“Senati amerikan mbështet sanksionet ndaj Rusisë dhe Iranit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Senati amerikan mbështet sanksionet ndaj Rusisë dhe Iranit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Senati amerikan mbështet sanksionet ndaj Rusisë dhe Iranit

Posted: 15 Jun 2017 10:17 AM PDT

Senati amerikan ka miratur me shumicë votash legjislacionin që përfshin sanksione më të ashpra ndaj Rusisë dhe Iranit, duke e bërë kështu më të vështirë për presidentin amerikan Donald Trump, që të lehtësojë kufizimet ekzistuese pa aprovimin e Kongresit. Ky legjislacion do të dërgohet në Dhomën e Përfaqësuesve për miratim përpara se të dërgohet tek presidenti Trump për nënshkrimin Senatori Chuck Schumer ka thënë se "me këtë legjislacion është hedhur poshtë çdo ide e presidentit se mund të heqë sanksionet i vetëm për çfarëdo arsyeje ". Këto masa pritet të ndëshkojnë presidentin rus Vladimir Putin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA dhe për detyruar Iranin të paguajë çmimin për "mbështetjen e vazhdueshme të terrorizmit". Duke lidhur së bashku sanksionet për Iraninë dhe Rusinë, Kongresi e ka bërë më të vështirë për Trumpin që të kundërshtojë këto masa. Presidenti Trump, ka qenë shumë kritik ndaj Iranit, andaj nëse do të kundërshtojë ndonjë pjesë të këtij legjislacioni do t'i duhet të refuzojë sanksionet më të ashpra kundër Teheranit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kryeministri pakistanez dënon "shpifjet" ndaj familjes së tij

Posted: 15 Jun 2017 09:31 AM PDT

Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif ka dënuar atë që ai e quajti "shpifje" ndaj familjes së tij nga kundërshtarët e tij lidhur me një hetim mbi pasurinë e tij dhe këmbënguli se nuk ka pasur akuza për korrupsion kundër tij. Sharif i ka dhënë këto deklarata në Islamabad pasi u paraqit para një paneli që hetoi akuzat kundër tij për pastrim të parave. "Ajo që po ndodh këtu nuk ka të bëjë me akuzat e korrupsionit kundër meje, ka të bëjë me shpifjen ndaj bizneseve dhe llogarive të familjes sime", u ka thënë Sharif gazetarëve, duke këmbëngulur se akuzat kanë të bëjnë me biznesin personal dhe privat të familjes së tij dhe jo për korrupsionin qeveritar ose mashtrimin. "Duhet të theksohet se këto akuza nuk kanë të bëjnë fare me pozitën time si kryeministër dhe nuk janë akuza për korrupsion," tha ai. Kjo është hera e parë në historinë e kohëve të fundit të Pakistanit që një kryeministër në pozitë paraqitet para një paneli hetues. Sharif, 67 vjeç, është në hetim që nga viti 2016 nga gjykata. Gjykata vendosi në prill se nuk kishte prova të mjaftueshme për të hequr Sharif nga detyra, por urdhëroi hetimin e mëtejshëm të akuzave. Hetimi, është i lidhur me rastin "Letrat e Panamasë" dhe përqendrohet në miliona dollarë që familja e Sharifit mban në kompani jashtë vendit (offshore).

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Të hënën fillojnë bisedimet për Brexit

Posted: 15 Jun 2017 08:52 AM PDT

Departamenti i Britanisë së Madhe për daljen nga Bashkimi Evropian, ka njoftuar se ministri i Britanisë së Madhe për Brexit, David Davis dhe kryenegociatori i Bashkimit Evropian, Michel Barnier, të hënën do të fillojnë bisedimet për largimin e Britanisë nga BE-ja. "David Davis, dhe Michel Barnier, u pajtuan sot të nisin negociatatat të hënën më 19 qershor, rreth nenit 50" ka bërë të ditur ky departament përmes një deklarate.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ministri turk Cavusoglu viziton nesër Arabinë Sudite

Posted: 15 Jun 2017 08:14 AM PDT

Ministri i Punëve të Jashtme i Tuqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se do të vizitojë të premten Arabinë Saudite, për të mbajtur disa takime pas prishjes së marrëdhënieve në mes të Katarit dhe vendeve të tjera të Gjirit Arab. Duke folur për një konferencë në Ankara së bashku me homlogun e tij nga Tunizia, Cavusoglu tha se Turqia ka qenë e paanshme dhe ka bërë përpjekje për të zgjedhur çështjen e mosmarëveshjes mes vendeve. Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kanë shkëputur marrëdhëniet dhe kanë vendosur sanksione mbi Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetjen e terrorizmit dhe të Iranit. Katari vazhdon t'i mohojë këto akuza.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kurti: Vetëvendosje është partia më e madhe, i takon formimi i Qeverisë

