“Shtëpia e Bardhë: Presidenti Trump “nuk është gënjeshtar”” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Shtëpia e Bardhë: Presidenti Trump “nuk është gënjeshtar”
- Familja Muhaxheri hap derën për ngushëllime
- Birmani: Janë gjetur 29 trupa të pajetë nga rrëzimi i aeroplanit ushtarak
- Globalizimi i kodit telefonik të Kosovës +383
- Pakistani “parandalon krijimin e bazës së IS-it” në territorin e tij
- BE-ja shtyn përpara reformat në Maqedoni
- OKB: IS-i vrau mbi 230 civilë që iknin nga Mosuli
- Mali i Zi konfirmon padinë kundër "komplotuesve të grushtshtetit"
- Irani rrit sigurinë pas sulmeve terroriste
- Strukturat vendore dhe ndërkombëtare mobilizohen për ditën e zgjedhjeve
- Comey thotë se ishte “diskredituar” nga “gënjeshtrat” e Shtëpisë së Bardhë
- May dhe Corbyn votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Britani
- SHBA në pritje të dëshmisë nga Comey
- Studim mbi vonesat në mjekimin kundër HIV
- SHBA arreston dhjetëra pjesëtarë të një bande ruse
- Vritet Lavdrim Muhaxheri – familja hap derën për ngushëllime
- Koreja e Veriut hedh disa raketa me rreze të shkurtër
- NATO nuk ka rol në demarkacionin e kufijve
- Shpërthim në ambasadën amerikane në Kiev
- Kanadaja rrit ndjeshëm shpenzimet ushtarake
Shtëpia e Bardhë: Presidenti Trump “nuk është gënjeshtar” Posted: 08 Jun 2017 09:57 AM PDT Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti, Donald Trump, "nuk është gënjeshtar", pasi ish-drejtori i agjencisë FBI, James Comey i tha sot një komiteti të Senatit amerikan, se ishte diskredituar nga "gënjeshtrat" e administratës. E pyetur për dëshminë e zotit Comey, zëdhënësja, Sarah Huckabee Sanders, tha sot se "mund të them se presidenti nuk është gënjeshtar". Ajo foli në një takim me gazetarët pa kamera televizive. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Familja Muhaxheri hap derën për ngushëllime Posted: 08 Jun 2017 09:26 AM PDT Lavdrim Muhaxheri, qytetar nga Kaçaniku i Kosovës raportohet të jetë vrarë në luftimet e fundit në Siri. Ai njihet si një udhëheqësi i shqiptarëve në formacionet terroriste të të ashtuquajturit Shteti Islamik [IS]. Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka vizituar lagjen në Kaçanik ku jeton familja e Muhaxherit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Birmani: Janë gjetur 29 trupa të pajetë nga rrëzimi i aeroplanit ushtarak Posted: 08 Jun 2017 08:16 AM PDT Ekipet e shpëtimit i kanë tërhequr 29 trupa të pajetë nga bregdeti i Birmanisë, nga një aeroplan ushtarak që ishte zhdukur me 122 njerëz në të. Ushtria tha sot se janë gjetur 21 trupa të të rriturve dhe të tetë fëmijëve. Janë gjetur edhe mbetje të tjera, disa jelekë të shpëtimit dhe valixhe, që besohet se janë nga aeroplani i zhdukur. Aeroplani transportues i prodhimit kinez, dje po fluturonte për në kryeqytetin e Birmanisë, Jangon, kur e humbi kontaktin me kontrollin e trafikut, pak kohë pasi ishte ngritur nga qyteti juglindor, Mjeik. Shumica e udhëtarëve ishin pjesëtarë të ushtrisë dhe anëtarë të familjeve të tyre, përfshirë fëmijët. Ushtria tha se kapiteni i aeroplanit ishte pilot me përvojë me 3 mijë orë fluturimi, ndërsa aeroplani ishte blerë në mars të vitit 2016 dhe i kishte 809 orë fluturim. Ushtria e Birmanisë, vend ky që njihet edhe me emrin Mianmar, i ka pasur dy përplasje të aeroplanëve të saj gjatë vitit të kaluar. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Globalizimi i kodit telefonik të Kosovës +383 Posted: 08 Jun 2017 07:14 AM PDT Operatorët e telefonisë mobile në Kosovë, vlerësohet se kanë bërë hapa të mirë në drejtim të zbatimit të kodit +383 dhe në globalizimin e këtij kodi, i cili i ishte ndarë Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU). Kryetari i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se faza e parë e thirrjeve lokale është zbatuar, derisa thirrjet ndërkombëtare janë duke u zbatuar hap pas hapi me secilën operatorë ndërkombëtarë. "Procesi është i tillë që operatorët tanë duhet të hynë në marrëdhënie kontraktuale me secilin nga operatorët ndërkombëtarë. Në këtë drejtim, me qëllim të rritjes së vetëdijes për këtë, ARKEP u ka