RTSH: “Vasili: Zgjedhësit do të votojnë LSI” plus 9 more

RTSH: “Vasili: Zgjedhësit do të votojnë LSI” plus 9 more


Vasili: Zgjedhësit do të votojnë LSI

Posted: 02 Jun 2017 12:44 PM PDT

LSI partie e tretë më e madhe në skenën politike shqiptare, vazhdimisht po deklaron se synon të dali forcë e parë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Në takimin me qytetarë të Kamzës kreu i ri i kësaj partie Petrit Vasili u shpreh i bindur se zgjedhësit do të votojnë LSI, pasi ata presin një drejtim të ri të vendit pas vitesh të tëra drejtimi nga socialistët apo demokratët. “Shqipëria po pret një drejtim të ri që vetëm LSI mund t’ia japë” tha zoti Vasili. Sipas tij njerëzit kërkojnë taksa më të ulëta, kërkojnë vende pune që vetëm LSI mund t’ua japi.
Ish kreu i LSI dhe presidenti i zgjedhur Ilir Meta ka kujtuar kontributet e LSI gjatë kohës kur ka qenë në koalicion me PD, por edhe PS. Ai u shpreh i bindur se partia që ai ka krijuar dhe udhëhequr do të jetë forca kryesore në zgjedhjet e 25 qershori dhe se dy partitë e mëdha do ti përulen LSI.

Haradinaj për RTSH: Pas zgjedhjeve për Kosovën nis një periudhë e re

Posted: 02 Jun 2017 09:38 AM PDT

Nëse do të zgjidhet kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj premton se vendi do të ketë integritet territorial, ushtri funksionale dhe gjallëri ekonomike. Kandidati i zgjedhur nga koalicioni PDK-AAK dhe Nisma, për kryeministër, në një intervistë ekskluzive dhënë për Televizionin Shqiptar, ka vënë në dukje se pas mandatimit si kreu i qeverisë së Kosovës, do të nxisë politikat sociale, si edhe do t’u krijojë hapësira të posaçme përfaqësimi, grave dhe të rinjve. Intervista është realizuar nga kryeredaktorja e Lajmeve në RTSH Mimoza Haxhiaj dhe operatori Naun Lasku.

Pyetje: Vendi më 11 qershor do të shkojë në zgjedhje të jshtëzakonshme. A ishin të nevojshme këto zgjedhje në këtë kohë? Zgjedhjet kanë qenë të bëra me një marrëveshje ndërmjet subjekteve politike duket se edhe populli i ka pranuar sepse nuk pati ndonjë kundërshtim politik?

Përgjigje: Zgjedhjet janë menduar si dalje nga gjendja e rëndë në vend, edhe si mundësi që Kosova me nis një periudhë të re, që është një gjallëri dhe një rritje në jetën institucionale. Ajo duhet të qëndrojë në integritetin e vet, në kufij të sigurtë në sovranitetin e plotë në të gjithë vendin .

Pyetje: Partitë politike, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve themeluan koalicionet PDK-AAK, Nisma, LDK-AKR Alternativa. Për të parën herë kemi koalicione të mëdha parazgjedhore edhe grupime parazgjedhore. Këto grupime a nënkuptojnë që nuk do të ketë nevojë për koalicione paszgjedhore, si e mendoni ju?

Përgjigje: Janë projekte serioze që ne i kemi, dhe rezultat i të gjithë këtyre punëve ka ndodhur edhe parapërgatitje, pra grupimet politike si rasti i koalicionit tonë Aleanca PDK, Nisma dhe 10 parti të tjera që janë nisma e këtij koalicioni të cilat me kanë nderuar mua me nominim për kryeministër dhe me marrjen e përgjegjësive. Mendoj se kjo është veç një situatë e qëndrueshme për Kosovën, një Kosovë me qeveri stabile. Ne kemi një formulë të një qeverie stabile.

Pyetje: Ju jeni një nga kandidatet potencialë për të qenë kryeministër i Kosovës. Ku e mbështesni ju besimin dhe sa varet kjo nga votuesit që për herë të parë votojnë?

Përgjigje: Te gjithe votuesit janë me peshë në vendin tonë, dhe vendimi i tyre është vendim sovran dhe ne i kushtohemi votës të të rinjve, të të gjithë atyre që ju intereson dhe i preokupon ajo ç’ka ndodh në vendin tonë.