Posted: 15 Jun 2017 07:11 AM PDT

"Nuk ka kuptim të formohet Qeveria duke u varur nga Lista Serbe dhe ne jemi të bindur që një Qeveri e varur nga Lista Serbe do t'i kishte dy kryeqytete, edhe Prishtinën edhe Beogradin", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Albin Kurti. Sipas tij, koalicioni PDK, AAK dhe Nisma do të dështojnë në përpjekjen e parë për formimin e Qeverisë, kështu që Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë në rastin e dytë. "T'i kemi 61 numra, ne deputetët shqiptarë dhe më pas pakicat jo serbe. Por, kurrsesi të jetë Qeveria e varur prej tyre", tha në këtë intervistë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës. Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, ju jeni kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit dhe ditë më parë u keni bërë ftesë partive të caktuara që të vijnë dhe të bisedojnë për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Megjithatë, ju përfaqësoni subjektin e dytë, të dalë nga zgjedhjet. Si keni menduar të merrni mandatin? Albin Kurti: Lëvizja Vetëvendosje nga këto zgjedhje shënoi një rezultat të jashtëzakonshëm dhe kësisoj u shndërruam në partinë e parë politike në vend. Ne jemi partia më e madhe në Kosovë dhe besojmë se kjo shpresë e madhe e qytetarëve, pas kthimit të guximit tek ata që të votojnë për ndryshime që i duam të gjithë, duhet të rezultojë jo vetëm me një Kuvend të ri, por edhe me një Qeveri të re. Nuk mund të ketë Qeveri të re nga regjimi i vjetër. Prandaj, ne jemi të bindur që i takon Lëvizjes Vetëvendosje që ta formojë Qeverinë e re dhe këtë do ta bëjmë duke u takuar dhe duke biseduar, në radhë të parë me partitë e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, por edhe deputetë individualë, të cilët janë nga koalicioni PAN. Politika dhe pushteti, kanë shkaktuar shumë ndarje dhe përçarje të popullsisë në Kosovë, prandaj ne jemi të interesuar që pas këtyre zgjedhjeve, t'i shërojmë dhe t'i mbyllim këto plagë të hapura të qytetarëve, të cilat vazhdimisht ngacmohen edhe gjatë fushatës zgjedhore. Dhe, ky bashkim duhet të jetë bashkim për ndryshime, bashkim për të mirën e vendit tonë dhe jemi të bindur se duhet të jetë bartëse dhe prijëse Lëvizja Vetëvendosje. Nuk ka kuptim të formohet Qeveria duke u varur nga Lista Serbe dhe ne jemi të bindur që një Qeveri e varur nga Lista Serbe do t'i kishte dy kryeqytete, edhe Prishtinën edhe Beogradin. Ne e kuptojmë që duhet të kemi ministra serbë në Qeveri, jo veç se kjo të behët duke pranuar kushtet e Beogradit, përkatësisht Listës Serbe e cila funksionon shumë e më tepër si përfaqësi politike e diplomatike e Beogradit në Kosovë, sesa si parti politike e serbëve të Kosovës. T'i kemi 61 numra, ne deputetët shqiptarë dhe më pas pakicat jo serbe. Por, kurrsesi të jetë Qeveria e varur prej tyre. Radio Evropa e Lirë: Në bazë të rezultateve të deritanishme nga KQZ-ja, koalicioni PAN ka dalë fitues i zgjedhjeve. Në këtë kuadër, kandidati për kryeministër i koalicionit, PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë se ai do ta formojë Qeverinë e re? A do të prisni ju që fillimisht Haradinaj të provojë të marrë mbështetjen në Kuvend dhe pastaj të merrni iniciativën? ​Albin Kurti: Ne tashmë e kemi ndërmarrë iniciativën dhe kontaktet, takimet dhe bisedimet do t'i fillojmë sapo të dihet se kush sa ka fituar dhe cilët deputetë saktësisht kanë fituar. Brenda kësaj jave një gjë e tillë do të bëhet e mundshme dhe natyrisht që nuk do të presim që njëherë të dështoj koalicioni PAN dhe më pas ne të fillojmë. Ne do të fillojmë qysh tash, koalicioni PAN është një koalicion me heterogjenitet partishë, me heterogjenitet edhe brenda partive që e përbëjnë atë. Ta zëmë, brenda PDK-së ka shumë deputetë të cilët janë edhe atdhetarë e kombëtarë, pra e duan edhe bashkimin kombëtar. Ka edhe të atillë që janë social-demokratë e të majtë, por e kemi edhe partinë Nisma e cila është përcaktuar si social-demokrate dhe unë besoj se jo çdo deputet aty do të jetë i gatshëm që ta braktis atë orientim për shkak të një pushteti të premtuar më herët. PRESIDENTI THAÇI DHE MANDATI I KRYEMINISTRIT Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kontaktet e juaja konkrete të deritashme me subjektet e tjera? E përmendët Nismën, por sidomos me LDK-në, keni kontakte? Albin Kurti: Para së gjithash këto i shohim si kontakte që tashmë