dërguar një letër të gjitha autoriteteve në gjithë botën me qëllim që t'i informojnë operatorët e tyre për marrjen e kodit +383 të Kosovës dhe fazat e zbatimit. Deri më tani dy operatorët më të mëdhenj kanë bërë hapa të mirë në drejtim të zbatimit të kodit +383", ka theksuar Gashi. Aktualisht në Kosovë janë prezent tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin e Serbisë (+381). Drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, i tha Radios Evropa e Lirë se është duke vazhduar globalizimi i kodit të Kosovës +383 dhe se disa nga operatorët e shteteve të ndryshme të botës kanë hapur numeracionin +383. "Ajo çka është pozitive se operatorët e mëdhenj, si ai gjerman, italian, i Turqisë Sllovenisë dhe disa të tjerë, i kanë hapur numeracionin +383 drejt Kosovës dhe ne sot pranojmë thirrje me +383 prej këtyre vendeve apo operatorëve të tyre dhe kjo është pozitive sepse ndihmon në internacionalizimin e +383 si prefiks ndërkombëtar i Kosovës", thekson Latifaj. Latifaj ka shtuar se janë duke u zbatuar të gjitha proceset për kalimin e plotë në kodin +383 edhe eliminimin e kodeve të tjera që përdoren aktualisht në Kosovë. Një komponent i rëndësishëm, shton Latifaj, janë edhe marrëveshjet e romingut që janë rreth 400 të cilat si të tilla duhet të kalojnë në kodin e Kosovës. "Pra është një proces që është duke ecur, ndoshta jo me dinamikën që e kemi pritur, por ne do të jemi në objektivat e caktuara nga ARKEP që në fund të këtij viti kodi i Serbisë për telefoni fikse +381 të eliminohet nga rrejti jonë, derisa + 377 diku kah mesi i vitit të ardhshëm", ka bërë të ditur Latifaj. Faza e tjetër e zbatimit të kodit +383, do të jetë ndërrimi i 'sim' kartelave dhe kjo fazë pritet të ndodhë nga janari i vitit 2018 deri në muajin qershor, kur është edhe muaji i fundit që përfundimisht përmbyllet i tërë procesi. Kosova kishte marrë kodin telefonik +383 në dhjetor të vitit të kaluar, pas arritjes së një marrëveshjeje për telekomunikacionin në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Mungesa e kodit dhe përdorimi i kodeve të shteteve tjera i shkaktuan Kosovës humbje të mëdha. Të dhënat e Qeverisë së Kosovës treguan se kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik kishte arritur shifrën në mbi 200 milionë euro. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Pakistani “parandalon krijimin e bazës së IS-it” në territorin e tij Posted: 08 Jun 2017 07:00 AM PDT Ushtria e Pakistanit tha se ka parandaluar përpjekjet e militantëve të lidhur me grupin ekstremist Shteti Islamik, për të krijuar bazën e tyre në provincën Baluçistan. Ushtria tha se pesë ushtarë janë plagosur, ndërsa 12 "terroristë ekstremistë" të grupit Lashkar-e-Jhangvi Al Alami janë vrarë. Sipas njoftimit të ushtrisë, operacioni është zhvilluar këtë muaj pranë qarkut Mastung dhe ka zgjatur tre ditë. Sipas burimit të njëjtë, forcat ushtarake kanë shkatërruar eksplozivë, rripa vetëvrasës dhe granata, ndërsa kanë konfiskuar armë të tjera. Operacioni është zhvilluar pasi militantët e Shtetit Islamik kanë marrë përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës kundër një ligjvënësi pakistanez, muajin e kaluar në qarkun Mastung. Njëzetepesë njerëz janë vrarë në këtë sulm. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
BE-ja shtyn përpara reformat në Maqedoni Posted: 08 Jun 2017 06:07 AM PDT Njohësit e çështjeve juridike konsiderojnë se paralajmërimi për ardhjen e ekspertit gjerman Reinhard Priebe bashkë me një grup ekspertësh të Komisionit Evropian, duhet parë si angazhim serioz të Brukselit për t'i dhënë shtytje reformave në sistemin e drejtësisë. Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn, përmes faqes zyrtare të Komisionit Evropian, bën të ditur se Priebe i shoqëruar nga një grup ekspertësh së shpejti do të qëndrojë në Maqedoni për të detektuar mangësitë në zbatimin e reformave të cilat u apostrofuan në raportin e hartuar nga Priebe para dy vitesh. "Si pjesë e gatishmërisë së Bashkimit Evropian për punë dhe përkrahje të Qeverisë së re në rrugën për reforma, unë sërish do të dërgojë një grup prej ekspertëve ligjorë të udhëhequr nga Reinhard Priebe, drejtor i Komisionit, që ta ndihmojnë dhe këshillojnë Qeverinë e re për sistemim të sundimit të ligjit", theksohet në njoftimin e komisionarit Johannes Hahn. Ky grup do të përfshijë të njëjtët ekspertë të cilët si ekip përgatitën rekomandimet në lidhje me përgjimet e publikuara në vitin 2015, të cilat kërkesa u inkorporuan edhe në marrëveshjen mes partive politike të njohur si Marrëveshja e Përzhinës. Besa Kadriu nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë konsideron se në Maqedoni në vazhdimësi ka munguar vullneti politik nga ana e institucioneve shtetërore për të jetësuar në praktikë detyrimet që kanë të bëjnë me reformimin e sistemit të drejtësisë në Maqedoni. "Përpos ndikimit të skajshëm të politikës ditore dhe mungesës së vullnetit politik, s'do mend se këtu kemi të bëjmë edhe me hezitimin për të vendosur kuadro profesionale të cilët do t'i prijnë procesit të realizmit të reformave thelbësore në sistemin e drejtësisë". "Ndjekja e porosive që vijnë nga faktori ndërkombëtar, ka të bëjë me hapjen e rrugës së Prokurorisë Speciale Publike që të mund t'i zbardh të gjitha ato procese të cilat do të lënë përshtypjen se vendi është i gatshëm që të ballafaqohet me proceset që i hapin rrugën krijimit të kushteve për një të ardhme më të mirë, një shteti më stabil, por edhe funksionimit normal të institucioneve", thekson Besa Kadriu. Ndërkaq, Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci, ardhjen e ekspertëve juridik nga Brukseli e sheh si mundësi që t'i jepet një shtytje realizimit të reformave. "Grupi i ekspertëve do të duhet të shoh se kush qëndron në anën tjetër, përkatësisht cili është kapaciteti me të cilin disponon Qeveria e re e Maqedonisë për të realizuar reformat e kërkuara dhe njëherësh në cilin afat kohor do të mund të realizohen këto reforma", nënvizon Popoviq. Ndryshe, raporti i ekspertit gjerman Pribe, u publikua dy vite më parë, përkatësisht më 8 qershor të vitit 2015, pasi ai bashkë me një grup ekspertësh, qëndruan për disa ditë në Maqedoni për të detektuar problemet rreth sundimit të drejtësisë. Në raportin e ekspertëve juridik të Bashkimit Evropian, si më problematike për aferën e përgjimeve u fokusua puna e Drejtorisë së Zbulimit dhe Kundërzbulimit. Ndërkohë që në raport u identifikuan problemet e shumta në sistemin gjyqësor dhe media. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
OKB: IS-i vrau mbi 230 civilë që iknin nga Mosuli Posted: 08 Jun 2017 05:52 AM PDT Kombet e Bashkuara thanë se kanë pranuar raporte të besueshme që tregojnë se grupi militant Shteti Islamik ka vrarë mbi 230 civilë irakianë, gjatë përpjekjeve të tyre për të ikur nga luftimet në qytetin Mosul. Në deklaratën e lëshuar të enjten, Zyra e të Drejtave të Njeriut e OKB-së tha se së paku 204 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë qëlluar dhe vrarë për tre ditë të javës së kaluar. Sipas OKB-së, civilët kanë bërë përpjekje të ikin nga lagjja Al-Shifa në perëndim të Mosulit, pas intensifikimit të luftimeve midis luftëtarëve të Shtetit Islamik dhe forcave pro-qeveritare. Forcat irakiane, me mbështetjen e një koalicioni shumëkombësh, kanë nisur ofensivën për rikthimin e Mosulit qysh në muajin tetor. Që atëherë, ata kanë rimarrë kontrollin e pjesës lindore të qytetit, ndërsa vazhdojnë betejën për anën perëndimore. Mosuli ka rënë nën kontrollin e militantëve në verë të vitit 2014. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Mali i Zi konfirmon padinë kundër "komplotuesve të grushtshtetit" Posted: 08 Jun 2017 05:28 AM PDT Një gjykatë në Mal të Zi konfirmoi padinë për 14 njerëz, përfshirë dy rusë dhe dy udhëheqës të opozitës pro-ruse, për rolin e tyre të dyshuar në një komplot për rrëzimin e qeverisë, vitin e kaluar. Gjykata e Lartë në Podgoricë tha se padia përfshin akuzat për "përgatitje të konspiracionit kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Mal të Zi dhe përpjekje për akt terrorist". Procedurat gjyqësore duhet të nisin brenda dy muajsh, tha gjykata. Të pandehurit përfshijnë deputetët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, nëntë shtetas