Pyetje : Ju jeni nominuar si kandidat për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK, Nisma. Përgjegjësitë që ju presin si kryeminister i ardhshmë në rast se fitoni zgjedhjet?

Përgjigje: Do të ketë qeveri pune. Prioriteti ynë bazik i qëndrueshmërisë është baza e një shoqërie pa të cilën është e pamujshme. Janë të rrezikuara prioritetet nga mungesa e garancisë si shtet, mirëpo kemi një prioritet në zhvillimin ekonomik. Synojmë e targetojmë  pozitën e të rinjve dhe të femrave në Kosovë. Shëndetësinë e kemi shqetësim të madh në vend, kjo është radhitja e prioriteteve të qeverisë. Kemi punuar për të mbërritur tek sipërmarësit në Kosovë, janë rreth 180 mije fermerë, janë rreth 60 mijë biznese të vogla dhe mesme, tek të gjithë krijuesit qoftë me vetëpunësim, qoftë me punësu të tjerët që kanë iniciativa, që kanë ide biznesi. Me prioritet kemi iniciativat që vijnë nga të rinjtë dhe nga femrat. Ne prioritet do ti japim investitorit shqiptar, në këtë rast nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora prioritet do të ketë edhe për shkak të afërsisë të gjuhës dhe lehtësirave të tjera. Fokusimin e parë e kemi tek investitorët potencialë tanët.

Zoti Haradinaj ka qenë mjaft kritik përsa i përket dy çështjeve mjaft të nxehta në skenën politike në Kosove, siç janë çështja e Demarkacionit dhe Asociacionit. Po a shihen ato si çështje që duhet gjetur zgjidhje brenda institucioneve të Kosovës, apo varet edhe nga dialogu me Serbinë? Zoti Haradinaj tha se kjo marrëveshje e shënimit të kufirit është gabim, humbim territor. Do të krijohet komision i ri, do të nxjerrim versionin e drejtë dhe do të negociojmë me Malin e Zi, shprehet ai, ndërkohë që theksoi se liberalizimi i vizave është një proces jo i largët, që nuk do të marrë kohë të gjatë. Më tej ai thotë:

“Komisioni ynë i ri qeveritar nxjerr versionin e drejte fillon procesin nga e para me Malin e Zi, por menjëherë kur fillon ky proces , do të informoj vendet e BE se jemi në proces të gjetjes së kësaj zgjidhjeje, në mënyrë që të mos vonojmë liberalizimin e vizave, njëkohësisht për bashkimin e komunave serbe versioni i marrëvshjes ka ra, se ka hup poshtë kushtetuta e vendit, tani vlejnë mundësitë kushtetuese”.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është pro dialogut me të gjithë fiqnjët, por sipas tij Serbia po sillet armiqësisht ndaj Kosoves. “Dhe nëse Serbia do të sillet armiqesisht ndaj Kosoves, ne do të jemi çdo herë në reciprocitet” tha ai, ndërsa shtoi se “në këtë proces do t’a përfaqësojmë interesin e Kosovës dhe vendimet e parlamentit e të Kushtetutes të Kosove, e cila është sovrane e pavarur dhe e njohur nga shumë shtete”. “Serbia është në pozicion armik me Kosovën, ndërmerr veprime armiqesore ndaj Kosovës, ka qasje penguese për Kosovën. Ne nuk do ti tolerojmë këto veprime të tyre ose këtë pozicion të tillë. Ne nuk do ti tolerojmë këto veprime, por do ta reflektojmë me reciprocitet në cilindo pjesë të marrdhënieve tona” shprehet zoti Ramush Haradinaj.

Pyetje: Kosova dhe Shqipëria kanë marrëdhënie speciale, si i shihni ju këto marrëdhënie në të ardhmen?

Përgjigje: Nuk kemi avancuar në rritje të shkëmbimit të ndërsjelltë. Vetë llogjika e BE është qarkullimi i lirë i mallrave, i njerëzve. Unë mendoj se ne duhet të fokusohemi shumë që ta rrisim këtë qarkullim edhe të njerëzve edhe të mallrave edhe të ideve të ndërsjellta Kosovë – Shqipëri, por jo vetëm, por edhe shqiptarët e rajonit.

