RTSH: “Thirrja e Ramës ndaj policisë sjell reagime” plus 9 more

RTSH: “Thirrja e Ramës ndaj policisë sjell reagime” plus 9 more


Thirrja e Ramës ndaj policisë sjell reagime

Posted: 16 Jun 2017 01:14 PM PDT

Thirrja e kryeministri Rama në Kuçovë drejtuar policëve që “në momentin që lënë uniformën, pas pune të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS” ka sjellë një reagim të menjëhershëm të politikës, por edhe brenda kabinetit të tij.

Nënkryetari i LSI, Luan Rama e konsideroi një deklaratë provokative. “Ftoj trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, misionin monitorues të OSBE/ODIHR, ambasadorin e SHBA, ambasadorët e BE të akredituar në Tiranë të mbajnë qëndrim publik, transparent ndaj qytetarëve shqiptarë përballë kësaj deklaratë provokative, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me kushtetutën dhe që synon të manipulojë, trafikojë dhe vjedhë votën e qytetarëve shqiptarë” tha zoti Luan Rama.

Nga ana e tij ministri i brendshëm Dritan Demiraj në një deklarim ka kujtuar se ligji për policinë e shtetit i ndalon punonjësit e policisë së shtetit që të mbështesin fushatën. “Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjithë trajnimin e nevojshëm ligjor për të kuptuar detyrimet dhe kufizimet që ata kanë në një process zgjedhor” ka thënë ministri Demiraj. Ai ka kujtuar gjithashtu se përfshirja e policisë në zgjedhje përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet. “Më lejoni tju bëj me dije se Policia e Shtetit është në monitorim të rreptë prandaj i ftoj të gjithë punonjësit e saj që të respektojnë çdo gërmë të ligjit përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera” ka thënë ministri i brendshëm Dritan Demiraj.

Ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha në një reagim të tij rreth deklaratave të kreut të qeverisë, tha se ato janë kriminale. “Rama duhet të kërkojë menjëherë falje” tha ai.

Rama: Të gjithë të angazhohen për fitoren e PS!

Posted: 16 Jun 2017 12:59 PM PDT

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve që masivisht të votojnë PS, për të mundësuar krijimin e një qeverie që nuk do të shantazhohej nga partitë e tjera. Në Kuçovë zoti Rama shkoi edhe më tej kur u ka bërë thirrje punonjësve të administratës, por edhe policisë që pas pune të angazhohen për fitoren e PS. “U bëj thirrje mësuesve të mos lënë minutë ditë e natë pa shfrytëzuar. U bëj thirrje policisë, në momentin që lënë uniformën, pas pune të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS. Të mos lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu, që ne e kemi pastruar dhe lartësuar dhe bashkë në 4 vite ta bëjmë Policinë e Shtetit të jetë në mesataren e policisë së BE. I bëj thirrje punonjësve të shtetit të bëjnë të njëjtën gjë, do rrisim rrogat me 40 përqindje dhe do bëjmë të mundur që për herë të parë administrata të jetë e shtetit dhe jo e coptuar në zyra të partisë së pushtetit” tha zoti Rama.

Shuhet Kohl, arkitekti i ribashkimit të Gjermanisë

Posted: 16 Jun 2017 12:01 PM PDT

Helmut Kohl, ish-kancelari i Gjermanisë dhe arkitekti i ribashkimit të RFGJ dhe RDGJ në vitin 1990, është shuar në moshën 87 vjeçare. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Ludvigshafen, në shtetin perëndimor të Rheinland-Pfalz.  Kohl e udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet, nga 1982 në 1998, duke u bërë kancelari më jetëgjatë i saj që nga koha e Bismarkut. Sëbashku me presidentin francez Fransua Miterran ai do të mbahet mend edhe për futjn e monedhës europiane euro në BE. Shefi i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker ka urdhëruar që flamujt në institucionet e BE-së të ulen në gjysëm shtize.

Basha në Vlorë: Votoni PD që jeta juaj të ndryshojë për mirë!