serbë, dy rusë dhe një tjetër malazez. Zyrtarët dyshojnë se ata kanë bërë komplot për të marrë kontrollin e parlamentit gjatë zgjedhjeve parlamentare në tetor të 2016-ës, për të vrarë pastaj kryeministrin e atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq, dhe për të instaluar një udhëheqje pro-ruse, e cila do të parandalonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Prokurorët thonë se dy rusët e identifikuar si Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov kanë qëndruar në Serbi dhe se autoritetet atje i kanë lejuar të kthehen në Rusi. Ata vazhdojnë të jenë në arrati. Prokurori special i Malit të Zi ka thënë se "trupat shtetërorë rusë" kanë qenë të përfshirë në përpjekjen për grushtshtet, por një gjë e tillë është mohuar nga Moska. Mali i Zi është bërë zyrtarisht anëtar i NATO-s më 5 qershor. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Irani rrit sigurinë pas sulmeve terroriste Posted: 08 Jun 2017 05:24 AM PDT Raportet nga Irani thonë se policia ka rritur patrullimet në rrugë dhe në stacionet e metrosë në Teheran, një ditë pas sulmeve vdekjeprurëse në ndërtesën e Parlamentit dhe në tempullin e Ajatollah Ruhollah Khomeinit. Zyratrët iranianë thanë sot se numri i njerëzve të vrarë në sulme është rritur në 17. Përgjegjësinë për sulmet e ka marrë grupi militant Shteti Islamik. Ministria e Inteligjencës e Iranit tha përmes një deklarate se pesë persona të përfshirë në sulme, kanë qenë iranianë që i janë bashkuar Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Sipas mediave iraniane, të gjithë sulmuesit janë vrarë, ndërsa së paku dy prej tyre e kanë hedhur veten në erë me rripa vetëvrasës. Policia tha se ka arrestuar "disa të dyshuar" për lidhje me sulmet. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur keqardhje për viktimat, por ka thënë se "shtetet që sponsorizojnë terrorizmin rrezikojnë të bien vetë viktimë e së keqes që e promovojnë". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Strukturat vendore dhe ndërkombëtare mobilizohen për ditën e zgjedhjeve Posted: 08 Jun 2017 05:23 AM PDT Institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë kanë zhvilluar një takim të përbashkët ku kanë diskutuar për planin strategjik rreth 11 qershorit, ditës së zgjedhjeve të parakohshme, parlamentare. Takimi, sipas një komunikate të lëshuar nga Policia e Kosovës, ishte thirrur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe ku kanë marrë pjesëValdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit, Jan Braathu, shef i misionit të OSBE-së, pastaj përfaqësuesi e lartë nga KFOR-i, EULEX-i dhe Misionit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë. Me këtë rast, Shpend Maxhuni ka vlerësuar se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës. Njëkohësisht, vijon komunikata, nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave ligjore ndaj atyre që shkelin rregullat dhe Ligjin për zgjedhjet. Gjithashtu në këtë takim, theksohet në komunikatë, u diskutua për angazhim të plotë në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun, me qëllim të ofrimit të sigurisë për t'iu mundësuar të gjithë qytetarëve të vendit të ushtrojnë të drejtën e votës pa ndikime dhe pa pengesa. Ndërkohë, Prokuroria e Shtetit përmes një komunikate për media ka njoftuar, se në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit do të angazhohen rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Comey thotë se ishte “diskredituar” nga “gënjeshtrat” e Shtëpisë së Bardhë Posted: 08 Jun 2017 05:14 AM PDT Ish-drejtori i agjensië FBI, James Comey, ka sugjeruar se presidenti, Donald Trump, ka gënjyer në përshkrimin se kjo agjenci ka probleme madhore dhe tha se sjellja e Trumpit e ka detyruar atë të bëjë shënime të detajizuara në takimet e tyre. Duke folur në Komitetin e Inteligjencës të Senatit të Shteteve të Bashkuara, Comey tha se pas takimit me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, kishte menduar se duhet të shkruante memorandume në të cilat do të shënoheshin detajet e takimit të tyre, pasi "ishte sinqerisht i shqetësuar se ai do të mund të gënjente". Comey, i cili