janë vënë dhe janë në funksion të takimeve dhe bisedimeve të cilat do të nisin porsa të dihen emrat e deputetëve të ardhëm të Kuvendit të Republikës. Radio Evropa e Lirë: Çfarë kontakte keni? Albin Kurti: Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka pasur kontakte edhe me LDK-në, unë kam pasur edhe me AKR-në dhe posa të marrim vesh se cilët deputetë do të jenë në Kuvendin e ardhshëm, në legjislaturën e gjashtë, ne do t'i fillojmë takimet dhe bisedimet për Qeverinë e re. Nuk ka Qeveri të re me regjim të vjetër dhe unë besoj se edhe AAK dhe Nisma duhet ta kuptojnë këtë gjë, por qe besa edhe deputetët e PDK-së. Radio Evropa e Lirë: Por, çka në qoftë se PAN e formon Qeverinë? Albin Kurti: Ata nuk do të mund ta formojnë Qeverinë për shkak se nuk i kanë numrat dhe së dyti, nëse duan ta formojnë Qeverinë bashkë me Listën Serbe paraprakisht me Vuçiqin, atëherë kjo do ta fus Kosovën në një krizë të jashtëzakonshme politike, e të paparë në Kosovën e pasluftës. Radio Evropa e Lirë: Në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, Qeverinë e formon subjekti, koalicioni apo partia fituese e zgjedhjeve. Ju si Vetëvendosje dolët e dyta nga zgjedhjet 2017. Do t'i kërkoni mandatin për formimin e Qeverisë, presidentit Hashim Thaçi? Albin Kurti: Teknikisht ai do t'ia ofrojë këtë gjë koalicionit PAN dhe është i detyruar, është i obliguar që këtë të na e bëjë neve, porsa të dështojë formimi i Qeverisë nga ana e koalicionit PAN, që duket shumë e gjasshme tashmë. Në anën tjetër, ne do të mbledhim nënshkrimet, pasi që t'i fillojmë takimet duke dëshmuar se shumica parlamentare e cila duhet ta formojë Qeverinë e re ndodhet jashtë udhëheqjes së PAN-it. Radio Evropa e Lirë: Pra, ju do të kërkoni nga Presidenti që t'ju jepet ju mandati? Albin Kurti: Ai e ka obligim një gjë të tillë. TAKIM EDHE ME AMBASADORIN DELAWIE Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, ju tashmë keni zhvilluar takime me ambasadorë të shteteve të ndryshme të akredituar në Kosovë. Keni takuar edhe ambasadorin amerikan, Greg Delawie, për çka keni diskutuar konkretisht? Albin Kurti: Ne kemi zhvilluar takime më të gjithë ambasadorët e Kuintit, pra me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Delawie, kemi zhvilluar takime më ambasadorët e Francës, Italisë, Britanisë se Madhe, të Gjermanisë, me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Apostolova, kemi zhvilluar gjithashtu takim edhe më ambasadorin e Republikës se Shqipërisë, zotin Minxhozi. Dje patëm një takim me ambasadorin amerikan në të cilin ne kemi shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tonë për kontributin dhe rolin e SHBA-ve, jo vetëm për shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e pavarësisë se Kosovës, por edhe për çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s do të ishte e pamundur në vitin 1999 kundër Jugosllavisë, Serbisë së Millosheviqit, sikurse të mos ishte roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA-të kanë investuar shumë në Kosovë, në luftë dhe paqe. Dhe nga ky takim që u zhvillua në një atmosferë shumë të mirë, ishte e qartë se pajtohemi sa i përket vlerave dhe sa i përket interesave. Ne insistojmë në sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës, në zhvillimin ekonomik, pra në rritjen ekonomike që sjell punësim dhe në politikat sociale, ato që zvogëlojnë pabarazinë. Dhe kishte një pajtueshmëri që t'i vazhdojmë takimet edhe më tutje. Kritikat, ndonjë mospajtim, unë besoj që gjithnjë e më shumë po zgjidhen me dialog i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dhe në anën tjetër ka edhe gjëra nga e kaluara të cilat i takojnë së kaluarës, pra, periudhës para 11 qershorit, datë kjo e cila nuk shënon vetëm një kapitull të ri në shtetin tonë, por qe besa edhe një epokë të re për popullin e Kosovës. Radio Evropa e Lirë: Sa i takon çështjes së formimit të Qeverisë, cili është mesazhi sipas jush i ambasadorit Delawie? Albin Kurti: Qëndrimi i ambasadorit Delawie ishte shumë i qartë se ata do të bashkëpunojnë me çdo Qeveri e cila arrin ta ketë numrin prej së paku 61 deputetëve, siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji, dhe ishim dakord që gjithçka duhet të shkoj sipas vullnetit të qytetareve duke respektuar procedurat demokratike.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tensione në Kuvendin e Maqedonisë

Posted: 15 Jun 2017 07:06 AM PDT

Seanca parlamentare ku duhet të zgjidhen zëvendësministra dhe me këtë të kompletohet kabineti qeveritar i Maqdonisë, është përcjellë me tensione. Situata në Kuvend është tensionuar pasi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi refuzoi kërkesën e deputetit të VMRO-DPMNE, Vllatko Gjorgjev për ndërhyrje procedurale. Xhaferi tha se deputeti Gjorgjev kishte të drejtën e replikës, ndërkohë ai këmbënguli për ndërhyrje procedurale edhe përkundër thirrjeve të kryeparlamentarit që ta lëshojë foltoren e Kuvendit. Më pas, Xhaferi kërkoi ndërhyrjen e sigurimit të Kuvendit për të larguar nga foltorja deputetin Gjorgjev. Paraprakisht, deputetët e shumicës parlamentare pranuan kërkesën e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, që udhëhiqet nga ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, për të zhvendosur si pikë të fundit të rendit të ditës zgjedhjen e zëvendësministrave, me qëllim, siç thanë, deputetëve t`u mundësohet më shumë hapësirë kohore për t`u përgatitur për debat. Deputetët e VMRO-DPMNE-së ende nuk kanë formuar grup parlamentar. Dhe, përderisa ata funksionojnë si deputetë të pavarur, në bazë të rregullores, kanë të drejtë të paraqiten në foltore sa herë që vlerësojnë se kanë arsye për të reaguar në formë procedurale, madje edhe duke bërë replika me bashkëpartiakët e tyre . Ekspertët juridikë thonë se në këtë mënyrë deputetët e opozitës maqedonase, duke mos formua grup parlamentar, synojnë t`i krijojnë stërkëmbëza institucionit ligjvënës, të cilin e presin shumë punë sa i përket realizimit të rekomandimeve që kërkohen nga faktori ndërkombëtar, lidhur me realizimin e reformave. Jove Kekenovski, ish-zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE-së për Radion Evropa e Lirë thotë se kjo parti, përderisa drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, në të gjitha format do të synojë të pengojë punën e Kuvendit për t'iu shmangur përballjes me drejtësinë. "Mosformimi i grupit parlamentar nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ka për qëllim që në momente të caktuara të bëhen pengesë e punës së këtij institucioni dhe njëkohësisht synohet që pushteti, në sytë e opinionit të prezantohet si strukturë e paaftë politike, e cila vetëm premton por nuk ka kapacitet të realizojë premtimet... ndërkohë që deputetët e VMRO-DPMNE-së, të tregohen se janë për debat", thotë Kekenovski. "Kësaj situate duhet t'i jepet fund sa më parë sepse rrjedhimit, ikënkoha për realizimin reformave që kërkohen nga Brukseli, si kusht për përshpejtimin e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike. Zgjidhja e vetme është ndryshimi i rregullores së punës", vlerëson Kekenovski. Ndërkaq, Albert Musliu thotë se VMRO-DPMNE dëshiron të krijojë tensione në Kuvend, për të zhvendosur vëmendjen nga zbardhja e aferave korruptive që ndërlidhen me zyrtarët e lartë të kësaj partie. "Deputetët e shumicës parlamentare duhet të gjejnë një mënyrë për tu ballafaquar me një situatë të këtillë. Është e drejtë legale edhe pse jo shumë legjitime e deputetëve të VMRO-DPMNE-së që të veprojnë në këtë mënyrë në Kuvend, për tu paraqitur në foltore në bazë të ndërhyrjeve procedurale dhe përderisa ata nuk e shkelin rregulloren e punës, ata do të ballafaqohen vetëm me përgjegjësi politike". "Uroj që shumica e re parlamentare, në krye me kryetarin e Kuvendit, këtë tendencë të VMRO-DPMNE-së, për të bërë obstruksione, të gjejnë mënyrë për ta anashkaluar", thotë Musliu. Në seancën e sotme, në rend dite është dhe shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm Publik Marko Zvëlevski, pas një sërë akuzash ndaj tij për përfshirje në afera të ndryshme, por edhe në pengimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë në veprimtari kriminale. Zvërlevski ishte pjesë edhe e aferës së përgjimeve të publikuar nga opozita për lidhjet e tij me pushtetin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shpërthim në Kinë, vdesin shtatë persona

Posted: 15 Jun 2017 06:45 AM PDT

Autoritetet kineze ka thënë se shtatë persona janë vrarë në një shpërthim që ka ndodhur afër një kompshti të fëmijëve në provincën Jiangsu. Qeveria e shtetit ka thënë se nga ky shpërthim janë lënduar 59 persona. Televizioni kinez ka thënë se dy persona kanë vdekur në momentin e shpërthimit, ndërsa pesë të tjerët në spital. Është bërë e ditur se nëntë persona janë të lënduar rëndë.  Ende nuk dihet për shkaqet e këtij sulmi. Sipas raportimeve besohet se sulmi ka ndodhur afër hyrjes së kopshtit derisa fëmijët ishin duke daluar nga aty.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putini i ofron azil politik James Comeyt

Posted: 15 Jun 2017 06:20 AM PDT

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se është e "çuditshme" që ish-drejtori i FBI-së, James Comey ka mbajtur shënime për bisedat e tij me presidentin amerikan Donald Trump. Putin e ka krahasuar Comey me Edward Snowden dhe i ka ofruar azil politik, nëse Comey do të përballet me ndjekje penale. (Video: AP)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kurti: Një Qeveri e varur nga Lista Serbe, do t’i kishte dy kryeqytete

Posted: 15 Jun 2017 05:52 AM PDT

"Nuk ka kuptim të formohet Qeveria duke u varur nga Lista Serbe dhe ne jemi të bindur që një Qeveri e varur nga Lista Serbe do t'i kishte dy kryeqytete, edhe Prishtinën edhe Beogradin", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Albin Kurti. Sipas tij, koalicioni PDK, AAK dhe Nisma do të dështojnë në përpjekjen e parë për formimin e Qeverisë, kështu që Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë në rastin e dytë

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Raportohet se Shteti Islamik ka pushtuar zonën malore Tora Bora në Afganistan

Posted: 15 Jun 2017 05:51 AM PDT

Raportimet nga Afganistani bëjnë të ditur se grupi ekstremist Shteti Islamik ka pushtuar zonën malore Tora Bora, në lindje të Afganistanit. Në këtë vend ishte strehuar më parë themeluesi i Al-Kaidës, Osama bin Laden. Përmes një audio inçizimi të transmetuar në Radion Khilfat, që është radio e militantëve, u njoftua se pas përleshjeve të ashpra me talebanët, flamuri i Shtetit Islamik është vënë mbi kompleksin e gjerë të nje shpelle në provincën Nangarhar. Burime jo zyrtare kanë thënë se Tora Bora dhe hapësira rreth saj tashmë është nën kontroll të Shtetit Islamik. Po këto burime kanë thënë se pas disa ditë luftimesh, qindra famije janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Mirëpo, zëdhënesi taliban, Zabiullah Mujahid ka thënë grupi i talebanëve ka larguar militantët e Shtetit Islamik nga vendet që ata kishin thënë se kanë pushtuar më herët. Militantët e Al-Kaidës të udhëhequr nga Osama bin Laden u patën fshehur nëpër shpella në Tora Bora pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-të më 2001, që rrëzoi talebanët nga pushteti në Kabul.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Policia apelon te prindërit t’i mbrojnë fëmijët nga qasja në lojën “Balena Blu”

Posted: 15 Jun 2017 05:19 AM PDT

Policia e Kosovës ka tërhequr vërejtjen për rrezikun që paraqet për fëmijët dhe të rinjtë loja e njohur si, "Balena Blu". "Sipas informatave të qasshme në internet, është paraqitur dhe po përhapet me shpejtësi një lojë 'online', mjaft e rrezikshme për fëmijë, që quhet "Blue Whale Game" apo e njohur si "loja vetëvrasëse", thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës. Kjo lojë, vijon komunikata, me shpejtësi rekorde është duke u shpërndarë në shumë shtete të botës, përfshirë edhe shtetet e Evropës. "Lajmet për përhapjen e kësaj loje të rrezikshme vetëvrasëse për të rinjtë vijnë duke pasur parasysh vetëvrasjen e rreth 130 të miturve në Rusi (informacione të publikuara në media)", theksohet në këtë komunikatë. Fatmirësisht, vijon komunikata, kjo lojë ende nuk ka mbërritur në masë në Republikën e Kosovës apo të paktën Policia e Kosovës nuk ka ndonjë informacion për ndonjë rast të tillë. "Por, Policia e Kosovës dëshiron të ngritë nivelin e vëmendjes tek të gjithë prindërit për mundësinë potenciale që edhe fëmijët tanë të mund të bien pre e kësaj loje degjeneruese dhe shkatërruese për ta", thuhet në komunikatë. Më tutje policia sqaron se loja "Balena Blu" zhvillohet 'online', përmes internetit, e cila kryesisht synon të vënë në shënjestër të rinjtë që janë të ndjeshëm duke provuar që t'i shtyjë ata në vetëvrasje. Kryesisht kjo lojë tek të rinjtë shpërndahet përmes rrjeteve sociale të komunikimit. Tutje, policia i fton prindërit që të kenë kujdes të shtuar dhe të kenë njohuri se çfarë lojërash luajnë fëmijët e tyre në pajisjet teknologjike, kompjuter, telefona të mençur, tablet e të tjera.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump: Pengimi i drejtësisë rrjedh nga lajmet e rreme