Presidenti Nishani pritet nga Presidenti Federal i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier

Posted: 02 Jun 2017 06:11 AM PDT

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u prit sot nga Presidenti Federal i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në kuader te pjesëmarrjes në Takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit. Presidenti Nishani ka patur me presidentin Steinmeier, një bisede të shkurtër kokë më kokë, mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, si dhe çështjet e procesit të integrimit evropian dhe të zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kreu i Shtetit u ndal në reformën në drejtësi dhe fillimin e procesit të zbatimit të saj, duke vlerësuar dhe kontributin individual të Gjermanisë dhe ekspertëve të saj në hartimin e legjislacionit përkatës, konform standardeve më të mira gjermane e evropiane. Presidenti gjerman Steinmeier, e përshëndeti marrëveshjen politike për reformën në drejtësi si dhe shprehu besimin se kjo reformë do të përmbushet me sukses dhe në kohën e duhur. Të dy Presidentët pritet të takohen sërish nesër, datë 3 Qershor 2017, në kuadër të Samitit të Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që zhvillohet në Brdo të Sllovenisë dhe ku Presidenti Steinmeier është i ftuar i posaçëm i liderëve.

Firmoset marrëveshja për zbardhjen e materialeve filmike të AQSh me AQF

Posted: 02 Jun 2017 06:03 AM PDT

Është nënshkruar sot në ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Marrëveshja për dixhitalizimin e të gjitha materialeve në format filmi të Arkivit Qendror të Shtetit, me Arkivin Qëndror të Filmit. Sipas Drejtorit Ardit Bida, 118 bobina me material të panjohur, do të bëhen tashmë të mundura për t`u studiuar, sipas rregulloreve në fuqi: "Bëhet fjalë për 118 bobina e cila është e gjithë madhësia e matërialit filmik që ka arkivi qëndror i shtetit dhe që janë si material organik në proçesin e degradimit të tyre final. Në ktë kuptim ne sot po shpëtojmë një pjesë të historisë tonë duke dixhitalizuar dhe duke e bërë të aksesueshme sipas ligjit për ata të cilët ligji iu jep akses". Ndërkohë Arkivi Qëndror i Filmit, i cili është i vetmi institucion që e mundëson këtë proçes, ka tashmë një eksperiencë në bashkëpunime të tilla, Drejtorja e këtij arkivi Elvira Diamanti, fton të gjithë institucionet të bëhen pjesë e ruajtjes së memories institucionale e kombëtare: "Ne kemi shkuar deri në 80% të dixhitalizimit të materialit filmik që ne disponojmë sepse jemi një nga arkivat më të pasura të ballkanit. Përsa i përket institucioneve të tjera pra sikundër ndodh me arkivin e shtetit që ka në bodrumet e tij kto materiale filmike të palexueshme dot për ta sigurisht që ka edhe institucione të tjera. Dhe unë mendoj që pikërisht ktu kjo gjë varet nga ndërgjegjia, nga përgjegjësia dhe nga dëshira e mirë që kanë të gjithë institucionet, të paktën institucionet e shtetit për ti ruajtur këto materiale filmike. Natyrisht që unë e ritheksoj që pronar do të mbeten ata por materialin do ta bëjnë të lexueshëm vetëm tek ne" theksoi drejtoresha e këtij arkivi Elvira Diamanti. Formati i vjetër do t`i rikthehet institucioneve për ruajtje të mëtejshme. Ky proçes, sipas kësaj marrëveshjeje, do të zgjase 6 muaj.