ishte shkarkuar nga presidenti muajin e kaluar, kishte menduar se "duhet të shkruaj në mënyrë shumë të detajuar". Deklaratat e fuqishme të zotit Comey në komitetin e Senatit ishin kaptina më e re dhe më domethënëse deri tash në trazirën politike, e cila e ka përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe pothuajse pjesën më të madhe të institucioneve në Uashington. Ajo që pati filluar si një seri e kontakteve të pazakonshme ndërmjet ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve të Rusisë, tash është përfshirë nga pyetjet nëse Trumpi ka synuar pengimin e hetimit penal të FBI-së lidhur me këshilltarin e tij të parë të sigurisë kombëtare. Pengimi i drejtësisë është vepër penale në legjislacionin e Shteteve të Bashkuara, megjithqë ka pasur disa debate në mesin e ekspertëve juridikë se në fakt, a do të mund të akuzohej presidenti Trump. Një varg i raporteve në media, që i kishin detajizuar kontaktet e dyshuara ndërmjet ndihmësve të Trumpit me zyrtarët e jashtëm rusë dhe të vendeve të tjera, ishin përputhur me konkludimin e komunitetit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara se Moska kishte ndërmarrë fushatë hakeriste dhe propaganduese për të ndërhyrë në procesin zgjedhor të vitit të kaluar në SHBA. Së paku dy komitete të Kongresit të Shteteve të Bashkuara po i shqyrtojnë këto çështje dhe, po ashtu, agjencia FBI, që e ka filluar hetimin e vet penal në korrik të vitit të kaluar, derisa gara ndërmjet Donald Trumpit dhe kandidates demokrate, Hillary Clinton, kishte hyrë në fazën finale. Comey, që ishte emëruar nga ish-presidenti, Barack Obama, pat dhënë vetëm indikacione të shkurtëra publike për natyrën dhe fushëveprimin e hetimit të FBI-së. Në dëshminë në një komitet të Dhomës Përfaqësuese në muajin mars, James Comey e zbuloi ekzistimin e hetimit, por megjithatë me shumë pak detaje. Njëri prej ndihmësve të presidentit, Donald Trump, nën hetime të FBI-së, është Michael Flynn, që ishte këshilltar për siguri kombëtare i Trumpit. Zoti Flynn ishte shkarkuar në muajin shkurt, pra nuk qëndroi as një muaj në zyren në Shtëpinë e Bardhë, pasi i kishte keqinformuar zyrtarët e presidencës për komunikimet e tij me zyrtarët qeveritarë rusë. Më 9 maj, presidenti Trump papritmas e shkarkoi zotin Comey, duke pretenduar se Departamenti i Drejtësisë ishte kritik për punën e tij. Në komentet në Senat, Comey në mënyrë kategorike është shprehur kundër këtij konstatimi, duke thënë se Trump kishte gënjyer. "Administrata kishte zgjedhur për të më denigruar dhe, që është shumë më e rëndësishme, agjencinë FBI, duke thënë se kjo organizatë ishte e çrregulluar, se është e udhëhequr keq, se punëtorët e kishin humbur besimin në liderin e tyre. Këto ishin gënjeshtra, qartas dhe thjeshtë", tha Comey. Senatorët e kanë pyetur zotin Comey nëse paraqet pengim të drejtësisë sugjerimi i Trumpit, që ai ta hedhte poshtë hetimin për Flynnin. Comey ka ngurruar, duke thënë se kjo është pyetje për këshilltarin special, Robert Mueller, po ashtu, ish-drejtor i FBI-së. Përgatiti: Fatmir Bujupi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
May dhe Corbyn votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Britani Posted: 08 Jun 2017 03:42 AM PDT Kryeministrja britanike, Theresa May dhe rivali i saj kryesor, Jeremy Corbyn kanë votuar në zgjedhjet e përgjithshme të Britani. Sot britanikët po votojnë në zgjedhje, të cilat pritet të përcaktojnë se kush do t'i udhëheq negociatat për daljen e këtij vendi nga Bashkimi Evropian. (Video:Reuters) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