Posted: 16 Jun 2017 07:06 AM PDT

Pretendenti për kryeministër pas zgjedhjeve të 25 qershorit, kreu i opozitës Lulzim Basha, u ka kërkuar vlonjatëve votën, duke ju premtuar një ndryshim për mirë të jetës së tyre dhe për ti dhënë fund krizës ku sipas tij e ka futur vendin kryeministri socialist Edi Rama. “Duhet një plan për ta nxjerrë Shqipërinë, një plan i zbatueshëm si ky që kam unë, një plan ekonomik i ngjashëm me atë që po aplikon sot presidenti Trump, me ulje taksash, ndihmë për sipërmarrjen për të krijuar vende pune, me investime në infrastrukturë që ndihmon zhvillimin dhe jo infrastrukturë rrush e kumbulla” tha zoti Basha.
“Me uljen e taksave, uljen e TVSH, menjëherë nis injektimi i miliona eurove që sot zhduken në xhepat e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës. Këto para do të jenë në xhepat tuaj. 400 milione euro cvco vit për të shpenzuar vetëm me uljen e TVSH” premtoi zoti Basha.
Në Vlorë një nga zonat e njohura për gjueti, zoti Basha premtoi anulimin e moratoriumin e qeverisë Rama për gjuetinë. “Dua ta mbyll me një premtim për një degë të veçantë të turizmit që ka të bëjë me gjuetinë. Gjuetia në asnjë vend nuk ndalohet, por normohet dhe kontrollohet. Ndalimi i gjuetisë ka pasur një qëllim, të hiqte sytë dhe veshët e gjuetarëve nga mbushja e maleve, kodrave dhe pyjeve të Shqipërisë me hashash” tha zoti Basha.

Ministri i brendshëm merr në analizë situatën parazgjedhore

Posted: 16 Jun 2017 06:48 AM PDT

Policia shqiptare do të angazhohet për të garantuar një proçes zgjedhor me standarte sa më të larta më 25 qershor. Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj është takuar të premten me drejtuesit vendorë të policisë në 12 qarqe. Në takim janë diskutuar masat për parandalimin dhe evidentimin e rasteve të shit-blerjes së votës, presionit ndaj zgjedhësve, përdorimi i parave nga burime të paqarta me synim ndikimimin në procesin elektoral, apo marrja e bllokimi i kartave të identitetit përkundrejt shpërblimit, apo heqjes të së drejtës për të votuar.
Zoti Demiraj kërkoi nga Policia e Shtetit përmbushjen e të gjitha përgjegjësive që i jep ligji, ndërsa sipas tij, nuk do të tolerohet mbështetja e subjekteve politike nga efektivë me uniformë. Ai tha se çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. “I gjithë zinxhiri drejtues i policisë së shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit” ka theksuar ministri Demiraj.
Ministri i brendshë ka shfrytëzuar rastin të vlerësojë rezultatet e Policisë së Shtetit kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Luan Rama: Nuk e kuptoj se çfarë problemi ka zoti Ruçi me deklaratat e Metës!

Posted: 16 Jun 2017 06:19 AM PDT

LSI dhe PS kanë nisur shkëmbime deklaratash pasi presidenti i ardhshëm Ilir Meta paralajmëroi pak ditë më parë se nuk do të dekretonte asnjë kryeministër dhe ministra nëse cënohej vota e zgjedhësve më 25 qershor. Por ka reaguar me një deklaratë të fortë sekretari i përgjithshëm socialist Gramoz Ruçi, i cili tha se nëse ndërmerr këtë veprim Meta do të jetë presidenti i parë që do të provojë shkarkimin.
Ndërkaq polemikat i ka vazhduar më tej sekretari i përgjithshëm i LSI Luan Rama, i cili ndërsa citoi fjalë për fjalë deklaratën e zotit Meta tha: “…nuk e kuptoj se çfarë problemi ka zoti Ruçi me këtë përcaktim, që është në mbrojtje të legjitimitetit dhe standardeve të zgjedhjeve”. “Ka standarde të përcaktuara nga OSBE-ODIHR. Janë standarde ndërkombëtare dhe natyrisht që qytetarët shqiptarë që janë pjesë e gjithë kësaj hapësire globale dinë, lexojnë, kuptojnë, ndjejnë, kanë dhe detyrimin të kontribuojnë për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme” vazhdoi më tej zoti Luan Rama.
Shkëmbimi i deklaratave të tilla mes zyrtarëve të lartë të PS dhe LSI, më shumë shihet si pjesë e fushatës zgjedhore se sa një realitet i mundshëm në të ardhmen. Të dy partitë, por bashkë me to edhe PD në opozitë, po deklarojnë se do të jenë forcë e parë në zgjedhjet e përgjithshme që mbahen pas një jave.

Londër; Arrestimi pranë Parlamentit

Posted: 16 Jun 2017 06:12 AM PDT

Policia londineze ka rrethuar Parlamentin e vendit, ndërkohë që oficerët e armatosur kanë arrestuar një të dyshuar me thikë. Dëshmitarët thanë se policia bllokoi zonën dhe fotografitë e shpërndara në mediat tregonin një të dyshuar me kapuç gri tek shoqërohej nga oficerët. Policia tha se një i dyshuar ishte rreth të 30-tave dhe u arrestua pas raporteve se ishte parë me thike pranë Pallatit të Uestminsterit. Portat në Parlamentit britanik janë mbyllur dhe gazetarëve brenda ju është thënë se nuk mund të largohen.