Basha në Pogradec premton ekonomi të vërtetë

Posted: 02 Jun 2017 06:00 AM PDT

Kryetari i PD Lulzim Basha është takuar me elektortin në Pogradec të cilëve u ka premtuar se në republikën e re fijet e pushtetit do të jenë në duart e qytetarëve. “Çdo depuet që nuk mban premtimet nuk do prisni katër vjet, por mund ta shkarkoni në mes të mandatit” tha zoti Basha. “Ju do të keni fijet e pushtetit në dorë, ju do të keni në dorë të zgjidhni dhe të shkarkoni, me kushtetutë do ta keni këtë në republikën e re” shtoi më tej ai.
Kreu i PD akuzoi liderin e PS dhe kryeministrin e vendit Rama se ka frikë të përballet me të në një debat publik. “Bilanc nuk ka, program nuk ka. Kjo është frika e Edi Ramës. Kjo është arsyeja pse Edi Rama nuk do debat me mua. Gjithë fushatën do ta kthejë në një shfaqe ku do merret me gjithçka, përveç çështjeve që ju interesojnë ju nuk merret tha zoti Basha.
Akuza lëshoi ai edhe ndaj LSI duke thënë se ka përfunduar koha e klientelizmit politik. “Asnjë votë për ata që ju mbajnë peng. Votat për LSi janë vota në gjol” u tha zoti Basha pogradecarëve. Nuk do të ketë më pazar, tha ai, duke ju refereuar bashkëpunimit të dikurshëm të PD me LSI.
Kreu i PD, i cili synon të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë nëse PD fiton zgjedhjet e 25 qershorit, tha se ai do të jetë një kryeministër për ekonominë e vërtetë të vendit.

Fjona Perllaku; Maturantja më mirë 2016 fiton bursën universitare

Posted: 02 Jun 2017 05:40 AM PDT

Gjatë 13 viteve të saj të shkollimit është vlersuar me notë maksimale dhe është dalluar për rezultate të shkëlqyera në shumë prej Olimpiadave Kombëtare dhe Ndërkombëtare që ajo ka marrë pjesë. Fjona ka rezultuar maturantja më e mirë mes 40 mijë të rinjve në Shqipëri për vitin 2016, e është shpallur fituese në 10 përzgjedhjet e saj në formularin A2. Në një Intervistë për TVSH, 19 vjeçarja na rrëfen se ka arritur deri këtu falë një pune këmbëngulëse dhe sistematike në të gjitha lëndët, por argëtimi i saj është Matematika. Ajo sqaron se shpesh herë ka tejkaluar programin mësimor me ushtrime të një shkalle të lartë vështirësie, të cilat i kanë marrë shumë kohë pasi kërkonte ti zgjidhte me patjetër. Me përkushtimin të saj ndaj mësimeve Fjona ka guxuar të hedhë hapin e saj drejt fitores dhe ja ka dalë .19 vjeçarja është përzgjedhur për të vijuar studimet e larta në një nga universitet më të mira në botë; ai i Masaçusets në SHBA, ëndrra e miliona të rinjve amerikanë. Profesori i Matematikës që ka ndjekur Fjonën në vitin e parë të studimeve në një prej universiteteve private në vend, sqaron se, 19 vjeçarja karakterizohet prej punës së saj sistematike. Për planet e saj në të ardhmen, nëse do të kthehet në Shqipëri për të punuar apo jo, Fjona nuk ka një përgjigjie të prerë dhe thotë se: "Tashmë objektivi kryesor i imi është studimi, pastaj gjithçka do t’ia le kohës."

Publikuan debatin e ministrit, nis procedimi disiplinor ndaj oficerëve

Posted: 02 Jun 2017 05:27 AM PDT

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme ka nisur procedim disiplinor për policët që filmuan dhe më pas shpërndanë videon e ministrit Dritan Demiraj, teksa ky i fundit diskutonte me disa oficerë të policisë gjyqësore, gjatë sekuestrimit të prozhektorëve që dyshohet se shkaktuan problemet shëndetësore te militantët e PD-së në mitingun e para disa ditëve. Nga pamjet e transmetuara duket se ministri Demiraj është filmuar nga një prej vartësve të tij me kamerat e trupit që kanë policët të vendosur në pjesën e majtë të kraharorit gjatë shërbimit.  Demiraj shihet ndërsa po i shpjegonte oficerëve gjyqësore se nuk mund të merrnin të gjithë prozhektorët, por vetëm njerin prej tyre për egzaminim, duke lejuar partitë politike që të vijonin me aktivitetet e tyre. Siç dëgjohet në filmim, oficerët i justifikuan veprimet me një urdhër të prokurorit. Por, burime të besueshme informacioni i thanë RTSH se oficerët e policisë gjyqësore nuk kishin urdhër për sekuestrimin e prozhektorëve. Për këtë rast është vënë në lëvizje edhe Prokuroria e cila ka nisur një hetim për oficerët e policisë gjyqësore me akuzën e "shpërdorimit të detyrës".

Forum shkencor për veprën e Thimi Mitkos

Posted: 02 Jun 2017 04:44 AM PDT

Akademia e Shkencave ka vendosur jo vetëm të vlerësojë dhe nxisë kërkimin shkencor përmes çmimeve Çabej, por edhe ta vijojë diskutimin përmes Forumeve Shkencore. I pari i këtij lloji nisi me veprën e Dhori Qiriazit, "Fjalëtore shqip-gërqisht, gërqisht-shqip dhe ndihmesa të tjera leksikografike", një studim serioz mbi veprën e Thimi Mitkos. Akademikja Floresha Dado shprehet kështu: "Pas një pune prej disa dekadash, studiuesi ka arritur të rindërtojë fjalorin shqip-greqisht dhe greqisht-shqip të Thimi Mitkos, duke shfrytëzuar mbi 5 mijë skeda dorëshkrim të këtij autori historik, me emrin e të cilit lidhen fillimet e Rilindjes shqiptare." Me botimin e kësaj vepre ndryshon rrënjësisht historia e leksikografisë dhe leksikologjisë shqiptare dhe po ashtu edhe përfytyrimi për fillimet e romantizmit. Studiuesi ka përgatitur gjithashtu një parathënie të gjatë, me vlerën e një monografie, ku personaliteti i Thimi Mitkos, i pari që hartoi një fjalor ku greqishtja thekson autori kishte funksion shpjegues në raport me shqipen.

Administrativja rrëzon banorët: Të vazhdojë ndërtimi i HEC-it në Valbonë

Posted: 02 Jun 2017 04:20 AM PDT

Gjykata Administrative vendosi të rrëzojë kërkesën për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-t në Valbonë. Trupa gjykuese hodhi poshtë kërkesën e shoqatës 'Toka' dhe banorëve të zonës për pezullimin e punimeve dhe vendosi shqyrtimin në themel të çështjes. Por rrëzimi i kërkesës së kompanisë dhe legjitimiteti i vijimit të procesit gjyqësor ka lënë të pakënaqur palën paditëse. Avokati i banorëve pas këtij vendimi tha së çështja do të ankimohet. "Do e ankimojmë vendimin. Është i padrejtë. Kemi paraqitur prova, raporti i vlerësimit do të jetë më vonë. Çdo punim është në shkelje të ligjit. Është zonë e mbrojtur. Jemi përballë me mohimin e institucionit për vënien e infomacionit në dispozicion". Seanca e radhës për HEC-in e Valbonës u caktua në datën 14 Qershor ndërsa banorët pretendojnë se çështjen do ta çojnë edhe në gjykatat ndërkombëtare.

E ardhmja e “Flamurtarit” ende e paqartë

Posted: 02 Jun 2017 03:55 AM PDT

Privatizimi i klubit "Flamurtari", nuk dihet ende se kur do të bëhet. Ish-futbollisti dhe anëtari i bordit drejtues të Flamurtarit Saimir Haxhiu ka kërkuar përpara këshilltarëve bashkiakë më shumë informacion se çfarë do të bëhet me privatizimin e Flamurtarit, në një moment kur situatat problematike të klubit vlonjat kanë ndjekur njëra-tjetrën prej disa sezonesh futbollistike. Ai ka kërkuar që çështja e privatizimit të klubit të futet në rendin e ditës. “Kjo është një çështje mjaftë e ndjeshme për të gjithë, ndaj duhet të përfshihet me përparësi” tha ai.
Por kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli i është përgjigjur në këtë mënyrë kërkesës së Haxhiut. “Për çështje të tilla kaq serioze dhe të ndjeshme nuk mund të futen në rendin e ditës sot për sot” tha ai. Por zoti Leli propozoi edhe mbajtjen e një mbledhjeje jashtë rradhe për këtë çështje.
Prej tre vitesh Flamurtari administrohet nga dy kompanitë turke TRK dhe Atlas Get, me përfaqësues Sinan Idrizin. Ky i fundit që fillim e deri tani ka vijuar me kërkesat për privatizim të klubit, pasi sipas tij nuk mund të vijohet më me këtë mënyrë administrimi.