SHBA në pritje të dëshmisë nga Comey Posted: 08 Jun 2017 03:37 AM PDT Ish-drejtori i FBI-së, James Coemy, do të dëshmojë sot para ligjvënësve amerikanë, të cilët po hetojnë akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016 dhe për bashkëpunim të mundshëm midis aleatëve të presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve rusë. Paraqitja e Comeyt para Komitetit të Senatit për Inteligjencë vjen një ditë pasi ai, në një dëshmi të shkruar, ka thënë se Trump i ka bërë presion të ndalojë hetimet mbi ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Michael Flynn. Flynn ka dhënë dorëheqje në muajin shkurt, për shkak të kontakteve të tij me zyrtarët rusë. Comey, në dëshminë e shkruar, ka thënë po ashtu se Trump i ka kërkuar besnikëri gjatë një darke private në Shtëpinë e Bardhë, më 27 janar. "Mendoj se ka pasur arsye të mirë për FBI-në që të nisë hetimet", tha përfaqësuesi demokrat, Adam Schiff, duke komentuar dëshminë e shkruar të Comeyt. Comey është shkarkuar nga detyra më 9 maj, me vendim të presidentit. Avokati i Trumpit, Marc Kasowitz, duke iu referuar dëshmisë së shkruar të Comeyt se Trump nuk është personalisht nën hetime nga FBI, tha se "presidenti ndjehet krejtësisht pa faj". Presidencën Trump, prej fillimit, e kanë përcjellë dyshimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, në favor të zgjedhjes së Trumpit president, përballë rivales demokrate, Hillary Clinton. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Studim mbi vonesat në mjekimin kundër HIV Posted: 08 Jun 2017 03:04 AM PDT Një ekip studiuesish ndërkombëtarë ka arritur në përfundimin se 30% e personave të prekur nga virusi HIV në mbi 10 vende nuk marrin në kohë ilaçet që i mbrojnë nga SIDA. Studimi i zhvilluar me nismën e Qendrës Amerikane për Parandalimin e Sëmundjeve analizoi përqindjet e infektimit me HIV në Haiti, Vjetnam, Nigeri, Namibi, Suaziland, Mozambik, Tanzani, Ugandë dhe Zambia. Studiuesit analizuan kartelat mjekësore të mbi 694 mijë pacientëve nga 2004-2015 në afro 800 klinika. Vëmendja u përqëndrua në pacientë nga mosha 15 vjeç e sipër. Eksperti për infeksionet me HIV Andrew Auld është autori kryesor i studimit. Ai tha se përqindja e njerëzve që marrin mjekim menjëherë pas infektimit është rritur në Haiti, Mozambik dhe Namibi me 40% ose më shumë gjatë periudhës së analizuar. Por zoti Auld thotë se mjekimet ende nuk po përdoren për një pjesë të madhe të popullatës së infektuar. "Disa nga gjërat kyçe që duhen bërë në këto vende janë intensifikimi i analizave mjekësore dhe lehtësimi i praktikave për diagnostikimin e infektimeve me HIV dhe për mjekimin, në mënyrë që personat që diagnostikohen si të infektuar të mjekohen menjëherë," thotë studiuesi. HIV-i infekton dhe shkatërron qeliza të sistemit imunitar dhe trupi gradualisht humbet aftësinë për të luftuar infeksionet që sjellin edhe vdekjen e personit të prekur. Objektiva ambicioze Agencia e OKB për SIDA-n ka përcaktuar objektivin ambicioz 90-90-90 në përgjigje të epidemisë së HIV. Brenda 2020, agjencia shpreson se 90% e të gjithë personave me HIV do të jenë në dieni të diagnozës, 90% do të marrin mjekime anti-retrovirale dhe 90% do të mjekohen për të mos lejuar aktivizimin e virusit. Mjekimi i menjëhershëm me ilaçe anti-retrovirale shërben jo vetëm për të shpëtuar jetë, por edhe për të ulur rrezikun e përhapjes së infeksionit, thotë zoti Auld. Një tjetër studim i botuar nga revista the New England Journal of Medicine në 2016 , arrin në përfundimin se mjekimet ulin rrezikun e përhapjes së virusit HIV përmes kontakteve seksuale në masën 96%. Edhe rreziku i transmetimit të virusit nga nëna e infektuar tek foshnja gjatë lindjes reduktohet nëse nëna mjekohet me ilaçet anti-retrovirale. Megjithë avancimet në mjekimin e personave të infektuar, artikulli në revistë vë në dukje e më shumë se 2 milionë infektime të reja nga HIV u njoftuan në shkallë globale në 2014. Zoti Auld thotë se arsyeja kryesore që njerëzit nuk shkojnë për mjekim deri kur sëmuren është sepse nuk janë të vetëdijshëm sa rendësi kanë trajtimet e marra që herët në parandalimin e sëmundjes. "Infektimi me HIV nuk është dënim me vdekje. Kemi mjekime të shkëlqyera që u ofrojnë njerëzve një jetë të gjatë, të shëndetshme e produktive nëse marrin ilaçet," thotë studiuesi. Studimi i zotit Auld dhe kolegëve të tij është botuar në revistën Morbidity and Mortality Weekly. *Ky material fillimisht u publikua në VOA shqip This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