Nesër zyrtarisht ngrihen Institucionet e “Vettingut”

Posted: 16 Jun 2017 05:36 AM PDT

Shërbimet e administrates së Kuvendit lajmëruan se të shtunën deputetët do të lënë fushatën për të votuar ngritjen e institucioneve të reja të Vettingut. Në datën 7 Mars Televizioni Shqiptar e kishte paralajmëruar se mesi i qershorit do të ishte afati fundor për votimin e njerëzve që do të kontrollojnë gjyqtarët dhe prokurorët. Këtë të shtunë parlamenti vulos nisjen në praktikë të reformes në drejtësi duke i dhënë frymëmarrje një prej proçeseve më të vështira politike dhe ligjore në historinë e tranzicionit shqiptar. 21 deputetë të partisë socialiste dhe Mesila Doda e PDIU, kanë kërkuar sipas rregullores së Kuvendit thirrjen e seances plenare gjatë të cilës do të votohen në bllok 27 njerëzit që do të pastrojnë drejtësinë në Shqipëri. Të shtunën do të betohet edhe Avokatja e re e Popullit Erinda Ballanca e cila pas kësaj proçedure merr zyrtarisht detyrën. Parlamentit të Shqipërisë ju deshen 11 muaj për të votuar dhe për të vënë në fuqi ligjin më të rëndësishëm të reformes në drejtësi, atë të Vettingut. Ky ligj i votuar në 30 Gusht të vitit të kaluar i ka rezistuar deri më sot betejave të forta sa në parlament, sa në gjykatën kushtetuese.

Mbretëresha Elizabeth viziton të mbijetuarit e zjarrit të fuqishëm në kullën Grenfell

Posted: 16 Jun 2017 05:12 AM PDT

Mbretëresha e Anglisë dhe nipi i saj, Princi Uilliam kanë takuar të mbijetuarit e zjarrit të fuqishëm në kullën Grenfell, i cili la 30 të vdekur dhe më shumë se 76 të humbur. Mbretëresha Elizabeth e shoqëruar nga Duka i Kembrixhit dhe Princi Uilliam vizitoi Qendrën Sportive ku janë strehuar të mbijetuarit e zjarrit vdekjeprurës brenda kullës rezidenciale. Mbretëresha nderoi ‘trimërinë’ e zjarrfikësve që luftuan me zjarrin dhe vlerësoi ‘bujarinë e pabesueshme’ të vullnetarëve që u ofruan viktimave mbështetjen e tyre. Kryeministrja May e vënë në shënjestër të kritikave pasi vizitoi vendin e ngjarjes, por nuk u takua me të mbijetuarit, ka urdhëruar hetim të plotë të ngjarjes. Nderkaq numri i viktimave të zjarrit ende është i paqartë për autoritetet britanike. Nuk ka një listë me personat e zhdukur, por mediat raportojnë se mund të behet fjalë për 76 të zhdukur, mes të cilëve edhe familje. Identifikimi i të gjithë viktimave mund të mos bëhet kurrë për shkak të karbonizimit të trupave. Shërbimet e emergjencës vijojnë kërkimet në ditën e tretë, kur shpresat për të mbijetuar janë shuar. Policia kerkoi hetim kriminal për të zbuluar shkaqet e rënies së zjarrit. Pas polemikave për sigurinë e ndërtesës, vëmendja është përqendruar tek materiali i përdorur gjatë rinovimit të saj, tek cilësia e dobët e disa paneleve prej alumini të përdorura për izolim.

Topi i FRD: Kjo është fushata më e çuditshme në 27 vjet!

Posted: 16 Jun 2017 05:00 AM PDT

Fryma e Re Demokratike konkuron në zgjedhjet e 25 qershorit, si forcë qartësisht e djathtë dhe me program të qartë ekonomik. Gjatë një takimi në Korçë kreu i saj, ish presidenti Bamir Topi, shprehu shqetësimin posaçërisht për Kodit Zgjedhor i cili sipas tij favorizon partitë e mëdha. Zoti Topi tha se marrëveshja e 15 majit nuk realizoi pritshmërinë kryesore, reformimin e Kodit Zgjedhor. “Ka qenë nevoja që forcat politike në parlament të prodhojnë një kod zgjedhor që më së fundi do ti garantojë shoqërisë shqiptare një parlament normal me vota të drejta e të pavjedhura” tha zoti Topi. Sipas tij nga kjo marrëveshje më të çoroditur dolën zgjedhësit. “Kjo fushatë sipas meje është fushata më e çuditshme në 27 vjet. Tani i kanë përzier ujrat. Të ashtuquajtura forca të djathta, sillen si të majta, të ashtuquajturat si forca të majta sillen si të djathta” tha zoti Topi. Për të “Shoqëria shqiptare është shumë e paqartë në këto zgjedhje”.