Posted: 15 Jun 2017 04:47 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se hetimet kundër tij për pengim të mundshëm të drejtësisë rrjedhin nga "lajmet e rreme" për bashkëpunimin e mundshëm midis fushatës së tij dhe Rusisë. Trump reagoi në Twitter, një ditë pasi gazeta Washington Post tha se këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, është duke hetuar nëse Trump ka bërë përpjekje të pengojë drejtësinë. Mueller është duke hetuar ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe bashkëpunimin e dyshuar midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë. "Kanë krijuar bashkëpunim të rremë me tregimin rus, kanë gjetur zero prova; tani flasin për pengim të drejtësisë në lajme të rreme. Bukur", tha Trump në Twitter. Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, i cili është shkarkuar nga Trump në muajin maj, ka thënë në Senat, javën e kaluar, se ai beson se është shkarkuar për shkak të hetimit të Rusisë. Comey po ashtu ka thënë se Trump i ka kërkuar të ndalojë hetimet e ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, Michael Flynn. Ky i fundit ka dhënë dorëheqje për shkak të kontakteve me zyrtarët rusë. Trump ka mohuar çdo bashkëpunim të tij apo bashkëpunëtorëve të tij me Rusinë.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin: Sanksionet synojnë të mbajnë Rusinë prapa

Posted: 15 Jun 2017 04:24 AM PDT

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se nuk ka arsye për sanksione të reja kundër Moskës, të cilat po i shqyrton Kongresi amerikan. Putin tha se qëllim i këtyre sanksioneve është të mbahet Rusia prapa. "Historia e Rusisë tregon se ne kemi jetuar nën sanksione të huaja që nga momenti kur Rusia ka nisur të rritet dhe të ndjehet e fuqishme. Sa herë që partnerët tanë ndërkombëtarë shohin se Rusia bëhet konkurruese serioze, ndërmerren disa lloj kufizimesh, me justifikime të ndryshme", tha Putin. Ai foli për këtë çështje në sesionin e përvitshëm pyetje-përgjigje me qytetarët rusë, i cili transmetohet në televizionin shtetëror. Komentet vijnë një ditë pasi ligjvënësit amerikanë kanë votuar për vazhdimin e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë, dhe për vendosjen e sanksioneve të reja, në përgjigje të ndërhyrjes së dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Putin po ashtu tha se Rusia ka dalë nga një recesion i gjatë dhe se ekonomia po rritet. Putin e shfrytëzon sesionin pyetje-përgjigje për të ndrequr imazhin e tij, për të dërguar sinjale jashtë vendit dhe për të dhënë shenja për planet e ardhshme.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Humbësit dhe fituesit e zgjedhjeve në Kosovë

Posted: 15 Jun 2017 04:17 AM PDT

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, kanë shënuar rritje dhe rënie të subjekteve politike. Skena politike në Kosovë, sipas analistëve, nuk është më njësoj. Partitë e mëdha që kanë qeverisur vitet e fundit në Kosovë në të dyja nivelet e pushtetit, janë vënë në sfidë serioze. Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, analistët politikë vlerësojnë se këto zgjedhje sollën fitues dhe humbës. Analisti Armend Muja në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritjen më të lartë, ndonëse është renditur e dyta, pas koalicionit fitues të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe 10 partive tjera të vogla. Sipas tij, Vetëvendosje ka shënuar gati dyfishim të votave, që siç thekson Muja, "është e rrallë në historinë politike të Kosovës që nga paslufta". Ngritja e Vetëvendosjes, ishte paralajmëruar që në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kur kandidati i saj, Shpend Ahmeti fitoi në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës në konkurrencë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. "Ngritjen më të madhe e ka pasur Lëvizja Vetëvendosje e cila ka shkuar nga 90 mijë vota në rreth 170 mijë vota që është dyfishim i Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse, koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma) në bazë të zgjedhjeve të kaluara është paraparë që të këtë minimumi 420 mijë vota, ndërkohë këta kanë humbur pothuajse 120 mijë vota, prej atyre që është paraparë t'i fitojnë". "Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e kaluara kishte diku rreth 170 mijë vota, ndërsa në këtë vit vlerësohet t'i ketë humbur rreth 50 mijë vota", thekson Muja. Dyfishim i votave të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas Mujës është shënuar përmes daljeve më të mëdha të votuesve në qendrat e mëdha, siç janë Prishtina, Ferizaj, Gjilani, Mitrovica dhe Prizreni. "Këto lëvizje po ashtu kanë ndodhur për shkak të entuziazmit të ulët që ka ekzistuar në zonat tradicionale të koalicionit PAN dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, po ashtu ka qenë edhe një votë proteste ndaj koalicionit PAN dhe LDK-së", thekson Muja. Dalja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, sipas të dhënave të KQZ-së, ka qenë mbi 750 mijë apo rreth 41 për qind, derisa të drejtë vote, në bazë të listës së votuesve, kanë pasur mbi 1 milion e 872 mijë. Në anën tjetër, Valmir Ismajli nga organizata joqeveritare "Demokraci Plus", thotë për Radion Evropa e Lirë se këto zgjedhje nxorën fitues dhe humbës të mëdhenj. "Rezultatet tregojnë që nga këto zgjedhje humbësi më i madh mund të konsiderohet Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila për herë të parë renditet si partia e tretë, por nuk kanë dal mirë as koalicioni PAN, duke pasur parasysh që me tri parti të mëdha AAK-në dhe Nismën, si dhe me një grumbull të madh të partive të vogla nuk kanë arritur të marrin më shumë se 34 për qind të votave". "Si fituese e madhe del të jetë Lëvizja Vetëvendosje e cila si e vetme arriti të marrë më shumë se 27 për qind të votave", thekson Ismajli. Qytetarët më të drejtë votë në zgjedhjet e 11 qershorit, shton Ismjali, me votën e tyre ndëshkuan disa parti politike, derisa kërkuan që mundësia t'u jepet të tjerave. "LDK është duke paguar faturën e të bërit koalicion me PDK-në dhe qytetarët e ndëshkuan dhe nuk ia dhanë besimin. Derisa, koalicionin PAN, qytetarët nuk e mirëpritën dhe për këtë arsye ka edhe rënie. Po ashtu qëndrimi i tyre i gjatë në pushtet (PDK-së) ka pasur ndikimin e vet që ky koalicion të mos marr votat që i kanë pritur", thotë Ismajli. Nga votimet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit do të përcaktohet përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 ulëse. Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në Qeveri.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kush humbi e kush fitoi?