SHBA arreston dhjetëra pjesëtarë të një bande ruse Posted: 08 Jun 2017 02:50 AM PDT Autoritetet amerikane arrestuan dhe akuzuan dhjetëra pjesëtarë të një, siç u tha, "sindikate ruse të krimit të organizuar" që punonte jashtë qytetit të Nju Jorkut. Zyra e prokurorit në Nju Jork tha se të dyshuarit kanë vepruar ndërkombëtarisht dhe anembanë SHBA-së, duke trafikuar drogë dhe mallra të vjedhura, si cigare dhe çokollata. Sipas prokurorëve, të dyshuarit kanë qenë të angazhuar edhe në zhvatje, vrasje me pagesë dhe mashtrim me karta krediti. Shumica e 33 të pandehurve janë udhëhequr nga Razhden Shulaya dhe Zurab Dzhanashvili, kanë lindur në ish-Bashkimin Sovjetik dhe kanë pasur lidhje të fuqishme me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Rusinë, thanë prokurorët federalë. Grupi, mes tjerash, akuzohet për komplot për të vjedhur viktimat, duke i joshur dhe droguar me kloroform, dhe për përdorim të pajisjeve elektronike për të pirateruar makinat e kazinove. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Vritet Lavdrim Muhaxheri – familja hap derën për ngushëllime Posted: 08 Jun 2017 02:47 AM PDT Lavdrim Muhaxheri, qytetar nga Kaçaniku i Kosovës raportohet të jetë vrarë në luftimet e fundit në Siri. Ai njihet si një udhëheqësi i shqiptarëve në formacionet terroriste të të ashtuquajturit Shteti Islamik [IS]. Policia e Kosovës ka konfirmuar se një qytetar i Kosovës është vrarë në Siri, por ajo nuk ka dhënë informacione mbi identitetin e të vrarit... "Policia e Kosovës posedon informacion për vrasjen e një personi në Siri, i cili është nga Kosova. Mirëpo, referuar situatës në Siri, Policia e Kosovës nuk posedon informacion apo dokumentacion zyrtar për vrasjen e tij", thuhet në një deklaratë të Zyrës për Media të Policisë së Kosovës. Një përgjigje identike me Policinë e ka dhënë për Radion Evropa e Lirë, edhe Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka vizituar lagjen në Kaçanik ku jeton familja e Muhaxherit. Aty, është njoftuar se tashmë, është hapur dera për ngushëllime. Florim Neziraj, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të enjten, në mëngjes, vëllai i Lavdrim Muhaxhirit e ka njoftuar atë se Lavdrimi është vrarë në Siri. Neziraj ka thënë se familjarët i kanë ofruar atij fakte se Lavdrim Muhaxhiri është vrarë gjatë një sulmi nga ajri në Siri dhe sipas traditës që aplikohet, ai më pas i ka njoftuar qytetarët për këtë rast. Njoftimi i qytetarëve të Kaçanikut për vrasjen e Lavdrim Muhaxhirit është bërë përmes altoparlantit, formë kjo që zbatohet kur bëhen thirrje nga xhamitë. "Ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe xhamia është e të gjithëve", ka thënë Neziraj. Lajmi për vrasjen e Muhaxherit, është publikuar fillimisht përmes disa profileve në rrjetin social Facebook. Kjo nuk është hera e parë që është raportuar për vrasjen e tij në Siri. Në muajin gusht të vitit 2014, mediat patën raportuar me një ndjenjë "lehtësimi" për vrasjen e Lavdrim Muhaxherit, Një video shqetësuese, e shpërndarë më 21 maj 2015 nga një grup i fshehtë aktivistësh sirianë që veten e quajnë "Raqqa Is Being Slaughtered Silently", [RSS], Muhaxheri dukej duke e vrarë një sirian me raketë anti-tank [RPG]. Muhaxheri kishte shkaktuar bujë më herët me postimin e disa fotografive të tij në rrjetin social Facebook, ku shihej duke i hequr kokën një njeriu. Ai kishte promovuar në shtator të vitit 2015 atë që u tha se ishte valuta zyrtare e IS-it, Dinari i Artë. Në rolin e strategut Muhaxheri njihet si një militant me famë, që ka vepruar si ndërlidhës ndërmjet Shtetit Islamik dhe shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ai thuhet të ketë punuar në kampin e forcave amerikane Bondsteel, afër Ferizajt, ndonëse nuk është ende e qartë se çfarë saktësisht ka punuar aty. Në vitin 2010, raportohet nga mediat vendore në Kosovë se është angazhuar përmes një kompanie private, për të punuar për dy vite në kampet e NATO-s në Afganistan. Me t'u kthyer në Kaçanik, Muhaxheri ishte angazhuar në një qendër lokale "Rinia Islame në Kaçanik", para se të merrte rrugën për në Siri. Autoritetet e rendit në Kosovë besojnë se udhëtimi i tij i parë atje ka ndodhur në vitin 2012, prej nga është kthyer në Kosovë një vit më vonë. Në këtë periudhë - në vitin 2013 - Policia e Kosovës nis hetimet mbi të dhe ai sërish udhëton drejt Sirisë. Së paku, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra. Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona. Kosova tashmë ka miratuar ligjin, i cili sanksionon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja dhe që parasheh dënimin me burg deri në 15 vjet. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Koreja e Veriut hedh disa raketa me rreze të shkurtër Posted: 08 Jun 2017 01:40 AM PDT Koreja e Veriut ka hedhur disa raketa nga bregu i saj lindor, tha ushtria e Koresë së Jugut. Sipas saj, raketat e hedhura sot pranë qytetit Uonsan, duket se janë me rreze të shkurtër veprimi. Ato kanë fluturuar rreth 200 kilometra përpara se të binin në ujë. Testet e vazhdueshme të Koresë së Veriut me raketa balistike – edhe pse jo të gjitha të suksesshme – kanë shkaktuar alarm ndërkombëtar. Ekspertët druajnë se Phenjani po avancon drejt qëllimit final, për të hedhur raketa me koka bërthamore. Raketat e hedhura sot, megjithatë, nuk i shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Koresë së Veriut, pasi rezolutat e tilla ndalojnë vetëm raketat balistike, tha agjencia jugkoreane e lajmeve Yonhap. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
NATO nuk ka rol në demarkacionin e kufijve Posted: 08 Jun 2017 01:00 AM PDT NATO nuk ka rol të drejtpërdrejtë kur bëhet fjalë për demarkacion të kufijve, as te shtetet e saj anëtare, as te shtetet e tjera; demarkacioni është çështje dypalëshe e vendeve të interesuara, tha aleanca veriatlantike. Ajo i bëri këto komente në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se a është e pranueshme për NATO-n që Mali i Zi, tani anëtar i saj, të hapë sërish çështjen e demarkacionit me Kosovën. "Presim që të gjitha shtetet t'i zgjidhin çështjet e tilla në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar", thuhet në përgjigjen e NATO-s. Në Kosovë kundërshtohet marrëveshja për demarkacionin e kufirit, të cilën Mali i Zi e ka ratifikuar. Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit parazgjedhor PDK-AKK-Nisma, ka thënë se nëse vjen në pushtet, do ta shfuqizojë këtë marrëveshje dhe do të nisë bisedime të reja me Malin e Zi. Edhe kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar shqyrtimin e marrëveshjes. Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për kufirin shtetëror në Vjenë në vitin 2015. Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje në Parlament, ndërsa Kosova nuk ka pasur dy të tretat e votave të deputetëve, të domosdoshme për ratifikim. Ligjvënësit kosovarë, nga pozita dhe opozita, kanë insistuar se me këtë marrëveshje, Kosova humb territor. Demarkacioni i kufirit, në anën tjetër, është kusht për Kosovën që të avancojë në procesin e integrimit evropian. Lexoni edhe këtë: Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO e vë në pikëpyetje rinegocimin e Demarkacionit This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Shpërthim në ambasadën amerikane në Kiev Posted: 07 Jun 2017 11:50 PM PDT Autoritetet në Ukrainë thanë se një pajisje ka shpërthyer në kompleksin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kiev, porse nuk ka shkaktuar viktima. Policia tha se shpërthimi ka ndodhur rreth mesnatës. "Hetuesit kanë zbuluar se një person i panjohur ka hedhur pajisje shpëthyese në bazën e misionit diplomatik", tha përmes një deklarate policia. Ambasada amerikane nuk e ka komentuar ende rastin. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Kanadaja rrit ndjeshëm shpenzimet ushtarake Posted: 07 Jun 2017 11:12 PM PDT Ministri i Mbrojtjes i Kanadasë, Harjit Sajja, tha se vendi i tij do të rrisë shpenzimet ushtarake për 73 përqind. Njoftimi pason presionin e Shteteve të Bashkuara mbi aleatët e NATO-s për të ndarë barrën e mbrojtjes. Sajjan tha se shpenzimet ushtarake do të arrijnë në 24.1 miliardë dollarë brenda një dekade dhe se plani parasheh 5,000 ushtarë shtesë, 15 luftainije të reja dhe 88 avionë të rinj luftarakë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se është është "i inkurajuar" me këtë vendim të Kanadasë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |