15-64 vjeç janë 42 % e grave, krahasuar me 26 % të burrave. Krahasuar me vitin 2015, kjo përfaqëson një përmirësim si për burrat ashtu dhe për gratë./ Monitor |
| Ish kameramani i Rames hajdut serial në Tiranë, ja grabitjet me biçikletë Posted: 15 Jun 2017 06:15 AM PDT Ishte kthyer në tmerrin e lokaleve në zona të ndryshme të kryeqytetit, por është arrestuar më në fund nga policia. Bëhet fjalë për një hajdut serial që gjuante telefonat e klientëve të lokaleve. 39-vjeçari Erind Vogli përdorte një biçikletë për të kryer grabitjet, por policia ka arritur ta kapë. Mësohet gjithashtu se ai nuk është një emër i panjohur, pasi më herët ka punuar edhe si kameraman pranë Partisë Socialiste. Specialistët e Komisaraitit të Policisë Nr 1, kanë finalizuar me sukses operacionin "Taktika", ku është arrestuar në flagrancë 39-vjeçarin, banues në Tiranë, i dënuar më parë për Vjedhje. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 1. Një telefon i markës HTC 2. Një biçikletë e markës Gial 3. Dy bluza të cilat dyshohen të jenë përdorura prej tij ne momentin e ngjarjeve. Materialet proceduriale i'u kaluan Prokurisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale "Vjedhja", parashikuar nga Neni 134 i Kodit Penal. VJEDHJET E KRYERA Për këtë shtetas është arritur të dokumentohet me prova ligjore se është autor i dyshuar i vjedhjeve të ndodhura: • Në juridiksionin e Komisaritit të Policisë Nr 1: Më datë 14.06.2017, në afërsi të Pazarit të ri, ka vjedhur telefonin e markës HTC, në pronësi të shtetases E. K. Më datë 10.06.2017, në rrugën "Luigj Gurakuqi", ka vjedhur telefonin e markës Samsung, në pronësi të shtetases E. G. • Në juridiksionin e Komisaritit të Policisë Nr 1: Më datë 12.06.2017, në rrugën e "Kavajës", ka vjedhur telefonin e markës Huaëei, në pronësi të shtetases H. Q. Më datë 09.06.2017, në rrugën e "Ibrahim Rugova", ka vjedhur telefonin e markës Samsung, në pronësi të shtetases E. S.
|
| Shuhen shpresat, Tramezzani nuk do ta drejtojë kombëtaren shqiptare Posted: 15 Jun 2017 06:10 AM PDT Trajneri italian, Paolo Tramezzani, ka hedhur poshtë të gjitha dilemat rreth të ardhmes së tij. Ai ka zgjedhur Sionin, klubin zviceran, para kombëtares shqiptare. Ai është zyrtarizuar dje si trajner i ri i skuadrës elitare në Zvicër. Pra, shpresat e presidentit Armand Duka, që dje e ka si kandidat potencial për të zënë vendin e De Biazit të dorëhequr, janë shuar brenda disa orësh. 46-vjeçari, që ishte për gati pesë vite ndihmëstrajner i kuqezinjve, ka lënë Luganon dhe ka firmosur për klubin tjetër të Superligës së Zvicrës. Duhet të kujtojmë se Tramezzani me Luganon bëri histori, teksa në 6 muaj e çoi nga fundi, ku rrezikonte mbijetesën, në vendin e tretë, duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës. |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |








