Posted: 15 Jun 2017 03:44 AM PDT

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, kanë shënuar rritje dhe rënie të subjekteve politike.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shkon në 17 numri i të vdekurve nga zjarri në Londër

Posted: 15 Jun 2017 03:37 AM PDT

Ekipet e shpëtimit nuk presin të gjejnë ndonjë person tjetër të gjallë në bllokun e banesave në Londër, i cili u përfshi nga një zjarr masiv, tha Shërbimi i Zjarrfikësve. Komisionari për Zjarre i Londrës, Dany Cotton, tha se "një numër i panjohur" i njerëzve vazhdon të jetë nën rrënojat e Kullës Grenfell, e cila u dogj të mërkurën. Autoritetet kanë konfirmuar vdekjen e 17 personave. Mbretëresha Elizabeth tha se lutet për familjet e tyre. Mbi 30 njerëz të plagosur mbeten në spital – 17 prej të cilëve janë në gjendje kritike. Shkaku i zjarrit, i cili ka zgjatur më shumë se 24 orë për t'u vënë nën kontroll, mbetet i paqartë. Kryeministrja britanike, Theresa May, ka premtuar hetime të plota të rastit. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Turqia dënon një gjykatës të OKB-së për "terrorizëm"

Posted: 15 Jun 2017 03:17 AM PDT

Një gjykatë në Turqi dënoi një gjykatës të Kombeve të Bashkuara me shtatë vjet e gjysmë burg, nën akuzat se është anëtar i një organizate terroriste. Agjencia e lajmeve Anadolu tha se gjykata në Ankara i ka shqiptuar dënimin Aydin Sefa Akayt, shtetas turk. Akay, gjykatës në Mekanizmin e OKB-së për Tribunalin Ndërkombëtar në Hagë, është arrestuar në shtator. Gjykata e OKB-së tha se Akay është dënuar nën akuzën se është anëtar i organizatës FETO, për të cilën Turqia thotë se është terroriste dhe se mbështet klerikun fetar, Fethullah Gulen. Ankarja e akuzon Gulenin për orkestrimin e një përpjekjeje për grushtshtet në Turqi, korrikun e kaluar. Gulen e mohon përfshirjen. Gjykata në Hagë po ashtu tha se arrestimi dhe procedurat ligjore kundër Akayt e shkelin ligjin ndërkombëtar, pasi ai duhet të gëzojë imunitet diplomatik.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lista Serbe ka disa porosi për Qeverinë e ardhshme të Kosovës 

Posted: 15 Jun 2017 02:19 AM PDT

Duke qenë fituese, në raport me subjektet tjera politike nga komuniteti serb, Lista Serbe, e cila pretendon se i ka fituar nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës, i ka dërguar mesazhe Qeverisë së ardhshme të Kosovës, se asnjë ndryshim kushtetues nuk do të mund të bëhet pa harmonizimet me këtë subjekt politik. Nga gjashtë subjektet politike serbe, sa kanë garuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Lista Serbe, besohet se ka fituar 9, kurse Partia e Pavarur Liberale një ulëse në Kuvend. Komuniteti serb ka 10 ulëse të garantuara në Kuvend si dhe dy poste ministrore dhe disa poste nënministrore në Qeveri. Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, gati se të gjitha këto pozita, pritet t'i marrë Lista Serbe, e cila deklarohet se presidenti dhe kryeministri i tyre ndodhen në Beograd. Kurse në Prishtinë, ndonëse marrin pjesë në institucione, këtë, sipas kryetarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, e bëjnë për t'i mbrojtur interesat e komunitetit serb. "Në periudhën e ardhshme përmes mandateve që do t'i marrim në Kuvendin e Kosovës do të parandalojmë ndryshimet kushtetuese, pastaj do të parandalojmë që të adresohen kufijtë e shtetit tonë dhe natyrisht që do të parandalojmë procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës", ka thënë Simiq. Sipas tij, Lista Serbe do të ketë nëntë vende në Kuvend, por atyre do t'u bashkohet edhe përfaqësuesi i goranëve, kështu që në tërësi do të përbëjnë një Grup parlamentar prej 10 deputetëve. Njohësi i rrethanave politike në Kosovë dhe ish-deputeti Petar Miletiq, thotë se rezultati i Listës Serbe tregon për mbështetjen e madhe që e ka ky subjekt politik tek komuniteti serb. "Edhe pse ne të gjithë e dimë që kjo Listë është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Qeverisë së Serbisë, përkatësisht Zyrës për Kosovën, numri i madh i votave që ka fituar tregon që kjo Listë nuk mund t'i ikë më asnjë vendimi dhe as përgjegjësisë", ka thënë Miletiq. Sipas tij, pavarësisht që ende nuk dihet se cili bllok nga partitë e shumicës shqiptare do ta formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, Lista Serbe duhet të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare dhe të vendos kontakt me elitën politike shqiptare në funksion të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjatë fushatës, nga Beogradi u dërguan disa porosi politike për disa vija të kuqe të Listës Serbe në raport me disa prej emrave të propozuar për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Por, tani kjo Listë nuk flet më për vija të kuqe dhe kryesisht është fokusuar në angazhimet për themelimin e Asociacionit të komunave serbe dhe pengimin e themelimit të ushtrisë së Kosovës. Ndërhyrjet e Beogradit gjatë fushatës në zonat e banuara me serbë në mbështetje të Listës Serbe, janë potencuar nga diplomatët ndërkombëtarë dhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian, si cenim i besueshmërisë së procesit të votimit në këto mjedise. Sidoqoftë, Lista Serbe, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pavarësisht se cili bllok politik nga forcat politike shqiptare do ta formojnë Qeverinë e ardhshme, pritet të jetë pjesë e Qeverisë, sikurse edhe pakicat tjera joserbe.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Japonia kalon ligjin e diskutueshëm anti-terror

Posted: 15 Jun 2017 01:58 AM PDT

Ligjvënësit e Japonisë miratuan një ligj kontrovers, që u lejon autoriteteve të godasin komplotet terroriste. Blloku qeverisës i kryeministrit Shinzo Abe e kaloi ligjin në Dhomën e Lartë të Parlamentit, pavarësisht opozitës së zëshme. Qeveria thotë se ligji është i nevojshëm për të përmirësuar sigurinë përpara Lojërave Olimpike më 2020 dhe për të qenë në përputhje me një marrëveshje me Kombet e Bashkuara, të cilën Japonia e ka nënshkruar. Por, kritikët thonë se ai dobëson liritë civile dhe mund të keqpërdoret për të monitoruar qytetarët e pafajshëm. Ligji ka shkaktuar protesta, përfshirë atë të fundit që është zhvilluar të mërkurën mbrëma, jashtë ndërtesës së Parlamentit, dhe ka tërhequr mijëra njerëz. Ligji kriminalizon komplotimin dhe kryerjen e 277 akteve. Një grup i tërë, i definuar si dy ose më shumë njerëz, mund të akuzohet nëse së paku një anëtar zbulohet se ka planifikuar krim.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hiqen tarifat e roaming-ut brenda BE-së

Posted: 15 Jun 2017 01:23 AM PDT

Ligji i Bashkimit Evropian për të shfuqizuar tarifat e roaming-ut për njerëzit që përdorin telefonat mobilë jashtë vendit të tyre, ka hyrë në fuqi. Me rregullat e reja, qytetarët që udhëtojnë brenda BE-së do të mund të telefonojnë, dërgojnë mesazhe dhe të hapin internetin në telefonat e tyre me çmimin e njëjtë që paguajnë në shtëpi. Komisioni Evropian tha se fundi i tarifave të roaming-ut është njëri prej sukseseve më të mëdha të BE-së. "Secilën herë që një qytetar evropian ka kaluar një kufi të BE-së, qoftë për pushime, punë, studime, apo vetëm për një ditë, ai është dashur të shqetësohet për përdorimin e telefonit celular dhe tarifën e lartë të roaming-ut". "Eliminimi i tarifave të roaming-ut është një nga sukseset më të mëdha dhe më të prekshme të BE-së", tha Komisioni Evropian.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now